• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti

March 7, 2026 by s p

Julika Prifti/

Më të shumtët e fëmijëve i duan prindërit e tyre, por disa jo vetëm i duan po edhe i adhurojnë ata. Unë hyj në kategorinë e dytë. Adhurimin për babanë e kam ndjerë që kur isha vajzë e vogël. Atëherë nuk mund ta kuptoja përse-në.

Babai ishte shkrimtar i njohur kur linda unë. Kishte botuar disa vëllime me tregime të suksesshme, por ende nuk i kishte shkuar mendja të shkruante përralla apo pjesë për fëmijë. Kjo mua nuk më shqetësonte asfare. Ai më lexonte libra e revista për fëmijë, më recitonte fabula e gjë a gjëza që gjithnjë më linin të kënaqur. Profesioni i tij mua nuk më çudiste e as më mahniste. Ajo që më mrekullonte ishte mënyra si m’i lexonte librat apo revistat për fëmijë. Zëri i tij me diksion të qartë ndryshonte për çdo personazh dhe ata bëheshin të vërtetë, bëheshin si njerëzit, të cilit unë i njihja. Në atë botë unë isha pjesëtare me të gjitha të drejtat. Fjalët nga interpretimi i babait dilnin nga libri, e merrnin jetë, historitë nuk ishin më thjesht rreshta në letër, ato vinin në dhomë dhe në mendjen time i shikoja si një film, ku kisha pjesë edhe unë.

Një nga librat e preferuar ishte Keci që dinte të numëronte deri në dhjetë. E di se prej tij mësova shpejt të numëroj deri në dhjetë e të kërkoja “dhjetë lekë për pasta-sy”. Libër shumë i dashur u bë edhe Aventurat e Pifit, qenit qimekuq që ishte tamam si njeri apo fëmijë, shumë i zgjuar, besnik, dhe kurdoherë i gatshëm të ndihmonte familjen. Edhe unë doja të isha si ai. Një episod i librit më bëri shumë përshtypje. Pifit, që ishte “dora e djathtë e teto Agatës, zonjës së shtëpisë,” iu dha detyra të qëronte patate për drekë. Pifi iu fut punës me qejf e dëshirë, si gjithnjë. Por nga zelli i madh qëroi të dy thasët me patate që ishin në qilarin e shtëpisë. Në Ilustrim shikoja sesi patatet e qëruara ishin bërë “kukumal” dhe Pifit i dukeshin vetëm duart, në njërën ende mbante thikën dhe te tjetra pataten e fundit që po e përfundonte së qëruari. Gjëja e parë që më çuditi ishte sesi Pifi vazhdonte punën pa parë fare, i mbuluar nga grumbulli i madh i patateve, dhe teta Agata që nuk po e shihte më Pifin.

Por ky imazh, në vend të efektit komik, për mua që shkoja në kopsht në Shqipërinë e mesit të viteve ’60, ku pjata duhej pastruar megjithëse gjella nuk të pëlqente dhe, ku hedhja e ushqimit konsiderohej “krim”, më shqetësoi shumë. Ç’do bëhej tani me ato thasë patatesh të qëruara? A mund t’i hante familja prej katër vetash e Pifit, më shumë se një tenxhere edhe sikur patatet të skuqeshin, ashtu siç më pëlqenin mua? Patatet do të kalbeshin e do të shkonin dëm. Edukatoret na e kishin bërë të qartë se “Partia e pushteti nuk lejonin shpërdorimin e ushqimit”.

Nuk mund të hiqja nga mendja thasët me patate që do të hidheshin në plehra dhe nuk më zinte gjumi. Isha aq e shqetësuar sa më vinte për të qarë. Ia shfaqa babit shqetësimin tim. Ai nuk më tha se kjo ishte vetëm një histori, një trillim fantazie, një e pavërtetë. Ky do të ishte një shpjegim i shpejtë, një dalje nga situata. Por babai e dinte se ky “shpjegim” do më bënte t’i shihja librat me një sy tjetër. Me buzëqeshje, ai më tha të mos merakosesha se patatet e mbetura do t’i çonin në mensë ose në restorant, aty ku venë të hanë shumë njerëz dhe asnjë patate nuk do shkonte dëm. “E mban mend Hotel Krujën kur ishim në verë? Sa njerëz uleshin në restorantin atje?” e konkretizoi ai shpjegimin. “Shumë,” u përgjigja unë. “Po mensën e studentëve të mjekësisë e ke parë?” “Po, e shoh gjithmonë nga ballkoni anash rrugës.” “E pra, i ke parë vetë sa studentë hyjnë aty për të ngrënë,” më kujtoi ai.

Këto ishin fakte reale që i kisha parë me sytë e mi. Kështu patateve iu gjet vendi dhe mua më kaloi shqetësimi dhe fjeta e qetë.

Babi me bënte të ndihesha mirë, të ndihesha e zgjuar, dhe e “madhe” duke më lejuar të shprehja lirisht ndjenjat e mendimet që më pushtonin mendjen. Fëmijët mund të jenë të vegjël e nuk shqetësohen për pagesën e qirasë, të ushqimeve, të veshmbathjes për pjesëtarët e familjes, etj., por kjo nuk do të thotë se bota e tyre është pa probleme.

Pikërisht, një problem i madh më detyroi një ditë të bëja një deklaratë të fortë se “unë në Kopshtin nr. 6 nuk do të shkoja kurrë më.” Edukatorja, Zoica, më ra me një shpullë në këmbën që gaboi në kërcim, duke ma skuqur lëkurën e duke më turpëruar përpara gjithë grupit të valles. Vatja në kopsht kishte me vete rrezikun e ndonjë dacke tjetër. Prindërit u duk se e kuptuan situatën po problemi ishte se ku do të rrija unë kur ata ishin në punë e Loreta në shkollë? Të më mbyllin vetëm në shtëpi – siç propozova unë, nuk u pranua sepse po të binte ndonjë zjarr unë nuk kisha rrugë shpëtimi. Atëherë babi tha: “Edukatore Zoica bëri gabim që të dha një dackë në këmbë e për këtë duhet të më kërkonte të falur, ashtu siç kërkoja edhe unë kur bëja gabim. Dakord?” Zgjidhja nuk më pëlqeu shumë, por nuk mund ta refuzoja.

Ne vajtëm në kopsht dhe pas bisedës së babit me të, edukatorja më kërkoi të falur. Po kjo u bë në zyrën e saj se ajo ishte edhe drejtoresha e kopshtit. Grupi i valleve, përpara të cilëve unë isha turpëruar, nuk dëgjoi asgjë. Kërkimi i faljes nga ana e saj nuk ishte i sinqertë e unë e ndjeva këtë sapo babai u largua nga kopshti. Vështrimet e saj flisnin për gjë tjetër. Atë e ndjeva fare mirë gjatë ditës. Edhe fjalët e saj nuk flisnin për kuptim gabimi. Kur u ktheva në shtëpi deklarova se në atë vend nuk do shkoja më se kërkimi i të falurit vetëm e kishte egërsuar edhe më edukatore Zoicën. E tani punët ishin më keq se më parë. Gjyshja që kishte ardhur për vizitë nga Rehova ofroi të më merrte me vete në fshat ku nuk kishte kopsht. U duk se problemi u zgjidh. Por unë e dija se fshati i Rehovës ishte shumë larg e mbi të gjitha në shtëpinë e gjyshes nuk kishte telefon. Si do të mund t’i lajmëroja prindërit të vinin të më merrnin nëse mërzitesha larg tyre? Nga njëra anë, më pëlqente idea se nuk do të isha më e detyruar të vallëzoja nën kërcënimin e edukatore Zoicës, nga ana tjetër kisha frikë se pa motrën e prindërit do të mërzitesha në fshat. Po të kishte gjyshja telefon nuk kishte problem, se unë i telefonoja prindërve e ata vinin të më merrnin. Përsëri babi e gjeti zgjidhjen. Ai më tha se unë mund t’i lajmëroja fare lehtë me një letër.

-Po unë nuk di të shkruaj, – i thashë e mërzitur.

-Po emrit tënd di ta shkruash, – më kujtoi babai. – Në çdo vizatim në kopsht ti vë emrin tënd apo jo?

-Po, emrin di ta shkruaj. Po nuk di të shkruaj fjalë të tjera. Si t’ju lajmëroi se jam e mërzitur dhe të vini të më merrni? – pyeta unë pa asnjë shpresë zgjidhjeje.

-Na shkruaj letra me vizatime. Kur letra të jetë me diell, je e gëzuar, po të jetë me shi kuptohet që po qan dhe je mërzitur dhe ne do të vijmë të marrim.

Zgjidhja u gjet dhe unë u binda se sado i madh të ishte problemi nuk kisha pse të trembesha e të shqetësohesha.

Si atëherë në fëmijëri, edhe sot kur babai nuk është më në këtë jetë, dashuria e adhurimi për të mbeten njësoj tek unë. Tani e kuptoj se ai nuk zgjidhte një problem narrativ kur isha e vogël, por më mësonte si trajtohen shqetësimet e tjetrit dhe se imagjinata e një fëmije meriton vëmendje dhe kujdes të veçantë.

Adhurimi im për të nuk lindi nga fama, por nga ajo aftësi e tij e rrallë për të mos e përçmuar seriozitetin e një fëmijë.

Faleminderit, babi!

Foto e shtëpisë në Rehovë dhe kaçkës nga Vangjel Qirici

Filed Under: LETERSI

Zef Serembe, in memoriam…

March 6, 2026 by s p

QSPA/

Kujtojmë sot në 183-vjetorin e lindjes poetin lirik dhe një prej personaliteteve më të rëndësishme ndër arbëreshët e Italisë dhe të letërsisë shqipe, Zef Serembe.

Zef Serembe lindi më 6 mars 1843 në Strighar (San Cosmo Albanese) në krahinën e Kozencës, Kalabri dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje. Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d’Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Kjo ngjarje ndikoi në krijimtarinë e tij lirike.

Në të gjallë ai botoi: “Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja” (Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese), Kozencë 1883 në italisht e shqip, “Il reduce soldato, ballata lirica”, (Kthimi i ushtarit, baladë lirike botuar në Nju Jork 1895, në italisht, dhe “Tingëllima të ndryshme” (Sonetti vari), Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe Skiroit “Arbri i Ri” më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen “Vjersha”, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe. Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva të ndryshme në vitet e fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër fshatarët e Strigarit. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë.

Zef Serembe, ky poet i madh i ndjenjës, sidomos i vetmisë dhe zhgënjimit u nda nga jeta më 1901 në Shën Pali, Brazil.

Më shumë mbi figurën e Zef Serembe gjeni në librin “Historia e letërsisë shqipe” nga Giuseppe Schirò Junior , botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 2021.

Filed Under: LETERSI

Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago

March 2, 2026 by s p

Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago.

Filed Under: LETERSI

Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani

February 26, 2026 by s p

Një ndër përfaqësuesit më të njohur të humanizmit shqiptar, Marin Beçikemi, ishte nga Shkodra. Ai kishte lindur më 1468 në këtë qytet, për t’u bërë më pas shumë i njohur në qendrat humaniste italiane e dalmatine. Edukimin fillestar humanist autori e mori në qytetin e lindjes, një nga qendrat më të zhvilluara shqiptare që nga kohët më të hershme. Ai është pinjoll i një prej familjeve bujare të Shkodrës, të Beçikemëve e njohur për burrat luftëtarë dhe njerëz të shquar që kishte nxjerrë. I mitur Marin Beçikemi përjeton rrethimin e parë të Shkodrës më 1474, ngjarje që do të lërë mbresa të pashlyeshme në vetëdijen e tij. Para rrethimit të dytë, më 1478–79, ai largohet nga Shkodra për t’u mbrojtur në Ulqin tek familje të njohura. Rënia e Shkodrës në duar të turqve, bën që ai të kërkojë mërgimin e detyruar duke u vendosur në Itali. Atje vazhdon studimet në Breshia. Kthehet që andej sërish në Ulqin, ku martohet me një ulqinake. Martesa celebrohet nga Martin Segoni, një humanist tjetër. Me ndarjen nga kjo jetë, në tetor të vitit 1485 të Martin Segonit, ipeshkëv i Ulqinit, Marin Beçikemi mban fjalimin mortor në varrimin e tij. Marin Beçikemi që ka përjetuar dhe parë me sytë e tij rrethimin e parë të Shkodrës, mbresat dhe kujtimet e hidhura ai do t’i shfaqë më pas në veprën e vet. Në mbrojtjen e Shkodrës kanë marrë pjesë, siç do të dëshmojë, rreth tridhjetë pjesëtarë të fisit të tij, dhe ku jep jetën i ati. Rënia e Shkodrës, që ia bën të pamundur kthimin Beçikemit, do t’i japë mbaterial jetësor për të përjetësuar veprën heroike të bashkëqytetarëve të tij në panegjerikët e tij të njohur kushtuar rrethimit të parë dhe të dytë të Shkodrës. 

Studimet e larta Beçikemi i ndjek në Breshia në aulat ku jepnin mësim dy humanistë, profesorët G. Calfurnio dhe C. Barziza. Me kryerjen e tyre, më 1494, ai është ftuar për të drejtuar një shkollë letrare të orientimit humanist në Raguzë. Pranon ftesën për të shërbyer në Raguzë. Përvoja e fituar aty ka një ndikim të fuqishëm në formimin dhe përgatitjen e humanistit. Sigurisht edhe roli i tij në përhapjen e ideve humaniste është i ndjeshëm në këtë qendër të zhvilluar të bregdetit dalmatin. Në Raguzë nisi karriera e tij oratorike, që do të bëhet një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së tij. Në Raguzë, Beçikemi boton veprën e tij të parë më 1495. Veprën ia kushton Senatit të Raguzës. Mirënjohja ndaj Senatit të Republikës së Raguzës nuk kishte vetëm arsye personale. Me të ai shprehte konsideratën për marrëdhëniet e mira të Republikës me Skënderbeun, për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë qëndresës shqiptare, për faktin, se aty kishin gjetur strehë, mbrojtje dhe përkrahje mjaft familje shqiptare të larguara për shkak të invadimit osman. Libri i parë i botuar i Beçikemi titullohet “Kritika dhe observime për Virgilin, Ovidin dhe Ciceronin”. Në Raguzë ai qëndron deri më 1497 për t’u kthyer sërish aty edhe herë të tjera.

Edhe pse i ri në moshë, në sajë të formimit dhe të përgatitjes së fituar ai merr përsipër përgjegjësi dhe missione diplomatike. Më 1496 e gjejmë sekretar në flotën e Sinjorisë ku qëndron deri më 1499. Më 1500 në Venedik polemizon me Rexhio Rafaelon për personalitete të kulturës latine, që i njihte mirë si Ciceronin dhe Kuinitilianin. Thellohet në njohjen e kulturës romake për t’u bërë një nga njohësit e saj më të mirë. Për idetë humaniste dhe kulturën e gjerë që ka fituar me një përkushtim të rrallë ai shquhet sidomos në retorikë dhe oratori. Ai kërkohet të afrohet nga shumë universitete. Më 1501 ai fillon karrierën universitare në Universitetin e Breshias, atje ku është diplomuar. Në katedrën e lëndëve humane qëndroi deri më 1503 ku mbajti ligjërata, fjalime oratorike dhe botoi një numër të madh veprash, duke u bërë një nga humanistët më produktivë.

Më 1503 botoi në Breshia këto vepra:

  • “Leksione nga Plini”, Vepra, vëll. I
  • “Mjeshtëria oratorike e Ciceronit”
  • “Observime për Livin e Virgijilin”
  • “Komente për Persinë”
  • “Libri për oratorinë dhe retorikën e Ciceronit”

Më 1504 botoi:

  • “Përmbledhje observimesh të ndryshme”, Vepra, vëll. II
  • “Panegjirik për Shkodrën”

Më 1504 e gjejmë në Ragužë dhe më 1505 në Venedik, si pedagog në Shkollën e Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi) të ngritur në këtë qytet nga bashkëkombësit e tij. Kolonia shqiptare e themeluar në Venedik e rrethinant pati një organizim të mirë, sepse shqiptarët e mërguar për arsyet e njohura të pushtimit osman nuk ishin pak. Me veprat e botuara dhe me ligjëratat e tij oratorike, Beçikemi kishte fituar emër jo vetëm në mesin e shqiptarëve, por edhe në qarqet humaniste italiane e evropiane, por në të njëjtën kohë edhe shumë njerëz që e luftonin, duke nënçmuar oratorinë e tij. Botues i veprave të Beçikemit është Bernardin Vitali i mbiquajtur Albaneze (shqiptari), po ai që do të botonte veprën madhore të M. Barleti, “Historia e Skënderbeut”. Më 1508 Beçikemin e shohim në Romë, për t’u interesuar që i biri Marku të zgjidhë kanonik në kishën e Breshias. Më 1509 e shohim në Venedik tashmë të japë mësim në shkollat e qytetit për Plinin, Ciceronin, Virgijilin. Sipas studiuesve ai shfaqte aq mjeshtëri sa “kishe qef ta shihje në debat”. 

Më 1517 Marin Beçikemi zgjidhet profesor në Universitetin e Padovës, në degën e arteve ku mësohej filozofia, mjekësia dhe teologjia. Ai caktohet të japë retorikën. Në Padova ai u bë i njohur si studiues e komentues i veprave të autorëve latinë por vazhdon edhe të botojë vepra. Për të ka folur me admirim një nga humanistët më të njohur të Evropës, Erazmi i Roterdamit, si dhe humanistë të tjerë si Kristof de Longaj, poeti A. Novagero, por edhe kundërshtarë të shumtë. Veprat që ai vijon të botojë janë shprehje të impenjimit dhe të rezultateve shkencore. Më 1522 boton veprat “Retorika” dhe “Invencione” (krijime), më 1534 përmbledhjen “Tre fjalime…”, më 1525 veprën “Hymne ekleziasitke” ndërsa post mortum botohet vepra “Koment mbi letrat e Ciceronit me familjen”. Për një periudhë u zgjodh dhe anëtar i Kolegjit të Filozofëve të Padovës. Vdiq në moshën 58 vjeçare, në kulmin e jetës e të punës. Marin Beçikemi ka lëvruar mjaft panegjerikun, një gjini e lëvruar shumë gjatë Mesjetës dhe Rilindjes Evropiane sipas modeleve të panegjerikëve të letërsisë antike. Ai përfaqëson atë lloj të veçantë letrar oratorik, një fjalim mburrës kushtuar personaliteteve të shquara politike dhe të jetës kulturore.                                                      Beçikemi botoi edhe 11 panegjerikë nga të cilët kemi të përkthyer në shqip:

  • Panegjerik Leonard Loredanos dhe Senatit të Venedikut
  • Merita e Shkodrës ndaj Venedikut
  • Rrethimi i parë i Shkodrës
  • Rrethimi i dytë i Shkodrës

Këto janë edhe panegjerikët ku ai ngre lart traditat luftarake mbrojtëse të shqiptarëve por edhe mirënjohjen për bujarinë dhe mikpritjen e treguar nga Venedikasit kur shqiptarët u detyruan të kapërcenin Adriatikun dhe të vendoseshin në tokat e Venetsisë.                                                                       Me mjete të retorikës klasike si pyetjet retorike që derdhen si ujëvarë e qetë në shkrimet e tij arrin të pikëzojë jo vetëm qëndresën e shqiptarëve, por edhe përkrahjen që i dha kësaj qëndrese senati i Venedikut. Ai është i motivuar të konsiderohet më mirë si gojtar i pazoti se sa mosmirënjohës ndaj asaj trimërie e sakrificave që kanë bërë shkodranët për të mbrojtur jo thjesht Shkodrën, por edhe qytetërimin evropian me tërë vlerat e tij. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për barrën që ka marrë përsipër që nuk është aspak e lehtë që “të mos flisja si një letrar privat, por si orator i atdheut tim fatzi”.

Në panegjerikët e tij Rrethimi i parë i Shkodrës dhe Rrethimi i dytë i Shkodrës, Marin Beçikemi nuk trillon por vetëm tregon, me forcën e një mendimtari orator duke përdorur dhe vënë në funksion mënyra të shprehuri që bëjnë tregimin transparent dhe elegant. Ai di që me forcën e fjalës së tij të depërtojë në arsyet e qëndresës së shkodranëve, të trimërisë së pashembullt në mbrojtje të lirisë së etnisë. Këtë tregim të pasuruar me elemente mendimi universal, por edhe të dhënë plot hir e bukuri të mpleksur me meditim të pavarur që kurdoherë zgjon interes në zhvillimin e arsyeve të gjëra, dukurive dhe ngjarjeve ai e ka parë e dalluar më parë në mjeshtërinë e oratorëve të shquar të antikitetit, të cilët ai i sjell në vepër përmes përcaktimeve kuptimplote.

Për të përshkruar tragjedinë e këtij qyteti fatkeq, e këtyre njerëzve që nuk pyesin për rreziqet dhe pasojat e llahartshme të një luftimi jo të barabartë por midis dy palëve që nuk përputhen as në motivet e tyre, ai kërkon ndihmë nga këshilltarët e modelet e shkëlqyera të autorëve klasikë, duke e dëshmuar hapur formimin e tij humanist. “Do të duhej përroi i rrëmbyeshëm i Demostenit dhe deti i pamasë i Ciceronit për t’i qarë paksa me lot mjerimet tona”, për të cilat ai thekson se “nuk do të gjenin fjalë as Herodoti, as Tuqididi, as Livi që shkëlqen me një gojëtari aq të rrjedhshme e të kulluar”. 

Shquan për artin e tij sidomos panegjeriku Rrethimi i parë i Shkodrës, ku ai arrin të zgjojë tek receptuesi i çdo kohe një interes të veçantë, sepse vetë është në dilemë “Të flas apo të rri në heshtje?”. Dhe ai ka zgjedhur pas shumë meditimeve të flasë, por të flasë jo vetëm për ata që i takojnë kohës së tij, por edhe për ata që do të vijnë më pas. Dhe si rezultat na jep një panegjerik model i artit të Rilindjes Evropiane që e ngroh ideali humanist e patriotik, shkrihet aq mrekullisht në shkrimin e tij. Ai i kishte përjetuar vetë ato ngjarje tragjike, ai e njihte mirë atë realitet. Me gjerësinë e mendimtarit ai di të shqyrtojë shkaqet e qëndresës shkodrane, prandaj dhe fjala rrjedh e furishme, skenat dhe tabllotë janë aq autentike e të gjalla, përsiatjet aq të thella dhe sugjestionuese. Qëndresa shqiptare nuk njeh kufij moshash apo sekse. Aty janë përshirë i madh dhe i vogël, pleq, fëmijë, gra, që japin një ndihmesë për t’u admiruar.

Thuhet se Marin Beçikemi ka shkruar edhe një poemë kushtuar Izabele D’Este, e cila ka humbur. I shtrënguar në moshë të re të mërgojë larg atdheut, kaloi nga një qytet në tjetrin me misionin e lartë të pedagogut humanist. Ai u shqua për kulturën e tij të gjerë. Por mbi të gjitha ruajti të pacënuar përkatësinë etnike, duke u njohur si Marin Beçikemi Shkodrani apo Epiroti (Shqiptari). Ai përfaqëson, pa dyshim, një nga personalitetet më të spikatura të Rilindjes Evropiane, një nga shkrimtarët e historianët më të shquar shqiptarë, të njohur nga studiues të huaj dhe shqiptarë, të çmuar në shumë botime për humanizmin dhe Rilindjen në Evropë.

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Dërgoi për botim: Besnik Fishta

Filed Under: LETERSI

SHKRIMTARI NË BREGUN TJETËR: Luan Starova i Sagës familjare Ballkanike…

February 25, 2026 by s p

Emocion dhe e-maile… në nderim të tij, në 4 vjetorin e ikjes.

Visar Zhiti

Njeriu me emrin Luan Starova është vërtet shkrimtar i bregut tjetër, jo vetëm në kuptimin gjeografik, sepse ai jetoi në bregun përballë liqenit të Pogradecit, të qytetit, ku ai lindi dhe familja mërgoi përmatanë, në vendin që sot quhet Maqedonia e Veriut. Prandaj ai është shkrimtar bilingue, vepra e tij është shkruar në njërën nga gjuhët sllave të Ballkanit, në maqedonisht dhe po nga vetë autori është dhe në shqipen e tij, gjuhë e veçantë, që rrjedh nga ilirishtja.

Fjala e shpirtit dhe shpirti i fjalës janë në veprën e shkrimtarit. Jo vetëm si komunikim i vetes me realitetin, por dhe si rrënjë kujtese, vegim dhe histori e së ardhmes. Si përzierje ballkanike, ashtu si dhe njerëzit që popullojnë këtë sagë. Ai është shkrimtari i bregut tjetër dhe në kuptimin estetik të krijimtarisë së tij të begatë. Si tek askush shkrimtar tjetër, në veprën e tij thelbësore është familja, si unitet dhe identitet i patjetërsueshëm, organizim shenjtëror, gjithë dashuri dhe dhëmbje. Ikonat e prindërve janë të gjalla, adhurimndjellëse. Familja, duke lexuar Sagën e Starovës, më është dukur si një Itakë tjetër metaforike, drejt së cilës Odiseu tani udhëton bashkë me Penelopën dhe djalin e tyre, Telemakun, që metaforikisht dhe ky është rapsodi modern/ shkrimtari.

Humanizmi, vëllazëria, thjeshtësia e natyrshme dhe natyra e thjeshtësisë, një si habi, realizëm magjik ballkanik e përshkon Sagën luanstaroviane. Jeta aty ka një ekzistencializëm besimplotë. Toka dhe ujrat kanë humanizim. Dhe Luan Starova është Njeriu me “Nj” të madhe. Aq shumë i ngjashëm me veprën e tij. Vepra e tij është Ai.

URIMI

…vite më parë unë i kisha uruar datëlindjen e Luanit tonë nga Tirana. Institucionalisht kjo letër, e nisur për atë, doli dhe në media:

I dashur Luan Starova,

Gëzuar datëlindjen Ju urojmë nga dheu-amë, shëndet, gëzime e krijimtari të mëtejshme, të bukur dhe të rëndësishme si deri më tani. Vepra Juaj, e njohur jo vetëm në Maqedoni, ku jetoni e shkruani, e njohur jo vetëm në Shqipëri, kombit të cilit i përkisni, saga ballkanike, që krijuat me vite, e përkthyer në gjuhë dhe vende të ndryshme, ka shpalosur një botë, që e ka magjepsur lexuesin e saj, ka treguar njeriun, familjen, shoqërinë, përpjekjet për jetë, për dashuri e paqe. Ajo nis që me imazhet e vendlindjes Tuaj, Pogradecit piktoresk e shkon deri në mesazhet universale. Fryma e thellë njerëzore që përshkon veprën Tuaj, personazhet e paharrueshëm, fjala e gjallë, niveli i lartë artistik, etj, Ju kanë bërë Ju që të jeni një shkrimtar evropian i lartësive botërore. Emri Juaj na mbush me gëzim për veprën e kryer, për punën Tuaj si pedagog, akademik e diplomat, ndaj Ju urojmë, edhe në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, jetë të gjatë e vepra të tjera, në pasurimin e kulturës së përbashkët.

Miqësisht,

Visar Zhiti

Ministria e Kulturës…

Tiranë, gusht, 2013.

TAKIME:

Me shkrimtarin Luan Starova kishim shkëmbyer e-maile dhe më parë dhe do të shkëmbenim dhe më pas, të rralla, por të çmuara si rubinët për mua, ishim takuar jo pak herë në Shkup, në Strugë, në Tiranë, në Lodevë të Francës, prapë në Shkup, kishim qenë dhe në shtëpinë e tij, unë, Eda ime dhe djali, Atjoni, bashkë me Luanin tjetër, edhe ai nga Pogradeci, Luan Topçiu dhe Renatën e tij. E zonja e shtëpisë, Gëzimja, e mbushte mikpritjen plot me emrin e saj, kujtojmë që njëra nga vajzat luajti dhe në flaut për ne, mysafirët e bregut tjetër. Dhe unë do t’u shkruaja: …të mirë pafund…

E MAILE:

Në një nga mesazhet e tij Luan Starova ndër të tjera do të më kërkonte një tregim, sa befasi e bukur, se: …jam duke pregaditur një Antologji të tregimit shqiptar të shekullit XX, – më bëri përshtypje ky përkushtim i tij për letrat shqipe, që do t’i merrte kohën e romaneve të tij që prisnin kreun tjetër…

Në bregun këtej gati mungonte kjo dashuri mes shkrimtarëve, përkujdesi atëror për gjeneratat më pas.

Në një e-mail gjeta që e uroja:

për dekoratën e lartë të Frances. Eshtë një nderim edhe për të gjithë ne…

Ja, dhe një e-mail tjetër, ia dërgoja nga Vatikani: Kam folur… me ambasadorin e Maqedonisë pranë Selisë së Shenjtë, që ai dhe unë t’ju ftojmë këtu… – fjala ishte për një takim me lexuesit në Itali, të organizuar nga dy ambasadat tona.

Kam gjetur dhe çfarë i kam shkruar për poezinë e tij:

…në shkretëtirën e fatit, ku jemi, mbi rërën përvëluese të dhëmbjes pa fund e anë, na dergoni një mirazh, na jepni ca gjurmë që të përcjellin në një oaz…Dua të dal te libri Juaj, “Kartagjena nuk mposhtet”, përgëzime për (ri)botimin e poezive, kanë ardhur mjaft mirë dhe mbartin me dinjitet kohën e tashme të leximit, ngjajnë të sapo shkruara, sepse kanë të përhershmen e ndjenjës e të mendimit, ku hermetizmi i tyre i përbashkët është dhembje njerëzore… prandaj si lexues gjejmë me shumë “kohë të brendshme”, nga ajo me e rëndesishmja, jo efemerja, nga që na tregohet se gjithçka ndodh brenda nesh, më fuqishëm se sa jashtë. Poezia Juaj ngjan si e shkruar në lëkurë jete, gjithmonë nga brenda saj, e lenë në shkretëtirë, ku koha që ikën, i jep më mister e vlerë. E mbaj mend botimin e tyre të parë, ndjesia e tyre tani ishte po ajo dhe ndryshe njëkohësisht, më e pjekur nga dielli i shkretëtirës, më me natë kartagjenase, me yje të ftohtë mbi rrënojat, që dëshmojnë më shumë qëndresë. Parathënia e Adonisit, e shkruar shkëlqyer, i shkon shumë gjendjes së poezisë Tuaj, universalitetit të saj, ndërsa pasthenia Juaj – e rileximit të tyre, metaforës së unit kolektiv, të Kosovës që nuk mposhtet, ku Ju me fisnikëri kujtoni emra të atyre që bënë antishkretëtirë në letrat shqipe, ndërsa unë… gjej dhe unin vetanak, fatin e kursyer në shkretëtire.

Nga që kisha nevojë për lutje dhe rrëfim, e ndjeja se mund t’i bëja, kisha mirëkuptimin e tij, ja ç’i thosha tjetër: …ishte si vazhdim i një bisede me Ju, e heshtur, ku lidhjet e mia me botën tashmë janë prishur hidhur, mua ma merr frymën nëntoka… dhe meqenëse labirinthi im nuk ka rrugëdalje, shoh qiellin, mbase një shkretëtirë e ngritur lart, mbi ne, me kartagjenë resh…

Dhe vazhdoja t’i shkruaja edhe më nga larg, nga SHBA, nga Chicago, por dhe nga afër, nga zemra, e uroja: …që Akademia e Shkencave në Tirane u nderua dhe me emrin Tuaj si antar. I tillë keni qenë përhere me vepren Tuaj të mrekullueshme…

Edhe këtej, në shtëpinë përtej oqeanit, kam libra të Sagës së tij, një poemë e madhërishme e Ballkanit…

I thosha këto dhe nga institucioni më i rëndësishëm, atij të lexuesit dhe e mbyllja me fjalët:

Mjeshtër,

ju duam!

(Sipas një shkrimi për Antologjinë

që do t’i kushtohej shkrimtarit Luan Starova)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 317
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët në Philadelphia e ngritën zërin për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së
  • “The Journalist’s Mission”, filmi i mirënjohjes ndaj SHBA-së dhe NATO-s, premierë në Manhattan
  • Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?
  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT