• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë

September 22, 2013 by dgreca

Nga Kozeta Zylo/

Me një ditë të bukur plot diell dhe cicërima zogjsh në pemë ku dëgjohej një fëshfërimë e lehtë gjethesh pranë xhamave të dritareve filloi dita e parë e shkollës shqipe në Staten Island të lejuara nga Bordi i edukimit të shtetit të Nju Jorkut.  Në mjediset plot komoditet të një shkolle amerikane të cilët kanë vite që na e kanë vëne në dispozicion të mësimit të gjuhës shqipe erdhën fëmijë, prindër dhe mësues të gëzuar.  Nxënësit e vjetër grupe-grupe takoheshin dhe përqafoheshin me njeri-tjetrin, ndërsa të rinjtë shihnin plot kurreshtje përreth.

Sa shumë janë prej tyre që mezi e presin mësimin e abetares dhe të gjuhës shqipe, edhe pse në komunikim me ta ka shumë vështirësi për të folur lirshëm shqip.  Disa prej tyre kishin shkuar me pushime gjatë verës në Shqipëri dhe ata jo vetëm që kishin përmirësime, por dhe ndihej që ishin ngarkuar me një barrë këshillash nga gjyshërit e tyre.  Ja tha Edia një nxënëse e bukur me prindër nga Dibra se: mua nëna gjithmonë më thotë që unë nuk të kuptoj anglisht duhet të flasim shqip.  Po kështu dhe Fitimi një djalë tjetër plot talent më thotë se ne prindërit dhe gjyshërit në shtepi nuk na lejojnë të flasim gjuhë tjetër vetëm shqip.  Ndërsa nxënësja e re Aurora me sy gjithë dritë që u regjistrua sivjet për herë të parë kishte ardhur me vëllain Aronin dhe me gjyshen përdore.  Gjyshja e vet fisnike më tha se Aurora mezi po priste të vinte sot në shkollë dhe ndjehej shumë e gëzuar se sa shumë do ta lumturonte ajo drejtorin e shkollës, njëherazi dhe miku i babait të vet.   Të rriturit si Brian, Oresti, Marvi, Aroni, Aduson, Irsa, Andri, Rafaeli, Elio, Davit, Almira, Elsa, Edon etj…po tregonin herë në shqip dhe herë në anglisht se si kishin kaluar pushimet e verës dhe njëkohësisht mbresat gjatë dy javëve në shkollën amerikane.             Nxënëset më të vogla në moshë duke filluar me Dean, Vivian etj herë pas here vizatonin ndonjë lule në dërrasë ose ngjyrosnin në fletoret e tyre përkatëse dhe kur i mbaronin kishin mjaft dëshirë t’i shikonin punët e tyre.  Ndërsa Ari një djalë i vogël simpatik i cili u regjistrua për herë të parë kishte dëshirë të rrinte më shumë me gjyshen dhe të ndjente ndihmën e saj.

Hapja e shkollës shqipe filloi me dy himnet kombëtare shqiptar dhe atë amerikan.  Programin e shkollës Shqipe e ka prezantuar Dr.Valbona Watkins, profesore në universitet dhe drejtore e programeve të shkollave shqipe.  Paraqitja e programit të pasur ku përfshihen dhe aktivitete kulturore për të ruajtur traditën shqiptare u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Nxënësit, mësuesit dhe prindërit i ka uruar sopranoja e shquar shqiptare Lindita Mezini Lole njëkohësisht mësuese e muzikës në Nju Xhersi e cila së bashku me pianistin e talentuar, prof.Petrika Melo kanë dhënë një kontribut tepër të vyer në shkollat shqipe.  Ndërsa z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave dhe president i TV Alba Life iu ka uruar gjithë nxënësve mirëseardhjen dhe ndërkohë ka prezantuar mënyrën e organizimit të shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe më gjerë.  Z.Zylo vlerësoi punën e palodhur të mësueseve që do të japin mësim këtë vit si: Valbona Kostrista, Ornela Melo, Dita Kacubaj, Mimoza Salillari dhe mësueses më të re në punë znj.Liza Pëllumbi të cilat janë dipllomuar në Shqipëri si mësuese dhe disa prej tyre janë në proces për konvertimin e diplomës së tyre nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut.  Eshtë tejet emocionante të ndodhesh pranë nxënësve, është ngazellyese t’i shikosh me abetaret shqip përpara duarve të tyre, por ndërkohë nuk ke se si të mos mendosh se sa shumë punë kemi për të bërë përpara.  Kjo për vetë faktin se ka shumë fëmijë në Diasporë që asimilohen, nuk flasin fare shqip .  Dhe kjo duhet të jetë problem i ditës për qeveritë shqiptare dhe të Kosovës, për gjithë organizatat në Diasporë, duke i lënë pritjet dhe përcjelljet plot bujë që ju bëhen qeveritarëve, por ato pritje të kthehen në punë, të kthehen në ndihmë për shkollat shqipe.  Do të dëshiroja të shikoja një qeveritar, nje kryeministër, një president, të ulej pranë bankave të shkollës, apo të merrte shkumësin në dërrasë dhe t’ju shkruante fëmijëve shkronjat shqipe, ashtu siç ka bërë senatori amerikan Golden i cili do të ngelet gjatë në kujtesën e nxënësve.  Do të dëshiroja që një ditë të inagurohej një godinë e shkollës shqipe ku të mësohej çdo ditë rregullisht shqip ashtu siç i kanë shumë komunitete të fuqishme në Diasporë, si hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët, ndërsa ne na shkoi jeta me qera në shumë fusha kryesore.

Kjo gjuhë e Shqipërisë që është dhe gjuhë e Perëndisë siç thotë Naim Frashëri do një bashkëpunim dhe vëmendje tejet të posacme për t’i thënë: Stop asimilimit të Gjuhës Shqipe!  Me sa duket atë do ta bëjnë vetëm Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë.

21 shtator, 2013

Staten Island, New York

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bilbilat e gjuhes, Kozeta Zylo, shqipe

Ëndrrat e parealizuara

September 22, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Sot po afrohem te tetëdhjetat. Flokët janë zbardhur. Protezat kanë zëvendësuar dhëmbët.  Hedh vështrimin larg, shumë larg, në rininë time. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund ta quash rini atë tonën. Rini e rritur nën hijen e pleqërisë. Mjegulla e kohës që sundonte në vend, e kishte mbuluar. Donim të studjonim, por nuk na linin për të studjuar. Donim të punonim, por nuk na linin për të punuar. Donim të jetonim, por nuk na linin as për të jetuar. Këto mund t’ju duken si mendime abstrakte por, në atë kohë, jetohej në një botë abstrakte

Jetoja në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund të m’i ndalonte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur, ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë time. Por edhe këtë ma ndërprenë. Shpata e Damokleut ma ndërpreu në mes. Më përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku mbizotëronin tri gojët e Luçiferit. E përse do të thoni ju? Do t’ju duket e pabesueshme, por vetëm e vetëm sepse shkruaja nëpër mure: “Rroftë Shqipëria?”

Kështu filluan për mua, aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, burgut të Vlorës, kampeve të punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërroja të studioja dhe të dilja jurist, inxhinier, mjek, artist apo shkrimtar. Por kjo ëndërr nuk u realizua. Mbarova shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pata fatin që mbeta njeri dhe kjo për hir të atyre burrave të shquar që munda të takoj në atë skëterrë, që më hodhën dorën dhe nuk më lanë të bija në greminë. Ata u bënë për mua prind, mik edhe shokë.  Ata u bënë mësuesit e mi.

Së fundi u ktheva përsëri në gjirin e familjes.Kisha një dëshirë. Kisha një ëndërr. Të shkruaja poezi, tregime dhe romane. Por druhesha se a do të më botoheshin vallë? Viti 1957. Vazhdoja vitin e parë të gjimnazit të mbrëmjes. Ora e hartimit. Profesor Milo Duni na dha temën. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Shkruajta një prozë poetike të titulluar: “Dalçë faqebardhë!”

Erdhi ora e korigjimit të hartimeve. Mora fletoren dhe vura re se profesori i nderuar nuk kishte vënë notë. Në vend të saj kishte shkruar me laps blu:

 

Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime…

 

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq, të vendosur në thonjëza:

 

“Po të kesh kohë të lirë”.

 

I nxitur nga ky shënim shkruajta një tregim mbi jetën e një jetimi, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës, Në fund të tregimit, jetimi gjendet i vdekur në mes të një pylli. E dërgova për botim në një gazetë letrare të kohës. Prita përgjigjen, por ajo nuk erdhi kurrë. Atëherë u binda se për mua do të mbeteshin të mbyllura për gjithnjë dyert e botimit. Edhe kjo ëndërr e imja mbeti e parealizuar.Vendosa të mos shkruaja më. Nuk e di, nëse bëra mirë apo keq, por kështu e mendova. U mbylla në veten time.  U bëra njeri i heshtur që vetëm ëndërronte. Sikur të jetonte Erih Maria Remarku do të më kishte quajtur “ I fundmi i romantikëve”, si heroin e romanit të tij.

Vitet kaluan. Kuçedra ra së fundi nga piedestali ku qëndronte prej  vitesh.  Një  botë  e  re

filloi të lulëzonte. Mendova se kishte ardhur koha që të filloja përsëri karrierën time letrare. Ishin ditët e eksodeve të mëdha të vitit 1991. Flitej për të vrarë dhe shkrehje armësh. Flitej për të plagosur, madje edhe për të humbur. Vetëm televizioni shtetëror heshte.  Shkruajta një artikull me këtë temë që e titullova “Quo vadis R.T.SH.?” E dërgova për botim në të vetmen gazetë të djathtë që botohej atëherë. Kësaj here përgjigja erdhi negative. Kryeredaktori më njoftonte se nuk mund ta botonte pasi, gjoja, nuk mund të bënte polemikë me televizionin dhe se për eksodin na paskëshin qenë shkruar mjaft deri atëherë. Në të vërteë, për këto tema, gazeta vazhdoi të shkruante edhe për shumë kohë. Madje, edhe sot, vazhdohet të shkruhet.

Një gjë e tillë më habiti jashtë mase. Nuk i jepja dot shpjegim. Fillova të mendoj me veten time:

– Mirë deri dje që nuk na lejonin, pasi i përkisnim kampit kundërshtar, po sot, në demokraci, ende do të vazhdojë çensura e shtypit?

Megjithatë, kësaj here, nuk veprova si disa vite më parë. Fillova përsëri të shkruaj dhe t’i botojë nëpër organe të ndryshme të shtypit, madje edhe në atë gazetë që ma refuzoi shkrimin e parë. Kam shkruar një mori artikujsh qysh atëherë. Shkruajta edhe një libër me tregime dhe një me kujtimet e fëminisë të cilat i botova me ndihmën e fëmijve të mi. Botova edhe dy romane për të cilat më sponsorizuan dy miq. Tani kam gati për botim një libër me përmbledhjen e publicistikës së viteve 1991-2012, një përmbledhje me poezi modeste dhe dy romane. Gjendja ime financiare është e tillë që nuk kam mundësi të përballojë botimin e tyre. Kisha dëshirë të botoja së pari përmbledhjen publicistike. Kërkova ndihmën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë në cilën bëj pjesë edhe vetë. Ajo u tregua e gatshme të më ndihmojë.

Me shkresën Nr. 484 protokolli, datë 31.07.2012, shoqata iu  drejtua Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, për sponsorizimin e botimit të librit tim. Pas një periudhe prej dhjetë muajsh, më në fund njoftohem se bordi i kësaj qendre kishte miratuar sponsorizimin e botimit dhe, në mbështetje të këtij vendimi, me shkreësën Nr. 343 protokolli, datë 21.05.2013 lidha kontratën-tip me këtë qendër, që u nënshkrua nga unë dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Mora takim edhe me kryetarin dhe sqaruam disa pika të ndryshme të librit në fjalë.

Në pikën “A” të nenit 3 të kontratës thuhet:

 

“ 40% të shumës së akorduar subjekti e përfiton menjëherë me lidhjen  e  kontratës tip.

20% të shumës së akorduar, e  përfiton  pas  realizimit  dhe  përfundimit  të  projektit.

40% të shumës së akorduar e përfiton pas dorëzimit të gjithë dokumentëve  origjinalë                      justifikuese të projektit.

 

Qysh nga ajo datë kanë kaluar gati katër muaj dhe unë nuk kam marrë ende 40% e parë nga qendra. Jam interesuar pranë zyrave të saj por nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kam kërkuar të takojë kryetarin, por deri më sot ka qenë e pamundur. Më datën 16.08.2013 i kam dërguar një letër por, çuditërisht, edhe ai nuk më është përgjigjur. Heshtja e tij më kujtoi një thënie të luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Doktor Martin Luter Kingut:

 

“Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.”

 

Është pikërisht kjo heshtje që më vret më tepër. Nuk mund të imagjinoj që një nëpunës i një institucioni demokratik të heshtë përpara kërkesave të qytetarëve, aq më tepër, kur një kërkesë e tillë është bërë nga një shoqatë si ajo e të përndjekurve politikë, shtresës më të përvuajtur nga rregjimi komunist.

Ëndrrat e mia të parealizuara vazhdojnë. Tani, kur kthehem në shtëpi, hap kompjuterin dhe shkruaj diçka. Këto ua dërgoj organeve të shtypit, të cilat e botojnë ose jo, sipas orientimit të tyre. Unë vazhdoj të shkruaj, pamvarësisht nëse botohen ose jo. Fëmijtë e mi, kur të kenë mundësinë, le t’i botojnë. Në të kundërt le të qëndrojnë aty. Koha do të bëjë të vetën. Tani po punoj për një roman të ri.. Kapitujt e tij i lexoj dhe i rilexoj. Më duken si “Kangët e pakëndueme” të Migjenit.

Dhe në ato çaste më kujtohen vargjet e tij:

 

“O kangët që fleni, reliket e mia,

Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,

Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Filed Under: Kulture Tagged With: endrrat e parealizuara, reshat kripa

Bisede per Marie Logorecin, ikonen e pavdekshme te skenes dhe ekranit shqiptar

September 21, 2013 by dgreca

Intervistë e bashkëpunëtorit të Diellit ne Jacksonville-Florida, Lek Gjoka me të birin e Marie Logorecit, Pjerin Logoreci, qe ndodhet keto dite ne Florida/

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste.  Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Ne Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojne një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që I kishte vdekur.

Duke shfletuar ne Arkiv fletoren e hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.

Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.

Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, tek :Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, :Femijet e saj dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur per artdashesin simboli I nenes shqiptare Lokja.

Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.Marie Logoreci eshte vleresuar disa here per punen e saj artistike. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”.Perfitova nga rasti qe keto dite Pjerini eshte ketu ne Florida per ta takuar dhe per te bere nje bisede me te ne lidhje me kete pervjetor te Marie Logorecit.

Me 23 shtator eshte 93 vjetoi i lindjes se Marie Logorecit. Si e perjetoni dhe si festonit kur ishte gjalle?

Sigurisht qe nuk eshte nje dite e zakoneshme, zakonisht shkojne disa dite perpara qe ne cdo rast pergatis dicka ne lidhje me Marien qe se bashku me materialet e pergatitur nga gazetaret apo koleget e saj perbejne ate qe po e quaj tufa e luleve ne kujtim te Maries. Fatkeqesisht duhet te them te verteten se mendoj qe tani i kushtojme me teper kohe ditelindjes se saj se sa kur ishte gjalle. Edhe ajo vete nuk i kushtonte shume rendesi. Sigurisht qe shpesh pervec nesh, dmth. familjes vinte edhe ndokush tjeter dhe kaq. Perkundrazi e madhe behej ne ate kohe ditelindja ime.

A mund te na thoni disa fjale per familjen Logoreci, cilet jane njerezit e saj te permendur?

Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, nje familje qe vazhdon te jetoje ne Shkoder e Tirane, ne Itali, ne Mal te Zi dhe Serbi. Te njohur nga kjo familje jane Arqipeshkvi Luigj Curcia, Gasper Curcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestres se muzikes se lehte ne RTV. Ne familjen Logoreci Maria shkoi nuse.  Logorecet kane pasur dhe kane njerez te njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci,  Mati
Logoreci gjuhetar (nipi I Andreas) Kole Logoreci economist (I biri I Matise), Anton Logoreci gazetar (I nipi I matise), sot eshte Susan Logoreci Ilustratore (stermbesa e Matise)

Cila ishte jeta ne familjen e Maries?

Ka qene nje jete normale e intelektualeve te asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarevajtjes se shfaqeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu te lidhura me artin. Shpesh babai I binte violins kryesisht valseve te Shtrausit. Shume me rralle Maria I binte mandolines. Ajo gjithnje e me teper lexonte, degjonte muzike . Une meqe punoja ne Radio Tirana (ne ate kohe) kujdesesha qe te regjistroja per magnetofonin muziken qe ajo donte, qe ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.

Me pak fjale Jeten e Maries shoket e saj e kane percaktuar keshtu. Cohej shpejt ushqente qente, macet, pellumbat, gatuante dhe nisej vone per ne pune. Sander prosi thoshte “Maria niset nga shtepia ne oren 9 dhe do te arrije ne pune ne 9 pa pese”

Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqe, sepse kishte deshire ti ushqente vete breshkat qe mbante, te lagte lulet, dhe ne fund ulej te lexonte. Autoret e saj te preferuar, ishin Shekspiri, Cehovi, Balzaku, Dostojevski…

A do te kete ndonje organizim me rastin e ketij pervjetori?

Jo, zakonisht organizojme dicka ne pervjetore te plote te lindjes apo edhe te vdekjes. Ky eshte 93 vjetori, keshtuqe do te kete dicka me te madhe me rastin e 95 vjetorit. Ne kete pervjetor mbaron ripunimi I faqes se internetit www.marielogoreci.com, u publikua ne Apple ibook dhe apple iTunes ne 51 shtete libri elektronik Marie Logoreci ne tre gjuhe, anglisht, italisht dhe shqip per perdoruesit e celulareve iphone dhe tableteve te apple. Dhe keto dite po ky liber, gjithmone pa pagese do te publikohet ne google books dhe google play, per celularet dhe tabletet qe perdorin android.

Faleminderit Pjerin

Ju faleminderit Juve Lek!

Filed Under: Kulture Tagged With: Interviste, Lek Gjoka, Marie Logoreci, Pierin Logoreci

Rubrika e DIELLIT: Tingëllime vëndemrash ilire-BAIAKE

September 21, 2013 by dgreca

Ku e hodhi stuhia Odisenë?/

Nga Nelson ÇABEJ/

Pozita gjeografike në Ballkanin perëndimor i bëri ilirët që në një numër rastesh të shërbenin si medium përmes të cilit bota perëndimore u njoh me botën e lashtë greke. Kështu, sipas arkeologut gjerman Wolfgang Helbig (1839–1915) emri etnik grekë (graeci) u përhap në botën perëndimore nëpërmjet iliro-epirotëve, të cilët ishin në kontakt me një fis të vogël të Greqisë së lashtë, të quajtur graikoi (γραικοί) dhe e përdorën emrin e atij fisi për të treguar tërë bashkësinë e fiseve të lashta që kishin të njëjtën gjuhë, prejardhje dhe kulturë. Helenisti i madh Paul Kretschmer, mendonte se kjo ndodhi në një epokë prehistorike, para se ndër ata vetë të gjente përhapje emri “helenë”1, që ishte gjithashtu emëri i një fisi të lashtë grek.

Përhapja e emrit “grekë” qysh në lashtësi ndër romakët lidhet me emigrimin e fiseve iliro-epirote, të njohur me emrin e përgjithshëm “mesapë” në Siujdhesën Apenine, nën presionin e dyndjes egjeane ose dorike rreth shekullit XII ose XI, p.e.s. Përmes romakëve, më vonë, ky emër u përhap në tërë kryetruallin (kontinentin) Europian.

Me sa duket, përmes ilirëve, te romakët kaloi edhe emri Ulisses, që është forma latine  e Odisesë. Por, lind pyetja  “Si shqiptonte heroi emrin e tij Odiseus apo Ulisses? Odiseus apo Oliseus?”. Latinët e shkruanin emrin e tij Ulixes dhe Olixes dhe jo Odyseus sepse ata nuk e morën këtë emër nga eposi jonian por nëpërmjet mesapëve, fiseve iliro-epirote që emigruan nga Iliria jugore në Italinë e jugut. Kretschmer-i mendon se l- e Ulixes ka dalë “nga një burim joepik”. Në Athinë, Beoti dhe në Korinth emri i heroit në një sërë mbishkrimesh del si Olysseus (Όλυσσεύς), Olyteus (Όλυττεύς), Olyseus (Όλυσεύς) dhe jo Odyseus (Όδυσσεύς). Këto të krijojnë përshtypjen, shkruan ai, se Odysseus (Όδυσσεύς) i përket vetëm eposit jonik të Homerit dhe ka dalë nga origjinali Olysseus (Όλυσσεύς) nëpërmjet etimologjizimit popullor të fjales greqishte të lashtë odissestai (όδύσσεσϑαι) që do të thotë “të zëmërohesh”. Kretschmer-i ka argumentuar se shndërrimi i anasjelltë d>l  është i pamundur sepse nuk është karakteristik për greqishten2.

Kretschmer-i, ashtu si Helbigu dhe Vilamovici, beson se edhe saga e Odisesë është një sagë epirote3 dhe ka treguar se në dialektin epirot të ilirishtes njihet mundësia e shndërrimit d à l (siç ka ndodhur me emrat e lashtë ilirë të njerëzve, Dasimos à Lasimos4). Këtu duhet kujtuar edhe se të shumtën e herëve  d e ilirishtes ka dhënë  dh në shqipe e kjo vihet re ende sot në disa nëndialekte në jug (Gjirokastër) e në veri (Shkodër) të Shqipërisë ku dh alternohet me ll (p.sh., radhë à rallë dhe dhogë à llogë, etj.).

Në eposin homerik ilirët nuk kanë luajtur vetëm rolin e ndërmjetësit për përhapjen dhe njohjen në perëndim të fqinjëve të tyre grekë. Fqinjësia e lashtë me grekët ka bërë që ilirët, me sa duket, mund të kenë qënë edhe subjekte të atij eposi, siç është vënë në dukje edhe nga Engjëll Sedaj, kurse qytetet e tyre – kanë qënë sheshe veprimi të heroit të munduar e të papërkulur, Odisesë.

Pa u ndalur në pikëpamjen e shprehur nga një numër studjuesish rreth prejardhjes epirote të vetë heroit, natyra meditative dhe gjakftohtësia e të cilit sipas Karl Shuhardit (Carl Schuchhardt (1859-1943), bën kontrast të theksuar me botën heroike të Akilit, Agamemnonit, etj.5, do të ndalem këtu vetëm në një vrojtim tjetër të Kretschmer-it.

Homeri tregon se Odisea shkoi në Skeria (Σχερία) ku banonin phajakët (Φαίακες) [këtu  është ë rëndësishme të mbahet mënd se Φ (phi) në greqishten e lashtë shqiptohej ph (si në anglishten uphill, p.sh.), e jo f, siç u shqiptua ajo më vonë në greqishten bizantine dhe greqishten e sotme). Te “Odisea” lexojmë se heroi:

 

”…në  ditën e njëzetë arriti në Skeria, në tokën pjellore të pheakasve.”6

 

Është e vërtetë se në kohën e tij historiani grek Straboni (64/63 p.e.s.-24) shkruante: “…ai la Kersikratin, një komandant i fisit të Heraklidëve që të zbresë me një pjesë të ekspeditës në atë që tani quhet Korkira, por më parë quhej Skeria; Kersikrati, megjithatë, i nxori liburnët që ishin zotër të ujdhesës dhe krijoi aty një koloni”7. Nga ky njoftim i Strabonit del se, ashtu siç dihet mirë, banorët e Korfuzit në kohën e luftës së Trojës kanë qenë ilirë të fisit iliro-verior të liburnëve8 (Kiepert, H. (1881). A Manual of Ancient Geography. Macmillan and Co. London, p. 174) dhe kolonizimi grek i Korfuzit, nisi nga mesi i shekulli VIII, pikërisht në vitin 733 p.e.s. nga kolonë dorianë të qytet-shtetit të lashtë grek, Korinthit8, kurse ngjarjet që përshkruhen në “Odisea”  kishin ndoshur 4-5 shekuj para atij kolonizimi, kur Korfuzi ishte ende një ujdhesë ilire, që do të nënkuptonte se Odisea zbriti në një ujdhesë ilire.

Deri sot, përgjithësisht, Phaiaka e Odisesë është identifikuar me Korfuzin, por, vëren Kretschmeri, fakti që në epos tregohet se Phaiake ndodhej në Skeria (Σχερία), që në  greqishten e lashtë do të thotë terë ose kontinent, dhe është sinonim i fjalës Epir (Ήπειρος), të bën të mendosh se Phaiake mund të ndodhej në Epir. Sepse është e pabesueshme që grekët e lashtë të mos e dinin se Korfuzi ishte ujdhesë. Duhet mbajtur mënd edhe se në Korfuz nuk gjënden gjurmë të vëndemrit të lashtë Phaiake (Φαίακε).

Këto na bëjnë që ta kthejmë vëmëndjen nga një historian më i vjetër i lashtësisë greke, Hekateu (rreth 550 p.e.s.-rreth 476 p.e.s.), i cili na njofton se në Epir gjëndej një vëndbanim ose qytet me po këtë emër, Baiake (Βαιάκη). Hekateu e lokalizon Baiake-n në Epir. Sot pranohet përgjithësisht se vëndbanimi i lashtë me emrin Baiake ka qënë në Epir9.

Edhe Stefan Bizantini jep një fakt me vlerë për identifikimin dhe lokalizimin e qytetit të lashtë. Ai njofton se Baiake (Βαιάκη) ndodhej në territorin e fisit të kaonëve10, njoftim që na i ngushton zonën e kërkimit nga pika më jugore e Republikës së Shqipërisë në krahun perëndimor të lumit Vjosa deri në gjirin e Vlorës. Faktet e mësipërme përbëjnë arsye të mjaftueshme për t’i kërkuar gjurmët e vëndemrit të lashtë Phaiake brenda këtyre kufijve në Shqipërinë e jugut.

Duke shqyrtuar toponiminë e sotme të kësaj zone, menjëherë të tërheq vëmëndjen emri fshatit të sotëm Bajkaj, në afërsi të Delvinës. Hipoteza ime duket se konfirmohet jo vetëm nga përputhja gjuhësore e habitshme e emrit të qytetit të lashtë Baiake me emrin e fshatit Bajkaj të Delvinës, por edhe nga fakti që ky fshat është ngritur mbi themelet e një vendbanimi prehelenistik. Arkeologët shqiptarë kanë zbuluar aty një vendbanim prehistorik të epokës së bronxit,  d.m.th. që ekzistonte të paktën qysh prej kohës kur mendohet të jenë zhvilluar lufta e Trojës dhe ngjarjet e eposit homerik, nga fundi i mijëvjeçarit II p.e.s.  Më tej akoma, fshati Bajkaj jo vetëm që në atë kohë ishte më pranë detit, por ka pranë edhe një lumë që na kujton lumin ku Nausikaa me shërbëtorët e saj shkoi me karrocë për të larë “te rrymat e bukura të lumit”11.

Duhet mbajtur mënd se forma Φαίακες, që del në eposin homerik shqiptohej sic shkruhet  Phaiake (sepse φ në greqishten e lashtë shqiptohej ph dhe jo f). Ne nuk dimë se kur ndodhi shndërrimi i aspirates indoevropiane bh në bashkëtingelloren e thjeshtë b në ilirishte (në greqishten e lashtë ajo dha ph). Në qoftë se kjo nuk kishte ndodhur ende në kohën e luftës së Trojës, atëhere, në përputhje me rregullat e fonologjisë së lashtë ilire, vendbanimi në atë kohë mund të jetë quajtur Bhaiake. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin që ndërsa poeti e quante Phaiake, më vonë Hekateu (rreth 550 BC – rreth 476 BC), një historian që jetoi disa shekuj më vonë, e shkruante emrin e vendbanimit të lashtë – Baiake (në këtë kohë processi i shndërrimit të bh indoevropiane në b në ilirishte mund të kishte përfunduar). Forma Baiake që del te Hekateu është e beuseshme sepse, si historian, ai do të kujdesej më shumë për shqiptimin e drejtë të vëndemrit.

Mund të përfytyrohet se forma prehistorike e toponimit ka qenë *Bhaiake, nga e cila, sipas regullave të fometikës iliro-shqiptare, ka dalë forma historike ilire Baiake që jepet nga Hekateu.

Evolucioni i formës së lashtë dëshmuar Baiake deri në formën e sotme të  toponimit shqiptar Bajkaj, është plotësisht i mundshëm për të mos thënë i pashmangshëm:

Bhaiake à Baiake à Bajke à Bajkaj (me prapashtesën karakteristike –aj të shqipes).

Kështu, në bazë të hipotezës se Phaiake (Φαίακες) është forma prehistorike (në shekujt XII-XI p.e.s.) homerike e vendbanimit iliro-epirot Baiake (Βαιάκη), të dëshmuar nga  Hekateu  ne shekullin VI p.e.s. dhe  Stefan Bizantini (sipas tij) në fjalorin e tij gjeografik në shekullin VI10 ne arrijmë në përfundimin paraprak se Baiake ndodhej po aty ku gjëndet sot fshati Bajkaj, në afërsi të Delvinës.

Kështu, të dyja format (Phaiake dhe Baiake) që dalin në burimet e lashta greke do të mund të evoluonin në formën e sotme Bajkaj, në përputhje të plotë me regullat e fonetikës historike të shqipes, si vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtes.

Nga sa  më sipër,  mund te arrihet në përfundimet paraprake se:

Së pari, qyteti Phaiake (Φαίακες,), që del në eposin homerik, ndodhej në kontinent (Σχερία), d.mth. në Epir e jo në ujdhesën e Korfuzit.

Se dyti, kudo që të ndodhej Phaiake/Baiake, në Epir apo në Korfuz, Homeri na tregon se Odisea zbriti në një teritor jo grek sepse, dihet me siguri që Korfuzi në kohën e luftës së Trojës ende banohej nga ilirë veriorë (liburnët) e jo nga grekë, të cilët, sipas historianëve grekë të lashtë, e kolonizuan ujdhesën e Korfuzit disa shekuj pas luftës së Trojës.

Së treti, se, në dritën e fakteve të mësipërme, teza Kretschmerit, Wilamowitz-it etj. se saga e  Odisesë është një sagë epirote meriton të rishqyrtohet.

 

 

Referencat

 

1. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenboeck and Ruprecht, Göttingen, f. 280.

2. Kretschmer, P. (1986). Po aty, f. 280-81.

3. Kretschmer, P. (1896). Po aty, f. 281.

4. Kretschmer, P. (1896). Po aty, f. 282.

5. Schuchardt, C. (1935). Alteuropa: Kulturen, Rassen, Völker. 3. Aufl., W. de Gruyter, Berlin.

6. Homer, Odyssey, Libri V, 34-35: “ἤματί κ᾽ εἰκοστῷ Σχερίην ἐρίβωλον ἵκοιτο,
Φαιήκων ἐς γαῖαν,.

7. Strabo Geography, 6, 2: “τοῦ τῶν Ἡρακλειδῶν γένους Χερσικράτη συνοικιοῦντα τὴν νῦν Κέρκυραν καλουμένην, πρότερον δὲ Σχερίαν. ἐκεῖνον μὲν οὖν ἐκβαλόντα Λιβυρνοὺς κατέχοντας οἰκίσαι τὴν νῆσον”.

8. Kiepert, H. (1881). A Manual of Ancient Geography. Macmillan and Co. London, f.. 174.

9. An Inventory of Archaic and Classical Poleis: An Investigation Conducted by The Copenhagen Polis Centre for the Danish National Research Foundation by Mogens Herman Hansen, 2005, f. 339.

10. Stephani Byzantii ethnicorum quae supersunt. Red A. Meineke, 1849, Berlin.

 

11. Homer, Oddysey 6, 85: “ποταμοῖο ῥόον περικαλλέ”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baiake, ku hodhi stuhia, Nelson Cabej, Odisene, rubrika 4

SHKAMBI I THETHIT… AT DANIEL GJEÇAJ O.F.M.

September 21, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: AT Daniel Gjeçaj O.F.M,(1913 – 2002)/

  Malet e Veriut i kanë dhurue Shqipnisë shumë gurë të çmueshem e të fortë! Pak kush ua di vleren e Tyne! Nuk janë shumë të mëdhej para se me u ba ortek e me u rrokullisë nga majet e atyne Bjeshkëve të Nêmuna, që shumë vizitorë e dijetarë i kanë ba me folë me vete…

Bukuria e pejsazhit asht mahnitëse! Ajo shijohet vetem kur i sheh me sy! Madhështia e atyne maleve të ashpra e t’ veshuna me pyje, kullosa e kësula bore, nderthuret me harmoninë dhe zhdervjedhtësinë e trupit njeriut të skalitun nder shekuj nga vetë Dora e Zotit! Atje kanë lindë dhe kanë trashigue deri në ditët tona drangojt e shpellave formulen e patjetersueshme në shekuj, “Atdhé e Fé”, kur edhe Lekë Dukagjini ua vuni emnin në Kanu trashigimtarëve t’ Ilirëve.

At Daniel Gjeçaj O.F.M., ka lé me 14 Tetor 1913, në Thethin e bukur të Dukagjinit, mu në mes t’ atyne Alpeve ku ruhej nder shekuj tradita e paster Shqiptare. Aty filloi mësimet e para të cilat i vazhdoi në Shkoder, në Liceun “Illyricum”, i njohun Kolegji i Fretenëve të Gjuhadolit. Në vitin 1939 asht në Siena t’ Italisë per me vazhdue studimet e nalta. Në vitin 1940, vazhdon një vit studime në Gjermani dhe kthehet në Theth, ku thotë edhe Meshen e parë. Ishte në brezin e njohun të Françeskanëve ma të kulturuem, kur punoi në njenen prej tri bibliotekave ma të pasuna që ka pasë Shqipnia, Biblioteka Françeskane e Shkodres, një nder thesaret e kulturës kombtare, që u plaçkit, u dogj dhe u shperdorue barbarisht mbas vitit 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët. Në vitin 1946, kur po shiheshin gjurmët e shkatrrimit sllavo komunist në Shkoder dhe provinçial i Fretenëve ishte At Mati Prennushi, e largon nga Shkodra At Danielin, per në famullinë Plan, tue e këshillue që të tregohet i kujdesshem, mbasi shpejtë pritej të mbyllej kuvendi dhe do të fillonin edhe arrestimet. (Dishmi gojore e At D. Gjeçaj, 1997, në Shkoder).

Në vitin 1948, një mik i veti e njofton se shpejt At Danielit, do t’i vinin prangat. Per mos me ra në kurthen mizore të sigurimit të shtetit, tue perfitue nga acarimi i mardhanjeve shtetnore mes dy shteteve “miq” Shqipni – Jugosllavi, arratiset atje dhe vetem mbas shtatë vjetësh, arrinë me kalue në Itali, në vitin 1955. Vendoset në Toskana t’ Italisë dhe mbas pak kohe atje shumë të njohun e ngarkojnë me detyrë të pergjegjësit të kulturës pranë Komitetit “Shqipnia e Lirë”.

Lidhjet e Tij edhe me t’ arratisunit tjerë si Prof. Ernest Koliqi, Prof. Karlo Gurakuqi, Prof. Namik Ressuli dhe një brez i tanë i papersëritshem i kulturës Shqiptare në mergim, kalon në Radio Vatikanin, ku zani i At Danielit dha kushtrimin e Lirisë pa pushue deri në vitin 1992.

Emnohet nga Selia e Shejtë, Perfaqsues i Katolikëve Shqiptar në mergim, ku ndihmesa e Tij u njoh edhe në Shoqninë Katolike Shqiptare të Melbournit, së ciles i perpiloi dhe Statutin e saj, të cilin, me pak ndryshime ajo Shoqni e ka edhe sot me nenshkrimin At Daniel Gjeçaj.

Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai u qendroi besnik parimeve të veta per “Atdhe e Fe”.

 

Kontributi i At Daniel Gjeçaj në lamen e kulturës, shkencës, letersisë, gjuhës, historisë së persekucionit komunist në Shqipni, arkivave kulturore, perkthimeve dhe trashigimisë së asaj të së shtrejtes aftësi dhe perkushtim, me ua percjellë të paster brezave të rij porosinë e të Parëve të vet, që jo vetem ishin vra dhe nuk u dihej as vorri, por edhe çdo fjalë e Tyne ishte zhdukë me Ta, per të gjithë kohen sa jetoi, jo vetem punoi pa u kursye, por edhe u dhuroi gjithë thesarin e Tij, Kuvendit Françeskan të rindertuem. Ai erdhi në Kishen e Tij në vitin 2002, i veshun me zhgunin e vet, per me pushue nder Ato temele, ku ishte i fresket Gjaku i Martirëve të Asaj Kishë, që per 47 vjet nen robninë e terrorin ma të tmershm  ka provue Ai kler prej gjenocidit komunist. Ai sot asht nder ata vorre ku nuk asht ma asnjë kafkë e Atyne Fretenëve t’ Asizit, që At Danieli i adhuroi dhe i dishroi gjithë jeten e vet.

At Danieli asht puntori ma i perkushtuemi në mergim me ringritë Monumentet e perdhosuna, tue fillue me “Lahuten e Malcis” e deri tek vepra e vet, “Prelë Tuli i Salcës”, ku me një mjeshtri të rrallë na ka dhurue një mbrekulli të vertetë, per trimninë e guximin e Maleve tona kreshnike.

At Daniel Gjeçaj dhe Prof. Gjon Sinishta kanë ngritë Monumente të pavdekshme!

Fjalori që perdori At Danieli, asht ma i pasuni i Gegnishtes letrare mbas At Fishtës. Ai të duket sikur buron nga goja e një figure legjendare që don me na kujtue: “Shifni shka jeni tue rrenue o Shqiptarë!”. Perkthimet e Tij, asht e vertetë se nuk shohin “driten” e botimit, mbasi janë zevendsue me “perkthimet në gjuhen e njësuar të kongresit 1972”, kur u vorros Gegnishtja.

Me të drejtë At Gjeçaj konsiderohet si një nder  ma të aftit dhe të pergatitunit si perkthyes i disa veprave kishtare me vlerë: “Meshari i të kremteve” (1966) “Rendori i meshës” (1973) Meshari i përditshëm, Psalmet, trajtue si një pjesë e madhe e Biblës etj., ku spikatë një mjeshtri e rrallë e njohjes së atyne veprave fetare të perkthyeme me saktësi në Gjuhen e bukur Shqipe. Ungjillin ia kishte kerkue Don Simon Filipaj, dhe At Danieli ia kishte dergue…Asnjëherë nuk i kishte shkue mendja se Don S. Filipaj, e kerkon që ta bastardhoi me gjuhen e “njësuar” të “Kongresit 1972”.

Ribotimi i “Lahutës së Malcisë” në vitin 1958, e shoqnueme me komente nga At Danieli, risjellë në kujtesen historike gjurmët e pavdekshme ku shkelën sandalet e Françeskanit tonë.

At Daniel Gjeçaj, në ditët e para të fitores së zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, me anen e një mesazhi drejtue fituesëve “demokratë”, të cilët, do të merrnin pushtetin nga “socialistët”, që deri atë ditë ishin komunista terroristë, u ban të dijtun nga Radio “Vatikani”, me rreth 14 ose 15 pika me të cilat duhet ndertue binaja e Demokracisë së vertetë në shtetin e porsa lindun në Shqipni. Jam i sigurtë se as sot e asaj ditë që nga viti 1992, nuk asht zbatue asnjë nga ata pika udhrrëfyese per qeveritarët tanë! – Pse?! – Se asnjëherë, askush nuk ka mujtë me pa të pakten një anderr, që na mund ta quejmë sot, se kjo i perket rrugës sonë “drejtë demokracisë”…

Me datën 3 Janar 1997, kam pasë fatin me u njoh dhe me kalue disa orë në një drekë, që më pat thirrë At Konrrad Gjolaj, ku ishte edhe At Danieli. Ishte e para herë që u njoha afer…

Na tregoi se me datën 5 Janar, do të shkonte në një takim me presidentin Sali Berisha. As At Konrradi, dhe as unë mbas Tij, nuk i dhame asnjë mendim. Kujtoj si tashti, kur e takova me daten 6 Janar në darkë, mbas takimit me presidentin… dhe më tha: “Gjatë gjithë kohës që ishe aty dhe po bisedonim me te, asnjëherë nuk më ka shikue drejtë në sy… E mjera Shqipni!”

Kur e pyeta se, “klerikët e rijë që po bahen, a mendon se ndonjë… mund të ndjekin rrugën Tuej, të pakten në fushen e traditave Atdhetare dhe Fetare, në edukimin e Rinisë Shqiptare?”

– “Nuk mjafton me dashtë, po nuk duhet me drashtë!”… më tha, shumë i topitun.

Dhe, nuk u pame kurrma!

Melbourne, 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: At Daniel Gjecaj, Feitz Radovani, shkamb i Thethit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • 413
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT