• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika dhe tragjedia e Elbasanit

October 7, 2021 by s p

Gëzim Zilja

Para zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan pati një përpjekje midis dy grupeve kundërshtare të PD-së dhe PS-së. Ngjarja tronditi Elbasanin dhe mbarë Shqipërinë. Përpjekja me armë pati një ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimet e zgjedhjeve në qytetin e Elbasanit e më gjerë. Grupet kundërshtare  u goditën me pistoleta, ku si pasojë pati  një të vrarë dhe tre të plagosur. Në vendngjarje ndodheshin dhe forcat e policisë por ato ndërhynë me vonesë, duke mos e parandaluar dot ngjarjen e rëndë. Policia arriti të ndalojë një furgon të militantëve të PS-së me materiale kompromentuese si karta indentiteti, shuma parash, lista të personave, që u ishin dhënë para’ dhe sende të tjera kompromentuese. Sipas mediave të cilat ndoqën ngjarjen fillimisht thuhej: “ …Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Elbasanit ditën e sotme 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës.Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë dhe 3 persona të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje me armë, që dyshohet se nisi për shkak se një makinë po shpërndante para në emër të Partisë Socialiste… Mësohet se kreu i PD-së në Elbasan, Gazment Bardhi ka kërkuar që OSBE të jetë prezente në Elbasan pas ngjarjes së rëndë të ditës së sotme. Në polici është vetëdorëzuar Arbër Papleka, autori i dyshuar i vrasjes. Në polici mësohet se është shoqëruar dhe vetë Gazment Bardhi, si dëshmitar i ngjarjes.  Po sipas shtypit Gazmend Bardhi ka deklaruar: “Ne kemi të filmuar faktin, që personi është filmuar nga grupi i mbrojtjes së votës, duke dhënë para dhe duke mbledhur karta. Personi që ka këtë celular ka shkuar për të dëshmuar në polici.”  Drejtuesi politik i PS-së Taulant Balla,ka qenë më i prerë në deklaratën e tij duke fajësuar forcat kundërshtare:”… Këto janë provokime, që kanë autor Partinë Demokratike dhe presidentin Ilir Meta dhe ka akuzuar se demokratët kanë zbarkuar në çdo cep grupe paramilitare.” Nga shtypi dhe deklaratat e policisë u bë me dije se u kryen disa arrestime dhe po vazhdonin hetimet me intensitet. Në kushtet e ndodhisë duhej që policia të dilte me përfundime, të sqaronte me hollësi e të zbardhte gjithçka. Por edhe sot nuk ka një përfundim apo komunikim se çfarë ndodhi dhe kush ishin shkaqet e vërteta të përplasje me armë në Elbasan. Taulant Balla dhe Gazment Bardhi ishin drejtuesit politikë të fushatës në Elbasan respektivisht të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Ata janë figura shumë të rëndësishme në partitë e tyre. Ajo që të bën përshtypje është se pas vrasjes së Pjerin Xuvanit dhe arrestimit të militantit të PD-së, asnjë nga forcat politike nuk ka marrë përsipër të diskutojë më për këtë ngjarje. PS-ja  dhe PD-ja pas zgjedhjeve shpallën fitoret, njëra të vërtetë dhe tjera me pretendimin sa ia kishin vjedhur. Në analizat e tipit marksist–leninist të dy partive vunë në dukje “sukseset,” duke shpallur armik dhe fajtor kundërshtarin politik pa kthyer asnjëra gishtin nga vetja . Por ajo që të trondit dhe të bësh të mendohesh thellë është se Taulant Balla nuk e përmendi ( pale të mbante zi) për asnjë çast militantin Pjerin Xhuvani, që u bë kurban, duke kryer detyrat e partisë. PD-ja nga ana e saj e harroi “anëtarin e grupit të mbrojtjes së votës” që me “bekimin” e Gazment Bardhit kreu aktin e vrasjes pavarësisht nga rrethanat. Sot babai i katër fëmijëve Arbër Papleka, rrezikon burgun e përjetshëm. Të dy partitë nuk bënë të paktën një deklaratë sado hipokrite, që të distancoheshin nga ngjarja dhe të dënonin aktin e vëllavrasjes. 

Në një shtet demokratik  çështjet e pushtetit nuk zgjidhen me grykën e armës por me votë të lirë. Këtë teori duhet të “injektojnë” drejtuesit politikë te militantët e tyre në bazë. Drejtësia shqiptare krahas zbardhjes së plotë të ngjarjes duhet të zgjidhë në hetimet e saj pyetjet themelore: Kush i armatosi këta njerëz? A janë fajtorët kryesorë ata burra e djem, që shkrehën armët e vranë njëri-tjetrin apo ata që i armatosën, iu mbushën kokat me urrejtje e premtime dhe i dërguan në luftë kundër “armikut.”  Madje jo vetëm drejtësia por vetë partitë, drejtuesit e lartë të tyre, duhet të analizojnë hollësisht me gjakftohtësi e atdhetarizëm punën e drejtuesve politikë në Elbasan dhe çfarë masa duhen marrë, që këto të mos ndodhin më. 

Policia dhe drejtësia shqiptare ka një pafundësi ngjarjesh në shqyrtim, të cilat shtohen çdo ditë. Por politika është ajo që i inkurajon ose i pret rrugën krimit dhe korrupsionit. Duket se ka një marrëveshje të nëndheshme (qofsha i gabuar) midis politikës dhe prokurorisë që kjo ngjarje të harrohet. Përndryshe  nuk ka pse zgjatet e zvarritet deri në kufijtë e absurdit, e të kosiderohet si një vrasje ordinere e të mos trajtohet si një ngjarje me prapavijë politike. Kështu, mjerisht edhe në kushtet e drejtësisë së rilindur, politika e mosndëshkueshmërisë të krerëve politikë, do të vazhdojë të sundojë në Shqipëri.  

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja

FRANK SHKRELI NË LIDHJE DIREKTE NGA NEW YORK PËR A SHOW ME ADI KRASTA NË SYRI TV

October 6, 2021 by s p

Shkreli: 'Non grata' e Berishës s'është detyruese me ligj! Shqipëria drejt autoritarizmit, po vritet opozita

Shkreli: ‘Non grata’ e Berishës s’është detyruese me ligj! Shqipëria drejt autoritarizmit, po vritet opozita

21:45, 05/10/2021

Ish-drejtori i VOA, Frank Shkreli në lidhje direkte nga New York për A Show me Adi Krastën në Syri Tv, komentoi edhe shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. 

Shkreli tha se vendimi i DASH-it pa baza dhe fakte, nuk është detyruese me ligj, por vetëm të mohon mundësinë e marrjes së vizës për në SHBA.

Sipas tij, non grata për ish-kryeministrin tregon situatën aktuale brenda PD, e cila sipas tij është pranë pozitës si asnjëherë më parë, por kjo shton Shkreli, do të vrasë opozitarizmin në Shqipëri. 

“Kur nuk ke fakte, për çështjen Berisha, shpallja non grata, të gjithë e dimë që z.Berisha ka bërë shumë gjëra të mira për Shqipërinë, por ka bërë edhe gabime, por mungesa e fakteve, arsyet pse, është e vështirë që njeriu të japë një gjykim se çfarë fshihet pas kësaj. Z.Berisha jam i sigurtë që është i zoti të mbrojë veten e tij, jo vetëm brenda vendit me takimet e tij, por edhe në Francë. Nuk jam në dijeni që Blinken t’i ketë ofruar ndonjë informacion Kongresit. Nuk besoj se ka një detyrim në ligj, kjo non grata është aq imponuese, gati dikatoriale, ky është ligj amerikan që nuk të obligon përveç nqs lëviz drejt SHBA. Kjo nuk të jep vizën për në Amerikë, punë e madhe fort. Por kjo duket se ka bishtin mbrapa, ka diçka jetër mbrapa. Problemi është në PD, mënyra si u bë përjashtimi nga partia. Në Shqipëri është zhdukur vija mes pozitës dhe opozitës, ajo që i ndante. Kjo e vret opozitën akoma edhe më shumë në Shqipëri. Kemi një situatë të krijuar e cila po krijon një sistem autoritet që nuk e di ku ta çojë vendin, kemi situatën politike, ekonomike, mungesë të drejtash të njeriut, BE duket sot edhe më larg seç ishte, sot Sllovenia propozonte në Vjenë 2030-ën për anëtarësim, të tjerët i thanë mos vendos datë aty, por harroje këtë punë. Kemi një kryeministër që shkon në kryeqytetet e Europës duke hequr profilin e tij si udhëheqës botëror, ndërsa gjendja në Shqipëri po del dore, gjendja më kritike sot pa marrë parasysh politikën, ekonominë, është zbrazja e trojeve shqiptare, jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë“, tha ai. 

Duke kritikuar ndërhyrjen e ambasadorëve në politikën e brendshme shqiptare, Frank Shkreli kishte një mesazh për Yuri Kim. 

“Pse Yuri Kim nuk bën thirrje që Shqipëria të distancohet nga krimet e komunizmit?”, i drejtohet ambasadores së SHBA në vendin tonë ish-drejtori i VOA, Frank Shkreli.

© SYRI.net

Ish-drejtori i VOA, Frank Shkreli: As sot Shqipëria s'është e lirë, dashuria për SHBA s'duhet të jetë pa kushte

Ish-drejtori i VOA, Frank Shkreli: As sot Shqipëria s’është e lirë, dashuria për SHBA s’duhet të jetë pa kushte

21:30, 05/10/2021

Frank Shkreli, ish-drejtor i seksionit në shqip të Zërit të Amerikës tha në A Show me Adi Krastën në Syri Tv tha se Shqipëria edhe sot e kësaj dite, 31 vjet pas rrëzimit të regjimit diktatorial, nuk është një vend i lirë. 

Sa kohë nuk ka demokraci brenda partive, shton Shkreli, edhe i gjithë vendi do të vuajë mungesën e saj. “Shqipëria sot është më mirë se gjatë regjimit të Enverit, por larg asaj që duam ne”, thotë Frank Shkreli. 

Frank Shkreli ka një këshillë për shqiptarët, të mos e dashurojnë pa kushte Amerikën, pasi sipas tij as SHBA-të nuk janë të përsosura në aspektin e zhvillimit të vlerave demokratike. 

“As dashuria për Amerikën, unë jam amerikan prej 50 vitesh, nuk duhet të jetë e pa kushte e tillë që të bëjë ç’të dojë, të trajtojë si të dojë njerëzit e posaçëm në parti të ndryshme, se as Amerika nuk është e përsosur, por është në zhvillim të vlerave demokratike. Ju e dini që kanë ndodhur gjëra edhe këtu, por ama pas një krize çohen në këmbë, dalin njerëz të rinj, mendime të reja. Çelësi për Shqipërinë, duke ndjekur politikën shqiptare, nqs nuk ke demokraci brenda në parti, nuk do të ketë demokraci as në vend. Janë bërë 30 vjet tani, shpresa jonë për 30 vjet më parë. Ne ishim në Shqipëri një grup në mars 91, nuk kishte demokraci, por ne prisnim demokracinë. Këtu në Amerikë emigracioni i vjetër vazhdimisht thoshte, kur mblidheshin për 28 nëntorin: “Mirëupafshim në Shqipërinë e lirë”. As sot nuk e kemi Shqipërinë e lirë. Është më mirë seç ishte në regjimin e Enver Hoxhës, por jo Shqipërinë si vërtetë e duam shumica jonë”, tha Shkreli. 

Filed Under: Politike Tagged With: Adi Krasta, Frank shkreli

“Në shtëpinë e librit shqip”

October 5, 2021 by s p

Java e dytë e ekspozitës së librit shqip organizuar nga 

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Arjeta Ferlushkaj

Stamford, Connecticut

3 Tetor, 2021

Ditën e diel, më 3 tetor 2021, në Stamford të shtetit të Connecticut-it, u hap ekspozita e librit shqip në Amerikë, në javën e saj të dytë tashmë. Ky aktivitet organizohet nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me rastin e 20-vjetorit të saj dhe, siç është lajmëruar, është programuar të zhvillohet përgjatë harkut kohor 25 shtator-10 tetor 2021.

 

Në javën e parë të ekspozitës patëm rastin të njiheshim më gjerësisht me krijimtarinë e shkrimtarëve si: Yllka Filipi, nënkryetare e Shoqatës, me botimet: “Dante-Kadare”, “Eternitas”, “Me ipsum ames”, etj.; Sabije Dervishi Veseli me botimet: “Pse u dashurove tek unë?”, “Dangerous Road”, “The cheater and Prostitute in my bed”, etj.; Mëhill Velaj me mbi njëzet botime nga ku përmendim: “Kodi i parajsës”, “Unë e solla Doruntinën”, “Lotët e pengut”, etj; si dhe Bora Balaj me botimet “Zogu pa çerdhe”, “Veshje tradicionale shqiptare në Kosovë”, “Heshtja”, etj.

Në aktivitetin e sotëm ishin të pranishëm presidenti i SHSHSHA-së z. Adnan Mehmeti dhe kryetari i saj z. Mëhill Velaj; anëtarë të shoqatës si, Gjeto Turmalaj, Bexhet Asani, Veneta Callpani, Arjeta Ferlushkaj, Luz Thaçi, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mulaj, Bora Balaj, etj.; editori i gazetës “Dielli” z. Sokol Paja, aktivistë dhe lexues e dashamirës të librit shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Aktivitetin e kësaj dite e hapi kryetari i SHSHSHA-së, z. Velaj, i cili mbasi bëri përshëndetjet e rastit, dha një panoramë të shkurtër të ditës së parë të ekspozitës, që u zhvillua me 25 shtator. Në fjalën e tij, z. Velaj shprehu falenderimet për angazhimin serioz të presidentit të Shoqatës, z. Mehmeti për t’u finalizuar siç duhej një sipërmarrje e tillë dhe shprehu mirënjohjen ndaj editorit të ri të gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, për punën e palodhur në kushtim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. 

Z. Velaj, gjithashtu, përcolli përshëndetjet e marra nga themeluesi i kësaj Shoqate, shkrimtari dhe studiuesi Gjekë Marinaj. 

Fjalën e radhës e mori presidenti i Shoqatës, z. Adnan Mehmeti, i cili, mbasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, mori përsipër të bëjë një historik të shkurtër të botimeve të Shoqatës, që ishin të ekspozuar në qendër të zyrës së përkohshme të SHSHSHA-së, ku dhe po zhvillohet ky aktivitet. 

Ndër pikat më të rëndësishme dhe shënjuese të prezantimit të z. Mehmeti, do të veçonim: 

  • Koleksioni i revistës “Pena”, me datë nistore vitin 2001, organ i SHSHSHA-së, e cila deri tani ka dalë në 8 numra. Në këtë revistë botohen kryesisht shkrime dhe materiale nga anëtarë të Shoqatës por kryesia e saj është e hapur të pranojë edhe shkrimtarë të tjerë që lëvrojnë gjuhën shqipe në SHBA. 
  • Viti 2017 kur një shtëpi botuese amerikane shfaq interes për letërsinë shqipe që bëhet në SHBA dhe pikërisht shkrimtarja Diane Durant përgatiti për botim antologjinë “Rozafa’s Milk. A Poetry Anthology”, libër që përfshin krijime (në anglisht) nga 19 anëtarë të Shoqatës dhe lexuesi i interesuar mund ta gjejë në Amazon.
  • Botimi i dy antologjive: “Zemra prindërore”, që lidhet krejtësisht me motivin e nënës dhe antologjia më e plotë “Perëndim i mallur. Antologji me poezi të shqiptarëve në Amerikë”, ku janë të përfshirë thuajse të gjithë anëtarët e Shoqatës.
  • Suksesi më i arrirë i Shoqatës është botimi i monografive: në vitin 2016 është botuar libri “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, ku përfshihen të gjitha aktivitetet e Shoqatës. 

Në vitin 2020 është botuar libri “Autorë dhe vepra”, ku lexuesi mund të gjejë biografinë e bibliografinë botuese për të gjithë anëtarët e Shoqatës. 

Në vitin 2021 u botuan dy libra që përfshijnë përkatësisht dy dekadat e Shoqatës: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. 2001-2011” si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro. 2012-2021”, ku futen të gjitha aktivitetet që lidhen me historikun e SHSHSHA-së. 

  • Përmendja e anëtares së nderit, znj. Carrie Hooper, profesoreshë në New York, e cila është dashamirëse e pastër e gjuhës shqipe dhe është pjesë e kësaj Shoqate përmes librit me poezi shqip-anglisht “Piktura në fjalë”, botuar në Kosovë, në vitin 2018, libër i cili iu promovua nga SHSHSHA-ja.
  • Angazhimi i shtëpisë botuese “Adriatic Press” për të përfaqësuar sa më shumë e sa më denjësisht shkrimtarët shqiptaro-amerikanë dhe kjo shtëpi botuese ka nxjerrë libra nga autorë si Gjekë Marinaj, Besim Muhadri, së fundmi Sami Repishti, etj. 
  • Dhe çfarë përbënte ekskluzivitetin e kësaj dite ishte prezantimi i botimit më të ri nga profesori, shkrimtari dhe studiuesi Sami Repishti: “In the shadow of Rozafa Castle. A Lived Narrative”, botim në gjuhën angleze nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, 2021. Me këtë rast, z. Mehmeti i rikujtoi të pranishmëve dhuratën e çmuar që ky autor i ka bërë Shoqatës: bibliotekën e tij të plotë, ndaj dhe, kushdo që ka interes për ta studiuar këtë autor, z. Mehmeti u tha se e kanë derën e hapur të vijnë tek Shoqata për të hulumtuar. 

Në fjalën e tij të mbylljes, z. Mehmeti ftoi autorët e pranishëm që të bënin secili prezantimin e veprave të tyre para lexuesit, duke i shoqëruar me informacione të shkurtra. 

Vetë z. Mehmeti si autor prezantohet para lexuesit të tij me mbi dhjetë vepra të botuara, nga ku përmendim: “Leave the door open”, “Deti në mes”, “Ndajfoljet e vendit”, “Amidst”, “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktivitete dhe krijimtari”, “Simfonia e udhëtimeve”, etj. 

Kështu, në këtë javë të dytë të ekspozitës, u prezantuan tek lexuesit këta autorë:

  • Arjeta Ferlushkaj me dy librat e saj studimorë: “Pasqyrat e postmodernitetit” (2012) dhe “The Old Bridge-Ura e vjetër” (2020).
  • Sabije Dervishi Veseli vjen tek lexuesi me një krijimtari letrare prej më se 10 veprash, thuajse të gjitha në anglisht, nga ku përmendim: “Mysterious Secret” (2005), “Dangerous Road” (2013), “I live in hell” (2016), etj. 
  • Bexhet Asani prezantoi kontributin e tij, i përqëndruar kryesisht në tre fusha: arsim-shkencë-letërsi, nga ku përmendim: “Nuse përtej detit” (1994, 2012), “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” (2011), “Studime letrare” (2015), “Hyjnia e syve” (2017), etj.
  • Gjekë Turmalaj përmendi shkurtimisht botimet e tij, si: “Fjala si fillim” (2002), “Borxh për nesër” (2009), “Ditënetët e jetës” (2018), etj.
  • Në mbyllje, shkrimtarja Bora Balaj përcolli tek të pranishmit momentet e frymëzimit që ngjizin krijimtarinë e saj, nga ku kemi disa tituj, si: “Zogu pa çerdhe” (1997), “Loti në sy” (2003), “Heshtja” (2020), etj.

Përmendim se, bashkëshoqëruese të ekspozimit të librit u bënë edhe fotografitë-piktura me bojëra uji, të realizuara nga z. Sergio Bitici, nga ku kishte ideuar një mini-ekspoze të përbërë nga 7 të tilla, kryesisht të punuara viteve të fundit. Në prezantimin e punës së z. Bitici, kryetari i Shoqatës z. Velaj nuk harroi të përmendte një detaj interesant: ka qenë pikërisht z. Bitici ai që i ka hapur dyert e restorantit të tij për takimin e parë dhe ka mbështetur nismëtarët e parë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe sot në 20-vjetorin e saj, ai sërish vazhdon me kontributin e vet të pandalur.

Në fillim të kësaj ekspozite, kryetari i Shoqatës z. Velaj, u kujdes që të “ndante” në një hapësirë më vete anëtarët e pranishëm të SHSHSHA-së, në mënyrë që lexuesit dhe dashamirësit e librit të kishin mundësi t’i njihnin nga afër, pra jo më vetëm përmes emrit, dhe në këtë mënyrë, ata mund të krijonin një bashkëbisedim (pse jo edhe bashkëpunim në të ardhmen) për çfarëdo teme a projekti që ata mund të jenë të interesuar, apo qoftë edhe vetëm për një autograf apo fotografi që mbeten kujtim nga kjo ditë e veçantë. Nën këtë ideim, takimi u zhvillua tejet i ngrohtë e miqësor mes të pranishmëve, me mjaft pyetje e përgjigje dhe sidomos me shumë plane e dëshira për të ardhmen, për të shtuar numrin e takimeve të tilla si dhe për të pasuruar kolanën e botimeve në gjuhën shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arjeta Ferlushkaj

Stamford, Connecticut

3 tetor, 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Arjeta Ferlushkaj

HISTORIANI ZEF UJKAJ I BASHKOHET FAMILJARISHT FEDERATËS VATRA

October 4, 2021 by s p

Dielli

Historiani Zef Ujkaj nga Tuzi i Malësisë së Madhe familjarisht iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ai së bashku me bashkëshorten Helena dhe djalin Glauk erdhën plot gëzim e krenari për tu bashkuar me Vatrën, familjen më të madhe patriotike në diasporën shqiptare. Familja Ujkaj u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili u shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar Dielli dhe Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Historiani Zef Ujkaj shkollimin fillestar dhe të mesëm e ka kryer në vendlindje. Shkollen e lartë për Histori pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër ndërsa ato pasuniversitare në Institutin e Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike. Zef Ujkaj ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe po ashtu artikullshkrues i parë dhe në bashkëpunim në disa raste. Për një periudhë pothuajse 10 vjeçare është marrë me aktivitet politik në Mal të Zi, duke dhënë kontribut të konsiderueshëm në luftën për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Për 1 vit punoi si mësimdhënës në Tuz dhe më pas u transferua për të jetuar e punuar në New York. Bashkëshortja e Zefit Helena studimet e larta i ka kryer pranë Universitetit të Janinës, në degën Filologji, specializuar në Gjuhën bizantine dhe moderne greke. Studimet pasuniversitare i ka kryer pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, në degën Gjuhësi. Vatra dhe Dielli i shprehin mirënjohje familjes Ujkaj për angazhimin në Vatër dhe i falenderojnë për mbështetjen e pakufijshme.  

Filed Under: Politike Tagged With: Helena Lubonja Ujkaj, Zef Ujkaj

Lideri narcisist

October 2, 2021 by s p

Iris Halili

“Lideri është si bariu. Ai qëndron prapa kopesë, duke lënë më të dobëtit të shkojnë përpara dhe të tjerët t’i ndjekin pas, të gjithë përgjatë të njëjtës rrugë dhe duke mos e kuptuar se janë drejtuar në heshtje dhe nga pas.” Nelson Mandela Bazuar në studimet e Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (1994) narcisismi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së epërsisë personale, një dëshirë të papërmbajtur për pushtet, bindjen se e drejta është gjithmonë në anën tende, si dhe një mungesë të theksuar empatie. Ndonëse narcisismi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, studiuesit gjithsesi besojnë se pikërisht narcisismi është forca që i drejton shumë liderë drejt pushtetit ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit. Antropologu dhe psikoanalisti Maccoby (2004) konsideron dy tipa narcisismi, narcisismin produktiv dhe atë joproduktiv. Anët produktive të personalitetit narcisist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren, ashtu sikurse anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe nevojë duke e kthyer në joproduktiv. Po të flitet për anët e mira, bazuar te Sankowsky (1995), narcisismi krijon një profil mistik që e bën 44 45 liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, bile deri në atë shkalle sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcisistë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcisist gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues. Maccoby shikon gjithashtu te lideri narcisist një aftësi gati mbinatyrore për arritjen e qëllimeve, një aftësi krijuese gati të pakrahasueshme, si dhe një fuqi të brendshme për t’u përballur me situata të rrezikshme apo të vështira. Njëzëri është pranuar që lideri narcisist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash apo ndryshimesh të mëdha vetëm lideri narcisist mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë kemi parë në krye një lider narcisist. Në përgjithësi personaliteti narcisist e kthen liderin në një individ shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv apo negativ narcisismi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “ Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte!!” Ky kompleksitet përbën edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcisist. Nëse rreshtojmë disa pika kyç për suksesin në lidership të liderit narcisist ato janë padyshim besimi që liderët kanë te vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim te ndjekësit dhe duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që është narcisist”. Çështja shtrohet nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe të luajë të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ushtrojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcisismi që nga ky moment? Më së shumti anët e errëta të narcisismit ngrenë krye dhe e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato, dhe mbi të gjitha të kontrollojë – unin e sëmurë që shfaqet shumëformësh, prej të cilëve po shënojmë më të dukshmit. Unë dhe lumi Miti i vjetër i Narcisit që u mbyt në lumë duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcisi u mrekullua me veten dhe donte ta përqafonte atë në imazhin e ujit dhe humbi pa kuptuar, apo atij iu duk se në lumë ishte dikush tjetër, e ai rendi ta shpëtojë, apo ta përqafojë?? Apo mos kemi një lumë aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë u mahnit e tentoi ta prekë por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë sa që ra e u mbyt i dashuruar pas vetes apo efekti pasqyrë e 46 47 turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më? Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit? Kudo që ta shpiem analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të rrokur veten apo imazhin e tij ajo që e turbulloi Narcisin apo efektet shumëngjyrëshe e shumëformëshe të lumit e përhumbën atë? Duke dalë nga metafora letrare bëjmë një analizë më jetësore duke përmendur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos që mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narcisiane. Po ta shtrojmë analizën te lidershipi mund të pyesim – janë shoqëritë narcisiste që krijojnë liderë narcisistë apo e kundërta? Po t’i hedhim një sy liderëve më dominantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtet të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme por në një pikë ata janë të gjithë bashkë, dhe ky është narcisismi! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë. Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është: lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajin. Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narcisiste do prodhojë liderë narcisistë. Unë jam sui generis Lideri narcisist e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie speciale me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special i cili duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë dhe atë që bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim te ndjekësit. Në paradat e 1 Majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Kjo lloj shpëlarje masive e trurit, ku udhëheqësi shihej si një perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla, ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhës narcisist. Unë duhem dashur me çdo kusht Lideri narcisist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisistë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të. Për mua të tjerët janë vetëm sende Lideri narcisist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcisistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Sipas Dimaggio (2002), si dhe disa studiuesve 48 49 të tjerë bashkëpunëtorë me të, lideri narcisist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcisist; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm. Të gjithë duhet të mendojnë e të veprojnë si unë Liderët narcisistë kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcisistë dhe shoqëri narcisiste. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm fuqizojnë pushtetin e tyre, mbrojnë pushtetin e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problemi më serioz në lidership nuk është çka vetë lideri përfaqëson, por çka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri, ndaj edhe misioni apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial të jetë, i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë, vetë fatin e njerëzimit. Hitleri është padyshim lideri narcisist më klasik, apo më saktë të shprehemi, më lehtësisht për t’u identifikuar lehtësisht si i tillë. Ai e përcolli krejt natyrshëm narcisismin e tij te shoqëria gjermane e kohës aq sa shumë shpejt u pa që nuk patëm vetëm një lider narcisist, por një shoqëri gjermane krejt narcisiste. Fitore dhe vetëm fitore për mua Liderët narcisistë duan të shohin vetëm fitore. Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi për humbjen. Ndërsa paradoksalisht te sukseset lideri narcisist gjithmonë kërkon t’i theksojë si të vetat. Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pike sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të gjithë propagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike ishte ndërtuar për të glorifikuar suksesin, që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë. Mua nuk më duhet të dëgjoj, unë vetëm jap direktiva Lideri narcisist nuk ka aftësinë të dëgjojë apo të shkëmbejë mendime. Ndonëse ai deklamon sikur i pëlqen të dëgjojë, në fakt ai është më i prirë të rrethohet vetëm nga manekinë. Në këto kushte, në vend që të ndërtojnë raporte njerëzore dhe të ndershme, liderët narcisistë shfaqin dëshirat ekstreme për të dominuar dhe ndjejnë kënaqësi të veçantë duke goditur të tjerët, pasi për ta jeta është një konkurrencë ku ata duhet të jenë vetëm fitimtarë (Blair, 2008). Çdo ide, vendim apo propozim 50 51 duhet të dalë nga lideri narcisist. Duke krijuar këtë ai ndërton një presion mbi këdo që e rrethon. Kjo bën që në të shumtën e rasteve liderët narcisist e kanë gati të pamundur të shfaqin tendenca të lidershipit pjesëmarrës apo bashkëpunues. Fatkeqësisht, këto tipare rriten edhe më shumë dhe fillojnë të dalin në pah kur lideri narcisist fuqizon pushtetin apo suksesin. Me fuqizimin e pushtetit këta lloj liderësh bëhen tërësisht jo tolerantë ndaj mendimit ndryshe, ndaj ideve që bien në kundërshtim me të tyret apo krijojnë argumente. Dëshira parësore dhe synimi i narcisistit pas këtij momenti është përjashtimi, apo lufta e hapur ndaj kujtdo që ka forcën ta kundërshtojë, dominojë apo luftojë. Sipas Blair (2008) kjo vjen edhe sepse narcisismi është i lidhur ngushtë me sindromën e paranojës. Unë bëj çfarë dua Kontrolli mbi pushtetin është synimi kryesor i liderit narcisist. Abuzimi me të është një normë e këtyre lloj liderëve. E gjitha kjo vjen sepse lideri narcisist kërkon të ketë patjetër një pushtet absolut. Në përgjithësi e arrin këtë duke emëruar individë që janë totalisht nën kontrollin e tij. Këtu fillon gradualisht abuzimi me pushtetin. Kjo dëshirë e pamat për pushtetin dhe për të mos e humbur atë, i bën liderët narcisistë shumë të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të marrin çdo vendim gati ekstrem vetëm e vetëm që të mos humbin kënaqësinë që u sjell pushteti. Sipas Sankowsky (1995), lideri narcisist është në gjendje t’i mashtrojë, t’i tradhtojë dhe braktisë ndjekësit e tij vetëm me synimin e ruajtjes së pushtetit personal. Duke qenë se liderët narcisistë nuk kanë empati apo nuk shohin askënd përtej vetes, ata kanë aftësi të shfrytëzojnë këdo pa pasur ndonjë vrarje ndërgjegjeje apo keqardhje, mjafton që të arrijnë egon e tyre personale e të egër për pushtet. Konkluzione Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor “unë” është aplikuar pothuaj në të gjitha rasat. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që ekziston për çdo personalitet narcisist, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës, për të çdo gjë fillon e mbaron te vetja, te madhështia e unit që nuk njeh kufij vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcisist nuk sheh kurrë veten por atë që ai do të shohë në të. Këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore nëse ky narcisist i bie të jetë një lider.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 274
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT