Tregim nga Memisha Gjonzeneli*/
Para disa viteve shkova me pushime në qytetin e Vlorës. Në atë Vlorë që unë e dua aq shumë. Gjithnjë, gjëja e parë që bëj, kur shkoj çdo verë për pushime në qytetin tim të lindjes, është vizita në varreza, ku përshëndetem e bisedoj me prindërit, që më lindën e më rritën me aq mundime. Edhe kësaj radhe, bleva disa tufa me lule, mora një taksi dhe u nisa për në Tragjas, ku edhe janë varrezat tona tradicionale. Isha shumë i malluar. Rruga nga Vlora në Tragjas ishte një mrekulli. Ai bregdet, me pamjet dhe bukurin e rrallë, s’ka të paguar. Kur mbërritëm në Radhimë, te ura, ku unë punova 17 vite, u pushtova nga kujtimet.
Shumë ngjarje jetike të dhimbshme, më kalonin ndër mend si në një film me seri të pafundme. I them shoferit: të lutem, miku im, ec me ngadalë, se kam qejf ta shijoj në kompleks, këtë mrekulli, që se gjen kund, se më ka marrë malli për çfarë ka ngjarë, çfarë kam hequr e çfarë kam vuajtur këtu. Rrugës shoferi më foli nja dy herë, po unë, as që e dëgjova fare. Në tjetër vend e kisha mendjen. Ai nuk më kuptonte mua çfarë mendoja dhe ëndërroja me sy hapur. Nuk më njihte fare dhe nuk ishim takuar tjetër herë, për të, unë isha një pasagjer i radhës…
Më së fundi mbërritëm në varreza… Shkova drejt te varri i prindërve. U fola me zë, mall e dashuri: erdha të dashurit e mi, vura lulet, putha dhe mermerin me mall dhe sytë mu mbushën me lot. U përkula para tyre me nderim e respekt dhe shkova nga motra dhe gjyshja, vendosa edhe atje lulet dhe më së fundi, u largova i lehtësuar shpirtërisht, se kisha kryer një detyrë njerëzore…
Qëndruam te këndi, ku një rrugë shkonte për në fshatin Tragjas qendër dhe një rrugë të çonte në qytetin Orikum. E dija se aty ishte një klub që shërbente kafe dhe pije alkoolike dhe u nisa të veja te klubi, për të kënaqur dhe shoferin e taksisë.
Kur zumë vend dhe u rehatuam në Klub, te rruga para, më tërhoqi vëmendjen një grua pak e moshuar, që po afrohej me një mushke, që e mbante për dore. Kur erdhi afër nesh, një fshatar, edhe ai i moshuar, që po pinte kafe pranë meje, i foli:
-Moj Meze, ku do shkosh që pa gdhirë? Ajo u përgjigj:
-Do i çoj bukë djalit!
-Po ku është djali? e pyeti ai prapë.
-E kemi lenë që do të takohemi te “SHKËMBI I BALLISTËVE”!
Ai qeshi dhe pa nga unë, se çfarë do i thosha. Po unë vura gishtin te buza, me porosi të mos e shtynte më tej…
Fshatari plak, që më njihte mua, filloi t’u tregonte atyre aty, historinë e “Shkëmbit të Ballistëve”.
Unë e dëgjova i trondita dhe u ktheva plotësisht në kujtimet e të kaluarës, para 50 vjetësh, që lidhen me një toponim të pagëzuar rishtazi, si “SHKËMBI I BALLISTËVE…”
Ishte viti 1968, pikërisht, data 20 prill …Kishim mbaruar së ndërtuari gaz sjellësin Azotik – Divjakë dhe na caktuan si brigadë, të punonim te një objekt në Uzinën e Azotikut Fier. Hëngrëm bukën e drekës dhe u shpërndamë në frontet e punës . Unë saldoja një pajisje, qe ishte pak speciale. Ajo kërkonte mjeshtëri dhe kujdes, se nga shkalla e shpejtësisë së ecurisë në saldim, mund të deformohej. Kisha fare pak kohë që kisha nisur të saldoja, kur dikush me goditi lehte në kurriz. Në fillim nuk u përgjigja, po goditja u përsërit, kësaj here më e fortë, ngrita maskën, kur i befasuar, shikoj … një polic.
-Ti je Memisha Gjonzeneli, me pyet polici;
-Po, i them unë.
-Ti duhet të vish me mua, se të kërkojnë në Degën e Punëve të Brendshme në Vlorë!
U trondita. Në çast mendova se më erdhi radha për t’u arrestuar. Shpejt e mblodha veten dhe thashë: po te qe për arrestim, nuk do të vinte vetëm një polic…
Kur e pash më mirë policin, mu duk person i njohur. I them policit:
-Ti, më duket, se je nga Tragjasi!?
– Po, tha ai, jam nga Stepajt.
Njerëzit po mblidheshin, se shikonin prezencën e një polici dhe bëheshin kurjoz. Atëherë unë i them policit:
-Të lutem, me lejo dhe pak, të mbaroj saldimin, se dhe pak ka, dhe pajisja do deformohet, po nuk u bë tani, është problem teknik. Në fillim ai nuk pranoj, po unë ngula këmbë dhe i thashë: ndryshe do behet problem shtetëror.
-Mirë, me tha mua, po mos na ndodh ndonjë gjë, se për ju ka një problem…
-Jo, i thash unë, nuk jam nga ata që hapin probleme… Dhe vazhdova të punoja. Në fillim më dridhej dora , pastaj u qetësova, deri sa e mbarova. Fika aparatin, mora maskën (se kisha personale, ma kishte falur një Kinez) dhe i thashë policit:
-Jam gati, të faleminderit!
Shokët, sa e morën vesh, erdhën të gjithë dhe filluan të mblidhnin lekë, po unë u thashë: u faleminderit, mos mblidhni kot, se unë kam lekë dhe nuk i marr. U qafova me të gjithë. Polici u tha se mua po me internonin përkohësisht, po ai mund të vijë prapë. Unë, i bindur se ishte fundi, u kërkova të falur shokëve, se gjatë kohës që kishim punuar, mos, pa dashur, kisha mërzitur ndonjërin. Dhe u nisem. Shkuam te hotel Apolonia, ku bëra dorëzimet, dolëm në rrugë, ku për fat, gjetëm një makinë qe na çoj deri në Degën e Brendshme. Sa hymë në Degë, pash kryetarin me disa oficerë, që ishin ulur në karrige dhe po na prisnin. Sa na panë, i thanë policit e prure, pati ndonjë problem. Jo u tha ai. Pastaj u kthye nga unë, dhe me tha:
-Je dënuar me pesë vjet internim, në fshatin tënd, në Tragjas. Do ikësh tani dhe në orën 8, të paraqitesh te Këshilli i fshatit. Në këtë kohë, më foli oficeri i rojës për të marr letrën që duhet ta dorëzoja në fshat. Gjatë kësaj kohe kryetari e pyeti prapë policin, si ja kaluat andej, mirë i tha ai. Dhe i tregoj historinë e saldimit, lamtumirën e shokëve, që mblodhën lekë dhe unë nuk o mora. Interesant, tha njeri nga oficeret, po tha dhe kryetari, vërtet interesante.
Në atë kohë unë vajta tek ata. Tani ik, më tha kryetari, më butë se më parë.
Unë u nisa të ikja me kokën poshtë, kur dëgjoj zërin e kryetarit:
-Mos e mbaj kokën poshtë, se nuk ke vaki. Unë, kur ktheva kokën nga ai e pash që po qeshte. Atëherë i thashë:
-Nuk e kuptoni ju! Vaki më ka ndodhur dhe çfarë vakie? Po varros lirinë, i thashë dhe shpejtova këmbët. Ai se çfarë tha, po unë nuk e dëgjova dhe veç shpejtova këmbët.
Vëllai im më i madh, Tekiu (dhe ai mjeshtër i shquar ndërtimi), internuar familjarisht para meje në fshat, duke e ditur pasionin tim qysh nga vegjëlia për çiklizmin, më kishte blerë okazion, një biçikletë “mifa” të përdorur dhe e kishte stacionuar te kunati ynë në Vlorë. Ata në Tragjas, nuk më prisnin, se e dinin kur do veja. Me mik, bleva dy bukë të mëdha gruri dhe u nisa me biçikletë për në Tragjas. Mbërrita me kohë në Tragjas dhe u paraqita, sipas rregullit, në Këshillin e Fshatit. Ata më porositën të shkoja qysh nesër në mëngjes te magazinat, se aty do me caktonin në ç’punë do veja. Të nesërmen më caktuan në brigadën e Teftës. E fillonim punën me “orar dielli”: në mëngjes, fillonim punë kur linte dielli dhe e mbaronim, mbas dite, kur perëndonte dielli…Këtë orar e kisha shumë të vështirë, po me kalimin e kohës u mësova.
Të dielave, që e kishim pushim, unë merrja një copë buke misri, me çfarë ta kisha, bëja gati dhe pajisjet e shumta për rrugë e për gjueti gjithfarëshe. Të gjitha i palosja dhe i vendosja me kujdes në një çante ushtarake: Një llambë benzine, një rrotë litari, një sqepar, dhe një spat të vogël. Këto më duheshin se mos gjeja ndonjë çerdhe bletësh në shkëmbinjtë lart në mal. Hidhja trastën në krah dhe nisesha larg në mal vetëm, pa ndjerë frikë egërsirash, a prapësirash. Dikush, që më shikonte thoshte me vete se dhe ato “pak mënd që kisha, me kishin ikur” d.m.th…sipas tyre, isha çmendur. Ç’është e vërteta, unë, falë profesionit tim si montator, isha i specializuar për të bërë shkallë me litar, me ndihmën e tyre zbrisja lehtazi në shkëmbinj, ku synoja të gjeja ndonjë bletë, për t’u marrë mjaltin, këtë dhuratë zoti, shumë të kërkuar dhe me vlerë të konsiderueshme. Disa herë edhe kisha gjetur, po shumë pak, më e shumta ishte pesë kilogram. Bletët aty e kishin vendin të vogël dhe nuk kishte hapësirë ku të shtrinin hojet. Sidoqoftë nga entuziazmi i arritjeve, mu shtua pasioni dhe mund të them se brenda një kohe të shkurtër u bëra specialist edhe për të prerë bletë. Kjo punë kishte epërsi e kënaqësi, se mund të bëhej edhe vetëm dhe mua, në gjendjen e përbuzjes shoqërore, si pasojë e “luftës së klasave”, vetmia, më shëronte dhe relaksonte.
Kur kishin nevojë për të zgjidhur probleme të vështira të mekanikës bujqësore, shpesh, mua më flisnin për punë në ofiçinën mekanike të kooperativës. Unë, shkoja pa fjalë dhe as kundërshtoja, apo bëja pazar, se sa pik do t’i shtonin “ditës së punës”. Me fjalë të tjera edhe pse i mësuar të fitoja shumë para, si brigadier nderti-montimi, fillova të ambientohesha me gjendjen e varfanjakut.
Një dite, kur punoja në Ofiçinë, më thotë një fshatar:
Është një shkëmb i madh, diku thellë në mal, që populli e ka quajtur “shkëmbi i bletës” dhe që besoje është me interes për ty. Atje është një bletë shumë e vjetër dhe për të, thonë që ka shumë mjaltë. Atë bletë të famshme janë përpjekur për ta prerë gjithfarë guximtarësh, po kanë dështuar dhe nuk kanë arritur rezultat.
Mua më tërhoqi vëmendjen ky tregim i këndshëm dhe shfaqa interes të menjëhershëm:
Kam dëshirë ta provoj edhe unë prerjen e bletës së shkëmbit, mund të ma tregosh, ku është ky shkëmb.?
-Hajde dalim, më tha ai, të ta tregoj! Dolëm jashtë dhe ai më zbuloi ku ishte shkëmbi i bletës.
Shkëmbi i bletës ishte në rrugën që veje në malin e Tragjasit. Çobanët që venin në mal te dhëntë, uleshin dhe çlodheshin në hijen e atij shkëmbi. Me zbulimin e shkëmbit fantastik, mua atje më ngeli mendja dhe të dielën e parë që erdhi, mora pajisjet e mija të gjahut dhe u nisa furtunë. Nuk ishte shumë larg dhe kohën sa zgjaste nuk e mbaj mend. Po mbaj mend që u bëra mysafir i adhuruar te shkëmbi i bletës. E pash bletën nga të gjitha anët dhe u binda që ishte bletë gjigande dhe përsosmërish e organizuar. Ishte mëngjes dhe koha ishte shumë e mirë. Kohë favorizuese për gumëzhitje blete.
I rashë rreth e rrotull shkëmbit, formova bindjen se ishte bletë shekullore dhe ja bëra planin, që në atë çast asaj, me bindjen se i kishte ardhur fundi.
Shkova në shtëpi dhe bëra një bisedë virtuale, siç më ndodh gjithnjë në jetë, kur ndërmarr aksione të rëndësishme jetike: I them babait që do pres bletën shekullore te shkëmbit i bletës. Babai më tha: mos se ajo bletë ka qenë që në kohën tonë dhe nuk e ka prerë dot njeri! Po i thash unë, po asnjë nga ata, nuk ka qenë montator, si puna ime. Unë do ta pres!
Kështu, të dielën që erdhi, mora me vete, Tekiun vëllain, dhe dy kushërinjtë e mi, Alemin dhe Luan Alemin dhe shkuam te shkëmbi, qysh herët në magjes, që të fillonim punë me fresk dhe ta kishim gjithë ditën përpara. Si fillim premë disa degë lisi dhe ngritëm një skele, nga toka deri afër grykës ku punonte bleta. Bëra dhe një palë shkallë litari, që ta kisha për emergjencë dhe të hipnim e të zbrisnim shpejt. Kështu, mbaruam punën përgatitore, hëngrëm dhe bukë, pimë dhe ujë Izvori dhe ishim gati e fare të qetë e të vendosur për aksion. Duke qenë i sigurt për suksesin e pritur prej vitesh, u ngrita më këmbë dhe u thashë: Dëgjoni vëllezër, e di që nuk keni besim të plotë se ne do e presim bletën sot, po unë jam gati ta heq me bast, me ju të tre, që kjo bletë shekullore, do pritet sot!
Morra pajisjet që më duheshin, vajta te shkalla dhe sa vura këmben e djathtë e thash: bismilahi dhe u ngjita. Ndeza tymësen dhe vura kokoren mbrojtëse. Mu turren disa miza, po kur i bëra me tym, ato u larguan. Pastaj mora një daltë dhe çekanin dhe fillova të godasë shkëmbin rreth e rrotull birës. Kur dëgjova se nga një anë zhurma ndryshonte, e mora me mend se nga ana ime shkëmbi ishte më i hollë. Punova pa ndërprerje, deri në orën 12, po konstatova se kisha avancuar shumë pak. U ula, hëngra bukë dhe u ngjita prapë me forca të shtuara. Kur u ngjita lart, mizat mu turren, por ndeza llambën e benzinës dhe kur një pjesë e tyre u dogj, të tjerat me njëherë u larguan. Ndërkohë e kthej flakën te ana e birës dhe e lash ashtu nja 10 minuta, derisa guri u bë si gëlqere. U kërkoj shokëve që ishin poshtë një tas me ujë dhe ja hodha gurit. Ai u plasarit në nja dy a tre vende, pastaj fillova, me daltë e çekan, hoqa ca copa guri të mëdha dhe mbeta i kënaqur nga rezultati.
-Eureka, u thashë shokëve i gëzuar, bleta shekullore, është e sigurt që do pritet! Kaluan jo më shumë se dy orë pune intensive dhe unë e hapa birën, aq sa duhej, sa i shikoja hojet, i prekja me dorë dhe mund t’i merrja. Edhe njëherë mu turrën bletët, të dëshpëruara e të mundura në përpjekjen e fundit, po unë i largova sërish me tym .
I fola fitimtar Tekiut, të hipte lart, se do fillonim ta prisnim. Ai erdhi i gëzuar. Futa dorën dhe nxora një hoje dhe ja dhashë Tekiut në dorë dhe i thashë BISMILAHI TEKI! Ai e mori, shkundi mizat dhe e përcolli tek shokët poshtë. Luani filloi ta shtrydh hojen dhe mjalti nisi të rrjedh në tenxhere.
Kur ishim në mes të punës me hojet, erdhi aty rastësisht një çoban kureshtar, që kishte rrugën për në mal, ku ishin kullotat e dhenve. Atë e quanin Skendo Brati . Ai ishte dhe kushëriri jonë dhe neve na erdhi mirë, që do ishte ai degustuesi i parë i prodhimit. Mbushëm dhe i dhamë atij një tas me mjaltë dhe një lugë të madhe dhe i thamë: haje! Ai pyeti: vetëm për mua është gjithë ai tas? O po haje me fund, i tha Luani. Ai e mbaroj tasin tha: të faleminderit dhe iku shpejte se, ndofta diçka i shkoj ndër mënd se mos e shinte njeri që kishte ngrenë mjaltë nga ballistët, kjo edhe për faktin, se ne, të katër ishim bijë ballistësh dhe gjendeshim si të internuar aty. Më vonë erdhi aty dhe dikush tjetër dhe ne edhe atë, edhe pse bijë ballistësh, e qerasem po njësoj.
Deri aferë darkës gjithçka kish mbaruar. E pastruam vendin, hoqëm skelën dhe u kthyem në shtëpi. Nga ajo bletë, ne morëm , jo pak po afërsisht 60 kg. mjaltë. Kjo ishte një fitore, që dukej e pamundur prej kohësh, po ne, me gjithë suksesin kurë nuk e kishim menduar se, do ti shtonim fshatit dhe krejt krahinës, një toponim të ri historik.
Kur mbërritëm në shtëpi gratë dhe fëmijët ishin bërë merak por, kur na panë që ishim të gëzuar e me duart plotë, kuptuan fitoren dhe njëzëri bërtitën urra…
Të nesërmen, si zakonisht, që në mëngjes u kthyem në monotoninë e punëve të përditshme. Gratë i dërguan të pastronin vathin, dhe tënden, ku seleksionoheshin prodhimet. Sa mbërritën kooperativistët pranë vendit të punës, u ulën të hanin bukë së bashku, sipas traditës, grarishte, duke ngrënë e duke folur. Në bisedë, njëra prej tyre, tha me zë të lartë:
-Moj gra, e morët vesh çfarë ndodhi dje?
-Jo, thanë njëzëri të gjitha, edhe pse s’kish asnjë grua në fshat të pa azhurnuar me lajmin më të fundit, që në rastin konkret ishte:
-“Ata, ballistët, dje kishin prerë bletën e shkëmbit të bletes”. Aq u desh dhe filluan thashethemet. Ajo gruaja, që përhapi këtë krye lajm, vazhdoi predikimin: gjersa nuk ka më bletë te ai shkëmb, unë mendoj, me që ata të katërt ishin bijë ballistësh, ta quajmë “Shkëmbi i Ballistëve”. Kjo fjalë, në gojën e grave, u përhap shumë shpejt.
E kisha dëgjuar disa herë toponimin “SHKËMBI BALLISTËVE’’, po kështu e quajtën atëherë, kur donin të na shanin. Kishin kaluar afro 50 vite që unë isha larguar nga Tragjasi dhe këtë emër thuajse e kisha harruar. Po duket koha ka bërë punën e vetë dhe mendimi ka evoluar, aqsa kjo grua tragjasiote sot, duke i çuar bukën djalit, thotë natyrshëm, pa droje e me gojën plot: Do takohemi te “Shkëmbi i Ballistëve”. U drodha dhe u trondita, në kujtim të kohës dhe të ngjarjes, po ndjeva kënaqësi të pafundme, që e ridëgjova sot.
ÇIKAGO, 10 Mars 2020
* Autori, ish i denuar nga diktatura komuniste, është i dekoruar me urdhërin ”Naim Frashëri i Artë”