
Nga Merita B. McCormack*/
Nëna jonë , e bukura , e përulura, e durueshmja dhe artistja në shpirt e jetë, kaloi në Përjetësi.
Ajo e la këtë botë të enjten në mëngjes, më datën 25 Qershor 2026, pas disa orëve të shkurtra vuajtjeje fizike, ndërsa shpirti i saj u nda paqësisht nga trupi.
Familjarët dhe personeli mjekësor ishin pranë saj.
Hamide “Artemi” Bajraktari lindi 90 vjet më parë në Zëmblak, Korçë, Shqipëri. Ajo ishte vajza e dytë në një familje ku djemtë ishin më të shumtë.
U rrit në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë përjetoi realitetin e ashpër të jetës si vajza e një Kulaku nën diktaturën komuniste në Shqipëri.
Ajo përjetoi persekutim politik mizor.
Shtëpia e familjes u konfiskua nga shteti komunist, kur ajo ishte adoleshente, duke i lënë pa strehë ose mbështetje ekonomike.
Mes urisë dhe vështirësive, nëna jonë mbeti jashtëzakonisht e bukur, e papërkulur dhe e fortë. Ajo mësoi të qepte rroba dhe zhvilloi një dashuri të thellë për artin. Këmbëngulja e durueshme e babait tim në punët e zemrës dha frut, dhe ata u martuan më 26 nëntor 1959.
Prej martesës së tyre lindëm ne , fëmijët e tyre, dhe lidhja e prindërve mbeti e thellë dhe e qëndrueshme për 66 vite, deri në ndarjen nga jeta të babait në vitin 2025..
Nëna e donte vërtet babain tonë dhe secilin prej nesh me gjithë zemrën e saj.
Ajo vuajti shumë kur persekutimi politik u shtri edhe tek ne, fëmijët e saj. Megjithatë, pavarësisht se kishte çdo arsye për tu hidhëruar e shprehur hidhërimin, ajo kurrë nuk na ngarkoi ne me dhimbjen e saj. Gjithçka që ne mbajmë mend e kujtojmë janë ditë e net të gëzueshme familjare, të mbushura me dashuri, humor, këngë e valle në raste të gëzueshme dhe lutje e respekt të thellë në kohë zie.
Nëna ishte një zonjë shembullore, elegante — një rrobaqepëse e talentuar që përgatiti shumë paja për vajzat që bëheshin nuse, një kuzhiniere e shkëlqyer dhe një artiste e talentuar që krijonte bukuri nga letra të thjeshta me ngjyra deri në kultivim kopshtesh të bukura me lule. Ajo respektonte të moshuarit dhe mësonte të rinjtë me mençuri e durim . Ajo e kuptonte thellësisht se çfarë do të thoshte të jesh njëherësh edhe nuse dhe vjehërr. Mbi të gjitha, ajo e dinte se ishte një vajzë e dashur e prindërve të saj dhe një fëmijë i dashur i Zotit, në të cilin ajo besonte me besnikëri.
Ajo e la këtë jetë e rrethuar nga dashuria, duke dhënë vazhdimisht dashuri për të tjerët, deri në fund. Ndërsa trupi i saj tani pushon në një varr pranë babait tim, ne, fëmijët e saj, nuk mundëm të mos thoshim teksa largoheshim nga shërbesa në varrezat shqiptare në Toronto:
“Këndofsh përjetë në Parajsë Mami!”
Pusho në paqe, o Nënë e shtrenjtë !