Nga Antonio Scurati/Perktheu per Diellin-Eugjen Merlika/
Arrijnë çaste në historinë e popujve në të cilët fjalët jo vetëm janë të rëndësishme, por madje jetike. Megjithatë, fatkeqësisht, pikërisht tani ato fjalë mungojnë, gojët që do të duhej t’i shqiptonin heshtin. E kam fjalën për gojtarinë politike, aftësinë e drejtuesve të udhëheqin një popull nëpërmjet fuqisë së vetme të fjalës.
Të folurit njerëzor është i pakursyer në funksione të ndryshme: me fjalë mund të emërohet, të shpjegohet, të përshkruhet, të shpiket, të njoftohet, të tregohet, të njihet e plot të tjera. Vetëm me fjalë mund edhe të veprohet, por shërbimi më i lartë në të cilin fjala njerëzore mund të ngjitet është vetë mbijetesa. Lufta e pafund me të cilën fara njerëzore, vazhdimisht e nënështruar kërcënimit vdekësor, përpiqet me mund të mbahet në jetë, gjen tek fjala një aleat themelor.
Kjo ndodh veçanërisht në pjesët e dramës së përgjithëshme. Atëherë biseda publike mund e duhet të bindë që të ruhen vija të sjelljes të matura (në rastin tonë vetëmbyllje) ose të lëvizë një veprimtari të jashtzakonshme (një aktivizëm “heroik” të personelit shëndetësor). Por ai lloj i veçantë i fjalës mund të ketë një rreze akoma më të gjërë: gojtaria publike mund të japë një përshkrim të pranueshëm të një realiteti të tmerrshëm. Nuk bëhet fjalë për të tjetërsuar, për të fshehur, për të mashtruar. Në të kundërt, bëhet fjalë për kallzime të vërteta që e mbulojnë dramën me një dritë që e bën atë të durueshme, që e bën të jetuarit të mundshëm e në disa raste skajore edhe vdekjen të pranueshme. Të mbrohen njerëzit nga dhuna e keqe e së vërtetës duke i dhënë asaj një kuptim. Të japë zemër. Për këtë është i aftë arti i gojtarisë tek njerëzit e shquar në rrethana dramatike.
Gjatë këtyre muajve pothuajse asnjeri nuk ka qënë në lartësinë e detyrës. Nuk habit. Rënia e gojtarisë politike është pjesë e një proçesi të gjërë historik të rënies së njeriut publik e të shndërrimit të mjeteve të komunikimit. Megjithatë, papërshtatshmëria e fjalimeve të drejtuesve tanë përballë pandemisë, është edhe masa e paaftësisë së tyre për t’a përballuar atë. Pak shëmbuj.
Në skëterrën e retorikës gjejmë fjalët kobzeza të Boris Johnsonit të mesit të marsit (“Shumë familje do të humbasin njerëzit e dashur të tyre” të pohuara me një fatalizëm të pamëshirshëm; “jam i një mëndje me Presidentin Trump”, në kundërshti të mprehtë me pohimin e mëparshëm) dhe ato të Christine Lagarde (“Nuk jemi këtu për të mbyllur spread-in”), të paguara edhe në vetë të parë nga kryeministri britanik me shtrimin në terapi intensive dhe nga një kontinent i tërë nëpërmjet shëmbjes së bursave në rastin e dytë. Në shkallën zero të artit retorik qëndron vetë Trump-i i cili, duhet kujtuar, e ka bërë asgjësimin sistematik të një fjalimi publik të përpunuar, të ditur, të vërtetë dhe të ndërlidhur, njërin nga mjetet kryesore të suksesit të tij. Përballë dramës së përgjithshme kjo taktikë e Trump-it zbulohet vetëvrasëse sepse tregohet në të njëjtën masë me paaftësinë e tij tragjike për të përballuar piskamën, më parë të mohuar, pastaj të nënvlerësuar, pastaj të kalëruar e përsëri të zvogëluar në ditë të ndërsjellta. Asnjë ligjëratë e atij që një kohë ishte “udhëheqësi i botës së lirë” do të kujtohet sepse kumtimi i tij ka mbetur gjithmonë nën nivelin e bisedës.
Në qiejtë e gojtarisë gjejmë, ndërkaq, lutjen e Papa Françeskut në Sheshin e Vatikanit, rëndësia epokale e së cilës varet ndoshta më shumë nga fuqia e pamatëshme e skenografisë se sa nga vetë fjala në vetvete (“Zot, mos na lerë nën pushtetin e stuhisë”), e gjejmë , jo rastësisht, një tjetër udhëheqës të ardhur nga Nëntëqindi, Mbretëreshën Elizabeta, e cila e fuqizuar nga një traditë që, nëpërmjet Churchill-it arrin deri tek Shakespeare (Henriku V), i jep zemër popullit të saj me lëvizjen retorike të pushtimit të autoritetit të s’ardhmes, për t’i dhënë së tashmes denjësinë më të lartë të një ngjarjeje historike të paharrueshme (“Kush do të vijë pas nesh do të thotë se britanikët e këtij brezi kanë qënë të fuqishëm si askush tjetër”).
Në purgatorin e një gjuhe kalimtare e të papërshtatëshme bisedat e përditëshme të këshilltarit bashkiak shëndetësor lombard i cili, duke folur me duar i shumfishon metaforat luftarake pa kuptim (“Do t’a fitojmë këtë betejë”; “fitorja është e afërt!”) deri në krahasimin e stërzmadhuar e krejtësisht të nxituar me apokalipsin bërthamor (“Në Lombardi një bombë atomike”). Edhe në këtë rast, folja më tym është masë e papërshtatëshmërisë praktike në të përballuarit e rrezikut për shëndetin publik, që po merr ditë mbas dite, profilin e një paaftësie të rëndë e fajtore.
Të flitet më tym nënkupton shpesh edhe të vepruarit në mënyrë të pahijëshme, të vënit në rrezik të gjithshkaj. Sot, ndërsa shkruaj, numuri i të vdekurve në Lombardi ka arritur shifrën e tmerrshme dhe simbolike të 10.000 viktimave. Mbi të gjitha atyre i detyrojmë fjalë të përshtatëshme për rëndësinë e çastit. Pyes: si mund të dërdëllisim për fitore ndërsa duhet të varrosim 10.000 vetë? Çfarë do të ndjejnë t’afërmit e viktimave duke dëgjuar atë fjalë të paturpëshme? E si mund të dalim ne të gjithë të ringjallur nga kjo hekatombë nëse i harrojmë?
Besoj se para se të flasim për çfarëdo “fazë të dytë”, ne duhet të vajtojmë njerëzit tanë që kanë ndërruar jetë. Është thelbësore, jo vetëm për denjësinë tonë morale dhe shëlbimin shpirtëror, por edhe për t’ardhmen e bashkësisë sonë politike. Me që e quaj veten të papërshtatëshëm për detyrën, do të desha që, së bashku me të gjithë juve, t’i vajtojmë të vdekurit tanë duke i besuar fjalëve të pikëlluara, të ashpra por të dhemshura të poetit: “Dhe ti, ati im,, atje në lartësinë e trishtuar/ mallkomë, bekomë, tani me lotët e tua të furishëm. Të lutem./ Mos shko pa fjalë n’atë natë të mirë/ tërbohu, bëhu bishë kundër vdekjes së dritës”.
“Corriere della Sera”, 10 prill 2020
Përktheu Eugjen Merlika