• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës

October 1, 2013 by dgreca

Për romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj-“Ankthi i së Vërtetës”/

nga Dr. Fatmir Terziu /    

“Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është  titulluar“Ankthi i së vërtetës”.“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.“/

                     Dr.Fatmir Terziu/

Sh.B.Nacional nxori nga botimi romanin “Ankthi i së vërtetës të  shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Para pak javësh Sh.B.Nacional nxori nga botimi Romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj me titull “Ankthi i së vërtetës”. Është një libër tronditës me temë sociale, që vjen si rezultat i mohimit të realitetit në diktaturë, ku njeriu paskesh qenë “kapitali më i çmuar”, kurse gruaja që lind jetën, “një qenie e vyer”, si dhe familja, si qelizë e shoqërisë njerëzore, baza sociale për një “shtet të fortë e të palëkundur”. Në këtë libër autorja përmes mendimit filozofik, nxjerr qartë se e vërteta e hidhur është e vështirë të pranohet, është ankth frymëmarrës të tregohet dhe pasoja e së vërtetës së mohuar… që të jetohet është torturë . Kur mbaron së lexuari, mes mendimeve të thella , lexuesi pyet ndërgjegjen: “Kështu ka ndodhur vërtetë?!Romani ka për redaktor, kritika e të cilit është edhe parathënia e librit , si dhe kopertina nga Dr. Fatmir Terziu. Recensues është Fitim Haxhiraj. Botoi ShB “Nacional” dhe e shtypi Europrint, të cilët autorja i falenderon dhe vlerëson për bashkëpunimin me mirënjohje.

Dy fjalë për Vilhelme Vranarin

Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës), pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. E përndjekur nga lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, edhe pse iu mohua çdo e drejtë humane, sepse pas burgosjes së të atit, xhaxhait dhe vrasjeve makabre të një xhaxhai, tre kushërinjve të parë dhe internimit të famijes së saj, ajo mundi të arsimohet. Ia ndaluan diplomimin në Histori-filologji, e pushuan nga puna dhe Vihelmja mundi të diplomohet në fakultetin histori-gjeografi. Pas rënies së diktaturës komuniste, rinisi punë në arsim. Kjo i dha mundësinë të shpalos talentin e saj si veprimtare për emancipimin e gruas, si luftëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirivev të saj. Duke kërkuar më shumë nga vetja, krahas punës për demokratizimin e shoqërisë, Vranari gjeti veten në letërsi, vuri në jetë talentin e ndrydhur dhe të mohuar. Tashmë ajo njihet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, si poete, romanciere, autore e prozës sè shkurtër, në letërsi për fëmijë dhe publicistikë. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e jurive dhe kritikës kombëtare dhe ndërkomëtare, tashmë e vlerësuar me 17 çmime letrare, nga këto shumica “Çmime të Para”, “Medalje Argjendi”,”Medalje Ari”,”Çmimin e Karrierës”, deri në Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”. Natyrisht ky sukses e gjen përgjigjen te puna e saj voluminoze dhe cilësore, si autore bashkëkohore, që e ka pasuruar kolanën e letrave shqipe me 33 tituj librash.

Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohë- Kritikë

Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është  titulluar “Ankthi i së vërtetës”.

“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.

Heshtja

“Sa shtrenjtë kushton heshtja vallë?

Besoj se s’ka as limit dhe as masë,

 

hesht…vetëm ai,

‘Askushi’…

një qenie pa identitet,

mohon jetën e dinjitetin e vet,

që nuk e di se…

të jesh prind është përgjegjësi,

s’di  cili është …

dhe kujt kombi i përket.

Një i tillë…

a mund të jetë gjykatës

i ndërgjegjes së vet ?!

Kurrë…!

Veç ankthi i së vërtetës e tremb…

oh, sa e tremb…

dhe për jetë atë e mban peng…!”

Vivra

Heshtja, titulli i poezisë, me të cilën nis ky libër, është ‘askushi’ ajo qenie pa identitet. Ajo qenie me fuqi që bëhet gjykatës, ajo qenie që shemb e strukturon sipas shijes së athët të jetës. Ajo qenie që struket mes heshtjes dhe ndërton kala të madhe me bedena vuajtjesh dhe grimash njerëzore. Në këtë sfumim gjërash “heshtja” pasojë e “Ankthit të së vëretetës” është vetë morali që ndërtohet në labirinthe të tretshme mes vetë ankthit rrënues. Ky ankth rrënues është në fillimet e demokracisë, por ai sapo ka nisur udhën e tij mes ‘të tjerëve’, atyre që tashmë janë vetë mbushësia e kësaj ankth-jete: “Të tjerët ishin qeveritarë, politikanë ose tregtarë, shumica e të cilëve sapo kishin nisur karrierën politike apo administrative”. Janë këta ‘të tjerë’ që sapo kanë nisur të ndërtojnë brendinë e ankthit. Por vetë ata janë larg ankthit, janë larg e shumë larg atij…, se ata janë zyra, vula vetë, po aq edhe doganierët e uniformat e shtetit. Ata janë vërtet të tjerët. Janë … ‘të therrët’! Të therrët në ecje, të tillë në paraqitje. Kanë lindur të bëhen ndryshe. Ndryshe në hapjen e re demokratike. Dhe pjesa tjetër është në vëzhgim. Në atë sykapje që kërkon mes makthit dhe ankthit…: “Si në lajthitje e sipër padashur pyet : Ndërsa ndjen peshën e rëndë të presionit, dhunës psikologjike, denigrimit, keqtrajtimit, të duket vetja një zero, një inekzistentë. Në këtë kohë vë duart në kokë dhe këlthet:Dhe vërtet më pas ‘ankthi’ prodhon kreshendon e vet. Atë kreshendo që përtypet nën dhëmbë e që stilohet në tru. Kërkohet si në rolin e një hulumtuesi në atë hapësirë për të përlogaritur çdo hap, çdo detaj, çdo ngjyrë, ku sundojnë larushitë e natyrës, çdo trokamë ku vetëm ajo e identitet-humburit rrëshqet si slitë akulli mes asaj vape të tretshme trupore. Është një tundim i gjallë. Një tundim që rrënkon me fatin e prodhuar nga “mohimi i së vërtetës”.“Ankthi së vërtetës” është moduli më i nevojshëm i prozës për ditët që pasojmë. Është vetë moduli që bashkon tërësinë tonë në katër cepat e botës. Është ai modul që i afrohet gjithënjeriut me e pa identitet të lexoj fatin e tij në tri kohë. Në tri kohë që flasin e heshtin njëherazi. Në tri kohë që kapërcejnë edhe hapësirën e qiellin…, vërtet deri në skajshmëri!Kjo skajshmëri herë diktohet herë filozofohet. Herë renditet në dritë-hijësi argumentesh e herë struket nën vëtë kumtin e heshtjes që kërkon me ngut garancinë e ruajtjes “të së vërtetës së hidhur”. Këta tipa që janë dhe mbeten produkt i një kohëbote tjetër në udhë të krisura me mendje të acarta. Dhe e acarta nuk vonon. Ajo vjen në kohën dhe vendin e duhur, me dimensionin e njëriut në moshën e tri kohëve: “I moshuari, ndryshonte shumë nga i riu. I veshur elegant dhe me atë qëndrimin e tij të ftohtë me këdo, me siguri që krijonte një farë ndarjeje, e cila vihej re në distancën që shihej mes tyre. Ndryshimi dukej me lehtësi në paraqitjen e jashtme, në sjelljen dhe veçanërisht në psikologjinë e secilit.” Dhe është mosha e tretë, ajo që formon të padukshmen në persiatjen e njeriut vëzhgues. Është vetë mosha që udhëton dhe ka pikëtakim me të tjerët. Ndoshta jo me ata që vinin në atë karvan të gjatë hallesh të njëjta, por në atë karvan me dritë-hije të padukshme. Dritë-hije që takohen e mbesin vetëm produkt i kalbësisë, produkt i tokës në errozion. Në këtë erozion janë edhe pyetjet që vrasin, edhe pse heshtin e nuk flasin: “Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të drojtura. Tek ai vihej re një heshtje prej varri. Përse vallë?! Ç’mendime i gëlonin në mendje? Përse dukej aq në kundërshtim me veteveten, sidomos me paraqitjen e jashtme? Përgjigjet e pyetjeve të bëra rreth personit të tij do të ngeleshin memece. Tek ajo heshtje e zymtë fshihej mundimi, vuajtja dhe e vërteta, të cilën njeriu e merr me vete kur vdes. Kërkon ta mbajë të varrosur nën tokë. Banesa e përjetshme i do të fshehtat të gjitha për vete.”Por e gurta bën të vetën. Ajo mes ngurtësisë së saj, forcës së materies, forcës së vetë gurit qartësohet lehtë e lehtë: “Asgjë…Kur ai arrin në përfundimin se ka jetuar hiçin, pyet veten:”në heshtje:”- “kjo ishte përshtypja që më la ky njeri i ngurtë si guri.”Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj përmban rreth 120 citime dialoge dhe monologe tejet filozofike nga karakter-folësit që krijojnë identitetin e tyre të heshtur në tërësinë e faqeve të tij. Tendenca mbizotëruese në kurën moderne të gjuhës që përdorin ata është jo ajo tradicionalja e margjinalizuar mes dëshirave apo kushteve të përcaktuara të këtyre folësve por gjuha e krijuar mes thjeshtësisë dhe mes një logjikë-praktike që vetë ata përfaqësojnë (disa herë përfaqësohen në narrativin  e autores). Pra ata janë të konsideruar si lapidarë gjuhësorë dhe letrarë, dhe citimet e tyre letrare, ndërsa prezantohen për lexuesin, më tej rinjihen si ndikime trajtuese dhe diskrete nga ato të tjerat, që në mjaft romane vijnë të ‘rënda’ në dialogje, monologje të gjata, apo edhe në korniza të hapërdara mes vetë narrativit. Romani i shtron ‘sfidat’ me këtë këndvështrim duke u fokusuar në pyetjen e mëposhtme: Deri në çfarë mase mund të merret si vlerë e cituar një karakter-fiktiv folës në roman, kur dihet e thuhet nga vetë autorja se ka një identitet të veçantë, por edhe të debatuar në formacionin e ankthit?Dhe natyrshëm mes ankthit si një kundrinë që rreket të definojë paksa argumentin e shtruar vjen “Trishtim?!”.“Trishtim?!” në roman, mes shoqërisë së pikëpyetjes dhe pikëçuditjes është vetë gangrena e heshtjes për një përgjigje të nxituar. Shkrimtarja na dikton udhëtimin në kohë tjetër dhe hap disi një hapësirë për të riargumentuar, teksa njeriu i kohës së mekur, që ndërtonte vetë me forcat e tij socializmin kishte fat-trupin e tij ‘identitet’ mes qyngjeve: “-Ne ndërtojmë socializmin. Vendi ynë ka vetëm fitore dhe jo humbje apo viktima. Vetëm këta trupa që shihni këtu, gjeti policia në vendin e aksidentit. Kjo ndodhi për faj të shoferit, të cilin e pret qyngja. Nëse nuk di ta përshkojë atë, atje le t’i dalë shpirti, në shtëpi pa qira. Kjo është politika e Partisë sonë bujare. Këta fatkeq do të mjekohen falas nga shteti dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre si kokrra e mollës. Në vendet kapitaliste do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Pa paguar shërbimin shëndetësor, me siguri do t’i kishin lënë të vdisnin në mes të rrugës. “-ishin fjalët e rrobalarëses së kirurgjisë që mbajti atë ligjëratë fare pa arsye dhe pa vend. Më vonë mësova se ishte sekretare e organizatës bazë të partisë në pavion.

“-Pse në qyngje?!

 -Bir, kështu quhet vendi ku nuk ke të drejtë të dalësh prej andej, pa të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Qelia e burgut i ngjan qyngjes se është e ngushtë sa një arkivol, ku nuk lëviz dot as djathtas as majtas. Madje nuk mund të ulesh as galuç. Kush nuk ka vullnet për ta përballuar, del me këmbët bigë prej andej.”

Kështu udhëtimi në kohë, hapësirë e vend na sjell e na risjell fate të ndryshme, me e pa idnetitet duke menduar fortë në atë që dihet e lexohet qartë mes faqeve të romanit: “Ankthi i së vërtetës”-mendoja më të keqen dhe gati vrapoja pa qenë në vete, si e çmendur.Këtë udhëtim e ndjen nëpër faqet të romanit mes ankthit për të vërtetën mes një mori elementësh nga më tërheqëset dhe më të arriturat, me një gjuhë të qashtër e mjaft fine. Mjafton të citosh një fakt “Krimi nuk kryhet vetëm me plumb. Ai më vrau pa e përdorur pushkën. Tashmë jam viktima e tij…”-ku kupton qartë forcën me të cilën autorja paraqet këtë gjuhë të hapur në mjaft dimensione kulturash. Dimensione që do ta mirëprisnin mjaft mirë këtë roman.Ja, pse pra udha e projektuar nga “Ankthi i së vërtetës” është udha globale e prozës, udha që kalon kufij të leximit dhe kërkon tokën dhe gjuhën tjetër, gjuhën e njeriut, gjuhën e njeriut larg dhe afër argumentit identitet. “Ankthi i së vëretetës” është vetë pjesa që rrëmon në identitet njerëzish, po aq edhe vlerash që herë pikëtakohen në letrësinë fituese e herë në letërsinë konkuruese. “Ankthi i së vërtetës” është një roman për vetë këtë strukturë me të cilën ndërtohet vetë artikulimi i respektit ndaj letrave.

Londër, Shtator, 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ankthi i se vertetes, Fatmir Terziu, romani, Vilhelme Vranari Haxhiraj

E PA CEZARI – KU GJËNDET ORIKU- PO U RINGRIT NGA HERODES ATTICUS

September 29, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

Me një grup studiuesish gjerman shkolla e verës Daad shkuam në këtë qytet antik në gjirin e Vlorës .Megjithëse kishim një shoqërues me një vërtetim nga DRMK ,oficeri ndaloi autobusin tek hyrja për në bazën detare të Orikut  dhe mbas mbajti shënim bëri me dorë.- D.m.th hyni në bazën detare të Pashalimanit. Nga porta  e hyrjes deri në Orik,rruga tregonte  shumë  përse dimri i shkuar kishte lënë gjurmë të thella në udhë. Kafshimi i detit të egërsuar ishte shprehja e ngulur në asfaltin e rrugës. Barrierat që kishin vite ndanë rrugës, paskan hequr keqazi nga egërsimi  këtij deti.Hyrja për në Orikun antik dikur ka pasur një port hekuri lyer me ngjyrë kafe. Dhe përmbi të kishim vendosur një tabelë me fotografi:”Parku arkeologjik Orikum”, të gjithë këto shenja i përkisnin kohëve të shkuara jo shumë të largët, tre vjet më parë. Asgjë nuk shquhej prej tyre,mirëpo vizitori i huaj që shkonte me këtë Mercedes të vogël rreth 20 vetë,shikonte plotë kureshtje duke pyetur ku fillonte kufiri i zones arkeologjike. Rruga dikur mbahej pastër nga barishtet sepse vegjetacioni aty është problemi numër një, tregonte “fytyrën e pushtetit ku bimësia shprehte potencën e saj përmbi  një mjedis që duhej të tregonte kulturë dhe mirëmbajtje. Aty dikur ne krijuam një parking  për automobilat rreth e qark një bime përpara ndërtesës. Aty radhë-radhë vendoseshin automobilat,ata vinin për të vizituar Orikun,qytetin antik në Adriatik për të cilin flet vet Cezari. Tre vjet më parë hapëm një rrugë për të deportuar deri tek murri rrethues që shtrihej në lagunë dhe fare pranë ka qenë porti i brendshëm. Porti i  përmendur prej Cezarit është lokalizuar ne lagunën 2.2 km të gjate dhe 1.2 km të gjere, e cila ka formën e një trekëndëshi me baze të drejtuar nga deti. Prej tij ajo ndahet nga një rrip ranor, në perëndim të të cilit shkruan historia gjendet kodra e qytetit. Në ekstremin perëndimor  po sipaskësaj kronike ,bankina përshkohet prej një kanali, i cili e lidhte lagunën me detin. Në brendësi të lagunës nën pasqyrën e ujit, shihen gjurmët e një muri 1.80 m të gjerë, i cili lidhet me dy brigjet e saj. Kemi të bëjmë me një bankinë për akostimin e anijeve e cila, duke u nisur nga gjerësia e lagunës në këtë vend, arrinte rreth 200 m gjatësi .Rruga ishte pastruar edhe një vit më parë nga pjesëmarrësit e ekspeditës zvicerane të cilët kanë 5 vjet që gërmojnë në këtë qytet antik. Zyrat ne krijuam te  ish furra e bukës një ndërtesë  e vjetër të cilës i hodhëm  një shtresë betoni dhe e izoluam nga ujërat e lyem me gëlqere nga jashtë dhe e pajisëm me moblije për ta kthyer në një vend pune normale brenda parkut arkeologjik, na la një shije të hidhur. Katandisur e braktisur siç mësuam edhe e kanë vjedhur madje edhe veglat e ekspeditës së huaj  krijonte më së shumti një shëmti. Në të majtë të zyrës rreth 5 objekte arkeologjike të cilat ishin ekspozuar nga gjetjet  e bëra në vitet ‘58-1959 pas gërmimeve të para nga ekspedita shqiptaro-sovjetike, e drejtuar nga Dhimosten Budina dhe Kabilina  kur ekspedita e parë nisi të gërmojë në Orik ishin kthyer përmbys  ,të rrëzuara në mëshirë të fatit. Frymëmarrja e kohëve të fundit tek fytyra e zbehtë e  këtyre objekteve ruante kërcënimin e një dihatje të vështirë. Mushkëria e copëzuar  nuk ndjente më sëmbimet e zemrës .Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Pak përpara rënies së ftohmës së parë. Pak përpara ardhjes së dimrit të parë. Atë ditë , vesa kristalore pikonte, loti kullonte lot, përmbi monumentet e kulturës tonë. Dëshpërimisht shpreha indinjatë. Një arsye është sepse këto objkote ne i mblodhën nga godinat ushtarake. Ushtarakët ishin kujdesur që këto objekte të mos humbisnin dhe pasi kishin vënë ushtarët ti lyenin me gëlqere të bardhë i kishin vendosur përpara godinave për zbukurim. Aso kohe  me kovën   një skrepi me shumë kujdes i sollëm përpara godinës për tu bërë pjesë e vendit nga ku ishin larguar duke i ekspozuara përpara asaj. Gardhi i lyer dekorativisht ruante  vetëm tre dërrasa se pjesa tjetër ishte zhdukur. Për të krijuar këtë gardhë sollëm nga Vlora dërrasat i lyem ,dy ditë  punua punuar për ta zgjatur nga godina drejt zonës së teatrit. Bari ishte rritur dhe mezi lëvizej. Kompleksi i banesave ndjente peshën e rëndë të zaptimit të bimësisë që kishte tre vjet pa u vënë më dorë. Ky kompleks u pastrua për rreth 4 muaj duke e bërë të vizitueshme sepse  vegjetacioni e kishte fshehur çuditërisht. Kompleksi i banesave j-l në Orik doli në dritësim në vitin 2009 nga punonjës e ZMPA Amantia-Orikum. I njohur por ekzistenca e tyre nuk shfaqej nga vegjetacioni 10 vjeçar që kishte krijuar një pyll të madh të dendur madje me Google earth fytyra e kompleksit të banesave shënonte ca njolla gri të bardhë,ndonëse pamja ulee objektivit ulet deri në disa këmbë lartësi. Përjashta këtij kompleksi ishin vetëm 3,objekte godina ,shkëmb i gdhendur në formë banese-gjysmë,sepse dihet që struktura tjetër e tij mund të ketë qenë me dru,u shprehen specialistët zviceranë që gërmuan një vit më parë në Palokastër. Rreth muajit shkurt në ditët-ikjet e tij dhe në muajt mars,prill 2009 filloi pastrimi i godinave. Ishte një territor,që zinte rreth 2500 m 50×50 m ku vegjetacioni përbëhej nga xina,drizë,ferrë,dhe bimësi shkurroje deri në 1.5-2m. Ky territor duhet të ketë pasur një pastrim diku pas viteve në 1990. Pastrimi synonte të hapte zonën e cila u zonifikua nga pamjet e google earth duke shënuar me pika të verdha në hartën satelitore zonë ku do të përfshinte pastrimin e bimësisë. Pastrimi i vegjetacionit ishte i vështirë duke ditur edhe shkallën  e madhe të rrezikshmërisë që kjo zonë në vitin 1997 ka mbartur material luftarak për shkakun e bazës së Pashalimanit. Ky kompleks u vu në pah pas pastrimit të territorit në vitin 2009. Përbënë një pjesë të arkitekturës urbanistikës së qytetit. Kufizimi me rrugët të drejta që ngjiten në kodër(shkallare)tregon zbatimin e sistemit “Hipodamik”  i përket shekullit të IV,para Krishtit. Tipi  i banesës me”Megaron” me oborr të brendshëm ku ka gropa për grumbullimin e ujit,kombinohet me ndërtesa të thjeshta,njëkthinëshe dhe dyqane në pjesën e poshtme. Katet e dyta mendohet se kanë qenë të ndërtuara prej druri. Aktualisht sipërfaqja është 2500m .Gjithsejtë janë 11 komplekse me 2-3 godina.Aktualisht vegjetacioni është duke treguar portretin e tij në këtë sipërfaqe. Pranë  vendit që ne e njohim si teatri gjetëm një pjesë të ekspeditës zvicerane që kryente punime. Pjesa tjetër e ekspeditës së huaj  gjendej te murri rrethues. Ekspedita zvicerane- shqiptare e cila e ka fillesën e saj nga viti 2008 me prezencën e saj në stinën e vjeshtës me gërmimet dhe sondazhet e kryera në këtë zonë antike është ndër të vetmet ekspedita, që i ka mbetur besnikë këtij qyteti. Kjo ekspeditë vijon punën e saj prej 5 vitesh në Palokastër, kodra e akropolit ku gjenden rrënojat e qytetit të Orikut. Ekspedita është miratuar nga Këshilli kombëtar i Arkeologjisë dhe drejtohet nga pala shqiptare Dr Sajmir Shpuza ,Instituti i Arkeologjisë dhe nga pala zvicerane Prof Jean Paul Deskoudres. Objekti ishte për gërmimet në qytetin antik të Orikut, përqendrimi në ato objekte që u gërmua në vitin 2012. Kodra e Paleokastres, me sipërfaqe rreth 5 ha qarkohej ne rrezen e saj prej një muri mbrojtës 950 m të gjate. Në pjesën e sipërme të kodrës gjendej një mur i dyte, i cili krijonte Akropolin. Përveç tyre, një mur i tërthortë me drejtimin lindje – perëndim e ndante kodrën në dy pjesë simetrike me njëra – tjetrën. Ekspeditën në mesditë e gjetën te  monumenti që tash e thërrasin teatër mirëpo nga gërmimi besohet se mund të ketë një funksion tjetër.Dy ishin frontet e punës të përqendruar në këtë sektorë. Së pari gërmimet në objektin e quajtur  teatër i qytetit  ku gjatë gërmimeve është gjetur një kanal që është nën dyshemenë duke bërë të dyshohet për ekzistencën e mëtejshme të teatrit  si objekt i tillë mund të jetë një monument por me funksion tjetër  dhe pranë murrit rrethues ku ndodhen kazermat e ushtrisë shqiptare. Gërmimet në ditët e kësaj vjeshte  në këtë pjesë ishin përqendruar tek sheshi i orkestrës .Gërmimi ka zgjatur dy javë dhe krahas përcaktimit të vendodhjes  së teatrit dhe pjesë e anekseve të tij u zbulua edhe një transhe nën dyshemenë e këtij objekti jo shumë e madhe por gjithsesi ,përmbante shkallë zbritje dhe një madhësi 4-5 m dhe gjerësi jo më shumë se 1m. A do të quhet më teatër?S’dihet?

Ekspeditat arkeologjike, gjatë këtyre 5 viteve synimi ishte të gjendej baza e hershme e qytetit. Pikërisht gjatë këtyre kërkime ata kanë hasur në një fragment muri, i cili i përket periudhës shekullit III p.e.s., si edhe gjurmë më të vona, të cilat i përkasin periudhës së Justinianit. Dr.Gonata Consagra pjesëtar i ekspeditës zvicerane që po kryen gërmime në Orik, shprehet se synimi i këtyre sondazheve është jo vetëm njohja më e mirë monumenteve të qytetit, por edhe krijimi i një kronologjie sa më të sakte për sitin. Ajo është e përbërë nga një ekip prej 11 studiuesish dhe studentësh të Universitetit të Gjenevës, si dhe rreth 10 punonjës shqiptarë. Ekspedita e parë e përbashkët zvicerane-shqiptare u udhëhoq nga drejtori shqiptar , dhe drejtori zviceran, Jean Paul Descoeudres dhe një ekip studiuesish dhe studentësh të Universitetit të Gjenevës. Gërmimi i parë i ekspeditës u krye në vitin 2008 me sondazhet në kodrën e Palokastrës. Më pas gërmimet vijuan në murrin rrethues në pjesën perëndimore të qytetit si dhe në murrin rrethues që zgjatet në det. Gjatë kërkimeve arkeologët janë ndeshur në një material të pasur arkeologjik. Muri rrethues nuk është i vetmi. Ata kanë gjetur edhe amfora të cilat mendohet se i përkasin shekullit V-VI p.e.s, të cilat mund të kenë shërbyer për transport vaji ose vere. Amforat e gjetura janë dëshmi i hershmërisë së qytetit antik të Orikut.

Fatin më të keq e kishte pësuar altari. Vegjetacioni e kishte kapluar objektin. Altari. Vendodhja -25 m. Përmendët ne gërmimet e vitit 1958-60.Dh.Budina.

Gjetjet:1-bazament me 9-10 blloqe guri,2-bazament me,3-friz me gdhendje 2,4-blloqe te muratures 3-5,5-qeramike(qeramike hollë te gjitha të shkatërruara).Altari i madh. Përmendët si zbulim në gërmimet e vitit 1958 në gjendjen që është sot. Altari i vogël sipas Ugolinit ndodhet në muzeun e Vlorës. Ka shërbyer si podium në ceremonitë fetare dhe ngjan me altarin e Apolonit zbuluar në rrënojat e Pompeut .Shek I pes. Duhet sqaruar roli i gurit kuadratik në të  majtë,  që  mund të  jetë  bazament skulpturor ose pjese e murrit anësor në një tempull. Në perëndim të teatrit gjendet altari.Nga gërmimet dhe pastrimet e kryera janë nxjerrë në pah. 1-bazamenti. 2-pjese te kornizës se poshtme me gdhendje lineare.Mungojnë pjesët e sipërme që shërbenin për procesionin fetar. Koha :Shekulli IV para Krishtit.

Oriku në këtë stinë të mbylljes së turizmit ngjasonte me një pikturë të turbullte ku gjithçka ishte trazuar. Murgjit  në këto anë kanë jetuar përtej kënetës te kisha e Marmiroit, megjithëse muret e vakëfit i ngritën me gurët e këtejmë sot mund të kishin një parathënie me dy kuptime. Oriku u ndërtua si port  që do të thotë urë lidhëse për përtej e përkëtej,mes andej e këtej. Një qytet, port i vogël në këmbë të Akrokerauneve ,(vargmali i rrufeve fillojnë në Karaburun,vijojnë me majën Qorre,Pogonicën,majën e Shëndelliut 1404m,Gjinikën -Qeparo,Dobrat -Kudhës )që në një farë mënyre do të bëhej ferri i veprës së vet . Edhe nëse e krijuan eubeasit që u kthyen nga Troja.

Lufta zhvillohej mes trojaneve te Mikenes dhe trojaneve te Dardanise. Sipas “Odisea”-s se Homerit, nw atë kohe, diku rreth Butrintit tw sotëm, ishte një qytet i lulëzuar, i quajtur  Feaka e Skerise. I pari i vendit quhej Nasution, i cili e priti me përnderime Odiseun, Mbretin e Itakes. Ne pallatin e Nasutiomt këndoi rapsodi i Skerise:

‘Ti, o udhëtar, qe breth i vetmuar neper bote,/ Sa te hysh ne kufirin tone, do takosh Nausiken e bukur,/ Vajze fisnike e bije Mbreti!/ Ajo te fton ne pallatin e saj,/ Ku te presin me dashuri, te gostitin me vere ne gota ari!/ Dhe kur ti te ikesh, ajo mbetet aty,/ Fanarendezur per udhetaret e pafat!/ Ti, o udhetar, Feaken mos e harro!/.

Përshkrimi për këtë qytetet antik është i njohur me emërtimet si : Oricus, Orikos.

Është përmendur me këtë emërtim nga autorët :(Hecat Fr 75 ap Steph B. sv;….. Herodi IX 92;.. Scyl P. 10;. Polyb vii 19;. Scymn 440;.. BEST Ad Dion 321;. Orikon, Ptol iii 14 § 2;…. PlinIII 26).

Autorët e mësipërm e quajnë:një qytet dhe port në Iliri, jo shumë larg nga Apolonia dhe goja e Aous.. Aous i njohur në burimet e kësaj periudhe .Kuptimi është për lumin ujëshumë Vjosa.Derdhja e këtij burimi kryhet në Mifol.

Legjenda ia atribuon themelet e saj Euboeans për kthimin e tyre nga Trojës .(Scymn. LC) dhe Apollonius (Argon. iv 1216.)

Flet për ardhjen e një pjese të Colchians në këtë port,dhe kështu Plini e quan atë një koloni Colchian. Orikumit është i njohur në histori si një strehë e frekuentuar nga romakët në komunikimet e tyre me Greqinë, nga të qenit të saj shumë e përshtatshme për të vendosur në kalimin nga Brundusium dhe Hydruntum.

Para erës sonë viti 214, qyteti u mor nga Philip V. i Maqedonisë, por më pas ra në duart e Romakëve dhe M. Valerius Laevinus, i cili komandoi në Brundusium, me një ushtri të vetme dhe një flotë të vogël. (Liv. XXIV. 40.)

Aty shkonin e ktheheshin udhëtarë,lundrathyer,pushtues  më së shumti mizëri. Kështu historia tregon sepse ajo gjendet e gdhendur në memorien e njerëzimit por edhe e shkruar në kronikat e Romës ,Bizantit,Stambollit,Moskës etj dhe në memoriet e homerikëve shqiptarë se askush nuk ja kishte dalë, megjithë furtunat (Vërtetë e kishte vënë nën sundim por jo shumë gjatë)  shquhej shkallarja,puset e  ujit, një murr i zhytur në lagunë  dhe në nëntokë ruante ende peshën dhe hijen e tij.

Oriku antik (rreth 5 ha, zonifikuar si PA Orik) bashkëjeton sot me bazën detare( forcat shqiptare pjesë e NATO-s),rrënojat e tij mbi dymijë e pesëqind vjeçare  janë dëshmi e tregojë hijen  që u bëhet në kohët sotme duke i katandisur në këtë gjendje ku nëpër rrugët e tij mbeteshin të qarta vetëm gjurmët e bagëtisë(bajgat e lopëve).

Cezari dhe kronikanët e kohës theksojnë  pranin e tij në këtë port të vogël.Romakët  gjatë luftërave civile, qytetin  e parë që  pushtuan trupat  e Çezarit ,quhejOrik.

Pas fushatës së vitit 167 pr Krishtit, Paulus Aemilius hynë me trupat e tij fitimtare nga Orikumi  për në Itali. (Plut. Aemil Paul 29…) Cezari, pasi kishte zbarkoi trupat e tij në PALAESTE (Lucan iv.460;. Comp caes pes iii 6,) ose plazhi i strehuar Palasë, i rrethuar nga koka e rrezikshme e maleve Ceraunian, brenda një dite të zbritjes së tij, marshuan drejt Orikumit, ku një skuadrilje e flotës Pompeian ishte stacionuar. (Iii Caes. BC 11;… Apianit, BC II 54) .

Oriki  ka deklaruar mosgatishmërinë e tyre për të rezistuar, konsulli romak dhe Torquatus, guvernatori i  dorëzoi çelësat e kështjellës, Cezarit.

Flota e vogël të cilën ai  e kishte sjellë me forcat e tij u hodh deri në Orikum, ku porti u bllokua nga fundosje e një anije në gojën e saj. Cnaeus, bir i Pompeius, bëri një sulm të gjallë dhe  ka rrekur ta mbajë nga katër anijeve të djegur në pjesën tjetër. (Iii Caes. BC. 40.)

Ajo vazhdoi si një strehë  e rëndësishëm në Adriatik. (. Hor. Carm Iii 7 5;…. Propert Eleg I. 8, 20; Lucan iii.187.) P [. 493].Ajo do të duket nga Virgil (x Aen.. 136) se Orikumi ishte i famshëm për terpentinë e saj, ndërsa Nicander (Ther. 516) aludon për arka druri.

Qyteti u rindërtua nga bujari e madhe e Herodes Atticus. (Philostr.. Att saj. 5.)

(Lucius Vibullius Hipparchus Tiberius Claudius Atticus Herodes, njohur ndryshe si Herodes Atticus.( Herodes Atticus kishte një reputacion të shquar për punën e tij letrare dhe ishte një filantrop dhe mbrojtës i punëve publike. Ai ka financuar një numër të projekteve të ndërtimit, duke përfshirë:një Stadium – Athinë,odeon – Athinë,një teatër në Korint,një stadium në Delfi,banjot në Termopile,një ujësjellësi në Canusium në Itali,një ujësjellësi në Alexandria Troas,një Nimfaeum (një burim monumental) me gruan e tij në Olimpia , mirëbërësi të ndryshme ndaj popujve të Thesalisë, Epirit, Euboea Boeotia dhe Peloponez).

Goja e lumi e Dukhades është një varg i lagunave në mes i cili shtrihet Orikumi, mbi faqen e quajtur tani Erikho, (në 1818) vetëm nga dy ose tre kasollet midis, gjurmët e një ujësjellësi. (Smytb, Mesdhe, fq. 46).

Emri i pranishëm (Iericho, Anna Comn. XIII. P. 389) është shqiptim në rrokjen e fundit, si në fjalën e lashtë, dhe Ee zëvendësuar nga një ndryshim O dialektik të përbashkët. (Pouqueville, Voyage, vol Ip 2,64;….. Leake, North Greqi, vëll I. Pp 36, 90) Një monedhë e Oricus ka për llojin e saj një kokë të Apollonit. (Eckhel, vol. II. P. 167.)

Me këtë histori ,qyteti antik sot duhet të dëshmonte shumë.Të vetmit që aty punonin ishin pjestarët e huaj dhe shqiptarë të ekspeditës zvicerane.Ekspedita do ti mbyllte punimet në fund të shtatorit.Më tej vjeshta  dhe  cigrima  e dimrit, do të kërkonin rishtazi një copë truall të ri. Ajo që mbetet është dhimbja. Dhimbja gërryhen brigjet e shpirtit tonë. Nëse nesër, vegjetacioni do të zaptojë krejt qytetin antik,  frymorja e përditshmërisë së qytetit antik  do të heshti përgjithmonë. Dhe ky lajm nuk vjen për mirë por që duhet korrigjuar dicka në statusin që mbahet.

*Master.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

*Autori ka drejtuar parqet arkeologjike Amanatia-Orikum

Filed Under: Kulture Tagged With: Cezari, Gezim Llojdia, Herodes aticcus, Oriku

KËNGËT MË TË HERSHME PËR LUFTËN E VLORËS, 1920

September 25, 2013 by dgreca

Krijuesit e parë të folkorit të EHLV gjenden në burimin e këngës/

Nga  Albert HABAZAJ*/ studiues

Krijimi folklorik e ka një fillesë krijuese individuale, që, edhe sipas prof. Xhagollit, nëse do të hyjë në qarkullimin folkorik të një bashkësie të caktuar, shndërrohet në krijimtari folklorike[1]. Sikur të kishte mundësi të ngjiteshim në kohë deri në burimet e këngëve të popullit, ndoshta do të gjenim, mes mjegullës së viteve e shekujve, krijuesit e parë. Një nga këta poetë modestë të popullit, që s’ humbi, si humbisnin dikur emrin, duke lënë shpirtin e mendjen në vargje, është dhe Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Vlorës (1900 – 1978).

Këngët e tij, ashtu si ato të Mato e Selim Hasanit, Rrapo Metos, Nase Benit, apo Sheme Sadikut, veshur me fustanellë të bardhë, etj., patën fatin e madh të hyjnë në gojën e popullit, si këngë e mirëfilltë popullore që ka fituar anonimatin, edhe pse mund të njihet autori, se dallon nga stili, reflekset, thjeshtësia, “të qepurit” drejtëpërdrejtë, aty për aty, ngyrat poetike, ritmike, rimore apo gjatësia e vargut të kënduar dhe qartësia. Pushka, kënga dhe kërraba janë trinia e jetës së luftëtarit të Njëzetës dhe këngëtorit të asaj epopeje. Qysh 20 vjeç koha e kërkoi ta provonte në dy fronte se sa peshonte ai djalë. Në frontin e luftës me “Italinë e parë” e mori vulën e trimësisë, se u plagos. Ndërsa për në frontin e këngës, komentet për të janë të tepërta, sepse në Labëri njihen ato që “ka qepur” xha Xhebrua. Po qepi këngë Xhebro Gjika dhe Mato Hasani, – thonë banorët e Lumit të Vlorës – e ka zënë buba atë punë!...Kjo është shkalla sipërore e vlerësimit të komunitetit për krijimet e këtyre këngëtarëve trima, me humor, të guximshëm dhe të hapur. Xh. Gjika i ka kënduar në llogore shpirtit liridashës e luftarak të shqiptarit, për guximin e heroizmin e tij tradicional, të manifestuar në atë luftë të madhe të të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm popullit të Vlorës, për liri, ekzistencë e përparim.

Këtu e ka zanafillën rrëfimi i këngëzuar me kaq dashuri e krenari për dëshmorët e Luftës, për trimat e LV që bën trimi i këngës, sepse edhe kënga ka e kërkon trima. Krenaria e krijuesit këngëtor është e shkrirë në një me krenarinë legjitime të popullit. Ja vargjet e Xh. Gjikës kushtuar Luftës së Vlorës, 1920, e cila nuk është botuar në asnjë botim të deritanishëm folkloristik. Është një këngë disi e gjatë, në natyrën e Xh. Gjikës, të cilat i niste vetë me dy – tre strofa dyshe, shtruar,vënçe, pastaj i thoshte fjalët që qepte atij që kishte në krahë, dy – tre strofa dyshe, të cilat ai i këndonte po në atë vijë melodike, në shtrat, me atë avaz që e niste marrësi i parë, e kështu me radhë qarkullonte kënga deri sa e mbyllte prapë thurësi i këngës. Kjo natyrë të kënduari ka qenë karakteristike e pleqve për komunitetin nga vjen e këndohet kënga. Kujtesa jonë i ka të regjistruara të freskëta këngët me natyrë recitative, që me narracionin e tyre të gjallë e jetësonin ngjarjen, e binin afër, pranë nesh, që bënim iso, se na mbanin pas vetes moshatarët, që të rriteshim dhe me frymëmarrjen e këngës labçe vënçe, si të parët. Pas moshatarëve shkonim si qengjat pas dashit përçor, ne, si të thuash, bënim pas pleqve “solfezhin”, veçse nuk na lejonin të dilnim si kërriçi para gomarit, se kështu na qortonin kur hidheshim, ngaqë na dukej se e mësuam mjeshtërinë e të kënduarit atë çast. Kënga e xha Xhebros na jep dhe një informacion të bollshëm dhe të besueshëm, sepse ai ka qenë vetë në Luftë, jo thjesht një dëshmitar, por një njeri në veprim, me zjarrin e armës dhe me flakën e këngës: “Në Vlorën me histori/ Është lufta që ka bërë,/ Njëzetën me Itali/ Me ca të rrallë dyfekë/ Të rrëmbyer në Turqi,/ Ca sëpata dhe hanxharë/ U derdh’ mbi artileri./ Kush e njih Selam Musanë,/ Luftëtar si ai!/ Zigur Lelo hanedanë,/ Ra në Kotë tek dha furi./ Toto Hosi, burrë i gjallë,/ Sulmoi, bëri kërdi!/ Po Hodo Zeqir Dukanë/, M’u si sorkadhi me bri!/  E mori plumbi në ballë,/ Si luan për tokë u shtri./ Kapedan Sali Muranë/ Plagë plumbi mori tri/ Selman Hysen, zemërstrallë/ I ra gjylja në kërci…/ E ç’ gjë t’u këndosh më parë/ Një argjënd e një flori!/ Gjaku që u skuqi ballë/ Mbeti vulë për liri./ Njëqind e dyzet të vrarë/ Plagosur dyqind e dy,/ Dhanë jetë e derdhën gjaknë/ Fyta fyt me mizori./ Ish – bejlerë e agallarë/ U hodhë në tradhëti;/ Shushënja do kapitalë/ S’mendonin për Shqipëri./ Për luanët që u vranë,/ As që pyeti njeri,/ As emër e as nishanë -/ Bishtdredhura qeveri;/ I përcëllonte të gjallë/ Ai det me trimëri,/ Po ata mben’ yj të rrallë,/ I mban populli në gji./ Italianët e paguan,/ Sa u vranë, kjo balt’ e di!/ Njëmijë u dorëzuan/ Me gjithë artileri;/ Në Vajzë u grumbulluan,/ I ruajn’ si bagëti/ I vunë në pun’, i shtruam,/ Ah, ç’ishin për bujqësi!/ O Shqipëria kreshnike,/ E vogël po heroike,/ Me armiq thikë për thike/ As u trembe, as u lige/ Nga qindra hordhi armike”.

Janë 54 vargje monokolonë, në interpretim recitativ, që përbëjnë këtë këngë të gjatë me nota realiste, të cilat mund t’i quajmë edhe historia e LV në këngë; që na shkakton emocione të fuqishme me frymën baladeske, e cila mban në këmbë lëndën e këngës, ku trimëria dhe dhembja për të njohurit, bashkëfshatarët, trimat e rënë shkrihen në një masë bazike, që i ngjiz krijuesit – luftëtar nderimin për të rënët, forcën dhe frymëzimin, që nuk është vetëm krisma e pushkës, që sjell fitoren, por, ajo e shoqëruar me krismën e këngës, e bën më të afërt, më të bukur, më madhështore dhe fisnike fitoren ndaj pushtuesit matanas. Historia na ka njohur me shumë trima, heronj e dëshmorë të LV, 1920, dhe njerëzit e dinë që LV ka patur shumë heronj. Ndoshta krijuesi mund ta ketë njohur atë “det me trimëri”, por atij dhe komunitetit të tij nuk i interesojnë të gjithë. Xh. Gjika këndon për ata që ka të “tijët”, për dëshmorët e rënë, për ata që ka njohur më nga afër, për ata me të cilët ka luftuar ai me çetën e tij të Tërbaçit. I këndon kryetrimit Selam Musai të Njëzetës; i këndon komandantit të çetave të Rrëzës, kapedanit Sali Murati, nga Vranishti, se Vranishti është fqinji juglindor; i këndon patjetër Selman Hysenit, vëllait të tij, komandantit të çetës së Tërbaçit; i këndon Hodo Zeqirit të Dukat, komandantit të çetës së Dukatit,  se Dukati është fqinji perëndimor; i këndon edhe Toto Hosit nga Bolena, se Bolena është fqinji lindor dhe Tërbaçi i tij ka shkuar mirë me fqinjët ndër kohëra, ka patur vajtje – ardhje, si i thonë banorët. Është rasti të evidentojmë se deri në ç’imtësi e detaje futet kënga: “mori tri plagë plumbi”  apo “ i ra gjylja në kërci”. Dhe këtë e bën vetëm ai që ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarje, në tym e flakë, se po të mos ishte kështu, të tjerët që kanë qenë në llogore me trimat, me të rënët nuk do ta pranonin dhe nuk do ta këndonin këngën e tij dhe, më keq akoma, ai do të ishte i shpërfillur dhe i përbuzur nga komuniteti. Realiteti dhe koha ka vërtetuar se ky krijues dhe marrës këngësh ka qenë pjesëmarrës e mbetet i besueshëm, se nuk është kontestuar dhe për vlerat e tij shpirtërore dhe për plagët e luftës është vlerësuar edhe nga komuniteti. Nuk e quajmë të tepërt që Xhebro Gjika është vlerësuar me dekoratën më të lartë që jep Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare – Kulturore “Labëria”: “Personalitet i shquar i Labërisë”, sikurse dhe Mato Hasani i Bratit e pak të tjerë që mbartin vlera të tilla dhe shembulli i tyre jep mesazhe për sot dhe nesër. Na bëri përshtypje nga teksti vlerësimi i krijuesit popullor për trimin: “luftëtar si ai”, duke përdorur spontanisht shkallën më sipërore të krahasimit, që ai trim krahasohet vetëm me veten, se s’ka me kë të krahasohet  e të tjerët do të krahasohen me të. Një krahasim i bukur e origjinal del i dallueshëm tek kjo këngë, që tregon edhe adhurimin e krijuesit, njëkohësisht bartës i këngës, kur këndon: “ m’u si sorkadhi me bri”,  duke dhënë figurativisht cilësinë e trimit, si një djalë  me trup të hajthëm, të hollë, të zhdërvjellët e të hedhur, që shumë të lehtë e të shkathët e bën era e lirisë, dhe që sakrifica sublime që bëri Hodo Zeqiri e bën sorkadh mali dhe i zbukuron emrin heroik.

Historia lokale e komunitetit tërbaçiot, na tregon se nga Tërbaçi kanë qenë 226 atdhetarë pjesëmarrës në LV, ku kanë dhënë jetën dy dëshmorë (shehitë u thoshin atëherë). Kujtesa e më moshatarëve ka ardhur si stafetë tek të më pasmit nëpërmjet rrëfimit gojë më gojë, gjithashtu edhe nëpërmjet botimeve monografike apo kujtimeve të të parëve. Sipas Mujo Gjondedës, shënojmë këtë ngjarje: “Në LV, ku i pari i këtij fshati, Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi, si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë. Këtë çetë e komandoi biri i fshatit Selman Hysen Gjondeda. Në këtë luftë fshati i Tërbaçit dha dy dëshmorë: Sali Selman Gjikën dhe Qamil Mezin Cacën. Gjithashtu, në këtë luftë pati dhe shumë të plagosur, midis tyre edhe komandanti i çetës Selman Hysen Gjondeda. Atij gjylja i plagosi të dyja këmbët, por pa pasoja për jetën. Kjo luftë pati jehonë dhe bëri që zëri i Shqipërisë të dëgjohej edhe në Europë. Dhe populli i këndoi kësaj epopeje: “Ç’ është kështu si dëgjojmë! / Bëhet dyfek në Vlorë,/ Shqiptarët po luftojnë/ Me një mbret dyzet milionë”[2].\


[1] XHAGOLLI, Agron, Etnologjia dhe folkori shqiptar, vep. e cit., f. 16.

[2] GJONDEDA, Mujo H., “Të njohësh gjakun tënd”, Toena, Tiranë, 2010, f. 20.

*) Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail  Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, kenget e hershme

EMRA TË SHKËMBINJVE QË SHKËLQEJNË NË GJI

September 25, 2013 by dgreca

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË-TË TJERËT PËR NE/

Esse nga ANDRZEJ ZANIEWSKI */

   …” Dhe si luftëtar i varfër

           që mbështet kryet mbi gurë

           gjer të nisë lufta prapë

           dua kokën ta mbështes

           mu në gjoksin tënd prej dielli…”

                         (Po trokas në zemrën tënde)

Biografitë e shkrimtarëve i lexoj nganjëherë porsi poezi apo epose të përbëra nga shumë poezi. Ndërkaq, shpesh ndodh që të kuptosh në tërësi synimin dhe kuptimin e këtyre rrëfimeve dhe tregimeve, përpiqem të arrij deri tek skutat më të largëta të letërsisë së tyre kombëtare, në këtë rast, deri tek historia e gjuhës së krijuar përmes mijëvjeçarëve. Mbaj mend, në vitin e kaluar kanë kaluar  550 vite nga data e lindjes dhe e krijimit  të dokumentit më të vjetër të shkrimit shqip ‘Formula e Pagëzimit’ (1462) e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Ndërkaq, i pari monument i madh i shqipes së shkruar dhe i pari libër i botuar është “Meshari” i autorit Gjon Buzuku, i botuar më 1555, derisa Fjalori latinisht-shqip i Bardhit (1635), e cila ishte e para vepër  e llojit të veçant për gjuhën shqipe me rreth tre mijë fjalë.Së këndejmi, mjafton të vështrosh me vëmendje hartën e Shqipërisë bashkëkohëse dhe vendet përreth, për të kuptuar gjenealogjinë-a thua të gjuhëve? – popujt që jetojnë këtu, pastaj historia e kulturës së tyre, arrijnë deri tek periudhat më të largëta dhe, që janë të ndërlidhura ngushtë me lindjen e qytetërimit mesdhetar.Ndaj, këto janë kohët dhe epokat e Argonautëve e të Heraklitit, lufta e Trojes dhe e Homerit, Odiseut-Uliksit, Eneut, perëndive, titanëve, heronjve, nimfave… Këtej u zhvillua një lidhje tregtare, luftarake dhe natyrisht mitologjike, deri sot shumë hulumtues bëjnë zbulime në skajet e saj Ogigie – Ishulli i Vdekur. Harta fsheh sekrete, mijëra sekrete. Një çikë sepse tashmë sot dihet për Ilirët, Enkelejtë, Molosët, Pellazgët, përveç sigurisë, që mbrojtën me guxim dhe forcë selitë e tyre, brigjet e tyre shkëmbore para të huajve. Greqia arriti në rreth pak a shumë ku dhe sot. Mëtej fillonin tokat saktësisht të panjohura, shpella misterioze dhe tatëpjetë deri në nëntokë, male të egra, terrene gjuetie për robërit, sepse ne punën e tyre e kanë bazuar fuqine e vet Helada demokratike dhe Roma krenare. Këto zona filluan  të njihen pas Itakës së famshme dhe ishujve Leukos, Paksos dhe Korkira – Korfuzi i sotëm, e banuar përmes Feakëve, gjatë, po më kot duke mbrojtur pavarësinë e vet.

    Relativisht jo larg kësaj vije, në vendin ku Deti Jon është afër Detit Adriatik, shtrihet Vlora – dikur Aulona, ku lindi Fatos Arapi.Vendlindja zakonisht përcakton identitetin e poetit. Megjithatë nuk vendos per talentin, prirjen, sepse për këtë vendosin zotat, koincidencat e shumë rrethanave. Megjithëkëtë, me siguri një ndikim të thellë  kanë në jetë, në ngjarjet, në zgjedhjet e rrugëve.

    Fatos Arapi – një poet i një ndjeshmërie të jashtëzakonshme, i pajisur ndaj me një dhanti nga vetë fati: shushurima e valëve të detit antik, ngurtësia e shkëmbinjve, në të cilat ndoshta pushoi Odiseu dhe fiqtë e gjelbër, drurët e ullinjtë dhe korijet me lisa. Poetin gjithnjë e shoqëronin shqiponjat  ndoshta dhe shpendë grabitqarë, e me siguri pulëbardhat dhe grumbulli i zogjve shtegtarë, te cilat shtigje këtejpari shpiejnë.

     Perënditë kanë dhënë shenja. Pjesa tjeter është varur nga poeti, shtegtari, këngëtari që zgjodhi fatin, drejtimin e udhëtimit, udhëkryqet, ndryshe fatin  e vet. Duke lexuar këto poezi brilante, mendohem se çfarë shenja ka parë atëherë  autori i poezive “Vëllezër Hamletë” dhe “Stuhia” :

     “Njërin krah të pulëbardhës

     Tjetrin krah tramundana

     Në gojë të dallgëve e reve

     Klithje e zogut digjej nën shira.

     Mbi mua e nën mua:  shpirti

     apokaliptik i një perëndie të egër”

                                     (Stuhia)

Poeti polak Władysław Broniewski me të drejtë shkroi: ‘Dhe njëri krah i poezisë  është vdekja / derisa krahu tjetër është dashuria’. Dhe menjëherë kam vënë re ngjashmëritë në dramatizimin  e brendësisë të veprës- kësaj hapësire të ëndërrimit  të autorit. Në veprat e Fatos Arapit na rrethojnë dhe, jo vetëm vizionet e stuhisë , dhe jo vetëm zogu që lufton me erën e fortë, edhe poeti ndien frymëm ogurzezë dhe të tmerrshme. Dy forca, dy vektorë të qartë etik vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e Jetës dhe një nevojë e pamposhtur e Lirisë. Me një mirëkuptim të thellë e lexoj poezinë emblematike “Ti mos më ler vetëm” duke e lexuar si një manifest kundër vetmisë si lutje, si kërkesë mbi praninë e mikut të përjetshëm. Ajo është e bukur, ndonëse marrësi vë maskën. A thua mos vallë është femra? Apo Zoti? Apo Fati?  Apo zogu mbi dallgët e detit? E parëndesi! Na mahnit kompozicioni dhe lutja e fashitur…

Një rol i jashtëzakonshëm dhe me dy kuptime në poezitë e Fatos Arapit i përket detit, tërësisht sikur vetëdija e pranisë së tij të ia përtërij poetit forcën dhe guximin. Për poetin shqiptar dhe heroin antik si elementi më i rëndësishëm ishte deti – vetë deti. Tiresiasi ia paralajmëron vdekjen Odiseut, që vjen nga deti, pas shumë viteve të përhumbura në mërgim dhe pas fitores prfundimtare. Për Fatos Arapin – deti është një substancë jetëdhënëse, një hapësirë iluzion i lirisë, duke i lejuar për mallin e ngashëryer, të ëndërroj, të luftojë dhe të kujtoj.

      “Përse paskam frikë t’i afrohem detit

       Kaq kohë pa e parë… Kaq kohë pa u parë…

       Unë e Joni… rritur me njëri-tjetrin…

        Së largu më mbështjellin zëra të njohur

        Gjëmimi i përmallshëm, hutues i detit”

                   (Përse paskam frikë t’i afrohem detit)

Deti bëhet për poetin një qenie shumë e afërt dhe e rëndësishme, një lidhje e ngushtë, të cilin nuk e harron dot dhe askurrë.

         “ Po nisem pa u përshëndetur me detin.

              Vetëm kësaj radhe

          nuk dola në brigjet e njohura të përfalesha

          me pulëbardhat e mia…

          Nuk e durokam dot më ndarjen prej tyre

         Më duhet të nisem?

         Pa  kthyer kryet pas!”

              (Duke u larguar prej Vlore)

Na rrethon një atmosferë e afërt me panteizmin. Krijuesi –

ose forca misterioze jetësore e përmbush me praninë e vet natyrën. Ekziston si në fluturimin e zogut ashtu edhe në reflektimin e valëve, në lulet e portokallit  dhe në thellësirat e lëna në brigje të detit përmes shputave të këmbëve të djelmoshave. Këtu gjeta një nga poezitë më të bukura për bukën…

“Mbrëmë

Kur nëna ndante bukën në tryezë

mora  një copë në duart e mia.

dhe m’u duk sikur ngrita ashtu

një grusht dheu të ngrohët”

               ( Në tryezë)

 Vizionet e poetit ndërlidhen, shndërrohen, pësojnë një metaformozë në një koherencë të plotë. Buka kthehet në poezi-kryevepër kushtuar atdheut, ndaj, në këtë temë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se nuk kërkon vetëm njohuri, po edhe ndjenja…

    “Atdheu është buka e uritur

    Të ikën nga duart e dot nuk e ngop

     Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur

     Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.”

                             (Atdheu)

A nuk është kjo një poezi e hidhur karshi një realiteti brutal, ku ndihet i zhgënjyer zëri i trishtë i poetit, fjala e një vetëdije tragjike, koncepte të afërta me dëshpërimin e poetit. Kjo nuk është dëshpërim i vrullshëm, po dëshpërim i shoqëruar me shqetësimet e mëdha të poetit, që vihej në mbrojtje të dinjitetit dhe të vetëdijes kombëtare. Si të mos shqetësohej shpirti i trazuar i poetit që gjithnjë kërkonte një shoqëri të pastër e dinjitoze, kur vështronte në atdheun e vet se si po nëpërkëmbeshin vlera, nderi dhe dinjiteti.Sepse buka  e shtëpisë së familjes mbetet po ajo bukë nga metafora për atdheun, sepse edhe toka nën shputat e këmbëve mbetet po ajo. Dhe ato janë gurra të pashtershme të fuqisë dhe shpresës, duke u përtërirë pareshtur… Hijet  ngjallen,kthehen si ”poetët e fatit tragjik” Vazhdon edhe mëtej gjendje e dëshpërueshme, por jo e disfatës…”Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka “. Në poezinë miniaturë “Një pikëllim i lirë” Fatos Arapi mban tërë hidhërimin dhe pikëllimin e fatit të vet, po njëkohësisht dhe vetëdijen e fitores.Sepse nuk është e mundur ta marrësh  pikëllimin, nuk mund ta shlyesh nga kujtesa, nuk mund të ndalosh mendimet- ndaj kjo është liria! E pamposhtur, liria jote, e cila të lejon ta ruash dinjitetin… Koncepti i ‘lirisë’ kthehet jo vetëm njëherë në këto poezi dhe nuk e lë të qetë poetin…

Vdekja është rimarrje e kësaj pjesëzë të lirisë që e zotërojmë. Tek varri i lirisë – tek varri i vëllait – duke kujtuar Vllasin ‘Qiririn tënd  të ndezur/ mbroj në grushtet e mia’ . Dhe mbi këtë varr përkulet druri i tmershëm i shkaqeve dhe pasojave…

     “Dhe të mendosh pastaj:

     Çfarë peme e çuditshme që qenka liria!

     Me rrënjët e saj

    Në eshtrat e tua, të këtija e atija

     Mijëra…mijëra… mijëra

     Milionë…milionë…milionë për lirinë e vdekur

    nga poli në pol

    nga populli në popull

    nga shekulli në shekull”

            (Dhe të mendosh pastaj…)

Bota bëhet e tmerrshme dhe e rrezikshme… “ Është lodhur me ty vdekja populli im” –  kjo poezi i drejtohet drejtpërdrejt  Shqiptarëve, një vendi që është pjesë  e Evropës. Shqipëria bëhet një vend i një malli e nostalgjie të parealizuar, i një lirie  të varrosur, i ëndërrimeve të humbura, i “shpresës së çmendur”. Dhe kështu u krijua imazhi i vërtetë, sugjestiv i një populli të pamposhtur, duke vazhduar me shpresat e vet…

      “Të mjerët Shqiptarë

      me vdekjen në sy,

      kërkojnë të çmallen me vdekjen diku.

      Dhe çan Evropës me sytë nën këmbë

      Shpresa e çmendur”

                 (Shpresa e çmendur)

Poeti sikur do të ikte Evropës, i cili nuk do të lirohej dot nga malli i therur : “Të çmallesha me vëllain e vrarë”, i ndihmon poetit shkëlqimi i detit mbyllur nën qepalla dhe në një det kujtimesh, ku gjithnjë e shoqëron poezia – poezi të mrekullueshme shkruar përmes tërë jetës. Temat epike i ndihmon këtu arti brilant i fjalës poetike të bardit lirik. Gjithnjë mahnitemi me shtigjet e tij poetike deri te mbretëria e fjales poetike dhe e konceptëve aq të thjeshta, po që janë tej kohore dhe të përjetshme , të zakonshme po që janë të shkruara në mënyrë të jashtëzakonshme. Na magjeps guximi dhe forca e zërit, autenticiteti  i rrëfimit poetik, qartësia dhe tejdukshmëria e komunikimit. Fati nuk e kurseu poetin nga dhembja, pikëllimi pas vdekjes  për të afërmit, lamtumirat dhe vdekjet pa lamtumira. Përsosmëria në ndërtimin e frazave, në saktësinë e lidhjeve dhe të asociacioneve, në krijimin e imazheve simbolike, të fituara në ndeshje me cinizmin, mizorinë, poshtërsinë, indiferencën.

Është vështirë të vlerësosh çmimin se si poetët rëndë e paguan për madhështinë e vet – për vërtetësinë dhe ndjeshmërinë e ndërgjegjës. Në poezinë “Pse erdha në jetë” autori shpjegon…

   “ Un’ nuk erdha në jetë që të lus perënditë;

  Që profetët e mykur mësonjës t’ i kemi;

Që duke biseduar të pyes: a u mërzite

Dhe i qetë në shtrete të lëçit pasdite,

Nëpër vargje budallë, poetët budallenj “

 

Nga poezitë e Fatos Arapit aq shum kam mësuar për Shqipërinë dhe Shqiptarët, për fatin e poetëve shqiptar dhe të jo poetëve, për emigrantët që përshkuan shumë kontinente, duke mos harruar askurrë se nga e kanë prejardhjen dhe mbi bukurinë magjepsëse të natyres përreth, dhe gjithashtu për “zogjtë që urrejnë qiellin”, për “parazitë moçal dhe krime, për skajet e pista dhe zilitë e shëmtuara”. Filozofia e dëshpërimit e ngjashme me idetë dhe botëkuptimet e Jean Paul Sartre’s të “Rrugëve të Lirisë” deri te bindjet e errëta të Mircea Eliade’s, këtu ballafaqohet dhe ndeshet me rezistencën e brendëshme të poetit të pamposhtur, me vetëdijen e  trashëgimisë antike, që atë e krijoi. Para pesimizmit, defetizmit, dekurajimit të pafuqishëm poetin e mbrojnë brigjet e Detit Jon, hijet stërgjyshore, vargmalet e Vitoshes dhe zëri i përmallshëm i fyellit që arrin nga Tomori. Udhëtimet apo ndoshta bredhjet endacake bëhën universitete te letërsisë. Dhe  kthehet e kaluara e thellë… Gjej Skënderbeun e famshëm të njohur nga medaljoni në portën e Ndërtesës së Artë në rrugën ”Długa”në Gdańsk. Sulltan Murati bisedon me Shqiptarin me pranga të vëna  në Fushë-Kosovë më 1389. Historia përhapet dhe zgjerohet përtej kufijve. Kjo tashmë nuk është vetëm Shqipëria, jo vetëm Gadishulli Ballkanik… Poeti vete, arrin edhe më larg. Deri te kampi i përqëndrimit në Dahau, deri te Ditari i Ana Frankut, dëshiron të takohet me poetin e vdekur francez Robert Desnon , me te burgosurin e Auschwitz-it dhe të Terezinit, sepse edhe i betohet dashurisë së vet…”Unë do të vi, do të vi, do të vi…/në jetën tënde të larë prej dielli”.

Një realitet i mrekullueshëm, me ngjyra, tërheqës – bota e grave , e vetmja dhe gjithnjë e veçant, vetëm e jotja, vetëm imja, ku fjalët e dhëna të mirëbesimit, që tashmë shekuj me radhe po ato fjalë, nuk vjetërohen kurrë dhe nuk humbin as ngjyrat e veta. 

Fatos Arapi është një mjeshtër i rrallë i lirikës intime, të rrëfimëve dhe lutjeve më subtile…  Dhe ia përkujtova vetvetes ngazëllimin dhe entuziazmin tim, ngritjet dhe rëniet, të gjitha çastet e lumtura dhe të gjitha disfatat e mia… Dhe zëri poetik i poetit si madhështi hyjnore…

 „Po ecin përmbi taka të holla e të shpejta

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre ?

Nën trokëllimat – ritme të këmbëve të lehta,

Me një gëzim të kthjelltë,

Drejt dashurisë rend jeta…”

           (Miliona dashuri)

 

Femra, muza, kujdestarja, nëna, e dashura, e vetmja… Invokimet  mbesin paemër, po ato i përmbush malli, gjakimi, shpresa e njëjtësuar me dashurinë. Ndodhitë, përjetimet nga jeta e poetit, të skicuara me një delikatesë, ndonëse të trishtuara dhe tragjike, të ngërthyera në ritmin e poezisë, që marrin pjesë në krijimin e rrëfimit, me një qasje mjeshtërore artisti…

  “E ndolla me sy

 Dhe në heshtje i thashë:

–          Sonte kam nevojë

Më pritet fryma”

 *    *    *   *

  ( Kishte çelur lulja e ullirit )

 

Na tërheq thellësia e këtyre mendimeve, përsiatjeve, rrëfimeve… E ndjejmë situatën dramatike, në të cilën lind dhe krijohet poezia, dhe njëkohësisht rritet para nesh

ai muri i fshehtë i misterit. Poezi për familjën, për më të afërmit.  Dhe klithma e brendëshme e poetit, përzier me dhembje e mall të lektisur, mbi varrin e babait, të nënës, të gjyshës, të gjyshit …

 

“Të gjithë po hedhin nga një grusht dhe

Po unë mbi te hedh

Dy-tri copëra qielli…”

*     *    *     *

  (Një grusht dhe mbi varr)

Dhe, dielli i vogël me luleshqerra në varrin e nënës. Poeti i vetmuar me arkëzën mbi supe duke shkuar. Dhe varri i gjyshit i gjetur në varrezat e Stambollit… Evokimi për poetët e vdekur  Nazim Hikmetin dhe Orhan Veliun…  Gjithnjë më kujtohen ato varreza në Stamboll, që vizituakam verës më 1975…E ndiej dhe e kuptoj dhembjen e thellë të poetit, sepse edhe babain tim e pushkatuan në Oswiencim më 1943, dhe varr nuk ka[

Vetëm vdekja i rrethon dhe i bashkon poetët, i afron ata në mes vete… Vetëdija se kohën  nuk mund ta zmbrapsësh, sepse ‘tufëzën e pjekur të kujtimeve’ vetëm mund ta këputësh, se duhet të pajtohemi me kalimin e kohës në pakthim, se njohuria jonë rrjedh nga ngjarjet, të cilave nuk mund t’i shmangemi dot , dhe na ndihmon që ta kuptojmë vetveten…

“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.

 Jemi përherë udhëtarë

dhe kemi ndër duar bagazh të pandarë,

një valixhe të vogël

përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh”.

                         (Jeta)

Poezitë e Fatos Arapit  janë ese të ngjeshura intelektuale.Nuk mjafton vetëm t’i lexosh, po para së gjithash duhet t’i përjetosh, të përsiatësh gjatë leximit. Sepse të kuptosh poezinë e Fatos Arapit duhet të kesh një përgatitje intelektuale. Sepse çdo poezi mund të jetë si një fillim i shqyrtimeve të mëtejshme ekzistenciale, morale, filozofike. Zatën poezitë e këtilla i lexojnë dhe i vlerësojnë njerëzit me një ndjeshmëri të thellë, që kanë një përvojë të madhe,me një bagazh përjetimesh , duke gjurmuar nëntekstet e fjalëve, që nuk pajtohen me botën e prapët dhe realitetin brutal dhe tragjik, e njëherazi duke ruajtur distancën kundruall ngjarjeve dhe qetësinë ndaj fjalëve, të cilat ata i plagojnë…Ndaj, të gjithë duke nxituar brigjeve të detit – antik dhe bashkëkohës.

Artistët …” Poetët shpejtojnë përherë për diku” me besim dhe shpresë, se liria është pranë e pranë.

 Po,  liria nuk dhurohet, por fitohet. Me gjak.

* Andrzej Zaniewski – poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë.

(Parathënie e librit me poezi të zgjedhura: “Dajcie mie imie” (Më jepni një emër) i poetit tonë të mirënjohur Fatos Arapi.Librin e përkthyen nga gjuha shqipe në gjuhën polake Mazllum Saneja & Eva Smietanska. Librin e botoi Shtëpia e njohur Botuese ‘Komograf’, Varshavë, tetor 2013. ( Përktheu nga polonishtja:MAZLLUM  SANEJA )

Filed Under: Kulture Tagged With: Andrzej Zanieewski, Emra te shkembijve, Fatos Arapi, qe shkelqejne

MERGIMI I POETIT HALIL QENDRO OSE RRËZIM I RRAPIT TË PROGONATIT

September 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Është ndarë nga jeta poeti dhe shkrimtari Halil Qëndro.Ikja e poetit kurveleshas ka hidhëruar miqtë  etij poet dhe lexues.Ata e krahasojnë ikjen etij me rrëzimin  errapit shekullor në qëndër të katundit Preogonat,Tepelenë.

Kush ishte poeti Halil Qëndro?

Halil Qendro – Poet, autor librash. Lindi në Progonat, më 1936. Mbaroi të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. U diplomua pranë Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Ka punuar gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për qëndrimet e tij kritike ndaj skemës së Realizmit Socialist u internua për 22 vjet, duke iu hequr edhe e drejta e botimit. Ka botuar në poezi e prozë.Botime në poezi: “Dashuri e shqetësuar”, “Këngët e Progonatit”, “Loti i diellit”, “Hemorragji”, “Endacaku i shpresës”, “Jam tepër i lodhur”, “Ezopi në gjyq”;Botimet në prozë: “Si në balada” (tregime e novela), “Rrëfimet e pasmesnatës” (tregime e novela), “Pasqyrë pas shpine” (roman), “Dimra të Shqipërisë në dy kohë” (roman).Si e vlerësojnë miqtë e tij?

Myrteza Mara :Ndarja nga jeta e intelektualit te shquar, e njeriut te mire, te urte e te mencem, e poetit dhe shkrimtarit, e patriotit dhe veprimtarit te shquar Halil Qendro eshte me shume se dhembje, eshte humbje e vertet. Ai diti aq bukur te buzeqeshte edhe kur i erresuan diellin, edhe kur i mohuan ajrin. Edhe kur i vrane fjalen ai diti te flas me heshtjen e tij sepse ishte mbi te gjitha NJERI! Halil Qendro la pas jo vetem krijimtarine e tij ne fushen e letersise dje publicistikes, por dhe emrin e tij te lare me driten e diellit. Kam patur fatin dhe nderin ta njoh nga afer, te lexoj edhe nje pjese te krijimeve te tije dhe kurr nuk me hiqet nga mendja nje varg tek vellimi “Loti i Diellit”: “Me lehte nga te gjithe vritet poeti” Veprimtar shoqëror, kryetar i parë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” zgjedhur nga Kuvendi i Parë i saj, në qershor 1998. Klubi i Shkrimtareve “Petro Marko” Vlore mer pjese ne kete hidherim dhe i dergon ngushellimet me te sinqerta familjes dhe te afermeve te tij!

Sejmen Gjokoli:Ej, po ç’po bëhet kështu…Po na ikin një nga një burrat e Labërisë, poetët e gojëtarët e shquar të viseve labe.

U këput dhe një rrap apo shkëmb Progonati, që bënte hije dhe kur hijen ja zinin…që këndonte e ligjëronte dhe kur grykën donin tja prisnin.

Na miqësoi puna e përbashkët në Shoqatën “Labëria” kur e patëm në krye por më parë na kishte miqësuar vargu i këngëve të tij botuar në disa vëllime.

Për mua një humbje e madhe e letrave shqipe, e Progonatit me “ vulë” , por edhe e Kurveleshit e Labërisë të tërë…

Lamtumirë i dashur Poet, i shtrenjti njeri, i palodhuri veprimtar i Labërisë, i miri Halil Qendro !

Të ndriftë kujtimi si pena e vargu yt i përflakur !

 Poezi nga Halil Qëndro

Anijet e mërgimit

S’mjaftojnë as anijet e botës

të bartin mërgimin tënd,

gulçojnë të fundosen nën mbipeshën e dhimbjes,

detet e tu

shkretëtira shresash,

ujënaja të kripura lotësh.

Po ti vetë fatin tënd të verbër e zgjodhe,

mezi ruaje zjarrin e paktë te vatra,

e kyçur në marrëzi të vetmisë

i kanoseshe botës me një gur hobeje,

tundje një çokane ogiçi dhe ngjirreshe

e tani e tëra në një det të trazuar,

të presin bankina të lakuriqta

dhe brigje me fenerë të shuar,

shpresëpashuara ime e cfilituar,

Shqipëri !

1991

________________________________________

Halil Qëndro

Pranvera e këtij viti

Si na zuri kaq befasishtë këtë vit pranvera !

Lulet dhe zogjtë kaq pranë

dhe s’i vëmë re as ngjyrat, as këngët,

jemi harruar pas bisedave të nxehta për pluralizmin,

të mbledhur rreth sofrës së varfër vëllezërit

si s’vendosën mes tavolinës një buqetë me lule

për të kujtuar Pranverën dhe fytyrën e Nënë.

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

I kanë humbur mes tyre kufijtë

lulet dhe plagët,

udhëkryqi dhe shtegu i dritës,

a diçka që s’di si ta them se është tej kufirit të fjalëve,

a diçka që s’di si ta shpreh

se është tej kufirit të dashurisë e urrejtjes.

 

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

1991

Filed Under: Kulture Tagged With: dielli, Gezim Llojdia, Halil Qendro

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT