• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjekja enterologe Zana Nikolla- Këshilla për komunitetin

April 8, 2017 by dgreca


1-ok-Marjana-Bulku
Nga Marjana BULKU/Nikola_BioPageNe Foto:Dr. Zana Nikolla/

Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës gjallon prej një numri mjaft të madh shqiptarësh jo për shkak të sasisë por të cilësisë së akteve të tyre, që përveç patriotizmit, kanë edhe një përmbajtje të lartë profesionalizmi.Studio e televizionit “Kultura Shqiptare” NY, është shndërruar tashmë në një burim i pashtershëm emrash, personalitetesh, diskutimesh dhe problematikash me gamë të gjërë veprimi në SHBA, Shqipëri, Kosovë e më gjërë.I tillë ishte edhe komunikimi me Doktoreshë Zana Nikollën e cila shpalosi një material mjaft të dobishëm  në gjuhën shqipe për rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Muaji mars në SHBA njihet si muaji i kujdesit për kancerin e zorrës së trashë. Eshtë një traditë që e rrit vëmendjen e cdonjërit ndaj shëndetit, intesifikon gjithashtu edhe kujdesin shëndetësor përmes shërbimeve falas, materialeve informative si dhe efekteve që përcon ky muaj në muajt e tjerë pasues për kujdes sistematik ndaj shëndetit.Mjekja enterologe Zana Nikolla bëri një prezantim në studion e ACTV mbi rrezikun e sëmundjes, faktorët e rriskut si dhe mënyrat e parandalimit.Sipas studimeve jeta sedentare dhe dieta mediteriane e ushqyerjes e kanë shtuar rrezikun e sëmundjes e cila përmes kolonoskopisë dhe metodave screening mundet të parandalohet plotësisht duke u trajtuar në kohë të hershme.

Dr Zana Nikolla i drejtohet komunitetit të shqiptarëve jo vetëm me mjetet e informimit por edhe me ftesën konkrete që të shfrytëzojnë muaj të tillë për tu drejtuar te mjeku pasi shumë shërbime në të tilla fushata janë falas , në rastet e mungesës së sigurimeve shëndetësore , madje ajo shpreh gadishmërinë e saj për tu gjendur vetë në krye të këtyre fushatave, ku pacientët shqiptarë do të jenë në qendër të shërbimit dhe interesit të saj.
Dhe në fakt nuk është aspak habi ky profil i mjekes shqiptare Zana Nikolla, është thjesht ana tjetër e asaj që pamë në mbrëmjen e 24 shtatorit 2016 në Simphony Spase Manhattan,ku me iniciativën e Albanian Excellence dhe regjinë dhe skenarin e Andis Gjonit, 60 Zonja shqiptare që jetojnë në Nju Jork u vlerësuan sinjifitikavisht për atë cfarë ato kanë mundur të ndërtojnë apo kontribuojnë në këtë kontinent të largët duke u bërë nxitje dhe frymëzim për shumë të tjera.

-”Të ngrihesh mbi vështirësitë, të integrohesh, zhvillohesh , krijosh, frymëzosh, në këtë vend lirish…kjo nënkupton shumë”,-shprehet Dr Zana ”-”dhe skena e zonjave të Nju Jorkut u flet të gjitha zonjave dhe familjeve shqiptare”- konkludon ajo modestisht.

Dr Zana rrjedh nga një familje me traditë, ku librat, arti, gazetaria e kanë formësuar madje edhe frymëzuar shpirtin e saj human, komunikimin brilant, mirnjohjen, respektin dhe mirsjelljen me dhe për njeriun.Nga fëmijëria kujton shumçka edhe pse biseda televizive ta cungon kohën ajo flet përmes fotografive, kujtimeve prej të cilave  ka memorizuar”Dritat e Ohrit”.Në bregun tjetër të Pogradecit , të ndarë jo vetëm nga liqeni por edhe kufijtë e kohës, malli për familjarët që jetonin përtej atyre kufijve të pakapërcyeshëm vizatojnë tablo të mahnitëshme në kujtesën e saj e sigurisht edhe në studion e bashkëshortit të saj piktor “Dritat e Ohrit” jane gjithmone ndezur.

Bashkëshorte e Andis Gjonit, nënë e dy fëmijëve, pjesëtare e një familje ku arti ka bërë histori në Shqipëri dhe jo vetëm me Lule bore një hit i gëzimeve familjare shqiptare, simbol i ndjenjave reciproke të dashurive të patjetërsueshme, mit i paqes harmonisë ndërnjerëzore ka autor Simon Gjonin ,portreti i të cilit është jo vetëm një pikturë e bukur në shtëpinë e saj por edhe një artist i paharruar në memorjen e çdo shqiptari.Dhe e gjithë kjo tërësi të vërtetash të përmbledhura shkurtimisht në këtë shënim përbën një aset me vlerë për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë këtu, pasuri për miqtë dhe bashkëpunëtorët dhe pa asnjë dyshim krenari për kolegët që bashkëpunojnë çdo ditë me Doktoreshën shqiptare të Nju Jorkut.

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku, Mjekja enterologe, Zana Nikolla

Të ikësh në Momentin e Krizës

March 17, 2017 by dgreca

Flet për Gazetën “Dielli” Iris Halili/

1 Marjana papa

*Ne ikëm se na vdiq shpresa.  Shpresa, apo e thënë në formë poetike; ëndërrimi, çka e bën njeriun aktiv e vital, e bën energjik. Unë e kam fituar Green Card në vitin 1999 dhe e kam lënë Shqipërinë në vitin  2009. Ky fakt flet më shumë se çdo koment se sa shumë e kam dashur unë qëndrimin në atdhe.

1-ok-marjana-bulku

Nga Marjana Bulku*/

Marjana Bulku: Zonja Iris; ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009, çfarë do të thotë për dikënd, që ka  investuar aq shumë intelektualisht, ta rinisë jetën në një tjetër vend?/

2 MarjanaIris Halili: Tomas Eliot ka një varg brilant tek poema “Këngë Dashurie e Alfred Prufrok’’ – “Ta çosh momentin në krizën e vet”. Me këtë varg në mendje e kam lënë atdheun dhe ky është vargu që më shoqëron sa herë kujtoj atë vendim. Ne ikëm se na vdiq shpresa.  Shpresa, apo e thënë në formë poetike; ëndërrimi, çka e bën njeriun aktiv e vital, e bën energjik. Unë e kam fituar Green Card në vitin 1999 dhe e kam lënë Shqipërinë në vitin  2009. Ky fakt flet më shumë se çdo koment se sa shumë e kam dashur unë qëndrimin në atdhe. Të rinisësh jetën në një vend tjetër është pikërisht të rifillosh të rindërtosh ëndrrën, pasionin, të rigjesh shpresën.Njeriu në vetvete vjen në këtë botë për të realizuar një mison dhe brenda qenies së çdo njërit prej nesh punojnë forcat e brendshme në arritje të këtij misioni. Kur njeriu ndjen që misoni i ndërpritet për arsye të faktoreve të ndryshëm, atëherë instiktivisht ai do të largohet nga këta faktor.  Ikja është e dhimbshme por e gjen forcën pikërisht tek misioni qe instiktivisht të gjithë ne mbajmë brenda nesh, mision që na bën të ndihemi të lirë për të realizuar ëndrrën .

 

Marjana Bulku: Irisi studente ekselente,pedagoge,këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studjuese e letërsisë, çfarë ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që ju i keni ezauruar në Shqipëri?

 

Iris Halili: Asgjë nuk humbet, çdo gjë transformohet .Të gjitha çka kam realizuar në Shqipëri janë brenda meje  në përmbushje të misonit për  të cilin kam ardhur  në këtë botë. Nga letërsia ka mbetur çdo gjë; unë jam e tëra kjo që jam falë saj. Mendoj se kam qenë me shume fat që kam dashur dhe vazhdoj të mbetem e dashuruar me artin e të gjitha arteve, letërsinë- kryeartin!Po sjell ketu një kujtim që e kam nga viti 1997 kur ndoqa një shkollë amerikane ne Greqi. Shkolla ishte verore dhe kishte bazë politikën , lidershipin ,  NATO-n etj . Të ftuar si lektor ishin profesorë të Harvardit , Georgetown etj. Mes atyre që më tërhoqi më shumë vemendje qe profesor Michael Collins, në atë kohë ai ishte shef i katedrës  së politikës në Georgetown Univeristy. Në një çast pushimi ju afrova e i kërkova mendim duke e pyetur: -Unë dashuruoj letërsinë por më pëlqen politika, ka ndonje kontradite në të?  Ai m’u përgjigj gjithë entuziazëm: -Përsorsur , ku ka më bukur , ty të pëlqen dija që i jep pergjigje më mirë se kushdo politikes ; ja ku e ke shembullin – dhe tregoi drejt vetes – une në profesion jam shekspirolog , dhe jap  leksione politike dhe të së drejtës sociale .A ka më bukur ?!

Dhe kjo është mëse e vërtetë. Nuk ka mendje që të ketë lexuar e kuptuar letërsi e të mos  kuptojë nga psikologjia, historia , politika, gjeopolitika , gjeografia, kulturat e çdo lloji .është një botë e madhe dhe e pakrahasueshme ajo e letërsisë. është një botë që e fiton dhe e ke dhuratë tërë jetën. Ajo e bën individin më shumë spiritual se religjoz, më shume pasionant se praktik; më shumë njeri  se makinë;  Unë mendoj se kjo botë nuk të ndahet pamvarësisht ku jeton apo si jeton; ajo vetëm ta bën shpirtin më të bukur pasi të ndihmon të kesh një raport shpirtëror me veten gjë që të krijon mundësinë të kesh veten shok të denjë në çdo mjedis sado i huaj dhe i ashpër të jetë ai.

Por erdhi një çast që unë vendosa të marr një shans dhe ta provoj veten në një tjetër fushë. Kështu pas shumë viteve në fakultet si pedagoge e letërsisë moderne botërore dhe letërsise feminste, ne vitin 2002 unë fillova punë si shefe kabineti e Presidentit Moisiu.  Pranova të hyj pakuptuar në një botë tjeter; atë të politikës,  korridoreve, pushtetit. Hyra  në botën e luftës për pushtet pa u ndjerë kurrë aktore e denjë. Letërsia tashmë e kish bërë punën e saj! Megjithatë mund të them se ishte një ekperiencë e shkëlqyer për ta parë botën nga tjetër këndvështrim, me të tjera vizione dhe me të tjera përpjekje për të arrirë e bërë më të mirën. Këtë fazë të karrieres sime unë do ta quaja një arritje të bukur të jetës po të mendosh se kam patur fatin të takoj gjithë elitën e lidershipit  botëror të kohës , i kam dëgjuar nga afër , kam shtrënguar duart me ta  dhe parë si zhvillohet politika në sferat më të larta. Qe një përvojë e shkëlqyer për t’ju afruar realitetit nga një tjetër dimension, tashmë jo poetik por më praktik.

Si konkluzion do të thoja se gjithë çka jetova e ndërtova në edukim e karrirë në Shqipëri më bëri të marr vendimin për tu thelluar më tej në dije dhe kjo ishte arsyeja që kreva shkollën e doktoratës ne USA pikërisht për edukimin në leadership! Pa dyshim asnjë vit të jetuar në Shqipëri  nuk e quaj vit të humbur kot ; Ashtu sikurse kur mora vendimin për të ikur isha ndërgjegjësuar plotësisht se misioni brenda vetes kish ngecur dhe duhej vazhduar ; ndaj e quaj veten me fat që erdha në USA për ta vazhduar!

 

Marjana Bulku:-Ju jeni integruar më së miri në jetën amerikane, a mund të na e përshkruani këtë proces, parë nga prizmi personal, sa jeton Shqipëria tek një intektual duke parë edhe mungesën e perspektivës integruese të saj në kushtet e një politike primitive ,revanshiste dhe aspak vizionare?

Iris Halili: -Unë kam fatin të punoj me individë nga të gjitha racat e botës, pasi pikerisht drejtoj departamentin e burimeve njerezore dhe lëvizjeve në” Century Ship Service ”që është një firmë Amerikane me shumë traditë në lidershipin global.        Kjo ka qenë një eksperiencë fantastike pasi kam patur shansin të njoh individë nga shumë nacionalitete dhe pa droje mund të them se ne Shqiptarët jemi një racë shumë e zgjuar dhe vitale. Nga ana tjetër unë mendoj se janë disa tipare tonat kulturore që nuk na kanë lejuar kurrë të arrijmë majat. Këto dy tipare kyç unë i shoh tek analizoj veprimet e shqiptarëve ndër shekuj si përshembull pranimi që ne i bëmë për afro gjysëm shekulli izolimit që na bëri diktatura dhe mohimi që i bëmë fesë.Janë këto dy momente që duket se idenfikojne natyrën tonë kulturore. Ne jemi një shoqëri kolektiviste dhe si e tillë çdo shqiptar e sheh veten me një distancë të dukshme ndaj pushtetit, çka do të thotë ne e gjejmë veten gjithmonë të varuar nga pushteti dhe larg nga pjesmarrja në vendimarrje. Gjithashtu sërish pranimi masiv i diktaturës komuniste si dhe mohimi i fesë, rrëfen se ne si shoqëri karakterizohemi nga një indiferencë kolektive, apo një mosmarrje të asgjëje me seriozitet , gjë që padyshim së pari është individuale  tek çdo shqiptar dhe që sjell vetvetiu dhe mungesën e frymës së revoltës sidomos kur vihet në diskutim çështja e principeve morale apo shpirtërore .

Këto jane dy momente nga historia e Shqipërisë që dhembin dhe une personalisht sa herë që dua të përshkruaj kulturën shqiptare më vijnë në mendje këto dy shembuj pasi mes tyre unë mendoj sikur përmbledh gjithë psenë /arsyen që ne kurrë nuk kemi mundur të dalim nga gjendja ku na vendosin faktorët negativë. Të njëjtët faktorë ndikuan edhe në vitin e mbrapshtë 1997 që mbetet ndoshta kthesa më e madhe regresive e kohëve të demokracisë. Ky vit është sintezë që rrëfen se ne shqiptarët edhe kur arrijmë diçka të bukur sikur qe demokracia  e brishtë  e pas ’90 , e gëzojmë atë pak ose aspak . Unë mendoj se kushdo para 97 -tes kishte  shpresa për një Shqipëri më të mirë, kishte idealizma , kishte vërtetësi .Pas 97-tës  erdhi kthesa e madhe – ku korrupsioni  u instalua nën mentalitetin –  çdo gjë blihet,  shitet , korruptohet, dhe kjo bëri që të vriteshin pak nga pak idealet e nisura në 90. Dhe gjithe ky “ajër i ndotur” prodhoi vdekjen e iluminizmit të fillim 90-tës, ëndrrave për një Shqipëri si e gjithë Europa , pasi një Shqipëri pa idealista  është një Shqipëri e destinuar të humbasë çdo betejë për  të drejtën , humanen , progresin. Fatkeqesisht unë shoh se ka vdekur shpresa. Shoh mungesë entuziazmi, frymëzimi, besimi.  Fjala -vjedh -mund të zgjedhohet në të gjitha vetat dhe ka vlerë  vërtetësie në çdo vetë….Pjesa më dramatike është se shqiptaret si natyrë u pëlqen ‘show”  dhe duke qenë natyrë e tillë vjedhin jo psr t’i fshehur e shijuar në hije, por psrkundrazi kanë dëshirë për ti publikuar, hapur këto ‘‘arritje’’; Shitmendja me paranë e vjedhur është normale dhe kjo është drama më e vertetë dhe amoraliteti që po e shesim si moral tek brezat e rinj.

Cila është zgjidhja sikur e mendoj unë: Korrupsioni  nuk luftohet vetëm me ligje, korrupsioni luftohet me dënime për këdo që e ka bërë atë. Në fakt ne si kulturë kemi dhe dy probleme të tjera. Po ti kthehemi sërish historisë do të vërejmë se ne asnjëherë nuk kemi qenë të drejtë me vlerësimin dhe dënimin. Ne në më të shumtën e herëve kemi vlerësuar apo dënuar gabim. Ne, më së shumti ndër shekuj kemi vlerësuar antivlerën dhe dënuar apo mohuar vlerën. Historia jone ka qenë ajo e ndërtimit dhe shembjeve te monumenteve . Ne vazhdojmë po njëlloj dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Po nuk zgjidhëm edhe këtë kontraditë, nuk besoj se do të përparojmë atje ku duhet dhe sërisht do të vazhdojmë të përsërisim vetetven gjithmonë e gjithmonë…

Historia jonë fatkeqësisht rrëfen se dënimet në më të shumtën e herës kanë qenë false dhe më tepër për hakmarrje inatçore/personale. Apo kemi vlerësuar sot atë që kemi urryer dje. Kjo të bën të mendosh se ka gjithashtu një lloj ambivalence në kulturën tonë dhe kjo na bën të jemi gjithmonë në një kontraditë të brendshme për vlerën dhe antivlerën ..

Çështja më e madhe që unë shoh sot është se ne nuk kemi vetëm një elitë politike dhe oligarkike të korruptuar; çështja është se liderët janë ata që formësojnë shoqërinë dhe ne tashmë kemi një shoqëri totalisht të korruptuar! Duhet ta pranojmë se ne të gjithë jemi fajtorë për atë që është krijuar atje, pasi ne të gjithë vuajmë nga ajo çka citova më parë, jemi indiferente dhe nuk i marrim çështjet sociale serizosht, pasi e shohim veten të varur vetsm nga pushteti dhe nuk dalim dot nga furiku ynë personal!

Amerikanët kur e bënë Uatergating nuk është se donin të dëbonin presidentin Nixon , pasi deri në ato çaste ai ishte shume i dashur për ta, ata e bënë se donin të jepnin leksion e madh që askush nuk mund të abuzojë me postin e dhuruar nga populli .  Lidershipi është pikë së pari dhuratë qe populli i jep të zgjedhurve të tij, është një kontratë ku ndjekësit dhurojnë pushtetin  e tyre , besimin e tyre dhe presin të drejtohen sipas kësaj kontrate të vetvetishme por që duhet të jets së pari e ndershme dhe racionale!

Për mua ndryshimin e sjellin vetëm të rinjtë . Një brez tjetër duhet të vazhdojë atë që ne lamë përgjysëm në 90. Unë kam shumë besim tek ata që studiuan jashtë dhe vendosen të kthehen në atdhe ; vetëm ata mund të sjellin një frymë  ndryshe ..një mentalitet tjetër , parime të tjera,drejtësi tjetër !

Marjana Bulku: Çfarë mendoni se e ka tkurrur më fort perspektivën integruese të Shqipërisë , çfarë do ta nxiste atë?

Iris Halili: Fatkeqësisht sot numri i shqiptarëve jashtë është më i madh se i atyre brenda vendit … Sinqerisht, shpresën për një Shqipëri më të mirë  nuk e mbështes tek Diaspora, apo siç dua ta quaj unë– të ikurit. Historia si dija më e vyer na rrëfen se fatet e Shqipërise asnjëherë nuk i ka zgjidhur  diaspora ,sado e fuqishme  të ketë qenë ajo. Shqiptari kur shkon jashtë integrohet më shume se racat etjera, madje në shumë raste edhe asimilohet. Për këtë të fundit mjafton  të shikosh faktin që pjesa me e madhe e fëmijve të shqiptarëve të ikur pas 90 -tës nuk dinë të flasin gjuhën   e nënës dhe ky është  fakti më domethënës i një fillim asimilimi ..Megjithatë , të kuptohemi unë kam besim tek aktet e diaspores.

Por, të jesh aktiv me çështjen shqiptare  kjo kërkon dashuri  , kërkon energji dhe kjo nuk është se na mungon ne të ikurve, por kjo kërkon edhe kohë dhe mbështjete nga faktorët e brendshem. Të ikurit,  -kanë ikur një herë e përgjithmonë . Ne nuk mund të pretendojmë të ndërtojmë diçka që  e  kemi braktisur ..Ne ikëm dhe morëm me vete edhe shpresën e vdekur . Energjia jonë edhe po u kthyem ka mbetur gjithmonë ajo e një momenti në krizën e vet ..Unë mendoj se Shqipëria nuk ka nevojë për  këtë energji pesimiste, por vitalitetin,  optimizëm dhe kurajon maksimale të atyre që vendosën të jetojnë atje; ose atyre që u larguan për një fare kohe për tu rritur intelektualisht dhe u kthyhen të gatshëm për të afruar gjithë  energjitë në arritje të misionit që i bën të ndihen të realizuar . Patjetër ne jemi  një shtysë e fortë mbështetëse për ndryshimet që duhen , por si pikë mbështetje e levës se arkimedit , jo leva vetë .Leva jane sikur e thashe, rinia brenda vendit  e udhëhequr nga visioni largpamës i gjithë elitës që ka studiar jashtë dhe ka vendosur  të kthehet në vend.

Marjana Bulku: Studentëve shqiptarë jam e bindur që ju mungon metodika, mjeshtria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike, si mund ta plotësoni këtë boshllëk?

Iris Halili: Kur isha pedegoge në fakutet dhe  jepja leksione mbi Letërsine moderne të shek 20 , qëllimi im në mësimdhënie nuk ishte të jepja thjesht një informacion letrar por ishte t’i bëja studentët të zbërthenin teksin letrar në mënyrë që mes atij jetësimi të mësonin sekretet e jetës , të gjenin thelbin e saj . Mes shumë teorive që shpjegoja e komentonim unë kisha  krijuar  një si test,  që për mua ishte i denjë të vlerësohej automatikisht me notën 10 çdo student që i përgjigjej korrektësisht.  Kisha zgjedhur një pyetje nga shkrimtari i madh Nobelist Ernest Heminguej , pikërisht nga kryevepra e tij – ”Plaku dhe Deti”, që mbahet njëkohësisht edhe kryevepra e letërsisë simboliste. Pyetja që i shtroja stutendëve ishte – Çfarë simbolizon  skeleti i peshkut ne momentet e fundit të kryeveprës?  Përgjigja alternative që une vlerësoja është – skeleti  simbolizon  kujtimin mbi peshkun e dikurshëm për të cilin plaku luftoi aq shumë që ta kapte , u përpoq aq shumë që ta shpëtonte nga peshkaqeni , dhe që në fund megjithëse e humbi ai sërisht ishte i lumtur për përpjekjen e tij … Ai skelet simbolizon gjithçka çka kish mbetur nga gjithë përpjekjet e Santigos; Mes asaj simbolike gjeja shkak t’u mësoja studenteve se në fund të fundit jeta jonë nuk ështe vetëm se një grusht kujtimesh ; dhe se ne fund të jetës ne do te jemi të rrethuar vetëm se prej Tyrel Njelloj si Plaku Santigao tek ”Paku dhe Deti ”.

Ky motiv më ka drejtuar gjthmonë në jetë , ndaj dhe përpiqem  ti gëzohem  çdo feste, buzëqeshje , miqësie , gatimi, shtrimi tavoline , mjedisi , çdo çasti qe i jep jetës një ndriçim tjetër dhe e bën një ditë ndryshe nga e mëparshmja. Dashuria për jetën në fakt është dashuri për njerëzit.

Erik Fromi, autori i librit më të shitur për dashurinë -”Arti i te dashuruarit”  i ndan njerëzit në dhënës dhe marrës . Ai thotë se dashuria i takon ‘dhënësve”. Unë kuptoj bukurinë e jetës vetëm tek dashuria dhe them se asnjë vlerë e arritjeve njerzore nuk mund të arrijë madhështinë e dhënies së dashurisë. Unë përpiqem çdo ditë të ndikoj tek djali im këtë ndjenjë sublime që na bën më të ndjeshëm,   na bën më njerzor dhe më në kontak me zotin sipas vetë shprehjes biblike – Kush takon dashurinë ka takuar zotin!!!

Marjana  Bulku:Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta quajmë të humbur edhe pse i 90-tës ka rol të madh në jetën sociale dhe atë politike shqiptare, a mendoni se ka ende hapësirë  dhe mundësi për të zhvilluar vizionin e mbetur përgjysëm përmes publikimeve apo prezencës së protagonizmit tuaj intelektual në distancë.

Iris Halili: Kontakti me kulturat nga gjithë bota ,kontakti çdo ditë dhe orë me individë nga gjithe globi si pjesa më entuziaste e punës që nga eksperiencat e mija në njohje dhe pranimit të kulturave duke prezantuar edhe tonën gjithashtu.  Zoti me sa duket ja plotëson njeriut dëshirat kur sheh vullnetin që ai ka në arritje të tij . Edukimi im letrar ka qenë një botë e madhe virtuale drejt njohjes së kulturave globale ,përvoja prane presidentit dhe më pas në qeveri ku pata sërish shansin të takoj elita dhe të vizitoj shumë vende të botës më bëri të tejkaloj hendekun e mangesive me të cilat brezi ynë ishte formësuar. Megjithatë as letërsia , as takimi me liderë dhe as vizita nëpër botë nuk të bëjnë t’i njohësh kulturat sikur i njeh kur bashkpunon apo punon çdo ditë me individë të thjeshtë që prezantojnë shumë kultura,që janë rritur dhe zhvilluar në liri sikurse Amerika garanton. Duke punuar me kolege amerikanë, anglezë, turq, polakë, brazilianë, spanjollë, latinë, hajtainë, suedezë etj  etj etj do të kuptosh se standartet e jetesës kushtëzojnë vizionet shpesh, e mbase pikërisht ai izolim kulturor i yni la përgjysëm mjaft prej ëndrrave tona në terrenin shqiptar .Në kushtet e një kohe globale ku siç thotë dhe Fridman ,” bota është bërë tashmë e sheshtë , falë epokës së informimit në të cilën po jetojmë,kulturat janë afruar më shumë por shumë here shohim se kulturat janë acaruar edhe më shume ! Adabtimi me këtë bote globale është pika kyçe e mbijetesës. Kjo është një botë e ëndërruar ndër shekuj nga njerëzit në fakt, është misioni ynë që jetojmë në këtë kohë ti japim asaj më të mirën dhe kjo vjen vetëm nëse ne përpiqemi ti duam kuturat e tjera, ti njohim ato dhe ti pranojmë .

Në punën time shpesh shoh sa e përkryer është teoria dhe sa d vështirë është që gjithë ato teori me vlera të realizohen e konkretizohen në jetë. është pikërisht kjo që më nxit që të botoj dy libra, një për lidershipin, pasi mendoj që mjedisit shqiptar i mungon një trajtesë e tillë. Do të jetë një permbledhje e studimeve  që kam bërë ne vitet e shkollës së Doktoraturës .

Ndërkohë i kam premtuar tim biri dhe ish studentëve të mij që do të ribotoj një libër me punime të letërsisë moderne  që kam pas botuar gati 20 vjet më parë. Aty do të vendos edhe disa esse  të tjera të botuara ndër vite , dhe kjo më duket se më kthen përsëri tek dashuria e parë për dijen – Letërsia.

* Marjana Bulku, drejtuese e emisionit”Një Jetë-Disa Histori” në Televizionin Kultura Shqiptare në Nju Jork.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Marjana Bulku, në Momentin e Krizës, Të ikësh

Një Jetë, disa Histori: Vera Laçi

February 11, 2017 by dgreca

1-ok-marjana-bulku

Nga Marjana Bulku/

Këngëtarja dibrane Vera Laçi gjatë vizitës së saj në SHBA ishte e ftuara jonë në Albanian Culture TV në ciklin ”Një jetë…disa histori” në një komunikim të këndshëm ku jeta artistike dhe ajo e përditëshme ecin paralel duke iu rikthyer jo pak herë të shkuarës, ku natyrshëm fëmijëria është një faktor vendimtar në personalitetin e një artisti.Me një zë karakteristik që i shkon aq shumë përshtat lirikës popullore dibrane ku i këndohet dashurisë, martesës,dhimbjes, ku përveç tekstit spikatin elementët folklorik të etnografisë,bukurisë femërore,ritet zakonore që pikturojnë terrenin autokton dibran.

VDuka

Këngët tashmë të njohura”Pjergullo”, “Kur të vishesh nuse”, ”Moj Xhemile”, janë potpuri tingujsh e ndjenjash njerëzore ku shfaqet bota shpirtrore e cila pavarësisht kohëve që ndryshojnë, duket sikur i përjetëson njësoj emocionet. Dibra e mendjes e vuajtjes dhe e dramave sociale si pasojë e atyre ekonomike e politike, është edhe Dibra e trimërisë ku është mendja ajo që vendos nëpër ato odat burrnore ku debati dhe polemikat janë prova e dukshme se fjala që të jetojë gjatë duhet të thuhet mençur. Kenga ; “A ja din rendin burrnisë”spikat si një interpretim ku etnografia, zëri, artikulacionet performojnë aq bukur duke krijuar një mjedis muzeal kumbues muzikor. Vera nuk nguron të jetë artiste në skenë por edhe në jetë duke skalitur femrën e fortë që merr nga jeta lirizmin,epizmin dhe tragjizmin duke ia rikthyer ato skenës. Dhe skena e saj është Estrada dhe Teatri ”Haki Stërmilli” Peshkopi, që ajo nuk resht së falenderuari si djepi që e rriti, kompozitori Edmond Zhulali si ai që i dha emër jo vetëm në Shqipëri por edhe në skenat evropiane ku ajo ka interpretuar jo pak. Në zërin e Vera Laçit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori, pavarësisht se sa është rekorduar ajo për shkak të kushteve të cunguara e mjaft faktorëve të tjerë jashtartistik. E adhurueshmja e kenges qytetare  Melita Shehu, e paharrueshmja Caje Poleshi dhe padyshim legjenda femërore dibrane e këngës Lirije Rasha janë terreni artistik përpara të cilave Vera përulet me mirnjohje. Në zërin e saj jeton sejcila prej tyre, trondit drama e kurbetit,kumbon vaji i dhembjes dhe i humbjeve njerëzore që nuk sjellin vetëm emocionin skenik por edhe përjetimin personal që interpretimi artistik i saj e përjetëson përmes artit. ”Fusha e Korabit” si drama balade e ikjes, ”Lotët mos mi fshij” një rikthim në këngë pas humbjes së djalit të vetëm Denis, ”Fatit mos iu anko” si një thirrje për ta përballuar jetën me forcën e vyrtytit dhe të karakterit janë produksione që dëshmojnë se jeta e cila na jep dhe merr aq shumë kërkon nga ne përkujdesje dhe dashuri dhe dëshmia më e qartë e kësaj është DEA personazhi më i brishtë dhe i bukur në jetën e artistes dibrane Vera Laçi, është ajo që ka sjellë aq shumë dashuri,shpresë dhe buzëqeshje në jeten e  saj (urojme edhe produksione te reja) që nuk është vetëm e saj por e gjithsejcilit nga ne përsa kohë ajo prodhon art.

Filed Under: Histori Tagged With: disa Histori: Vera Laçi, Marjana Bulku, nje jete

Një veshtrim epik nëpër historinë tonë

February 2, 2017 by dgreca

1-ok-marjana-bulku

Nga Marjana Bulku/ Nju Jork/Rrethuar prej një audience ekselente,moshash, gjinish, besimesh dhe etnish të ndryshme ku padyshim kryefjalë është Shqipëria, në mjediset    John F. Kennedy School of Government,Cambridge , Massachusetts   Ish-ambasadori shqiptar Z.Mal Berisha në një komunikim interaktiv dhe plot larmi informative nen moderimin e Kristofor Liden,  u është drejtuar në fakt të gjithë shqiptarëve, pavarësisht kufijve politik, gjeografik apo historik që jo rrallë herë na ndajnë.Ishte ky një tjetër set në kronologjinë e komunikimeve që një ish -diplomat me shpirt patriotik mban në mënyrë konstante me bashkombasit shqiptarë që jetojnë në Amerikë por edhe me amerikanët që e duan Shqipërinë.Janë rrëfimet e tij historike, bazuar në arkivat amerikane e britanike që e kanë intesifikuar jo vetëm vemendjen e amerikanëve ndaj kombit shqiptar por edhe mirnjohjen dhe respektin e tyre për vyrtytet e shqiptarëve si besa, toleranca,trashëgimnia historike e kulturore edhe pse e përcudnuar jo pak nga  diktatura komuniste.Botimet e tij mbi Charld Telford Erickson , Herman Bernstain, Shqiptarët lisa ilir,janë epos i gjallë i kontributeve që një intelektual patriot mundet të bëjë për vendin vet edhe përtej detyrës diplomatike duke i bërë jehonë përmes publikimeve, komunikimeve interaktive, botimeve të shumta dhe së fundmi përmes daljeve të tilla në mes të audiencave kureshtare dhe kërkuese nëpër historinë tonë.Heronjtë autentikë shqiptarë, kodet morale që identifikojnë shqiptarin e mirë ,atë të besës dhe burrërrisë, nderit e trimërisë, janë flamuj krenarie që ambasadori Berisha ia shpalos dhe prezanton botës akademike amerikane dhe asaj patriotike shqiptare.Të jesh spektator  i eventeve të tilla nuk mjafton vetëm prezenca fizike por edhe ajo mendore si kujtesë pasi ajo ka për detyrë të ndjekë dhe të përcojë historitë e cdo historije me Skenderbe e Terezë ,Konicë e Nol, Kadare dhe Fishtë brezave që iu mohua,por edhe atyre që për arsyje të ndryshme i rrijnë larg Shqipërisë.

Më ndodh shpesh të pyes veten se ku fillon një histori dhe ndjej se histori është ajo që nuk harrohet dot, janë faktet që jetojnë por që duan vëzhgime të thella ,epike ,studimore,por edhe komunikime të tilla ku kërkimi ushqen të vërtetat që realiteti shqiptar konfliktual smang ,fsheh, mohon.Janë disa të vërteta që na bëjnë nder më shumë se simbolet kombëtare, më tepër sesa festat dhe organizimet euforike, madje përmbi patetizmat patriotike sezonale. Duket si një abstragim prej realitetit drejt një vizioni ku atdheu ideal është një akt që vetëm autorët e pwrmasave tw tilla munden ta projektojnë.Prandaj historia nuk i shpjegon dot disa PSE… Por auditori i këtushëm sonte mund të pohojë disa sepse…

1.Sepse ne jemi një popull i besës.

2.Sepse ne kemi trashëguar shumë prej kreshnikëve paraardhës.

3.Sepse historia jonë e shkruar dhe e pashkruar fakton një popull dinamik.

4.Sepse simbolet tona kombëtare nuk janë vetëm gjuhë e flamur por individë që i njeh bota.

Historia ky akt i shumfishtë ku rrëfimi, shkrimi,reflektimi,komunikimi na bën edhe më fort humanë,na nxit ta dëgjojmë edhe më shumë njëri-tjetrin, të pyesim,debatojmë, përgjigjemi,mbajmë përgjegjësi.

Historia që merr jetë në këtë sallë falë ambasadorit Berisha duket si një udhëtim në kohë, ajo vjen nga Shqipëria e largët dhe bëhet e paharruar këtu duke mbartur retrospektivën por edhe futurizmin që projekton vizionet ku e kaluara dhe e tashmja shtrëngojnë duart ,falenderojnë, duke na dhënë një tjeter pamje mbi atdheun,atë ndryshe, atdheun e përtej politikës së konflikteve dhe udhëkryqeve.

Epizmi i këtyre orëve prezantimi,përmban fakte përsëritja e të cilave ,publikimi periodik dhe komunikimi i drejtpërdrejtë i shërben kaq shumë jo vetem imazhit, por perspektivës tonë si komb plot dritë dhe hije.Ky sistem epik i të vërtetave tona na mban gjallë në ditët e vështira ku opiumi mediatik dhe politik rrezikon të na fundosë në një harresë të qëllimshme.Eshtë epizëm që  ka protagonistë heronjtë tanë legjendarë, që kombit i dhuron historitë më të bukura që na bëjnë krenarë mes amerikanësh ku ne jetojmë dhe punojmë.Eshtë kjo arsyeja pse shkëlqejnë sytë e brezit të ri që kanë me vete edhe brengën e parardhësve të tyre për Shqipërinë që s’u bë dot kurrë .

Filed Under: Analiza Tagged With: Marjana Bulku, nëpër historinë tonë, Një veshtrim epik

GJON BUÇAJ: VATRA, SHTËPIA E TË GJITHË SHQIPTARËVE

January 1, 2017 by dgreca

Intervistë e z. Gjon Buçaj, Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” dhënë bashkëpunëtores të gazetës”Dielli” Marjana Bulku/1-gjon-nikoleta

Pyetje: Çifti Buçaj, simbol mikpritjeje sa herë që “Vatra” çel dyert ju jeni aty me prezencën e përzemërt e bujare që qartazi dëshmon karakterin tuaj, çfarë i keni dhënë Vatrës në këto vite duke qenë drejtues i saj, çfarë ju ka dhënë ajo juve?

Përgjigje: Mikpritja asht nji ndër virtytet e thelbit etnik të shqiptarit, prandej na në “Vatër” përpiqemi t’i presim mysafirët me përzemërsi simbas traditës si dhe me qellim që ata të ndjehen si në shpi të vet; “Vatra”, në të vërtetë, asht shpi e të gjithë shqiptarëvet, prandej edhe quhet “Vatër”, rreth të cilës mblidhen antarët e familjes. Përpiqemi që të jemi të dy së bashku, sidmos kur mysafiri ose ndonji nga mysafirët asht femën.Përsa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mund të them se “Vatrës” do të doja t’i kisha dhanë ma shumë, por kohën dhe përpjekjet për t’a ndimue, ia kam kushtue me dashuni, i motivuem kryesisht nga idealizmi atdhetar i paraardhësavet tanë. Kam pasë fatin të kem bashkëpuntorë të përkushtuem për arritjet sado modeste që mund të jenë. Kemi hapë ose rihapë degë në disa shtete të Amerikës e në Kanada dhe, kështu, kemi rritë numrin e antarëve. Në vitin 2012 kemi përkujtue 100 vjetorin e themelimit të “Vatrës” me nji konferencë shkencore dhe me nji darkë kremtimi, ku kanë marrë pjesë ma se 1000 vetë, nga shumë anë të Amerikës, të Kanadasë dhe t’Europës, si dhe nga trojet tona. Atë kremtim e kemi njehë si përkujtim e mirënjohje për themeluesat dhe për ata që e mbajtën “Vatrën” gjatë nji shekulli, në shërbim të çashtjes kombëtare. Me pjesëmarrjen n’atë kremtim të klerikëvet ma të naltë, si përfaqësuesa të besimevet tona tradicionale, kemi dashtë me dëshmue randësinë që “Vatra”, në traditën e trashigueme prej Rilindjes, i jep harmonisë ndërfetare te shqiptarët dhe e çmon si gur me randësi në themelin e ndërtesës së përbashkët të kombit.

Nga “Vatra”, si organizatë vullnetare dhe jo fitimpruse, askush nuk pret ndonji shpërblim material, por vetëm moral: kënaqsinë kur je i vetëdijshëm se, me anë të saj, ke kontribue për interesin kombëtar. Jam i nderuem dhe i lumtun që kam pasë rastin t’ia ndiej atë kënaqsi për kontributin tim sado e vogël.

  1. Ju jeni larguar nga Shqipëria në moshë të re, në vitin 1951, si ka mundësi që gjuha shqipe, traditat kanë mbetur kaq të gjalla tek ju?

Përgjigje: Besoj se kjo mund të spjegohet nga disa faktorë, tue fillue prej karakteristikës së shqiptarit si tradicionalist, cilësi të cilën e ka luftue komunizmi për t’i lëshue rrugë krijimit të “traditave” të reja të ideologjisë së huej që, për afër gjysmë shekulli, helmoi përbamjen shpirtnore të kombit. Qëndresa kundër kësaj ndërhymjeje shkatrruese e spjegon deri dikund egërsinë me të cilën regjimi e nënshtroi tragjikisht kombin, sidomos segmentet e tij, ku kjo qëndresë ishte ma e fuqishme. Përveç asaj, në fatkeqsinë e largimit prej atdheut, kam pasë edhe fatin e mirë me qenë me gjithë familje, antarët e së cilës ishin të moshave të ndryshme. Kudo që na ka hjedhë fati, të rijt i kanë mësue gjuhët e vendit në shkollë ose në punë, por prania e të vjetërve ka ndimue që në shpi të flitet vetëm shqip. Të vjetrit ankoheshin se komunizmi, përveç tjera të zezave, luftonte edhe traditat, prandej besoj se vetvetiu ka lindë dëshira me i ruejtë ato. Kështu asht krijue, në mënyrë spontane, nji lloj mbështjellësi virtual rreth familjes për mbrojtjen e traditave të mira nga tjetërsimi, qoftë me humbjen e tyne ose me depërtimin e veseve këqija të ambjentit rretherrotull. Në këtë kuptim, në kontaktin e parë me njerzit tanë mbas periudhës së komunizmit, asht vrejtë shpesh njifarë ndryshimi, pse na ishim të kohës kur kishim lanë vendin, kurse ata të vitit të takimit.

Nji spjegim tjetër, besoj, vjen nga fakti se atdheun e vlerëson dhe e don ma shumë kur të mungon, e ne na ka mungue për shumë kohë. Atdheu përfshin jo vetëm vendin si kuptim gjeografik dhe popullin, por edhe trashigiminë historike, kulturore e shpirtnore, ku bajnë pjesë edhe traditat dalluese të brumit tonë etnik.

  1. Nëse do bënim një udhëtim në kohë në cilin vit do ndalonit, cilën ngjarje e ruani ende të gjallë?

Përgjigje. Janë shumë, prandej e kam të vështirë të veçoj nji vit ose nji ngjarje të vetme. I kam shumë të freskëta kujtimet dhe të forta mbresat e disa ngjarjeve në vitet e jetës sime: ardhja e komunizmit; vrasja e babës; ikja me familje prej Shqipnije; dy burgosje në Jugosllavi; dalja në botën e lirë; vdekja e vëllaut; martesa; diplomimi në mjeksi; ardhja në Amerikë; shembja e komunizmit; lufta e Kosovës me tragjedinë dhe lavdinë e saj dhe pavarësia; antarësimi i Shqipnisë në NATO; largimi i Nanës nga kjo jetë; qindvjetori i “Vatrës”….. Megjithatë po veçoj vitin 1947, në nderim të kujtimit të Nanës me mirënjohje, kur jam largue prej shpije në kërkim të shkollimit. E vejë me katër fëmij të vegjel, megjithëse në nji familje të madhe me kunetën e kunata ku ndima e kujdesi nuk mungojshin, Nana kishte nevojën e fëmiut ma të madh. Megjithatë, ajo më nxiti e më dha bekimin me shkue larg shpisë, në kërkim të nji ardhmënije që mund të ndërtohej vetëm me shkollim.

  1. Cila është historia më e bukur e jetës tuaj?

Përgjigje: Padyshim harmonia dhe dashunia në jetën familjare, nga ku buron shija për jetën dhe energjia me ecë përpara.

  1. Shqipëria ka përjetuar shumë udhëkryqe, cili mendoni se ia ka kërcënuar seriozisht të ardhmen asaj?

Përgjigje: Kadare thotë se kombi shqiptar ka përjetue dy kataklizma, të cilët ia kanë ndryshue fizionominë: okupimi afër pesëshekullor otoman dhe komunizmi. Të dy këta faktorë kanë qenë okupues, me ndryshimin se ai otoman u imponue dhe u mbajt gjithnji me praninë e kambës së huej, kurse komunizmi u përqafue nga nji pjesë e shqiptarëve të cilët, me porosinë dhe ndimën e anmiqvet shekullorë të kombit, e imponuen dhe e mbajtën me dhunë për afër nji gjysmë shekulli. Komunizmi, i përhapun nga shqiptarët shërbëtorë të këtij okupimi ideologjik, ka mujtë me depërtue edhe në familje, në çerdhet ma intime të shoqnisë shqiptare, ndërsa kamba e huej e okupatorit, qoftë otoman ose e kujdo tjetër, ka mbetë gjithmonë e hueja dhe, si e tillë, nuk ka mujtë me nxanë vend as me damtue si mikrobi i mbrendshëm i sëmundjes komuniste. Me ndryshimin e palcit etnik dhe me izolimin nga bota e civilizimit perëndimor, regjimi komunist e ka kërcnue të ardhmen e identitetit tonë si komb dhe, me politikën vetëvrasëse të internacionalizmit, e ka lanë Shqipninë pa aleanca mbrojtëse për të ardhmen e saj si shtet i pavarun.

  1. Teksa ju sheh bashkë me ”Zambakun e Prizrenit”, zonjen tuaj Nikoleta, nënkupton se lidhja juaj bashkëshortore është inspiruese brenda familjes por edhe jasht saj, dua mendimin tuaj të përbashkët cilat do ishin tre tipare thelbësore që gruaja nënë, zonjë do duhej ti trashëgonte tek bijat, nuset, zonjat përreth?

Përgjigje: Ndershmënia, bujaria dhe përkushtimi për familjen.

  1. Intelektuali dhe patrioti, veprimtari dhe humani Buçaj që jetën e vet e lidh ngushtë me atë të atdheut, cila mendoni se është ngjarja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë që sot duket e pashpresë?

Përgjigje: Pavarsia e Shqipnisë, që u realizue në nji moment kritik për ekzistencën e kombit, asht pa dyshim ngjarja ma fatlume, edhe pse përfshiu ma pak se gjysmën e popullsisë dhe të trojevet etnike. Pa atë shqiptarët do të mbeteshin të shpërndamë nën sundimin e anmiqvet, pa forcë dhe pa identitet. Nji pjesë do të asimilohej dhe të tjerët do të zhdukeshin ose do të shpërnguleshin me dhunë. Prandej kombi asht përjetësisht mirënjohës rilindasve që e kapën momentin dhe sakrifikuen edhe jetën për shpëtimin e tij. Por ngjarja ma e bukur që i ka ndodhë Shqipnisë e që unë e kam përjetue, asht shpërbamja e komunizmit. Mjerisht, për nji pjesë të madhe të shqiptarëvet, gëzimi dhe entuzjazmi i asaj ngjarjeje ia kanë lëshue rrugën zhgënjimit e dëshprimit, pse me lirinë nuk erdhi drejtësia as mirëqenja e barabartë, por vorfnija dhe diskriminimi ekonomik dhe politik. Sikur politikanët e tranzicionit të kishin pasë pak nga idealizmi dhe përkushtimi i rilindasve, Shqipnia do të dukej sot ma mirë dhe me shpresë ma shumë për të ardhmen.

  1. Pse po ikin shqiptarët, a e ve kjo në pikpyetje patriotizmin e tyre?

Përgjigje: Ikja në masë e familjevet shqiptare, sidomos në këto vitet e fundit, asht nji akuzë e randë kundër qeverisë që, në krye të rendit të ditës ka blemjen dhe manipulimin e votës në luftë për pushtet dhe për pasunim të paligjshëm, dhe jo krijimin e jetës ma të mirë e ma të drejtë për qytetarët e vet. Për gjeneratën time, motivi për të lanë atdheun ka qenë kërkesa për liri dhe shpëtimi prej përsekutimit, në shumë raste edhe shpëtimi i jetës. Sot, shumica e familjevet që ia këthejnë shpinën atdheut, kanë për motiv nji jetë ma të mirë dhe nji ardhmëni ma të sigurtë që në atdhe nuk e kanë. Vorfnija asht aq e madhe sa, në shumë raste, familjet nuk e kanë të sigurtë as bukën. Mjerisht, edhe shumë të rij që ende nuk kanë krijue familje, nuk shohin shpresë për të ardhmen e tyne, prandej detyrohen ta kërkojnë atë jashtë vendit. Rrjedhimisht, mendoj se largimi i shqiptarëvet sot, ve në pikëpyetje ma tepër patriotizmin e politikanëve të korruptuem, se sa të atyne që largohen. Nuk ka dyshim se komunizmi e ka damtue ndjenjën e patrotizmit, por ky damtim asht shumë ma i dukshëm te klasa politike, e cila asht përgjegjëse për mungesën e krijimit të kushteve ma të mira të jetesës për qytetarët gjatë periudhës së tranzicionit.

  1. Konservator dhe novator, çfarë kanë trasheguar bijtë tuaj nga ju?

Përgjigje: Dashuninë për vendlindjen e prindvet dhe për vendlindjen e tyne, Amerikën, ruejtjen e gjuhës dhe respektin për traditat dhe për historinë tonë, ndershmëninë dhe korrektesën në punë e në shoqni ku jetojnë…..

Qofshi të bekuar

 

Filed Under: Featured Tagged With: E TË GJITHË, Gjon Bucaj, Marjana Bulku, shqiptareve, Shtepia, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT