• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DONI “TEK A ÇIFT ?!”…

June 22, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Kush di me luejtë cilendo prej lojnave din me hjedhë edhe shortin…

Shumica e lojnave kanë arbitra, të cilët hjedhin shortin para fillimit të lojës. Zakonisht ata pyesin njenin nga dy lojtarët se çka kerkon “çift a tek”? Zgjedhja e njenit i jep të drejten tjetrit me kenë fitues i anës tjeter të monedhës që albitri hjedhë me percaktue të drejten “me zgjedhë”… mbas ramjes monedhës në tokë. Ky asht shorti. Deri këtu arbitri asht i paanshem…

Në politikë nuk pyesin kurrë “a doni çift a tek ?!”, ata perdorin tjera fjalë që janë marrë nga ato që perdornin të huejtë kur na sundonin në shtëpinë tonë, p.sh. “a do turrë a jazë?”…ose kur në të shumten e rasave ata ishin arbitrat tonë, që drejtonin “lojen e vet” me lojtarët tanë.

Në kohen e osmanllinjëve nuk e kam idenë se çka mund të na kenë pyet ata ne. Dij se në këta 100 vjet të shkueme, pothuej askush nuk e ka pyet popullin as per qeverisje as qeveritarë.

Pleqtë tregonin se kur e kanë pyet Luigj Gurakuqin një rreth miqësh pse nuk martohesh, Luigji u ka thanë: “Per me u marrë me politikë dhe me kenë i drejtë në Shqipni, politikani nuk duhet kurrë me u martue!” Pra, duhet me kenë “tek”, që mos me lanë familjen rrugash…

Edhe Ahmet Zogut kur i hodhi “shortin” Pashiq në Bristol të Beogradit, në gusht të 1924, Ahmet Zogu i tha: “Due turrë” dhe i ra “turra”… E filloi me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinen…e shkoi “turra” deri në fund të Shqipnisë…e besa, edhe të Dardanisë.

Në vitin 1941 erdhi në Tiranë një tjeter “trajner” politik nga Beogradi, njëfarë Dushan Mugoshet, të cilit nuk besoj se do t’ia harrojnë emnin Shqiptarët edhe nja 250 vjet tjera… Edhe ky i pat hjedhë “short” Enver Hoxhës, i cili i kerkoj “turrë”, ndersa “jaza” i takoi Qemal Stafës, Vasil Shantos, Zef Malës me “mbarë” Shkodren, e pak ma vonë edhe grupit Korçës… Edhe kur ndokush e pyeste Enverin “a do çift a tek?”, ky i pergjegjej “turrë”, pra kerkonte “çift” se me “tek” as nuk u ulte me fillue lojen e vet… Edhe në vitin 1948, vazhdoi me “çift” kur luejti me kokat e Koçi Xoxes e kompani… Prap vazhdoi me “çift” kur hodhi shortin per Tuk Jakoven dhe Bedri Spahiun… Prap me “çift” kur erdhi Hrushovi, me Liri Belishoven e të shoqin Maqo Çomo.

Në vitet 1970 – 74 nuk e perdori ma fjalen “çift”, po thonte “turrë”…e kriste turra nga ministria e mbrendshme e deri naltë në Byro politike, prej Kadri Hasbiut, Feqorr Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Beqir Ballukut dhe turrës gjeneralave…derisa, vetem njëherë i tha Nexhmijes, dua “çift” dhe ajo ia plotsoi dëshiren me “çiftin” Mehmet e Fiqrete Shehun… Kur u plak e nuk mujte me hjedhë ma as shortin, i la porosi Ramizit, që para se me thanë “turrë a jazë”, gjithmonë shiko në sy Nexhmijen, mbasi ai kurrë nuk kishte hjedhë short pa shikue ate. Asht kenë qefli taullet, aqsa kur dilte në balkon kur ishte budallosë dhe i bante rojeve të bllokut me dy pllambët e veta te vendosuna tek hunda, thërriste me të madhe “haps”; i dukej si taullë ambjenti perrreth…e kur vriste ndonjë njeri dhe harronte, i thonte Nexhmijes, “më ke fshehur gurin!!”

Ramizi ishte mjeshter i vjeter në hjedhje shorti. E pat fillue lojen me kosovarë në 1944, dhe njihej si mjeshter i zhdukjes së “turrave” të Shqiptarëve… Vetem njëherë kur iu desht me sigurue “t’ardhmen” e postit PPSh, kerkoj “tek” dhe na solli Hysni Kapon në arkivol nga Parisi.

Edhe në vitet 1990 – 91 kur lojen e fitoi Regan, dhe komunizmit i erdhi fundi… Ramizi, mbasi kishte vra Djelmët fatzezë nder kufinjë, në fjalen e vete në Byro politike tha: “Dua çift!” dhe zgjodhi “çiftin” Nano – Berisha… I çoi në Venecia…Atje një trajner italian, i hodhi shortin… Nano kerkoj “turrë” dhe i ra “turra e komunistëve”, ndersa Berisha, kerkoi “jazë”, dhe i rane të gjithë agjentët e sigurimit dhe të “persekutuemit politik ‘antikomunistë”…

***

Tashti, sigurisht, që koha e ka ba të veten… Jo vetem arbitrat, po edhe lojtarët janë shumë të specializuem dhe komunikues me grupet “turrë” të atyne, që shumica kujtojnë se me të vertetë janë kundershtarë me njenitjetrin. Sigurisht, kanë ndonjë keqkuptim kur bisedojnë per “turrat” e eurove apo të rrezervave nder banka, por shpejtë i pajton qellimi dhe prejardhja e vjeter…

Asht gja e bukur me i pa kur bajnë sikur janë zemrue…E mandej…i pajtojnë gratë! Sa të jetë gjallë Nexhmija nuk kanë nder mend me u prishë per gjana të vogla. As këta asnjeni nuk ia prishin as qejfin as zemren asaj… I ka dashtë fort qyshë të rijë…i ka rritë vetë (edhe si veten).

Tashti në zgjedhjet e vitit 2013, shorti do të hidhet mes Berishës dhe Ramës… Tashti nuk ka ma as Berisha “jazë” se gati – gati janë ba të dy grupet “turrë”…”të persekutuemit” u harruen!

Shqiptarët mundohen me hjedhë “short” po sa herë hjedhin monedhat nalt…u bijnë “jazë” se nuk janë mësue me lujtë me pare…vazhdojnë me kujtue se po lozin me “letrat me vlerë”…

Prap si dikur…kur të shkoni me votue hidhni shortin…kujt ti bijnë “turra” jepni voten!

Ka shkue puna; si ka turra si ka jaza… “qeverinë e ka n’ dorë masa…”!

Kam harrue si asht ajo fjala… a thohet: “Turrë, turrë, bahesh mur…”?

Uuuuuuaa…si i binte “turra” gjithnjë atij…!?

 

Kam vetem një shpresë: “Në dorë të Zotit”, se mjaft me dreqin!

Melbourne, 2013.

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: Fritz radovani, tek apo cift

QYTETARËT E SHQIPËRISË MË 23 QERSHOR DUHET TË VOTOJNË PËR EISENHOWERIN E TYRE, DR. SALI BERISHËN

June 20, 2013 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI*/

Në zgjedhjet e 23 qershorit, këtë të diele, historia e suksesit të Shqipërisë do të konfirmohet. Votuesit shqiptarë janë të vetëdijshëm se hapat që ka kapërcyer Shqipëria për 8 vjet me kryeministrin e saj Sali Berisha, mund të krahasohen me të arriturat e një shekull. Për tetë vjet Shqipëria arriti diçka masive që as optimistët më të mëdhej nuk kanë mundur ta parashikojnë. Dr. Sali Berisha, njeriu më karizmatik në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri në vitet e 90-te hapi vendit të tij perspektivën evropiane dhe faktorizimin e shqiptarëve në rajon.

Sot, kryeministri Berisha, duhet ta vlerësohet në bazë ta asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët? Nëse votuesit do t’ i hedhin një sy Shqipërisë para tetë vjetësh dhe do ta krahasojnë me Shqipërinë e sotme- projektet e tij në mënyrë masive duhet të mbështetën me votën qytetare të 23 qershorit. Një mandat i tretë i Berishës, për Shqipërinë, do të thotë një vazhdim i lulëzimit të saj nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.

Të arriturat e Shqipërisë sot janë të pakrahasueshme. Nuk mund t’ i kontestojë askush, e aq më pak Partia Socialiste që i frikësohet shumë suksesit të saj. Ndërtimi i rrugëve moderne gjithandej vendit dhe lidhja e rajoneve në mes veti, që deri dje ishin të izoluara, është fitorja më e madhe për qytetarët e saj dhe për jetën e tyre.  Ideja e tij për ndërtimin e Rrugës së Kombit, si parakusht për afërimin dhe bashkimin fizik e shpirtëror të shqiptarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës është kontributi më i madh që ka njohur historia shqiptare.

Gjatë një vizite me mikun tim të ngushtë, kongresmenin Eliot Engel në Shqipëri, vizituam pos tjerash, edhe Rrugën e Kombit, që ishte e përfunduar. Me këtë rast u ndalem edhe tek Tuneli i Kalimashit. Aty ishin tubuar shumë gazetarë shqiptarë e të huaj. I gëzuar nga puna që ishte bërë, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në gjithë Shqipërinë, Eliot Engel pat thënë: ” I vizitova disa pjesë të Shqipërisë, pashë rrugë të reja, ura gjigante, një zhvillim dinamik gjithandej këtij vendi Ballkanik. Kur i pashë të gjitha këto, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha më kujtoj Presidentin e SHBA Eisenhower, i cili porsa u zgjodh president, vendosi të ndërtojë autostrada për ta lidhur Amerikën me rrugë të reja, si parakusht për zhvillimin ekonomik. Për mua kryeministri Dr. Sali Berisha, është Eisenhoweri i Shqipërisë së sotme.”

Me Rrugën e Kombit kryeministri Berisha dhe me lidhjen e Tiranës përmjet tunelit të Qafë Krrabës me Elbasanin dhe pastaj me Maqedoninë dhe shqiptarët e atjeshëm, faktikisht ka realizuar projektin e bashkimit të shqiptarëve. Me votën e 23 qershorit- Berisha fillon ndërtimin e rrugës Malësi e Gjakovës- Shkodër, që do të afrohen edhe më shumë dy anët e Bjeshkëve të Nemuna dhe me shqiptarët e Malit të Zi. Gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së Berishës, papunësia në Shqippëri u zvoglua disa herë që ishte e keqja më e madhe. Të ardhurat kombëtare për kokë të banorit u rritën bashkë me standardin e përgjithshëm të qytetarëve.

Ai vendosi taksat më të ulëta të mundshme, në mbështetje të zhvillimit të bizniseve të shumta private. Rritja e vazhdueshme ekonomike e Shqipërisë, madje dyfishore në kohën kur Euro-Zona po përballet me krizën, flet për projektet makro-ekonomike, për planifikim real e të drejtë të këtij strateku të Shqipërisë moderne.

Kryeministri Berisha ishte shumë i sukseshëm në bashkëpunimin me vendet evropiane, me SHBA dhe me vendet tjera të botës. Në këtë kontekst, duhet theksuar posaçërisht tërheqjen e investitorëve të huaj brenda Shqipërisë. Në fakt Shqipëria ishte vendi më i sukseshëm në rajon, sa i përket investimeve të kapitalit të huaj. Një vend që kishte vuajtur aq shumë nga izolimi, sot u bë vendi më atraktiv për të huajt. Shqipëria po bëhet e njohur për zhvillimin e turizmit dhe, viteve të fundit, këtij vendi bregdetar ia mësyen mijëra turistë të huaj. Deti shqiptar, për të cilin Berisha, thotë se do të bëjë një mrekulli masive për të huajt dhe shqiptarët nga të gjitha trojet, është një shtytës më i madh që qytetarët duhet ta kujtojnë atë ditë kur ta hedhin votën e tyre në kuti.

Cilat janë sukseset tjera më të mëdha të Shqipërisë?

1. Hyrja e saj në NATO, është njëra ndër të arriturat më të mëdha historike në vendet e rajonit. Përfshirja në Aleancën Atlantike nuk është vetëm vlerë për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e NATO-s. Ushtarët shqiptarë sot marrin pjesë në ruajtjen e paqjes në anët e ndryshme të botës.

2. Shqipëria arriti, që për një kohë të shkurtër, të marrë liberalizimin e vizave, ku sot qytetarët e saj lëvizin lirshëm nëpër vendet e euro-zonës, duke menjanuar rreshtat e gjatë para dyrëve të ambasadave.

3. Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim- Asocim, qe si parakusht për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe, të mos ishin bllokadat nga Partia Socialiste, nga destruktiviteti i udhëheqjes së saj, ky proces integrues do të fillonte qysh në vitin e kaluar!

4. Rritja e sigurisë ka bërë që të shtohet edhe besimi tek investitorët e huaj dhe vizitat e të huajve në Shqipëri, që njihet për bukuritë e rralla natyrore.

Nën qeverisjen e Sali Berishës, Shqipëria arriti një zhvillim të mirëfilltë të demokracisë, ku u miratuan ligje të standardeve evropiane dhe, në këtë kontekst, u inkorporuan në të gjitha mekanizmat e sistemit demokratik e qytetar.

Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld në vizitin e tij të përfunduar para pak ditësh në Shqipëri, kryeministrin Berisha e quajti aset të çmuar, jo vetëm për kontributin e tij të madh në zhvillimin e Shqipërisë, por edhe për energjinë që pat për tu përballur me të gjitha sfidat e mundshme.

Sukseset e Dr. Sali Berishës nuk janë të rastësishme. Ai nuk është vetëm udhëheqës e projektues i një Shqipërie moderne, por edhe një intelektual i rrallë që ka populli shqiptar. Qe çka thotë në një rast:” Në Shqipëri dhe në shumë vende, presidenti Reagan është një idhull për qëndrimet e tij antikomuniste dhe unë kisha librat e tij. Në vargun e tyre kisha edhe një libër të vogël për ekonominë.” Dr. Berisha ka shfletuar çdo gjë të vlefshme për të qenë ky që është sot.

E djathta përfaqëson vetëm progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe këtë kryevepër, do ta çojë përpara kryeministri Sali Berisha me vizionin e tij për një Shqipëri Evropiane. Dr. Sali Berisha përmjet vazhdimit të reformave ekonomike do të bëjë të mundur që rroga mesatare në Shqipëri të jetë 350 dollarë. Në këtë kontekst përmenda vetëm disa nga sukseset e arritura të Shqipërisë për këto tetë vjet. Këto të mira materiale e demokratike të Shqipërisë po i ndjejnë të gjithë qytetarët. Për të gjitha këto që i theksova Dr. Berisha meriton të zgjedhet prapë kryeministër. Për të flasin veprat, e jo fjalët boshe të pretendentëve për ta marrë pushtetin.

Pra, më 23 qershor, qytetarët e Shqipërisë, jam i bindur se do të votojnë në bazë të asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë kryeministri Sali Berisha, që ta ketë edhe mandatin e tretë për një Shqipëri të begatshme, demokratike dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

 

* Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 23 qershor, Eisenhowrin e tyre, harry bajraktari, shqiptaret, te votojne Berishen

THIRRJE E FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES PER ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT

June 16, 2013 by dgreca

VATRA i konsideron zgjedhjet e 23 qershorit shume te rendesishme per te ardhshmen e afert dhe te larget te fateve te vendit dhe te zhvillimeve demokratike ne atdhe, prandaj i bene thirrje popullit shqiptar te marre pjese masivisht ne zgjedhje, te votoje me qetesi dhe te shprehe vullnetin ne menyre te lire. Ti tregoje botes demokratik e, pjese e se ciles, aspirojme te jemi, se ne e meritojme integrimin dhe bashkejetesen ne bashkimin europian.

VATRA, si organizate patriotike, e pa rreshtuar as majtas as djathtas, por qe shqetesohet per fatet e atdheut dhe me nje histori te gjate antikomuniste, i bene thirrje popullit shqiptar te votoje kunder ardhjes ne pushtet, ne çfaredo forme, te partise komuniste, si rrezik real per fatet e demokracise se brishte shqiptare;

Te votoje kunder rivendosjes te permendores se diktatorit ne sheshet e qyteteve shqiptare; nje synim te tille VATRA e konsideron fyerje dhe provokim qe vene ne prove memorjen e fresket te shoqerise shqiptare;

Te votoje kunder riberjes se gjygjeve politike per ish te perndjekurit politike. Te mos mbeshtese inisjativa te huazuara nga praktikat komuniste qe realizohen vetem me dhune dhe diktature;

VATRA i kujton popullit shqiptar se rilindje e dyte qe dhjetori 1990 qe permbysi diktaturen enveriane, se simbolika e bashkimit te kater partive komuniste ashtusi ndodhi ne tetor 1941 nuk eshte rilindje e popullit shqiptar, por rilindje e “8 nendorit”;

VATRA i bene thirrje popullit shqiptar qe te mos votoje per forcat politike te cilat nuk distancohen dhe nuk prishin aleancen me “rilindjen 8 nendoreshe,” por te votoje vetem ato forca politike qe jane kunder rikethimit te komunisteve ne pushtet, qe jane per integrimin dhe progresin demokratik. Ti kujtoje ato se e ardhmja nuk ndertohet as me slloganet e te kaluares as me simbolet e diktatures.

Popull shqiptar, voto masivisht sot, neser do jete vone!

Filed Under: Opinion Tagged With: Federata Panshqiptare e Amerikes, per zgjedhjet, Thirrj, Vatra

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes!

June 15, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Të diskutosh dhe të votosh, të mblidhesh dhe të kundërshtosh, të falesh përpara Perëndisë, të sigurosh drejtësi për të gjithë — të gjitha këto varen nga liria e fjalës dhe e informacionit. Kanadezi Petrik Uillson, autor i serisë televizive ‘’Lufta për demokraci’’, shkruan: ‘’Demokraci do të thotë komunikim: njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin për shqetësimet e përbashkëta e që ndërtojnë të ardhmen e tyre. Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen.’’

Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet. Sa më i madh të jetë vëllimi i këtyre shkëmbimeve, aq më mirë! Eseisti amerikan E.B. Uait shprehet kështu: ‘’Shtypi në vendin tonë të lirë është i besueshëm dhe i dobishëm, jo për shkak të cilësisë së tij të lartë, por për shkak të larmisë së tij të madhe. Përderisa numri i botuesve, të cilët e paraqesin të vërtetën sipas mënyrës së tyre, është i madh, neve si popull na jepet mundësia ta mësojmë të vërtetën dhe të jetojmë në dritën e saj… Larmia sjell siguri.’’

Ndryshe nga sa ndodh në shtetet autoritare, në shtetet me qeveri demokratike, përmbajtja e fjalës së shkruar dhe të folur është jashtë çdo kontrolli, diktati apo gjykimi. Demokracia mbështetet në qytetarë të shkolluar e të ditur, të cilët vetëm duke përfituar sa më shumë nga informacioni i pasur, mund të marrin pjesë në mënyrë sa më të plotë në jetën e shoqërisë në të cilën bëjnë pjesë. Padija lind plogështinë. Demokracia lulëzon në saje të energjisë së qytetarëve, të cilët i ushqen një burim i pashtershëm idesh, të dhënash, mendimesh e hamendjesh.

Çfarë duhet të bëjë një qeveri kur mjetet e informacionit ose organizatat e tjera e shpërdorojnë lirinë e fjalës duke përhapur të dhëna që sipas mendimit të shumicës, janë të rreme, të neveritshme, pa përgjegjësi apo thjesht të pahijshme? Përgjigjja e përgjithshme do të ishte: ‘’Asgjë!’’ Qeveria nuk ka për detyrë të merret me gjëra të tilla. Në përgjithësi, të kujdesesh për lirinë e fjalës do të thotë të lejosh liri fjale akoma edhe më të madhe. Mund të duket paradoksale, por në emër të fjalës së lirë, një vend demokratik duhet të mbrojë nganjëherë edhe të drejtat e individëve dhe grupeve që përkrahin një politikë të atillë antidemokratike që është për shtypjen e fjalës së lirë. Qytetarët e një shoqërie demokratike e mbrojnë këtë të drejtë, të nisur nga bindja se në fund të fundit, debati i hapur çon drejt një të vërtete edhe më të madhe e drejt veprimeve politike edhe më të mençura, sesa kur liria e fjalës dhe e kundërshtimit shtypet.

Krahas kësaj, përkrahësit e fjalës së lirë mendojnë se heqja dikujt sot e lirisë së fjalës që sipas mendimit tim përbën fyerje, shërben si kërcënim i mundshëm ndaj ushtrimit nga ana ime të fjalës së lirë nesër, pasi fjalët e mia mund t’i duken dikujt tjetër si fyese. Një ndër mbrojtjet klasike të kësaj pikëpamjeje është ajo e filozofit anglez Xhon Stjuërt Mill, i cili në esenë me titull ‘’Mbi lirinë’’, të shkruar në vitin 1859, shfaq mendimin se shtypja e lirisë së fjalës është e dëmshme për të gjithë. ‘’Në qoftë se një mendim është i drejtë, — shkruante ai, — njerëzit humbasin rastin për të zëvendësuar gabimin me të vërtetën. Në qoftë se ai është i gabuar, njerëzit humbasin… një perceptim më të qartë dhe një mbresë më të gjallë për të vërtetën, të cilat lindin si pasojë e ndeshjes së kësaj të vërtete me gënjeshtrën.’’

Rrjedhim i drejtpërdrejtë i lirisë së fjalës është e drejta e njerëzve për t’u grumbulluar dhe për t’i kërkuar në mënyrë paqësore qeverisë të dëgjojë ankesat e tyre. Në qoftë se populli nuk do të kishte një të drejtë të tillë për t’u grumbulluar dhe për t’iu dëgjuar zëri, liria e fjalës nuk do të kishte asnjë vlerë. Për këtë arsye, liria e fjalës vështrohet e lidhur ngushtë, madje pazgjidhshmërisht, me të drejtën për t’u grumbulluar, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar ndryshime. Qeveria demokratike mund të caktojë në bazë të ligjeve, kohën dhe vendin e grumbullimeve dhe të manifestimeve politike për mbrojtjen e qetësisë, por ajo nuk duhet ta përdorë kurrsesi këtë të drejtë për të shtypur protestat, ose për të penguar grupet kundërshtare që të shprehin hapur mendimet e tyre.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokracia dhe liria, e fjales dhe e eshprehjes, faik Krasniqi

Reagim ndaj disa reagimeve ne Gazeten ILLYRIA

June 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kujtim Qafa duke intervistuar Kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi  per ACTV, Prill 2013/

Nga Kujtim Qafa/

Në gazetën “ Illyria” të datës 21-23 Maj 2013, për shkrimin me titull “ Ekrem Bardha: Si organizova viziten e parë të Berishës në SHBA, 1991?”, pati disa reagime. Reagimet vijnë nga interesi i madh që ka pasë për të vërtetën e kësaj vizite, që përbënte kthesen historike të Shqipërisë për daljen nga dara komuniste e stalinizmit shembullor të regjimit diktatoril hoxhian. Disa shqiptarë të New Yorkut me rrethina thanë se Zoti Bardha nuk ka thënë të vërtetën?

Cila është e vërteta e kësaj vizite?

Unë, Kujtim Qafa jam një ndër protagonistët kryesor të kësaj ngjarje, që Zoti Bardha e vë në dukje në prononcimin e tij, bash ashtu siç ndodhi. Në fillim të muajt shkurt 1991, z. Bardha thirri një  grup shqiptarësh nga Detroiti për të biseduar rreth sjelljes së një delegacioni ( delegacionit të parë ) demokratik nga Shqipëria. Pas disa takimeve, u vendos që në SHBA të ftohen dy figurat eminente të Partisë Demokratike ( sapokrijuar) Dr. Sali Berishen dhe ekonomistin e njohur, Gramoz Pashko. Shpenzimet e tyre do t’i mbulonte  z. Bardha e, ne, më vonë, do t’i kthenim në njëfarë përpjestimi këto shpenzime, gjë që sot e kësaj dite nuk ka ndodhur. Shpenzimet prej 12 mijë dollarësh, Ekremit nuk iu kthyen asnjëherë.

Vetiu lind pyetja: Kush tjetër ka paguar, qoftë edhe një dollar për këtë vizitë? Është absurde të mendosh e, për më keq, të shprehesh e dyshosh për një gjë që mbahet mend, nga përjetimet që pati ajo vizitë. Kush nga New Yorku e solli këtë delegacion e kush u kujtua t’a sillte? Kush pagoi për këtë vizitë, veç Ekrem Bardhës?

Në mbarim të muajit shkurt, z. Bardha, dhe unë u nisëm për në aeroportin J.F.K, ku do të bashkoheshim me vëllezrit Bytyçi, Skender Perollin e disa shqiptarë të tjerë, për të pritur delegacionin  nga Shqipëria, tanimë e liruar nga vargonjët Stalinist që  Ameriken e quanin armikun me të madh, ose xhandarin ndërkombëtar të botës. Takimi i vetëm i bërë në New York me disa nga shqiptarët e  atjeshëm është mbajtur në Resorantin e vëllezërve Bytyçi në Manhatan. Të nesërmen u nisën për Washington, z. Bardha së bashkut me delegacionin dhe z. Perolli, kurse unë jam kthyer në Detroit për të organizuar pritjen e këtij delegacioni disa ditë më vonë.

Nuk është puna se z. Bardha pagoi shpenzimet e këtij delegacioni, por edhe koha e angazhimi i tij për takimet në Washington kanë qënë në rend të parë, të cilat i mundësonte njohja e tij me  kongresmenë  e senatorë  të këtij vendi, ku demokracinë e ka gjënë më të shejtë!

Ekremi, jo vetëm ka sjell këtë delegacion, por edhe disa delegacione të tjera, jo vetëm që ka ndihmuar për demokratizimin e Shqipërisë, por ka ndihmuar dhe për Pavarësinë e Kosovës.

 

*Shenim i redaksisw: Kujtim Qafa, pas krijimit të Partisë Demokratike, në Dhjetor të vitit 1990 dhe, pas daljes së numrit të parë të Gazetës “ Rilindja Demokratike” u njoh së pari me Frrok Qupin, kryeredaktorin e kësaj gazete, të cilit i kërkoi të bashkëpunonte me Radion që e drejtonte ai, “ Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”. Kjo mundësoi që Kujtim Qafa të bënte intervisten e parë me Dr. Berishen dhe Gramoz Pashkun, para se të udhëtonin për SHBA. Më vonë, Kujtimi me Ekrem Bardhen dhe Gjeto Ivezaj do të ndihmonin zgjedhjet e njohura të 22 Marsit 1992, ku u mundësua fitorja plebishitare e Partisë Demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Illyria, Kujtim Qafa, reagim ndaj gazetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 795
  • 796
  • 797
  • 798
  • 799
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT