• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TETË VJET PAVARËSI TË KOSOVËS

February 16, 2016 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/
Tetë vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës, që është ngjarja më e madhe historike e shqiptarëve pas Vlorës së vitit 1912. Me këtë mori fund robëria dhe shtypja e gjatë serbe mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët. 17 Shkurti është kurorëzim i një ditë të madhe të historisë sonë, i përpjekjeve dhe luftërave të shumë brezave për liri e me vetësi në këtë pjesë të hapsirës shqiptare. Pavarësia, që u arrit me aq mund, gjak e sakrificë, i hapi rrugën Kosovës për krijimin e shtetit të së drejtës qytetare dhe demokracisë evropiane. Historia e shqiptarëve sot nuk është ajo që ka qenë, kjo ka ndryshuar shumë në këtë shekull dhe dita ditës po ndryshon në kuptimin e lëvizjes përpara. Në këtë periudhë kohore, përkundër problemeve të mëdha që ka pasur, Kosova ka arritur të bëjë një përparim të dukshëm në fusha të caktuar në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për një stabilitet më të qëndrueshëm të tij, e sidomos në zhvillimin ekonomik, ku problemet janë shfaqur në mënyrë shumë më të ashpër.
Pavarësia e Kosovës, për këto tetë vjet të shkuara, ka arritur të njihet nga më së 100 shtete të ndryshme të botës përballë pengesave të vazhdueshme të Beogradit dhe Moskës. Kjo ndoshta nuk ka plotësuar parashikimim tonë, por ne duhet të punojmë që nesër të kemi më shumë njohje dhe të bëhemi pjesë më e madhe e botës, anëtar të OKB. Tek ne egziston një vullnet i pa lëkundshëm për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me SHBA dhe me Bashkësinë Evropiane, që Kosovës, si shteti i ri t’ i mundësohet një ecje e drejtë dhe e sigurtë në integrimet e përgjithshme në komunitetin euro-atlantik.
Kosova mund të ecë përpara vetëm me një luftë të përbashkët, të ashpër e pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe në këtë kontekst të forcimit të gjyqësisë për ndëshkimin e këtyre krimeve. Kjo, pa dyshim është pika më e dobët e të gjitha qeveriveve për këto tetë vjet të shkuara të pavarësisë.
Kosova ka kapacitete shumë më të mëdha për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, por këto mundësi kanë mbetur ende të pa shfrytëzuara.
Pavarësinë e Kosovës, përkatësisht shtetin tonë të ri, duhet ta çmojmë të gjithë së bashku, të kemi vullnet të ecim bashkë me të, ta duam se ky është atdheu ynë i përbashkët. Nëse këtë nuk e bëjmë, nëse këtë nuk e mbrojmë, nëse këtë nuk e ngrehem në vlera të njëmenda kombëtare , do të jemi përgjegjës para historisë dhe para gjithë botës shqiptare.
Në këtë përvjetor të tetë të pavarësisë, unë si shqiptaro-amerikan, dua t’ i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që kemi për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit tonë të ri.

Urime të gjithëve përvejtorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës!
Gëzuar!

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, PAVARËSI TË KOSOVËS, TETË VJET

DHJETË VJET PA PRESIDENTIN E KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA

January 20, 2016 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/
Dhjetë vjet më parë, më 21 Janar, u shua nga jeta njëri ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.Me emrin e tij identifikohet Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e rëndësishme historike pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë.Për ta fituar këtë luftë të ashpër mbi Serbinë, u desh mençuri, mund dhe angazhim për t’ i bindur SHBA dhe Bashkimin Evropian për të drejtën e mohuar historike të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.Millosheviqi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kishte ndërmarrë një terror të egër të përmasave të gjera për dëbimin e shqiptarëve jashtë Kosovës në mënyrë që ta ndryshonte strukturën e popullësisë në këtë pjesë të Ballkanit dhe Kosovën ta fuste në kuadër të një projekti të Serbisë së Madhe.
Në këto vite tejet dramatike Dr. Ibrahim Rugova, mori Kosovën në duart e tij për t’ i kundërshtuar pretendimet shoveniste të Millosheviqit dhe për t’ i hapur Kosovës rrugën e pavarësisë nga Beogradi fashist.
Duke qenë një personalitet i shquar kombëtar, intelektual me një kulturë evropiane, shkrimtar dhe hulumtues shkencëtor, e mbi të gjitha politikan i vendosur për realizimin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova u angazhua që bashkësisë ndërkombëtare t’ i afrohej një e vërtetë tjetër nga e vërteta dhe propoganda e vjetër serbe. Dr. Rugova si vizionar që ishte, e dinte se alternativa e vetme për pavarësinë e Kosovës ishte Washingtoni dhe mu për këtë të gjitha aktivitetet diplomatike i orientoi nga kjo qendër botërore, ku nëpërmjet të saj ishin zgjidhur shumë kriza, luftëra e konflikte globale si dhe përfundimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Qysh si student adhuronte botën perëndimore, prandaj edhe specializimi i tij në Francë s’ ka qenë i rastit.Për ta njohur këtë kulturë, ai lexonte dhe studijonte shkrimtarët dhe filozofët më në zë perëndimor.Kjo i ndihmoi në krijimin e personalitetit të tij, si studijues, intelektual dhe, më vonë, si politikan në një kohë kur Kosovës i duhej më së shumti.
Dr. Ibrahim Rugova lindi në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar përjetonte masakra të shumta nga komunistët serbë. Më 10 Janar 1945 ia ekzekutuan babain dhe gjyshin. Ky i fundit kishte qenë i njohur në luftërat e organizuara kundër çetnikëve, të cilët bënin terror mbi popullatën shqiptare në krahinën e Rugovës dhe në pjesët tjera të veriut të Kosovës. I prekur thellë nga historia e babait dhe gjyshit të tij dhe nga ngjarjet e tmerrshme që kishin ndodhur ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, Dr. Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta mori një barrë të madhe mbi vete që përmjet filozofisë paqësore dhe luftës intensive diplomatike ta nxirrte Kosovën nga okupimi serb dhe nga mizoritë që kryente regjimi i Millosheviqit në atë kohë. Ndonëse e dinte se kjo rrugë s’ do të kuptohej drejtë nga shumëkush, ai i mbeti pranë kësaj filozofie deri në fund, por në asnjë mënyrë nuk hoqi dorë nga Pavarësia e Kosovës. Dhe kështu, me politikën e tij paqësore, fitoi simpati nga shumë liderë të vendeve demokratike në gjithë botën, e para se gjithash të SHBA. Pavarësia e Kosovës për të ka qenë e vetmja rrugë që do të sillte paqe në rajonin e Ballkanit.
Ngjarjet e viteve të 90-ta Rugovën e gjetën në detyrën e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar të LDK-së, parti e parë e pavarur në Kosovë krahas të ndonjë partie tjetër që selitë i kishin jashtë Kosovës. Kur Millosheviqi solli mijëra serbë në vitin 1989 në Gazimeston për të shënuar një përvjetor të një beteje të humbur dhe kërcënoi shqiptarët me dëbim masiv, Dr. Ibrahim Rugova në të njëjtën ditë para gazetarëve të jashtëm dhe të brendshëm, akuzonte politikën represive serbe ndaj shqiptarëve atëherë nën Jugosllavi. Deklarata e tij në këtë kohë, kur persekutoheshin intelektualët shqiptarë dhe izoloheshin në burgjet serbe, bëri jehonë të madhe në botën demokratike dhe brenda Kosovës. Ishte një thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër klithmave përplotë urrejtjeje të Millosheviqit. Nga ky vit (1989) ai u nis për ta fituar betejën diplomatike për Kosovën.

Nga viti 1989 u bëmë miq të pandashëm për çështjen e Kosovës

Nga dita kur e njoha Dr. Ibrahim Rugovën e deri në vdekje ishim bashkë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e përgjithshme shqiptare. Dr. Rugovën për herë të parë pata rast ta takoja në seminarin, kushtuar 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, të cilin në New York e organizoi Kisha Katolike” Zoja e Këshillit të Mirë” në vitin 1989. Meqenëse Zoti Rugova ishte doktoruar mbi veprën e Bogdanit, ishte ftuar të fliste mbi këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.Nga kjo periudhë kam vazhduar kontaktet e mia me të për të mirën e Kosovës.
Kur u vendosëm me shtëpi në Armonk të New York-ut, ajo u bë një vendtakim për politikanë, diplomatë, intelektualë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme që vinin nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e më vonë edhe nga Shqipëria. Në shtëpinë tonë në këtë kohë sillnim kongresmenë, senatorë e miq të tjerë amerikanë, mbështetës dhe dashamirë të çështjes së Kosovës. Disa muaj më parë, në Prill të vitin 1990, në Washington DC, një grup prej 20 intelektualësh erdhi për të dëshmuar mbi dhunën serbe në Kosovë. Në krye të këtyre intelektualëve ishte Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kjo dëshmi u konsiderua fitorja e parë në fushën diplomatike kundër grupit serb që përfaqësohej nga ultranacionalisti, Dobrica Qosiq. Kjo dëshmi u drejtua nga Tom Lantos, përfaqësues i atëhershëm për marrdhënie me jashtë pranë Kongresit Amerikan së bashku me John Porter. Lantos ishte edhe një mik i shqiptarëve, i cili mbështeste zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nga kjo dëshmi filloi njohja e Washingtonit me problemet që kishte Kosova me Serbinë.
Më 17 Shkurt, 1993 pata rastin ta shoqëroja presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën në WashinGton, ku pat një takim në Shtëpinë e Bardhë me Samuel Richard Berger, i njohur me nafkën ” Sandy” që ishte Këshilltar për Siguri Kombetare në administratën e presidentit Bill Clinton. Me Rugovën ishte edhe Dr. Alush Gashi dhe Dr. Shaqir Shaqiri. Kjo ishte vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë, ku Rugova kërkoi vendosjen e trupave të OKB-së në bashkëpunim me trupat e NATO-s në Kosovë dhe vënien e saj nën Protektoratin Ndërkombëtar deri sa ajo të fitonte pavarësinë.
Që nga viti 1990 kur presidenti Dr. Ibrahim Rugova ka ardhur në Washington apo në New York, gjithherë është kthyer në shtëpinë time në Armonk.Sipas kohës që ka pasur në dispozicion, herë ka ndejtur më shumë e herë më pak, por gjithherë është kthyer. Varësisht nga bisedat që zhvillonte me personalitetet e administratës Amerikane, ndërmirrte hapat aktual të veprimit. Në shoqërimin që i bëja në takimet e tij në Washington apo në New York kam hetuar se Dr. Rugova ka pasur edhe presion që të pranonte ndonjë zgjidhje që nuk shkonte në favor të Kosovës. Shpeshherë i thoshin se njëherë Ballkani duhet të inkuadrohet në Bashkësinë Evropiane e pastaj brenda këtij opcioni Kosova të bënte zgjidhjen e saj. Ndërsa ai shfaqte mendimin e tij të përkundërt se së pari pavarësia e më pas integrimi.Kjo për Rugovën ishte alternativa e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.
Çdo takim që kam pasur me të, në të gjallë të tij, gjithnjë bisedat i lidhte me Kosovën dhe përgjithesisht me perspektivën e çështjes shqiptare. Një simpati të veçantë për Dr. Rugovën e ka pasur edhe im atë, Meta. Babain tim e pyeste për disa figura të rëndësishme kombëtare që kishin qenë të detyruar ta braktisnin Shqipërinë për shkak të ndjekjeve që u kishte bërë regjimi i Enver Hoxhës dhe ai jugosllav e të cilët, disa nga ta, ishin vendosur në New York, si Dr. Rexhep Krasniqi, Hysen Bej Prishtina, Abaz Kupi e shumë nacionalistë të tjerë. Dr. Rugova e njihte veprimtarinë e tyre, por dëshirontë të dinte më shumë për punën dhe jetën e tyre në Amerikë.
Derisa po e përcillja njëherë në Aeroportin “Kennedy” ku pas një vizite në SHBA po kthehej për Kosovë, presidenti i ndjerë Rugova më tha:” Harry do të punojmë së bashku deri në fund për çështjen e Kosovës”.

Presidenti Rugova për herë të fundit në SHBA

Për herë të fundit kur ishte në Amerikë, presidenti Rugova pas luftës, unë me Rrustem Gecin, organizuam një darkë të veçantë për të.Këtë darkë solemne e shtruam në një anie shetitëse nëpër ujrat e lumit Hudson rreth e përçark New York-ut, ku morën pjesë mbi 100 shqiptarë.Kjo ka qenë vizita e tij e fundit në SHBA.Në bisedë me të, më tha se tani po arrijmë tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ku të gjithë kemi hise, se të gjithë kontribuam për të.
Varrimi i Rugovës ishte një referendum për pavarësinë e Kosovës.Ky ka qenë përkushtimi i tij sa ishte gjallë. Ky ideal i tij u përmbush vetëm dy vjet pas vdekjes së tij. “Amanetin e të parëve e kemi obligim ta çojmë në vend”, thoshte ai në biseda që organizonte me shqiptarët e Amerikës.
Nga viti 1991 e deri në vdekje, sa herë që janë mbajtur zgjedhjet për president të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i ka fituar me shumicë apsolute të votave. I ndjeri ka qenë figurë unifikuese.
Sot pas dhjetë vjetësh të vdekjes, Dr. Ibrahim Rugova kujtohet me pietet të madh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kombëtar e mbi të gjitha si arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
* Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York

Filed Under: ESSE Tagged With: DHJETË VJET PA PRESIDENTIN E KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, harry bajraktari

25 VJET TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

December 8, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari*/

Një goditja e fortë çekani më 9 nëntor 1989 rrëzoi për dhe’ Murin e Berlinit, pas 28 vjetësh të ekzistimit të tij.Ky mur famëkeq kishte ndarë kryeqytetin gjerman në dysh, ashtu siç ishte e ndarë bota në atë demokratike dhe atë komuniste. Ky mur, si të themi, ishte edhe simbol i ndarjes së botës në dy blloqe, të quajtur ndryshe lufta e ftohtë.Kur ra ky mur i betonuar, ndërtuar në vitin 1961nga Gjermania Lindore, një muri tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ende ishte në të njëjtin vend, i vendosur shumë para atij të Berlinit. Përderisa rrëzuarja e këtij muri në Evropën e qytetëruar po bënte jehonë të madhe, sodomos tek disa vende të sistemit komunist si në Poloni, Çekosllavaki e vende të tjera, regjimi diktatorial në Shqipëri, përkundër panikës që e kishte rrokur, s’po jipte shenja të dritës së gjelbërt. Kreu komunist i Shqipërisë dhe anëtarët e Byrosë Politike në këtë kohë, deklaronin se gjithçka mund të ndodhte, por jo edhe rënia e monizmit, ku ata kishin lumturinnë e jetës së tyre. Do të ishte naive që këta udhëheqës të mos e kuptonin valën që i kishte përfshirë vendet komuniste të Evropës Lindore dhe ato në Ballkan për ta përmbysur sistemin komunist që shihej i kalbur. Mirëpo, diktatura në Shqipëri, ende shpresonte në të vetmin mjet që i kishte mbetur në dorë të majtë-dhuna. Ajo çka kishte ngjarë me Çausheskin e Rumanisë, s’ do mend se ishte një parandjejnë i qartë edhe për Ramiz Alinë dhe bashkëpuntorët e tij komunistë. Siç do të shohim më vonë Ramiz Alia nën trysninë e Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit, në krye të se cilës u vendos demokrati dhe patrioti nga Tropoja Azem Hajdari, filloi ta shihte se koha e tij po përfundonte.

***

Një popull i ngujuar brenda mureve të hekurta kishte ardhur në një gjendje tepër  të rraskapitur që më s’ mund të priste dhe s’ kisht çka të humbte. Shikuar në këtë prizmë, vitet 90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vitet më të rëndësishme në historinë e saj të re, pas pavarësisë më 28 nëntor 1912.Çdo kapërcim i madh historik ka kërkuar një udhëheqës që i ka prirë masës së dëshpëruerëve.Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës, doli studenti Azem Hajdari me një guxim të pashembulltë kundër diktaturës shumëvjeçare në Shqipëri.Ky kishte edhe përkrahjen e disa intelektualëve kyq nga Tirana, të Sali Berishës, Gramoz Pshkos dhe të disa intelektualëve të tjerëve që gjendja aktuale të përmbysej pa tronditje fatale, duke qenë në ruajtje dhe mbrojtje të popullit. Në këtë kontekst logjik Azem Hajdari formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë ultimatum Ramiz Alisë se alternativë tjetër, pos demokracisë, nuk kishte mbetur. Pushteti i Ramiz Alisë, duke u mbështetur në doktrinën komuniste apo më mirë të themi duke mos harruar ende ëndrrën e tij, nisi fushatën e persekutimit ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt tjerë në Evropë. Kundër kësaj dhune dhe terrori që ushtronte kreu komunist i Shqipërisë, u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen Azem Hajdarit. Në fillim studentët pakënaqësitë e tyre i shfaqën brenda sheshit të këtij institucioni të arsimit të lartë, e më pastaj edhe në sheshet tjera të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Azem Hajdari bëri thirrje në formë të prerë që të hapeshin portat e demokracisë edhe në këtë vend të katandisur nga dhuna. Ky student, tashmë konsiderohej i rrezikshëm për piramidën komuniste në Shqipëri. Dhe, për këtë arsye thirret në polici, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t’ u bindej urdhërave të tyre.

Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, Azem Hajdari, i cili ndodhej në ballë të Lëvizjes, për herë të parë doli parulla “Liri, demokraci…”Një parullë e tillë nuk ishte parë për 50 vjet në hapsirën e Shqipërisë, çdo gjë dhe ide ishte ngulfatur. Në krah të kësaj Lëvizje masive ishte edhe Dr.Sali Berisha e intelektualë të tjerë të cilët vepruan deri në rrëzimin e sistemit komunist dhe bashkëvepruan në proceset tjera të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri.Në këtë demonstratë studentët u përballën me policinë dhe kjo ishte përballja e parë, gjithashtu për afro 50 vite. Sllogani i studentëve që valvonte shesheve të Tiranës: “Edhe ne si gjithë Evropa!, ishte më i fuqishëm se parrullat komuniste, tani të zhveshura dhe të mbetura leckë, pa vlerë.

Ramiz Alia, duke mos pasur rrugëdalje tjetër pranoi të ulej në një tryezë me Azem Hajdarin, Dr. Sali Berishën, Gramos Pashkon e demokratë të tjerë. Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje historike gjatë bisedës ia bënë me dije se vetëm aplikimi i sistemit pluralist, Shqipërinë mund ta nxirrte nga një katastrofë totale. Në këtë kontekst i përkujtuan atij ngjarjet që kishin ndodhur në vendet komuniste në Evropë.Nga trysnia, pasardhësi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, më në fund, u pajtua që në Shqipëri të niste pluralizmi politik.

Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë.

Më 22 mars 1992, ditën e parë të pranverës, u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe me këtë përmbyll kapitulli i tiranisë së errët në Shqipëri. Në mitingun e madh që organizoi Partia Demokratike në sheshin e Tiranës, foli lideri i saj Dr. Sali Berisha, i cili me tone entuziaste paraqiti projektin e një Shqipërie demokratike, ku të gjithë do të gëzonin të drajtat dhe liritë e tyre, në një Shqipëri evropiane.

Nga një dorë mizore më 14 shtator 1998 u vra simboli i Lëvizjes Studentore dhe i demokracisë, Azem Hajdari.Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie që ishte nisur drejtë Evropës dhe ndaj njeriut i cilii bëri shumë për demokracinë shqiptare.Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit dhe idealistët e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtes së ekzistimit.

Shqipëria pas 25 vjetësh të tranzicionit?

Kanë kaluar 25 vjet të ranzicionit në Republikën e Shqipërisë dhe kjo periudhë mund të konsiderohet deri në njëfarë mase e mjaftueshme për një zhvillim të demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit në aspektin ekonomik e politik.Në këtë drejtim ka shumë pikëpyetje dhe gjithashtu mendime që kërkojnë përgjigje?

Shqipëria para 25 vitesh ishte nisur nga zero-ja, nga një asgjë, dhe ngjarjet që pasuan ishin shpresëdhënse dhe me kalimin e viteve edhe zhgënjyese. Nuk ishte e lehtë  shkëputja nga e kaluar dhe aq më e vështirë ishte ngjitja, kuptimi dhe vullneti i zhvillimit të një demokracie të mirëfilltë. Shqipëria për këto 25 vjet kaloi nëpër një periudhë të komplikuar tranzicioni: përmjet fajdeve, korropcionit, krimit të organizuar, kundërthënieve të ashpra partiake për arritur në pushtet, me përvojën e pakët të zhvillimeve demokratike, me shumë probleme të pronësisë dhe me fenomenin e pangopëshmërisë të politikanëve për t’ u pasuruar, duke keqpërdorur pozitën dhe votën e dhënë nga populli. Ndër problemet tjera të mëdha  ka qenë ndërrimi i botëkuptimit për ta kuptuar shpirtin e demokracisë dhe, në këtë kontekst, edhe krijimin e vetëdijes për ndërtimin e shtetit, që është gjëja kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, tregut të lirë dhe të hapjes së vendeve të lira të punës. Në këtë periudhë Shqipëria u përballë edhe me ekzodin e shqiptarëve, duke kërkuar shpëtim në botën e jashtme për një vend pune.

Një shtet që s’ arrin të krijojë lumturi materale për qyetetarët e saj, nuk mund të ketë stabilitet politik e ekonomik dhe ardhshmëri të mirfilltë për qytetarët e saj.

Shqipëria e këtyre stërngarkesave për një çerek shekulli pati edhe sukseset e saj: gjatë kësaj periudhe Bashkësa Evropiane miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja kryesore për Stabilizim Asocimin dhe shumë marrëveshje të tjera integruese me Bashkësinë Evropiane dhe me vende të tjera të botës për bashkpunim ekonomik e tregtar.

Ndër arritjet më të madha konsiderohet hyrja e Shqipërisë në Aleancën Veri Atlantike-NATO.

Gjithashtu u ndërtuan shumë rrugë, ndër to edhe rruga e kombit që lidhë dy pjesët shqiptare, Shqipërinë me Kosovën, që për kohë të gjatë ishin të shkëputura me një kufi hekuri. Shqipëria është vend i mundësive të mëdha të zhvillimit ekonomik, sidomos të zhvillimit të turizmit bregdetar, ku politika është pengesa më e madhe e saj.

Shqiprinë në të ardhshmen e presin shumë punë të rëndësishme: zbatimi i ligjeve, një pavarësi më e theksuar e gjykatave, një luftë më e madhe e zhvillimit ekonomik, e demokracisë dhe integrimit evropian. Jemi dëshmitarë se bota sot po lëviz shumë shpejt, prandaj Shqipëria duhet të lëviz edhe më shpejt për  t’ iu afruar Bashkësisë Evropiane dhe rrjedhave botërore. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë të presin, ata duhet të zënë trendet e kohës.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Yllyria në New York.

8 Dhjetor , 2015

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjet, harry bajraktari, TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

SHABAN BINAKU DHE AVDULLAH HOXHA, DY DESHMORE TE KOMBIT QE I PARAPRINE PAVARESISE

November 29, 2015 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/*

Mirëmbrëma të nderuar bashkatdhetarë!/

Të gjithë juve që jeni tubuar këtu dhe shqiptarëve kudo që janë, ju uroi Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall në Vlorë më 1912. E përgëzoj  ” VATRËN” për këtë organizim të mirë me rastin e 28 nëntorit, ku jemi tubuar këtu nga të gjitha viset shqiptare për të kremtuar së bashku.

Për lirinë e Shqipërisë, kanë sakrifikuar jetën shumë shqiptarë të cilët ranë në fushëbeteja të ndryshme kundër armiqve tanë. Këta martirë e dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e atdheut, duhet t’ i kujtojmë vazhdimisht që mos ta harrojmë të kaluarën dhe historinë tonë.Më lejoni që sonte para jush t’i them dy-tri fjalë për dy dëshmorë të kombit tonë nga Malësia e Gjakovës, Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, të cilët për shkak të aktivitetit të tyre patriotik dhe luftërave që zhvilluan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, u ndoqën kudo nga ushtria e xhonturqve derisa u ekzekutuan.

Sot, pikërisht, para 105 vjetësh, më 27 Nëntor 1910, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me urdhërin e Durgut Pashës, xhonturqit e pabesë në sheshin e pazarit në Gjakovë, varën publikisht Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, në të njëtën ditë, në të njëjtin vend. Varjen e këtyre dy dëshmorëve të kombit, Qeveria e Xhonturqve e bëri publikisht me qëllim që ta frikësonte masën popullore shqiptare që ishte ngritur kundër këtij pushtuesi për të fituar lirinë dhe pavarësinë.

Trupat e tyre u varrosën në Gjakovë, në oborrin e Tyrbes së Tahir Efendisë, te Ura e Tabakve, ku janë edhe sot. Varja e këtyre dy martirëve shkaktoi zemërim të thellë te populli shqiptar, sidomos në Malësinë e Gjakovës.

Sic thote kanga popullore:

Haj medet po ban Gjakova,

Sot po viret Abdullah Hoxha.

Haj medet po ban konaku,

Sot po virret Shaban Binaku.

Shaban Aga si gjylja e topit,

rrept po shkon rrugës së konopit,

Po bjen hoxha shahadet,

Shaban Aga po i jep gajret,

qendro hoxhë, ishalla mreti nuk na pret

Shaban Binaku i përket  familjes së madhe të Binak Alisë.  Musli Mulosmanaj, i cili sonte është i pranishëm në këtë manifestim është nipi i Shanban Binakut, kurse Servete Hoxha-Mulosmanaj, bashkëshortja e Musliut, është stërmesa e Avdullah Hoxhës.

Shaban Binaku nga natyra ishte një njeri i mençur ku qetësinë e ruante edhe në momentet më të vështira, që është veti e burrave të mëdhenj. U lind në Fang të Bujanit në Malësinë e Gjakovës në vitin 1851 kur kjo anë i takonte Vilajetit të Kosovës, njëri nga katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane. Kishte trashëguar shumë veti të babait të tij, Binak Alisë. Ishte orator i njohur në tubimet e shumta popullore ku udhëhoqi shumë kuvende të rëndësishme në luftë kundër sundimit osman dhe ringjallte shpresën kombëtare, ashtu siç kishin vepruar shumë patriotë para tij.

Shaban Binaku me vëllëzerit dhe kusherinjët e tij mori pjesë në kryengritjen e Slivovës në afërsi të Ferizajt, ku ra heroikisht Mic Sokoli e trima të tjerë. Ai udhëhoqi tubimin e Verrave të Llukës, ku u morën vendime të rëndësishme historike për Shqipërinë.

 

Avdullah Hoxha u lind në fshatin Kovaçë të Malësisë së Gjakovës nga një familje atdhetare. Me profesion ishte hoxhë dhe i përkiste fisit Gash.  Ndoqi rrugën e shumë patriotëve të kësaj ane, ku liria kombëtare për të ishte mbi të gjitha. Së bashku me Shaban Binakun morën pjesë në shumë beteja e kuvende popullore. Këta dy dëshmorë ishin pjesëmarrës edhe në Lidhjen e Pejës dhe në aktivitete tjera për Pavarësinë e Shqipërisë. Ranë për çështjen e Shqipërisë së bashku, në të njëjtën ditë, ashtu siç kishin luftuar kundër perandorisë osmane dhe pushtuesve tjerë serbo-malazez.

 

Të nderuar bashkatdhetar,

në saje të gjakut të tyre dhe të brezave para dhe pas tyre që ranë në fushëbeteja gjithandej Shqipërisë etnike kundër armiqve tonë të shumtë, sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë në dy shtete tona shqiptare: në Shqipëri dhe Kosovë. Duhet të luftojmë gjithmonë për më shumë të drejtat  kombëtrare të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të zi dhe në Luginën e Preshevës, duke mos harruar kurrë as Çamërinë.

Gëzuar kjo festë!

Faleminderit.

 

Mbajtur ne Darken Festive te 103 vjetorit te Pavaresise se Shqiperise, Organizuar nga VATRA- Nju Jork  27  Nëntor, 2015.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Avdulla Hoxha, deshmoret, harry bajraktari, Shaban Binaku

NJU JORK-Flamuri kuq e zi – u ngrit në shtizën e Bashkisë Yonkers

November 24, 2015 by dgreca

Majori i Yonkersit Mike Spano, me Proklamat nderoi festën kombëtare të shqiptarve 103 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit/

Beqir SINA New York/
YONKERS NY – Jehona festive e Pavarësisë së Shqipërisë – ka filluar të ndjehet kudo në bashkësinë shqiptare në Amerikë. Përgatitjet, për t’a festuar me madhështi këtë festë, kuq e zi, i sheh kudo në qendrat më të banuara, me shqiptar, aty ku ka më shumë shqiptaro -amerikanë, pra në shumicën e qyteteve dhe shteteve të ndryshme të Amerikës, ku edhe shqiptarët janë më shumë të organizuar.
Nën kujdesin e Bashkisë Yonkers, New York, mbrëm është bërë ngritja e flamurit shqiptarë, në shtizën para ndërtesës së kësaj Bashkie, kurse “Kulla e Sahatit”, pjesa më e lart mbi ndërtese, për her të parë është ndriçuar me ngjyrë të kuqe, shkruan faqja zyrtare e Bashkisë Yonkers, New York.
Kryetari i Bashkisë Yonkers, zoti Mike Spano, së bashku me zyrtarët e kësaj bashkie, dhe një grup përfaqësuesish të komunitetit shqiptar, banorë të kësaj bashkie, u mblodhën për të ngritur me solemnitet flamurin shqiptar në City Hall – në nderim të përvjetorit të 103 të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë Mike Spano, nderoi me këtë rast me një Proklamat 103 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe veprimtarin e këtij komuniteti Henry Gjonbalaj,
Ngritja e flamurit shqiptar, u bë nga Kryetari i Bashkisë Spano dhe kongresmenin Eliot Engel – në shtizën në oborrin e Bashkisë Yonkers City
Kurse, në këtë ceremoni morën pjesë : Kryetari i Bashkisë Mike Spano, Avokati Naim Bajraktari, Angjelina Nika, Mike Breen, Harry Bajraktari, Frankie Hudak, Michael Sabatino, George Latimer, David Tubiolo, Shelley Mayer, Gezim Nika, dhe Kongresmeni Eliot Engel.
Ky është viti i dytë – me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, komuniteti shqiptarë në Bashkinë e Yonkersit së bashku me autoritetet lokale janë mbledhur për të festuar ngritjen e flamurit kuq e zi, në shenjë solidariteti  flamuri shqiptar valvitet së bashku me flamurin amerikan.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Engel, Flamuri shqiptar, harry bajraktari, Mike Spano, Yonkers

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT