• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RASTI DEMNJANUK DHE RASTI UNIK I SHQIPËRISË

July 28, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ*-

 (Ky shkrim mban datën 20.03.2012 dhe është i përfshirë në librin tim “Tirania e Tranzicionit”, botuar nga Onufri në vitin 2012. E risjell në vemendjen e lexuesit pas tetë vitesh kur në Gjermani është hapur një proces gjyqsor kundër Edmond Cajës, një ish-persekutor i burgut të Qafë Barit. Është gjyqi i parë që zhvillohet jashtë Shqipërisë. Deri më tani në Shqipëri nuk është bërë asnjë gjyq i këtij formati, nuk janë dënuar as krimet e diktaturës dhe as persekutorët, pa marrë parasysh se viktimat janë me mijra, duke përfituar nga kjo, bijtë e persekutorëve janë rikthyer në pushtet, pa kërkuar as ndjesën më të vogël për ato mijra e mijra jetë të djegura. EB)

Përpara disa ditësh vdiq John Demjanjuk, në moshën 92 vjeçare, i dënuar si kriminel nazist, paçka se nuk e pranoi asnjëherë fajin duke thënë se ishte vetë një viktimë e Nazizmit.

John Demjanjuk lindi e u rrit në një fshat të Ukrainës në një kohë kur vendi tronditej nga kriza e urisë dhe spastrimet e Stalinit. Me fillimin e Luftës të dytë Botërore atë e mobilizojnë me trupat e Ushtrisë të Kuqe, ku plagoset dhe pasi e kthejnë përsëri në front kapet peng nga forcat gjermane, të cilat pastaj e detyrojnë që të punojë në kampin e shfarosjes Sobibor, si një “Roje burgu” — rangu më i ulët i atyre të burgosurve që pranonin të bashkëpunonin me trupat SS, por mjaftueshëm për ta dënuar dhe etiketuar si kriminel nazist.

Me mbarimin e Luftëstë Dytë Botërore John Demjanjuk emigron në SHBA, merr shtetësinë amerikane dhe ndërton atje jetën deri kur, më 1983, e zbulojnë si „kriminel lufte”, kohë prej nga filloi një gjyq që zgjati 30 vjet dhe nuk rezulton të ketë mbaruar ende -ku John Demjanjuk gjykohet në tri kontinente, në SHBA, Izrael dhe Europë dhe në maj të 2011 dënohet nga gjykata e Mynihut në Bavierë me 5 vite burg pas 18 muaj gjykimi e 90 seancash. Në Mynih ai u dërgua në një shtëpi pleqsh muajt e fundit si i sëmurë terminal, ku edhe vdiq më 17 mars, duke mos e pranuar asnjë herë fajin. Në gjyqin kundër John Demjanjuk nuk pati asnjë dëshmitar që të vërtetonte se ai kishte qenë roje në kampin e shfarosjes. E vetmja provë ishtenjë kartë identiteti SS për të cilën John Demjanjuk insistonte se ishte një fallsifikim sovjetik i KGB-së.

Yehuda Bauer, një historiani Holokasutit nga Jeruzalemi tha se “Rasti i John Demjanjuk ilustron parimin se, edhe kur është fjala për një kriminel nazist të rrangut më të ulët, ai duhet të gjendet dhe të dënohet. Rëndësia nuk është tek dënimi apotek koha që duhet të mbahet në burg një person i tillë, e rëndësishme është që krimi të vijë në vemendjen e opinionit publik.” Ndërsa Dieter Graumann,presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani me vdekjen e JohnDemjanjuk shtoi se “Një vdekje është tragjike, por në rastin konkret duhet thënë se ishte e rëndësishme gjykimi dhe dënimi i tij, sepse drejtësia nuk e njeh statusin e kufizimit të dënimit për shkak të moshës dhe mosha e madhe nuk e mbronte dot John Demjanjuk nga dënimi. Kjo nuk ishte hakmarrje por drejtësi,” shtoi ai.

John Demjanjuk vdiq i vetëm larg familjes dhe fëmijëve të cilët jetojnë si shtetas amerikanë në Clevelend të SHBA. Ai i shpëtoi dënimit me vdekje në Izrael, sepse u konfondua me një tjetër kriminel që kishte kryer masakra në kampin famëkeq të Treblinkës.Atij iu hoq dy herë shtetësia Amerikane dhe u dëbua nga Amerika dhe rasti i John Demjanjuk u komentua edhe nga drejtësia e SHBA, si një reflektim i vendosmërisë së qeverisë amerikane për t’i sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë, pa marrë parasysh se Demnjanjuk asnjëherë nuk e pranoi se kishte qenë „Roje burgu” në kampin e shfarosjes Sobibor. Të vetmin „faj” që pranoi ishte se kishte gënjyer kur kishte thënë se kishte lindur në Sobibor të Polonisë në vend të fshatit të tij në Ukrainë, nga frika se e kthenin mbrapsht.

E solla shembullin e John Demjanjuk, si një rast i trishtë, për të hedhur një paralele me nomenklaturën e shtetit komunist shqiptar që kreu genocid për 50 vite rresht, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite për atë periudhë të zezë të historisë nuk ekziston asnjë fajtor, asnjë gjyq dhe asnjë gjykim apo dënim.

Rasti i John Demjanjuk dëshmon se si Gjermania distancohet nga e shkuara kriminale, ndërsa në Shqipëri e shkuara diktatoriale gjatë këtyre 20 viteve tranzicion është krejtësisht temë tabu, dhe Shqipëria rezulton një vend ku nuk ka ndodhur dekomunistizimi si proces i kapërcimit të trashëgimisë kriminale përmes dënimit të krimeve dhe pastrimit të aparatit shtetëror. Dekomunistizimi është i ngjashëm me denazifikimin, i cili iu kërkua Gjermanisë me detyrim prej Perëndimit, ndryshe nga dekomunistizimi i cili është penguar nga pseudoelitat e periudhës totalitariste në Shqipëri, ku krimet as nuk dënohen dhe as nuk zbardhen dhe ku ish eksponentët e diktaturës edhe sot e kësaj dite kanë pushtuar pika kyçe të administratës politike.

E djathta akuzon të majtën se është bërë strehë e vijimësisë së ish nomenklaturës përmes bijve dhe nipave, ndërsa e djathta vetë është bërë strehë e njerëzve me dosje dhe ishzyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

Dhe pikërisht këtu qëndron shkaku i vërtetë se përse Shqipëria është vendi me një tranzicion kaq të mundimshëm, kur vendet e ish bllokut lindor tashmë kanë kohë që janë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste është kthyer e rikthyer këta njëzet vjet me dhjetëra herë në qendër të debateve të qarqeve politike dhe opinionit publik,por pengesë kryesore në fakt është bërë vetë politika e cila ka probleme me të shkuarën e saj, duke mbajtur peng të ardhmen e shqiptarëve.

Jemi i vetmi vend në Europën Lindore që kemi rehabilituar pas 1997 ish eksponentët e diktaturës pas gjyqeve qesharake për kafe, ndërsa janë mbyllur sytë përpara krimeve kundër njerëzimit, genocidit dhe shfarosjeve pa gjyq të kundërshtarëve politikë dhe persekutimit të familjeve të tyre, të ekzekutuara për gjysmë shekulli nga regjimi komunist.

Jemi i vetmi vend ku njerëzit me dosje kanë 20 vjet që janë në majat e pushtetit politik e mediave,dhe klasa politike bën veshin shurdh ndaj të gjitha kërkesave e orientimeve që vijnë nga Perëndimi për të hedhur dritë mbi periudhën më të egër atë të terrorit komunist.

Jemi i vetmi vend ku edhe sot e pas njëzet vjetësh pjesa më e madhe e shtresës së të përndjekurve politikë, viktimat më tragjike të diktaturës, kanë shkuar në atë botë pa u dëmshpërblyer as moralisht dhe as materialisht dhe në administratën shtetërore, në parlamentin e Shqipërisë e në qeveri ushtrojnë aktivitetin eksponentë me hipoteka prej sistemit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që i dënon krimet e diktaturës komuniste, ku nuk kemi ligj që i merr në mbrojtje, ua jep pafajësinë, i rehabiliton viktimat e regjimit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që të kërkojë pastërtinë e figurës së zyrtarit publik, ku Ligji i Lustracionit u përgatit në mënyrë selektive, si mënyrë për hakmarrje por jo për të vënë drejtësinë në vend..

Jemi i vetmi vend në Europën Juglindore ku drejtësia nuk ekziston, ku fajtori nuk ndëshkohet, duke rrezikuar kështu sistemin dhe themelet e shtetit të së drejtës, ku historia e periudhës totalitariste nuk zbardhet, ku nuk ekziston asnjë muzeum i diktaturës, asnjë datë zyrtare, asnjë monumet që flet për tragjedinë kombëtare, ku data e rrëzimit të diktaturës kujtohet vetëm nga një parti, ku elitë ka mbetur ajo që gjatë diktaturës ka qenë superstruktura e regjimit, që vazhdon t’i mbajë të pushtuara vendet kyçe dhe më e keqja është se ka mbetur po aq dogmatike dhe persekutuese sa ka qenë në kohën e diktaturës, sepse korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të torturohen, të rivriten e të mbahen të burgosur në burgjet e ndërgjegjes së ndyrë të politikës, sepse janë të mbuluar nga heshtja dhe indiferenca që merr kontekst kriminal.

Jo më kot një ish historian i regjimit komunist, kunat i njërit prej xhelatëve kryesorë të diktaturës, Arben Puto, në moshën 88 vjeçare ka dalë me një libër ku i rietiketon si tradhtarë e kuislingë Konicën, Fishtën e Koliqin, ashtu si veproi për gjysmë shekulli terrori komunist. Jo më kot, gjatë njëzet vjet tranzicion nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të rishkruar historinë nën dritën e fakteve apo për të rehabilituar personalitetet e artit dhe kulturës, të vrarë apo ekskomunikuar gjatë diktaturës, përkundrazi i kanë ridënuar përmes indiferencës dhe heshtjes. Me heshtje mbulohen dhe veprimtarët antikomunistë jashtë atdheut. Me luftë politike dhe me presion të të gjitha ngjyrave shpërblehen intelektualët e angazhuar që nuk e pranojnë këtë farsë politike, ku gjithçka ka mbetetur në mëshirën e fatit, me destinacion harresën kolektive.

Gjithçka ka mbetur në mëshirën e fatit. Jo më kot e përjashtuan nga politika Pjetër Arbnorin, i cili për nga vuajtjet që kishte hequr e tejkalonte Nelson Mandelën dhe duhet të ishte Nobelist i Paqes. Politika bëri gjithçka që t’i fshehë krimet. Pjesa më e madhe e viktimave nuk jetojnë më. Viktimat e terrorit komunist u përdorën nga politika vetëm për farsa elektorale, sepse politika vetë u komprometua duke vendosur në krye të drejtësisë njerëz të inkriminuar, siç është rasti i Fehmi Abdiut dhe sot të gjitha palët pranojnë se nuk ekziston drejtësia por nuk e pyesin kurrë veten se përse nuk egziston kultura e ndëshkimit të fajit.

Denoncimi i krimeve të komunizmit është bërë në mënyrë spontane nga viktimat vetë, apo familjarët e tyre me sakrifica të panumurta, siç është rasti i priftit françeskan Zef Pllumbi me librin e tij “Rrnoj për me tregue” dhe jo nga shteti. Dhe ata intelektualë që kanë ndërmarrë nisma në favor të dënimit të krimeve janë ekskomunikuar nga njerëzit e ish diktaturës që kanë njëzet vjet në rradhët e të djathtës.

Për qëndrimin mohues që ka mbajtur klasa jonë politike ndaj asaj tragjedie kombëtare që ka ndodhur në Shqipëri për pesëdhjetë vjet, meriton që të largohet nga politika, sepse, pa u vënë drejtësia në vend, në Shqipëri nuk mund të vendoset shteti i së drejtës.

E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbetet në duart e politikanëve të komprometuar gjatë periudhës së diktaturës. Shqipëria duhet të distancohet nga e djeshmja diktatoriale përmes dënimit dhe zbardhjes së krimeve, hapjes së dosjeve dhe largimit nga politika të emrave të konsumuar.

Rasti i John Demjanjukut është shembulli i asaj që do të duhej të kishte ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion, ku në fakt Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha kanë mbizotëruar skenën mediatike si shprehje e pushtetit të tyre të nëndheshëm ndaj politikës.

Nuk flitet për hakmarrje, flitet për drejtësi, e cila duhet të vihet në vend, aq më tepër kur sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, që e bën jo vetëm të jetë një vend i privilegjuar, por edhe të jetë i obliguar për të përmbushur detyrime e plotësuar standarte.

Nuk mund të ketë harresë, nuk ka harresë të krimeve, nuk harrohet terrori i diktaturës për gjysmë shekulli. Ka kujtesë, sepse vetëm duke kujtuar, ne nuk do të lejojmë që të ripërsëritet historia, sepse duke kujtuar viktimat e diktaturës, duke kujtuar se si një populli i gjithë u kthye në një viktimë të një grushti njerëzish, ne do të njohim vlerat e vërteta të demokracisë, që bën të funksionojë meritokracia dhe kërkon si domosdoshmëri njerëzit më të përkushtuar dhe me integritet të pastër.

Këtu nuk është fjala për interesat e njërës palë, këtu bëhet fjalë për interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që brezat e ardhshëm të kenë një shtet i cili u garanton atyre një jetë të qetë e të sigurt, sipas standardeve të sistemit demokratik.

Prandaj klasa politike e ka për obligim të vendosë drejtësinë dhe asnjë shqiptar nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia.

Nuk do të ketë më harresë, harrim për hir të një pakice të komprometuar, por do të ketë bashkërendim pluralist dhe bipartizanizëm për të vendosur pikat mbi “i”. Ne shqiptarët nuk kemi asnjë arsye që të mbetemi robër të krimeve të kryera nga nomenklatura e kuqe, as peng i politikanëve me ndërgjegjë këllirë, të cilët shkaktuan drama kombëtare për interesa vetjake edhe gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion.

Tani është koha e rizgjimit kombëtar. Vetëm duke qenë bashkë. Asnjëri prej nesh nuk është i tepërt. Ku mund të amnistohen vetëm ata që hedhin dritë dhe i bashkohen lëvizjes për rizgjimin kombëtar, që nis duke dënuar dhe zbardhur krimet, duke rehabilituar viktimat përmes shtetit të së drejtës dhe duke e kthyer në prioritet të prioriteteve integritetin e zyrtarit të lartë të administratës publike, përmes Ligjit të Lustracionit, jo si mjet të politikës për të larë hesapet, por si metodologji për të sjellë në krye të institucioneve shqiptarët më të mirë. Ligji i Lustracionit ndëshkon personat përgjegjës dhe assesi viktimat. Viktima janë edhe ata që nën torturë u detyruan të bashkëpunojnë, porse e vërteta duhet të zbulohet lakuriq. Jo si instrument plagosës, sepse boll jemi të plagosur, por si mjet shërues, rehabilitues. Sepse si thotë Buda as hëna, as dielli dhe as evërteta nuk mund të fshihen, apo si thotë i madhi Vaclav Havel se “E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’. Ky është objektiv strategjik kombëtar i shqiptarëve, që ne gazetarëve na vendos të parëve përpara përgjegjësisë.(VOAL, u dergua per Diellin)

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, John Demjanjuk

NË STAMFORD NDËRROI JETË FILIP UKA(DEDAJ)

July 25, 2020 by dgreca

Komuniteti Shqiptar i Stamfordit

NE STAMFORD U SHUA SHANDANI I MIRËSISË DHE MIRËQENIES NJERËZORE FILIP(UKA) DEDAJ/

– Trupi i të ndjerit do të pushojë në shtëpinë mortore, “Bosak funeral Home”, 453 Shippan Ave, Stamford , CT, të dielen me 26 Korrik 2020, nga ora 2pm-8pm.*/

NGA MHILL VELAJ-

Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë për ndarjen nga jeta e njërit prej shqiptarëve të parë të emigruar nga Zhabeli i komunës së Gjakovës Filip (Uka) Dedaj, në një moshë relativisht të shtyer, po që kishte një shëndet të mrekullueshëm.
Familja Dedaj, pikërisht Filipi, që ishte shumë i ri, për shkak të mosdurimit dhe padrejtësive ndaj kombit tonë në Kosovë, u detyrua të merrte pjesë ne demonstratat mbarëshqiptare për të drejtat dhe lejimin e ngritjes dhe bartjes me dinjitet të Flamurit Kombëtar.
Demonstroi i tërë populli dhe rinia përparimtare e Kosov ës.
Në vitin e madh t ë Shqiptarëve të Kosov ës, më 1968, dhe Filipi u rreshtua në ato aradha te demonstruesve dhe mu për këtë, u ra në sy organeve hetuese të shtetit të Jugosllavisë Komuniste të kohës.Pas disa ftesave të njëpasnjëshme në Stacionet policore,për t’i shpëtuar dhunës fizike dhe psikologjike, u detyrua të ikte nga atdheu, drejt Shteteve të BEKUARA të Amerikës. Kështu e quante Filipi këtë vend model të Demokracisë, në të cilin besonte shumë. Ardhja e tij në Amerikë bëri që këtu të mos ndalonte asnjëherë së vepruari. Ai dha edhe dromcën e fundit duke kontribuar me fjalë e vepra për shqiptarinë.
E veçanta e Filipi ishte oratoria e përsosur, e mprehtë dhe urtake.Një filozofi karakteristike e mençurisë shqiptare që përcillet brez pas brezi.Kudo ishte nëpër demonstrata e kundërshtime për rënien e komunizmit dhe dritën e shpresës për Mëvetesinë e Kosovës.
Ky burrë zotëri ishte lindur më 30 mars të vitit 1935 ne Zhabel të Gjakovë.Ishte i biri Uka Dedaj, ndërsa nëna vinte nga një familje e nderueme e Ukë Zymberit. Nëna i vdiq mbeti jetim kur ishte vetëm njëvjeçar, u rrit nën përkujdesjen e familjarëve.U u martua me Kata (Katarina)Seba. Nga kjo martesë ata kishin një fëmijë, vajzën Ana(Hana).
Filipi ka lënë pas dy nipër: Aleksin e Gjergjin dhe mbesen Brigita.Këta janë me plot fëmijë.
Duke qenë prindër të mrekullueshëm, ka dhënë shembullin e një prindi tradicional të kohës .Bashkë me bashkëshorten e tij me bujari,punë e mikpritje, ndërtuan një të ardhme më të mirë.Filipi me një pamje prej fisniku, hijerëndë, fjalëpak e gojëëmbël me të gjithë. Për njerëzit që e njohim, mund të themi se ai vërtet e donte shumë jetën. Pamja e tij të stepte,mënyra se si i tregonte ngjarjet,batutat,meselet, me nje elekuencë e bindje të veçantë, të linte gojëhapur.Fjalën e tij askush s’e bënte dysh. Rrjedhat,katrahurat e jetës ,sfidat,qëllimet,rruga përcaktuese e fateve shqiptare e preokuponin shumë.Ndër të parët solli grupet e ndryshme të folklorit nga trojet shqiptare në Amerikë, për të dhënë mesazh atdhedashurie, madje i sillte me vetëfinancim.Priti bashkë me atdhetarët tjerë të gjitha delegacionet që vinin nga Kosova, për të mirën e vendit.Vizionin e paqes dhe revoltës të Rugovës, e çmonte shumë. Kastriotin , Adem Jasharin,Nënë Terezën i kishte idol.Shembullin e Anton Çettës e kishte në shpirt. Ishte i pari në Kuvende burrash për pajtim. Formimi i UÇK – së e motivoi e i dha krah e besim.Në fondet e ndryshme për Ilirinë e Dardaninë, ishte aty.Për kulturë,sport,ushtri ,ndërtim të faltoreve, kishave e xhamive,katastrofave të ndryshme natyrore,rasteve sociale,së bashku me aktivistët e tjerë të Komunitetit të Stamfordit që e kishte shumë për zemër. Drita e mirësisë së tij vezulluese, shndëriste kudo si nur.Të gjitha te pamet ngushëlluese, ndejat,gëzimet e ndryshme brenda komunitetit e kishim të parin që të na printe.Ishte Flamurtar i së mirës.Ikja e këtij burri ështe mungesë e madhe në komunitet dhe i pariparueshem për një kohë të gjatë.Do të na mungojë në çdo ndejë, në çdo odë, bashkë me oratorinë e tij. Do të na mungojë për jetë të jetës,neve dhe gjeneratave që do të vijnë.
Baca Filip,Malësori i Lekbibajve me origjinë nga Nikaj-Mertur.Baca i të gjithëve, pa dallim moshe,vendi ngado që kanë migruar shqiptarët drejt SHBA -ve,e kan nderuar e respektuar.
Pusho në Paqe, në Parajsën e merituar!
I jemi mirënjohës në emër të familjes dhe Komunitetit tonë shqiptar,per punen e tij te palodhshme .
Komuniteti i Stamfordit e falënderojmë Leon Gjonin,biznesmenin e nderuar te kesaj zone i cili nuk kurseu asgjë për Filipin, për të cilin kishte respekt gjatë gjithë jetës së tij. Gjithmonë do ta kujtojmë me respekt, dashuri dhe me shumë pietet,Bacen Filip.
Shpirti i Tij u prehtë në paqe!
Filipi (Ukë)Dedaj, lindi për të mos vdekur kurrë.
Ai jetoi dhe veproi vertikalisht.
Ai nuk u dorëzua kurrë!

*****
*Trupi i të ndjerit do të pushojë në shtëpinë mortore, “Bosak funeral
Home”, 453 Shippan Ave, Stamford , CT, të dielen me 26 Korrik 2020, nga ora 2pm-8pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të hënën më 27 Korrik 2020, në orën 11am, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, prej ku mbas meshës, trupi i të ndjerit do të përcillet për në varrezat “Queen of Peace Cemetery “, 288 Rock Rimmon Road, Stamford , CT.
Trupi i të ndjerit do të pushojë ne “Bosak funeral
Home”, 453 Shippan Ave, Stamford , CT, të dielën me 26 Korrik 2020, nga ora 2pm-8pm.

Stamford, Korrik 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Filip Uka(Dedaj), Mhill velaj, nderroi jete

Dy filma nga Kosova në Festivalin e Sarajevës

July 25, 2020 by dgreca

-‘Galaktika e Andromedës’ dhe ‘Exil’ në kategorinë kryesore të Festivalit të Sarajevës. Përderisa ‘Exil’-i kishte premierën botërore në festivalin e madh të Sundance në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe atë evropiane në Berlinale në shkurt të këtij viti, kjo do të jetë premiera rajonale.

PRISHTINË, 25 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ ‘Galaktika e Andromedës’, filmi debutues nga More Raça dhe ‘Exil’ nga Visar Morina do të jenë pjesë e kategorisë kryesore në edicionin e sivjetëm të Festivalit të Sarajevës që do të mbahet nga data 14 deri më 21 gusht.
Më rastin e publikimit të programit të Festivalit të Sarajevës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Vlora Dumoshi i uroi regjisorët dhe ekipet e realizuese përmes një videotelefonate të përbashkët.
“Më gëzoi lajmi që dy filmat ‘Galaktika e Andromedës’ nga More Raça dhe ‘Exil’ nga Visar Morina do të jenë pjesë e kategorisë kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë.


Uroj nga zemra dy regjisorët kosovarë dhe ekipet realizuese të të dy filmave për këtë arritje të rëndësishme për ta si regjisorë dhe për kulturën e Kosovës në përgjithësi.


Pata nderin që si ministre e kulturës, rinisë dhe sportit të jem pjesë e premierës evropiane të filmit Exil në festivalin e madh të filmit Berlinale, në shkurt të këtij viti, dhe i gëzohem premierës rajonale të këtyre dy filmave që është hap tjetër i rëndësishëm për promovimin tonë kulturor.
Nga pozita e ministres dhe nga pozita ime personale gëzohem që filmat që ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, kanë arritur sukses në kinematografinë evropiane. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të përkrahë gjithmonë iniciativa dhe projekte filmike që kanë kualitet të nivelit evropian, dhe me anë të të cilëve prezantojmë shtetin dhe kulturën tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Duke u bazuar në rezultatet pozitive të filmave të autorëve vendas dhe atyre të bashkëprodhuara ministrja Dumoshi është koshiente që duhet të punohet në drejtim të rritjes së buxhetit dhe mbështetjes së sektorit të industrisë së filmit në Kosovë.
Kjo do të jetë premierë e rëndësishme për regjisoren e re More Raça.
“‘Galaktika e Andromedës’ filmi im i parë i metrazhit te gjatë në festivalin prestigjoz prej më të mëdhenjëve në rajon Sarajevo Film Festival, lajm shumë i gëzueshëm për mua si autore dhe për ekipin e filmit. Uroj gjithë ekipin realizues për këtë sukses të madh”, u shpreh regjisorja More Raça.
Përderisa ‘Exil’-i kishte premierën botërore në festivalin e madh të Sundance në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe atë evropiane në Berlinale në shkurt të këtij viti, kjo do të jetë premiera rajonale e filmit nga regjisori kosovar Visar Morina.
Në filmin ‘Galaktika e Andromedës’ në rrolet kryesore luajnë: Sunaj Raça, Juli Emiri, Elda Jashari, Avni Dalipi, dhe Don Raça. Filmi me producent Sunaj Raçën është bashkëprodhim i Kosovës me Spanjën.
Që të dy filmat janë financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Dy filma nga Kosova në Festivalin e Sarajevës

EMIGRACIONI SHQIPTAR DHE E DREJTA E VOTIMIT TË MOHUAR

July 23, 2020 by dgreca

Diskursi sociopolitik

Çështja e emigrimit të shqiptarëve nga Shqipëria nuk është dukuri e re dhe e as e panjohur, por në sajë të përmasave në kohën e pluralizmit është bërë  brengë dhe plagë e vazhdueshme e shoqërisë shqiptare. Si e tillë kjo dukuri ka marrë përmasa shqetësuese, që veçohet më shumë se në asnjë vend tjetër në ish kampin socialist në Europën Juglindore. Në lidhje me këtë dukuri kohë pas kohe nga agjensitë apo subjekte të ndryshme publikohen të dhëna të cilat paraqesin në mënyrë numërike të dhënat në nivel shtetëror, duke dëshmuar shpopullimin e vazhdueshëm  të vendbanimeve shqiptare me pasoja për ditët tona dhe në të ardhmën. Ndërsa mohimi i emigracionit shqiptar  për të marrë pjesë në procesin e votimit paraqet çështje të veçantë e ate kryesisht politike që duhet të zgjidhet në nivel shtetëror, duke iu mundësuar për të shprehur verdiktin e tyre si  qytetarët e tjerë shqiptar.

Nail  Draga

Në lidhje më këtë çështje kohë më parë  në sajë të dhënave të publikuara të  një ankete  të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), janë prezantuar të dhëna me interes. Sipas Barometrit të Ballkanit 2020, 49% e të anketuarve i përgjigjet me “po” pyetjes se, “a po e konsideron të jetojë apo punojë jashtë?”, 46% i përgjigjet me “jo”, ndërsa 5% me “nuk e di”. Norma prej 49% e atyre që e mendojnë të largohen nga Shqipëria është lehtë më e ulët se një vit më parë, kur fiksohej në 50%. Gjithsesi kjo shifër, vijon të jetë norma më e lartë e dëshirës për t`u larguar mes të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.Të dhënat e anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) janë mbledhur mes periudhës dhjetor 2019 dhe janar 2020, pra nuk përfshijnë periudhën e krizës së shkaktuar nga pandemia, paçka se reflektojnë situatën pas krizës së tërmetit të nëntorit të vitit 2019.

Emigrimi në nivel të lartë

Ndërsa nga ana tjetër sipas statistikave të publikuara nga INSTAT-i, nga Shqipëria, në vitin 2019 janë larguar rreth 44 mijë persona, si emigrantë, që është niveli më lartë që nga viti 2014.

Nëse krahasohen  lëvizjet dykahëshe del qartë se me shumë  janë  ata që ikin nga vendi e gjithnjë e më pak po preferojnë të kthehen. Në vend janë kthyer 20.7 mijë imigrantë, që është niveli më i ulët që nga viti 2010, kur INSTAT-i raporton të dhënat.

Si rrjedhojë, migracioni neto (diferencave mes emigrantëve që ikin dhe imigrantëve që vijnë) është zgjeruar, duke arritur në 2019-n në rreth 23 mijë persona që janë larguar neto nga vendi, niveli më i lartë, të paktën që nga 2011-a, kur janë të disponueshme statistikat e INSTAT.

Që prej vitit 2016 konstatohet një rritje e tendencës për të ikur nga vendi, duke rikthyer një valë të dytë emigracioni në vend, ndonëse në nivele më të ulëta në raport e periudhën 1990-2000.

Mesatarisht nga vendi gjatë periudhës 2011-2019 janë larguar rreth 400 mijë persona. Për të njëjtën periudhë janë kthyer 236 mijë të tjerë, duke bërë që nga vendi të largohen neto rreth 164 mijë persona. Krahas rritjes së migracionit neto, Shqipëria po vuan dhe tkurrjen natyrale, me numrin e vdekjeve që po barazohet me atë të lindjeve.

Popullsia e Shqipërisë po zvoglohet

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2020 rezulton 2.845.955 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 janar 2019. Në vitin 2019, shtesa natyrore e popullsisë është 6.624 banorë, duke pësuar një rënie prej 7,1 %, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) Popullsia e është -23 mijë banorë.

Sipas të dhënave nga  INSTAT-i  për shkak të rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë, popullsia e Shqipërisë u pakësua vitin e kaluar me 16.5 mijë.

Gjatë vitit 2019, lindën 28.561 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,3 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2019 është 21.937 persona, duke pasur një rritje prej 0,6 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, popullsia po plaket.  Në 1 janar 2020, mosha mesatare e popullsisë rezulton 37,2 vjeç nga 36,7 që ishte në 1 janar 2019.

Nga të dhënat e publikuara del qartë se moshënimi i popullsisë dhe emigracioni aktiv  pritet të kenë ndikim negativ në të ardhmen e vendit, si në drejtim të produktivitetit të punës, ashtu dhe të skemës së pensioneve.

Nuk ka dilemë së situata  e krijuar nga Covid-19, përkohsisht ka frenuar tendecën e emigracionit, por duke ditur gjendjen e pavolitshme sociale, si të krijohen mundësitë emigrimi do të vazhdojë dhe Shqipëria do të zvoglohet gjithnjë.

https://www.monitor.al/images/2020/06/grafik-2016.jpg

Emigrantët shqiptarë ende pa të drejtë vote

Mediat në Shqipëri  bëjnë të ditur se këto ditë  është duke u punuar për Reformën Zgjedhore, ku në mënyrë  të veçantë është duke trajtuar e drejta e votimit të shqiptarëve në botën e jashtme. Madje në këtë aspekt në Shqipëri ekziston edhe Ministria e Shtetit për Diasporën, ku ditë mmë pare ministry P.Majko, ka cekur së votimi është një e drejtë Kushtetuese për “shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit”, duke theksuar se ata “nuk mund të quhen emigrantë”. Nga një qendrim i tillë mund të kuptohet së më së fundi, kjo çështje do të jetë pjesë e agjendës së reformës zgjedhore, por se si do të vijojë puna mbetet të shihet në ditet në vijim, përkatësisht deri me datën 30 korrik, kur do të mbahet seancë plenare e Kuvendit për reformën zgjedhore.

Ka munguar përkujdesja shtetërore

Nuk ka dilemë së kemi të bëjmë me një të drejtë kushtetuese të mohuar, për shqiptarët në botën  e jashtme, çështje kjo  e cila deri më tash nuk ka pasur trajtimin  e duhur nga  institucionet shtetërore. Çdo nismë në këtë aspekt, ndonëse është e vonuar, ajo meriton trajtimin e duhur, sepse nuk kemi të bëjmë më një grup personash por me  shtetasit shqiptar, që janë vendosur të jetojnë në botën e jashtme. Andaj, ata meritojnë respektin e mohuar, duke iu mundësuar votimin si shtetasit shqiptar në vend. Në kët aspekt, kësaj here më e zëshme  në Kuvend është opozita parlamentare e cila ka insistuar që votimi i diasporës, përkatësisht të shtetasve shqiptarë jashtë vendit,  së bashku me listat e hapura të jetë kusht  për miratimin dhe votimin e reformës zgjedhore. 

Ndonëse  në këtë aspekt  edhe nga ana e Qeverisë theksojnë se kanë të njëjtin objektiv, mbetet  të shihet angazhimi politik  dhe programor në këtë drejtim, sepse deri më tash çdo gjë ka përfunduar me premtime dhe deklarata të rastit,  për pëfitime politike nga ana e pushtetit aktual. 

Vende të rezervuara për diasporën

Pasi deri më tash  në Shqipëri nuk ekziston përvoja së si do të votojnë në zgjedhjet parlamentare pjesëtarët e shtetasve  shqiptar që janë në botën e jashtme, si model duhet të merren vendet e ndryshme që kanë votuar në ambasadat e vendëve të tyre në shtetët përkatëse. Madje, disa vende si p.sh. Kroacia kanë rezervuar vende të veçanta për numrin e deputetëve(3) që ata do të zgjidhen me votën e tyre. Pasi, kemi të bëjmë me një procedurë e cila do të zbatohet për herë të parë, çdo konsultim dhe bahkëpunim me vendet analoge në lidhje me këtë çështje do të ishte e mirë së ardhur. 

I mbetet Kuvendit të Shqipërisë që çështjet e tilla  të definohen qartë në mënyrë që Reforma zgjedhore të jetë e pranueshme për të gjithë, duke përfshi edhe shtetasit shqiptarë në botën e jashtme, e jo duke i anashkaluar si deri më tash, sepse kemi të bëjmë me një pjesë vitale të kombit tonë e cila ka dhënë kontribut më rëndësi për çështjen shqiptare si në të kaluarën dhe në ditët tona.  

(Korrik 2020)

Filed Under: Politike Tagged With: Emigracioni Shqiptar, Nail Draga, Vota e mohuar

EKONOMIA SHQIPTARE NËN EFEKTIN COVID-19

July 23, 2020 by dgreca

Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja, Profesor në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, Tiranë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ekonominë shqiptare dhe betejën ekonomike të shtetit shqiptar në përballje me Covid-19. Me Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

EKONOMIA SHQIPTARE NËN EFEKTIN COVID-19

Ekonomia e Shqipërisë në periudhën afatmese të shkuar 2017-2019 ka patur rënie të GNP-së. Rritja në përqindjeje e GNP-së nga viti në vit në këtë trevjeçar të fundit ishte 3.8% në vitin 2017; 4.1 % në vitin 2018; dhe 2.9% në vitin 2019. Konstatojmë në vitin 2019 rritjen negative karahasuar me vitin 2018 dhe 2017. Njëkohësisht Shqipëria në këtë vit shënoi rritjen më të vogël në rajon. Ndër shkaqet që ndikuan në këtë tkurrje ishte fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në këto rrethana Shqipëria e nisi vitin 2020 me ekonominë më të dobët në Ballkan. Pa mbaruar tremujori i parë i vitit 2020 dhe konkretisht në kohën kur pritej përthithja e fondeve nga donatorët (nga mbi 100 shtete) për të rindërtuar apo rikthyer dëmet e tërmetit shkatërrues të një viti më parë, Shqipëria dhe gjithë bota u godit nga fatkeqësia me natyrë biologjike coronavirusi Covid-19, i cili në kohë rekord arriti përmasat e pandemisë. Në teorinë e riskut fatkeqësitë natyrore studiohen si ngjarje me pasiguri subjektive, që do të thotë nuk mund të parashikohen apo nuk mund t’iu matet propabiliteti i ndodhjes, por pasi ato ndodhin llogariten pasojat (dëmet). Kështu vendet e Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës u gjendën të papërgatitura. Kësisoj, për të mbrojtur jetët e njerëzve lidershipi i secilit vend u fokusua tek karantinimi. Por shumë shpejtë kjo strategji transformoi “pandeminë njerëzore Covid-19” në “pandemi ekonomike Covid-20” për ekonomitë e tyre dhe gjithë ekonominë botërore.

APLIKIMI I PAKETAVE FINANCIARE

Si të gjitha qeveritë edhe ajo shqiptare filloi aplikimin e paketave financiare, kjo e bazuar në Helicopter Money të Milton Friedman. Ekspertë të ekonomisë shqiptare (Prof. Selami Xhepa, Prof. Arben Malaj, Dr. Zef Prençi etj.) e quajtën hap pozitiv por të pamjaftueshëm. Mendojmë se pamjaftueshmëria duhet të analizohet në vlerë (sasia monetare), në kohë dhe në strukturë. E fillojmë nga kjo e fundit për të arritur tek e para. Struktura aktuale e ekonomisë shqiptare është e bazuar në shërbimë (63.5%), bujqësi (21.6%) dhe sektorin industrial (14.9%). Parë në aspektin kohor injektimi i parave në ekonomi duhet të vazhdojë, sidomos sot në fushën e turizmit. Ky sektor është në ditët më të zymta të saj. Dhe së fundi në aspektin e sasisë monetare, paketat duhet të ishin e duhet të jenë më të shëndosha finaciarisht. Injektimin e paketave më të majme financiare e mbështesim në faktin se ekonomia shqiptare në dekadën e fundit ka patur rritje modeste dhe inflacion të moderuar. Në terma makroekonomik kalkulimi i injektimit të parave në ekonomi duhet të jetë deri në atë nivel ku inflacioni të mos shkojë dyshifror. Ekonomia shqiptare është nga më të dëmtuarat nga efekti i pandemisë Covod-19 dhe konstatojmë se masat financiare të marra nga qeveria nuk kanë qenë të majftueshme. Për të minimizuar efektet negative të pandemisë në vazhdimësi duhet të vijojë trajtimi fiskal dhe injektimi i parave sipas sektorëve prioritarë të ekonomisë. Këto paketa financiare duhet të jenë të mirë studiuara në tre dimensione: sasi monetare, kohë dhe strukturë. E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë me ekonomi të mbrojtur është financimi i sasisë monetare në paketa periodike deri në kufirin ku inflacioni të mos bëhet dyshifror. Doza e injektimit financiar duhet të ndihmojë kërkesën e konsumatorit dhe të sigurojë vijimësinë e bizneseve të shërbimit me fokus turizmin. Sot turizmi është në disporpocion të oferës me kërkesën. Oferta e këtij sektori është me kapacitet të plotë, ndërsa kërkesa (frekuentimi nga kunsumatorët) është në pikun më të ulët të saj.

COVID-19 DËMTOI MË SHUMË SHTETET ME EKONOMI MË TË DOBËT

Duke përfunduar theksojmë se gripi apo sëmundja dëmton më shumë njërëzit me shëndet më të dobët edhe pandemia Covid-19 dëmtoi më shumë shtetet me ekonomi më të dobët. Me pak fjalë parashikohej që ekonomia e Shqipërisë do të ishte më e dëmtuara. Të tilla kanë qenë parashikimet e institucioneve ndërkombëtar (FMN, BB, BERZH etj.) dhe të kopmanive private prestigjoze të vlerësimit të situatave të tilla si Standard & Poor’s e Moody-s. Nga këto instiucione intervalet e tkurrjes së ekonomisë shqiptare parashikohen nga 5% e deri në 9%. Ndaj masat fiskale dhe paketat financiare të qeverisë shqiptare duhet të sfidojnë parashikimet pensimiste, që ekonomia e vendit të kalojë nga mbijetesa në vijimësinë normale.

Filed Under: Politike Tagged With: efekti i COVID-19, Ekonomia shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 347
  • 348
  • 349
  • 350
  • 351
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT