
Endrit Topalli/
E para: Studentët janë krenaria kombëtare! Janë dëshmia se Shqipnia ka ende të rinj që nuk pranojnë me ulë kokën përballë padrejtësisë, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.
E dyta: Ka ardhë puna aty ku nuk mban ma ujë pilafi! 135 ditë protestë paqësore dhe askush nuk ua vuni veshin! Deri para katër ditësh, nëpër studiot televizive, dëgjonim të njëjtët analistë që thoshin se protestat paqësore nuk sjellin rezultat. Dhe ja ku erdhëm! Ndodhi ajo që pritej. Kur një popull nuk dëgjohet për kaq gjatë, pakënaqësia vetëm sa grumbullohet.
E treta: Historia na ka mësue se revolucionet dhe lëvizjet e mëdha qytetare kanë sjellë ndryshime rrënjësore. Asnjë sistem nuk asht i përjetshëm dhe asnjë pushtet nuk qëndron mbi vullnetin e popullit.
E katërta: Për pseudo-gazetarët dhe panelet televizive: MJAFT me pyetje idiote të tipit: “Cilat janë kërkesat tuaja?” A thue se 135 ditë protestë nuk kanë mjaftue për me i kuptue kërkesat e studentëve! Detyra e gazetarisë asht me kërkue llogari prej pushtetit, jo me i vendosë studentët në bankën e të akuzuarve.
E pesta: Studentë, mos bini pre e dezinformimit në rrjetet sociale! Propaganda, lajmet e rreme dhe përpjekjet për me ju përça janë kërcënime serioze për mbarëvajtjen dhe besueshmërinë e protestës suaj. Verifikoni informacionin dhe rueni unitetin!
E gjashta: Distancohuni nga individët e infiltruar dhe aktet e dhunes ndaj prones private dhe nga kushdo që përpiqet me e përdorë protestën për interesa personale apo politike. Mos lejoni që sakrifica juaj të manipulohet, të komprometohet apo të devijohet nga qëllimi i saj.
E shtata: Për Policinë e Shtetit: Ju jeni në shërbim të qytetarit, jo të pushtetarit! Uniforma nuk ju vendos mbi ligjin. Çdo akt dhune të paligjshme, çdo abuzim me autoritetin dhe çdo shkelje e të drejtave të qytetarëve duhet të sjellë përgjegjësi ligjore. Ju jeni shërbyes të popullit, jo pronarë të tij!
E teta: Studentë, mos u tërhiqni nga kërkesat tuaja për ndryshimin e këtij sistemi! Qëndroni të vendosur, të bashkuar dhe të palëkundur në protestën tuaj. Shqipnia ka nevojë për ndryshim të vërtetë, jo për riciklim të të njëjtave figura dhe të njëjtit mentalitet politik.
E nënta: Kryeministër, JEP DORËHEQJEN! Për mua, do të mbahesh mend si një ndër kryeministrat ma të korruptuar në historinë e Shqipnisë. Për hir të egos personale dhe mbajtjes së pushtetit, po sakrifikon të ardhmen e vendit tonë. Shqipnia nuk asht prona jote dhe pushteti nuk asht trashëgimi personale!
E dhjeta dhe e fundit: Për diasporën shqiptare në Amerikë dhe shoqatat që veprojnë këtu: Vazhdoni e flini gjumë! Vazhdoni me heshtjen tuaj ndërkohë që rinia shqiptare proteston për të ardhmen e vendit. Ah, se për pak harrova: Mos harroni me festue 28 Nandorin! Me flamuj, fotografi, darka gala e fjalime patriotike! Se me sa duket, patriotizmi për disa fillon e mbaron me një fotografi para flamurit kuqezi.
Atdheu nuk ka nevojë vetëm për patriotë të 28 Nandorit. Ka nevojë për njerëz që i dalin zot çdo ditë!
Studentët sot nuk po kërkojnë vetëm një të ardhme ma të mirë për veten. Ata po luftojnë për një Shqipni ku ligji të jetë mbi pushtetin, ku dinjiteti të mos blihet dhe ku e ardhmja të mos jetë privilegj i një pakice.
Rrnoftë Shqipnia!