• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA EMËRON AHMET XHAFON KRYETAR TË KOMISIONIT PËR ORGANIZIMIN E FESTËS SË FLAMURIT KOMBËTAR

October 18, 2021 by s p

Dielli/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ka emëruar z.Ahmet Xhafo Kryetar të Komisionit të Posaçëm që do të Organizojë Festën e Flamurit Kombëtar me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra vjen në Festën e Flamurit Kombëtar pas një moment historik vëllazërimi, forcimi, bashkimi e fuqizimi. Vendimi i emërimit të z.Xhafo u miratua unanimisht nga Kryesia e Vatrës dhe z.Xhafo mori mbështetjen absolute nga anëtarët e Komisionit të organizimit të festës së Flamurit: Anton Raja, Mithat Gashi, Marjan Cubi, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota dhe Sokol Paja. Vatra vjen në këtë festë kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, më e fortë se kurrë, më e bashkuar se kurrë, më e madhe se kurrë, me synime të qarta për të ardhmen duke i shërbyer me devotshmëri e përkushtim çështjes kombëtare e bashkatdhetarëve shqiptarë kudo që ndodhen. Në festën e sivjetshme të Flamurit Kombëtar, Vatra do të ftojë të gjitha shoqatat shqiptare në Amerikë, mediat shqiptare, bashkësitë fetare, dhe bashkatdhetarët e spikatur. Festa kombëtare e sivjetshme është një një festë vëllazërie e miqësie të përjetshme mes vatranësh e anëtarëve të komunitetit tonë. Kjo festë do të jetë një moment historik i vazhdimësisë së Vatrës me qëllim për të çuar përpara proceset për të cilat Vatra ka qenë e angazhuar që prej fillimit të ekzistencës së saj. Pas bashkimit vëllazëror, Vatra sot është më e fortë se kurrë dhe fillon një etapë të re, një process i ri në respekt të dashurisë për njëri-tjetrin, atdheut tonë të shtrenjtë, etikës, kanunores dhe çdo njeriu që e do kombin, vatrën, misionin kombëtar dhe frymën e shenjtë vatrane.

Filed Under: Politike Tagged With: Ahmet Xhafo, Vatra

NJË DIPLOMAT AMERIKAN QË NUK HESHTI KUR DUHEJ TË FLISTE

October 18, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Ndonëse, teknikisht, jemi ende brenda 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Republikës së Shqipërisë si dhe hapjes, zyrtarisht, të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë me 1 tetor, 1991 – nga Z. Christopher Hill, i Ngarkuar me Punë ad interim —Frank SHKRELI/ Kris Hill diplomati që hapi Ambasadën e parë Amerikane në Tiranë | Gazeta Telegraf — i cili u pasua nga Ambasadori i parë amerikan në Tiranë në 52-vite, Z. William Edwin Ryerson – deshta të kujtoj me këtë rast, Kryetarin e Delegacionit të parë të Departmentit të Shtetit në Shqipëri, 20 mars, ’91,  Z. David Haywood Swartz —Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf — njëherazi duke mbyllur këtë seri shkrimesh, lidhur me këtë përvjetor. 

Dua ta kujtoj Z. Swartz si një diplomat parimor. Të bardhës i thonte e bardhë dhe të zezës, e zezë. Për aq pak kohë që e njoha — përpara, gjatë vizitës në Shqipëri për tre javë dhe pas këthimit në Washington — pak kam njohur diplomatë që i thonin gjërat ashtu siç i shihnin, troç, drejt për drejt dhe pa frikë. David Swartz, një ekspert për ish-Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore/Qendrore, para se të emërohej në krye të delegacionit të parë amerikan në Shqipëri, mars/prill 1991, ka pasur detyra të larta në Washington dhe ka shërbyer në Poloni, Zvicër dhe Kanada.  Për Shqipërinë dinte aq sa kishte lexuar, si një shtet i mbyllur komunist, ndër regjimet më të egra komuniste, me kampe përqendrimi dhe burgje për kundërshtarët pro-perendimorë të regjimit komunist, deri në ditën e fundit të ndryshimit të sistemeve. Ambasadori Swartz ishte anti-komunist i bindur, ndoshta nga përvoja e tij diplomatike në Varshavë, gjatë luftës së ftohtë. 

Para se të niseshim nga Washingtoni për në Shqipëri, me 20 prill, 1991 përflitej se Z. Swartz, në të vërtetë, ishte emërua ambasadori i parë amerikan në Tiranë – por ai vet nuk e përmendte fare këtë mundësi, pasi ishte i njohur me procesin e gjatë të emërimit dhe miratimit të ambasadorëve nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Senati amerikan.   Arsyeja se pse më në fund Z. Swartz nuk përfundoi të ishte ambasadori i parë në Shqipëri, u bë shkak vizita e Sekretarit James Baker me 22 qershor, 1991 në Tiranë. Sipas burimeve të sigurta në Washington në atë kohë, pas pritjes madhështore që iu bë Z. Bejker në Tiranë, me të këthyer në Washington, Sekretari Bejker kishte mbetur aq kënaqur me vizitën, sa që kishte vendosur të emëronte Bill Ryersonin (i cili gjatë asaj kohe ishte vetëm përkohësisht në Tiranë në pritje të ambasadorit të ri që duhej të ishte qenë David Swartz), si ambasador i parë. Thuhej, në atë kohë, se Sekretari Bejker i kishte dhenë kredi Z. Bill Ryerson për turmën e madhe në sheshin Skenderbeu,për të pritur kryediplomatin amerikan — i bindur se ishte ai, (Z. Ryerson) që kishte organizuar një pritje të tillë, aq madhështore, për Z. Bejker, e si i tillë meritonte të të emërohej ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ambasadori Ryerson, ndonëse në rrethana shumë të vështira veprimtarie, në atë kohë, përball një trashëgimie komuniste që i kishte rrenjët thellë në shoqërinë dhe politikën shqiptare, në mendimin tim, ka shërbyer me dinjitet dhe përkushtim. Ambasadori Ryerson edhe sot mbetet shumë i dashur dhe mjaft i respektuar për shumicën e shqiptarëve në Shqipëri por edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshir autorin e këtyre rreshtave, për të cilin ruaj vetëm kujtime të shkëlqyera.

Kështuqë, si përfundim, Z. Ryerson emërohet ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ndërsa diplomati i parë amerikan që shkeli në tokën shqiptare 52 vite pasi Enver Hoxha kishte mbyllur ambasadën amerikane në Tiranë, Z. David Swartz, emërohej nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër, ambasadori i parë amerikan në Bjellorusi, një vend i ish-Bashkimit Sovjetik që posa kishte shpallur pavarësinë nga Moska. Por punët nuk shkuan aq mirë për ambasadorin e parë amerikan në Bjellorusi. Siç thashë edhe më lartë, David Swartz ishte parimor dhe fliste troç, vinte nga një rajon i Amerikës që quhet “Heartland of America) nga zemra e Amerikës, banorët e atjeshëm njihen për sinqeritetin e tyre, ndryshe nga të tjerët që jetojnë në zonat urbane dhe industriale të Amerikës. 

Ndërkaq, në Janar të vitit 1993, në Washington fillon punën një administratë e re, administrata e Presidentit demokrat, Z. Bill Clinton.  Bjellorusia kishte shpallur

pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik, siç kishin bërë dhe shumica e republikave sovjetike.  Presidenti Aleksandër Lukashenko, si një apartaçik komunist që ishte – drejtor i një koperative bujqësore – ç’prej fillimit kishte treguar prirje për një

qeverisje shtypëse dhe i ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë.  Analisti amerikan i njohur në atë kohë, Robert Novak e ka cilësuar reagimin e qeverisë së Presidentit Clinton ndaj sjelljeve të diktatorit Lukashenko si “një heshtje e turpshme”, duke cituar ish-ambasadorin David Swartz se, qeveria e atëherëshme e Lukashenkos nuk kishte ndër mend të toleronte as të akomodonte opozitën dhe si përfundim, duke shprehur mos-pajtimin e tij me politikën e qeverisë amerikane ndaj politikave shtypëse të Lukashenkos, Ambasadori David Swartz kishte vendosur të jepte dorëheqjen në protestë ndaj regjimit të Lukashenkos dhe ndaj heshtjes së administratës së Presidentit Clinton të cilën ai e përfaqësonte në Minsk. Ishte ky njç vendim i një diplomati të guximshëm amerikan  — ndërkohë që me dorëheqjen e tij, tërhoqi vëmendjen e Kongresit amerikan dhe të botës për ato që po ndodhnin në Bjellorusi nën regjimin e Lukashenkos në fillim të 1990-ave, që edhe sot pas 30-vitesh është ende në fuqi – i njëjti diktator dhe i vetmi i tillë në Evropë, siç cilësohet nga media evropiane. Sidoqoftë, qëllimi i këtyre rreshtave nuk është diktatori Lukashenko, por parimet dhe guximi personal dhe profesional i një diplomati amerikan, siç ishte David Swartz, që po të vijë puna tek mbështetja e të vërtetës – dhe kur janë në pyetje të drejtat dhe liritë e një kombi – atëherë ia vlen edhe dorëheqja — si protestë — nga një detyrë e lartë, qoftë edhe si ambasador – për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj një politike autoritare, çnjerzore, pikërisht, siç ka berë edhe një diplomat tjetër amerikan në fillim të shekullit të kaluar, duke dhenë dorëheqjen në protestë – asaj radhe për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj gjendjes së mjerueshme të shqipatrëve, në atë kohë — Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – 

Sa herë në ditët e sotëme ndeshemi me fenomenin e hipokrizisë në fushën politike dhe diplomatike.  Gazetari politik amerikan Michael Gerson është shprehur se hipokrizia politike është “përdorimi i qëllimshëm i një maske për të gënjyer publikun me qëllim përfitimi politik”.  David Swartz nuk ishte diplomat hipokrit, sepse hipokrizia është për ata që tremben nga e vërteta dhe si përfundim distancohen nga e verteta.  Ai nuk kishte drojë nga e vervet.  Ai raportonte të vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut nga Lukashenko dhe regjimi i tij diktatorial.  Ai nuk e shikonte heshtjen ndaj së keqes që ishte Lukashenko, si një virtyt, as si një vlerë diplomatike ose politike. Po të merreshin në konsideratë  shqetësimet e Ambasadorit David Swartz, në atë kohë, a thua nuk do ishte Bjellorusia një vend ndryshe sot, e Lukashenko ndoshta do kishte përfunduar në koshin e plehrave të komunizmit?! Për fata të mirë  Amerika ka pasur edhe të tjerë diplomatë dhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit që gjatë historisë — kanë dhenë dorëheqjen nga detyra të larta, në mos-pajtim me politika specifike të qeverisë së tyre ndaj një vendi të huaj ose një çeshtjeje politike kombëtare ose ndërkombëtare.  Si shembull, kujtoj se gjatë luftërave ballkanike të shekullit të kaluar — një numër zyrtarësh të lartë, specialistë të rajonit, disa prej të cilëve i kam njohur — kanë dhenë dorëheqjen si përfundim i mos miratimit të politikës së administratës së Presidentit Clinton në Bosnje, në fillim të viteve 1990-ave.

Po mendoja se ç’do të ndodhte sot nëse një ambasador perëndimor në Tiranë, ose në cilindo vend fqinj, do të jepte dorëheqjen në protestë ndaj ndonjë politike — për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët — kësaj radhe nga vetvetja, më shumë se nga të të huajt — ashtu siç bëri në vitin 1914, George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson. Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – A po siç bëri, pothuaj një shekull më vonë, kur David Swartz, ish-Kryetari i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars/prill, 1991, u dorëhoq nga detyra e ambasadorit të SHBA-ve në Bjellorusi, në përpjekje për të shpëtuar një popull nga një diktator duke protestuar politikën e administratës së Presidentit Clinton ndaj regjimit të Lukashenkos, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i gjithë-pushtetshëm në vendin e tij, si diktatori i fundit në Evropë.  Nëse do të ishte dëgjuar zëri protestues i ambasadorit Swartz në lidhje me situatën e atëherëshme në Bjellorusi, ndoshta Evropa nuk do të përballej sot me “problemin” Lukashenko.  Një mësim për të gjithë diplomatët kudo qofshin: mos heshtni kur duhet të flisni! Hapni sytë të shikoni, e veshët të dëgjoni dhe hapni gojën e flisni të vërtetën, publikisht, për ato që po ndodhin rreth e përqark jush. Mos heshtni kur duhet të flisni, se duke folur mund të kurseni një popull nga ndonjë fat i keq e ndoshta duke mbrojtur të vërtetën, mund të shpëtoni sado pak demokracinë e brishtë në ato anë. 

A person wearing glasses and a suit

Description automatically generated with medium confidence

Ish-Ambasadori David Swartz, Kryetari i Delegacionit të Departmentit të Shtetit që për herë të parë (ç’prej vitit 1946) shkeli në tokën shqiptare, Mars/Prill, 1991, menjëherë pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe ish-Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi (Shtator 9, 1991-Janar 21, 1994) i cili ka dhënë dorëheqjen nga ai post për të protestuar politikën e qeverisë së administratës Clinton ndaj diktatorit Lukashenko – i cili për 30-vjet tani, “fiton” zgjedhje pas zgjedhjesh dhe ashtu si 30 vjetë më parë vazhdon të shtyp opozitën, liritë bazë dhe të drejtat e njeriut të popullit bjellorus. 

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale

October 18, 2021 by s p

Presidentja, Vjosa Osmani, priti në takim një delegacion të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të BE-së. Delegacioni i kryesuar nga eurodeputeti Lukas Mandle dhe eurodeputetja Viola von Cramon, përbehej edhe nga Róża Thun Und Hohenstein (EPP), Ms Michèle Rivasi (Greens/EFA), Thijs Reuten (S&D), si dhe një numër ekspertësh të BE-së.

Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Republika e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.

Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, delegacioni e vlerësoi procesin e zgjedhjeve si një proces demokratik, i karakterizuar me një profesionalizëm dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në takim, Presidentja Osmani diskutoi edhe për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, procesin e liberalizimit të vizave, nevojën për fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë, si dhe tema të tjera. 

Filed Under: Politike Tagged With: Vjosa Osmani

Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino

October 17, 2021 by s p

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021. I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj.

Stenda e Shqipërisë, e organizuar dhe menaxhuar për të tetin vit rradhazi nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it) ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese. 

Interesi i publikut të Panairit ndaj letërsisë së autorëve shqiptarë është i lartë. Krahas veprave kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht në gjuhën italjane, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët janë edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht. Një vend krejt të veçantë në vëmendjen e publikut vijojnë të kenë, vit pas viti, edhe autoret e mirënjohura shqiptare Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat e kanë arritur suksesin me vepra të shkruara drejtëpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj.

Falë bashkëpunimit të vyer ndër vite edhe me disa shtëpi botuese shqiptare, krahas librave në gjuhën italjane lexuesit shqipfolës që vizitojnë Panairin mund të  gjejnë pranë stendës edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën e tyre amtare.

Ky koleksion i vogël por i çmuar është veçanarisht i vlerësuar nga numri në rritje i të rejave e të rinjve shqiptarë, të lindur apo të rritur në Itali, të motivuar ta njohin më mirë, përmes letërsisë, vendin e tyre të origjinës.

Një tjetër prirje mjaft pozitive mes vizitorëve të Panairit është interesimi në rritje i udhëtarëve nga Italia për Shqipërinë si vendmbërritje turistike. Kjo ka sjellë edhe shtimin e konsiderueshëm të kërkesës për udhërrëfyesit turistikë “Albania & Kosovo” dhe “Tirana & Albania”, të dy tituj të autorëve Benko Gjata dhe Francesco Vietti, njohës të mirë të trashëgimisë dhe ofertës turistike shqiptare. 

Prania shqiptare në Panair është një vetrinë e rëndësishme edhe për promovimin e njohjes së vendit tonë nga një publik i kualifikuar, i përbërë nga personalitete të spikatura të jetës publike në Itali.

Kështu, gjatë ditëve të para të këtij edicioni të Panairit, krahas një numri të lartë intelektualësh, studjuesish dhe gazetarësh të mediave të mëdha kombëtare, stenda e Shqipërisë është vizituar, ndër të tjera edhe nga guvernatori i Rajonit të Piemontit Alberto Cirio, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Torinos, Dario Gallina dhe kandidati për Kryetar Bashkie i Torinos, Stefano Lo Russo.      

Një përmasë që e ka shoqëruar çdo vit pjesëmarrjen me stendë në Panair janë edhe takimet letrare me autorë të spikatur shqiptarë. I ftuar nderi i këtij edicioni është shkrimtari i njohur Arben Dedja, i cili paraqiti përballë publikut torinez librin e tij të ri me tregime “Trattato di Medicina in 19 Racconti e ½”, i shndërruar në pak kohë në një best-seller. Event kryesor i programit zyrtar të Panairit, ky takim u prit mjaft mirë nga të apasionuarit e letërsisë, që mbushën sallën e konferencave të godinës historike të Polo del ‘900-s, në Torino.

Qendra e Kulturës Shqiptare është një prej organizatave më jetëgjata e më aktive të diasporës shqiptare. Me seli në Torino dhe Milano, Qendra synon të përhapë në Itali njohjen e kulturës shqiptare, të promovojë zhvillimin e lidhjeve kulturore, sociale dhe ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë, si edhe të mbështesë integrimin e bashkësisë shqiptare, si pjesë e proçesit më të gjerë të integrimit të Shqipërisë në BE. 

Filed Under: Politike Tagged With: Shqiperia e librit

Kryeministri Kurti priti delegacionin e Parlamentit Evropian të udhëhequr nga Viola Von Cramon

October 16, 2021 by s p

Prishtinë, 16 Tetor 2021 – Gazeta DIELLI /


Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, pritën në takim një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga përfaqësuesja për Kosovën në parlament, znj. Viola von Cramon.

Kryeministri Kurti falënderoi europarlamentarët për angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe tek pesë vendet mosnjohëse, për përkrahjen dhe votimin për liberalizimin e vizave dhe për mbështetjen me vaksina përmes COVAX.
 Po ashtu kryeministri u shpreh mirënjohës për vizitën dhe për gatishmërinë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor për komunat që mbahet nesër, më 17 tetor.

Zgjedhjet parlamentare kanë sjellë stabilitet institucional dhe legjitimitet demokratik që ka rezultuar me rritje të besimit në institucione e për rrjedhojë edhe zhvillime tjera pozitive sikurse rritja ekonomike, rritja e të hyrave dhe e investimeve, tregues të qartë të efekteve pozitive të ndryshimeve demokratike që erdhën nga zgjedhjet e 14 shkurtit, tha kryeministri.
Ai shprehu besimin që edhe zgjedhjet lokale nesër do të zhvillohen paqësisht dhe me pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve.
Europarlamentarët u interesuan për operacionin e Policisë së Kosovës, të datës 13 tetor dhe kryeministri shpjegoi se ishte operacion kundër kontrabandës dhe kriminalitetit dhe përfshinte 26 lokacione të ndryshme në gjithë territorin, 5 nga to në Mitrovicën Veriore.
Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore, tha ai.
Lidhur me interesimin e eurodeputetëve për bisedimet me Serbinë, kryeministri tha se nuk kanë alternativë, por duhet kuptuar se as njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativë. Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke, tha ai.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi foli për mbarëvajtjen e negociatave për zgjidhjen e përkohshme për targat dhe pritjet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme.

Përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon falënderoi institucionet e Kosovës për pranimin dhe ndihmën e ofruar për refugjatët afganë, si dhe i përgëzoi për reformat e nisura në drejtësi, përkushtimin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për ruajtjen e stabilitetit institucional.
Kryeministri Kurti kërkoi nga deputetët e Parlamentit Evropian që të jenë më të zëshëm në mbështetje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave e të mendimit në Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi se nuk duhet të ketë fonde të BE-së pa pranimin e vlerave të BE-së.
Pjesë e delegacionit ishin europarlamentarët znj. Roza Thun und Hohenstein (EPP), znj. Evin Incir (SD), z. Thijs Reuten (SD), z. Javier Nart (RENEW Europe), znj. Michele Rivasi (Greens/EFA), z. Timo Knaute, përfaqësuesit e Sekretariatit të Parlamentit Evropian z. Francesco Ronchi, z. Raffaele Luise, znj. Michele Rivasi, këshilltarët politikë z. Blagoy Klimov, z. Jörgen Sil, z.Simon Schelde Christensen, znj. Gesa Storz.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • 276
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT