• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

October 7, 2013 by dgreca

Nga ANTON  ÇEFA/

Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.

Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

            Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu  edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së  parë.

            Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën  e  kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.

            Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e  mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë,  siguroi  edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.

            “Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij  është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.

            Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.

            Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë  e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.

            Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

            Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.

            Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..

Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.

            Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.

            Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua  se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”

            Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”

            Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.

Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)

 

 

Filed Under: Analiza, Kulture Tagged With: Anton Cefa, Idriz Lamaj, Xhaferr Deva

The Mayor’s Cultural Initiatives to boost the economy in NYC

October 6, 2013 by dgreca

By: Ermira Babamusta, Ph.D., New York/

Mayor Michael Bloomberg has taken the leadership through innovative initiatives like the “Global Connective Media”, “NYC Life” and the creation of “The Office of Film, Theatre and Broadcasting” to revitalize New York’s economy. The mayor’s vision for arts and the showbiz sector play an integral part in creating funding for the arts community, opening new jobs for the private and public sectors and increasing business activity. The Mayor’s Five Borough Economic Opportunity Plan has been detrimental in bringing NY out of recession. His new cultural and arts programs have proven successful in encouraging entrepreneurship and self-esteem in the next generation leaders.

Mayor Bloomberg has pledged to work more for the City’s cultural community, expanding support for artists and arts organizations. A perfect example that showcases how the cultural lifestyle is thriving thanks to mayor’s office is “NYC Life”.  This program explores arts, culture and entertainment through history and education in New York. It is linked to the economic success of the city of New York.

“Mayor Bloomberg has embraced the arts community and understands the role arts, culture and creativity play in the city’s economy. I am very appreciative of wonderful programs launched by the Mayor’s office like NYC Life that provide amazing opportunities for young ambitious filmmakers like myself. It was an honor to meet with Mayor Bloomberg and see him deliver on his promises,” stated screenwriter and director Orges Bakalli.

Director Bakalli met with Mayor Michael Bloomberg in a 2011 NYC Life official meeting with other talented artists and key figures from the arts and political community. Orges Bakalli is best known for producing the critically acclaimed documentary “American Drop Out”, collaboration with award-winning producers of Reel Works Teen Filmmaking. American Drop Out documentary raises awareness about the drop out crisis in New York City schools and the challenges at-risk students face. The documentary aired on PBS, WNET Thirteen’s American Graduate Day broadcast on September 2012.

“It is a blessing to be part of the mentoring model at Reel Works. Through this great non-profit filmmaking program I have been able to build on my leadership skills and enhanced my self-confidence. Reel Works and NYC Life have given me the opportunity to take on projects that have proven to be successful and influential in advocating for education, history, culture and other important issues,” added director Orges Bakalli.

Orges Bakalli is an extraordinary young talent that is contributing to the arts community in New York. He is one of the youngest directors to have made a name for himself thanks to his dedication, original films and passion. His upcoming short film “Made in Amerika” which he wrote and directs, explores immigration experiences of European communities in United States, focusing on contextual factors such as family, integration and culture.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bloomberg, Ermira Babamusta, Mayer

YJET NUK SHUHEN KURRE…

October 5, 2013 by dgreca

Kushtuar Artistes së Madhe”Nder i Kombit” Drita Pelingu/

Shkruan: Vilhelme Vranari Haxhiraj/Vlorë/

Ne Foto: Aktorja e famshme ne rinine e saj/       

 U bënë tri ditë që mediat vizive apo të shkruara kanë shprehur dhembjen e humbjes së një artisteje të madhe, Drita Pelingu Kripa. Dikush ngushëllon ndarjen nga jeta të njërës prej Ikonave të Skenës dhe Ekranit, Drita Pelingu;Dikush shpreh dhembjen për humbjen e Artistes, “Nder i Kombit” Drita Pelingu.Dikush e quajti aristokratja vlonjate, dikush tjetër tha se nuk do ta dëgjojmë më Mjeshtren e Madhe të fjalës Artistike.

Drita Pelingu Kripa, kjo grua, kjo zonjë, kjo nënë e helmuar, kjo gjyshe mbushur me dhembje, që edhe në çaste të atilla kur mendonte se askush nuk mund të jepte asnjë ngushëllim nga fjala shpresëdhënëse, nga dora e ngrohtë dhe bujarija e shpirtërave njerëzor, kurse ajo Artiste e gjeti veten dhe e shkriu dhembjen në skenë, duke iu dhuruar shikuesve të panumërt kënaqësinë shpirtërore. Për hir të artit që ajo e adhuronte, kishte mohuar veten, doli jashtë qenies së saj ndoshta për dy orë apo mbase, mbase edhe më gajtë për xhirimin e një filmi, vetëm për të realizuar ëndrrën e saj dhe të shëronte shpirtrat e plagosur e të dhembur të shikuesëve të panumërt.

Drita, kjo grua vitale ishte mësuar me dhembjen e shpirtit të plagosur, për heqjen e X roli, apo dhënien e një roli që denigonte shtresën prej së cilës ajo kishte dalë, gjë që ishte fyerje dhe sfumim i asaj që ajo ishte. Që të vërtetosh se sa e vrarë shpirtërisht ishte artistja e madhe, mjafton vetëm një përgjigje e saj pasi zbriti në ShBA, në aeroport gazetarët e pyetën Artisten e Madhe:

-Zonja Pelingu, si ndiheni tani pas rënies së diktaturës komuniste? Dhe ajo u mjaftua vetëm me fjalët: -“Vonë, tepër vonë…” Artistja e Madhe e dinte se në kushte të tjera social-politike emri i saj do të njihej në botë si i shumë artisteve që dolën pas Luftës së Dytë Botërore. Ç’kishin vallë më shumë ato nga Drita: elegancën, sjelljen aristokrate, karizmën, artin e mbrujtur në çdo ind e qelizë, dashurinë për artin dhe skenën të endur në gjak e në shpirt apo mjeshtërinë e fjalës artistike? Asgjë, madje shumë syresh prej tyre kishin shumë më pak nga Drita dhe u bënë të famshme.

Nëse do të zhvillohej një takim kushtuar jetës artistike, veprimtarisë skenike, kinematografike apo regjisoriale,si dhe pedagogeje të Mjeshtres së madhe, Drita Pelingu, nuk do të mjaftonin dy orët e një filmi, apo të një shfaqjeje teatrale, as një simpozium, ku të merrnin pjesë kolegët e saj artistë, regjsorët, studentët e saj pa marrë parasysh adhuruesit e panumërt që ajo ka, pasi koha do të ishte e pamjaftueshme.

Mjafton të kujtojmë se kur analizohet një film, apo zhvillohet një bisedë në studio ose në ambiente ku merret në analizë vetëm një vepër letrare apo një dramë dhe koha nuk lejon që të thuhen të gjitha.

Po për 120 role, po për sa e sa vepra teatrale të vëna në skenë, sa dhjetëra e qindra diploma të studentëve, ku ka qenë kontributi i saj si Pedagoge e Institutit të Lartë të Arteve dhe e mjeshtërisë së fjalës artistike, a do të mjaftonte koha vallë? Natyrisht që jo.

Në kujtimet e mija ,E Madhja Drita Pelingu ,do të ngelet një Ikonë, ashtu e brishtë me fustanin e bardhë siç e kam njohur unë, vajza e vogël 11 vjeçare, aty te lulishtja e Vlorës, në Sheshin e Flamurit në vitet 1956-57, kur Teatri kombëtar bënte një turne dhe luheshin kryeveprat botërore. Kurse mirënjohja ime për Zonjën e Madhe Drita Pelingu, lidhet me pjesmarrjen e saj në 10 vjetorin e krijimtarisë sime, më 6 maj 2007. Që kjo zonjë 80 vjeçare të vinte për një promovim në qytetin e Vlorës, në qytetin e saj të lindjes, për mua ishte nder dhe privilegj.

Vlonjatët kurrë nuk do t’i harrojnë fjalët e saj si bijë e Vlorës, e cila mikpritjen dhe mallin për vendlindjen e pagëzoi me citimin e vargjeve të Rilindasit të madh Naim Frashëri, “Kur e le qengji kopenë” (poema “Bagëti e Bujqësia”) Më pas asaj Zonje i tërhoqi vëmendjen një poezi në ballinën e pasme të romanit tim “Ringjallur si Krishti” që titullohet “Drejtësia” dhe përfundoi me fjalët : “Të nderuar bashkëqytetar, zgjodha këtë poezi se për drejtësi ka pasur dhe ka nevojë shqiptari. Kjo e drejtë legjitime na ka munguar në shekuj dhe më e keqja është se vazhdon të na mungojë i komb…” Pas një dite të ngjeshur me aktivitet letrar, ajo u largua nga qyteti bregdetar, qyteti ku lindi duke marrë me vehte durtrokitjet e sinqerta të bashkëqytetërve të saj si dhe mirënjohjen tonë.

Eh, Yje të tillë që kanë lënë pas shkëlqimin e tyre, nuk shuhen kurrë. Drita Pelingu vdiq fizikisht, por drita e shpirtit të saj bujar, jehona e fjalës së saj të artë dhe ndërgjegja e saj prej artisteje, do të vazhdojë të jetojë në përjetësi. Ajo për gjithë ata që e njohën, që punuan me të, që morën mësim prej saj, që e ndoqën në rrugën e saj artistike do të ngelet “Artistja e Pavdekshme që rrezaton e do të rrezatojë në botën humane si një yll që nuk shuhet kurrë!”

 Le të të prehet shpirti në paqe, mikja ime!

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita pelinku, Vilhel, Yjet nuk shuhen kurre

NJË 70 VJETOR I ZYMTË…

October 4, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Daniel Gazulli 4 Tetor 1943 – 4 Tetor …/

Një vit maparë shkembyem mesazhe urimi me mikun tim Daniel Gazulli.Danieli kishte lé me 4 Tetor 1943, në Shkoder.

Iu dukshin shumë 69 vite që po kalonin! Unë nuk u pajtova me mendimin e Tij, mbasi kishe vue cakun e shumë viteve tek 70 vjetori… “Prit, Daniel, kalo 70 vjetët, mandej fillo me u ankue se vitet po kalojnë shpejtë!” Sigurisht, bajshe llogaritë me shifrat e mija…Qesheshim!

Diferenca e vogel e viteve mes nesh, na kujtonte shpesh të njajtat episode të jetës sonë!

Edhe Danieli kishte perfundue shkollen pedagogjike të Shkodres, dhe pothuej me ata mësues që e kishe perfundue edhe unë dy vjet para Tij. Kur pata shkrue një artikull per brezin e mësuesëve të Elbasanit, ishte knaqë per mendimin e mirë që kisha shpreh unë dhe që kishte edhe Ai për Ata mësues të nderuem, e kryesisht per të Ndjerin Gani Daiu, drejtor i asaj shkollë në vitin 1958 kur e kishte perfundue Danieli. Kujtimet lidheshin me një rasë të veçantë kur Danieli kishte marrë me vete në shkollë “Lahuten e Malcis” së At Fishtës…Dikush ia kishte pa. Tue kalue në korridor e kishte thirrë drejtori Gani Daiu, dhe i kishte thanë vetem këto fjalë: “Ti nuk besoj se e ke “Lahuten e Malcis”, prandej, edhe nuk ka mundsi ta keni sjellur në shkollë, shko!”

Me shpetoi, thonte Danieli, nga një perjashtim i sigurt nga shkolla drejtori Gani Daiu!

Aty nga vitet 1959 – 60 e njoha Danielin nga axha i Tij, Simon Gazulli, një mësues i nderuem dhe me shumë cilësi të mira, per të cilat kishte punue me i trashigue edhe tek Danieli. Nder to mund të permendi deshiren per kulturë e dije europjane, një thesar i njohun dhe i trashiguem i paraardhësëve Gazullorë! Nuk ishte e thjeshtë fjala me “dijtë”, kur persekucioni i Gazullorëve nuk po tham se kishte fillue që në kohen e turqëve, menjëherë mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, që me dijetarin Gazulli, por me siguri në vitin 1927 me Ahmet Zogun, kur vari Don Gjonin e vazhdoi me Enver Hoxhen kur vrau dijetarin tjeter Don Nikoll Gazulli…Këto janë të pamohueshme dhe tragjike per një Fis të nderuem si Gazullorët.

Nga kontaktet e Danielit me At Justin Rroten, At Marin Sirdanin, At Meshkallen, kur axha e Tij Simoni, komunikonte me Ata, Danieli ruente shume kujtime dhe porosi morale e edukative të Tyne, dhe madje ata rrelike ishin të nguluna në kujtesen e perditëshme të Danielit.

Koha i kishte ngulitë dhe ato ishin ngujue në kujtesen e Tij. Shumë vlera t’ asaj kohë i ruejti me kujdes dhe mbas vitit 1990. Danieli nuk vazhdoi me heshtë ma, po edhe filloi me shperthye në shtyp… Kumtesa dhe studime serioze e karakterizonin Danielin, që tashti ndodhej në Lezhë. Pasioni i Tij per letersi dhe fizikë, disi të “palidhuna”, nuk e shkëpusin asnjëherë nga dy figura të Mëdha të Shqipnisë Europjane të Shek. XX, At Gjergj Fishta e Don Nikollë Kaçorri, per të cilët ka lanë edhe materiale me vlerë per brezat e ardhëshme që mund të interesohen me “dijtë” në fushen e letersisë dhe historisë! Karakteristikë e punimeve të Tij asht saktësia!

Vështirsia ekonomike nuk e la me ba disa botime me vlerë që sot, nuk duhet të mbeten nder sirtarë, kur domosdoshmenia e Tyne asht e perditëshme. Fusha e prozës dhe e poezisë janë kenë me të vertetë me vlerë per Danielin, ku mundohej me ngulm me hy nder zemrat e rinisë me një stil të veçantë dhe terheqës, kryesisht per trajtim dhe zgjedhje motivi të ditës.

Unë nuk mund të flas me kompetencë per fushen e krijimtarisë së Tij. Diskutimet tona lidheshin ma shumë per çeshtjet gjuhsore, ku unë, perditë kishe dhe kam edhe sot nevojen e një kompetenti të asaj lamë, ku Daniel Gazulli ishte i persosun dhe i pagabueshem.

Njihte mirë fushen e gjuhsisë dhe simpatizonte thesaret e dijetarit Selman Riza, të cilat ishin edhe pika orjentuese e studimeve të Danielit në atë drejtim aq të domosdoshem per kohen.

Nuk pritonte me redaktue punimet e mija, prandej edhe më shtyni me dijtë edhe mue per çka kishe shumë deshirë të ishte e punueme nga ana e Danielit, në fushen e Gegnishtes Letrare. Kur më tregoi se kishte perfundue “Kodifikimin e Gegënishtes Letrare” dhe se, per atë punim aq me vlerë Ai kishte vue në dijeni edhe Prof. Kolec Topallin e Prof. Primo Shllakun, të cilët besoj, se edhe Ata janë poaq të knaqun sa unë per këte brilant që Danieli, i ka lanë shkencës së Gjuhsisë Shqiptare…dhe, kryesisht, Gegnishtes së Tij fort të dashtun e të dhimëshme…

Nga ajo kohë, unë e kam adhurue Mikun e shtrenjtë Daniel Gazulli…

 

Melbourne, Tetor 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: 70 vjetori, Fritz radovani, i Daniel Gazullit

Regjizori i talentuar Orges Bakalli me një film të ri “Made in Amerika”

October 3, 2013 by dgreca

Ne Foto: Producenti Joseph Di Mattia , aktori Artan Telqiu dhe regjizori Orges Bakalli/

Nga Ermira Babamusta/

Skenaristi dhe regjizori i talentuar Orges Bakalli i është përkushtuar projektit të tij të parë, një film me metrazh të shkurtër, me titull “Made in Amerika”. Regjizori amerikan nga New Yorku me origjinë shqiptare vlerësohet për dokumentaret dhe tani synon kinematografinë. Me filmin “Made in Amerika” ai prezanton një histori të një familje shqiptare që ka emigruar në New York, me pretagonistë dy aktorë të talentuar Artan Krasniqi dhe Ermira Berisha. Me producent Joseph Di Mattia dhe producent ekzekutiv Roland Uruci, filmi premton një portretizim të veçantë. Për më shumë rreth filmit vizitoni https://www.facebook.com/MadeInAmerika.

Kur keni filluar të merreni me filma?

Regjizor Orges Bakalli: Për herë të parë unë fillova ta shikoj filmin si një formë arti kur kam qenë në shkollë të mesme. Per fatin tim te keq , shkolla e mesme ku une shkoja nuk ofronte kurse filmi, keshtu qe une mbas disa kerkimeve qe bera gjeta nje program qe quhej Reel WorksTeen Filmmaking, i cili me dha  mundesine te filloja te punoja ne fushen e filmit.

Cilat cilësi zotëroni që ju dallojnë nga regjizorë të tjerë? 

Regjizor Orges Bakalli: Një cilësi që unë kam dhe që është e domosdoshme për regjizorin është aftësia për të imagjinuar një ngjarje .Nje regjizor i mirë duhet të përshkruaj kuptimin dhe emocionet e ngjarjes nëpërmjet imazheve .

Cilat filma ose video të tjera keni prodhuar?

Regjizor Orges Bakalli: Puna që kam bërë për Real Works ka qenë më shumë filma dokumentare . “Made in Amerika” është përpjekja ime e parë si regjizor i nje filmi  të shkurtër autotentik .

A planofikoni të aktroni në filmat që bëni?

Regjizor Orges Bakalli: Personalisht unë i respektoj shumë aktoret dhe në të kaluarën kam marrë disa kurse për teater, por tash për tash unë kam dëshirë me u fokusu në regjinë e filmit. Ndoshta më vonë në të ardhmen mund të konsideroj idenë me marrë pjesë si aktor në filmat e mi.

Si lindi ideja për skenarin e filmit “Made in Amerika”?

Regjizor Orges Bakalli: Ideja për me shkru “Made in Amerika” thjesht më erdhi duke parë e duke jetuar në Ridgewood  NY. Ky komunitet dominohet nga emigrantë që vijnë kryesisht nga Shqiperia, Polonia dhe nga shume vende të tjera të Europës Lindore. Unë vendosa të tregoj një ngjarje që i dedikohet këtij komuniteti .

Sa kohë u desh për të zhvilluar personazhet e filmit?

Regjizor Orges Bakalli: Aktualisht më është dashur më shume kohë se sa e kisha  parashikuar. Unë në mendjen time e kisha të qartë drejtimin që do t’i jepja ngjarjes, por realizimi është gjithmonë pjesa më e vështirë  dhe më e paparashikuar. Joseph Di Mattia ka qene një mësues dhe produktor i jashtëzakonshëm i cili më mësoi etikën e punës që më nevoitej për të treguar  ngjarjen.

Na tregoni pak për filmin “Made in Amerika”

Regjizor Orges Bakalli: ‘Made in Amerika’ është historia e një çifti që sapo ka emigruar nga Shqipëria dhe e problemeve që ato ndeshen ditë për ditë në Amerikë.

Cili është mesazhi i filmit?

Regjizor Orges Bakalli: Mesazhi i filmit është  që kurrë mos e lejo situatën të shkojë në ekstrem. Është historia e një djali i cili mundohet të zgjidhë një problem të mprehtë por duke dashur të bëjë këtë po i krijonte vehtes një problem edhe më të madh.

Dy aktorët kryesorë në këtë filma janë të talentuarit Artan Telqiu dhe Emira Berisha. Si e plotësojnë ato vizionin tuaj për personazhet që keni në mendje për “Made in Amerika” ?

Regjizor Orges Bakalli: Artani dhe Emira që janë dy karakteret kryesore të filmit janë aktorë fenomenal. Secili prej tyre ka sjellë diçka unike tek roli dhe perveç kësaj kanë shtuar diçka të veçante tek secili karakter. Si regjizor i filmit nuk mund të imagjinoja dy persona më perfekt për këto role.

Cili është roli më i vështirë në këtë film?

Regjizor Orges Bakalli: Roli më i vështirë  për t’u luajtur ka qenë John, që përfaqësonte kompaninë e sigurimeve. Mua më duhej një person që të ishte antagonist, në kontroll dhe në të njëjtën kohë të ishte i simpatizuar nga audience. Kjo është e veshtirë per çdo aktor, por Alex Richard bëri një punë impressive. Ai i dha jetë karakterit të Johnit në një mënyrë që unë nuk e kisha imagjinuar. Ai është një djalë shumë i talentuar.

Si e keni financuar filmin?

Regjizor Orges Bakalli: Filmi është bërë me një buxhet shumë të limituar. Unë nuk kisha shumë mundesië ta financoja filmin, derisa Roland Uruci shprehi dëshirën të më ndihmonte. Kjo bëri që situata të ndryshonte. Ai më prezantoi me Artanin, Ermirën dhe me shokun e tij Albert Elmazovski, i cili është një kinematograf i jashtëzakonshëm dhe mbi te gjitha ai edhe luajti ne film. Rolandi është shumë i talentuar  dhe unë mund të them pa frikë se filmi nuk do të ishte bërë i mundur pa të.

Arsyeja pse një film të shkurtër. A planifikoni ta zhvilloni në të ardhme në një film me metrazh të gjatë?

Regjizor Orges Bakalli: Arsyeja që të bëj një film të shkurtër ishte më shume e kushtëzuar nga mundesirat financiare, por në të ardhmen, është dëshira ime të rikthehem tek disa tema të ngjashme dhe të realizoj një film me të gjate ose seri.

Planet tuaja për filmin, do e dërgoni ne festivale?

Regjizor Orges Bakalli: Po, unë do ta dërgoj filmin “Made in Amerika” në festivalin e filmit sapo ta mbaroj .

 

 

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, Made in america, Orges Bakalli, regjizori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • …
  • 557
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT