• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË

August 4, 2020 by dgreca

 “Askujt nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)/

 Nga Frank Shkreli-Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka filluar të  botojë, nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë. 

 Në njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova. 

Javën që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët u përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën.

                      Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Ashtu siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale. 

Ambasada amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar.  Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy burra — njëri amerikan e tjetri shqiptar — u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut — njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë, por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin. 

Për të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që kishte liria për të:  “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

Në faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.  Demaçi paraqitet si simbol i ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të tjerë, Dr. Martin Luther King.

Në portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve shoqërore dhe politike, pa dhunë.  Përmes aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ai ishte gjithashtu edhe arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat e Votimit.  “Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”  Ishte kjo një ëndërrë që u realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.

Martin Luther King ka shkruar mbi lirinë, në “Letrën nga Burgu Birmingham” në vitin 1963: “Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi.  Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të shtypurit”, citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.

Amerikani Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë — ishin dy personalitete që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve të vendeve të tyre.

Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi. 

Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe pa dallim.

Martin Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të drejtave për liri e demokraci.

Martin Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.  

Pa drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!

Frank Shkreli

     ..                           Dr. Martin Luther King                              

Adem Demaçi

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King

KOSOVA NË KOHË TË RANKOVIQIT

August 4, 2020 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj-Politika nacionaliste dhe shoviniste e Rankoviqit në udhëheqjen e sigurimit shtetëror jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë u shprehë dhe zbatua, në veçanti në periudhën e viteve 1951-1957.

Në fillim të vitit 1951 në vijën e nacionalizmit dhe shovinizmit të Aleksaddar Rankoviqit u ndërmuar aksioni për deklarimin e shqiptarëve për kombësinë turke. Në realizimin e këtij aksioni pati qëndrime tendencioze dhe nxitëse, madje edhe stimulime materiale që qytetarët të deklaroheshin turq, edhe pse nuk e ndienin veten të tillë. Për më tepër pati edhe presione brutale fizike që qytetarët të deklaroheshin pjestarë të kombësisë turke. Pas këtij aksioni, prej 97.954 qytetarëve që më 1953 u evidentuan si turq në Jugosllavi, numri i turqve më 1961 u shtua në 259.536 ose afro 260 për qind.

Duhet vënë re koicidencën ndërmjet aksionit për deklarimin e shqiptarëve e të myslimanëve si pjestarë të kombësisë turke dhe aksionit për shpërnguljen në Turqi. Në të vërtetë, në kushtet jashtëzakonisht të vështira të presionit agresiv të Stalinit ndaj Jugosllavisë, më 1953 u arrit nënshkrimi i marrëveshjes mbi Paktin ballkanik ndërmjet Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë. Qeveria turke e shfrytëzoi këtë moment që nga Jugosllavia të kërkojë zbatimin e traktatit shtetëror të nënshkruar ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë më 1938 për shpërnguljen e qytetarëve nga Jugosllavia në Turqi. Lidhur me këtë u arrit “marrëveshje xhentlemene” mbi zbatimin e atij traktati.

Qeveria Jugosllave u përcaktua për shprnguljen individuale të qytetarëve në Turqi në bazë të vetë deklarimit të atyre qytetarëve dhe të sigurimit të “visikës”, domethënë të fletëgarancionit të qytetarëve nga Turqia se garantojnë mbajtjen e të shpërngulurve në atë vend.

Mirëpo, grupi fraksionist i Aleksandar Rankoviqit dhe organet e sigurimit shtetëror shfrytëzuan dhe keqëpërdorën këtë “marrëveshje xhentlemene” me qëllim të nxitjes e edhe të ndërmarrjes së presionit ndaj qytetarëve, posaçërisht pjestarëve të kombësisë shqiptare që të deklaoheshin turq me qëllim të shpërnguljes në Turqi. Në këtë drejtim u stimuluan qytetarët dhe u bënë lehtësi e u thjeshtësua procedura për ndërrimin e kombësisë dhe përgatitjen e dokumentave për shkuarjen në Turqi, deri te lirimi nga obligimi ushtarak i atyre që shpërnguleshin. Në këtë bazë u shtua numri i qytetarëve që edhe kështu shkonin në Turqi për shkaqe ekonomike, familjare, ideologjike e të tjera.  Në periudhën prej vitit 1953 deri më 1966 në Turqi u shpërngulën 230.716 persona, prej të cilëve më se 80.000 pjesëtarë të kombësisë shqiptare.

Se shpërngulja në Turqi nuk ishte e natyrshme, por u stimulua politikisht dhe me zbatimin e metodave të presionit shihet nga fakti se pas Plenumit të Brioneve të KQ të LKJ( 1966) jo vetëm u pakësua në mënyrë drastike, por faktikisht u ndërpre. Përkundrazi, në periudhën pasbrionase kemi madje edhe kthim të qytetarëve nga Turqia në Jugosllavi.

Deformimi më drastik i forcave nacionaliste dhe shoviniste në marrëdhëniet ndërnacionale në Kosovë dhe forma më brutale e presionit ndaj masave shqiptare është i ashtuquajturi aksion i mbledhjes së pushkëve në dimrin e vitit 1955/1956. Mbasi që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë inscenuan gjoja përgatitjen e kryengritjes nga shqiptarët për t’iu bashkuar Shqipërisë. E gjoja të sigurohej tubimi i  armëve, u ndërmuar aksion masiv tremujor i presionit dhe rrahjes së qytetarëve, kryesisht të pjesëtarëve të kombësisë shqqiptare për gjoja dorëzimin e armëve. Përkah masiviteti dhe metodat brutale të presiont ndaj shqiptarëve, ky aksion ishte i ngjajshëm me ato që i ndërmerrte borgjezia serbomadhe gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër.

Gjatë këtij aksioni u rrahën jo vetëm ata që faktikisht posedonin armë, por edhe shumë banorë të pafajshëm dhe aktivistë politikë. Kështu, pas Plenumit të Brioneve u konstatua se gjatë këtij aksioni u rrahën më se 30.000 perona, prej të cilëve afro njëqind qytetarë vdiqën prej rrahjeve.

Se nuk ishte fjala për tubim të vërtetë të armëve nga popullsia, por për një manipulm politik, shihet nga fakti sa ky aksion nuk u ndërmuar në mbarë Jugosllavinë dhe nga ajo se prej afro 30.000 pushkëve, që me atë rast u tubuan nga popullsia, menjëherë pas përfundimit të aksiont afro 15.000 sosh dhe revolesh iu kthyen përsëri shqiptarëve, atyre që me rastin e terrorit të përmendur dhe në mënyrëa të tjera u përfituen si bashkëpuntorë të sigurimit shtetëror.

Duke e kualifikuar këtë aksion si keqpërdorim të rëndë të sigurimit shtetëror, në dokumentin e KK të LK të Kosovës të vitit 1966 thuhet: “Deformimet më të rënda dhe pasojat më të rënda politike i solli aksioni i mbledhjes së armëve në dimrin e vitit 1956… Metodat me të cilat u zbatua aksioni kaluan të gjithë kufijtë e të drejtave kushtetuese e ligjore të qytetarëve dhe të drejtave të organeve. U bënë maltretime prej shpullave e deri te masat drastike të mundimeve, madje deri te linkuidimi fizik, paaftësimi i përhershëm, vrasjet etj.” 

Formë tjetër e deformimit drastik të organeve të sigurimit shtetëror, lidhur me pjesëtarët e kombësisë shqiptare, ishte inscenimi i proceseve të rrëjshme gjyqësore dhe formimi i organizatave artificiale armiqësore, me qëllim të kopromitimit të popullit shqiptar në Jugosllavi. Kështu, në vitin 1956, mu në kohën e aksionit për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve intensive në Turqi, u inscenua “Procesi gjyqësor i Prizrenit”, me të cilin u desht të  diskualifikoheshin dhe të likuidoheshin politikisht shumë funksionarë të lartë të Kosovës, pjesëmarrës të merituar të LNÇ dhe intelektualë eminentë shqiptarë. Procesi gjyqësor duhej të “argumentonte” se këto kuadro ishin në pozitat e irredentizmit dhe të lidhura me shërbime të huaja informative. Ali Shukriu konstatoi me të drejtë në Plenumin e KQ të LK të Serbisë më 1966 se këtu qe fjala për “prerjen e knjazëve”, përkatësisht për likuidimin e kuadrove të kombësisë shqiptare. Pas Plenumit të Brioneve të KQ të LKJ, Komisioni zyrtar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës informoi në mënyrë të dokumentuar opinionin se ishte fjala për konstruktimin, përkatësisht inscenim të të ashtuquajturit “Proces të Prizrenit”.

Gjithashtu, pati raste që organet e sigurimit shtetëror në Kosovë të formojnë organizata artificiale armiqësore dhe në bazë të akuzave të rrejshme të burgosin e maltretonin pjesëtarët e kombësisë shqiptare. Kështu, në mbledhjen plenare të KK të LK të Kosovës më 1966 u përmend rasti i krijimit të organizatës artificiale irredentiste prej 30 anëtarësh në rrethin e Lipjanit. Mirëpo, mbasi nuk qe e mundshme të inscenoheshin akuza të rrejshme, këta qytetarë u liruan nga burgu si të pafajshëm.

Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare dhe dyshimi në punëtorët kultro-arsimorë e artistikë, pjestarë të kombësisë shqiptare, ishin karakteristikë e forcave nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin. U krijua psikoza e dyshimit dhe të mosbesimit ndaj çdo aktiviteti të karakterit krijues në gjuhën shqipe. Për më tepër, nga organet e sigurimit evidentoheshin personat që blenin rregullisht “Rilindjen”, të cilën e botonte Lidhja Socialiste e Kosovës.

Deformimet e permendura, respektivisht politika nacionaliste dhe shoviniste lidhur me Kosovën dhe pjesëtarët e kombësisë shqiptare u manifestuan edhe në politikën investive ndaj Kosovës. Deri në vitin 1961 Kosova nuk bënte pjesë në “klubin” e republikave dhe të viseve jo mjaftë të zhvilluara, kurse deri më 1958,  kur shkalla e shtimit të të ardhurave shoqërore në Jugosllavi ishte 8 për qind, në Kosovë ajo qe 1,7 për qind, gjë që solli shtimin e mëtejshëm të shpërpjestimeve në zhvillimin e Kosovës në krahasim me republikat dhe viset e tjera. 

Është e vërtetë historike se forcat nacionaliste e shoviniste serbomadhe rankoviqase manipuluan me organet e sigurimit dhe i keqpërdorën ato në Kosovë, për presione dhe deformime lidhur me pjestarët e kombësisë shqiptare. Në të vërtetë ajo ishte një politikë antishqiptare me pasoja të rënda për pozitën popullit shqiptarë në Kosovë.

Duhet të themi, se forcat e lartpërmendura, nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin që vepruan për një kohë të gjatë u dënuan dhe u hodhën poshtë në Plenumin e Brioneve të KQ të LKJ më 1966.

Duke folur për deformimet lidhur me Kosovën dhe kombësinë shqiptare në Jugosllavi, J. B. Tito në Kongresin XI të LKJ mbajtur më 1979, ndër të tjerat, tha: “Qysh nga koha e Jugosllavisë së paraluftës kemi trashiguar një gjendje shumë të rëndë në Kosovë: prapambeturinë e përgjithdhme ekonomike e shoqërore dhe antagonizma të mëdha kombëtare… Jugosllavia e re mori masa të rëndësishme për eliminimin e trashigimit të rëndë dhe në këtë drejtim arriti rezultate të rëndësishme në Kosovë, të cilat assesi nuk duhet kurrë t’ i nënçmojmë, por, në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë një vështrim kritik dhe të pyesim : A kemi gabuar në të kaluarën? Kuptohet, pati gabime, sidomos deri në  mbledhjen plenare të KQ të LKJ. Atëherë KQ i LKJ dënoi vendosmerisht elementat dogmatikë, të cilët njëfarë kuptimi patën monopol mbi Kosovën e Metohinë. Pati lënie pas dore të interesave të kombësisë shqiptare, arbitrarizëm dhe veprime të palejueshme. Ne edhe sot i ndiejmë pasojat e kësaj, por përpiqemi t’i eliminojmë sa më parë”.

Mirëpo, mbetet çështje e hapur për shyrtime të mëtejshme politike:  Pse, Presidenti i Jugosllavisë J.B. Tito, nuk ka vepruar më parë, dmth. para Plenumit të Brioneve(1966),  për ti ndalë forcat nacionaliste dhe shoviniste në krye me Rankoviqin të cilat kanë vepruar për një kohë të gjatë nga pozita antishqiptare dhe kundra Kosovës. A mund të supozohet se nuk ka qenë mirë i informuar për një gjëndje të tillë në organet e sigurimit shtetëror, apo do të ketë patur arsyera të tjera.

Filed Under: Politike Tagged With: KOSOVA NË KOHË TË RANKOVIQIT, Nike Gashaj

KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!???

August 3, 2020 by dgreca

-KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!?-

Nga Frank Shkreli-

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të Enjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij. 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini). 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri. 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend. 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s. 

Frank Shkreli

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Frank shkreli, komunistet, kryeministri, kryeministri Rama

Mos i fyej Rudinë!!!

August 2, 2020 by dgreca

Nga Alma Liço-
Duke i hedhur një sy faqeve të shtypit online, rastësisht me zuri syri një shkrim të gazetares Rudina Xhunga, e cila shprehej tejet e keqardhur që nuk kishte mundur të intervistonte nënën e Kryeministrit, e cila ndërroi jetë një ditë me parë. Pa as më të voglin dyshim, largimi nga kjo jetë i një qënieje njerëzore përbën dhimbje për familjen, të afërmit dhe ata që e kanë njohur. Në raste të tilla shprehja e ngushëllimeve është një gjest mbështetjeje me përmbajtje humanizmi.
Nëna apo baballarë që kanë kaluar të tetëdhjetat vdesin çdo ditë me dhjetra, qindra. Pavarësisht dhimbjes së të afërmve, ky fenomen nuk përbën asgjë të jashtzakonshme, pasi të gjithë njerëzit një ditë do largohen nga kjo jetë. Ata ikin dhe askush nuk shkruan për ta. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e atyre që i kanë njohur. Sigurisht, që për personat që lenë gjurmë në histori, për të mirë apo për të keq, do të shkruhet e flitet gjatë, mbase edhe shekuj pas vdekjes së tyre.
Duke lexuar shkrimin e Rudinës, po vrisja mendjen se kush ishte ajo gjëja e veçantë në aktivitetin e kësaj gruaje, sa për t´i mbetur peng asaj-gazetares, që nuk mundi ta intervistonte??…vërtet nuk po gjeja asgjë të tillë.
Arsyetimi im ndërthurur me përvojën jetësore dhe përjetimin e krimeve të komunizmit, për të gjetur të “veçantën” e saj, më çoi në disa përfundime. Pa dashur të zgjatem , veçova tre prej tyre:
1. Aneta Rama ishte e motra e Spiro Kolekës, ish anëtarit të Byrosë Politike të PPSH dhe bllokut komunist, atij blloku që gatoi krimet më të mëdha monstruoze, vëllavrasëse mes shqiptarësh, atij blloku që na katandisi në popullin më të varfër e të skllavëruar në Europë.

2. Aneta Rama ishte e shoqja e Kristaq Ramës, skulptorit shërbëtor të bindur të regjimit kriminal komunist. Në biografinë e tij rëndon dakortësia dhe firma për varjen e poetit Hafzi Nela, një shpirti të lirë, vetëm sepse kish guxuar të thurte disa vargje të dhimbshme për realitetin ku jetonte. Kjo ndodhi në vitin 1988, kur regjimi po zvarritej në grahmat e fundit.

3. Aneta Rama ishte e ëma e kryeministrit aktual, psikopatit bandit që me metodat e tij korruptive, përçarëse dhe diktatoriale, ka bërë që shqiptarët të dëshirojnë t´ja mbathin nga sytë këmbët nga vendi i tyre i mrekullueshëm, që po katandiset çdo ditë e me shumë në të pajetueshëm.
Që të adhurojë ende komunistet dhe pinjollët e tyre, është e drejtë e Rudina Xhungës, pasi nga ajo kuzhinë ka dalë. Nuk është e vetmja. Edhe të intervistojë duke u tretur nga adhurimi, panterën e zezë Nexhmije Hoxha, është e drejtë e saj, sado fyese dhe acaruese të jetë kjo për viktimat që ajo dhe i shoqi kanë shkaktuar.
Por si gazetare, nuk është aspak e drejtë e saj që me qëndrime apo adhurime publike të tilla, të lëndojë e fyejë qindra nëna që kanë humbur bijtë e tyre në burgjet e komunizmit apo ua kanë ekzekutuar ata në kufi. Ato vajtojnë për ta dhe eshtrat e tyre të humbura ende sot e kësaj dite.
Si nuk ndjeve një herë të vetme shtysë, moj Rudinë, si gazetare të intervistoje njërën prej tyre?
Ato kanë shumë, po shumë për të thënë…dhe po i thonë çdo ditë…për fat të mirë, jo të gjithë gazetarët janë të indoktrinuar e të pashpirt si ti.
Duke adhuruar si gazetare krimin, mos i fyej Rudinë!!!

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, Mos i fyej, Rudine

From the National Theater of Tirana to the Haghia Sophia of Istanbul

August 1, 2020 by dgreca

By Genc Pollo-

In April 2009, then a Deputy Prime Minister I led the Albanian delegation to the Second Global Forum  Alliance of Civilizations that was held in Istanbul. This UN endorsed Alliance was initiated by the Turkish Prime Minister Erdogan and his Spanish counterpart Zapatero. It aimed to promote the tolerance, understanding and a peaceful or ideally amicable coexistence among the civilizations and the world’s cultural and religious traditions. Its inception four years after the attack on the New York Twin Towers, the profile of the two Prime Ministers and other elements made it obvious it was focusing mainly on the relationship between Europe, the West and the Muslim countries. Every participating state has to adopt a national plan to promote tolerance, understanding and amicable coexistence. A year later and in this spirit with Istanbul being European Capital of Culture Prime Minister Erdogan would declare: “This is a European city; with its heart, its culture, its civilization its people, its past, its future, it has always looked towards Europe. Istanbul has shaped European culture and has been shaped by it.”

Ten years later in Turkey,  the State Council rescinded a 1935 edict by state founder Atatürk which did turn into a museum a mosque that before the Ottoman seizure used to be Hagia Sophia, Constantinople’s biggest and most famous church. On the same day President Erdogan decreed that the building should be run again as mosque by Dianet, the religious affairs authority. He went further to announce the first day the Friday prayers would be held there. Interestingly in his Arabic language statement Erdogan also signaled that the next step would be the liberation of the Jerusalem al Aqsa mosque (!). The latter is controlled by Israel and managed by Jordan.

Since that day the debate rages wether the 20 century Atatürk secularism still fits in the 21 century increasingly sectarian Turkey, wether the museum status of Hagia Sophia was an offense for both Christendom and Islam or wether the shrine could have dual use. Questions are raised also wether Muslims in a Turkey with innumerable mosques did really need another one or wether the couples of hundreds open churches are sufficient for few Christians there. But these would be issues for another note.

What matters today is that Hagia Sophia’s reconversion into a mosque was widely condemned and criticized in Europe, in the West and elsewhere; including by Turkish and Muslim leaders who candidly believe in the tolerance, understanding and amicable coexistence between religions and cultures.

National sovereignty vs International law

The Hagia Sophia of Constantinople and the National Theater of Tirana differ a lot in terms of historical weight and symbolic power. The first is globally renown since fifteen centuries while the full history of our Theater since its founding as the Skanderbeg Circle in 1938 by Albanian royal authorities  was not known to many until the controversy of the last two years. What makes them resemble is the justification by both governments in front of the international criticism: “its an internal affair, a matter of national sovereignty”. In both cases though,  the reverberations of the actions go beyond the state borders and affect non material interests and feelings in Europe and the world. This is obvious in the case of the Church of Constantinople; for the Theater in Tirana this was clearly formulated by the chairman of the Foreign Affairs Committee of the European Parliament who opening a committee debate on Albania spoke of “destruction of European cultural heritage”. In both cases the governments refused dialogue with legitimate domestic and foreign stakeholders. Further to that more concerning is the disregard or even the violation on international rules and obligations. In 1985, following a request by the Turkish government, Hagia Sophia was admitted in the UNESCO World Heritage Sites. This status makes it obligatory that any legal or physical change of the site must occur after consultations and perhaps approval by this UN body.

The National Theater was included this year among the seven most endangered cultural sites by Europa Nostra, the first partner of the European Commission in this field, This organization, after exchanges with the government and with the encouragement of the Commission, had secured funds from the European Investment Bank Institute for a restoration project.

Unfortunately neither Tirana nor Istanbul cared to follow international rules or self-assumed obligations.

One more distinction between the cases of Hagia Sophia and the Tirana Theater – the motives of the Turkish government appear to be political and electoral, whereas in Tirana, the motives have been exposed as highly corrupt. In Istanbul, things were run through procedures, paperwork, and statements; formally things appeared right. In Tirana, from the first special law on demolishing the theater through to a public private partnership to the last municipal council vote, almost all were unconstitutional, illegal, and irregular. Beyond this, the government sent armed police and bulldozers in a pre-dawn raid against civil activists and the historical building complex – actions that were similar to the Taliban’s destruction of the ancient Buddha statues in Bamyan, Afghanistan.

*Genc Pollo-

Albanian MP and former Chairman of the Parliamentary Committee on European Integration. He is also an ex-Deputy Prime Minister, Minister of Education; Telecoms

 July  2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Haghia Sophia, National Theater, Of Istanbul, tirana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 345
  • 346
  • 347
  • 348
  • 349
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT