• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prova e një Kombi!

October 18, 2013 by dgreca

Mëhill Velaj dhe “Klithma e shekullit”/

Ne Foto:Mëhill Velaj/

Shkruan: Raimonda MOISIU/

“Klithma e shekullit” titullohet romani I dalë nga Shtëpia Botuese “Litografija”, Gjakovë, – një vepër  letrare e mirëkonceptuar, shkruar e shprehur me ndjeshmëri nga poeti dhe prozatori Mëhill Velaj. Klithmat e dhimbjeve, e vuajtjeve,  e genocidit, e tragjikes, e torturave të viktimave të  pafajshme  duruar para vdekjes, e kufomave në  varre masive, klithmat e së pakuptimtës, e të pashpirtes ndaj viktimave të tragjedive të tilla,  klithma që duken sikur kanë  rënë në heshtje, por nuk  janë më të heshtura, ato kanë  tashmë një zë,-zërin që vjen nga paqja shpirtërore. Është mëse e qartë se autori Velaj nëpërmjet kësaj pune letrare, si dëshmitar i një procësi historik, të cilin askush nuk e besonte si të mundshëm,  faktet dhe dëshmitë historike, ngjarjet interesante I ka përshkruar me një stil për tu admiruar, duke u dhënë një karakter letrar, ku autori është edhe pjesëmarrës vetë. Ngjarjet zhvillohen në të shkuarën dhe të tashmen, të interpretuara këto në nivel artistik. Krahas këtyre vlerave ai sjell historinë e tyre në dritë, kalvarin e vuajtjeve dhe  sakrificave, libri është fjalë për fjalë një dëshmi mes jetës e vdekjes, lidhjet e saj me tragjiken e mbijetësën tonë,  mes dobësisë dhe forcës tonë, mes dhimbjes e ndjeshmërisë,  mes vetes dhe atdheut, mes klithmës  të genocidit nga serbët në Kosovë,  vetëm e vetëm për të zhdukur një etni të tërë dhe kurajos që shpërthente nga gjokset e djalërisë kosovare, mes zëmërimit dhe urrejtjes, mes përcmimit dhe mëshirës, mes poshtërimit e torturës, klithmë që dukej e vështirë për tu kuptuar se një entitet ishte I bazuar llogjikisht në brendësi të emocioneve, për të njohur dashurinë, trishtimin, pritjen ndër shekuj, besnikërinë ndaj atdheut, inteligjencën,  shpirtin njerëzor, -klithma që shpalosi retë dhe ngriu diellin, që I mbajti gjallë për qindra e qindra vite,   -klithma që ndërtoi urat jetike për të mbrojtur e ruajtur lirinë dhe pavarësinë  e tokës dardane. Romani është I përbërë nga   pesëmbëdhjetë pjesë së bashku me epilogun. Personazhet e romanit janë njerës historikë, por mes tyre ka edhe njerës të zakonëshëm të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë ose në një tjetër. Ai fillon ngadalë  duke absorbuar të gjitha karakteret dhe për të kuptuar cështjet përsonale që prekin të gjithë.  Ka më shumë se një kontakt të mistikes dhe magjisë në histori. Janë ngjarje  unike dhe shpirtërore, që duket pothuajse e zakonëshme për ata me të dhe prekjen e gjakut amëtar shqiptar. Autori tregon një pjesë të madhe të respektit për folklorin shqiptar (kjo vërehet në emrat e pastër shqiptarë të personazheve) dhe besimet fetare. Ky është një roman mjaft interesant ndërtuar rreth temës që njerësit jetojnë  dhe luftojnë për të marrë atë që duan nga ajo. Forca e librit  është në personazhet e tij, të cilët autori I trajton me interes të madh stilistik. Që në kapitullin e parë,  Velaj  na jep Shpat Zadrimën, një mësues me qetësi elokuente, fisnik dhe inteligjent,  me dhimbjen e trishtimin, në fshehtësi të plotë largohet  drejt tokës amë fillimisht e më pas drejt SHBA-s,  përshkak të raprezaljeve, persekucionit dhe terrorit serb. Mbas disa vite emigrimi  Shpati  kthehet I përlotur e  optimist me mendimin se asgjë në jetë nuk zgjat dhe me premtimin për një të ardhme më të mirë, se cdo gjë bëhet  e mundur ndaj  së pamundshmes, së bashku me kujtimet e tij, ngjarjet, të vërtetat tronditëse, ashpërsitë e jetës, frymën dhe praninë e karaktereve,  mungesën  që mbeti prej tij,  duke sjellë për audiencën e lexuesve një vepër të balancuar në gjërat që të ofron jeta dhe gjërat që jeta I largon nga ne. Ky është vërtet  një përkushtim mahnitës.

Romani “Klithma e shekullit”, arrin të na japë atë që në dukje, duket e pamundur. Ai përfshin pothuajse cdo gjë, pasojat dhe konseguencat e luftës, jetën e  atyre njerësve të thjeshtë dhe nga faqja në faqe vazhdon të mbajë interesimin e lexuesit. Në kapitujt e tjerë konstaton, forcën e inteligjencës, maturinë dhe guximin, kurajon,  ngjarje epike në përmbajtje,  një lloj truku historik dhe artistik, që mbulon jetën e kosovarëve,  përjetimin  e brutalitetit barbar, genocidit, vrasjeve  nga makina vrasëse e Milloshevicit,    që autori e shpalos  me  grafikën e kohës dhe hapësirës. Personazhet janë realë dhe fiktivë,  ngjarjet janë epike në formë e përmbajtje dhe heronjtë janë realë përreth tyre. Ky libër nuk është lustër e hidhur, por ballafaqimi I rrethanave, i brutalitetit dhe terrorit barbar të serbëve. Sepse toka e Dardanisë, njerësit e saj, kanë  kaluar nëpër situata e përvoja nga më të tmerrëshmet dhe më të paimagjinueshmet. I përqëndruar në historinë e dashurisë së dy cifteve,  të dy studentëve, Liridonës dhe Nishit, dhe të dy të rinjve,  Martinës dhe Fisnikut, përvec lidhjeve të tyre emocionale intensive, ndarjen e jetës së tyre në dy pjesë, ashtu si toka e Dardanisë e ndarë në dy pjesë,  se jo gjithmonë janë të lumtur apo të trishtuar, por Velaj na ka dhënë një kombinim të të dyjave. Fillimisht kemi dashurinë e Liridonës  dhe Nishit, lumturinë e kësaj lidhje dhe trishtimin e  shpërbërjes së  saj në batakun e terrorit serb, të cilët  me dëshirë,  guxim, me vetëdijen dhe vetbesimin se edhe mund të vriteshin, ndërpresin studimet dhe I bashkohen formacionit ushtarak të UCK-së, për të luftuar përndjekësit e tyre brutalë e barbarë. Në  të njëjtën linjë autori paraqet edhe dashurinë e Martinës dhe të Fisnikut, në kampin ku ishin vendosur nga dëbimi me dhunë i  trojeve të tyre.   Dashuria e tyre  kurorëzohet në martesë të papritur, brenda kampit  si rrjedhojë e vdekjes së parakohëshme e nënës së saj gjatë lindjes dhe mbijeteësës së fëmijës së porsalindur, Editës. Edhe këtu ashtu si te dashuria e dy studentëve shfaqet guximi dhe pjekuria para kohe, një kombinim I  lumturisë me trishtimin, respektimin e mirësisë, dashurisë dhe guximit kolektiv shoqëror  krijuan një ambient familjar në kamp, për tu kujdesur për babain, motrat, vëllain e Martinës të mbetur tashmë jetimë. Rrëfimin e historisë së dashurisë mes të rinjve autori e bën si një pagëzim të katarsisit, që ajo paprimtas bëhet gjithnjë më e rëndësishme, sepse tashmë dihet se si viktimat e genocidit dhe terrorit serb  jo vetëm në kampin ku ishin vendosur një pjesë e popullsisë kosovare por edhe jashtë tij  ishin të persekutuar, përndiqeshin, torturoheshin deri edhe vriteshin. Në cdo rresht të shkruar autori Velaj është me ta e për ta.  Ai na jep lavdinë dhe bukurinë e dashurisë të Liridonës me Nishin dhe Martinës me Fisnikun, në një mënyrë dhe stil jashtëzakonisht të vecantë, si një nga eksperiencat më të mrekullueshme e të kënaqëshme të jetës.  Autori e ndjente të shkruante historinë e tyre, duke na dhënë bukurinë shpirtërore të dashurisë dhe brutalitetin më të tmerrëshëm në të njëjtën kohë. Kjo është një sfidë e madhe për një shkrimtar, sepse atij I duhet të goditet gjithmonë nga erërat dhe emocione të jashtëzakonëshme dhe anasjelltas. Sepse autori përjeton bukurinë e një dashurie të pastër, por më vonë përjeton shkatërrimin, genocidin, vrasjen e njerësve të dashur që e rrethojnë. Ky është një “udhëtim” i lumtur e I trishtë për autorin dhe lexuesit në të njëjtën kohë.  Autori Velaj me dëshirën e mirë, vendos në rolin kryesor  djalërinë dhe inteligjencën kosovare, heronjtë, dëshmorët e lirisë, guximin, trimërinë dhe bëmat e tyre heroike e të jashtëzakonëshme. Ata janë personazhe  historikë, njerës të thjeshtë, që nga Besmiri, Drini, Jetoni dhe ish nxënësi I tij, Ardian Krasniqi,  trimëria, dashuria, guximi,  shpirti njerëzor dhe hyjnor I Don Kelmendit; pastaj Sidriti, Saimiri, Erina, Rinora dhe Rinori, Azgani e deri te Fisniku, I mencuri dhe I maturi, Bacë Baliu.

“Klithma e shekullit”, është një vepër meditative, tepër e vecantë, duke na sjellë një nga përvojat më kritike të  jetës, durimit, përjetimit,  dhe heroizmit të kosovarëvë, është një strehë shpirtërore për stërnipat e Mujit e Halilit, Kastriotit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës , UCK-së, djalërisë dhe inteligjencvës kosovare që investuan jetët e tyre për ta mbrojtur Dardaninë, për të rritur rrënjët e të ardhmen e brezave arbërore.  Në të konstaton se do të  përfitosh  dhe  kuptohet më mirë në vetvete dhe konteksti më I gjerë do të jetë I vlerësuar gjithashtu, një libër I  vetëm që përfshin konfliktin që shpërtheu në Kosovë, batakun e terrorit serb, me të gjitha lidhjet e saj ushtarake, politike, për përbërësit ekonomikë dhe sociologjikë, që detyruan, SHBA-s, NATO-n, dhe diplomacinë botërore  të hyjnë  në një luftë për të ndryshuar fytyrën e Kosovës dhe demokracisë në Ballkan. Besoj se ky libër është unik si një libër I shkruar ndryshe, në një vend dhe kohë, me “udhëtimin” e personazheve nga ngjarja në ngjarje dhe sesi jeta nën rregjimin serb shpaloset rreth tyre. Në realitet duhet theksuar se personazhet e romanit nuk janë vetëm heronj. Ata janë njerës të zakonëshëm pothuajse të gjithë. Edhe viktimat e pafajshme para torturave, përdhunimeve , vrasjeve e varreve masive, kanë kryer vepra trimërie e guximi, të pabesueshme e të pashëmbullta. Jeta është për njerës të vërtetë, përvojat e saj janë të rralla; të zi dhe të bardha, tërheqës e të shëmtuar, ngushëlluese e të tmerrshme, të guximshëm e të frikësuar,  të egër e të mëshirshëm, me të metat dhe defektet e karakterit psikollogjik dhe njerëzor, adhurojnë e urrejnë, duke pretenduar fitoren e të mundshmes ndaj së pamundshmes, ndaj së keqes së madhe,  në një realitet të hirtë, -Rilindjen! Personazhet e romanit nuk janë të turbulluar nga iluzionet e moralit. Ata kanë kryer bëma të jashtëzakonëshme trimërie. Kjo unë mendoj se është në qëndër të moralit dhe shpirtit shqiptar të kosovarëve. Romani është historia e triumfit të së mirës mbi të keqen, është optimizmi I shqiptarëve për një të ardhme më të mirë e të qëndrueshme, është ideali I –LIRISË! Poeti dhe prozatori Mëhill Velaj ka “endur” një pëlhurë jashtëzakonisht të bukur në librin e tij të tretë në gjininë e prozës, titulluar tashmë “Klithma e Shekullit”. Ai përfshin disa breza dhe nëpërmjet personazheve na jep një përshkrim të gjallë të bukurisë dhe brutalitetit, harmonisë dhe horrorit, përshkruan  luftën e guximëshme  për mbrojtjen e trojeve etnike nëpërmjet jetës së personazheve. Teksa  e lexon romanin të mbush me emocion dhe ofron një portret të mprehtë, të mencur e të matur të burrave dhe grave  që luftuan, u bënë prova e kombit,  për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mhill velaj, prova e Kombit, Raimonda Moisiu

QENDRA “NENE TEREZA” ORGANIZON FESTIVALIN E 23 SHQIPTAR

October 18, 2013 by dgreca

Eshte koha te terhiqni biletat per manifestimin e madh kulturor shqiptar ne Nju Jork. shume artiste amatore dhe profesioniste dhe rreth 3 mije shikues do te jene bashke ne naten magjike te kengeve, valleve, traditave shqiptare nga te gjitha trojet etnike shqiptare. Femije te lindur ne Amerike do te kendojne kenge shqiptare, do te kercejne vallet tona te bukura, do te jene te veshur me kostume kombetare. Mos e humbni rastin. Klikoni mbi njoftimin ne fotografi…per me shume informata.

Filed Under: Kulture

MUZEU I ANETARIT TE BYROSE POLITIKE DHE PSE NUK U INAGURUA ASNJËHERË

October 17, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

 Biografi/

Kadri Hazbi Dautaj lindi më 15 korrik 1922 në Mavrovë të Vlorës, ishte djali i Hazbi Cano Dautaj, një nga komandantet e Luftës se Vlorës 1920. Pasi mbaroi Shkollën Tregtare të Vlorës, pas luftës mbaroi në Moskë të BRSS-së shkollën e lartë të sigurimit. Ka qenë drejtues i disa formacioneve partizane në Luftën e Dytë Botërore, ku dhe u plagos dy herë. Gjatë viteve 1950-1954 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme. Gjatë 16 viteve 1954-1980 ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1979-1982 ka kryer detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes. Më 13 tetor 1982 Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë e përjashton dhe nga partia, arrestohet më 15 tetor1982, ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet. Biografi e dhënë nga ëikipedia.

Hysoverdhi

Kadri Hazbiu ka lindur në fshatin Hysoverdhë dhe është rritur në fshatin Mavrovë.Hysoverdhi ka mbetur gjithë kohës një fshatë i vogël. Nuk pa pasur ndonjë shqyrtim në lidhje me etimologjinë e emrit, burimet apo gjenezën e tij. I ndërtuar në një kodër por me disa lagje. Hysoverdhi është tokë pete, pra brumi i bukës. Gjithë kohës, uji ka munguara në kodrinat e tij. Diku nga vitet ‘70 është ndërtuar një ngritje  e tretë nga rezervuari i Harvalasë, për efektin e vaditjes për tokat e kodrinave. Në kohën  e kooperativës,kufijtë e tij cekeshin me Kotën,fshatin Vajzë.

Disa të dhëna gjeografike

Kota ka qenë një qendër lokaliteti. Një rrugëtim nga kjo qendër deri në qendër të këtij fshati Hysoverdhë mbahen rreth  5.2 km. Kodra ,që është marrë si njësi e rrumbullakosur për lartësinë është qafa e Dushkut rreth 300 m. Te dhëna të tjera administrative janë se ky fshatë së bashku me fshatin e dëgjuar Mavrovë në antikitet quhej Olympia, por me dekret nr.3653, datë 5.3.1963 mbi disa ndryshime në ndarjen administrative tokësore të republikës popullore të Shqipërisë në mbështetje të nenit 11 të ligjit nt.1763 datë 26.11.1953 mbi këshillat popullore,Presidiumi i kuvendit popullor  dekretuar këtë bashkim fshatrash .Pika5. fshatrat Hysoverdhi dhe Mavrova të lokalitetit të Kotës, bashkohen në një fshat të vetëm me qendër në Mavrovë. Kurse me dekretin nr.4799, datë 28.1.1971 mbi disa ndryshime në ndarjen administrative tokësore të Republikës popullore të Shqipërisë në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr. 4352, datë 23.12.1967 “mbi këshillat popullore”,pika 5. Krijohet fshati i bashkuar me qendër Mavrovë me fshatrat:Mavrova, Hysoverdhi, Gumenica, Mazhaj-Lapardha dhe Lapardhaja. Deri në vitin ‘90 ka funksionuar kjo skemë.

 

Muzeu i Kadri Hazbiut

 

Kur kam shkuar në punë në fshatin Mavrovë, një ditë shkuam deri në Hysoverdhë. Rreth 3-4 km nga kalaja e Mavrovës. Në qendër të fshatit ishte një ndërtesë dy kate. Ndërtesa ishte e tipit kullë. -Ndonjë zyrë apo mapo pyeta?  U ndërtuar për muzeun e Kadri Hazbiut.

Ishte me ngjyrë të bardhë. Bënte dallimin nga banesat tjera një kate me tjegulla të kuqe apo të ndërtesa të vjetruara të fshatit. Kadri Hazbiu ka lindur këtu dhe më pas është zhvendosur në Mavrovë? Një fakt i çuditshëm, por ky ,muze është ndërtuar gjatë kohës kur ish-ministri i brendshëm i kohës komuniste Kadrin Hazbiu ruante një reputacion të madh në këtë zonë. Muzeu mund të thuash është një investim i tij, sepse investimet etura në këtë zonë kanë qenë thuajse minimale. Gjithë kohës rruga, që të shpie në qendër të fshatit u shtrua me çakëll, dhe kjo i atribuohet ndërmarrjes së naftës që shpuri sonda për kërkime. Afër asaj është zona naftëmbajtëse Amonicë. Muzeu u ndërtuar pikërisht në periudhën kur ministri i dorës së hekurt po jetonte në ditët e fundit, mirëpo atëherë Byroja politikë kishte marrë një vendim për të ngritur muze për figurat më të shquara dhe anëtarë të byrosë komuniste.

Kadri Hazbiu ka pasur një rol në luftën çlirimtare. Ndërtesa dy kate ka hëngër goxha investim. Ajo përmbante dhoma të mëdha dhe të vogla ku do ët vendoseshin stendat,reliktet dhe gjithfarë materiali .Madje komisioni në Vlorë kishte nisur nga puna për të mbledhur dokumentet, që do të pajisnin  muzeun e ministrit të brendshëm dhe anëtarit të byrosë politike. Ndërsa godina kishte përfunduar dhe pritej mobilim i saj befasisht nga qendra ka mëritur një urdhër. Është shfaqur befasi, fillimisht. Ç’është ky urdhër, që zvarriste pajisjen e muzeut të Mministrit të Mbrojtës ?

Më 13 tetor 1982, Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë e përjashton dhe nga partia, arrestohet më 15 tetor 1982, ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet.

Aty vendohet përfundimisht dhe fati i ndërtesës. Kur kam shkuar atje nga fundi i viteve ‘ 87 ndërtesa kishte banorë brenda. Kjo ndërtesë që ishte nisur për muze i ishte dhënë për banim traktoristit të fshatit, një fshatarë i varfër i zonës. Ndërtesa  me ngjyrë të bardhë ,kishte edhe një oborr të vogël.

 

Si e përshkruan Enver Hoxha :SHPARTALLIMI I FRAKSIONIT(Maj 1943)

Pasi kapërcyem Vaun e Shushicës. morëm rrugën në të djathtë dhe filluam t’u ngjiteshim kodrave midis Lubonjës e Peshkëpisë. Më kujtohet se, pasi kishim udhëtuar disa orë, qëndruam të çlodheshim në një breg. Sado që kishim me vete bukë, nuk kishim futur asnjë kafshatë në gojë dhe na kishte marrë uria. Tek rrinim për t’u çlodhur në majë të bregores, vumë re se aty afër ishte një stan. Një nënë labe po rrinte afër zjarrit. Ajo, pasi na pa, na u afrua e na pyeti:

– Si jeni, more djema?

– Mirë, moj nënë, – iu përgjigjëm ne.

– Keni nevojë për gjëkafshë? – na pyeti prapë ajo.

– Jo, nuk kemi, – ia pritëm ne, – por, po të kesh, na jep një çikë djathë.

– U të keqen nëna, – na tha ajo, – ju bëj unë një çikë djathë të tiganisur.

– O, sa mirë, – i thashë, – ma ke gjetur zemrën, moj nënë, djathin e tiganisur nuk ma ka munguar kurrë nëna ime, sido që me pakicë, por.. .

– Nashti, – tha ajo, – në luftë jemi, por ja, sa për ju kam djathë, të keqen nëna. – Ajo vuri tiganin në zjarr, hodhi një çikë gjalpë e na tiganisi nja 5 a 6 feta djathë. Për mua kjo ishte dasmë.

Pasi hëngrëm bukë dhe vrojtuam vendin edhe një herë, zbritëm poshtë në drejtim të fushës së Peshkëpisë, e kaluam fushën dhe filluam të ngjitnim kodrat me ullishte -përballë Drashovicës, që të dilnim në Kropisht. Nga maja e kodrës dukej mirë fusha e bukur e Drashovicës, ura dhe rruga Vlorë-Gjirokastër, nëpër të cilën lëviznin makina dhe ushtarë italianë. Aty qëndruam pak sa për t’u çlodhur, pastaj u vumë përsëri për udhë.

Në zonën e lirë u takuam me shokun Hysni, u për qafuam e u puthëm me të. Te shtëpia e shokut Kadri Hazbiu në Hysoverdh, ai kishte organizuar takimin që do të bënim me shokët e Qarkorit. U mblodhëm menjëherë dhe aty më informuan më me hollësi për situatën. Mehmeti, sekretar organizativ i Qarkorit, nuk mori dot pjesë në këtë mbledhje, për arsye se kishte dalë në disa fshatra me një grup partizanësh, nuk e mbaj mend se për ç’punë. Nga raporti që më dhanë, vura re se ata kishin reflektuar mirë në mjaft çështje sipas udhëzimeve që u kisha dërguar në emër të Komitetit Qendror për shkatërrimin e fraksionit*.

 

Kur kam shkuar atje nga fundi i viteve ‘ 87 ndërtesa kishte banorë brenda. Kjo ndërtesë që ishte nisur për muze i ishte dhënë për banim traktoristit të fshatit, një fshatarë i varfër i zonës. Ndërtesa  me ngjyrë të bardhë ,kishte edhe një oborr të vogël.

Atëherë ne shkuam atje dhe duke qenë kurjoz pashë të gjitha dhomat e tij, ku do të ngrihej muzeu, që nuk arriti të bëhej i tillë, por që e gëzoi traktoristi Nazo dhe fëmijët e tij.

Deri në vitet ’90 fati mbeti i kësaj familje. Ç’farë ngau më tutje me ndërtesën nuk kam më informacion.

Disa të dhëna për Kadri Hazbiun

 

Të dhënat flasin se Kadri Hazbi  kishte mbiemrin Dautaj lindi më 15 korrik 1922 në Mavrovë të  Vlorës, ishte djali i Hazbi Cano Dautaj, një nga komandantet e Luftës se Vlorës 1920. Pasi mbaroi Shkollën Tregtare të Vlorës, pas luftës mbaroi në Moskë të BRSS-së shkollën e lartë të sigurimit. Ka qenë drejtues i disa formacioneve partizane në Luftën e Dytë Botërore, ku dhe u plagos dy herë. Në aktivitetin e tij politik mbeten të regjistruar këto të dhëna :Gjatë viteve 1950-1954 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme. Gjatë 16 viteve 1954-1980 ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme..Gjatë viteve 1979-1982 ka kryer detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes,ndërsa më 10 shtator 1983 pushkatohet. Më 4 nëntor 1995 gjenden eshtrat e tij në afërsi të Selitës, Tiranë dhe rivarrosen nga familjarët.

Arsimi: Shkolla Tregtare në Vlorë, shkolla e lartë e Sigurimit në Moskë, BRSS.

Gjendja familjare: I martuar me pesë fëmijë

Gjuhët e huaja: Italisht, rusisht

Aktiviteti në Luftë: Komisar i Çetës Plakë, në formacionet e Brigadës V-të Sulmuese, u plagos dy herë

Karriera: 1945, shef i Sigurimit të Ushtrisë me gradën kolonel;

1950-1954, zëvendësministër i parë i Ministrisë së Brendshme; 1954-1979, ministër i Brendshëm; 1979-1982, ministër i Mbrojtjes, deputet në të gjitha legjislaturat e atij sistemi.

Aktiviteti partiak: Komunist në vitin 1942; anëtar i Komitetit Qendror, 1950; kandidat i Byrosë Politike, 1960; anëtar i Byrosë Politike, 1971-1982.

Gradat dhe dekoratat: Kolonel, gjeneral leitenant në radhët e Forcave të Ministrisë së Brendshme, dekoruar 13 herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Eliminimi: Më 10 tetor 1982 shkarkohet nga ministër i Mbrojtjes, 13 tetor 1982 përjashtohet nga partia në plenumin e Komitetit Qendror. 15 tetor 1982, arrestohet; 10 shtator 1983, ekzekutohet.

Reprezaljet ndaj familjes: 15 tetor 1982, e gjithë familja internohen në Kurbnesh, 1989 vritet djali, Agroni, ish-futbollist i “Dinamos”, vdes në burg vëllai i Kadriut, Hasani, i dënuar për agjitacion e propagandë, në vitin 1991; vdes pas një internimi të vështirë gruaja, Hedija; 4 nëntor 1995.

 

Prindërit

Në varrezat në shkallën e Mavrovës janë dy varoshe  me mermer . Njëri është i  luftëtarit të luftës së Vlorës Habi Canos, të atit të Kadri Hazbiut, tjetri i nënës së ministrit. Nga koha e Kadri Hazbiut  banorët e kësaj zone mend se vëllai i tij Hasan Hazbiu  ka qenë për shumë vite në Kotë përgjegjës i tregtisë deri sa shkoi në Tiranë. Djali i tij i vetëm quhej Arben. Ishte një djalë i shkathët, por që ka përfunduar internimeve nga sa kishin dijeni njerëzia  e zonës në fshatrat e Beratit  mbasi u pushkatua xhaxhai i tij.

Kadriu vinte shpesh në Mavrovë sidomos për vakira,por edhe në  Kotë sepse kishte vëllanë. Por,  ai interesohej edhe për hallet e mavronjotëve. Hallet  e tyre ishin të thjeshta:Punësime,emërime ndonjë largim në qytete etj. Deri në vitin ‘90 fshati vuante nga mungesa e ujit të pishëm, puset nuk  ua thanin etjen sepse ujësjellësi i ndërtuar në shkallë buzë lumit  nuk funksiononte plotësisht   dhe rruga që nga shkalla e Mavrovës  deri në lagjet e fshatit ishte  e amortizuar deri në shkatërim. Kur sistemi ishte në prishje,banorët u ankuan në mbledhjet fshatçe që bëheshin asokohe dhe rruga u ndërtuar nga ndërmarrja e portit detar të Vlorës që morri në patronazh fshatin.

Kur mavronjotët kanë rrëfyer  se kur u pushkatua Kadriu në shtatorin e vitit ‘83 ata mbajtën zi në një mënyrë të çuditshme për kohën. I gjithë fshati fiku dritat në një kohë.

Nga shumë të përndjekur sot  Kadriun e kanë  akuzuar në vrasje apo internime të shumë familjeve, si dhe të dhëna të tjera që e implikojnë atë gjatë kohës ,kur ai ushtronte detyrën e Ministrit të brendshëm.

 

PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS SË LARTË, MBI DËNIMIN ME VDEKJE TË ARMIQVE KADRI HAZBIU, FEÇOR SHEHU, LLAMBI PEÇINI DHE LLAMBI ZIÇISHTI

 

Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 1582/1 datë 9.9.1983, nuk ua fali jetën të dënuarve:

1-Kadri Hazbi Hazbiut

2-Feçor Refat Shehut

3-Llambi Vasil Peçinit

4-Llambi Petro Ziçishtit.

Të dënuarit, pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit popullor u refuzon kërkesën për falje. Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm, kurse të dënuarit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini nuk thanë gjë.

Pas këtij veprimi, në ora 24:00 të datës 9.9.1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti.

Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti.

Nënshkruesit, pjesëmarrës në ekzekutim: Zylyftar Ramizi (Firma), Agron Tafa(Firma), Afuz Murati (Firma), Nevzat Vigani (Firma), Nikolla Shkurti (Firma).

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ge, Muzeu izim llojdia Kadri Hazbiut

Kulla e Babelit

October 17, 2013 by dgreca

Anton Harapi/

Shqiptarit i ka dalë vetja qejfit porsi shqiptar, as s’e merr me mend se shqiptari porsi shqiptar eshte i zoti i vetes dhe i aftë për organizim e qytetërim, e se në vendin tonë, pos nesh s’ka gjel që këndon, por ne do të urdhërojmë, ne jemi të zotë me rregullue punë të mbara e të mira për shtet e për komb aq, sa me na pasë lakmi edhe të huajt. Ai i bindet më fort të huajit, se sa të vetit, e sado i stolisur të jetë një njeri me zotësi e cilësi të pashoqe, mjaft t’ja njohin babën e nanën, të dijë se është shqiptar, për me e bjerrë çmimin e rëndësisë për të. Për me dashtë me tregue një punë të parëndësishme e të pathemeltë, ka për të thënë “punë shqiptarësh”, “si në Shqipëri” etj etj. Këtej rrjedhin  të gjithë ato të meta që i pengojnë përparimit të shtetit e të kombit.

f.195

Kant-i, babai i filozofisë moderne, thotë se nuk ka me rrejtë edhe me e ditë se shëmbet bota dhe se me një rrenë, sado të vogël, shpëtojmë pa u rrënue! Por shkrimtarët modernë kanë nisë me e përfolë Kantin kush me përbuzje e shumica me tallje.

Klasikët grekë kërkojnë prej njerëzve të thonë të vërtetën për shumë arsye, por sidomos për dinjitetin njerzor vetë, për detyrën e nevojën e jetës shoqërore e për madhnim hyjnor që ka sinqeriteti.

Pitagora e Pindari me shumicën e grekëve e dënojnë rrenën gjithmonë e në çdo rast. Aristoteli na mëson se rrena është e mbrapshtë në veti për natyrë të vet.

Përkundrazi, Platoni me sa të tjerë e lejon atë në disa raste si bie fjala me rrejtë armikun, me rrejtë për hatër të mikut ose sunduesi me rrejtë për dobi të të nënshtruarve të tij. Megjithatë ai thekson se Zoti është i drejtë në fjalë e në punë dhe se rrenën e mënojnë hyjnitë dhe njerëzit.

Hugo Groot thotë se:

Me rrejtë fmitë e të marrët nuk është rrenë, pse atyre u mungon liria e gjykimit, po ashtu mund të rrejsh një të tretë që përgjon, jo atë me të cilët flet, gjithnjë eprori ka lejen për me rrejtë për dobi të të nënshtruarve të vet. Mund të rrejsh sa herë nuk ke mundësi tjetër me e shpëtue të pafajshmin e me ndalue një delikt…

f.227

Shqiptari më me kujdes e studjon një vend tjetër të Evropës së sa Shqipërinë e shqiptarët. E pra nuk i mungon zotësia. Deri sot, më mirë e më me seriozitet e kanë studjue vendin tonë të huajt se sa vetë shqiptarët.

 

F. 228

Shkodranin ende sot mund ta hajë burrnija; e vërtetë se mendja e tij disi merr ngushtë sa vendi, sa votra, sa rrethi, por merr fuqishëm, merr lart në të madh e fare përnjimend; ndërsa shpirti i korçarit, fillim e mbarim përfshihet ndër format kulturore, ndër mënyrët e ardhshme e të pëlqyeshme të qytetërimit, gjithçka i intereson atij, por vetëm deri diku.

Shkodrani e korçari e shikojnë botën me sy të ndryshëm.

Me i përmëndë Korçën shkodranit është si me përmëndë një vend në skaj të Evropës e jo të Shqipërisë. Korçari përkundrazi është shumë më i shetitur se shkodrani, ai, ku ia del me rrojtë aty ngulet pa vështirësi, jo se s’ka votër, familje e atdhe, po të gjitha i ka, i ndien e i kupton, por ndryshe nga shkodrani.

Për Shkodrën e shkodranët korçari ka një nderim të veçantë. Vura re se ai me “gegë’ nuk ka parasysh shkodranin. Megjithatë, më të të pakta i ka ai përpjekjet, të largëta marrëdhëniet mendore e shoqërore, të vokta interesat, të rralla bashkimet miqësore. Korçari pa vështirësi vjen në Shkodër, sikurse shkon në Greqi, përpiqet me shkodranin njësoj si me banorin e një shteti fqinj, por një përpjekje më të afërme me të nuk ka pasë deri sot.

As atdhetari shkodran nuk është regjionalist në vështrim të fjalës, as idealisti korçar s’asht internacionalist, por fakti është se të dyve diçka u ka mbetë si ndryshk, atij për lokalizëm, këtij për kozmopolitizëm.

Por këto janë gjëra që rregullohen.

F. 340

E pytën një herë të ndierin, Luigj Gurakuqin, a besonte se mund të bashkoheshin toskë e gegë e muhamedanë e të krishterë. Ai u përgjigj me të shpejtë: Po mos ta kisha këtë bindje, do t’u nisja me vaporin e parë përjashte vendit, për të mos u kthye ma kurrë në këtë vend!

Të marrin fund një herë e përgjithmonë fjalët e frazat; Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë!

Me gjak të vet e shuguroi lterin e atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, duke vulosur më gjak atë që kanë thënë, neve na mbetet ta vulosim atë çka jemi: vëllezër të një gjaku.

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi dhe kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq për të ruajtur të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, nga se ata ishin një në sakrificë e në drejtim, në sajë të tyre trashëguam visaret tona kombëtare.(Kulla e Babelit- Anton Harapi)

* Biblioteka Kombëtare S 198/61R

Phoenix

Shtëpia e librit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Harapi, Kulla e Babelit

Hebrenjtë në Arkivin Shqiptar,,do të prezentohet në Muzeun Holokaust në Skokie të Çikagos

October 16, 2013 by dgreca

Nga Skënder KARAÇICA/

Bashkëpunimi SHSHA-Lobi Hebrejë në Çikago tashmë ka marrë trajtat e sendërtimit të kaheve politike,kulturore,historike dhe në mënyrë të veçantë të çështjeve të politikave ekonomike të investimeve në Shqipëri e Kosovë dhe në pjesët tjera etnike shqiptare.
Përditë po rritet interesimi i hebrenjve për të njohur për së afërmi orët  historike shqiptare për praninë dhe shpetimin e tyre në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore(1940-1945).Në vazhdën e këtij bashkëpunimi,përfaqësuesit e SHSHA-së Skënder Karaçica,drejtor ekzekutiv,Mahmut Skenderi,sekretar dhe Branko Manojllovski(misionari dhe promovuesi i vlerave autoktone të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni),vizituan sot Muzeun Holokaust në Skokie të Çikagos.
Në takimin e ngrohtë dhe miqësor,Noreen B.Brand,drejtoreshë i trajnimeve dhe të programeve publike në Muzeun Holokaust dhe Dan Shure,kryetar i Odës  Ekonomike Izraelito-Amerikane nd nëtheksuan se takimet tona me miqtë tanë shqiptarë hap një shteg të ri të bashkëpunimit dhe të përafrimit tonë në shumë fusha të jetës.Tashti e kemi të qartë për orët historike të popullit shqiptar në Shqipëri,që në kohën më të rëndë të motos sheksperiane(të  jeshë apo të mos jeshë)ata morën në shtëpitë dhe pranë sofrës së  varfës,hebrenjtë të ndjekur nëpër Evropë nga dora nazi-fashiste që kishte  planifikuar ti asgjësojë deri në substancë,vuri në spikamë Noreen B.Brand.
Përfaqësuesit e SHSHA-së në takimet e shpeshta me asociacionet hebreike në Çikago kanë afruar një matrial të pasur arkivor e historik me botimet e veçanta në Tiranë,Prishtinë si dhe botimet e LQSHA-së në Nju Jork(Joe  DioGuardi),të cilat tashmë janë bërë pjesë e bibliotekës së Muzeut  Holokaust,u tha në takimin e sotëm.Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-hebreje,Dan Shure theksoj se ndër vite kemi marrë shumë  ,,matriale historike,,(sic!)nga qarqet dhe asociacionet diplomatike e të shoqatave serbe,greke,maqedonase përmes së të cilave na sugjeronin me gjuhën e falsifikuar për gjoja se ,,shqiptarët kanë qenë vrasësit e  hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore,,në ndihmë të okupatorit
nazi-fashist në Ballkan,e tha zëshëm z Dan Shure.Mirëpo,arkiva historike shqiptare na ka mundësuar që Shqipërinë të kemi më afër zemrës dhe ka ardhur koha që në fillim të shekullit të ri,hebrejtë do të kthehën në  tokën shqiptare në Ballkan me kapitalin ekonomik për të ndihmuar ekonominë
dhe për të vënë vijat e reja të zhvillimit e të përparimit kombëtar të popullit shqiptar,thotë me buzë në gaz dhe i hareshëm Dan Shure.
Në takimin e sotëm përfaqësuesit e SHSHA-së i afruan Muzeut Holokaust programin kulturor,historik dhe ekonomik me moton,,Java Shqiptare Çikago 2013,,që në bashkëpunim me institucionet shtetërore në Tiranë e Prishtinë do të organizohet me asociacionet hebreje ne kohën e duhur në Çikago që mirëprit nga drejtoresha Noreen B.Brand.Për realizimin e këtij programi u tha se tashti kanë vënë kontaktet zyrtare në Tiranë dhe më (4-6 nëntor)për vizitë pune në Çikago do të vjen deputeti i Kuvendit të Shqipëris Tom Doshi,i cili në bashkëpunim me OE-së do të përgatitet Konferenca Ekonomike për Investime në Shqipëri e Kosovë.Takimin e sotëm në Çikago e begatoi edhe libri për Nënë Terezën që iu dhurua bibliotekës së Muzeut Holokaust të dërguara nga dega,,Vatra,,në Detroit me Alfons Grishaj dhe Kanto Marash Dushaj si dhe një varg matrialesh arkivore të Arkivit të shtetit shqiptar
në Tiranë nga Prof.dr.Nevila Nika.
Për fund u vendos që posa të përgatiten dhe të vijnë matrialet arkivore e historike me fotografi nga koha e pranisë dhe shpetimit të hebrenjve në Shqipëri,ato do të vendosën në këndin e këtij muzeumi bashkë me qindra  fotografi dhe matriale nga historia përndjekjes,të vrasjeve dhe të  asgjësimit të hebrenjve në kohën e reve të zeza të nazi-fashizimit në Ballkan.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hebrenjte, ne arkivin shqiptar, ne Cikago, prezantohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Historia e shtypit arbëresh nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • Paradoksi i Samitit të Diasporës së Shqipërisë
  • ZËRI QË NUK SHUHET: NË KUJTIM TË LAHUTARIT TË MADH TË MALËSISË SË MADHE, JONUZ DELAJ
  • Po Itaka ime sa larg është?
  • Samiti dhe koha e diasporës si aktor e faktor jo vetëm si dekor…
  • Nga “city upon a hill” tek “America First”: reflektime mbi një kthesë që po trondit botën
  • KOL TROMARA – DREJTUES I FEDERATËS “VATRA”, VEPRIMTAR I DIASPORËS SHQIPTARE DHE FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE
  • Letërsia si dëshmitare e kohës dhe pafuqisë për ta ndryshuar atë…
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT