-Shtypi: Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së shtoi se e vetmja rrugë përpara është të bisedohet dhe të gjendet një zgjidhje me kompromis, por përjashtoi zgjedhjet si rrugëdalje nga situata e krijuar-/
-“SHBA: Zgjedhjet nuk do ta ndryshonin Qeverinë”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Shkurt 2016/ Në Kosovë priten takime të tjera të liderëvetë partive politike parlamentare, nga maxhoranca e opozita, në tryezën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, pas të paraditës së djeshme në praninë e përfaqësuesëve më të lartë të SHBA e BE në Prishtinë.
Nuk kishte ndonjë marrëveshje apo kompromis drejt daljes nga kriza politike, por një hap ishte vetë takimi me pjesëmarrjen e njërit prej tre liderëve të opozitës, i cili u mbajt në frymë konstruktive, sipas komunikatës nga Presidenca, e cila thkson se të pranishëm ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.
Komunikata e dërguar pasdite theksonte se, “Presidentja Jahjaga falënderoi liderët e partive politike parlamentare që i janë përgjigjur ftesës së Presidentes për të rivendosur dialogun pozitë-opozitë si mënyrë për të ripërtërirë konsensusin thelbësor demokratik në Kosovë”.
“Gjatë takimit, i cili u mbajt në frymë konstruktive, udhëheqësit politikë paraqitën qëndrimet e tyre për tejkalimin e bllokadës politike dhe shprehën gatishmëri për të kërkuar zgjidhje të përbashkët”, përfundonte deklarata nga Presidenca e Kosovës.
Ndërsa, në deklaratat e liderëve politikë kosovarë edhe pas diskutimit në tryezën e përbashkët në Presidencë për tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend u ritheksuan qëndrimet e mbajtura deri tash.
Që nga fundvera 2015 e fillimit të krizës politike në Kosovë, dje ishte përpjekja e tretë e Presidentes për të ulur në një tryezë maxhorancën dhe opozitën, ku për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, ndërsa VV dhe Nisma vazhduan me refuzimin e ftesave. Në dy përpjekjet paraprake, së pari në tetor, e pastaj në dhjetor, Presidentja me liderët ka zhvilluar vetëm takime ndaras, të veçanta.
Takimi i djeshëm i liderëve politikë është kryetema e shtypit të sotëm në Kosovë dhe një nga kryetitujt është “SHBA: Zgjedhjet nuk do ta ndryshonin Qeverinë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të shpresojnë se dialogu mes liderëve politikë do të sjellë zgjidhje për krizën aktuale në Kosovë, ndërsa insistojnë se zgjedhjet e parakohshme nuk e zgjidhin situatën, meqë ato nuk do të ndryshonin pothuaj asgjë nga përbërja e Qeverisë aktuale.
Në një deklarim për gazetën Koha Ditore, zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Philip Drewry, tha se dialogu i nisur në tryezën e së hënës, të organizuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duhet të vazhdojë.
“Së pari, ne lavdërojmë presidenten Jahjaga dhe liderët e partive politike që u bënë bashkë sot për të nisur kërkimin për një zgjidhje të bllokimit aktual politik, dhe u bëjmë thirrje partive politike që të vazhdojnë dialogun për të gjetur një rrugë përpara në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Drewry.
Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së shtoi se e vetmja rrugë përpara është të bisedohet dhe të gjendet një zgjidhje me kompromis, por përjashtoi zgjedhjet si rrugëdalje nga situata e krijuar.
Me kryetitullin në ballinë “Liderët s’e zgjidhin krizën”, gazeta Zëri shkruan se, në takimin e ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, liderët e partive politike nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në vend. “Ramush Haradinaj ka kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përderisa kreu i partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçi, deklaroi se lideri i AAK-së në takim as që i ka përmendur dy kauzat e opozitës: Asociacionin dhe Demarkacionin”, përfundon citimi nga gazeta.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në sesionin pranveror, duket në pritje të një zgjidhje për krizën politike.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare.
Ndërsa, Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi Presidentes aktuale i kalon mandati pas dy muajsh, në 6 prill, e sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe shpërndarjen e Kuvendit e shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Derisa dje nuk ishin së bashku në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare” dhe se “zgjidhja janë zgjedhjet”.