• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ilir Meta dhe një rast për të kuptuar balancimin e pushtetit

July 28, 2018 by dgreca

6 Ilir-Levonja-300x298

NGA ILIR LEVONJA/

Sot Ilir Meta është njeriu më i sulmuar dhe më i diskutuar në opinionin e turbullt shqiptar. Kjo nga mos aprovimi që i bëri një ligji emergjent për prishjen e teatrit kombëtar. Eshtë një listë e tërë me argumenta dhe e mirë mbështetur në librin themeltar të një shteti, siç është Kushtetuta. A mund të konsidorehet vendim politik? A mund të gjykohet si një veprim me strategji politike me që ai është edhe babai i LSI-së? Forca politike e anatemuar si një tepsi tjetër për shfryrjen e dështimeve në 4 vjeçarin e parë qeverisës të çiftit Rama-Veliaj? Forca që mbart brenda vetes sabotatorët, shushunjat. Dhe ata që herë zgjohen majtas dhe herë djathtas etj.? Të gjitha janë. Dhe nuk e luan as topi i nemces, siç e kemi për qejf të themi ne shqiptarët. Që Ilir Meta është një ujk i vjetër, kjo as që diskutohet. Por të tillë nuk e kishin konsideruar çifti në ekstazë, pra Rama dhe Veliaj. Për ato arsyet e tyre efemere prej çunash Tirone, krijesën e pazarit të vjetër, presidentin e marrëveshjeve të shpejta mendonin se e kishin në xhep. Aq më tepër që në këtë gjashtë mujor luftrash mediatike mes artistëve, çartistëve, ambientalistëve, qytetarëve dhe militantëve të të dy krahëve, ai ruajti qetësinë duke mos u prononcuar asnjëherë. Një president tjetër, një kapter partie, nuk do ta kthente ligjin. Ilir Meta e ka këtë fuqi pikërisht nga fakti i të qenit lider i LSI. Dhe në raport me presidentët e deritanishëm është vetëm ai në nivelin kushtetues. Të tjerët erdhën nga radhët dytësore dhe nga marrëveshjet e sforcuara politike, kësisoj prodhuan dy soje presidentësh, vasalë të bindur të forcës nga erdhën, ose vasal i vetvetes dhe jo i kushtetutës. Ndaj ne shqiptarët duhet urgjentisht të ndryshojmë mënyrën e të zgjedhurit të presidentit tonë. Ta zgjedhim atë nga populli. Dhe në fakt ky është ose ishte ai momenti për të kutpuar se sa i vlertë është institucioni kur funksionon si duhet. Deri tani ky institucion nuk ka funksionuar dhe asnjëherë nuk e arriti ndonjë shkallë niveli si garant i librit themeltar, i ndarjes dhe balancimit të pushtetit, arterja vitale në demokraci. Megjithatë, ndaras nga këto luftra mediatike idesh e projektesh, ky është rasti më i qartë për të kuptuar se si funksion demokracia. Se sa të rëndësishëm janë balancimet e pushtetit. Aq më tepër që tek ne tashmë është bërë e modës grabitja me ligj. Ky rasti më flagrant, ky partneriteti privat… me aksioma politike të këtij gagarelit të mjaftit që u thotë shqiptarëve gjithë ditën, në të gjitha emisionet e lajmeve që, ai boti jep lekët, jep para, na bën moderne këtë e atë…, me paratë e tia etj. Kurse ne nuk duam. E bën ai ore se shteti nuk ka lekë. Ta dini mirë se shtetarë qaramanë nuk vlejnë për ju, por për horlliqet e tyre të radhës. Kjo është e verifikueshme lehtë, aq më tepër kur në dhjetë të mëngjesit i shikon në periferi të të flasin për zgjerimin, bulevardet etj… në drekë u kthehen qendrave të vjetra urbane. Dhe nuk e di se si e shtyni ditën duke e parë gjithë kohën në tv. Akoma nuk u janë kthyer muret e shtëpisë, në mure me portret e tyre. Eshtë bajate, por veç parave po u vjedhin dhe lirinë familjare. Si jetoni brenda atyre mureve me buzëqeshjet e tyre fallco, me fytyrat e tyre në ekran…? Prishni teatrin kombëtar sot. Dhe nesër shkoni e prishini me radhë… atë të Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Lushnjës, Elbasanit, Fierit… Pse? Se ca janë amortizuar, ca i ka ndërtuar italia, një a dy regjimi. Dhe aq më tepër me para të partneritetit publik. Po aq janë të ururarit… me gishta numërohen. Dje lexoja ca naivër që sugjeronin atë që lërini ta prishin, të ndërtojnë të riun…, po qe se vjedhin se ju kështu thoni, nesër kur të vini në pushtet futini në burg. Harrojeni se bëhet vendi me mendësi të tilla. Deri sot asnjë burgosje nuk e ka përligjur dëmin social. Aq më keq akoma që tek ne veç Nexhmije Hoxhës për filxhan kafeje, apo për ca fonde ushqimesh si Nani dhe ministri minoritar askush tjetër nuk ka bërë burg… Ndaj balancimi i pushtetit është funksionimi real i demokracisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Presidenti Meta

ADEM DEMAÇI – FRYMËZUESI I LIRISË SONË

July 27, 2018 by dgreca

1 bytyqi-1

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

Dje shkoi nga bota shqiptare për në amshim Adem Demaçi, ky personalitet unikat, jo vetëm në tërë Lëvizjen tonë kombëtare, por edhe në përmasa ndërkombëtare. Adem Demaçi, ishte shkrimtar e publicist, humanist, simbol i dinjitetit, rezistencës sonë kombëtare për liri, sovranitet dhe bashkim kombëtar. Ai, përherë ishte në shërbim të interesave kombëtare, i gatshëm edhe për tu sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Adem Demaçi, padyshim mbetet personaliteti i veçantë, më i guximshëm dhe më i pathyeshëm i popullit shqiptar në historinë tonë më të re.  Demaçi ishte frymëzues edhe i gazetarëve, të cilët në rrethana okupimi rrezikuan shumëçka për informim  objektiv, fjalën e lirë dhe mobilizimin e popullit në rrugëtimin e tij të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë.

Si gazetar, kam pasur rastin dhe nderin që të takohem, ta intervistoj disa herë Bacën Adem. Ai përherë ishte në shërbim të mendimit të lirë, domethënës, me mesazh shumë të qartë për popullin. E thoshte përherë të vërtetën, ndonëse ajo shpeshherë ishte e hidhur. Mirëpo, ai gjithherë kishte të drejtë, sepse ishte real, largpamës dhe vizionar i madh.

Kur u pa përfundimisht se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë të armatosur nga Serbia, që në krijim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi mu në mes të Prishtinës do të hapë zyren e tij dhe do të veprojë Përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj ushtrie. Kështu, ai do të luftojë me argumente të fuqishme përpjekjet e Serbisë dhe të aleatëve të saj në krye me Rusinë për ta radhitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në mesin e organizatavë terroriste dhe do ti hapë rrugën e legjitimimit në arenën ndërkombëtare si forcë çlirimtare.

Pas luftës, me Bacën Adem kam pasur rastin që të bashkëpunoj, sidomos kur ishte kryetar i Bordit të drejtorëve të Radiotelevizionit public të Kosovës.  Ai angazhohej për informim të lirë dhe që RTK të jetë transmetues i fuqishëm publik vetëm në shërbim të publikut e jo të politikës. Gjatë mandatit të tij ai ka arritur që ta realizojë me sukses misionin e tij.

Si skenarist dhe autor i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, së bashku me regjisorin Ilir Kabashin, autorët e muzikës Ilir e Korab Shaqiri, me montazheren Mellani Devexhiu, si dhe me  mbështetjen e shumë kolegëve të tjerë dhe të menaxhmentit të RTK-së, si dhe me mbështetjen e familjes Demaçi, veçmas të djalit të tij Shqiptarit, bashkëshortes Xhemajlijes, të shokëve të burgut, të veprimtarëve të Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, jemi përpjekur që me materialet e ndryshme arkivore, ku flet vetëm Heroi i Kosovës dhe  Nderi i Kombit, Adem Demaçi, të paraqesim në vija të shkurtëra figurën e njeriut tonë të madh, që tërë jetën e tij  në vazhdimësi ia ka kushtuar popullit tonë të vuajtur. Premiera e filmit dokumentar “Simboli i lirisë”, kushtuar Adem Demaçit, u shfaq në Kino ABC më 17.10.2015 dhe u transmetua drejtpërdrejtë në RTK. Me këtë rast, Demaçit iu dorëzua edhe Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e tij në afirmimin e fjalës së lirë dhe fuqizimin e trasmetuesit publik. Kjo ishte mirënjohje e merituar që iu dha njeriut që përherë luftoi për mendim të lirë dhe informim objektiv sipas standardeve profesionale evropiane.

Me këtë rast do të përkujtoj vetëm dy momente që lidhen drejtpërdrejtë më protagonistin e këtij filmi, me Bacën Adem tonë të madh, i cili mua si gazetar më frymëzoi që ta kryej me sukses misionin tim në rrethana të vështira.

1.Momenti i parë ndërlidhet me një periudhë të rëndësishme historike: përgaritjet për organizimin e Demonstartave studentore të 1 tetorit 1997.

Me rastin e përgatitjes së një emisioni për Televizionin Shqiptar realizuar me qëllim të sensibilizimit të opinionit në prag të Demonstratave studentore të 1 tetorit të vitit 1997, kontaktova me Bacën Adem dhe e kërkova mendimin e tij lidhur me këto demonstrata. Ai pa asnjë hezitim shprehu gatishmërinë që të japë një deklaratë në mbështetje të pa rezervë të Lëvizjes studentore dhe premtoi se do të marrë pjesë në demonstratë, për dallim nga shumë politikanë dhe udhëheqës te asaj kohe që nuk kishin guximin dhe vullnetin të mbështesnin këtë Lëvizje historike që po ndodhte dhe që po i hapte rrugë luftës clirimtare të UÇK-së.

  1. Momenti i dytë, është pikërisht periudha e luftës çlirimtare.

Baca Adem asokohe ishte Përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së. E thirra në telefon dhe kërkova që të takohemi dhe të këmbejmë disa opinione lidhur me zhvillimet e atëhershme dramatike në Kosovë dhe në vecanti për sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën e drejtë të UÇK-së përmes realizimit të emisioneve televizive për Televizionin Shqiptar dhe po ashtu përmes shpërndarjes së të vërtetës për UÇK-në përmes qendrave televizive botërore.

Baca Adem më sugjeroi të takohemi në parkun e Taukbashqes në Prishtinë dhe të bisedojmë më lirshëm ngase mund të na përgjojë sigurimi sekret serb.
Baca Adem i paraqiti në mënyrë të argumentuar disa mendime shumë largpamëse lidhur me zhvillimet ushtarake dhe politike në Kosovë dhe mu lut që tu përcjellë këto mesazhe posacërisht disa eprorëve të lartë të shkolluar që tashmë ishin angazhuar në SHP të UÇK-së se si të koordinojnë veprimet luftarake dhe ato poltitike e të mos jepnin deklarata politike kontraverze që po krijonin huti në popull. Ai si gjithmonë ishte optimist për përfundimin e suksesshëm të luftës sonë. Mirëpo, insistonte që fati i Kosovës të zgjidhet njeherë e përgjithmonë, pa bërë asnjë kompromis në dëm të popullit shqiptar. Mu për këtë nuk u pajtua që të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës dhe dha dorëheqje nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së. Ai kishte argumentet e tij për rezervat në Marrëveshjen e ofruar.

Më 17.02.2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, Demaçi mori pjesë si mysafir nderi në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës dhe ishte i bindur se kështu u realizua vetëm një pjesë e synimit të tij dhe të popullit tonë. Ndërsa, bashkimi kombëtar  mbetet obligim i këtij brezi dhe i brezave të ardhshëm.

Shkurja në amshim e Adem Demaçit, është humbje e pakompenzueshme për popullin tonë. Mirëpo, ai në kujtesën tonë do të mbetet njeri i guximshëm, i pathyeshëm, vizionar i madh dhe mobilizues për të ardhmen e popullit tonë.  Vepra e tij, do të jetojë gjithmonë dhe do të përkujtohet nga ne dhe brezat e ardhshëm si  shembull konkret se si duhet punuar dhe sakrifikuar për interesa madhore.

4 Bytyqi

Nga promovimi i filmit dokumentar “Adem Demaçi – simbol i lirisë”, Prishtinë, 17.10.2015

2 Mirnjohje

Mirënjohja e Bordit të RTK-së për kontributin e Adem Demaçit në afirmimin e fjalës së lirë dhe zhvillimin e transmetuesit public të Kosovës – RTK-së

3 RTK

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Adem Demaci, Frymezuesi i Lirise, Nuhi Bytyçi

ARBNORI-NËNËS: “Nuk i tradhtova shokët”…

July 25, 2018 by dgreca

– Zbulohet letra e rrallë e shkruar në burg nga Pjetër Arbnori: Më ridënuan me 12 vite-/

1 letra Arbnori

Jul 24, 2018- Letra e nxjerrë fshehurazi nga burgu me 2 korrik 1979, ku Arbnori shpjegon  gjithë rrethanat e arrestimit, dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit.Në morinë e letrave të shkëmbyera me familjen, gjatë viteve të burgut, Pjetër Arbnori ka lënë edhe këtë letër, dërguar fshehurazi nga burgu nënës së tij me 2 korrik 1979,  ku flet për dënimin e tij të dytë. Me dhimbje ai i jep nënës këtë lajm dhe i shpjegon gjithë rrethanat e arrestimit dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit.  Por pas 18 vitesh burg Arbnori, kishte zgjedhur izolimin, nuk ishte dorëzuar. “Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij, e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi”, i shkruan ai nënës në këtë letër.

Burrel 2.7.1979

E dashuna Nanë,

Kuptohet që s’munde me ja shkrue qartë në letër çështjen e dënimit  tim të dytë. Sot po kam rastin të nxjerr fshehtas këtë pusullë. Kishte vite që më silleshin rrotull për të më dënue. Çështja ishte e qartë: ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi ose të shtoja vitet e mia të burgut dhe të rrija edhe ma gjatë larg teje, motrave e të gjithë të dashunve të mi. Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme që edhe ti do të ma këshilloje patjetër.

Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan.

Akuzat ishin qesharake. Ky i fundit tha për shembull se unë isha gëzuar kur Kina sulmoi Vietnamin, gjë për të cilën unë s’kisha fare dijeni sepse nga janari 1979 deri në qershor gjindesha i izoluar në hetuesi, pa gazet, pa lajme, kurse Bajrami thoshte se bisedën e paskam ba në dhomën e burgut, mes shokësh, në mars apo në prill 1979. Meqë gjyqi ishte qesharak u bë në zyrën e vogël të kryetarit të gjykatës, njëfarë Sotiraqi.

Ekspert për shkrimet e mia dhe romanin tim “Shtëpia e mbetur përgjysmë” doli një farë gazetari në emrin Sofokli Afezolli i cili tha se Pjetër Arbnorit i duhet prerë dora sepse ka shkruar në burgun e Burrelit me qëllim që t’i botojë librat në Perëndim dhe të diskreditojë pushtetin popullor dhe komunizmin.

Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij, e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi.

Përqafime motrave

Florën e puth

Jueji Pjetri

Burimi: Arkivi i familjes së Pjetër Arbnorit

Marrë nga Kujto.al

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: leter nenes, Pjetër Arbnori, Zbulohet Letra e rralle

PUSHTETI ABSOLUT KORRUPTON ABSOLUTISHT!

July 24, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegja dhe përgjegjësia morale tij ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjërësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, por edhe të një shteti. Ai citohet të ketë thënë se “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke e konsideruar veten si të gjithëfuqishëm ose të gjithëpushtetshëm.”

Shembuj të ushtrimit të pushtetit absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, duke filluar nga ditët e sotëme, historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar e deri thellë në histori duke filluar me shembuj si perandori Napoleon Bonaparti e deri në kohën kur perandorët romakët e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është një siguri më e mirë dhe më e madhe të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua (me fjalë tjera t’i bindësh ata), se sa të kesh edhe një nëndetse tjetër”, duke shtuar se, madje edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, ç’do të thotë dhe çfarë kuptimi ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotëme, pa marrë parasyshë se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar flasim. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë karahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” të shekullit të kaluar. Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe flasin për të ashtuquajturën “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend, por le ti këthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, për aktualitetin e sotëm politik. Sipas përcaktimit të definacionit të frazës do të thotë se pushteti e korrupton njeriun, pakëson vlerat morale të një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij. Ashtu si edhe në shekullin e 18-të, kjo frazë do të thotë gjithashtu se ata që janë në pushtet, shpeshëherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendëruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë me pushtetin në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike, ose rrethit të tyre të ngusht.

Prandaj nëqoftse ndiqet kjo logjikë, sipas disa eskpertëve, arrijmë në përfundimin se individët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre. Përfundimi, prandaj është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, aq më shumë zhduken vlerat e tija morale, si njeri dhe si pushtetar. Kulti i personit, quhej në regjimet komuniste!

Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim të bashkpunojë me ta — përfshirë pakicën politike — për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nepërmjet proceseve ligjore, politike dhe përfaqsuese të një vendi. Por, fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave ose zotësive të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejëtësi – janë sipas ekspertëve – arsyetë kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për sjelljet arrogante të shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigur. Se, mungesa e dialogut dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, si dhe mos ndëshkimi i të korruptuarve po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndërrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”. Por cilat do qofshin arsyet: pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqsisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre pothuaj 30-vjet post-komunizëm, për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin në veçanti, por edhe me të tjerët përtej kufijve, në përgjithsi, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta dhe qëtë jenë larg botës së qytetëruar. Sot, fatkeqsisht, shqiptarët po e bëjnë këtë vet, pa ndihmën e të huajve.

Si kurrë më parë, fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Sidomos në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, nepërmjet dialogut kombëtar, të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, t’u tregojnë, “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë vetë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, që kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vërtetën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera”, ka shkruar ai.

Kjo është mënyra më e mirë që të minimizohen dëmet që vijnë, për mbarë shoqërinë, nga të gjithë pushtetarët absolutë të korruptuar dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – të gjithë duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen bazuar në disa standarde morale themelore universale për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar, dialogut, i mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, KORRUPTON ABSOLUTISHT!, PUSHTETI ABSOLUT

Gjysmëfinalja e dialogut

July 23, 2018 by dgreca

Shkruan: Anton Marku -Vjenë/

Foto nga Anton Marku 2

Gjysmëfinalja e dialogut / Është gabim të mendohet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nën ndëmjetësimin e Brukselit po hyn në fazën përfundimtare. Kjo do të jetë vetëm kapitulli i dytë i këtij procesi. Finalja do të ndodhë pas 5-6 viteve, kur të afrohet koha e aderimit të Serbisë në BE. Deri atëherë do të jemi dëshmitarë të ‘‘mosmarrëveshjeve’’ për ‘‘marrëveshjet’’ tashmë të nëshkruara e asnjëherë të zbatuara, së paku jo tërësisht. Ndërkohë do të ngriten edhe tema të reja, të cilat tashmë u janë bërë të njohura delegacioneve të të dyja shteteve. Në fund, tëgjithë do të fitojnë nga diçka e do të humbin nga diçka tjetër. Siç e do zakoni në Ballkan, humbja do të quhet fitore dhe e kunderta.  

Premtimi

Partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, pa asnjë përjashtim, që nga paslufta, para dhe pas secilave zgjedhje, premtonin se një ndër prioritetet kryesore të programeve të tyre do të jetë bashkimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe integrimi i veriut në pjesën tjetër tëvendit. Por, kaluan pothuajse dy dekada që kur veriu është shndërruar në një zemër që rrah jashtë trupit. Jashtë Kosovës.

Aktualisht po flitet për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, i cili po del që të jetë një strukturë shumë më komplekse se sa vetëm një OJQ, siç ishte prezantuar në fillim nga liderët tanë. Tashmë është e qartë se krijimi i saj është pothuajse një fakt i kryer. Po ju dha rasti, atë do e votojnë dhe miratojnë mu ata që fillimisht e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi, bllokuan për tre vite jetën institucionale të vendit dhe në fund u bënë zëdhënësit më të mëdhenj të aprovimit të tij. Për më tepër, ata do të jenë në gjendje qëasociacionin ta ‘‘kontrabadonjë’’ në një ligj të posaçëm, e pse jo edhe në kushtetutën e Kosovës po qe se kjo do të vendosej si kusht, si nga Beogradi ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Po ndodhi kjo, pala kosovare do të duhej që të insistojë që si kundëshpërblim Kosova të hiqet nga preambula e kushtetutës së Serbisë, në të cilën ajo ende figuron si pjesë e saj.

Me duar në xhepa

Një ndër qëllimet e dialogut është që të diskutohet për tema të caktuara me interes të dyanshëm. Por, takimet e deritanishme kanë prodhuar pak rezultate pozitive. Për më tepër, ato janë shdërruar në arena për shkëmbim të akuzave, fyerje, konflikte verbale dhe terren për fitim të pikëve politike në rrafshin e brendshëm.

Në këtë kontekst, fitohet përshtypja se delegacionet e Kosovës, qofshin ato të nivelit teknik apo politik, në bisedime hyjnë të papërgaditura aq sa duhet dhe pa strategji dhe analiza paraprake të hollësishme se çfarë duan të përfitojnë nga këto takime. Vizionet afatgjata mungojnë ndërsa situatat shpesh zgjidhen në baza ‘‘ad-hoc’’.

Viteve, e sidomos muajve të fundit, politikanët kosovarë dolën shpesh me propozimin se në dialog duhet kyqur edhe SHBA-të, çka do të ishte e mirë po të ndodhte. Por, këto sugjerime pavetëdijshëm do të mund të legjitimonin kërkesën eventuale të Serbisë që nënegociata të përfshihet edhe Rusia. Ky do të ishte një autogol shumë i rrezikshëm për Kosovën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Opsionet

Edhe qeveria e Kosovës e edhe ajo e Serbisë morën mandatin nga qytetarët e tyre që të bashkojnë e jo të ndajnë territore. Por, që kontrasti të jetë edhe më i madh, janë po zyrtarët e lartë të këtyre dy qeverive që javëve që lamë pas kanë filluar të promovojnë idenë e lëvizjes së kufinjve. Kjo gjë po proklamohet si ‘‘kompromisi i madh’’, por pa precizuar se çfarë në të vërtetë mendohet me të: autonomi substanciale për komunat serbe në Kosovë, ndarja e veriut dhe vetqeverisje autonome e komunave serbe në pjesët tjera të Kosovës, federatë apo konfederatë me Prishtinën, shkëmbim territoresh (Lugina e Preshevës për veriun) apo dhe shkëmbim i popullsisë, që mbase do të ishte varianti më i pëlqyeshëm për të dy qeveritë, por dhe më pak real, së paku për momentin, pasi që me këtë duket se nuk do të pajtoheshin as shqiptarët e Luginës e as serbët andej Ibrit.

Hapi i dytë

Dialogu ka arritur në një pikë në të cilën palët, edhe po të duan, nuk do të mund të tërhiqen më. Në këtë kohë bojkotimi i tij, nga cila do anë, nuk do të ishte arma më e mirë. Përkundrazi. Tani nga çështjet teknike, e të cilat edhe ashtu deri më tani u zgjidhën vetëm tërthorazi, do të kalohet në ato politike me ndjeshmëri të lartë. Edhe Thaçi edhe Vuçiçi do të detyrohen të dalin nga vetvetja dhe braktisin pozicionet e tyre fillestare për të kërkuar dhe pranuar zgjidhje nga të cilat që të dy këta do të fitonin më shumë se sa do të humbin.

Finalja

Në fazën përmbyllëse të dialogut, me apo pa dashje, do të jetë jo vetëm e nevojshme dhe e domosdoshme, por edhe e paevitueshme përfshirja e Shqipërisë në këtë proces, e mbase edhe e Uashingtonit edhe Moskës, si garantues të marreveshjes eventuale, të cilën shpresoj se do të ketë kush të nënshkruaj.

Kjo dhe për faktin se si për shqiptarët ashtu dhe për serbët, e edhe për bashkësinë ndërkombëtare, momentalisht më e rëndësishme është marrëveshja mes politikanëve të këtyre dy vendeve se sa pajtimi mes dy popujve.

Deri në finalen e madhe kemi edhe shumë kohë. Së paku dhe një tjetër kampionat botëror në futboll.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Marku, Gjysmëfinalja e dialogut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 472
  • 473
  • 474
  • 475
  • 476
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT