Shkruan: Zymer Ujkan Neziri*/
Sylë Mehmeti, ndër personalitetet më të njohura të Rugovës,nga Rilindja Kombëtare e këndej, lindi më 1913 në Shtupeq të Madh, në lagjen Kuklecaj, vendbanim i dëshmuar para rreth 700 vjetësh. Pak para lindjes së tij, në tetor 1912, u sulmua Kosova dhe u pushtua edhe Rugova nga Mali i Zi, kjo krahinë e njohur e Kelmendit në Alpet Shqiptare. Pas rënies së Kolashinit e Beranës dhe luftimeve të rugovasve nëÇakorr e Mokna, të ndihmuar edhe nga luftëtarë të tjerë, afër nëntë mijë(Cana 1997:101), qëndresa e fundit kundër gjeneralit Janko Vukotiq u bë në Shtupeq, në venddlindjen e Sylës, në fund të tetorit 1912. Edhe aty pati luftime të përgjakshme, ku dhanë jetën edhe 50 dëshmorë (Harapi 2004:37), për të cilët, pranë shtëpisë së Sylë Mehmetit, u ngrit më 2012 pllaka përkujtimore në 100-vjetorin e rënies së tyre heroike. Pas krahinës së Rugovës ra edhe Peja me rrethinë,më 30 tetor, e katër ditë më vonë edhe Gjakova. Filloi terrori mbi shqiptarët.U pushkatuan rreth katër mijë banorë të Rrafshit të Dukagjinit. (Krasniqi 1985:97-98).Vazhdoi çarmatosja, ndërrimi i plisitme kapicën dhe ndalimi i gjuhës shqipe, dhunimet e plaçkitja e pasurisë, ngujimi i thive në xhami dhe ndërrimi i fesë, madje edhe i shqiptarëve të besimit katolik, për t’i kthyer në ortodoksë, dhe vrasja e priftit katolik, patër Luigj Palaj, si dhe torurat mbi gra e burra: prerja në bark e grave shtatzëna, dhunimi i grave para burrave, pjekja e syve të burrave në derë të stufës së ndezur, shtrëngimi i kokës me mengele, lyerja e duarve me vajguri dhe djegia për së gjalli (Harapi 2004:81-86). Edhe Kuklecajt e Sylë Mehmetit pësuan keq. U pushkatuan disa burra të shquar të kësaj vëllazërie të Nikçit. U pushkatua edhe gjyshi i tij, Zekë Ibra, me dymbëdhjetë të tjerë.Ata, më 1912 e tutje, kështu vepruan edhe në krahinën fqinje të Rugovës, në Plavë e Guci, me urdhër të mbretit Nikollë të Malit të Zi, që për gjysmë shekulli mbajti qëndrim armiqësor dhe pushtoi shumë krahina të Shqipërisë, nga Tivari e e Malësiae Madhe, deri në Plavë e Pazar, me lejen e Fuqive të Mëdha, nëtë cilat, për shkak të procesit të asimilimit, sot vetëm një pakicë e popullsisë flasin shqip.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në vjeshtë 1918, Mali i Zi me Serbinëi sulmuan përsëri viset shqiptare dhe Rugovën. E Rugova, si gjithmonë, rezistoi prapëme armë në dorë, disa muaj, deri në shkurt 1919. Në histori është e njohur edhe Beteja e dytë e Shtupeqit, në shkurt 1919, me rreth një mijë kryengritës, ku ranë dëshmorëedhe bajratari Mehmet Shabi dhe ndihmësi i tij BekëHyseni, të Bajrakut tëShtupeqit të Vogël. (Neziri 1997:177-182).Sylë Mehmeti, si edhe brezi i tij i mitur, që ishin me fat dhe qëshpëtuan gjallë, e përjetuan rëndë luftën, sidomos masakrën e 16 shkurtit 1919, te Hani i Isufit në Shtupeq të Madh. Aty u vranë dhe u dogjën edhe shumë pleq, gra e fëmijë nga ushtria e Malit të Zi dhe e Serbisë. Rikthimi i këtyre pushtuesve i kushtoi shumë krahinës së Rugovës. Ranë rreth 500 dëshmorë e martirë, kurse shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën. Nga ta, vetëm nga dy Shtupeqet ishin rreth 200 (Neziri 2004:9).Keq kaluan edhe Kuklecajt, se patën shumë të vrarë. Edhe Plava e Gucia pësuan përsëri shumë keq. Shqiptarët shpresonin në ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën e patën nga Vilsoni e deri te Klintoni dhe e kanë edhe sot. Një grusht i rëndë për Sylën e për Rugovën qe edhe vendosja e dhunshme e kolonëve sllavë në vendlindjen e tij. Rugova u zbraz në shkurt 1919 dhe u shpërngul për disa vite, pjesërisht në Rrafshin e Dukagjinit e më shumëikën nëMalësi tëGjakovës dhe në vise të tjera. Dan Bardhoshi i katundit Graboc, afër Pejës, familje njohur atdhetare, e strehoi familjen e Sylës, rreth një vit e gjysmë. Mandej, familjae tij u vendos në katundin Cërrcë, tash Komuna e Burimit (Istog), e pastaj, pas rreth tri vjetësh, janë kthyer në Shupeq.
Shkollimin fillor,Syla e kreu në vendlindje. Për çështjen kombëtare u përcaktua që nga rinia e hershme. Familja e tij ishte dëshmuar edhe në Rilindjen Kombëtare dhe në Betejën e famshme të Nokshiqit, më 1979, për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë nga pushtimi i Malit të Zi, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit.
Ndërmjet dy luftërave botërore, Sylë Mehmeti pati respekt të madh ndaj dy udhëheqësve rugovas të rezistencës kombëtare dhe të bashkimit kombëtar, Ker Sadria nga Stakajt e Sali Rama nga Bogët, si dhe ndaj Jashar Haxhëssë Drelajve, që u bë sinonim i luftëtarit të lirisë, më 1921, duke luftuar me një ushtri dhe duke mbrojtur nderin e familjes dhe nderin e Rugovës. Në vitet ’30, në Rrafshin e Dukagjinit, u bënë të famshëm edhe Rexhep Sokoli e Selman Kadria, që në brezin e Sylës e forcuan ndjenjën atdhetare të rezistencën kombëtare kundër robërisë jugosllave.
Sylë Mehmeti në Luftën e Dytë Botërore
Gjatë Luftës II, Syla veproi aktivisht në mbrojtjen e kufirit nga Mali i Zi.Në prill 1941, kur ra Jugosllavia e Parë, u formuna 6 grupe të armasoruara, njësi lufte me nga 100 luftëtarë, për mbrojtjen e kufirit të Rugovës nga sulmet e çetnikëve dhe të partizanëve të Malit të Zi. Komandant i përgjithshëm ishte Zhukë Haxhia i Stakajve, nip i Çelë Shabanit të njohur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse Rizë Zymeri i Koshutanit, nga dera e Zhuj Selmanit të famshëm, ishte komandant politik. Sylë Mehmeti u rreshtua në grupin e pestë, të cilin e komandonte Haxhë Mustafa, kushëri i tij. Në Mokna Syla u plagos. Mori pjesë edhe në Luftën e njohur të Pazarit të Ri.
Pas Luftës II, Zhuka ishte kryetar i Rugovës, por shkurt, e pastaj Syla u bë kryetar në vend të tij dhe u përpoq për mbrojtjen e krahinës së Rugovës nga masakrat e reja të brigadave partizane dhe të pushtetit, pas pushkatimit të shtatë burrave në lagjen Nilaj të Shtupeqit të Vogël.Syla kreu detyrën e kryetarit të komunës, por punoi fshehurazi edhe në lëvizjen e rezistencës dhe në NDSH. Syla ishte edhe kryetar i Komitetit të Nëndegës së NDSH-së. Mori pjesë edhe në Kuvendin e NDSH-së në fshatin Nakëll, afër Pejës, dhe ishte ndër organizatorët kryesorë të tij.
Në krye të Komitetit te NDSH-së në Rugovë
Imer Berisha, nga kreu i NDSH-së, që vepronte në Pejë, sipas Isuf Dashajt, u takua me Sylë Mehmetin në mars 1947 dhe ia paraqiti materialin e KQ të NDSH-së. Syla mori përsipër formimin e Nëndegës, e formimi u realizua më 17 maj 1947. Syla zgjidhet kryetar i Komitetit të Nëndegës së Rugovës, ku anëtarësohen 43 rugovas. (Mehmetaj 2016:176, 259). Nëndega ka pasur për detyrë ta bëjë edhe mobilizimin e popullatës, në rast nevoje. Qëllimi: bashkimi me Shqipërinë.Syla u betua se po ra në burg, përgjegjësinë e merr mbi vete. Gjatë hetuesisë nuk i tregoi shokët. Qëndresa e tij u kthye në legjendë. Ashtu kujtohet edhe sot.
Në burgjet jugosllave nga marsi 1950
Sylën e burgosin në Pejë, nëmars të vitit 1950. Në atë kohë ranë në burg edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare nga Rugova e Peja me rrethinë, të profesio-neve: nëpunës, mësues e hoxhë, bujk e punëtor dhe zejtar. Sylën e gjykuan në shtator 1950, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për ”veprimtari kundër popullit e shtetit”, e dënuan tetë vjet, e bashkë me të u dënuan edhe Kurtesh Basha, Rifat Nushi, Ramë Hajredini, Gani Kastrati, Sylë Shala, SalihKelmendi, BekëTafili, Ali Gashi, Sali Hasani, Fatmir Goranci, Mehdi Kryeziu, Sami Peja, Brahim Meta, Musë Gjuka, Faik Basha, Ramë Maloku. (Keçmezi-Basha 2009:148-149). Dënimin e kreu në Burgun e Nishit, me hetime të gjata, tortura të rënda e izolime. Sipas Zymer Sylë Mehmetit, tentojnë edhe ta vrasin, madje, në korrik 1952, dërgojnë telegram në familje se Sylë Mehmeti ka vdekur. Pas dy muajsh, në spital, i rikthehet jeta, por hetimet e torturat nuk ia ndalin. Ia ndalin edhe vizitat për tri vjet, e më 1955 prapë e sjellin buzë vdekjes. Për 6 vjet në Nish ka pasur vetëm tri vizita. (Mehmetaj 2016:197). Pas tetë vjetësh Syla u lirua, por e riburgosin në dhjetor 1958, duke e konsideruar si të papërmirësueshëm. Edhe dy vjet i kaloi në Goli Otok, në burgun famëkeq, pa vizita, e sipas Istref Zenelit e Cufë Sokolit, atyvuajti dënimin së bashku me atdhetarët e njohur: Zhukë Haxhia, Sali Rama, Haxhë Keri, Bajram Haxhia, Bajram Rama, Rexhep Taku, Arif Reku, Azem Jakupi, Ali Hysi, Cenë Ujkani, Selim Rrustemi, Ramiz Rexha, Adem Arifi, Arif Ramadani, Nezir Hoti, Isuf Dellova, Zenel Kabashi, Zekë Bajraktarietj. (Mehmetaj 2016:240,304). Syla në burgje u bë sinonim i burrrit se si ruhet dinjiteti njerëzor e kombëtar. Qëndresa e tij ishte e jashtëzakonshme. Ishte aq i pathyeshëm, sa u bë shembull se si ruhet dinjiteti njerëzor e kombëtar.
Sylë Mehmeti pas burgut
Edhe pas burgut, Sylë Mehmeti konsiderohet simbol i qëndresës në Rugovë, në Pejë dhe në Rrafsh të Dukagjinit. Ai ishte shëmbëlltyrë atdhetare e brezit 1968 të Isa Demajt, e brezit 1981 të Ali Lajçit dhe e brezit të luftës 1997-1999. Në këtë luftë mori pjesë e tërë familja e tij. Në brigadën 136 “Rugova” pati dy djem, Zymerin e Mehmetin, e dy nipa, Ilirin e Arbanin. Edhe dy djemtë e tjerë, Brahimi e Rexhepi, që u vranë afër Kukësit, nga vrasës ende të panjohur, në gusht 1999, e ndihmuan luftën nga mërgata. Brahimi, pjesëtar i brezit 1981 dhe i burgosur politik, mori pjesë edhe në Luftën e Koshares dhe për kontribut të dalluar në këtë luftë u shpall dëshmor.
Atdhetari Sylë Mehmeti vdiq më 4 shkurt 1990 dhe u varros në Pejë me nderime të mëdha. Në përvjetorin e vdekjes u përkujtua sivjet në Pejë, më 4 shkurt, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës. Salla ”Istref Begolli”’ ishte e stërmbushur. Nga brezi i tij i të burgosurve politikë ishte i pranishëm edhe atdhetari i njohur dhe profesori universitar Hajrullah Gorani, veprimtarë të brezave ’59, ’68, ’81 dhe të brezit të UÇK-së. Në këtë akademi përkujtimore, e drejtuar nga veprimtarja e njohur Fetnete Ramosaj,folën Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës, Gazmend Muhaxheri, kryetar i komunës, prof. dr. Lush Culaj, recensues, dhe Shefqet Kelmendi, bashkëpunëtor. U përurua edhe monografia për Sylë Mehmetin, e autorit Faton Mehmetaj, u shfaq filmi dokumetar i Fatos M. Lajçit dhe u hap ekspozita e fotografive.
Për Sylë Mehmetin, në vjeshtë 2015, nga Këshilli Organizues i shënimit të përvjetorit të tij, u dërgua propozimi në Presidencat tona shtetërore në Tiranë e në Prishtinë, për dekorimin e tij për veprimtari atdhetare, me arsyetimin se Sylë Mehmeti është ndër burrat më të shquar të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.
* E dergoi per Diellin, Shaqir Salihu