• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SALI GJUKA, DELEGAT I KOSOVËS NË KUVENDIN E PAVARËSISË

November 4, 2012 by dgreca

“Rrofshin ata fatbardhë, që do të  bëhen mesues në Arbërinë e lirë!”/

Nga: Prof. Murat Gecaj-publicist e studiues-Tiranë/

Sali Gjuka ose i njohur dhe Sali Gjukë Dukagjini, lindi në qytetin e Pejës, në vitin 1876, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi vështirësitë e kohës, mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën  e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë në shërbim të çlirimit të Atdheut të robëruar.

Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, Sali Gjuka punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës  shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina etj., u bë mësuesi i parë i shqipes  për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani.

Gjatë jetës, Sali Gjuka u mor gjerësisht edhe me studime në fushat e gjuhës, historisë, etnografisë etj., shumë nga të cilët i publikoi në shtypin e kohës. Të gjithë ata përshkohen nga ndjenjat e larta atdhetare, nga dashuria e pakufishme për traditat tona të çmuara, që këshillonte t’ua edukojmë breznive të reja.

Në vitet e kryengritjeve të mëdha mbarëpopullore antiosmane të viteve 1910-1912,  Sali Gjuka u dallua si një luftëtar e veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, Klubi i ri me emrin kuptimplotë  “Bashkimi”, i cili propogandoi edukimin e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip.

Në Nëntorin e stuhishëm të vitit 1912, Sali Gjukën do ta gjejmë  përsëri përkrah luftëtarëve e mendimtarëve më në zë të  kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë atdhetari i flakët, Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin  sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit luftëtar, nga e gjithë Shqipëria e trojet tjera shqiptare. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i palodhur i gjuhës shqipe dhe i ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.

Në aktin përfundimtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka nënshkrimet e 60 delegatëve, pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit 1912, përkrah emrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani Mingës, Dervish Himës, Bedri Pejanit, Babë Dudë Karbunarës e atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë dhe firma e Sali Gjukës. Ky ishte një vlerësim i merituar, që i bënte  atij populli shqiptar për përpjekjet e shumta dhe sakrificat e mëdha, që kishte bërë deri atëherë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë atdhetare të Sali Gjukës, e zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë (Senatit), detyrë që e kreu me përgjegjesi.

Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali  Gjuka ishte ndihmës i ministrit të Arsimit Luigj Gurakuqi. Së bashku me kolegët, ai shkroi programin e Qeverisë për zhvillimin e arsimit, në Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar me firmën e tij, në gazëtën  “Përlindja e Shqipnisë”. Janë domethënëse fjalët e tij: “Si çdo komb edhe shqiptarët më të madhen rëndësi do t’i japin degës së arsimit, se vetëm  këtu e shohin dhe duhet ta shohin shpresën e qytetërimit”. Po kështu, urimi e thirrja: “Rrofshin ata fatbardhë, që do të bëhen mësues në Arbërinë e lirë!” (Nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, gusht, 1913).

Në janar 1913, ai nisi nga puna drejtor i arsimit për qarkun e Beratit, që përfshinte edhe Fierin e Mallakastrën etj. Menjëherë, Sali Gjuka hapi shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë dhe do të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin  nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e zelli i madh i  tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe, në ish-qarkun e Beratit

Megjithëse shërbeu drejtor për arsimin në atë qark, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924 dhe masat demokratike të Qeverisë së Fan Nolit etj.

Personaliteti i shquar Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit dhe të shkollës  kombëtare shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike, që doli nga Revolucioni i Qershorit 1924:

“Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë…Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës”.

Armiqtë e ndoqën hap pas hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në  vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë  pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë aesye e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.

Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, S. Gjuka punoi  pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e shumta të jetës dhe sëmundja e tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, i mbylli sytë përgjithnjë në atë qytet, më 25 tetor 1925.

Sali Gjukë Dukagjini është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: “Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur për përhapjen e arsimit e të mësimit të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në Kuvendin Kombatar të Vlorës për  shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe organizator i arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet 1912-1920”.

Fjalë vlerësimi e nderimi për të kanë thënë: Prof.dr. Aleksandër Xhuvani, Akademiku Aleks Buda e të tjerë. Me artikuj e studime, sidomos në vitet e fundit, gjithnjë e më tepër Sali Gjuka po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin 1991, Dr. Muhamet Pirraku ribotoi në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe të pajisur me shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e mesme në Urën Vajgurore të Beratit ka vite që mban emrin e nderuar të Sali Gjukës. Me jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja për t’iu përkushtuar sa më shumë Atdheut e diturisë.

Në jetëshkrimin, që u botua kur ndërroi jetë Sali  Gjuka, u  thanë  dhe këto radhë profetike: “… Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës”. Ndërsa një poet beratas , ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin:  “Emri yt i ndritur, / balli i shkollës sonë,/ shikoje, moj Vlorë,/ Berat e Kosovë !”.

Festa madhështore e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, na bën të ndihemi krenarë për bij të tillë të shquar, si Sali Gjukë Dukagjini, të cilët, me pushkë e penë në dorë, ia përkushtuan jetën e tyre lirisë e përparimit të gjithanshëm të Atdheut tonë.

Tiranë, 4 nëntor 2012

 

Dy shkrime të Sali Gjukë Dukagjinit:

 

PËR ZHVILLIMIN  E ARSIMIT  NË  SHQIPËRI

 

Si çdo komb edhe shqiptarët ma të madhen randësi kanë me i dhanë degës së arsimit, se vetëm  këtu e shohin, duhet me e pa uzdajën e qytetnimit.

Veç  me përparimin e arsimit mund të humbet o të tretet mjegulla e errësisë së verbueshme; kështu fitohet lumnia e shekullit qi ndohemi, ndryshe nuk shitohet kulshedra e padijes.

Lirimi i Shqipnisë prej Turqisë ka me kjenë kobi i paditunisë.

Sundimi shqiptar e vendoi që të çilet në çdo sundimtari nga një Normale përgatitore, në të cilat si nxanës do të pranohen ata  qi kanë këto kushte:

a) Kush ta ketë krye së pakti shkollën ruzhdije o çdo shkollë qi asht baraz me te;

b) Ata shqiptarë qi kanë kjenë kudo mësues;

c) Kush s’ asht me ndonji sëmundë të ngjitshme;

ç) Ata qi s’i kanë shkue të tridhetë vieçët;

d) Kush mundet  me dalë fitues në provimt’ të së hymes.

Pranimi i mësuesvet nuk  do të jetë nji me t’atyne qi s’janë rrye me këtë mjeshtëri të bekueme.

Ata qi janë kjenë mësues nën rrogë të qeveries do të përgjigjen: pak këndim e shkrim; nji grimë nga gjeografia fillestare; mirë prej katër punëve të numërimit.

Tjerët do të provohen: mirë nga katër punët e numërimit, prej numrit të coptueshëm; shkurtazi nga gjeografia e historia edhe prej shkrimit e këndimit.

Sundimi ynë ka marrë parasysh të varfnit, prandej atyne qi u provohet skamja, kur mos t’jenë me shtëpi ku ndodhet Normalja, do t’u japë nga gjashtë mexhide në muej.

Ministria e Arsimit i urdhnoi të gjithë sundimtarët qi të zanë nga nji shtëpi për shkollë Normale; t’i kryejnë të tana të mbetat.

Pra, tashti detyra e madhe iu varet atdhetarëvet për me ia ngashnjye popullit arësimin, për me ia u tregue nevojën, dobien, shenjtnien e ditunien. Ata qi janë të zotët e mësimit, ata qi guxoin me thanë se jemi therorët e Shqypnies, le të mundohen për zgjimit të zogjëvet të saj.

Vetëm me arsim munt ta shpëtoim Atdheun prej çdo shkelmit të mallkuet.

Gjer mos ta hiekim ndryshkun e Turqisë, sa të kenë fuqie paria, qi kënaqet tyke thithë gjak në kurriz të gjindes shqyptare; gjer mos të mësohet njerëzia qi asht për t’u adhurue gja, përveç nomit; deri të dihet ma e madhja nderë, vdeka për të bamet të detyrës; sa mos ta dimë qi trimnia asht urtësia e se theroria asht vdekë në luftë tu i dhanë pat zyrtari, s’munt të bahet as njana prej atyne qi dishrohen. Këto nevojë na i tregon prova, do të na i mësojë arsësimi me rreze driatare të saj.

Kush e do jetimin (jetesën,-shënimi im,-M.G. ) e Shqyptaries, të vrapojë e të hyjë në këtë ushtrie për me luftue me padijen.

Rrnofshin ata fatbardhë, qi do të bahen mësues në Abnie të lirë!

S.Gj.D.

( Sali Gjukë Dukagjini,në gazetën ” Përlindj’ e Shqypnies “, botim  i

Qeverisë Kombëtare, Viti I, Vlorë, 24/6, gusht 1913)

 

RROTULL  DËSHIRIT  KOMBËTAR

 

“Ballkani asht për gjinden e tie; çdo komb Evropas ka te drejtë me e sundue vetë-veten”

Shumitsa e dijetarëvet t’ Evropës, ma të teprit e shkrimtarëvet të drejtësisë ndërkombëtare kienë tue thirrë e thanë, se Ballkani asht për gjinden e tie, çdo komb Evropas ka të dreitë me  e  sundue vetë-veten. N’atë kohë të mnershme ankimet, vaitimet e Bullgarëve e të Grekëve ishin tue u ndie deri në kupë të qiellit. Atë herë Bullgarët kienë tue u thirrë, tu’ u pre fyta-fytaz, tue u vra kamba në dorë, me tradhtarë të tyne, me grekë e me ushtrien Turke.

Si Bullgarët  ashtu edhe Grekët ishin tue liftue e u përpiekshin me mish e me shpirt për me ia këputë shtatit Turk Maqedonien, d.m.th. qafën. Atë herë Shqypnia s’ish tue tregue gjallnie per vete, kie tue ndejë si mos me kienë; zani i saj kie ngurrue e s’u ndiete ku; ishim si mos zot ma keq, po si nji bulk qi pranon çfarë do zotnie e kuiton se asht le, ka kienë e duhet me rrnue gjithmonë në robni.

Shqypnia kie tue u njoftë si nji vend i shkretë me nierëz të pa veshë e të pa gojë; prandej ish tu’ u bisedue se si me u pjestue ndermjet fuqivet e qysh me na farue prej jetet. N’atë kohë të terqethshme, të parët e qeveries me ç’do mënyrë  e fuqie marriet të tyne u ndimoishin anmiqe ,tue na e pre giuhën, tue na i mshelë shkollat, tue na i dënue e dëbue të ritë; tue dërgue metropolit  serbi në Dibrë, tue shpifë ngatrrime fetare. Fletoret e kombit sundues, të tanë të këndueshmit shqyptarë i paraqitshin si të pa fe, italian, austriak e të padishmit: t’ egrë e të flliqët; por mos të harroim se vet ishin të pa besë e gjith qysh me nder ne. Shpirti i tyne dote me kienë sundues, ata nuk kienë anmiqët e gjuhës, të flamurit e të dijetarëvet të vetë, pra sallde kah kto pika kienë ma fisnikë se na!

Shqypnia kie si sod me plagë faruese e me krymba helmuese; po me shkolla të huja e me vese tradhtare.

Qeveria zyrtarisht e shtrengote shqyptarin orthodoks me u njoftë grek, katolikun e dite latin; kështu pra ajo dote me na fshie prej faqes së dheut. Na me e pasë hupë giuhën, patëm me u njoftë të pa asnjë të dreitë, kreit si muhamedanët e Maqedonies.

Dikur qeveria i pat njoftë për shqyptarë do faqezie të pa shokë, si: Arif Hiqmetin e Kumanovës e Sulejman Amborien e Korçës. Njeni prei tyne e thjeu qafën prei kalit në rangë të Serbies, tu u mundue me e prishë e me e poshtnue  Atdhenë, tietri ditë për ditë po i lutet Evropës për me lanë Grekien në Shqypnie. Ah, i mjeri sy verbti shqyptar edhe sod po i parapëlqen njato farë këshillime fikashpijet e të njasi farë nierëzve.

S.G.D.

(Sali Gjukë Dukagjini, gaz. “Populli”, nr.41, e mërkurë,

28 prill 1915 ,faqe 4 )

Filed Under: Histori Tagged With: delegati i Kosoves, Murat Gecaj, Sali Gjuka

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT