Nga Shefqet Kërcelli/
Mesditën e datës 23 tetor 2016, në qytetin e Sarandës u zhvilluan homazhe në nderim të ushtarëve amerikanë e britanikë, që humbën jetën në Luftën e II Botërore dhe incidentin e Kanalit të Korfuzit. Gjatë këtyre homazheve, anëtarë të shoqërisë civile dhe banorë të Sarandës bënë thirrje për të përkujtuar plot 150 dëshmorë të forcave aleate, që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe marinarëve britanikë të vrarë 70 vite më parë, në një incident tragjik, ku destrojerë britanike hasën në minat detare në kanalin e Korfuzit.
Në emër të Presidentit të Republikës, Shtabit të Forcave të Armatosura të RSH, disa ambasadave të akredituara në vendin tonë dhe më shumë se 20 organizatave të shoqërisë civile, rreth orës 13:00, që përkon dhe me momentin e ndodhjes së incidentit, u hodhën në det kurora me lule.Këto homazhe u bënë gjithashtu për të përkujtuar dhe tre zbarkimet më të mëdha të forcave aleate angloamerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Sarandë, Himarë dhe Kakome. Tashmë dihet se për mëse 50 vjet është mohuar ndihma dhe kontributi i aleatëve amerikanë dhe anglezë për clirimin e vendit tonë dhe Ballkanit në përgjithësi gjatë Luftës së IIBotërore. Janë qindra ushtarë amerikanë dhe britanikë që operuan në terrene të ndryshme të vendit tone, përfshi dhe misionet ushtarake të atashuar në kampet e ndryshme politiko-ushtarake në Shqipëri, ndërsa dhjetra prej tyre dhanë dhe jetën. Vetëm në luftën e forcave aleate për çlirimin e Sarandës kanë humbur jetën 24 ushtarë të forcave aleate. Në nderim të këtij akti sublime dhe ndihmës njerzore e materiale, në qytetin e Korcës është ngritur një memorial i thjeshtë për kontributin e ushtarëve amerikanë dhe në qytetin e Tiranës për ata britanikë. Homazhet e zhvilluara në qytetin e Sarandës shprehin një simbolikë të qartë se, populli shqiptar i është mirënjohës sakrificës, jetës dhe veprës të këtyre luftëtarëve që kontribuan në clirimin e Shqipërisë nga nazifashistët.