Nga Bardhyl SELIMI/
Që një vit më parë, dëgjova për një Shoqatë atdhetare me emrin “Trojet e Arbrit”. Miku im, Behadini, që kishte qenë në kuvendin e saj, mbajtur në Gjakovë, vjeshtwn qw shkoi, më shpjegoi se Shoqata ka në gjirin e saj intelektualë nga të gjitha trevat dhe diaspora shqiptare. Ajo është themeluar në vitin 2004 dhe mban Kuvende vjetore në qytete të ndryshme të Shqipërisë Etnike.
Qëllimi kryesor i saj është të vetëdijësojë shqiptarët dhe institucionet e tyre për nevojën e bashkimit kombëtar në rrugë demokratike. Njëkohësisht, përmes studimeve dhe ligjëratave, antarët e saj hulumtojnë të kaluarën historike duke synuar të nxjerrin në pah të vërtetat dhe duke përgënjeshtruar njwkohwsisht mashtrimet e bëra nga historianët e politizuar. Për të janë me rëndësi luftërat e përpjekjet e popullit shqiptar dhe e përfaqësuesve të tij të shquar për mëvetësi, pavarësi, përparim shoqëror, demokraci, shtet ligjor, edukim atdhetar, shoqëri të shëndoshë.
Këtë vit, Kuvendi i trembëdhjetë, u mbajt në Krujë, në një ditë të bukur verore. Tema qendrore ishte “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e Madhe e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut e deri në fund të shekullit të njëzetë”.
Kryetari i Shoqatës, profesori Muhamet Shatri më ftoi edhe mua, për më tepër se, me këtë rast, do merrej edhe pëlqimi për propozimin, drejtuar Komunës së Prishtinës, për ta shpalluar “Qytetar Nderi” priftin atdhetar At Nikoll Marku, nga Elbasani, propozim që e pata paraqitur unë. Një vit më parë Shoqata i propozoi Komunës së Prishtinës për ta emëruar një gjimnaz të qytetit me emrin e profesorit atdhetar, Ahmet Latif Gashit, hartuesit të Hartës së Shqipërisë Etnikedhe Atllasit të parë gjeografik të Shqipërisë, drejtor i ish Normales së Prishtinës në vitin 1944.
Hotel “Panorama”, në hyrje të Pazarit mesjetar të Krujës, u bë mikpritësi i pjesëmarrësve në Kuvend të cilët ishin të shumtë. Një pjesë syresh ka udhëtuar me avion nga bota e jashtëme, të tjerë me vetura dhe autobuze.
Mbresëlënëse ishte hapja e Kuvendit. Përveç dëgjimit të Himnit Kombëtar, ju bë nderim tre antarëve të Shoqatës, që kanë ndërruar jetë këtë vit (zotërinjëve Dedë Gjon Marku, Ibrahim Metaj dhe Emin Fazlija), u recitua një poemë e Ernest Koliqit dhe u dëgjua kënga “Thërret Prizreni mori Shkodër”.
Risi ishte përshëndetja e At Nikollë Markut, famullitar i Kishës së Shën Mërisë në kalanë e Elbasanit që 20 vjet, i cili mëton për një Kishë të vërtetë autoqefale shqiptare, me idealet e Fan Nolit dhe drejtuesve të tjerë të shquar të ortodoksisë shqiptare, kundër çdo ndërhyrje nga kishat e huaja. “Në kishën tonë- tha At Nikollë Marku, mbajmë dy flamuj, atë të Kishës dhe atë Kombëtar, pasi ne jemi në radhë të parë shqiptarë pastaj ortodoksë, katolikë apo myslimanë. Në krye të Kishës sonë duhet të jenë shqiptarët dhe fryma e Kishës sonë duhet të jetë atdhetare”.
Përshëndeti edhe një ish luftëtar i UҪK, deputet, ish pjesëtar në Betejën e Koshares, ku ranë dëshmorë 113 vetë duke thyer kufirin shqiptar- shqiptar, për herë të parë. “Kur unë shërbeja ushtarak, u flisja gjithnjë vartësve të mij për historinë, që nga Lufta e Trojës, Aleksandri i Madh, Piroja, Skënderbeu etj duke i frymëzuar ata me heroizmin e tyre. Betejën e Koshares e krahasoja me atë të Termopileve, ku treqind spartanë përballuan mijëra e mijëra persë..”
Ishin planifikuar të mbaheshin rreth 65 kumtesa, referate dhe recenza. Shumica e tyre u lexua përmbledhtazi, pasi, si rregull, Shoqata i boton tërësisht ato në një libër të madh, gati një mijë faqesh, sikurse ishte ai që doli me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë nën titullin “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike “, botuar në Prizren më 2013. (Libri gjendet në Bibliotekën Kombëtare, kryeredaktor prof.dr. Muhamet Shatri).
Nga kumtesat, që u lexuan, po veçoj disa:
“Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe Kosova”, e Bedri Muhadrit, zbulon shumë fakte interesante të shtrirjes së zotërimeve të Kastriotëve deri në Prizren dhe më gjerë.
Figurën e heroit tonë Kombëtar te autorët kroatë e shtjelloi z. Pajazit Hajderi, ndërsa z. Xhemal Meçi, pasi trajtoi Të Drejtën Zakonore me emrin e Lekë Dukagjinit, kujtoi shumë elementë nga toponimia jonë që e kanë ngulitur figurën e këtij personaliteti të shquar shqiptar. Figurën e Skënderbeut si model heroik në kohë, në letrat shqipe, e paraqiti Prendë Buzhala.
Risi, edhe për mua, ishte trajtimi i temës” Vështrim historik mbi principatën e Artës, 1350-1450″ që e bëri z. Nue Oroshi. Kisha dëgjuar për princët Pjetër Losha dhe Gjin Bue Shpata, në shkrimet e prof. Astrit Lekës, pasi nga fisi i tyre kanë qenë shumë luftëtarë në oborret mbetërorë të Evropës. Kumtesa në fjalë i plotësoi më tej këto njohuri.
Rolin e princit të Mirditës, Preng Bib Doda në lëvizjet antiosmane 1878-1912, e ndriçoi z. Prenk S.Gjikola.
Prof. Muhamet Shatri solli fakte dhe përfundime të reja rreth Kryengritjes së përgjitshme shqiptare antiosmane të vitit 1912. Duke cituar një ish ambasador amerikan në Athinë, në vitin 1914, që thoshte se, në shumë raste, luftërat e shqiptarëve u kanë shërbyer të huajve dhe jo atyre vetë, prof. Shatri theksoi se kjo kryengritje ishte e tëra në dobi të shqiptarëve dhe solli pavarësinë e Shqipërisë.
Z. Eugjen Merlika nga familja e Mustafa Merlikës- Krujës sqaroi çështjen shpesh të përfolur të “kolaboracionizmit” të shqiptarëve gjatë pushtimeve të ndryshme të vendit të tyre.
Z. Izber Hoti na solli shumë vlerësime për bashkëatdhetarwt tanë nga autori i huaj Joseph Hammer, ndërsa Don Pren Kola evidentoi figurën e Nikoll kaçorrit në themelimin e shtetit shqiptar.
Rolin e Fan Nolit gjatë vitit 1919 në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë e paraqiti zonja Rezehana Hysa.
Zonja Rukije Rama lexoi kumtesën e Mehmet Rukiqit “Shote Galica- shembulli i heroizmit të femrës shqiptare”. Përqeshjeve të bëra nga njeërz dashakwqinj dhe fanatikë, Shota, tha ajo, iu përgjigjej me zgjuarsi dhe vendosmëri.
Në mbrojtje të veprimtarisë së Mustafa Krujës, si atdhetar dhe politikan i ndershëm, doli me kumtesën e vet z. Ervis Reçi, duke kujtuar që ai është ndër firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë dhe luftëtar për bashkimin e trojeve etnike, përkundër subjektivizmit historik që ka ndodhur, tash 70 vjet. Në këtë frymë ishte edhe kumtesa kushtuar rolit të major Abaz Kupit, prijsit të vërtetë të qendresës antifashiste në Durrës më 7 prill 1939 dhe luftëtarit të mëtejshëm për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar.
Interes të veçantë paraqiti kumtesa për heroin Shaban Palluzha dhe luftën e tij gjatë viteve 1941-1945. Me këtë rast, foli z. Zahir Kastrati i cili kish përgatitur edhe një ekspozitë fotografike me portretet e disa nga deshmoret heronj te betejave te Shaban Palluzhes, kundwr rreth dyzetemije forca ushtarake jugosllave.
Z. Adem Tasholli referoi për një betejë tjetër të lavdishme të forcave nacionaliste më 15 mars 2015, atë të Gadimes ku u asgjësuan 64 pjesëtarë të OZNA-s. Referati është pjesë e një monografie të botuar tashmë për rezistencën nacionaliste në Gadime e rrethinë, promovuar në Prishtinë në prill 2015.
Zonja Ermelinda Kashaj ndriçoi figurën dhe veprimtarinë patriotike të të afërmit të saj, Aqif Kashah në Gjirokastër, të nëpërkëmbur nga regjimi komunist.
Pas pushimit të drekës, që u dha për të pranishmit në restorantin e hotelit, ku pjesëmarrësit patën rast të shkëmbejnë kujtime dhe njohje, u zhvillua sesioni i pasdites.
Z. Mustafë Haziri foli për ndihmesën atdhetare të Shaban Idrizit në fushën e arsimit shqip në Mitrovicë e rrethinë.
Z. Sabri Maxhuni (Novosella) u ndal në tri shpërnguljet e mëdha të popullsisë së Kosovës pas Luftws sw Dytw Botwrore. Ndërsa ajo e viteve 1954-56 që lidhet me aksionin famëkeq të armëve dhe ajo e viteve 1980 pas demonstratave të 1981 ishin të detyruara nga regjimi shtypës sllavokomunist, kur njerëzit puthnin pragun e shtëpisë dhe shpresonin të ktheheshin një ditë aty, shpërnguljet e vitit të fundit, që kapin shifra alarmuse (mbi njëqindmijë) janë të dëshpëruara, njerëzit shprehen “mos të pafsha më Kosovë!”, e kjo për shkak të politikave të gabuara të udhëheqsisë së saj, po ashtu dhe të propagandës armiqësore.
Z. Riza Sadiku u kujtoi të pranishmëve reagimin e mërgatës shqiptare në Amerikë në vitet 1960 ndaj vizitave të Titos atje, në shenjë proteste ndaj shtypjes kombëtare në Kosovë.
Për rolin dhe ndihmesën e mbretit Leka në mërgim foli Sulejman Gjana, ndërsa për profesor Zef Nekajn foli Tomë Mrijaj.
Zonja Rukije Rama portretizoi figurën e një vajze të guximshme që flijoi veten për mbrojtjen e truallit të vet, të vëllezërve dhe vendit të vet, Syke Haxhisë.
Për veprimtarinëe shquar atdhetare dhe arsimore të Ibrahim Fehmiut, referoi z. Besim Morina.
Interesant ishin dëshmitë e reja të sjella nga z. Kastriot I. Veselaj për emigracionin politik të Hasan Prishtinës 1924-1933.
Në fund, zonja Leonora Laçi u foli të pranishmëve për pasqyrimin e historisë në veprën e Tomë Mrijajt.
Sikurse thashë më sipër, kwto janë vetëm disa nga kumtesat që mundën të lexohen në Kuvend, pasi shumë të tjera, autorët e të cilëve mungonin, do përfshihen padyshim në përmbledhjen që do botohet së shpejti.
Referuesit qenë porositur të mos merrnin më shumë se 5 minuta kohë, gjë që u respektua rreptësisht duke i bërë diskutimet shumë të cunguara, por që edhe tregoi se sa pak përpiqemi ne t’i paraqesim idetë tona sa më shkurt. M’u kujtua një anekdotë më Ҫurçillin, ish kryeministrin e Britanisë së Madhe. Kur një gazetar i Radioas BBC e ftoi të fliste rreth dhjetë minuta, ky iu përgjigj se e ka të pamundur, por për një orë do binte në ujdi…
Kuvendin e mbylli kryetari prof.dr. Muhamet Shatri duke përgëzuar ligjëruesit dhe duke u uruar atyre të ritakohen në Kuvendin e ardhëshëm.
Pas fotove kolektive në hyrje të sallës, një pjesë e tyre shkuan të vizitojnë kalanë dhe pazarin mesjetar.
Bardhyl Selimi, 15 gusht 2015(Foto-Arkiv)
KOSOVË, KUVENDI MBLIDHET TË ENJTEN
-Në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës raport për shënjimin e kufirit me Malin e Zi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Korrik 2015-Kuvendi kosovar mblidhet të enjten në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe çështje tjera në axhendë. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Votimi i Projektligjit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë. Pas votimit me shumicë e miratimit në parim u kërkua nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik.
Kuvendi i Kosovës fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë do të shqyrtohen edhe tre projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.
RAPORTON KOMISIONI SHTETËROR PËR SHËNJIMIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI
Sot u mbajt edhe mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ku ka raportuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Në hapje të debatit, kryetari i komisionit Hoxhaj, vuri në pah se deri më tani nuk ka marrëveshje të nënshkruar që përcakton kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit kërkoi të studiohen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë dokumentet që ata posedojnë.
Në vijim raportoi kryetari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.
Ai i siguroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ndërshtetëror prej atyre të vitit 1974. Meha tha se dokumentet, të cilat ata posedojnë dhe shërbehen me to janë të vitit 1974. “Posedojmë edhe dokumente të para këtij viti, e që përputhen me ato të ‘74-ës. Me të njëjtat dokumente shërbehet edhe Komisioni i Malit të Zi, ndërsa janë dokumente të pranueshme për të dyja palët”, theksoi Meha.
Lidhur me pakënaqësitë dhe dyshimet e shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje, Meha sqaroi se ato vijnë më shumë nga frika se sa nga rreziku real që mund të ekzistojë, dhe shtoi se prona nuk i rrezikohet askujt përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi. Duke iu referuar fakteve që ata posedojnë, ai kujtoi kur banorë të asaj ane shfrytëzonin prona të shumta për kullosa dhe tatimin e paguanin në Rozhajë. Është dashur që atje të paguhet tatimi, sqaroi ai, sepse, prona ka qenë në atë anë të kufirit të atëhershëm dhe kjo praktikë është zhvilluar në rrethana të ndryshme prej atyre që janë sot. Meha ka dhënë sqarime sa u përket edhe dy pikave të tjera kontestuese, në Çakor dhe Kullë.
Sqarimet dhe dokumentet e ofruara nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, u kontestuan me këmbëngulje nga deputeti i AAK-së, njëherësh lider i këtij subjekti, Ramush Haradinaj. Ai i vlerësoi të pasakta deklarimet e anëtarëve të Komisionit shtetëror, ndërsa në shenjë mospajtimi me ta braktisi mbledhjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit premtuan mbështetje për komisionin shtetëror, kërkuan kujdes gjatë punës së tyre dhe përkujtuan se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk mund të jetësohet pa miratimin e saj nga Kuvendi.
Kosovë, në pritje të riprocedimit të amendamentit për Specialen
-Sot mblidhet qeveria, nesër Kuvendi/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 8 Korrik 2015-Qeveria e Kosovës mblidhet sot pasdite, ndërsa nesër Kuvendi në seancë plenare. Shtypi i sotëm në Prishtinë shkruan se, Kuvendi i Kosovës është duke pritur nga qeveria t’ia riprocedojë për votim amendamentin kushtetues që ka të bëjë me Gjykatën Speciale, e i cili dy javë më parë nuk pati marrë mbështetjen e nevojshme nga deputetët. Procedura që do të ndiqet kërkon që amendamenti të marrë edhe një herë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese.
Tentativa e sërishme për ta kaluar amendamentin do të bëhet pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do ta themelojë një tribunal ndërkombëtar për Kosovën, në rast se Prishtina zyrtare nuk e krijon Specialen, shkruan sot “Koha Ditore” me titullin “Nuk do t’i preket përmbajtja amendamentit për Specialen”.
Opozita e ka konsideruar të jashtëligjshëm çfarëdo riprocedimi të mundshëm të amendamentit. Por juristët kanë thënë të mos ketë pengesë për përcjelljen e sërishme të tij, në rast se ndiqen të gjitha procedurat kushtetuese.
Juristi Dren Doli ka thënë të martën se pas votës së Kuvendit procedimi i sërishëm i amendamenteve kushtetuese konsiderohet propozim i ri dhe i cili duhet të ndjekë të gjitha fazat procedurale, duke përfshirë ato në qeveri, në Kuvend dhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Mos i vini interesat personale para të Kosovës”, është keyetitull sot në gazetën “Zëri” intervista me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, ku theksohet se “dështimi i miratimit të Speciales në Kuvendin e Kosovës, lejon që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit”.
