– mbresë leximi –
Visar Zhiti
Realiteti, tashmë edhe letrar i shqiptarëve, është pasuruar me jetët larg, jashtë Atdheut, nëpër botë, ku përpjekja për të arritur ëndrrën ka përplasje, humbje, dashuri, vështirësi plot, por gjithsesi shpalosje të forcës së njeriut në atë që quhet aq ftohtë me një fjalë: “integrim”.
Përkundrazi në letra kjo vjen marramendshëm, na i tregon bukur dhe Mirela Kanini, bijë shkrimtareje ndërkaq, mërguar familjarisht në SHBA, e cila si pakkush i është përkushtuar romaneve. I ka botuar në Tiranë, duke tërhequr vemëndjen e lexuesit edhe në diasporë. Dy më të fundit na i dhuroi dhe neve, jemi afër…
“Mëkatet e Zonjës Ema” dhe “Klienti”, botime të “Albas”, lexohen me ëndje, me kërshërinë se si është jo vetëm fati i shqiptarëve në një shtet të madh, metropolitan edhe në teknikë e në të menduar e në të ndjerë, por si është dhe e përditëshmja e tyre në atë realitet aq modern e aq të shfrenuar.
Në romanet e Mirela Kaninit personazhi shqiptar, grua, Ema apo Ana, kanë besueshmëri, janë të thjeshtë, njerëzorë, pa komplekse penguese a i tejkalojnë ato, natyrshëm madje, guximtarë, të shoqërueshëm, me miq, e shohin jetën në sy, dinë të duan, të vuajnë dhe të arrijnë, ndërsa imazhi i Shqipërisë ka një si përndritje të vegimtë, gjithsesi avionët fluturojnë normal dhe për në Rinas.
Romanet e Mirela Kaninit janë triller me aksion dhe enigma nga ato që shkaktojnë krimet që do zbulohen në fund, me befasira si skenare filmikë holliwoodianë, me llapsje psikologjike si ndriçime të fenerëve të makinave, është familja me krizat e saj sot dhe individi i traumatizuar, etj, ku mes kësaj shoqërie lëvrijnë dhe shqiptarët e saj dhe si rrugëzgjidhje për mbijetesë shpirtërore, jo ekonomike, që duket si e zgjidhur, mbetet ajo që ka qenë, e lashte sa vetë njeriu: dashuria. E sinqertë për veten dhe tjetrin, po aq njëlloj, dhe për jetën pafund.