
Prof. Dr. Pal Nikolli/
Rama, nëpërmjet përqendrimit absolut të pushtetit dhe shtrirjes së kontrollit edhe mbi institucionet e pavarura, deri te universitetet, mban përgjegjësi të rëndësishme politike për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria.
Dëmtimi i ekonomisë, degradimi i arsimit dhe i shëndetësisë, keqmenaxhimi i territorit, shkatërrimi i pyjeve, kullotave dhe zonave bregdetare janë ndër problemet më serioze me të cilat përballet vendi. Përqendrimi i vendimmarrjes dhe dobësimi i institucioneve të pavarura rrezikojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë.
Shqipëria po përballet me varfëri, pabarazi dhe emigrim të vazhdueshëm. Të rinjtë po largohen në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, ndërsa studiues dhe profesionistë shqiptarë po japin kontributin e tyre në universitete dhe institucione prestigjioze të botës. Ndërkohë, brenda vendit, shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer nga mungesa e meritokracisë, favorizimi dhe promovimi i mediokritetit në dëm të aftësive dhe të profesionalizmit.
Ne zgjodhëm të qëndronim në Shqipëri, me bindjen se puna, dija, ndershmëria dhe merita do të vlerësoheshin. Shpresuam se përvoja, kontributi shkencor dhe aftësitë profesionale do të përbënin bazën e një shoqërie që u krijon mundësi të barabarta qytetarëve të saj. Por realiteti ka dëshmuar se kjo shpresë, në shumë raste, është zhgënjyer.
Ne nuk mund t’i lëmë fëmijët tanë të trashëgojnë një vend ku padrejtësia, mungesa e meritokracisë dhe emigrimi shihen si rrugëdalje. Ata meritojnë një Shqipëri ku arsimi të formojë qytetarë të ditur, universitetet të promovojnë dijen dhe integritetin, institucionet të jenë të pavarura dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.
Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë politik dhe institucional. Qeverisja duhet të japë llogari për vendimet dhe pasojat e tyre, ndërsa pushteti duhet t’u nënshtrohet ligjit, kontrollit demokratik dhe interesit publik.
Është koha që qytetarët, përmes mjeteve demokratike, votës së lirë dhe angazhimit qytetar, të kërkojnë llogaridhënie, meritokraci dhe një model qeverisjeje që vendos Shqipërinë dhe shqiptarët mbi interesat e pushtetit. E ardhmja e vendit nuk mund të mbetet peng i asnjë individi apo force politike. Shqipëria është e qytetarëve të saj dhe duhet t’u kthehet atyre! Rama duhet të largohet!