“Kundërshtarët e Gjykatës Speciale kanë arsye të ndryshme; disa dyshojnë për vete, të tjerët kanë miq që ua merr mendja se mund të akuzohen, ka edhe prej atyre nga opozita të cilët, jo se kanë diçka kundër Speciales, por e bëjnë për të fituar poenë politikë kundër qeverisjes aktuale”, ka thënë ambasadorja e cituar nga gazeta.
Sipas saj, dështimi i miratimit të Speciales dhe lënia e mundësisë që kjo çështje të shkojë në OKB ku do të politizohej, e do të përdoret nga vendet që nuk e njohin Kosovën, për ta denigruar atë, bën që interesat e disa individëve që do të mundë të akuzoheshin, të vihen para interesave të vendit. “Kjo me të vërtetë është për të ardhur keq”, ka thënë Jacobson.
Në 26 qershor, Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale. Votat kundër dhe abstenim ishin nga pozita – PDK, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Për miratim mungonin 5 vota, duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese.
“Ne mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë”, theksonte në mbledhje kryeministri Mustafa.
Në mbledhje u theksua se, qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare së bashku deklaruan se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi”, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Ndërsa, në lidhje me raportet e publikuara dje pasdite në mediat e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara, Misioni EULEX sqaronte atë që e ka thënë Shefi i Misionit në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetarit nëse Misioni EULEX është i gatshëm që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara.
“Shefi i Misionit Meucci ka rikujtuar se, nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, Dhomat e Specializuara dhe Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi nuk i miraton ndryshimet kushtuese, atëherë struktura aktuale mbetet në kuadër të kornizës ligjore të EULEX-it, siç është tani. Pra çështja është nëse Kosova është e gatshme që t’i mbështesë Dhomat e Specializuara, e jo EULEX-i. Dihet mirëfilli se mandati aktual i EULEX-it përfundon në qershor 2016”, thuhej në deklaratën e EULEX-it lidhur me themelimin e Dhomave të Specializuara.
Të dekriminalizohet kuvendi!
NGA ILIR HASHORVA,New York/
Ç’do të thotë të dekriminalizohet kuvendi?
“Të largohen apo të mos mund të bëhen dot deputetë disa persona me të shkuar kriminale, disa persona me veprimtari si të Al Kapones,” – është mendimi i përgjithshëm. Por, në qoftë se do të largohen apo do t’u pengohet hyrja në kuvend këtyre personave, vërtet do të përmirësohet ai kuvend, vërtet do të dekriminalizohet?
Mendoj se të kuptuarit e çështjes në këtë mënyrë është shumë e cektë. Kriminel nuk është vetëm ai klasiku, ai që të ngul thikën para apo pas shpine; ai që të vjedh apo të grabit në kundërshtim me ligjin; ai që të rrëmben, të mban peng apo të përdhunon; por është edhe ai që, pa shkelur ligjin, madje, në emër të tij, pa e kuptuar edhe ti vetë, të dëmton dhe të dëmton rëndë.
Kur Ali Pasha ishte ende në mal, kur vidhte e grabiste, kur vriste e përdhunonte, një ditë, pasi kishin vjedhur një cjap së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Sulon, pasi e poqën dhe filluan ta hanin, nisën një bisedë:
– Sulo, kështu do të hamë përditë, prit sa të marrim kryen e vendit.
– Po atëherë, nuk do të vjedhim dot, se do të na shohin e do të jetë turp.
– Do të vjedhim Sulo, do të vjedhim e nuk do të na shohin, do të vjedhim me ligj.
Të dekriminalizojmë vërtet kuvendin, do të thotë që ai kuvend të paraqesë, të diskutojë dhe të miratojë ligje të drejta e morale; do të thotë që kuvendarët, para se të miratojnë një ligj, të mos pyesin: “ç’përfitoj unë nga ky ligj?”; do të thotë që kuvendarët të mos miratojnë ligje që u vinë në ndihmë kusarëve, grabitësve e mashtruesve se, po bënë kështu, bëhen të gjithë ata vetë kriminelë dhe kuvendi mbetet i kriminalizuar.
Nuk ish gjë hajduti malit, ai vidhte atje ku kish, por hajduti brenda gardhit, të thyen brinjë e kërbisht, – thotë populli.
Dhe kuvendi ynë, që nga ai i pari i vitit 1992, ka miratuar disa ligje që në vetvete janë kriminale dhe është për t’u habitur se të gjithë: “të majtë” e të “djathtë”, edhe pse për ligje të tjera krejt të parëndësishme kacafyten keqas me njëri tjetrin, për këto ligje (po të përdorim një neologjizëm të Edi Ramës) janë në “dakordësi” të plotë.
Disa prej këtyre ligjeve po i rendis më poshtë.
Një kuvend që ka miratuar ligjet e pronave që kemi, është kuvend kriminal. Të vendosësh që pronën e X-it, që ia ka marrë apo grabitur Y-i, t’ia ligjërosh Y-it dhe t’i thuash X-it se po ia “kompenson” financiarisht, ke hartuar dhe ke miratuar një ligj të pastër kriminal. Përse? Së pari, se ke promovuar vjedhjen dhe grabitjen dhe ke vrarë ligjshmërinë, ke mbrojtur shkelësin e ligjit dhe ke dënuar respektuesin e ligjit. Së dyti, ç’të drejtë ke ti që të marrësh paret e taksapaguesve shqiptarë dhe, në vend që t’i shpenzosh ato në dobi të vendit, në dobi të përgjithshme, shkon e ua jep atyre të cilëve u ke marrë pronat për t’ua dhënë të tjerëve? Së treti, vetë pronaret, të cilëve u ke marrë pronat, nuk duan shuma qesharake parash kompensimi, para që shumica nuk do t’i marrin në jetë të jetëve. Ata duan pronat e tyre. Së katërti, metoda e kompensimit financiar nuk është krijuar për të dëmshpërblyer vërtet në njëfarë mënyrë të gjithë ata të cilëve u janë grabitur pronat, por për të ngushëlluar me pak para një grusht të vogël ish-pronarësh të afërt me pushtetin si dhe për të shpërblyer një numër zyrtarësh, përsëri të lidhur me pushtetin, të cilët e shfrytëzojnë postin e tyre për të marrë ryshfete prej atyre të cilëve u akordojnë njëfarë kompensimi. Ka edhe aspekte të tjera shumë negative që lidhën me tjetërsimin e pronave, por edhe kaq mjafton për ta karakterizuar ligjet e pronave si kriminale dhe kuvendin tonë që ka miratuar ato ligje si kriminal. Të mos harrojmë se ligjet e pronave janë hartuar që në vitin 1992. Që në këtë kohë kuvendi mori fytyrën e një institucioni kriminal dhe që në këtë kohë u ka dhënë të drejtën kryetarëve të qeverive, por edhe zyrtarëve të rangjeve më të ulëta, që të dalin e të mburren lart e poshtë nëpër Shqipëri, duke shpërndarë vërtetime pronësie për pronësi të grabitura, madje të futen edhe në garë për numrin e vërtetimeve që ka lëshuar njëri apo tjetri dhe të lënë dyerve të zyrave të shtetit dhe të gjykatave që prej 25 vjetësh ata të cilëve iu grabitën pronat. Ç’interes kanë për këtë? Ata përdorin pronat e grabitura për të blerë votat.
Një kuvend që miraton ligje për të shtuar herë pas here pagat dhe privilegjet e anëtarëve të tij, në një kohë kur niveli i jetës së shtetasve ulet e taksat ngrihen, është kriminal. Anëtarët e kuvendit janë bërë nga njerëzit më të pasur të këtij populli të varfër. Që në vitin 1992, nga ligjet e para që miratoi kuvendi, ishte ai i pagave dhe i privilegjeve të deputetëve. Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, ua ktheu mbrapsht kërkesën deputetëve dhe një deputet i zemëruar i asaj kohe, tha: “Vetëm zogu knon pa lekë”. Sipas tij, fjalët që thonë deputetët në kuvend janë perla e kaluar perlave që duhen paguar dhe duhen paguar mirë. Kuvendi e miratoi ligjin për përfitimet e deputetëve dhe që nga ajo kohë ato përfitime u shtuan herë pas here.
Një kuvend që, në vend që të merret me ideimin dhe hartimin e ligjeve të mira e të drejta për popullin dhe vendit, merret me grindjet rrugaçësore midis anëtarëve të tij, është kriminal. Ja një grindje e kohëve të fundit e zhvilluar në kuvend:
Koço Kokëdhima: “Fillimisht dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për z. Ristani, i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim. Gjyshi i Ristanit ishte Pllatua. Pllatua ishte kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatonin e kishte bërë Baxhia, motra e Mitros. Mund të kishte zgjedhur Saliu një burrë tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision. Ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë. Një herë si nip në fshatin tim, njëherë si kushëri i imi dhe një herë si deputet i opozitës” (të gjithë anëtarët e shumicës në parlament gajasen).
Arben Ristani: “Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kokëdhimën m’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin: “Në fshat ka qenë një rregull që mos të bënin krushqi me Kokëdhimat”. Tani që po e shikoj Kokëdhimën, e kuptoj se pse ata kishin të drejtë” (të gjithë anëtarët e pakicës në parlament gajasen).
Në vend që deputetët të vlerësohen nga idetë që hedhin dhe nga mbrojtja e atyre ideve, vlerësohen nga sharjet që shkëmbejnë midis tyre kur grinden, nga ato që quhen “batuta” e që janë thjesht budallallëqe e banalitete. Për këto marrin ato paga të larta dhe sigurojnë një mori privilegjesh të tjera, të gjitha të paguara nga populli i varfër shqiptar.
Një kuvend që vendos të ketë 140 përfaqësues në një vend të varfër me më pak se 3 milionë banorë, dhe këta t’i mbajë me të gjitha të mirat, është kriminal. Vende shumë më të mëdha me popullsi se Shqipëria dhe me shumë më shumë probleme reale se Shqipëria, kanë shumë më pak përfaqësues. Përveç kësaj, mbi gjysma e deputetëve janë thjesht parazitë, janë thjesht mumie që, as nuk japin dhe as nuk marrin, as nuk flasin as nuk dëgjojnë, as rrinë e as ikin. Edhe të tjerët që flasin jo se kanë ndonjë mendim personal, ata thjesht shquhen në zotësi për të mbështetur ato që thotë i pari i tyre.
Një kuvend që miraton ligje për financimin e partive politike si dhe të fushatave të tyre zgjedhore tepër të kushtueshme, është kuvend kriminal. Përse duhet të paguajnë shqiptarët para për të mbajtur ato farë partish politike? Përse duhet të paguajnë shqiptarët fushatat zgjedhore të atyre partive të cilat mbledhin dhe paguajnë mijëra njerëz që të dëgjojnë e t’u bëjnë dekor disa injorantëve që mbajnë gjoja fjalime në të cilat përsërisin pa pushim budallallëqe e banalitete të neveritshme? Dhe, të mos harrojmë: financimi i partive politike shtohet nga viti në vit, ashtu siç shtohen dhe pagat dhe privilegjet e deputetëve. Partitë të vetëfinancohen nga anëtarët e tyre dhe të mos marrin asnjë lek nga buxheti i shtetit, nga paratë e popullit, përndryshe, parlamenti mbetet kriminal.
Një kuvend që nuk është në gjendje të nxjerrë një ligj për të qenë për të zbuluar krimet dhe kriminelët e komunizmit, është vetë kriminal. Ka 25 vjet që flitet për hapjen e dosjeve, për gjënë më të lehtë që mund të bënte shoqëria shqiptare, për të zbuluar dhe për t’u ndarë me të shkuarën mizore komuniste dhe kuvendi nuk e bën.
Për deri sa kuvendi do të vazhdojë në këtë mënyrë, sado Mark Froqër të largojë apo të fusë në burg, ai është dhe do të mbetet kriminal.
Nju Jork, 26.05.2015
DEGA E VATRES NE QUEENS, NEW YORK ZGJODHI DELEGATET PER KUVENDIN E JACKSONVILLE
Te shtunen me 25 Prill ne ora 18:00 u organizua Kuvendi i deges se Vatres ne Queens, New York. Qellimi i ketij takimi ishte analiza e punes se deritashme te deges ne Queens, zgjedhja e kryetarit, zgjedhja e delegateve per Kuvendin e 2 Majit ne Jacksonville, Florida. Gjate parapregatitjes per fjalimet zyrtare delegatet kishin kenaqesine te pinin kafe dhe te ndiqnin filmin dokumentari per Camerine. Në mbledhjen vjetore të degës së “Vatrës” në Queens, nga Kryesia morën pjesë Kryetari, dr. Gjon Buçaj bashkë me zonjën Nikoleta, si dhe Sekretarja, zonja Nazo Veliu.
Kryetari i degës, dr. Skender Murtezani, i dha fjalën Kryetarit të “Vatrës”, i cili përshëndeti vatranët e mbledhur dhe mbajti nji fjalim të shkurtë, ku preku shkurtazi fazat e ndryshme historike nepër të cilat ka ecur Federata “Vatra” që nga themelimi, duke gërshetuar bisedën me rrethanat në të cilat ajo vepron sot dhe me sfidat e kohës aktuale. Ai foli për dobinë e formimit të degëvet dhe për vështirësitë që priten të dalin në mënyrë të pashmangshme në pah me zgjerimin e “Vatrës” dhe rritjen e numrit të antarëve, “por gjithmonë shumica shkon në drejtim konstruktiv, duke synuar qellimet e organizatës në interesin kombëtar”, tha më tej dr. Buçaj dhe shtoi se “antarësimi në “Vatër” është me vullnet, por si antar, çdonjëri duhet të respektojë Kanunoren e saj”.
Duke qenë kjo mbledhje organizohet në pragun e Kuvendit Vjetor që do të mbahet me 2 maj 2015 në Jacksonville të shtetit Florida, Kryetari Buçaj spjegoi, në pika të shkurtra, procesin e zgjedhjes së delegatëve simbas Kanunores, për përshtatjen e së cilës ka punuar më se një vit Komisioni i drejtuar nga z. Bashkim Musabelliu, antar i degës së Queens-it dhe i Këshillit Drejtues. Nga ndryshimet që propozoi Komisioni, janë nxjerrë shtesat (amendamentet) e aprovuara në Kuvendin e kaluar, ku u vendos me shumicë votash, që të mbetet Kanunorja e vjetër në fuqi, por të bëhen ndryshimet e nevojshme me anën e shtesave. Këto shtesa u miratuan në Kuvëdin e kaluar dhe mund të shtohen ose të modifikohen në Kuvëndin e javës që vjen.
Folesja e dyte sekretarja e Vatres zonja Naze Veliu, e cila foli per organizimit e Vatres si dhe procedures se zgjedhjes se delegateve.
Ne vazhdim Dr. Murtezani duke perdorur power point me ilustrime konkrete beri nje pershkrim te punes dy vjecare te deges se Vatres te Queens-it. Ne takimet e Vatres dega Queens per dy vitet e fundit kane marre pjese ne veprimtarite e deges 105 anetare. Dr Murtezani ka shprehu mirenjohjen z.Besian Krasniqit per punen e shkelqyshme teknike ne hapjen e web faqes on line dhe botimin e numrit te pare te NEWS LETTER VATRA QUEENS
Ne prezencen dhe autorizimin e 56 delegateve me shkrim u votuan gjasht delegate per Kuvendin e Jacksonville, pese te pranishem dhe nje Z.Musabelliu, qe nuk kishte mudnur te ishte pjese e takimit. Dr Murtezani beri nje pershkrim te punes se palodhur te Z.Musabelli-t, dhe e propozoi emrin e tij, qe te ishte nje nder delegatet e Kuvendit dhe gjeti mirekuptim ne mesin e Vatraneve te deges dhe qendres.
Pas numrimit te votave per delegate te Vatres ne Kuvend e vitit 2015 u zgjodhen.
1.Bashkim Musabelli
2 Dr Skender Murtezani
3 Besian Krasniqi
4. Saime Serri
5. Theodora Permeti
6 Alban Hoxha
Anetari i Kishillit te Vatres, z. Bashkim Musabelliu konfirmoi pamundesine e pjesmarrjes ne Kuvendin e Jacksonville, per shkaqe te punes se tij.
Ne takim ra ne sy pjesmarrja e konsiderueshme e Vatraneve te ri te cilet u treguan te interesuar te dine per aktivitetin dhe ngjarjet ne atdhe.
Z. Kristaq Papa foli rreth hapjes se Shkolles Shqipe ne Astoria dhe vijimin e saj, ndersa Haxhi Dauti, foli per zhvillimet e fundit ne Maqedoni.
Ne takimin e 5 anetareve te kryesise me kater vota per Dr Murtezani-n te vazhdoje punen kryetar i deges ai u rizgjodh ne postin e kryetarit.
- « Previous Page
- 1
- …
- 7
- 8
- 9
- 10
- 11
- Next Page »