• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi historitë me kufij të lëvizshëm

September 23, 2018 by dgreca

1-akri-Cipa-299x300  Nga Akri Çipa/

Në parantezë duhet theksuar edhe njëherë se ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është e re. Në fakt, ajo është një ide që Presidenti Vuçiçe ka përkëdhelur prej kohësh. Edhe në Kosovë ka pasur aktorë politikë që e kanë përqafuar këtë opsion përpara se të fillonin ethet e tanishme. Gjithsesi, në anën shqiptare të kufirit këta mbështetës kanë qënë të izoluar dhe kjo ide publikisht konsiderohej tabu.

Sot gjendemi në qendër të një historie ku kufijtë e lëvizshëm fandaksen si një realitet i prekshëm në Ballkan. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë i cili la i pari hapur mundësinë e ndarjes duke mos e refuzuar si zgjidhje potenciale të çështjes së Kosovës, ndërkohë që duke nisur nga përpara shpalljes së pavarësisë, SHBA gjithmonë e kishte përjashtuar cënimin e integritetit territorial. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton u tregua po aq i vagullt dhe e la hapur portën e shkëmbimit të territoreve duke thënë që përgjegjësia e arritjes së një marrëveshjeje ishte vetëm mbi aktorët protagonistë. Komisioneri Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini ndoqën të njëjtën vijë duke lënë Gjermaninë, si të vetmin vend të interesuar për rajonin që e refuzon kategorikisht ndryshimin e hartës dhe pasojat që rrjedhojnë.

Në të gjithë këtë skenar ka një ngutje nga pala zyrtare serbe dhe kosovare, sipas të gjitha gjasave për të shfrytëzuar momentin e tanishëm në të cilin ka një ndryshim retorike nga përfaqësuesit diplomatikë dhe vendim-marrësit në Europë dhe përtej Atlantikut. Te europianët kjo ndodh për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019, sikurse edhe prej mbarimit të mandatit të Komisionit Europian, duke përfshirë dhe zonjën Mogherini. Është pikërisht kjo e fundit që ka ndërmjetësuar dhe drejtuar dialogun Kosovë-Serbi deri më tani dhe padyshim që synon ta mbyllë mandatin me një marrëveshje përfundimtare në këtë drejtim.

Por, edhe përfaqësuesit amerikanë kanë treguar një lloj padurimi dhe ngutje që në pamje të parë duket si një ndryshim qasjeje. Nga pikëpamja amerikane, vlejnë të konsiderohen disa elemente të tjera politike dhe gjeopolitike që mund ta ushqejnë këtë nxitim, si për shembull mbetja në vend e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

David Friedman, ambasadori amerikan në Izrael e pohoi rishtazi në mënyrë jozyrtare se gjasat që administrata amerikane të shpalosë një plan paqeje së shpejti janë minimale. Pesha e kësaj ngrirjeje rëndon mbi Jared Kushner, këshilltarin dhe dhëndrin e Presidentit Trump, mbi shpatullat e të cilit rëndon detyra e arritjes së marrëvëshjes së shekullit. Në këto kondita, burime jozyrtare pohojnë se Kushner po përfshihet gjithmonë e më shumë në çështjen e Kosovës dhe ka nga ata që pohojnë se konflikti Kosovë-Serbi mund të bëhet zyrtarisht pjesë e portofolit të tij të gjerë. Brenda këtij kuadri, mund të lexohet edhe takimi i disa muajve më parë ndërmjet Kushner dhe Ivica Daçiç në Shtëpinë e Bardhë. Nësë zërat konfirmohen dhe zyrtarizohet roli parësor i Kushner, logjika thotë që administrata aktuale po synon dhe beson në arritjen e një suksesi të shpejtë në arenën ndërkombëtare dhe një zgjidhje përfundimtare të konfliktit për të mbyllur një nga çështjet më me interes strategjik dhe investimet më të mëdha amerikane në Europë pas rënies së komunizmit.

Dëshira amerikane dhe europiane për të arritur në një zgjidhje përfundimtare dhe për ta mbyllur kapitullin Kosovë-Serbi në mënyrë të shpejtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht që faktori ndërkombëtar mbështet ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, ose qoftë edhe korrektimi i kufijve, që trumbetohet publikisht nga Presidenti Thaçi janë nisma tejet komplekse dhe problematike. Edhe nëse arrihet një marrëveshje për një kufi të ri (mundësitë janë shumë të vogla), implementimi i saj do të kërkonte mjaft kohë dhe kushte specifike për t’u materializuar. Fjala vjen, do të nevojitej amendimi i kushtetutave të të dyja vendeve, potencialisht zhvendosja e një pjese të minoritetit serb nga Kosova në Serbi dhe një pjese minoriteti shqiptar nga Serbia në Kosovë. Këto elemente e bëjnë ndërrimin e territoreve një proces strukturalisht të gjatë, të komplikuar dhe që rrezikon të destabilizojë të gjitha rajonin.

Po atëherë, vërtet faktori ndërkombëtar ka dhënë bekimin për këtë nismë të vështirë dhe të rrezikshme, me pasoja në të gjithë rajonin dhe ndoshta më gjerë? Nëse jo, ku qëndron synimi i fushatës aktuale publike për propagandimin e ndryshimit të kufijve?

Djalli gjendet te detajet, ose më saktësisht te konteksti. Objektivi kryesor i kaosit që këto deklarata të vagullta kanë krijuar është, sipas të gjitha gjasave, ndryshimi i elementeve bazë të qëndrimeve aktuale. Në sistemet komplekse dhe konfliktet e tejzgjatura, status quondryshohet duke injektuar energji në sistem. Administrata amerikane aktuale e ka ndjekur këtë strategji gjerësisht, duke filluar nga dialogu aspak i zakonshëm me Korenë e Veriut, te zhvendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe deri te tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Qasja aktuale ndaj konfliktit Kosovë-Serbi mund të jetë aplikimi i të njëjtit manual loje.

Të gjithë besoj pajtohen me faktin që sistemi dhe aktorët kryesorë tashmë janë energjizuar. Deklaratat e Presidentit Thaçi kanë shtyrë opozitën në Kosovë dhe kryesisht Vetvendosjen të shfaqë një angazhim të panjohur më parë për integritetin territorial të Kosovës. Njëlloj ka ndodhur edhe me një pjesë të madhe të komunitetit serb në Kosovë, duke përfshirë edhe përfaqësues të kishës serbe, të cilët janë mjaft influentë. Ndërkohë që flitet për ndryshime kufijsh, aktorët lokalë po ripozicionohen dhe po shfaqin prioritete të cilat nuk i kanë paraqitur më parë. Ndoshta ky ripozicionim i përgjithshëm ndaj Kosovës mund të sjellë edhe de facto zgjidhjen e ngërçit në zemër të Ballkanit. Dhe zgjidhja mund të jetë e njohur.

Asociacioni i Komunave Serbe mbetet një pikë kyçe e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe, sipas përfaqësuesve të saj, thembra e Akilit në normalizimin e marrëdhënieve. E dakordësuar në parim ndërmjet të dyja palëve, por e refuzuar nga konteksti kosovar për arsye politike, juridike dhe strukturore, shikohet ende nga palët e dialogut si zgjidhja më e shpejtë dhe më e pranueshme. Një marrëveshje që ndërtohet mbi të, është një zgjidhje që Presidentit Vuçiç i lejon të kënaqë Europën (dhe mundësisht të marrë një premtim jozyrtar për përshpejtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE), të shpëtojë fytyrën përpara popullit të tij, si dhe të ruajë një influencë domethënëse mbi Kosovën. Presidenti Thaçi merr bekimin e amerikanëve dhe europianëve (të cilët mund t’i garantojnë edhe liberalizimin e aq shumëpritur të vizave), krenarinë e të hyrit në histori si komandanti ushtarak që çoi paqen, si dhe siguron vazhdimësinë e tij politike. Asgje e re nën diell, paçka se tashmë aktorët lokalë politikë do e shikonin me një sy tjetër një njohje të Kosovës nga Serbia që bazohej tek krijimi i Asociacionit me fuqi të pjesshme legjislative dhe që mund të ketë disa shtojca të tjera, si për shembull limitimi i ushtrisë së Kosovës.

Treguesit aktualë tregojnë që një zgjidhje e tillë do ishte e pranueshme. Por, përtej pranueshmërisë, problemet strukturore do mbeteshin. Kosova mund të marrë njohjen në këtë mënyrë, por humbet shumë nga funksionaliteti i saj shteteror. Një njohje e ngadaltë, një integrim në organizatat ndërkombëtare që potencialisht mund të bllokohet ende nga Rusia, Kina dhe pesë vendet e BE-së, sikurse dhe rreziku i një Serbie në BE që mund ta bllokojë përjetësisht rrugën e saj europiane janë elemente të këtij skenari. Por, teksa fantazma e kufijve të lëvizshëm qëndron në ajri, shumë pak veta do e vënë kujën për këtë zgjidhje nëse e shikojnë si të keqen më të vogël. Dhe tabloja e tanishme, ashtu e paraqet.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Mbi historitë, me kufij, të lëvizshëm

DEMOKRACIA NËN TRYSNI SISTEMIKE

September 20, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës,15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Është kjo një ditë e cila festohet anë e mbanë botës, ç’prej vitit 2007, kur Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me një rezolutë përcaktoi këtë ditë si dita që t’i kushtohet botërisht promovimit dhe zbatimit të parimeve të demokracisë, ndërkohë që u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së të kujtojnë këtë ditë në mënyrat më të mira dhe më të përshtatshme për promovimin e vlerave dhe parimeve të demokracisë.

Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, të shtunën që kaloi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) Antonio Guterres, u shpreh se, “Demokracia përballet sot me trysnitë më të mëdha se çdo herë tjetër, në dekada”. Sipas udhëheqsit të OKB-së, “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë” ishte një rast i mirë, që vendet anëtare, anë e mbanë botës, të përpiqen të gjëjnë mënyra për të ringjallur dhe për të rifuqizuar demokracinë, duke “Kërkuar zgjidhje ndaj sfidave për ndryshime sistemike, me të cilat përballet ajo sot.”

Sipas udhëheqsit të OKB-së, këto përpjekje duhet të përfshijnë “masat për të zhdukur pa barazitë që ekzistojnë në fushën ekonomike dhe politike, me qëllim për t’i bërë demokracitë më gjithëpërfshirse, për të tërhequr të rinjtë dhe të rejat si dhe të margjinalizuarit e shoqërisë, që të bëhen pjesë e sistemit politik për t’i bërë demokracitë më novatore dhe më të përgjegjëshme ndaj sfidave të reja siç janë emigrimi dhe ndryshimet atmosferike”, ka nënvijuar Antonio Guterres i OKB-së.  Ndonëse këtë vit shënohet edhe 70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë na jep rastin që të theksojmë vlerat e demokracisë dhe respektin për të drejtat e njeriut, si elementët bazë të një demokracie të vërtetë, ka thënë ai.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë për medien me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë rithekson “Besimin e tij të plotë dhe të pa lëkundur në demokracinë si formën e qeverisjes me kapacitetin më të madh për të avancuar paqën, begatinë, sigurinë si dhe sistemin më të mirë për të ruajtur dhe për të mbështetur të drejtat universale të njeriut, liritë themelore dhe dinjitetin e çdo personi.”   Por, amerikanët nuk e kanë konsideruar kurrë demokracinë dhe të drejtat që ajo garanton, si diçka ekskluzive të tyre.  Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se, “Idealet demokratike janë thelbi i politikës tonë të jashtme. Vendet me demokraci funksionale janë aleatët tanë më të ngushtë dhe partnerët tanë më të fortë, në përballimin e sfidave botërore.”   Në deklaratën e zëdhënses së (DASH), Heather Nauert, thuhet se, Shtetet e Bashkuara “Nuk rrinë duarkryq kur qeveri të ndryshme kufizojnë dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të tyre, ndërkohë që ato qeveri me veprat e tyre minojnë besimin publik ndaj proceseve dhe institucioneve demokratike. Historia është dëshmitare”, vazhdoi ajo, “se ata që rrezikojnë dhe shkelin të drejtat e popujve të vet, ka të ngjarë se heret ose vonë do të rrezikojnë edhe të drejtat e popujve të tjerë.”  Kjo është arsyeja, theksoi ajo me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, se ne mbështesim të gjithë ata të cilët u bëjnë thirrje qeverive të tyre që të respektojnë të drejtat dhe liritë individuale, të forcojnë sundimin e ligjit, të parandalojnë dhe të luftojnë korrupcionin dhe të respektojnë votën e lirë, është shprehur zëdhënsja e DASH, Heather Nauert, në deklaratën e saj për media me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ajo ka mbyllur deklaratën e saj duke nenvijuar qendrimin e qeverisë amerikane, se Shtetet e Bashkuara bashkohen — me qeveri dhe organizata të ndryshme dhe individë që mendojnë si ne përsa i përket demokracisë – në angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar, për të mbrojtur dhe për të avancuar vlerat demokratike në vendet e tyre dhe në mbarë botën.

Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit unë e kalova në Shqipëri dhe më parë kisha vizituar Kosovën, gjithsejt qendrova në trojet shqiptare për një periudhë prej tri javësh, ku edhe promovova botimin e tre vëllimeve librit, “Demokracia Nuk Pret” kohët e fundit në Tiranë.    Gjatë kësaj kohe pata mundësinë të bisedoja me dyzina shqiptarësh nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Nga bisedat me ta u ndesha me një pakënaqsi të gjithanëshme nga një numër dërmues i bashk-folësve, në lidhje me gjëndjen e rënduar aktuale politike dhe ekonomike —  përfaqësues dhe votues të partive në pozitë dhe në opozitë, pa përjashtim, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Duket se pakqënaqësia në radhët e shqiptarëve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare, nuk përcaktohet nga mbështetjet që ata mund të kenë për një parti politike ose një tjetër.  Pakënaqsitë janë të prëgjithëshme dhe të theksuara.  Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive e deri tek pronarët në gjëndje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë më të zhgënjyerit e të cilët shohin emigrimin si të vetmen alternativë për një jetë më të mirë për ta.  Të rinjtë dhe të rejat, madje edhe ata që mund të kenë një punë, ndosnëse me rroga të ulëta, e ndjejnë veten të margjinalizuar dhe të pa përsektivë për të ardhmen.  Ndërsa ata që sado në pakicë, thonë se janë pak a shumë mirë ekonomikisht shprehen se ndjehen të pasigurt, duke mos ditur se çfarë sjellë e nesërmja. Biznesi, tha njëri prej bisnezmenëve me të cilin fola, nevojitë siguri dhe përspektivë për të ardhmen.  “Ne nuk dimë se ç’do të sjellë e ardhmja, pasi edhe po të ndryshohen qeveritë, secila prej tyre sjellë njerëzit e vet në administratë dhe ndryshon ligjet e qeverisë aktuale ose të qeverive të mëparshme, duke ia filluar nga e para.”  Vura re, fatkeqsisht, jo vetëm një “trysni sistemike” – siç e ka cilësuar Sekretari i Përgjithëshëm I OKB-së — të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, për të mos thënë një krizë në themel të eksperimentit me zhvillimet e demokracisë në trojet tona.

Sidoqoftë, biseda jo formale më dyzina shqiptarë të moshave dhe të profesioneve të ndryshme nuk është një anketë shkencore, por është diçka që ven në dukje mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe të një qeverisjeje të përgjegjëshme ndaj votuesve shqiptarë kudo.  Dihet se, jo vetëm politika, por edhe faktorët ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe dhe luajnë një rol kritik në zhvillimin e demokracisë në cilindo vend qoftë. Kur dështon demokracia, dështon edhe ekonomia dhe rrezikohet rëndi e qetësia. Demokracia e vërtetë nevojitë pjesëmarrjen e plotë për të pasur një zë në mënyrën se si qeveriset, me qëllim që të mbajë përgjegjëse entet qeveritare dhe politikanët që drejtojnë ato për veprimtaritë e tyre dhe të kërkojnë prej tyre llogari, pasi ideja e ekzistencës së tyre në një demokraci të vërtetë është që t’i shërbejnë nevojave të popullit, pasi financohen nga taksat e të gjithëve.  Fatkeqësisht, bazuar në bisedat me njerëz të informuar mirë të shoqërisë, si në Kosovë ashut edhe në Shqipëri, u largova nga trojet tona me ndjenjën për të cilën është folur aq shumë gjatë këtyre viteve se oligarkët (për të cilët kishte folur dikur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry) kanë uzurpuar shtetin dhe po diskreditojnë imazhin e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, janë më evidente se kurrë sot në Shqipëri dhe në Kosovë.

Jam i vetdijshëm se pas një qëndrimi prej tri javësh në Kosovë dhe në Shqipëri, vlerësimit tim në këtë ditë të “Ditës së Demokracisë Ndërkombëtare” 2018 — gjëndjes aktuale të zhvillimit të demokracisë në trojet tona i mbetet shumë për t’u dëshiruar.  Ishte folur në fillim të këtij shekulli se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “Shekulli i shqiptarëve”, i momentit historik, kur vet shqiptarët si kurrë më parë, do t’a kenë në dorë fatin e zhvillimit të vet demokratik, historik e natural të Kombit.  Prandaj, mesazhi në këtë ditë të demokracisë ndërkombëtare për këtë brez të politikanëve shqiptarë, duhet të jetë që me sjelljet e tyre në mbrojtje të interesave ekonomiko-financiare dhe partiake, dhe me “komeditë e tyre”, (siç i kishte cilësuar dikur Fan Noli) — pikërisht në këtë moment të historisë së Kombit shqiptar — të mos pengojnë proceset natyrore të historisë, e cila shpresojmë të ketë filluar t’i korrigjojë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.  Për ndryshe, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Noli në fillim të shekullit të kaluar, “Optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë”.

Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por siç është shprehur edhe Fan Nolit, shpresojmë që tashti të “mos vriten nga politikanët.”   Urojmë që politikanët shqiptarë kudo në trojet e veta – do të ndërpresin komeditë e tyre politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, duke u bashkuar me vendet mike demokratike të shqiptarëve dhe të angazhohen për një demokraci të vërtetë, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, por për çdo ditë të jetës së tyre publike në shërbim të popullit të vet, që u ka dhënë atyre besimin t’a udhëheqi.  Për këtë të mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, por të punohet seriozisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, por edhe në bashkrendim politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura — për zhvillimin e një demokracie të vërtetë për Kombin shqiptar.  Për një komb shqiptar aq dinamik dhe dashamirës i pavarësisë, demokracisë dhe lirisë, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar demokratike dhe në liri e paqë me veten dhe me të tjerët, sepse Demokracia nuk pret.

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Frank shkreli, NËN TRYSNI SISTEMIKE

Kosovë-Kuvendi mblidhet për marrëveshje ndërkombëtare

September 19, 2018 by dgreca

-Mblidhet Kryesia e Kuvendit për kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme nesër – në 20 shtator 2018/

2 ok Kuvendi Kryesia

 -Seanca u kërkua për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 19 Shtator 2018/ Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare në një mbledhje të mbajtur sot rreth mesditës shqyrtoi kërkesën e opozitës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme nesër, 20 shtator 2018 në ora 14:00, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.

Në axhendë ishte votimi i  tre projektligjeve: Për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian;  për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”;  për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Duke pas parasysh mosfunksionimin normal të Kuvendit të Kosovës, opozita – grupet parlamentare të LDK-së, LVV-së e PSD-së dhe 2 deputetët e pavaruar të Alternativës  në një deklaratë njoftuan se, “duke pasur gjithnjë për qëllim mirëqenien e qytetarëve të vendit të cilët do të përfitojnë nga ratifikimi i  marrëveshjeve ndërkombëtare në mes të BE-së dhe Kosovës dhe duke respektuar partneritetin e Kosovës me BE-në,  kanë dorëzuar dje kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën kërkohet të ratifikohen këto marrëveshje ndërkombëtare”.“Gjithashtu duke ditur se asistencat e BE-së në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës e posaçërisht asistenca në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, siç janë asistencat që rrjedhin nga ratifikimi i Marrëveshjes së IPA-së që sjell 48 milionë euro për Kosovën, Programi “ Evropa për qytetarët” i cili mundëson Kosovës qasje në mëse 17 programe të BE-së,  si dhe asistenca në platformat mbështetëse të IT dhe mbështetja në reformën e politikave për arsim dhe rini që parasheh Programi “ Erasmus +”, deputetët e nënshkruar vlersojnë se ratifikimi i tyre duhet të ndodh sa më parë. Seanca është kërkuar të mbahet me datë 20.09.2018 në ora 14.00”, thekson deklarata.

Në Kuvendin e Kosovës, në fillimin e sesionit vjeshtor, as maxhoranca as opozita nuk i kishin numrat për kuorum në dy seancat e jashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Maxhoranca dhe opozita bojkotonin njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotonin të dyjat.Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.

Gjatë ditës së hënë të 3 shtatorit, seancat e jashtëzakonshme për ditën e martë u ftuan në dy mbledhje të  Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese të javës paraprake nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë  që u mbledh pasditen e po të hënës.Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.Por, seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga qeveria vetëm nisi dhe pas disa shtyrjeve nuk përfundoi në mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.

 Pas kësaj, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pas shtyrjeve as nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e  kërkuar nga opozita.Në seancën e 13 shtatorit me 40 pika në axhendë po që nuk përfundoi përsëri shkaku i mungesave të kuorumit, opozita duke u larguar nga salla plenare ka paralajmëruar se nuk do marrë pjesë në seancat e Kuvendit derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme që e ka kërkuar. Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka theksuar opozita duke paralajmëruar “seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.

Qeveria e  Kosovës, në mbledhjen e pasditës së 3 shtatorit ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator:  Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues,   Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar,   Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike  Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe  Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili  në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi  në Bruksel.Qeveria e  Kosovës në komunikatën nga mbledhja për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vazhduar dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur para më shumë se 10 viteve, në 17 shkurt 2008.Në Bruksel, kryesuar nga Bashkimi Evropian, bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë, fillimisht kryeministror në 30 ruande  nga

19 tetori 2012, pastaj me pjesëmarrje të presidentëve e kryeministrave në dy raunde në 24 janar e 1 shkurt 2017, e më pas në pesë raunde me takime të presidentëve – në 3 korrik e 31 gusht 2017 dhe 23 mars, 24 qershor e 18 korrik 2018, kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, marreveshje nderkombetare

DEKLARATE E PERBASHKET

September 18, 2018 by dgreca

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë deklaratë të përbashkët/

2 sabiliz-Nga sesioni i dytë mbledhjes së pestë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë. U miratua një deklaratë e përbashkët e komisionit/1 StabilizimitPRISHTINË, 18 Shtator 2018- Gazeta DIELLI/ Sesioni i dytë i punimeve të  mbledhjes së pestë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, ka vijuar edhe sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.  Takimi i sotëm është kryesuar nga Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian, ndërkaq, temat për të cilat u diskutua me këtë rast ishin: sundimi i ligjit (lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar), liberalizimi i vizave, bashkëpunimi rajonal, dhuna në familje dhe barazia gjinore si dhe ndihma para parlamentare e PE-së për Kuvendin e Kosovës. Gjatë shtjellimit të këtyre temave, parlamentarët kosovarë: Time Kadrijaj, Albulena Haxhiu, Arben Gashi, Blerta Deliu- Kodra, Memli Krasniqi (kryetar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë i Kuvendit të Kosovës), Elmi Reçica, Vjosa Osmani dhe Danush Ademi, vunë në dukje angazhimet institucionale të Republikës së Kosovës, për përmbushjen e standardeve që kërkohen nga BE-ja, lidhur me fushat përkatëse që u diskutuan me këtë rast.

Lidhur me disa çështje të caktuara, siç janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhuna në familje dhe gjendja në sektorin e drejtësisë, deputetët, duke shfaqur opinionet  e tyre vlerësuan se, Qeveria duhet të jetë edhe më e angazhuar në përmbushjen e objektivave të parashtruara.

U vlerësua, ndërkaq, bashkëpunimi rajonal dhe sjellja e shtetit të Kosovës për të kontribuar për një ambient më të përshtatshëm dhe stabil të rajonit. Ndërsa, u kritikua sjellja e shtetit të Serbisë, e cila pareshtur paraqet pengesa në rrugën e integrimit të Kosovës në mekanizmat rajonal dhe më gjerë.

Parlamentarët kosovarë, vëmendje të theksuar i kushtuan liberalizimit të vizave dhe nevojës që ky proces të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër. Ata pasi falënderuan kolegët e tyre nga PE-ja për ndihmën e gjertanishme, po ashtu i siguruan ata se, liberalizimi i vizave nga qytetarët tonë do të shfrytëzohet sipas rregullave të paracaktuara dhe nuk do të keqpërdoret mundësia e lëvizjes së lirë. Për përfundimin me sukses të këtij procesi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan nga kolegët e tyre të PE-së që të vijojnë me përkrahjen  e plotë sikurse që është parë deri më tani.

Lidhur me temat e parapara për këtë sesion, folën edhe eurodeputetët: Lukas Mandel, Julie Ward dhe Dubravka Shuica, të cilët, po ashtu vunë në dukje rëndësinë e sundimit të ligjit, bashkëpunimin rajonal, sundimin e ligjit,  si dhe çështje të tjera që do të avanconin pozitën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast ata vunë në spikamë angazhimin e tyre për arritjen e liberalizimit të vizave, dhe premtuan po ashtu, angazhim të mëtejmë deri në përfundimin final të këtij procesi. Pas shterimit të debatit, komisioni miratoi një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës dalin detyrimet e ndërsjella deri në takimin e radhës, i cili u vendos që të mbahet me datë 13 dhe 14 mars në Strasburg.

Pas kësaj, bashkëkryesuesit e këtij takimi, Memli Krasniqi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë dhe Tonino Picula përfaqësues i  delegacionit evropian, në një konferencë të përbashkët për media bënë të ditur përfundimin me sukses të punimeve të  mbledhjes së pestë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë./b.j/

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Deklarate e perbashket, Komisioni Parlamentar, Stabilizim Asocimi

NJOFTIM I FAMILJES BUNGO-SHERBIMET FUNERALE TE MARTEN

September 16, 2018 by dgreca

…..PER SHERBIMET FUNERALE DHE CEREMONINE E VARRIMIT/

1 Shenje zijeTe dashur miq,
Me hidherim te thelle ju njoftojme ndarjen nga jeta te te dashurit tone Makensen Bungo.

Pritjet do te behen diten e marte me 18 Shtator 2018
2 – 4 PM
7 – 9 PM
N. F. Walker Funeral Home
2039 Merrick Ave Merrick NY 11566-3434
(516) 378-0303

Varimi do te behet me 19 Shtator 2018 ne oren 11 AM

Greenfield Cemetery
650 Nassau Road Uniondale NY 11553-2779
Familja,

Eglantine Bungo
Dritan dhe Brunilda Bungo
David Bungo
Nicole Bungo

Tel: 516 223 2796 / 917 837 5565

Filed Under: Politike Tagged With: Makens Bingo, nderroi jete, NJOFTIM I FAMILJES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 461
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT