• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’DOMETHËNË ECJE PËRPARA?

December 20, 2024 by s p

Saimir Lolja/

Ç’domethënë të keshë, të dishë, të ngjitesh, të zbresësh, të përparosh, nga e deri ku? Deri ku ësht kufini për këto dhe a mbeten të njëjtë qëllimet për to? Sepse njeriu vjen lakuriq në këtë jetë dhe ikën po lakuriq nga kjo botë. Rrjedha në kohë e shoqërive njerëzore ka ngjitjet (zhvillimet), kthesat, zbritjet (rrënimet). Ajo ësht e pa ndërprerë dhe gjithmonë ndryshe edhe në gjatësi kohe nga copëza e shkuar e ngjashme. Çdo copëz e historisë njerëzore ësht pasojë edhe e copëzës së ngjashme të shkuar edhe e ndikimeve të reja. Katër periudhat e përsëritshme të historisë njerëzore janë: 1) Kohët e vështira krijojnë njerëz të fuqishëm. 2) Njerëzit e fuqishëm krijojnë kohë të mira. 3) Kohët e mira krijojnë njerëz të dobët. 4) Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira. Pra, përparim ose ecje përpara do të thotë ose ngjitje ose zbritje.
Njeriu përparon për nga jasht vetvetes por jo për nga brenda sepse instinktet, emocionet dhe organet trupore nuk i ndryshojnë. Për nga jasht, atij i ndryshon veshja, vendi dhe kushtet e jetesës, pamja, ushqimi, gatimi, kimikatet, veglat dhe makinat që përdor, tingujt që dëgjon, çfar sheh dhe prek, dhe rrjedhimisht qëllimet, botënjohja dhe botëkuptimi.

DIJA – A i nevojitet njeriut dije dhe të kuptojë që të ecë përpara? Sa dhe deri ku? Sepse me një rreth të vogël e një të madh vërtetohet matematikisht se sa më shumë të dihet aq më shumë dallohet se nuk dihet. Nëse njeriu di shumë por s’i kanë vlerë kohore apo përdorimi ose s’ia kërkojnë ose s’i janë të frytshme ose janë të rrezikshme apo të tepruara, atëhere për të ësht sikur nuk di. Shumë nga ajo sasi s’ka për t’u përdorur ndonjëherë, ndonëse i shërben vetëm mendjes për një kuptim më të gjërë e më të thellë. Shekulli XXI tregon se njohuria dhe zgjuarsia e shoqërisë janë rritur shumë, me shpejtësi të madhe dhe frikshëm, veçanërisht pas vitit 2000.

USHQIMI – A i nevojitet ushqim i mirë njeriut të mendojë dhe të ecë përpara? Nëse ushqimi nuk ësht natyral, njeriu bëhet shëndetlig dhe trupi i tij kalbet nga brenda dhe sëmundje të padëgjuara lindin. Kur ushqimi ësht natyral edhe shoqëria dhe raca shoqërore përcillet e fortë në brezat e rinj. Përndryshe trupi i njeriut fillon të kundërveprojë jo natyralisht për të tretur ushqimet jo natyrore. Shembull i shtrembërimit të natyrës ësht rasti i sëmundjes të quajtur i lopës se çmendur, e cila ndodh ngase lopës i jepet ushqim proteinik për ta rritur shpejt në peshë ndërkohë që lopa ësht barngrënëse prej natyre. Mendja e lopës çmendet sepse nga barngrënëse që e ka krijuar natyra duhet të kthehet në mishngrënëse.

SHTETI – A i nevojitet njeriut një makinë të ecë përpara? Përgjatë historisë, qytetërimet e përparuara janë bërë dhe quhen të tillë sepse kanë patur ose e kanë me cilësi të lartë organizimin e shoqërisë, makinën shtetrore, sigurimin e shtetit, domethënë shtetin. Një shtet i organizuar dhe siguruar mirë punon si një makinë e vetëdijshme dhe mbarëvajtja e tij ka në themel parimin një vend për çdo gjë apo njeri dhe çdo gjë apo njeri në vendin e vet. Një qytetërim nuk ka nevojë të jetë doemos një komb i organizuar në shtet, sepse qytetërimi ka nevojë të punojë makina e tij (shtetrore, gjuhësore, artistike, ndërtuese, prodhuese, tregtare, shtypëse, vjelëse, ushtarake) pavarësisht se kush ia bën punën.
MORALI – A i nevojitet shoqërisë njerëzore një moral që të jetë e qëndrueshme dhe të ecë përpara? Ka shumë fjalë për të përshkruar veglat, makinat, teknologjitë dhe ka pak fjalë për të përshkruar ndjenjat. Moral domethënë mbarëvajtje e një grupi shoqëror nëpërmjet peshores çfar ësht e mirë dhe çfar ësht e keqe. Morali ai ësht i brishtë sepse lidhet drejtpërsëdrejti me ndjenjat njerëzore. Prandaj keqdashësit godasin moralin e trashëguar dhe fetë i kryejnë krahmarrje mendjes pikërisht nëpërmjet linjës ndjenja-moral-ndjenja.

Morali ësht përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe prandaj i ve kufi dëshirave apo marrive vetjake. Ai ësht natyror dhe edukues sepse njerëzit kanë lindur prej natyrës dhe duhet të ndjekin ligjet e saja për njerëzit dhe jo për kafshët apo robotët. Tani ka më shumë elektronikë e teknologji dhe njëkohësisht më shumë mendje të lehta, të rinuara apo të shuara, gjë që ka shkaktuar marramendje të madhe dhe dëmtim në moralin natyror të turmave njerëzore. Tani kryhen klonime organike dhe prodhohen robotë, të cilët janë pa moral, pa ndjenja e qëllim njerëzor, përdoren për të zëvendësuar njerëzit dhe nuk shprehin ngjitje (zhvillim) por zbritje (rrënim) të shoqërisë njerëzore.

Pra, një QYTETËRIM që të ngjitet, ta mbajë veten lart dhe të zgjerohet duhet të ketë themele të qëndrueshëm. I tillë domethënë të jetë i fuqishëm, i pasur, i gatuar dhe pjekur mirë, zotërues i sipërfaqes toksore ku shtrihet, diplomatik me vendet e tjera. Kështu ai mbron pasuritë dhe jetët e qytetarëve, pronat e njerëzve dhe shtetrore, pasuritë natyrore dhe të fshehtat e vendit. Me këto ai i jep paqe, siguri e qetësi qytetarëve të tij. Si rrjedhim, amigdala trunore, e cila kujdeset për kujtesën, vendim-marrjen dhe përgjigjen emocionale, nuk ësht e acaruar dhe nuk e fut njeriun në gjendje paniku “thik apo ik”. Ashtu të pa friksuar, qytetarët bëjnë paracaktime afatgjata të jetëve familjare e punëve të tyre dhe i shërbejnë sinqerisht vendit. Themelet e një qytetërimi të qëndrueshëm janë:

1) Një ide moralizuese e hartuar mbi një gjuhë të veçantë. Për shembull, perandoria romake lindi kur u fut në përdorim gjuha latine në vitin 27 p.e.s. Në raste të tjera, bie fjala, u krijuan kisha të cilat filluan spërkatjen e gjuhëve kishtare mbi popullatat që kishin apo futnin në vathat e tyre. Ideja moralizuese i jep udhë ndjekësve dhe bindje popullatës, dhe bën të mundur parashikimin e sjelljes shoqërore të turmave. Fetë meslindore, indiane apo kineze janë shembuj të qëllimit nënshtrues dhe bindës ndaj perandorive dhe jo pëlqimit paqësor të perëndive. Arbër-Shqiptarët e kanë gjuhën natyrore Shqipe dhe idenë e Besës, e cila të jep shpëtim, ësht një besim mbi një virtyt me kuptim të saktë, dhe i ndihmon të tjerët ta mbartin Besën e të udhëhiqen prej virtytit.
2) Një ndërtesë familjare e vidhosur mirë dhe me trashëgimi, i cila i jep qëllim lindjes së fëmijëve dhe punëve jasht familjes. Njërës pa qytetërim të dukshëm ka, por qytetërim pa njërës nuk ka.
3) Një makinë zyrtarësh me sasinë dhe cilësinë e duhur për të mbrojtur shtetin dhe zbatuar detyrat nga lart-poshtë.
4) Një rrjet shkollimi dhe edukimi cilësor që të përballojë të tashmen dhe të aftësojë brezat e rij.
5)] Një shoqëri e ndarë në shtresa të ndërvarura ku ngjitja nuk dhurohet por arrihet me punë sipas meritës, vlerës që shton dhe ndershmërisë.
6) Aftësia për të zgjidhur nyjet, veçanërisht ato të mëdha si, bie fjala, furnizimi me ujë pa ndërprerje të çdo familjeje, vendbanimi dhe toke bujqësore.
7) Mbrojtja ushtarake e vendit, e cila edhe edukon brezat e rij me rregullat në jetë.
8) Kanunet ligjore të cilët vendosin çdo njeri dhe gjë në vendin e vet, dhe kujdesen me pa anshmëri për rendin dhe sigurinë shoqërore.

Si përfundim, zhvillimi kërkon të kuptohet si ndryshim përmirësues dhe jo përmbysje (revolution, ang.) dhe të kihet vullnet për ta kryer e udhëhequr atë ndryshim. Në fund të fundit, lind pyetja: A duhet përparimi të sjellë paqe, bashkim, begati, harmoni e jetë të përbashkët më të mirë? Ngjitja (zhvillimi) ësht e mirë kur këmbët prekin tokën, kur qytetërimi ësht i qëndrueshëm, kur njerëzit e jetojnë gëzueshëm ngjitjen, punojnë për të, shpërblehen mirë. Ata duan të binden se e ardhmja e tyre do jetë më e mirë, e qetë, e sigurtë, me kushte jetese të mira, me rrugë të qarta të ecjes përpara, dhe se mbrojtja e pronës dhe punës së tyre nuk do ndërpritet.

Prandaj zhvillimi ësht e duhet të jetë i përkufizuar si liri mendimi e veprimi midis të drejtës për të ecur para dhe përgjegjësisë për me e ruajtur jetën e mirë të të gjithëve. Klonimi, robotët, bombat ideologjike, kimike, biologjike e atomike ndonëse shprehin aftësitë e mendjes njerëzore shkaktojnë rrënimin e qytetërimit dhe njerëzimit. Prandaj disa pyetje do mbeten të përjetshme: Ku shkohet duke ecur përpara? Çfar ësht ma mirë? Deri ku ësht ma e mira dhe pasja më shumë? Ç’domethënë të jetosh mirë dhe më mirë? Si kafshë apo si njeri?

Filed Under: Reportazh

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri organizoi program festiv për nder të “28 Nëntorit – Dita e Flamurit”

December 17, 2024 by s p

Osman Ademi/

Në një ambient të zbukuruar me ngjyra kombëtare kuqezi , në sallën e mbushur me plot prindër , nxënës e bashkatdhetarë, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri ” në Austri më 07. dhjetor organizoi një manifestim madhështor për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë .

Nën tingujt e këngës ” Po ku ka si ti o Shqipëria ime ” , kënduar nga këngëtarja e njohur Vaçe Zela , nxënësit të veshur me veshje kombëtare dhe flamuj në duar , të shoqëruar nga mësueset dhe mësuesit e tyre u ngjitën në skenën e dekoruar si asnjëherë më parë enkas për këtë festë madhështore , për të interpretuar më pastaj Himnin Kombëtar . Kjo skenë zgjoi emocione të forta tek publiku i pranishëm në sallë .

Këngët patriotike , të cilat u kënduan me shumë emocion nga nxënësit, ngërthyen dhe përcollën ndjenjë krenarie dhe besimi tek të rinjtë duke u kujtuar atyre se Flamuri është simbol i bashkimit dhe forcës së popullit shqiptar .

Programi vazhdoi me valle tradicionale popullore si : Vallja e Shqiponjave , Vallja e Tropojës , Vallja e Bareshës , Vallja e Hamëz Jasharit , Vallja e Drenushës e shumë të tjera , ku nxënësit përmes lëvizjeve dhe ritmit treguan madhështinë , respektin, dashurinë dhe heroizmin e popullit shqiptar për të fituar lirinë e tij . Një tjetër moment i veçantë ishte recitimi i poezive me elemente dramatike . Drama dhe monologje të mbushura me pasion dhe përkushtim pasqyruan ngjarje historike që forcojnë dhe lartësojnë kombin shqiptar .

Programin e moderoi mësuesi Osman Ademi . Ai përveç tjerash falenderoi prindërit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen që i japin mësimit në gjuhë shqipe në Austri, por shprehu edhe kritika për mospraninë e përfaqësuesve të ambasadave tona në një festë të tillë siç është Festa e Flamurit !

Mësueset dhe mësuesit që morën pjesë në program me nxënësit e tyre ishin znj. Miradije Berishaj nga Vjena , e cila kishte përgatitur edhe plakatin dekorativ enkas për këtë event , znj. Anjeza Abazi nga Ybbsi, znj.Antigone Elshani nga Traiseni , znj. Ina Arapi nga Vjena , z.Ibrahim Hasanaj nga Gänserndorf , z. Ismet Sinani nga Linzi dhe z. Osman Ademi nga Vjena .

Manifestimin e përkrahën dhe e ndihmuan materialisht Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, BHK- Bau GmbH me pronar z. Hamdi Krasniqi , z. Valdet Arifaj – prind dhe përkrahës i SHMSH ” Naim Frashëri ” . SHKS – “Iliria” dhe znj . Mergita Rexhepi që siguruan hapësira për ushtrime me nxënës . Që ky manifestim të mbetet në kujtesën tonë u kujdes z. Halil Jashari me kamerën e tij , ndërsa mbarëvajtjen teknike e realizuan z. Ajet Shira dhe Besim Abdullahu .

SHMSH ” Naim Frashëri ” falenderon të gjithë prindërit, nxënësit dhe ata që ndihmuan në përgatitjen e këtij manifestimi !

SHMSH ” Naim Frashëri ” Austri

Osman Ademi – Kryetar

Filed Under: Reportazh

DR. ELMI BERISHA – KRYETARI I VATRËS, VIZITOI KISHËN SHQIPTARE “FJETJA E SHËN MËRISË”, WORCESTER MA.

December 16, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

Dje, ditën e dielë, 15 Dhjetor Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Vatra të Amerikës bashkë me Z. Besim Malota, Sekretarin e Financave të Federatës, u nisën që në mëngjes prej NY për të bërë dy vizita pune në shtetin e Massachussetts-it. Së pari ata ndalën tek kisha shqiptare Fjetja e Shën Mërisë, Worcester MA, ku u ndalën të bënin një vizitë respekti ndaj anëtarëve të kësaj dege, të cilët brenda muajit nëntor kishin paguar kuotat për periudhën Dhjetor 2024 – Nëntor 2025.

Ata mbrritën tek hyrja e kishës në ora 11:00 AM, ku i prita unë, sekretari i degës së Worcester MA.

Fr. Mark Doku, prifti i kishës, ishte njoftuar një ditë më parë për këtë vizitë prej Z-njës Effi Qeleshi, Kryetare e degës së Vatrës, prandaj ai në fund të meshë përshëndeti mysafirët me emra dhe njoftoi gjithë të pranishmit se pas meshës mund t’i takonin miqtë tek salla e ngrënies, ku do të shërbeheshin të ndara për familjarët John, Bessie, James and Helen Spiro.

Tek salla poshtë u bashkuan rreth miqve Dr. Elmi Berisha dhe Besim Malota në dy tavolina të mëdha anëtarët e degës së Vatrës, midis të cilëve po përmend Z-onjat Effi Qeleshi e Adelajda Tego dhe vëllezërit Ndoc e Geg Delia, Tom Christo (Nënkryetar i degës së Vatrës), Beni Çika me zonjën, Milo Treko me zonjën, unë me Julian, Ilir Mihallari me zonjën, etj.

Në këto tavolina erdhi dhe Fr. Marku i cili u tregoi mysafirëve disa momente nga jeta e kishës sonë, kurse Z. Elmi shprehu kënaqësinë e veçantë që ndjeu gjatë vizitën te salla e madhe lart, e cila është e zbukuruar me piktura murale shumë të bukura prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika. Ai e uroi Fr. Markun për faktin që ky e mban një pjesë të meshës shqip.

Më tej ai tregoi se Federata Vatra po përpiqet që me ndihmën e Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të arrihet që mësimi i gjuhës shqipe të dixhitalizohet, dmth që çdo fëmijë shqiptar i diasporës mund të mësojë gjuhën amëtare në kompjuter nga shtëpia e vet, sipas nivelit që ka nevojë.

Z. Elmi njoftoi se në vijim ata do të shkonin në Boston për të marrë pjesë tek ceremonia e njëvjetorit të krijimit të degës së Vatrës Boston MA.

Para largimit u bënë disa foto, prej të cilave po sjell këtu dy prej tyre. Gjatë largimit i uruam rrugë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në krijimin e degëve të reja.

Filed Under: Reportazh

Në 80-vjetorin e lindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova – Rikujtim nga Oslo, Norvegji

December 14, 2024 by s p

Screenshot

Fatmir Lekaj

Në shenjë nderimi në 80 – vjetorin e lindjes së misionarit të paqës dhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në vijim po paraqes një foto dhe dy faksimile. Foto është nga vizita e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, më 14 – 18 shkurt 1990, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo (në foto nga e majta: Kristoffer Gjøtterud, Berit Backer, Ibrahim Rugova dhe Shkelzen Maliqi). Ndërsa njëra faksimile është agjenda e kësaj vizite dhe faksimilja tjetër është një shkrim në lidhje me këtë vizitë.

    Vlen të theksohet se kryeorganizatorja e kësaj vizite (idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve) Berit Backer, ka qenë një studiuese e kulturës shqiptare që nga vitet ’70 dhe njohëse e spikatur (nga të huajt) e gjendjes shoqëroro-politike në Kosovë dhe Shqipëri, gjithashtu veprimtare e shquar për kyçjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit.  Me fjalë të tjera, Berit Backer e ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm “nga të huajt” për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe fillimviteve ’90, veçanërisht pasi që kishte filluar bashkëpunimin me LPK-në në vitin 1987. Përkatësisht gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve” dhe sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë, dhe veçanërisht të bindin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.  Njëherësh Berit Backer në koordinim me veprimtarët e LPK-së, Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin etj., dhe me mikun dhe bashkëpunëtorin e saj norvegjez Kristoffer Gjøtterud, e ka themeluar në vitin 1988 Grupin për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale për Kosovën, që pati një ndikim të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s, Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – KSBE-s etj.). Ndërsa, Kristoffer Gjøtterud ka qenë një shkencëtar i mirënjohur norvegjez në lëmin e fizikës bërthamore-nukleare, njëkohësisht i interesuar për epistemologjinë dhe metafizikën, në kuptimin e ndërlidhjes në mes të besimit, fesë dhe shkencës etj., së këndejmi ashtu veprimtar i mirënjohur ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit. Me fjalë të tjera, një personalitet shumë i nderuar dhe me ndikim, përveç të tjerash, kryetar i Komitetit për Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik, që nga viti 1982 (veçanërisht i përkushtuar për shkencëtarët hebrenj, të cilëve iu vështirësohej dhe ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik). Gjithashtu, ka qenë bashkëpunëtor i Grupit të Helsinkit të Moskës (Moscow Helsinki Group), i themeluar dhe i inkurajuar në vitin 1976, nga veprimtarët e mirënjohur rusë për të drejtat e njeriut, përkatësisht fizikani dhe nobelisti Andrej Sakharov, historiania Ljudmila Aleksejeva, fizikani Jurij Orlov etj. Rrjedhimisht, Kristoffer Gjøtterud, me këtë prapavijë dhe ndikimin që kishte në kuadër të Procesit të Helsinkit etj., e ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për Kosovën, sidomos si pjesë e udhëheqjes dhe si veprimtarë i Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), njëherësh nënkryetar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH). 

    Gjithashtu vlen të theksohet se në vazhdën e zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë pas shembjes së murit të Berlinit, GKKNH (duke marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të Procesit të Helsinkit ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse), menjëherë pas themelimit të LDK-së e organizoi vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me sugjerim të Berit Bakerit dhe Kristoffer Gjøtterudit që të reflektohet pluralizmi politiko – demokratik i Kosovës, delegacioni ishte në përbërje nga Ibrahim Rugova, kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Maliqi, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës, dhe Nufri Lekaj në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilët u takuan me disa personalitete të rëndësishme shtetërore dhe kulturore norvegjeze. Në vazhdën e kësaj vizite të delegacionit të Kosovës në Oslo dhe me nisje nga Oslo, GKKNH, nëpërmes kontakteve që kishte Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., ka lobuar që t’i hapen dyert misionarit të paqes, Ibrahim Rugovës, nga politikanët perëndimorë, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar.

    Foto është shkrepur nga Blerim Rexhepi gjatë takimit të hapur me gazetarë dhe të tjerë të pranishëm  më 17.02.1990 në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, ku ishte prezent edhe autori i këtij shkrimi. Ndërsa faksimilja e agjendës dhe e shkrimit në lidhje me këtë vizitë, janë nga arkivi i autorit të këtij shkrimi. 

Filed Under: Reportazh

Respekt dhe dashuri të vazhdueshme për gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë

December 13, 2024 by s p

C:\Users\Aldo\Downloads\WhatsApp Image 2024-09-18 at 09.39.15.jpeg

Fran GJOKA

“Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”. – Faik Konica. 

Gjuha përbën elementin (komponentin) kryesor të kulturës në planin sociologjik. Në këtë kuptim eleminimi i gjuhës çon në eleminimin e një kombi. Aq më tepër kjo përbën rrezik për popujt e vegjël që historia për arsye ekonomike politike e sociale i ka shpërndarë anë e kënd botës. Nuk bën përjashtim në këtë mes as Shqipëria pushtimi i vazhdueshëm i së cilës nga fuqitë e mëdha ka pasur ndër të tjera, synimin e të mosfolurit dhe të mosshkruarit të gjuhës shqipe dhe as të hapjes e të funksionimit të shkollave është një histori tashmë e provuar ndër shekuj mbi shkronjat dhe analfabetin tonë. 

                               Rilindësit dhe forcat përparimtare,

duke mbrojtur gjuhën shqipe kanë mbrojtur dhe mbrojnë kombin tonë

         Kjo është aq e vërtetë sa po të mos ishte këmbëngulja e përpjekjet maksimale, vërtetësia dhe mençuria, zgjuarsia intelektuale dhe patriotizmi i rilindësve tanë të mëdhenj e shoqëruar edhe me mbështetjen e popullit tonë trim e arsimdashës, gjuha e bukur dhe e pasur shqipe në mos do të ishte asimiluar së paku do të ishte sakatuar. Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes as roli i klerit në tërësi e veçanërisht i atij Katolik në veçanti, para së gjithash në Shqipërinë e veriut, në ruajtjen nga ndikimet e huazimet e huaja, të cilat shkallë- shkallë do të copëtonin e shkatërronin gjuhën tonë deri në atë masë sa në Shqipëri mund të shkohej deri në të folurit e  një sllavishteje të gjymtuar ose të një turqishteje të çalë. Ja pse ne kemi respekt të veçantë për De Radën, frashëllinjtë, At Shtjefën Gjeçovin e Negovanin për Fishtën e madh e dhjetëra rilindës fetarë në besim për kombëtar të mëdhenj, aq sa për shkronjat e të shkruarit dhe të folurit shqip sakrifikuan çdo gjë, edhe jetën e tyre, në këtë kuptim dhe me këtë vlerësim ne u jemi atyre mirënjohës për çdo gjë që ata bënë për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta pasuruar atë.

Gjuha shqipe | ILLYRIA
Gani Geci parashtron pyetjen: A më e vjetër është gjuha shqipe apo ...
Në njërën dorë kryqin në dhe në tjetrën thikën “ dhe “ Shpata e ...

           Sot ne kemi një gjuhë letrare shqipe të njehsuar, të ndërtuar mbi bazën e vlerave më të  mira të dialekteve kryesore, për të cilën ka rezerva e njëanshmëri në trajtimin e saj, të miratuara këto nga studiues të bunkerizuar mendërisht e politikisht, që parapëlqejnë krahinizmat dhe që përfaqësojnë grupe sociale nga më të ndryshme. Që gjithsesi besojnë se teoritë e tyre për nevojën e besimit në të folur dhe në të shkruar nuk do të ngjasi asnjëherë pasi ajo ka marrë fund tashmë konfirmimin institucional të gjuhëtarëve më të aftë të Shqipërisë dhe të trevave ku banojnë shqiptarët. Duke mbajtur këtë parim, ne nuk jemi nacionalist në ruajtjen dhe në transmetimin e traditës, të normave e të vlerave kulturore, simboleve dhe kulturës materiale duke përfshirë gjuhën tek brezat pasardhës çka duhet përgëzuar e përshëndetur shqiptarët e Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë disa vende të Evropës dhe të  Amerikës. Ndryshe ndodh shqetësimi tek qindra fëmijë emigrantë shqiptarë tek flasin në shtëpitë e tyre greqisht, anglisht, italisht e ku ta dimë se ç ‘gjuhë tjetër, por vetëm shqip jo. Jo vetëm shteti dhe institucionet e tij kanë për këtë përgjegjësi, por edhe familjet e tyre që siç duket disa prej tyre, e kanë ndoshta druajnë të  deklarohen se janë shqiptarë. 

Lidhur me procesin e gjatë  dhe objektiv të rritjes së kulturës gjuhësore të një kombi, A.Xhuvani, që në vitet 50-të të shekullit të kaluar shkruante: “Solocizmat janë gabime të pafalshme, të cilave duhet tu reshtemi aq sa edhe gabimeve të tjera. Për këtë duhet një studim i thellë dhe i plotë i gramatikës së përdorimeve … duhet të ndiqet edhe përdorimi i gjallë i popullit, edhe autoriteti i shkrimtarëve klasik. Ta kufizosh gjuhën në një cak të ngushtë shkrimi, kjo veç që e bënë gjuhën të lidhshme dhe pedentare, po është edhe një punë kundër natyrës së saj, pasi gjuha hynë në ligjet e evolucionit e nuk mund të shkarkohet pas dëshirës së një pale”.

                                Respekt dhe dashuri të vazhdueshme 

              për gjuhën shqipe, për brezin e sotëm dhe brezat që vijnë

Evropa e ka ndërruar me kohë formulën e didaktikës së gjuhës, duke përcaktuar drejtime të reja në fushën e emancipimit gjuhësorë.

Kanë kaluar më shumë se një shekull dhe sot, në punët e gjuhës, problemet me delikate dhe më të mprehta zënë fill që te interesimi i fëmijëve e të rinjve në shkolla e fakultete. Duhet të tregohemi vërtet të kujdesshëm për të njohur mirë pasurinë gjuhësore në të cilën ata nisin shkollën. Vetëm kështu, mësues e nxënës, mund të përshkojnë së bashku udhën drejt gjuhës amtare dhe drejt gjuhëve të mëdha të kulturës evropiane.

Libri i prof. dok. Gj. Shkurtaj “Si të shkruajmë shqip”, edhe pse kanë kaluar 12 vite nga botimi i tij, është një pasuri tjetër në fondin e veprimtarisë kombëtare dhe një apel për mësuesinë shqiptare në përgjithësi e administratën publike në veçanti. Pra, ka ardhur koha për ndjenjë e pasion, dashuri të lartë e, mbi të gjitha, respekt dhe vlera të mëdha për këtë thesar. E parë nga këta faktorë, të cilët duhet të njihen mirë, nga se kjo fushë e dijes është shenjë e parë dalluese e veçantisë kombëtare, brezat e sotëm dhe ato që do të vinë të dinë se kemi kapërcyer shumë shekuj përpjekje të këtij kombi, për t`i vënë këto në themelet e duhura e të shëndosha, të cilat qëndrojnë në ditët e sotme. Po për këto piketa ndërtimesh, është derdhur shumë gjak dhe është paguar shumë shtrenjtë gjuhësia shqiptare nga stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë.

Këtu më shumë se njëqind vjet më parë, Xhuvani, hapur thoshte për daljen në dritë të një gjuhe letrare të njësuar, pra të krijuara mbi baza të shëndosha letrare. Ai mbetet burrë i madh me zë e me nam në fushën e dijes gjuhësore. Por puna e këtij dhe shumë xhuvanëve të tjerë të gjuhësisë së sotme shqiptare, që i kanë dhënë dhe i japin kombit në fushën e dijes dhe të urtësisë për ç’do lami dhe këshillat e tyre nuk janë të kapshme e të rrokshme tek disa intelektual, mësues dhe punonjës të mediave të shkruara, të cilët po i fusin brirët gjuhës së sotme të njësuar.

Prof. Xhuvanit nuk i vinte fare rëndë që t`i shtrijë dorën për punën e madhe që kishin bërë në gjuhë dhe për gjuhën dy vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Edhe Noli, me urtësinë që e karakterizonte për vlerat njohëse të gjuhës e të kombit, pati thënë: “Lëvizja për të ngritur gjuhën shqipe në shkallë kombëtare nisi në Toskëri. (shih F.Agalliun, në “Gjuhën e Nolit”, Tiranë 1999). Këta dy dijetarë të mëdhenj, Xhuvani që i takonte të folurës veriore, ndërsa Noli i përkiste të folurës jugore, nuk vuanin nga bajraktarizmi as nga fise e klane shqiptare, të cilët i kapërcyen për t`u mbajtur kombi i patundur vetëm në saj të gjuhës së njësuar, për të cilën ballafaqohemi sot, aty këtu, edhe me telashe dhe shpeshherë edhe me synime ndarëse. Duke lexuar mediat e sotme, njeriut të ndershëm i bëhet sikur gjuha e sotme letrare standarde, e përcaktuar 50-vjet më pare, ka mbetur vetëm në letër, nuk ka arritur përgjegjshmëri ligjore dhe penalizuse, siç duhej të ishte. Ky shqetësim duhet të shoqërohet gjithnjë me një propagandë dinamike, ku vetë gjuha amtare të vlerësohet me maksimumin e kërkuar, e studimet mbi shqipen letrare të zënë vendin e merituar.

Si ja bëri Naimi i madh,të cilit s`i gjen dot asnjë barbarizëm në veprën e vet? Po Noli që mori guximin dhe solli në shqip Servantesin, Shekspirin dhe Khajanin? Po Konica, Kuteli, Poradeci, Xoxe, Agolli, Kadareja e plot të tjerë? Këta mjeshtra të fjalës, e gjetën të pa t“harur arën e fjalës, ama fjala u ndrit në fjali, prozë e poezi. Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës standarde mund të bëhet me masa të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë tamam shqip e prej zemrave që rrahin shqip. Gjuhën shqipe e kemi ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit. 

Mbrojtja e gjuhës shqipe të mbështet edhe në ligje shtetërore

Gjuha shqipe është, sot e mot, pasuri kombëtare bazë. Vetë proceset e hapjes, bashkëpunimit dhe të integrimeve rajonale ndërkombëtare, detyrimisht i japin mundësi edhe shqipes së folur dhe të shkruar të ecë natyrshëm në  zhvillimin e pasurimin e saj me simotrat e shumë vendeve të BE.

Është  fatalitet për ato vende me popullsi të vogël si Shqipëria, të shoqëruarit me rrezikun e depërtimit dhe përdorimit, vend e pa vend, të huazimeve në dëm të fondit autokton, duke kaluar shpesh në varfërimin e gjuhës letrare kombëtare. Këto marrëzi, që më mirë i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne (!). ky është një agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë nën kontroll, duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të posaçme, për ta mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe  dhe e patjetërsueshme me të cilën krenohemi.

Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të mos shkruhej e të përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit e mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht kur lindin dhe ekzistojnë, i mundëson shkolla që është institucioni bazë i mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore ka të mësuarit e saj, e që sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për ta komunikuar e shkruar saktë. 

                Më shumë vëmendje dhe masa konkrete

                për mërgimtarët dhe fëmijët e tyre

Për shqiptarët emigrues, me gjithë përpjekjet e ruajtjes së saj, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët mërgimtar. Është normale që, duke jetuar në një shoqëri ku flitet e shkruhet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca  e kufizimit dhe e shqiptimit të shqipes. Fëmijët po projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten. Pra emigrimi në përgjithësi dhe ai i fëmijëve në veçanti, krahas të mirave, mbart me vete edhe rrezikun e një asimilimi gradual të gjuhës, sidomos tek fëmijët shqiptar që jetojnë e mësojnë aktualisht në emigrim.

Faktet ekzistuese të një kombi përcaktohen, në fund të fundit, nga gjuha. Popullsia e një vendi që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë nuk e flet gjuhën e vet amtare, është e prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë e mbetet një ndër komponentët kryesorë të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi vertikal, humbet sigurinë e bëhet më skeptik ndaj vetvetes.

Gjuha shqipe ka një zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur, ka tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve indo-evropiane, pra veçohet si një ndër më të vjetrat në Evropë dhe Ballkan. Këtu më vjen ndërmend një thënie e një mërgimtari: gjuha është e vetmja armë që vërteton që jemi shqiptar!

Studimi i shqipes është i lidhur ngushtë me interesin kombëtar

Në Shqipëri dhe diasporë gjuhësia krahasimtare ka patur arritje me vlera të mirëfillta shkencore dhe gjithnjë gjuhëtarët tanë të nderuar hedhin dritë në raportet e shqipes me gjuhët e tjera. Studimi i shqipes, përveç interesit shkencor, është i lidhur ngushtë me interesat tona kombëtare. Qëndrojmë para një fakti shumë të bukur, shumë interesant, që jo vetëm gegërishtja, por edhe gjuha e diasporës, sidomos e arbëreshëve të Italisë, tek e cila, në mes shumë barbarizmave, gjenden thesare të vërtetë, janë format më të vjetra të shqipes. Këtu kujtojmë përpjekjet gjashtëdhjetëvjeçarë të prof. Shkurtaj, si njeri i nderuar, pasionant, intelektual me interes të paparë shkencor, studiues dhe hulumtues i gjuhësisë shqiptare në tërësi dhe arbëreshëve të Italisë  ne veçanti. Domosdoshmëria e ndryshimeve sa vjen e rritet. Kërkohet të kemi impenjim historik për këtë çështje, duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatlantike, pasi dhe lëvizja e lirë e këtyre njëzet vjetëve i ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët e kulturat e popujve të tjerë.

Në këto 112 vjet të Pavarësisë Kombëtare, realiteti i shoqërisë shqiptare ka fituar qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe sjell ujëra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, ka marrë forma të personaliteteve që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri tek ai i Qoses e Kadaresë. Indiferentët dhe dembelët dhe ata që s’respektojnë parimet e gjuhës standarde shqipe, që nuk vazhdojnë rrugën e Rilindësve tanë, historia do t`i dënojë. Nga Bostoni i Amerikës, Konica shprehej: “Erdhi më në fund edhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, kohë plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes”.

I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri kur, në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd!

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT