• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPOZITA BAROMETËR I DEMOKRACISË PLURALISTE

September 24, 2021 by s p

Nail  Draga 

Në vendet demokratike opozita nuk trajtohet si armik, por si konkurent në skenën politike e cila angazhohet me argumente për kritikuar devijimet e pushtetit në qeverisje. Duke marrë parasysh se asnjë pushtet nuk është i përhershëm, opozita ka si mision rotacionin e pushtetit, që është i shëndetshëm për demokracinë. Pas aplikimit të pluralizmit në Mal të Zi(1990) opozita u bë pjesë e skenës politike duke u ballafaqauar me mentalitetn monist  në periudhën e tranzicionit  me pasoja të mëdha shoqërore, ku edhe shqiptarët përmes subjektëve të tyre  janë përpjekur për të  demaskuar politikën unitariste të pushtetit që është  kundër barazisë  qytetare e nacionale   në këtë mjedis multinacional e multikulturor

Ndonëse pluralizmi politik në Mal të Zi u formatizu me zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990), mentaliteti monist mbeti vetëdije e qeverisjës, që u dëshmu me përjashtimin e popujve pakicë në pushtet, duke dëshmu animozitet ndaj tyre(1990-1997), ndërsa ndryshimi ndodhi më pas(1998-2020), ku edhe shqiptarët u bënë pjesë e pushtetit, që më së shumti ishin dekor i qeverisë  me favore personale se sa të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis. Ndërsa pas rotacionit të pushtetit në sajë të zgjedhjeve parlamentare(30.8.2020) shqiptarët mbetën jashtë qeverisë me statusin e opozitës, ndërsa në nivelin lokal në Ulqin një ndryshim i tillë është nga muaji mars(2021), sepse FORCA u tërhoq nga koalicioni, duke u bërë  pjesë e opozitës lokale. Se a ka qenë vendimi i tillë  i drejtë i Forcës do të dëshmohet në zgjedhjet lokale që do të mbahën në fillim të vitit të ardhshëm.

Veprime utilitare politike

Dekompozimi i skenës politike në ato mjedise  ku veprojnë partitë politike të shqiptarëve, nuk është dukuri e panjohur, por duke marrë parasysh numrin e votuesve shqiptarë dhe numrin relativisht të lartë të subjektëve  politike  hapësira shqiptare në Mal të Zi paraqet rast specifik, sepse në sajë të qendrimeve utilitare të tyre, momentalisht  mungon opozita shqiptare e cila do të ishte inicuese e kërkesave dhe kritikave ndaj pushtetit lokal apo ati qendror, që nuk është në favor të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Në skenën politike në Mal të Zi, partitë politike shqiptare si pjesëmarrëse të pushtetit  në nivel  lokal  varësisht prej rrethanave shoqërore  ekziston një heshtje duke dëshmuar se kemi të bëjmë me qendrime utilitare politike. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse ata janë aktive vetëm gjatë fushatave zgjedhore, duke kërkuar mbeshtetje të elektorati i tyre votues. 

Grupimi në dy mjedise 

Nëse bëjmë një analizë  territoriale e subjektëve politike të shqiptarëve në Mal të Zi, del së janë bërë ndryshime të dukshme, nga zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990). Ndonëse në fillim të pluralizmit politik në Mal të Zi, kishin një subjekt politik(LDMZ) që ishte më tepër  në formën e një Lëvizje kombëtare, ndërsa më kalimin e vitëve, gjendja ndryshoj dukshëm, sepse nga monizmi i shqiptarëve, kemi pluralizmin brenda shqiptar, ku u themeluan parti e grupime të tjera politike, nga Ulqini në jug e deri të Rozhaja në veri.  

Nëse i bëjmë një analizë shpërndarjës territoriale të partive politike jo vetëm vitëve të fundit, del qartë se definitivisht kemi grupimin e subjektëve politike në dy mjedise të veçanta që janë Ulqini e Malësia(Tuzi). Një grupim i tillë ka ndikuar qe disa parti kanë mbetë në nivelin lokal, edhe pse ambiciet kanë qenë për përfshirje dhe pjesëmarrje më të gjerë te elektorati votues shqiptar. 

Grupimi i tillë në këto dy mjedise  ka formatizuar   koalicione të ndryshme   në nivel lokal e qendror duke dëshmuar kohezion të elektorati votues shqiptar, që favorizon dekompozimin e skenës politike lokale  siç është rasti në Ulqin.

Dyshimi pengon bashkëpunimin 

Kemi të bëjmë me dozën e  animozitetëve personale që reflekton të mosbesimi ndermjet partive politike, duke favorizur DPS-in për koalicion lokal. Në vend që ata të faktorizohen duke qenë vendimtare në formimin e pushtetit lokal, ku disa prej tyre si objektiv kanë  mbijetesën në skenën politike lokale  përmes koalicionëve si mundësi për të qenë pjesë e pushtetit lokal.

Shëmbull tipik është rasti i komunës së Ulqinit, ku pas zgjedhjeve lokale(shkurt 2018) kemi formimin e  pushtetit  lokal më përbërje të gjerë, si asnjëherë më parë me 30 këshilltar(!?).  Ndërsa  duke ia dhënë mandatin e kryetarit të komunës DPS-it, subjektët politike shqiptare kanë mbetur nën hijen e  vendimeve të ekzekutivit, duke vepruar sipas shijes së individëve apo grupëve të interesit. Nga një situatë të tillë  mungon  guximi  për  kritikë, sepse nuk janë subjekte opozitare, por pjesë e shumicës  së qeverisjës lokale. Ndërsa  këtu  epitetin e opozitarizmit  e gëzojnë  vetëm  për dy subjekte politike(URA e SDP), me tre këshilltarë, duke  qenë të vetmit me mundësi  për të  kundërshtuar veprimet e pushtetit lokal, si në të kaluarën dhe gjatë këtij mandati.

Dekompozimi i skenës lokale në Ulqin 

Në dekompozimin e pushtetit lokal në Ulqin, UDSH është i pari në vitin 2006 që i ofroj koalicion  DPS-it në zgjedhjet lokale(10.9.2006), për të marrë pushtetin lokal, por pa sukses, ndonëse fituan kryetarin  e komunës, por  jo shumicën parlamentare. Por, më pas në pranverë të vitit 2007, arritën të përfitojnë PPD, nga koalicioni(FORCA,LDMZ,BDSH) dhe ia bashkangjitën DPS-UDSH, duke vendosur në pushtet DPS-in, dukuri e cila është e pranishme edhe sot.

Koalicioni ekzistues  në Ulqin, në sajë të strukturës partiake, në zgjedhjet e ardhshme lokale janë të gjitha gjasat qe disa parti vogla të eliminohen në skenën politike sepse janë konsumuar dhe kanë mungesë të elektoratit votues.

FORCA- rikthehet në opozitë

Përseritja e zgjedhjeve lokale të 4 shkurtit 2018, pas dy javëve në dy vendvotime në komunën e Ulqinit(Darza e Komunalia) me 18 shkurt 2018,  përcaktuan fituesin e zgjedhjeve DPS-in, duke iu falenderuar kryesisht  votuesve të UDSH, që ishin përcaktuese për subjektin më të votuar(DPS). Ndërsa më pas UDSH dhe PD, mbeshtetën kandidatin e DPS-it për kryetar të komunës, duke u bërë për të parën herë nga ky subjekt politik në pluralizëm. Duke qenë subjekti i dytë me vota, por me këshilltar njëjte si DPS(8 këshilltarë), Forca e re Demokratike mbeshteti  kryetarin e komunës duke marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Ulqinit. Një koalicion i tillë vazhdoi deri në mars 2021, kur Forca dual nga pushttei lokal, sepse nuk ishin të gatshëm për të mbeshtetur përseri kandidatin e DPS-it për kryetar të komunës.E kundërta ndodhi me PD dhe UDSH, duke i mbetur  besnik DPS-it, edhe pse ata janë në opozitë në nivelin qendror.

Bashkimi sjellë fitore

Në këtë aspekt pothuaj situatë identike ekziston edhe në Malësi, përkatësisht në komunën e Tuzit,  kur shqiptarët aty u bashkuan në “Forumin shqiptar”,  dhe me 3 mars 2019  arritën  fitore spektakulare, e cila kishte munguar më herët. Motivi i komunës së pavarur, dhe angazhimi i diasporës shqiptare, ishte vendimtar në realizimin e një objektivi të tillë të munguar vite më radhë. Andaj, si komunë e re në Malësi subjektët politike kanë mundësi të mësojnë dhe të konsolidohen vazhdimisht, ndërsa  rasti i Ulqinit është një model tipik  se si nuk duhet të veprohet. Pikërisht në Ulqin u shpalos hipokrizia politike, duke kërkuar gjoja unitet për zgjedhjet parlamentare(2020), ndërsa e kundërta ndodhë në pushtetin lokal, duke mbeshtetur DPS-in për interesa personale e pazareve politike.

Misioni i opozitës rotacioni i pushtetit 

Në çdo mjedis demokratik opozita paraqet vlerë të veçantë, sepse ajo me kërkesat parimore është në favor  të qytetarëve, e jo  të oligarkëve të ndryshëm. Çdo vërejtje apo iniciativë e prezantuar me argumente është obligim i shumicës parlamentare lokale e shtetërore që duhet  të respektohet. Madje, çdo pushtet që ka sens  bashkëpunimi e tolerancë komunikimi, duhet të jetë falenderues për iniciativa të tilla. Përfundimisht, opozitën nuk duhet trajtuar si armik, por si konkurent në skenën politike e cila kritikon devijimet e qeverisjës. Duke marrë parasysh se asnjë pushtet nuk është i përhershëm, misioni i opozitës  është rotacioni i pushtetit, që është i shëndetshëm për demokracinë.                                                           

  (Shtator 2021)

Filed Under: Politike Tagged With: Nail Draga, OPOZITA BAROMETËR I DEMOKRACISË PLURALISTE

Stjepan Mesiq: Serbia nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj

September 23, 2021 by s p

Stjepan Mesic (ehem. Präsident der Republik Kroatien), Foto: Stephan Röhl

Radio Evropa e Lirë

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë, komenton se tensionet në Mal të Zi të shkaktuara nga shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi janë të lidhura me synimet serbe për shtet të madh. Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve. “Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, dhe as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj,” thotë ai për REL.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shihet ajo që po ndodh në Mal të Zi si një çështje e brendshme fetare apo një çështje e politikës së jashtme, me implikime të qarta për rajonin?

Stjepan Mesiq: Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë. Konkretisht, bëhet fjalë për ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe, të udhëheqjes së Kishës Ortodokse në Beograd, në çështjet fetare, por edhe në punët shtetërore të Malit të Zi. Në Mal të Zi është treguar se kjo nuk është vetëm ndërhyrje e Kishës, por, përmes Kishës, ndërhyn edhe politika – ajo politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të “botës serbe”. Pra, kjo është vetëm një pjesë e asaj politike. Në Mal të Zi, sikur te të gjithë ne, Kisha është e ndarë nga shteti, por në Mal të Zi është specifike. Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë autoqefale dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kishës, as Kisha në punët e shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi, si e shihni politikën aktuale të Serbisë në rajon?

Stjepan Mesiq: E shoh nga një pikë kritike, për disa arsye. Të gjithë ata që merren me politikë, e dinë se ne mund të kishim kaluar pa luftë. Është shumë e qartë se Jugosllavia e Titos kishte tre faktorë kryesorë integrues. Një ishte Tito dhe karizma e tij si fitues i luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Faktor i dytë ishte Partia Komuniste e Lidhjes së Komunistëve, që u prish me vullnetin e Sllobodan Millosheviqit dhe Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Dhe, faktor i tretë ishte Ushtria Jugosllave, e cila pushoi të jetë jugosllave, sepse sllovenët, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët e lanë atë. Ajo u shndërrua në ushtri serbe dhe Sllobodan Millosheviq ishte i bindur se mund t’i arrinte qëllimet politike me atë ushtri. Qëllimi i tij politik nuk ishte as federata, as konfederata, ai ishte kundër kësaj. Millosheviq e ka mashtruar botën se lufton për Jugosllavinë. Bota ka qenë e ndjeshme ndaj Jugosllavisë për shkak të meritave të saj në dhe pas luftës. Millosheviq i ka mashtruar edhe serbët. I ka mashtruar sepse ka thënë: “Ju keni jetuar në një shtet, do të jetoni akoma në një shtet”. Ai nuk ka menduar në Jugosllavi, sepse atë e ka shkatërruar me të gjitha mjetet. Ai u ka thënë atyre: “Ju duhet t’i jepni dhunti Serbisë së Madhe në territore”. Kjo ka qenë politika e tij; 65 për qind e Bosnje e Hercegovinës, ndërsa nga të tjerët çfarë të mundet. Ai nuk e ka llogaritur Slloveninë. Në Slloveni nuk ka popullatë autoktone serbe. Për shkak të zhdukjes së faktorëve integrues, duhej arritur një marrëveshje e re politike. Kjo është ajo që nuk kemi arritur ta bëjmë. Si anëtar i Presidencës së Jugosllavisë dhe më vonë si kryetar i Presidencës, unë kam bërë përpjekje në çdo mënyrë që të gjej një marrëveshje të re politike. Ajo ishte konfederata. Sikur ta kishim arritur atë, do ta kishim shmangur luftën, sepse do të ishim pajtuar. Ajo do ta shpëtonte vendin në çdo rast; të gjithë elementët përbërës, të gjitha republikat do ta vazhdonin rrugën e tyre drejt Evropës më vete. Kështu kemi fituar “copëtimin” e Jugosllavisë në luftën e provokuar, që e donte Millosheviqi. Aty, ai ka gjetur bashkëpunëtor presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman, sepse edhe ai ka menduar se mund t’i zgjerojë pak kufijtë kroatë. Pra, përpjekja për të rënë dakord për ndarjen e Bosnjës ka qenë shkaku i vërtetë i luftës. Kemi pasur 100,000 të vdekur dhe kufiri nuk ka ndryshuar asnjë milimetër.

Radio Evropa e Lirë: A vëreni ngjashmëri në proceset e sotme në Mal të Zi, Bosnje, Kosovë me ngjarjet e fillimit të viteve ’90?

Stjepan Mesiq: Duket qartë se dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh. Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka. Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani? E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë në rajon ajo që po ndodh në Mal të Zi? A mund të transferohet në rajon?

Stjepan Mesiq: Nuk do të përhapet në rajon, por do të ishte mirë që njerëzit në Mal të Zi të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se nuk ka ndryshim të kufijve. Sepse, në fakt, kjo është një përpjekje e Serbisë që, përmes fesë, ta bëjë atë që nuk ka mundur ta bëjë me politikën shtetërore. Kjo është përpjekja e fundit e disa qarqeve, nuk i akuzoj të gjithë. Këto janë iluzione dhe kjo nuk do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: A kanë lidhje proceset negociuese mes Kosovës dhe Serbisë me atë që po ndodh në relacionin Podgoricë-Beograd?

Stjepan Mesiq: Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme. Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën. Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre. Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj. Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual. Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës. Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira./REL

Filed Under: Politike Tagged With: Serbia, Stipe Mesic

BE t`i përmbushë premtimet ndaj Kosovës

September 22, 2021 by s p

-Presidentja Osmani takoi shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell: Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik/


NJU JORK, 22 Shtator 2021 – Gazeta DIELLI/


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York bashkë me kryetarë të disa shteteve të rajonit në një darkë joformale ka takuar shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në këtë takim u diskutua për situatën në rajon dhe marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit me BE-në. Presidentja Osmani ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, ndaj në këtë kontekst ka përmendur faktin se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash. Për këtë shkak, ajo ka potencuar se i takon BE-së që t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovës, duke përmendur përmbushjen e marrëveshjes për targat. “Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik.

Filed Under: Politike Tagged With: Be, kosova

KRYEMINISTRI ALBIN KURTI: “KA ARDHUR KOHA TË KUJTOJMË DHE TË MENDOJMË PËR AT GJERGJ FISHTËN”

September 21, 2021 by s p

             

Nga Frank Shkreli

Stublla, sipas studiuesit vendas Engjëll Koliqi, është e njohur në historinë e asaj zone si një vatër dhe qendër lëvizjesh kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha shumëshekullore e perandorisë osmane. SOT JEMI GJITHE ME TIA, O KOSOVE! (arbitalia.it)  Ai shkruan në linkun e bashkangjitur se në Stubllën krenare është përgatitur edhe plani operativ i Luftës së Kaçanikut të vitit 1910, që shënoi fillimin e Kryengritjes mbarëkombëtare, për liri. “Siç shpreheshin nxënësit e Dom Mikel Mësues Tarabulluzi-t, që i kam takuar sa ishin të gjallë, (Shkollën e Dom Mikelit) shpesh e vizitonin patriotë të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqës të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar. Për këtë, në intervistën e zhvilluar më 13 shkurt 1984, njëri nga ata – Tade Ballabani, ndër të tjera ka thenë: “Ma së shumti më kanë mbetë në kujtesë Imzot Lazër Mjeda dhe Idriz Beu (Idriz Seferi – E.K.), të cilët shpesh ardhshin me dom Mikelin me na vizitue edhe na mbajshin fjalime për përparimin e luftës dhe për fundin e pushtuesve turqë”.

 Siç tregojnë plot fakte historike, por siç më tregonte edhe Lokja Ime (kushërië nga nëna me Idriz Seferin), Idriz Beu, me Engj Pal Koliqi-n, Joz Ballabani-n, Jak Munishi-n e Martin Gjergji-n kishin qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Dom Mikelit dhe që të pesët bashkë e kishin hartuar planin operativ të Luftës së Kaçanikut, të vitit 1910, që ishte praktikisht fillimi i Kryengritjes Mbarëkombëtare për çlirimin definitiv nga zgjedha pesëshekullore otomane. Sapo kishin mbaruar planin, ishin marrë vesh me Isë Boletinin, i kishin mbledhur trimat vullnetarë të Karadakut e të Luginës së Moravës dhe ishin nisur drejt Stagovës, ku ishin bashkuar me njësitë që Boletini i kish sjellur nga Carraleva. Me kushtrimin e fortë për liri, ishin futur në Grykën e Kaçanikut, ku kishin dërmuar hordhitë e tërbuara të Turgut Pashës. Kjo betejë e fituar e nisi serinë e fitoreve të njëpasnjëshme mbi turqit, deri në çlirimin definitiv të Shqipërisë”, shkruan studiuesi Engjëll Koliqi.

“Takimet e Dom Mikelit” është një manifestim i përvitshëm letrar, kulturor e shkencor, që organizohet tash 32 vjet me radhë, një aktivitet përkujtimor për At Mikel Turbulluzin, klerikun e Kishës Katolike Shqiptare, mësuesin dhe themeluesin e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Është pra një takim vjetor që kujton veprimtarinë patriotike dhe kulturore të Dom Mikelit në fillim të shekullit të kaluar, por është gjithashtu edhe një kujtim-imitim i takimeve të periudhës së tij, siç shkruan edhe studiuesi vendas Engjëll Koliqi, të patriotëve shqiptarë më të njohur të kohës, të cilët takoheshin aty në Stubëll për të hartuar planet dhe strategjitë për çlirimin e trojeve shqiptare nga otomanët. 

Sivjet, “Takimeve të Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, përveç udhëheqësve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe udhëheqësve të administratës së qeverisë vendore, u është bashkuar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, me qëllim, që përveç Dom Mikelit, “Të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, ka thenë i pari i qeverisë së Republikës së Kosovës, në fillim të fjalimit të tij me atë rast.

Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit” është shprehur se, “Fishta është politika e poemës në gjuhë.  Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Albin Kurti.

“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, ka thenë udhdëheqsi i qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, (“Kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, Fishta), Kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.

Të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën” ishin fjalët e Kryeministrit të Kosovës, Z.Albin Kurti. Sa bukur tingëlloinë këto fjalë nga një Kryeministër shqiptar, po të marrim parasysh së në Shqipëri At Gjergj Fishta ende konsiderohet si një figurë e pa dëshiruar, si nga politika ashtu edhe nga akademia dhe shkenca. Presim dhe shpresojmë që në një ditë jo shumë të largët edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama të deklarojë, publikisht, se mbas 30-vjet post komunizëm ka ardhur koha që edhe matanë të kufirit shqiptaro-shqiptar, të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, sepse siç është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, javën që kaloi në “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, “Fishta është politika e poemës në gjuhë.  Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti.

Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

          Pason Fjala e plotē e Kryeministrit Kurti për lexuesit e interesuar:

Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit”: Fishta është politika e poemës në gjuhë – historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar – Zyra e Kryeministrit të Kosovës (rks-gov.net)

I nderuar shkëlqesia juaj, ipeshkv i Kishës Katolike Dodë Gjergji,

I nderuari Dom Jeton Thaçi, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”,

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, zonja Rozeta Hajdari,

I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Gani Krasniqi,

I nderuari rektor i Universitetit Publik të Gjilanit, zoti Bajram Kosumi

I nderuari kreu i Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha,

I nderuari drejtor i Kulturës, në Komunën e Vitisë, zoti Milot Lala,

Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Tash e 32 vite, në Stubëll të Epërme, organizohet ky aktivitet, takimet e Dom Mikelit. Shkas i organizimit është përkujtimi i Mikel Tarabulluzit, klerikut dhe mësuesit të respektuar nga gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.  Njashtu siç respekti për Dom Mikelin dhe figurën e veprën e tij është i madh dhe i gjithmbarshëm, edhe respekti për këtë aktivitet të përvitshëm është i fortë.

Takimet e Dom Mikelit, që mbahen pranë kishës së Stubllës, çdo vit çelin tema diskutimesh të prizmit shkencor, historik, kulturor e letrar, duke u bërë një pikëtakim i rëndësishëm intelektual dhe një kontribut, sërish jo vetëm i komunitetit katolik shqiptar, por i bashkësisë sonë të gjerë kombëtare. Figura të shquara çdo vit ligjërojnë në këto takime.   Është interesante se si një aktivitet i tillë tregon për praninë e fortë dhe gjallërinë intelektuale të kahmotshme, në këtë fshat në juglindje të Kosovës. Sot mund të duket sikur këtu jemi pranë periferive të shqiptarësisë, mirëpo jo shumë kohë më parë kjo zonë ka qenë zemër e një rajoni të gjerë populluar me shqiptarë.   Patriotët dhe figurat historike që kanë vepruar në këtë pjesë të atdheut tonë, tregojnë se Stublla e përgjithësisht Karadaku, apo Mali i Zi i Shkupit, përherë ka qenë një nga vatrat e veprimtarisë kombëtare, politike, intelektuale, e hera herës edhe luftarake, kur e ka kërkuar rasti.

Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare.  Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes vete në çdo çast.   Gjuha është fushë e punës, nuk është fonema e vdekur. Le ta kujtojmë Fishtën si një prej kryesorëve të Kongresit themeltar të Manastirit. Por le ta kujtojmë edhe për ndërtimin poetik të gjuhës. Sepse në lëminë e poemës punon gjuha.  Në këtë kuptim gjuha është puna e së ardhmes, e poema kontabiliteti i saj në arkivimin e së shkuarës. Puna është gjithnjë në të ardhmen, ashtu sikurse dhe kuptimi. Numri i rrokjeve të vargut është i vogël, por programi është i madh, po citoj “npër gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”. Gjuha është diferenca nëpër botë, por ajo është dhe karakteristika universale e botës – Leibniz.

Politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, me thirrjen e shpeshtë ku fton shqiptarët përtej fesë në një projekt të përbashkët, Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.  Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve.

Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant.

Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikës dhe epikës. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit.  Kuptohet që andej se Fishta mëton më shumë se kushdo tjetër të arkivojë në lëminë e poemës, në epikën e saj, energjinë e nevojshme të sipërores që mund të bashkojë. Si dhe ne, si dhe në çdo kohë, ai e ndjen se hallka e dobët është kompleksi i inferioritetit. Poema është gjuha politike e synimeve të epërme, e qëllimeve të mbramë – pra, Romantizmi.

Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar.  Me respekt i përshëndes punimet e sesionit të sivjetshëm të takimeve të Dom Mikelit, qofshin të mbara për pjesëmarrësit dhe të gjithë ne.

Ju falemnderit.”

A picture containing text, indoor

Description automatically generated

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti me At Gjergj Fishtën në “Takimet e Dom Mikelit”

See the source image

                       Shkolla e Dom Mikel Tarabulluzit në Stubëll, Kosovë

Graphical user interface, application

Description automatically generated

                                                                             Dom Mikeli

Albin kurti_stubell dom Mikeli

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Frank shkreli, Gjergj Fishta

PËR LIDERIN E SHEKULLIT TË RI

September 20, 2021 by s p

Marjana Bulku

E ke të vêshtirë të shmangêsh subjektivizmin kur ndjek komunikimin e një bashkëmoshatareje me të cilën ke ndarë kohë të bukura në auditore universiteti por objektivizmi real që buron prej kualitetit komunikativ, dijeve të paana dhe elokuencës vibrantë të bëjnë ta përjetosh shumfish suksesin e tjetrit, mik apo edhe i panjohur qoftë . Iris Halili mbërriti në Federatën Panshqiptare Vatra me botimin e saj më të fundit “ Lideri nuk lind… bëhet” një libër që ka marrë vlerësime maksimale nga Bukinist,kritikët , analistët dhe lexuesit e shumtë . Ajo udhëtoi nga Florida drejt Nju Jorkut sepse zgjodhi pikërisht Vatrën si vendin nga ku historia , letërsia dhe patriotizmi u ndërthuren përmes dhjetra fijesh duke endur kështu rrënjët tona që këtu në emigrimin e largët konturojnë identitetin tonë . Prezantimi i veprës “ Lideri nuk lind…bëhet” shpalosi nëpërmjet një komunikimi interaktiv profilin e një akademikeje , ish peragoge e letërsisë moderne në Universitetin e Tiranës, atë të studjueses dhe analistes që nuk i mungon shtypit të ditës me analizat dhe refleksionet e saj si dhe njohëses brilante të politikës së Tiranës dhe jo vetëm, ish shefe e kabinetit të Presidentit Alfred Moisiu dhe doktoruar në USA mbi çështjet  e Lidershipit. Gjatë gjithë komunikimit të saj në Vatër Irisi solli shembuj nga historia, studimet e shumta , rastet shqiptare duke nxitur debat dhe refleksion mbi rolin e liderve dhe ndikimin e tyre në realitete të ndryshme kulturore ku fuqia e ndjekësve dhe ndikimi i tyre në fatet e politikave mbetet një çeshtje e hapur dhe mbase shteg nga ku buron shpresa e ndryshimit. Alternimi i dijeve të kultivuara me përvojat profesionale e jetësore sollën një komunikim që pati efekte të shumta në  mes të pranishmëve duke nxitur pyetje, komente dhe reflektime nga më të larmishmet mbi politikën e ditës. “Lideri nuk lind …bëhet” i konceptuar si një material i koncentruar studimesh mbi teoritë e lidershipit botuar nga shtepia botuese Dituria, erdhi tek lexuesit shqiptaro amerikanë edhe si tekst por edhe përmes një zbërthimi të detajuar të autores e cila për rreth një orë prezantoi tiparet e liderave që udhëhoqën botën dhe aftësitë e ndjekësve apo dhe pa aftësinë e tyre për të pranuar ose jo fatin apo fatalitetin nën trysninë e liderave toksikë, izolacionazistë, që iu imponuan skenave politike për arsye të shumta e ku pa dyshim ndjekësit dhe fuqia e panjohur e tyre në arenën e politikês radhitet si faktori x i ndryshimeve maksimaliste . Frymës patriotike të Vatrës të cilën e mban gjallë historia dhe mendjet e ilustruara  me pendë , iu bashkua edhe një libër i ri, një mendimtare e re , një patriote në shpirt dhe në veprim që erdhi në Vatêr si vizitore e largët nga Florida dhe mbeti e paharruar aty përmes mendimit dhe veprës së saj .

Filed Under: Politike Tagged With: Lidershipi, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT