

Hysen S. Dizdari/
Më 2 korrik 2020, Posta e Kosovës emetoi një emision përkujtimor me rastin e 30-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Emisioni, i titulluar “30-vjetori i Deklaratës Kushtetuese”, përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale 2 euro. Kjo pullë përkujtimore ka një rëndësi të veçantë historike, pasi përkujton dhe nderon guximin e delegatëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në rrethana tejet të vështira të okupimit serb, më 2 korrik 1990 miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin politik dhe juridik të Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Më 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës e shpallën Deklaratën Kushtetuese para ndërtesës së Kuvendit, në shkallët e saj, pasi autoritetet serbe nuk i lejuan të hynin në sallën e Kuvendit. Ky akt u zhvillua në kushte të jashtëzakonshme presioni politik dhe represioni, por u shndërrua në një dëshmi të vendosmërisë së përfaqësuesve të popullit të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e tij kushtetuese.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 proklamoi të drejtën sovrane të popullit të Kosovës, duke përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të Federatës Jugosllave, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të imponuara nga Serbia në vitin 1989.
Në tekstin e Deklaratës thuhej: “Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës, raportet e veta në rregullimin kushtetues të Jugosllavisë i bazojnë në Kushtetutën ekzistuese të Jugosllavisë e jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989; me këtë shfuqizohet edhe vendimi i Kuvendit të Kosovës i 23 marsit 1989 për dhënien e pëlqimit ndaj këtyre amendamenteve.”
Deklarata Kushtetuese përbënte një akt me rëndësi të jashtëzakonshme juridike dhe politike, pasi riafirmonte subjektivitetin kushtetues të Kosovës dhe shprehte vullnetin e popullit të saj për vetëvendosje dhe barazi. Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, populli i Kosovës vazhdoi përpjekjet për liri dhe pavarësi përmes rezistencës paqësore. Më pas, lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e mbështetur nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s, çoi në çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke u konsoliduar si Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i njohur nga një numër i konsiderueshëm shtetesh në mbarë botën.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës përjetësoi në mënyrë simbolike një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të vendit. Pulla postare nuk shërben vetëm si mjet i komunikimit postar, por edhe si dokument kulturor e historik, që ruan në kujtesën kolektive një akt vendimtar në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës.