-Në Kosovë Dita e Mjedisit shënohet në Nerodime, në një nga dy bifurkacionet e gjithë botës, të vetmit në Evropë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Qershor 2016/ Në Kosovë, sot, Dita Botërore e Mjedisit shënohet atje ku është një nga mrekullitë e trojeve shqiptare – në Bifurkacionin e lumit Nerodime, i cili derdhet në dy dete, fenomenit unikat natyror të vetëm në Evropë e një prej dyve në botë.
Bifurkacionin e lumit Nerodime e viziton kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka paralajmërar se sot “fillon funksionalizimi i fenomenit të Bifurkacionit, i cili për një kohë ka qenë i degraduar”.
“Përmes Ministrisë së Planifikimit Hapësinor kemi përfituar një shumë simbolike të mjeteve, e cila ka mjaftuar për funksionalizimin e këtij fenomeni. Jemi në fazën e përgatitjes së planit detaj për rregullimin e shtratit të lumit Neredimja dhe dy degëve të Bifurkacionit, në mënyrë që të kemi një funksionim estetik dhe atraktiv për vizitorët”, ka bërë të ditur kryetari i komunës në një konferencë shtypi.
“Ky fenomen i Bifurkacionit, i pari në Evropë dhe i dyti në globin tokësor, përbën vlera të jashtëzakonshme për qytetarët e Ferizajt dhe vizitorët e ndryshëm vendës dhe ata të huaj”, është shprehur ai.
Lumi Nerodime njihet për derdhje në dy dete: përmes lumit Sitnica, pastaj Ibrit i cili nga Kosova kalon në Serbi dhe vazhdon nëpër lumin Morava e pastaj lumin Danub duke kaluar edhe shtete tjera deri në Detin e Zi, dhe përmes lumit Lepenc në Kosovë që kalon në Maqedoni e më tej nëpër lumin Vardar duke kaluar edhe nëpër Greqi deri në Detin Egje. “Kjo ndarje, që në hidrologji quhet bifurkacion, paraqet rastin e dytë në botë bashkë me atë të lumit Orinoko në Amerikën Latine. Bifurkacioni i lumit Nerodime për të parën herë përmendet në një dokument në vitin 1321”, është shkruar nga një grup autorësh në monografinë “Ferizaj me rrethinë” botuar në vitit 1975.
Në dhjetor 2015, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka marrë vendim për vënien nën Mbrojtje Paraprake të Zonës së Bifurkacionit të Lumit Nerodime, si zonë potenciale për shpallje, Vlerë e Mbrojtur e Natyrës në kategorinë e Monumentit të Natyrës të Rëndësisë së Veçantë me sipërfaqe prej rreth 15 hektarëve.
Me këtë vendim Mbrojtja e Paraprake do të zgjas deri sa zona të shpallet e mbrojtur në kategorinë e Monumentit të Natyrës të Rëndësisë së Veçantë, por jo më gjatë se dy vite nga dita e nxjerrjes së këtij vendimi.
Gjatë periudhës sa do të zgjat statusi i Mbrojtjes Paraprake do të zbatohen dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe Zona do të gëzojë statusin e zonës së mbrojtur.
Në prill 2016, Ministria kosovare e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë 25 mijë euro për punën fillestare të “Funksionalizimit të Bifurkacionit në Lumin Nerodime”, në komunën e Ferizajt.
Marrëveshja për bashkëfinancim të këtij projekti u nënshkrua nga ministri Ferid Agani dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ata theksuan se ishin dakorduar që me një shumë të vogël të parash të fillojnë realizimin e një projekti të madh në vlerë prej 5 milionë euro.