Prof. Begzad Baliu/
Profesor Shefki Sejdiu në jetën tonë universitare ka sjellë pamjen më tipike të Profesorit model për shumë breza studentësh, prandaj ai do të kujtohet gjithnjë mes nesh, për ligjërimin e tij, për diskursin e urtë të tij, për fjalën korrekte të tij, për komunikimin brilant të tij, për diskutimet dhe të menduarit të tij, për gjykimin autoritar të tij, në të vërtetë për fytyrën europiane të tij.
Profesor Shefki Sejdiu në jetën tonë shkencore do të kujtohet prej bashkëkohësve të tij, për veprat shkencore dhe në mënyrë të veçantë për kumtesat dhe konferencat shkencore, në të cilat ai rreth gjysmë shekulli, me kërkimet e tij solli një frymë tjetër hulumtimi, një pamje tjetër diskutimi e gjykimi, në të vërtetë frymën tipike europiane dhe universale të kërkimeve bashkëkohore të tij.
Megjithëse nuk e priti 1 janarin e vitit 2024, hapjen e dyerve të Europës për Republikën tonë, Profesor Shefki Sejdiu në Kosovë dhe në këtë shoqëri ishte fryma tipike europiane. Ai dhe brezi i tij sollën të parët mesazhin e dijes europiane dhe të sakrificës demaçiane.
Brezi i tij që vuri themelet e Republikës sot po ikën, por jemi ne, ata që do t’i nderojmë dhe përcjellim mesazhin e tyre tek brezi tjetër.
Profesor Shefki Sejdiu në jetën tonë kombëtare, me jetën dhe me veprën e tij, me pamjen fizike, me veshjen dhe madje me mënyrën e të ecurit, me natyrën e nderimin për tjetrin, ka sjellë një frymë të veçantë kolegjialiteti, e cila do t’i mungojë Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve të tjera arsimore e shkencore, do t’i mungojë qytetit të Prishtinës, Kosovës dhe hapësirës shqiptare.
Pusho në paqe Profesor i dashur!
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!