*Doli libri i veprimtarit dhe biznesmenit shqiptaro -amerikani, Harry Bajraktarit
“NJË ÇEREK SHEKULLI PËR ÇËSHTJEN E KOSOVËS NË WASHINGTON”/
* Dy kopje të librit iu dhuruan Bibliotekës së VATRËS/
NGA MUHAMET MJEKU/
Tash po sa ka dalë nga shtypi libri i Harry Bajraktarit me titull ”Një çerek Shekulli për çështjen e Kosovës në Washington”, botuar nga “Albanian Media Grup” në SHBA.
Libri u kushtohet atyre që, brez pas brezi, u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Në këto shkrime dominon tematika: Washingtoni dhe shqiptarët e Amerikës për Kosovën, Shqipërinë dhe trojet tjera etnike, nëpërmjet takimeve me personalitetet të larta amerikane, komente, intervista, letër shkëmbime dhe diskutime të Harry Bajraktarit, prej se kur erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amertikës.
Në këtë vëllim janë botuar edhe shkrimet dhe intervistat e autorit të publikuar në gazetën “Illyria”, në “Bota Sot”, në gazetën “Dielli” të Vatrës, në 55 , “Panorama”, “Telegraf”, “ Lajm” , dhe në disa gazeta e revista të tjera në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Këtu gjen aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës nga vitet e 90-ta në të sotmen që kryesisht ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe me demokratizimin e Shqipërisë. Në libër ndodhen edhe disa intervista të Harry Bajraktarit, dhënë gazetave të ndryshme si dhe letra përshëndetëse, dërguar personaliteteve politike, njerëzve të kulturës dhe klerikëve.
Harry Bajraktari, krahas aktivitetit të tij si veprimtar, në vitin 1991 themeloi edhe gazetën “Illyria” dhe nga atëherë filloi t’i botojë shkrimet e tij në gjuhën angleze dhe shqipe, ndërsa më vonë vazhdoi të publikojë edhe në disa gazeta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Nëpërmjet këtyre shkrimeve dhe letrave dërguar personaliteteve amerikane, si dhe në bashkëpunim me miqtë e tij amerikanë dhe me shqiptaro-amerikanët, z. Bajraktari, afirmoi në mënyra të ndryshme çështjen kombëtare në Washington. Lexuesi do të ketë rast të njihet për takimet e tij me ish presidentin Clinton, Hilary Clinton, Holbrooke, Joe Biden, Bab Dole, Eliot Engel e figura të tjera amerikane, si dhe me takimet e tij me Dr.Ibrahim Rugovën, Dr. Sali Berishën, me politikanë e intelektualë të tjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Gjithashtu janë prezentuar edhe disa nga takimet e tij me njerëz të kulturës dhe artit. Në këtë kontekst ai u takua edhe me Bianca Jagger, aktore dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, ish bashkëshortja e Michael Philip “Mik” Jager, njëri nga themeluesit e famshëm të Roling Stones. Në vitin 2006 presidenti George Bush i dha mirënjohje Harry Bajraktarit për shërbim dhe pjesëmarrje qytetare për shtetin amerikan.
Në këtë shënim po paraqesim një fragment nga ky libër:
“Amerika të jep mundësi të ngritesh ekonomikisht, të ndjehesh i barabartë me gjithë të tjerët, të shkollohesh dhe të gjesh profilin tënd, si asnjë vend tjetër në botë. Prandaj, Amerika s’ ka qenë ëndërr vetëm e shqiptarëve, por edhe e shumë popujve të këtij planeti të hequr keq. Vetëm në një demokraci e tillë mund të realizosh synimet e tua. Amerika na krijoj kushte dhe mundësi, kurse ne me punë të përditshme realizuam të mira materiale. Me këto të mira ngritem vetveten, ndihmuam atdheun dhe njerëzit tanë në Kosovë. Mendoj se pa këto mundësi ekonomike dhe pa një sistem të tillë demokratik që ka Amerika, nuk do të kishim shumë vullnet për t’ ju përkushtuar vlerave esenciale të kombit.
Mbi këtë bazë kemi vepruar, dhe kështu po veprojmë edhe sot për të qenë pranë vetvetes dhe popullit shqiptar gjithandej në Ballkan”.
Llibri është ilustruar me fotografi nga takimet e tij me personalitetet të larta të Amerikës dhe botës nga Bill Clinton tek kryetari i Izraelit Shimon Peres dhe ndahet në 15 kaptina.Vija ndarëse e një kaptine në tjetrën nuk nënkupton edhe tematikën e njëjtë të shkrimeve.
Libri i Harry Bajraktarit “Një çerek shekulli për çështjen e Kosovës në Washington” është botuar me një dizain dhe teknikë të përsosur dhe ka 365 faqe. Të gjitha fotografitë janë me ngjyra, ndërsa në kopertinë është ndërtesa e Konkresit amerikan në Washington DC.
Shënim: Sot, e Premte 27 Shkurt, autori Harry Bajraktari dërgoi për bibliotekën e Vatrës, dy kopje të librit. Në bibliotekën e Vatrës ruhen libra që prej 103 vitesh. Në të janë ruajtur dhe librat origjinalë të Fan S Nolit, Konicës, Cekrezit etj. Faleminderit!
SHBA: Kreu i legalistëve Gjana – takohet me kongresistin Eliot Engel
– Mulosmani dhe Bajraktari priten kryetarin e PLL zotin Gjana/
Gjana: “PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë”/
Nga Beqir SINA – New York/
WASHINGTON D.C: Kryetari i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, i cili ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë disa ditore, për të marrë pjesë në një konferencë për bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare, në Kombet e Bashkuara, ka shfrytëzuar vizitën e tij, për të zhvilluar disa takime, me lider të komunitetit shqiptar, kongresistin Engel dhe një intervistë e dhënë me Zërin e Amerikës, dhe shtypin shqiptaro amerikan.
Kryetari, Gjana, gjatë kësaj vizite, mori pjesë në një sërë aktivitetesh të mbajtura me rastin e Pavarësisë së Kosovës, të organizuara nga bashkësia shqiptare. Vizita e kreut të legalistëve, në Shtetet e Bashkuara, koincidoi në të njëjtën kohë, kur shqiptarët e Amerikës, kremtuan në mënyrë madhështore,17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, dhe ai ishte i ftuar nderi në dy kremtimit më të mëdha në Nju Jork, kremtimin e Vatrës dhe atë të organizuar nga asamblesiti i Njujorkut, zoti Mark Gjonaj.
Në axhendën e tij ditën e Martë, 24 Shkurt, kreu i legalistëve Gjana – pati një takim si është shprehur ai interesant dhe të përzemërt me mikun e popullit dhe kombit tonë shqiptar, Kongresmenin Eliot Engel, takim që u zhvillua në zyrën e Tij në Kongresin Amerikan – Capitol Hill Washington D.C..
“Jam i lumtur, deklaroi Gjana, mbas këtij takimi, që mu dha mundësia që në emër të gjithë legalistëve dhe kombëtaristëve shqiptarë ta falënderoj Kongresmenin Engel, për kontributin e Tij për demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë kauzave te PLL e mbretërorëve shqiptar. Mbasi, gjatë takimit shkëmbyem mendime dhe ndamë shqetësimet tona të përbashkëta lidhur me situatën në Shqipëri, Kosovë dhe rajon” thotë kryetari i PLL zoti Sulejman Gjana.
Simbas tij, historikisht PLL dhe SHBA, kanë ndarë dhe mbrojtur në mënyrë të përbashkët vlerat universale të Lirisë dhe Demokracisë, si dhe kanë bashkërenduar veprimet e tyre në shërbim të këtyre vlerave. Gjatë takimit me Kongresmenin Engel dhe shumë miq të tjerë në Washington – u shpreh bindja se në të ardhmen lidhjet tona do të përforcohen edhe më shumë, tha Gjana.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës së tij, disa familje të njohura mbretërore, në Nju Jork, Nju Xhersi, Kenektikët, Uashington, shtruan darkë nderi për Kryetarin e PLL zotin Sulejman Gjana.
Mbrëmë, ai ishte i ftuar në pritjen e dhënë nga zoti Musli Mulosmanaj, dhe z. Harry Bajraktari, në lokalin “Sam’s Place Restaurant” në Nju Jork, me pronarë zotin Maxhun Biberaj.
Darkë, në të cilën morën pjesë, veprimtari dhe biznesmeni shqiptar, Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, veterani legalist Nderc Gjergji, mbretërorët Hamit Zenuni, Musli dhe Sami Mulosmani, dhe kryetari i degës së PLL, për SHBA dhe Kanada, zoti Hakik Mena.
Në emër të mikëpritësve, zotit Bajraktari dhe Mulosmani, mirëseardhjen – ja ka uruar veterani legalistë, zoti Musli Mulosmani, i cili, ka folur me këtë rast me krenari për kontributin e madh që dhanë ndër vite partitotët dhe atdhetarët në mërgim.
Me këtë rast, veprimtari dhe Biznesmeni , Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, mbasi përgëzojë, kryetarin e legalistëve zotin Gjana, për lidershipin e tij, në krye të kësaj partie, tha ndër të tjera, duke folur për çështjen shqiptare, – “se ne jemi gjenerata më fatlume, që po përjetojmë këto ditë – Shqipëria e lirë dhe demokratike, në Nato, dhe, aspirante për në Bashkimin Europian. Kosova, e lirë dhe e pavarur, mbas atij okupimi shekullor, të egër sllavo -komunist, të Serbisë. Kurse, çështja shqiptare në viset shqiptare, fatmirësisht, ka ecur përpara, tha Bajraktari, duke kujtuar se të parët tanë, kanë ëndërruar për qindra vjetë, dhe ja vjen një ditë, që sot ne u bëmë dëshmitar të këtyre ditëve të bukura – për të gjithë shqiptarët, megjithse, duhet pranuar, shtoi ai se nuk kemi arritur gjithëçka, sepse kemi edhe më shumë për të bërë”, tha Bajraktari.
Më pasë, zoti Bajraktari, ka vlerësuar në mënyrë të veçantë, kontributin e madh të familjes Mulosmani, dhe bashkëluftërave të saj, duke përmendur figura të shquara të patriotizmit në diasporë, në dobi të çështjes kombëtare, “të cilat, tha ai u bënë burim frymëzimi edhe për brezat tanë, qysh me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, luftën kundra komunizmit e sllavo komunizmit, deri në çlirimin, lirnë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Kështu, pas shkëmbimit të dhuratave, kreu i legalistëve Gjana – nderojë me një mirënjohje anëtarin e Senatit të PLL, zotin Musli Mulosmani – me një çertifikat “Mirënjohje” me motivacionin :”Për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Partisë “Lëvizja e Legalitetit”,Familjes Mbretërore, Çështjes Kombëtare, kauzave tona në kohëra të vështira”.
Veprimtari dhe Biznesmeni, i njohur zoti Harry Bajraktari, ish botuesi i gazetës shqiptaro amerikane Illyria, i dhurojë në shenjë respekti Kryetarit të Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, zoti Sulejman Gjana, një paket me libra; foto albumin biografik -“Albanian American Success Stories”, ku H.Bajraktari është vetë pjesë e këtij libri, të parë voluminoz dhe luksoz(hard cover) – me pjestarë të tjerë të suksesshëm të komunitetit shqiptarë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, Bajraktari, dhurojë edhe monografinë e librit të publicistit Muhamet Mjeku “A life between Kosova and America with Harry Bajraktar’s family”, -“Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës me familjen Harry Bajraktarin”, dhe librin e shkruar nga vetë, ai – dhe dalur këto ditë në qarkullim “Një çerek Shekulli për Çështjen e Kosovës në Washington” autor Harry Bajraktari.
Falenderim Presidentit të Shqipërisë në Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Nga Harry Bajraktari/
Sot kur shënojmë 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kujtojmë sakrificën e sublime të popullit tonë në luftë kundër okupatorit serb, i cili na solli aq shumë vuajtje në rrugën tonë të gjatë për liri dhe pavarësi.
Nuk ka mburrje me të madhe sesa të kujtosh ata që flijuan jetën për lirinë e Kosovës, të kujtosh qendresën heroike të tyre dhe të kujtosh ata intelektualë e veprimtarë që në forma të ndryshme kontribuan dhe ishin kreatorë të lirisë e nderit tonë kombëtar. Për një shekull aq sa u luftua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, u sakrifikuan shumë breza, shumë njerëz që historia ua ka borxh t’ i vlerësojë dhe t’ u japë vendin meritor për atë që bënë për ne, për ardhmërinë e kombit tonë dhe për lirinë që sot e gëzojmë. Nëse kthehemi prapa e shikojmë të kaluarën tonë përplot luftëra e përpjekje, borxhin ndaj tyre më së miri do ta lanim nëse do të punojmë më shumë për brezat e ardhshëm, nëse do të krijojmë të mira materiale, nëse do ta bëjmë Kosovën ashtu çfarë e ëndrronin ata që ranë për liri dhe njëherësh një Kosovë të sforcuar në Bashkësinë evropiane, si popull më i vjetër që jemi në Ballkan, me kulturë dhe civilizim të lashtë. Për këto 100 vite ka shumë personalitete që historia i ka vlerësuar dhe shumë të tjerë që duhet t’ i vlerësojë. Me rastin e këtij përvjetori të pavarësisë së Kosovës po përmendi dy personalitete më të rëndësishme të historisë sonë më të re: Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin që janë sinonim i vlerave që shkrihen në idealin e popullit tonë bashkë me shumë figura të tjera të kombit që i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, duke u nisur nga vlerat atdhetare liridashëse, me rastin 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, dekoroi disa personalitete të rëndësishme: luftëtarë, veprimtarë dhe intelektualë( post mortum) për kontributin e tyre që dhanë për lirinë dhe pavarësinë që sot e gëzojmë. Me këtë vlerësim presidenti Nishani, ka nderuar veprën e tyre ushtarake, veprimtarinë e tyre kombëtare dhe intelektuale.
Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së kosovës Z. Nishani, dekoroi Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të mbrojtjes të Republikës së Kosovës me dekoratën” Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” për kontributin e tij në themelimin e strukturave institucionale ushtarake. Ndërkaq me dekoratën “Nderi i Kombit” vlerësoi veprimtarët e shquar, luftëtarët, ushtarakët, atdhetarët: Salih Çeku, Zair Pajaziti, Tahir Zemaj, Agim Ramadani, Ekrem Rexha (Drini), Indrit Cara, Luan Haradinaj, Bekim Berisha( Abeja), Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi -Lladrovci dhe Smail Hajdaraj. Me ” Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Shaban Manajn, Latif Berishën, Ukë Bytyqin dhe për merita të veçanta civile Ismet Rracin, Agim Hajrizin dhe Haki Ymerin.
Presidenti i Shqipërisë zoti Nishani, me vlerësimin e këtyre figurave ka nderuar jetën dhe veprën e tyre për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke u nisur nga fakti se historia duhet të shkruhet në bazë të vlerave dhe sakrificave.
Kosova është shteti ynë që duhet ta ndërtojmë dhe ta integrojmë në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO. Në Kosovë mund të jetohet dhe s’ do të humbë shpresa për të. Sakrifica flet më shumë.
Urime Kosovë për këtë shtatëvjetor të pavarësisë. Faleminderit president i Shqipërisë z. Bujar Nishani.
* Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York
TA KEMI BESIMIN PËR TË JETUAR NË VENDIN TONË
NGA HARRY BAJRAKTARI/
Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre,
papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo rracional. Ikja me
tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike. Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar
jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit ilegal nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e migrimit mund të përfitohet dicka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë më azilantë.Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik. Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët e saj. Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka edhe mashtrim dhe shumë iluzione.Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua dhënë votën, e jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më
herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh. Këto pamje që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Këto skena janë një alarmi më shumë për institucionet e Kosovës. Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara.Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupcionin dhe krimin e organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
IN MEMORIAM
MUHARREM SHERIF KRASNIQI-VETERAN I ARSIMIT NË LUG TË BARANIT(1921-2015)/
Nga HARRY BAJRAKTARI/
Në Vranoc vdiq Muharrem Krasniqi, veteran i arsimit dhe mësuesi i parë në Shkollën fillore në Baran të Pejës. I ndjeri rrjedh nga një familje e njohur me traditë patriotike, e cila në perudha të ndryshme historike ka dhënë kontribut të çmueshëm në luftë për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe të rojeve tjera etnike shqiptare. Nga rinia e hershme Muharrem Krasniqi iu përkushtaua shkollimit dhe arsimimit të popullatës së Lugut të Baranit, duke marrë parasysh se, në kohën kur ai u emërua mësues në Baran në vitin 1943, numri e shqiptarëve të arsimuar ishte fare i vogël, jo vetëm në këtë anë, por në tërë Kosovën. Duke parë këtë situatë të vështirë të arsimit në gjuhën shqipe dhe mungesën e kuadrove në këtë fushë, Muharrem Krasniqi nuk kursei as kohë as mund që t’ u dalë në ndihmë banorëve të Vranocit dhe të fshatrave të Lugut të Baranit.
Muharrem Krasniqin, pas përfundimit të Luftës së II Botërore, më 1945/ 1946 e gjejmë prapë në Shkollën e Baranit. Duke qenë një kohë drejtues i këtij institucioni të arsimimit fillor dhe mësues, ai ndërmori një aksion të gjerë për regjistrimin e një numri sa më të madh të nënësve në klasën e parë, ku në atë kohë kishte familje që hezitonin për t’i dërguar fëmijët e tyre në bankat shkollore. I motivuar nga vullneti i madh, Muharrem Krasniqi hyri shtëpi për shtëpi për t’ i bindur bahkëvendasit e tij dhe të rretinës se pa shkollimin e fëmijëve nuk mund të ketë përparim dhe vetëdije kombëtare. Aksioni i këtij arsimdashësi u kurorëzua me shumë sukses nga një vit në tjetrin, gjithnjë duke shtuar numrin e nxënsëve në shkollë të Baranit, e cila së shpejti do të bëhej edhe qendrër e rëndësishme e arsimimit në këtë anë.
Ky veteran i arsimit punoi edhe në disa shkolla të tjera të Dukagjinit dhe më larg, duke kontribuar në përhapjen e dijes nëpër fshatra në një periudhë tejet të vështirë për popullin e Kosovës, ku njerëzit e arsimit ndiqeshin nga politika shoveniste e Beogradit, hudhëhequr nga krimineli Rankoviq.
Muharrem Krasniqi, përveç shkollimit, u pajis me dije edhe me leximin e librave dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, kishte një vullnet të lartë për të kontribuar në çështjen e kulturës. Edhe vetë u muar me veprimtari krijuese dhe me kultivimin e folklorit dhe kulturës materiale në Lug të Baranit. Ai kishte edukuar shumë breza nxënësish, duke i mësuar se një popull mund të ketë perspektivë vetëm nëse është i arsimuar. Ky mësues i orëve të para ka merita të jashtëzakonshme se bindi shumë prindër të Vranocit dhe rrethinës për t’ i dërguar vajzat e tyre në shkollë, atëherë kur ndër ne ende mbretëronte fanatizmi dhe prapambeturia.
Muharrem Krasniqi i përket familjes së Sylërexhëve të Vranocit, e cila ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare. Luftoi vazhdimisht kundër pushtuesve në periudha të
ndryshme: Turqisë, Mbretërisë serbo-kroato sllovene dhe jugosllavisë komuniste. Nga kjo familje është edhe dëshmori i kombit Ardian Krasniqi, i cili ra heroikisht në Kliçinë të komunës së Pejës për lirinë e Kosovës në luftë kundër forcave serbe, të cilat ushtronin dhunë e terror në gjithë Kosovën. Florin Krasniqi, është djali i Muharrem Krasniqit, i cili ndihmoi luftën e UÇK-së në armatim dhe forma të tjera dhe ishte deputet për një mandat në Parlamentin e Kosovës.
Vepra dhe kontributi i Muharrem Krasniqit do të përkujtohet gjithherë me pietet dhe dashuri nga banorët e Vranocit dhe arsimdashësit e Lugut të Baranit.
Kujtimi tij do të jetë me ne.
- « Previous Page
- 1
- …
- 9
- 10
- 11
- 12
- 13
- 14
- Next Page »