• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TONI NGA HONDURASI: “AKULLORJA JU PRISH BOTOKSIN ZONJUSHAVE”

September 20, 2022 by s p

Orest Çipa/

“Akullore, hjade akullore, akullore, hajde akullore ”, “kujdes me qenin se po e shtrëngon” , “dua edhe unë të loz me fëmijët tek shkolla siç bën Spencer”, “Covid është i rrezikshëm, por nuk kam më frikë’, “na duhet një taksi se jemi von”, “je shumë i vështirë, më li rehat dhe shiko punën tende”, “sa është ora”, “hej, më prit se erdha”, -për një çast, ky ishte peisazhi i fjalëve kuturu, javës që shkoi në rrugën e 72-të të Manhattanit lindor.

Fjalë të cilat hynin e dilnin nga veshët e mi, pa pyetur, pa xhentilesë, pa respekt, në formë spiralesh që të lodhin durimin.

Kjo “tablo” e përditshme, është një ndër ato horizonte ku beteja e njeriut kozmoplitan me zhurmën dhe gjullurdinë çakërditëse nuk u fituan kurr. Por, mesa duket, ndoshta vetvetiu është bërë një pakt i heshtur midis qytetit, katrahurës dhe frymëmarrësit. Këtu, këto tre “personazhe” duket sikur kanë lindur, jetojnë dhe do të vdesin së bashku.

Mirëpo, ky trafik fjalësh të pa kontrolluara, të ardhura majtas e djathtas,nga të gjitha drejtimet e mundshme në një moment u gllabërua nga zhurma e goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum, dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.

Më bëri përshtypje dhe u ndala!

Mu kujtuan raportimet dhe kronikat e herëpashershme të lajmeve në Shqipëri. Para syve mu shfaqën ato rastet “mjerane”, kur Palicia Bashkiake konfiskon produket e fshatarëve të ardhur nga periferia për të fituar kafshatën e bukës.

Këta “luftëtar” të cilët përballen me presën e pamëshirë dhe të frikshme të thikës së fukarallëkut, nuk ju mjafton rezistenca e mos ikjes nga atdheu dhe sakrifica për të qenë të lumtur në vendin e tyre, por duhet të shpërfytyrohen nëpër trotuaret e qytetit për arsye “estetike” apo “ligjore”.

Duhet të jenë shumë të fuqishëm !

Eshtë e vështirë të lëshë mënjanë krenarinë që na karakterizon si shqiptar dhe të dalësh rrugëve me përulësi për të siguruar jetesën duke shitur domate apo kunguj, ndërkohe që produket e “baçes tjetër” kontribuojnë për “estetikën” dhe “ligjin”e qyteteve tona.

Nejse, u kthjellova!

Si unë, ishin dhe 3-4 të tjerë që prisnin në rradhë.

Të gjithëve me siguri na tërhoqi vëmendje goditja e tenxheres nga garuzhdja. Siç duket, ky marifet i ardhur nga një “botë cinganësh”, ishte grepi i peshkimit të myshterisë, ose çelësi i të bërit tregti në metropol.

-Hajde, shpejt e shpejt ju lutem se këto janë dy javët e fundit që shes akullore për këtë vit e pastaj do prisni deri vitin tjetër.

-Toni, më bëj dy akullore të vogla me arrë kokosi, në kaush të lutem i tha dikush që mesa duket e njihte! Mua ma bëj me mango, ndësa mua të lutem, një siç e porositi zotëria i parë i tha shitësit me shumë delikatesë një zonjë e veshur bukur.

Unë, vendosa të pres. (Siç e thashë edhe më sipër, më bëri përshtypje kjoska lëvizëse që shëtiste nëpër qytet duke shitur akullore)

Pasi mbaroi punë me klientat e tjerë ishte rradha ime.

-Zotëri, çfarë do të marrësh?- më tha.

Një akullore të vogël me arrë kokosi, ju përgjigja unë, por dua të të pyes pak për profesionin tënd nëse ke kohë dhe dëshirë i thashë.

Pasi ma aprovoi me kokë e pyeta se si e kishte gjetur këtë punë dhe ai mu përgjigj rrufeshëm!

-“Money my friend “ Leku ,miku im” shkoj pas lekut.

-Pse je i interesuar ?- ma ktheu

Më bëri përshtypje se si të lënë të shesësh akullore me kioskë në mes të Manhattanit i thashë. A ke liçencë për biznesin?

Unë jam Toni që shes akullore për gati 20-vjet. Nga rruga 60-të deri në rrugën 90-të, se pak më lartë të vjedhin me thika negrot e Harlem-it. Jam i liçesuar, kam gati 3000 kilenta të përhershëm. Tre dollarë bën akulloraja jote dhe më zgjati dorën.

Avash pak, avash, nuk jam polic, pse me flet me inat! Urdhëro lekët.

-Je veshur si polic -më tha

Punoj në recepsion te kjo godina përballë i thashë, po shkoj në punë për 10-të minuta, mos ki frikë.

Jam kurjoz ta di se si e ke fituar të drejtën për të bërë tregti me karocë në Manhattan?

-Eshtë shumë e thjeshtë, aplikon me planin e biznesit, inspektorët bëjnë një kontroll të dokumentacionit dhe produkteve dhe çdo vit paguan taksat. Lejen ma kanë dhënë pë 10-të blloqe pallatesh, por unë shes edhe në blloqet e tjera, nuk me thonë gjë.

U miqësuam shpejt dhe Toni nisi të më tregojë më shumë për shitjen e akulloreve dhe për qytetin gjatë Covid-it. Në një moment, ai me tha se 2-vite më parë, kishte rezikuar të mbetej pa punë pasi njerëzit ishin skeptik dhe kishin frikë.

“Ata kujtonin se po të haje akullore të ftohej gryka e të zinte covid-i. Nuk u besonin tasave, kaushëve, lugëve, mënyrës se si ne i bënim akulloret, ishte komplet çmenduri” – tha Toni dhe u ngop me frymë.

Po tani si duket? A ja vlen të shesësh? Kush ha më shumë akullore ?

-Tani është më mirë, punoj 4-muaj sa për gjithë vitin. Ja vlen! Ata që hanë më shumë akullore janë femijët, ndërsa ato që nuk hanë, ose nuk i afrohen fare, janë zonjushat e reja.

Pse?-e pyeta unë.

-Papi (miku im) kanë frikë se ju prishet botoksi i buzëve tha duke qeshur dhe u bë gati për të ikur.

Para se të lëvizte nga vendi e pyeta nëse mund ti bëja një foto te karoca me tenxhere dhe garuzhde, por ai nuk pranoi, donte vetëm një foto të thjeshtë.

Pasi e shkrepa foton, Toni nga Hondurasi, iku siç kishte ardhur, në “tymnajën” e zhurmës të goditjes së tenxheres me garuzhde e cila shoqërohej ritmikisht me togfjalëshin: “akullore, hajde akullore, dum-baba-bum , dum-baba-bum , akullore , hajde akullore“.

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

KANAÇEMBLEDHËSI AMERIKAN

August 14, 2022 by s p

Orest Çipa

Dje,

kur jetoja në Shqipëri, më ka ngjarë shpesh, që sa herë i mbyllja qepallat e syve dhe doja të mendoja për një realitet tjetër, më të mirë se ai i Tiranës, më shfaqeshin rrokaqiejt e New York-ut, hera-herës plazhet ekzotike të Miami-it apo vende të tjera të cilat e plotësojnë ikonën e asaj Amerikës që ne të gjithë e kemi në imagjinatën tonë kur jemi aty .

Në këtë imagjinatë, nuk të shfaqen ato që ti nuk do të shfaqen. Ti projekton, regjizon, aktron. Gjithçka siç e do vet!

Nga ana tjetër, në këtë “film” me metrazh të shkurtër, subkoshienca jonë nuk e do të varfërën, të keqen, të vyshkurën, etj etj .

Pra, këto “haluçinacione” të cilat i krijojmë me vetëdashje të plotë për të ikur nga e padëshirueshmja (realiteti në Shqipëri) janë një copëz Parajse për të ngushëlluar shpirtin, në atë çast frymarjeje, në atë gërmadh realiteti.

Sot,

fati e deshi që këtë ëndër ta shoh me qepallat hapur por me pjesën që unë kurr nuk ja bashkëngjita imagjinatës!

Mirëpo, kjo hapsirë e dyskajshme, midis të ëndëruarit të realitetit imagjinar dhe të jetuarit të realitetin “të prekshëm” është konfuze, e bukur, e athët, aventureske, me ngjyra, bardh e zi, është e shumëllojshme për nga ndjesia dhe perceptimi, derisa i bindesh të vërtetës dhe e jeton atë me të gjitha kontrastet e saj.

Sidoqoftë, tani jam këtu.

Para meje në rrugën e 72-të të Mahattan-it lindor, në shëtitoren e tretë, u gjend një kontrast i ri nga ata që nuk e “thurrëm” më lartë.

Një mesoburrë i cili kishte përhumbur midis “thesarit” të vet!

E pash me shumë kuriozitet dhe vendosa ti afrohem e ta pyes lidhur me punën që bënte. Mu duk interesante që këtu në SHBA të intervistoja një njeri i cili është e vështire ti vësh një emër punës që ai bën pa dashur për ta paragjykuar ( personin dhe punen). Ju afrova dhe ju prezantova, me shumë kujdes i shpjegova qëllimin tim dhe pa humbur kohë nisa ta intervistoj .

Si e ke emrin?

William

Sa vjeç je ?

Jam 65-së vjeç. Ja, ky burri që sheh ti, ky këtu para teje, është një plak pa shkop që punon si djalë i ri.

Sa vjet ke që bën këtë punë?

Kam ekzaktësisht 20-vite. Më kujtohet sikur të ishte sot!

Kam dalë në pension të parakohshëm 3-vjet më parë sepse shteti me paguan 85-përqind të pensionit, por më duhet të punoj për të jetuar.

Si është të mbledhësh kanaçe,si ja nise kësaj pune?

Histori e gjatë…

Erdha në New York 20-vite më parë, dikush më vodhi zemrën dhe mu desh të vija këtu.

Rrash në dashuri dhe nuk kishte “shpëtim”. Kam qënë dhe unë i ri si ty, më i bukur biles.

Vidhja zemra majtas e djathtas por erdhi dita që e pësova si gjithë të tjerët.

A e di?! Është e embël dashuria, të lezeton, pastaj hidhrohet, e ndonjëherë përfundon duke shtyrë këtë karocën me bidona e kançe.

A ke bërë ndonjë punë tjetër ?

Po, kam qenë farmacist, por fatkeqësisht nuk mund ta ushtroj më këtë profesion

C’farë ndodhi?

S’di nga t’ja filloj! Nuk është e lehtë të flasësh kur je zemërthyre!

Ty s’të njoh, stë kam gjë, plus që nuk ju besoj juve gazetarëve. Jeni gënjeshtar dhe intrigantë të mëdhenj.

Unë s’jam si këta gazetarët amerikan( i thashë si për ta bindur) , jam nga Shqipëria. Nuk gënjejmë ne, pastaj ,këtu askush nuk në njeh mua.

Megjithatë, nëse nuk ndihesh rehat, nuk dua të vendos gishtin mbi plagët e tua.

U njoha me dashurinë e jetës time, siç të thashë edhe më përpara dhe mu desh të vija në New York. Me bashkëshorten time ne patëm një jetë të thjeshtë, të lumtur dhe bëmë 3-re fëmijë.

Mirëpo, përallat nuk zgjashin shumë. Ajo, ëngjelli im, një ditë prej ditësh u sëmur dhe të nesërmen u nda nga kjo botë.

Ishte shumë e rendë për mua. Unë Isha i pafuqishëm dhe përfundova në alkol dhe drogë.

Hap e mbyll syt ndryshoi ç’do gjë!

Fëmijet i morri mamaja ime në Tennessee, ndërsa mua mu hoq liçenca si farmacistit, pasi bëra disa gafa njëra pas tjetrës. Përfundova në burg ! Pasi dola, kjo Ishte mënyra më e lehtë dhe nuk duhej asnjë kualifikim.

Isha i dobët dhe asnjëherë nuk bëra paqe me realitetin që mu krijua atëhere, edhe tani, kur bëhem keq, pi ndonjëherë, por kjo është jeta. Të vjen si të vjen…

Sa fiton për ç’do thes?

Për këtë thesin këtu, këtë me bidona plastik, fitoj 12-të dollarë, për këtë me alumin 20-të ndërsa për këtë me vazo dhe shishe qelqi 18-të dollarë

Sa orë punon ç’do ditë?

Punoj 6-të deri në 8-të orë në ditë, 6-ditë në javë. Nuk ankohem, më del, mbuloj shpenzimet e mia, ju dërgoj lekë edhe fëmijëve.

Sa e vështirë është të mbledhësh kanaçe dhe bidona,ça problemesh has gjatë punës ?

Ne që bëjmë këtë punë e quajm njëri-tjetrit ( e thotë me ironi duke thumbuar vetveten, doshta për ti shtuar pak klas kësaj pune) koleksionist .

Ajo që të vret më shumë është paragjykimi i njerzve, kryesisht i njujorkezëve të pasur. Janë shumë arogantë! Nuk kapërdihet përbuzaj por këto janë rrethanat dhe kushtet e mia dhe unë e kam bindur veten tanimë.

Këto, gjërat nuk më bëjnë më pershtypje, por asgjë nuk është relative. Sot jam në humor të mirë nesër jam i fundosur në mërzi.

Përpos kësaj, ajo që të streson apo të ligështon, është se në ç’do rrugë ka “koleksionist riciklimesh”, secili nga ne ka zonën e vet, është si në filmat me mafje, ( qesh) secili ka territorin e vet, kur hyn pa leje në zonën e dikujt tjetër do përballesh me pasojat!

Ka shumë vështirësi. Koha përshembull, nuk durohet të ftohtit në dimer dhe vapa në verë.

Po shteti a të ndihmon?

Po, na ndihmon. Shteti na ka dhënë strehim falas dhe një vakt ushqimi , jetoj në Manhattan-in verilindor.

Qenke mirë?

Nuk e ke iden se çfarë po thua

Pse? Më fal nëse të ofendova!

Eshtë sakrificë e madhe të jetosh në godinat e strehimit publik, duhet të dish si të sillesh, askush nuk thotë gjë por për gabimin më të vogël përfundon në rrugë, posht ndonjë ure, në metro, apo në ndonjë qoshe pallati që nuk të zë shiu. Hajde provoje po ta mbajti !

Po oficerët e Policisë a të kanë ndaluar ndonjëherë për punën që bëni? A thyen ndonj ligj që merr gjera nga koshat e mbeturinave?

Jo, absolutish jo! Asnjeherë! Kur na shohin nuk na thonë asnjë gjë. Përkundrazi, unë mendoj, ndoshta e kam gabim, por mendoj se atyre ju vjen mirë që ne merremi me diçka. E them këtë se llogjikisht po mos të bëjmë këtë që bëjme, mund të përfundojmë duke vjedhur apo duke kanosur me armë ndonjërin për të jetuar. Ata janë rehat në jemi rehat. Nuk besoj se thyejm ndonjë ligj, këto janue hedhurina. Ne mbajmë familjet me këtë punë .

Ku i shet?

Ja tani për pak, midis shëtitores së parë dhe shëtitores së dytë në rrugën 70-të, vjen kamioni dhe i merr, na i jep lekët në dorë.

Ika tani se do bëhem von dhe dua të jem i pari në rradhë, po deshe hajde një ditë me mua që ta shohësh se ça bëhet në realitet.

Ndoshta vij një ditë, fatit asnjëherë si dihet i thashë William-it teksa zeri im humbi në zhurmën e kanaçeve dhe plastikës që kishte ngarkuar në karocën e tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Orest Cipa

QEN-SHËTITËSI: “SA MË SHUMË NJOH NJERËZIT, AQ MË SHUMË I DUA QENTË”

July 23, 2022 by s p

Orest Çipa/

Mëngjesin e të martës që lam pas, u zgjova me vonesë për në punë dhe teksa po rendja këmbshpejtazi për të marrë trenin e linjës 2, që të çon në Manhattan, në hyrje të metros, një “korrier” gazetash më zgjati një kopje duke i bashkëngjitur togfjalëshin “është falas” !

Duhet të jesh me shumë fat të gjesh një ulëse në këtë orë të ditës. Vagonat janë të tejmbushura me njerëz dhe hera-herës të merret fryma nga kjo katrahurë që përsëritet e ripërseritet ç’do ditë.

Pasi u rehatova nisa ta shfletoj këtë “fletërrufe” mëngjesi .

Ishte buletin javor me reklama punësimi, shtëpish me qera dhe oferta shit-blerjesh për zonën e Pelham Parkway.

Mu duk e mërzitshme ta nisja ditën duke lexuar promocione pa kuptim dhe instiktivisht u përpoqa që këto fletushka ti fusja në çantë.

Teksa hapa zinxhirin e xhepit të parë, syri më zuri një foto mjaftë interesante e cila më tërhoqi deri në rishikim të buletinit.

Ishte një pozicion pune mjaftë i veçantë, ndoshta në Shqipëri apo edhe në shumë vende të tjera të botës nuk egziston.

-Dog walker -ose shëtitës qeni ose si mund ta themi ndryshe kujdestar qeni apo qenshëtitës.

“Gjatë fundit të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900, ishte krejtësisht normale të shihje zonjat e shoqërisë së lartë, elitës, ose shoqëruesit e tyre të shëtisnin qentë në trotuarët e “Fifth Avenue” ose përmes “Central Park”. Megjithatë, nuk ishte normale të shihje një vajzë të klasës së ulët duke ecur me një qen të madh në “rreshtin” e milionerëve. Në këtë shëtitje jo të veçantë, vajza me sa duket po argëtohet më shumë sesa qeni, i cili vrehet lehtësisht se është tmerrsisht i pa kënaqur. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse cili është ai qen gjuetie me “reputacion” dhe me “respekt” për veten, që do donte të detyrohej të ecte përgjatë kësaj avenue ç’do mëngjes me një shoqërues për t’i dhënë atij një privilegj që ai mund t’ja japi vetvetes? – New York Times, 15 janar 1899 “”.

Ky artikull i marrë nga gazeta njujorkeze i shkruar gati 123-re vite më parë, ishte bashkengjitur ofertës për punësim, ç’ka ta shtonte edhe më shumë kurjozitetin për ta lexuar.

Ilustrimi i “qëndisur” me foton e shkrepur 1 shekull më parë, me intrigoi dhe doja të mësoja pak më shumë për këtë profesion të rrallë.

Pasditen e po asaj së marte, pasi mbarova punë, dola në “Centeral Park” të takoja ndonjë qenshëtitës për ta pyetur rreth kësaj “bote” të pazakontë!

Ende nuk kishin kaluar 7-8 minuta nga rrugtimi për në park dhe para meje u shfaq një djalosh rreth 36-vjeç i cili mbante me të dy duart litarët e 6-të qenve. Ishte i raskapitur, por në fytyrën e tij mund të shquaje lehtësisht një buzëqeshje e cila dukej se po buronte nga kënaqësia që i jepnin këto krijesa të brishta.

Ju drejtova dhe e pyeta se si ja bënte me kaq shumë qen dhe ma ktheu se i kam shok dhe gjithçka shkon mirë.

-A të kafshojnë i thash

Jo, janë miqësor, por mos haro se sot janë njerzit që kafshojnë qentë dhe jo qentë që kafshojnë njerzit

-Pse e thua këtë fjalë, ja ktheva

Nga eksperienca!

-Si e ke emrin ? Si është të kujdesesh për qentë?

Rajmond, të kujdesesh për qentë është një punë e lodhshme, interesante, argëtuese por edhe shumë shpërblyese. Ka shumë lekë!

-Sa vite keni që e bën këtë punë?

Unë kam 8-vjet që punoj si qen-shtëtitës. Koha kalon shpejt por ç’do ditë më duket sikur është dita e parë

-Sa qen shëtisni ç’do ditë, ku i çon?

Unë shëtis rreth 20-30 qen në ditë, për gati 8 orë. Ky profesion kërkon kohën e vet, është si profesionet e tjera.

Këtu në Manhattan ka shumë vende ku mund të shkosh, qentë kanë parkun e tyre në ç’do zonë, në ç’do park. Është e pamundur të ketë park që nuk ka hapsirë për qentë. Ka ndertesa që kanë 40-50 qen dhe është e domosdoshme..

-Pse ka kaq shumë qen?

Epo është shoku më i mirë i njeriut, kot nuk i thonë! Ka njerëz që i duan kafshët, ka njerëz që e mbajnë se j’ua ka këshilluar mjeku, për ankth apo për stres, ka nga ata që e duan se janë të vetmuar, ka çifte që nuk bëjnë femijë dhe e kanë qenin si femijën e tyre. Ka shumë arsye. Po ti a ke qen?

-Jo, kam mace ja ktheva unë

-A janë të gjithë këta qentë e tu apo punon për ndonjë kompani

Unë ponoj për veten time, kompania është e imja , qentë janë të klientëve të mi

-Si lindi ideja për të krijuar një kompani?

-Fillova të punoja si shëtitës qensh kur isha në kolegj, mbuloja shpenzimet që kisha si student por më pas doli të ishte një biznes argëtues dhe i suksesshëm.

-Cili është qeni më i vështirë për t’u kujdesur?

– E beson apo jo është Çivava (Chihuahua). Janë qen që duan llastim dhe lehin shumë kur janë nervozë.

-Si reagoni ndaj qenve agresivë?

Zakonisht qëndroj i qetë dhe përpiqem të fitoj besimin e tyre. Duhet pak kohë, bëj disa shëtitje për të fituar plotësisht besimin e tyre. Ja kështu është.. është e lehtë me qentë. Nuk të kërkojnë as maskë, as lek, as makinë, asgjë ! Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë i dua qentë. Është më e lehtë të punosh me qentë sesa me njerzit !

-A keni ndërtuar ndonjë lidhje “sentimentale” me këtë profesion?

Unë jam shumë i lidhur me qentë. Kohët e fundit ka ngordhur një qen për të cilin jam kujdesur për pothuajse 6 vite dhe kjo ishte shumë e trishtë për mua, është njësoj sikur ndahet nga jeta ndonjë pjestar i familjes.

-A të mërzit fakti që duhet të pastrosh jashtqitjen e tyre ç’do ditë apo le të themi 20-30 herë në ditë

– ha ha ha- Është punë që duhet bërë… po më mirë të pastroj jashtqitjen e qenve këtu në park sesa të pastrosh “jashtqitjen” e ndonjë drejtori, pronari apo ndonjë politikani arogant, që kutërbon më shumë se jashtqitja e vetë !

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

IKA SERISH / POEZI NGA OREST ÇIPA

May 29, 2022 by s p

Ika serish

Ika serish …

Ika edhe kesaj here!

E natyrisht,

Me lot në sy, putha tim et

E me pikellim në shpirt,

Perqafova te shtrenjten nene!

Trishtimi e malli me mberthyen per fyti

E shpirtin nisen te me bluajne me dhembe!

Ika , me hap te shpejt …

E ne rrembim,

syri , zemren ma plagosi !

Nje rrudhe e plogesht merzie,

Ishte shtuar ne ballin e prinderve te mi…

Une nuk u ndala …

Me vete morra, merakun e tyre

Por jo dhimbjen e ikjes time !

———-

Larg

Jam i pushtuar, i kallur në ankth,

Midis ëndërrimit dhe ty e shtrenjta ime !

Shpirtin nuk e çliroj dot prej mendimit…

Pa prekur buzën e përmalluar.

Qënia ime është e mbushur me trishtim,

Nga pamjftueshmëria e kohës për të parë ata sy

Udha, përçudi gjarpërohet mes ikjes.

E kthimin se di, kur vij… a në do të vij?!

Mes shkreptimës së qepallave u shtrydha

Aty, kam filluar e jetoj botën i çakërdisur…

Largësia nga ty më shpërfytyron zemrën

Njësoj si i ftohti, lypsit lëkurën e grisur!

Malli, zjarr flakërin prej hundësh,

Nuk ka kraharor të durojë këtë ndjesi!

E shkurtër është jeta për të mbetur kaq largë.

Pa ty, as unë s’mund të quhem njeri!

———-

Vec per ty

Syt verbova per te jetuar me zemer!

Terr e zi…

Per te pasur drite ne vena

Shpetoma shpirtin me ato buze…

Une vec per ty, e ti vec per mua

Une pa sy , por me nje tjeter shqise…

Ndersa ti me e brishte se ndjenja

Me sheh e me peshperit : “Te dua”!

Une dhe ti ,

Apokalips i perjetshem  i njeri-tjetrit !!

Dedikuar Dites

———-

Ndjesinë harruam

Sot,

Zbathur do të ikë si i marrë, or mik!

S’jetohet më në këtë arrati..

Lëkurës time shpirtin sërish do t’ia kthej

E ndoshta keq do më vij, e di !!!

Humbëm në mjegullinë e syrit të tjetrit

Ndjesinë verbuam me pluhëri moderne

Moralin e zhbëmë mbi qelq të pasqyrës..

Do të ikë në kohën e të marrëve !

Sot.

———-

Shi, mallëngjim

Në kohë të vrenjtur, kur bie shi

Zjarri i pashuar rindizet flakë!

Mjafton një pikë të më lagë shpirtin

Dhe nis rënkoj pak e nga pak…

E them: ç’dreqin po ndodh kështu?!

Ç’është kjo furtunë, kjo erë, ky shi …

Nga koha e ngrirë ti vjen e shfaqesh !

E bukur deri në madhështi…

Ndoshta… kujtimi është hipokrit?!

Dhe në këtë shi ti s’lagesh kur…

Mbi mua pres që të shkrepti

Se mallëngjimi më sëmur

——-

Kukuvajka

(Grimce nga realiteti i viteve te fundit )

Ne vena ndiej shiun teksa bie reke

Po ashtu edhe acarin, brisk !

Kokulur ketij qorrsokaku po eci

Verbuar nga eresira e zeze pisk

Ketij kalldremi hapin me frik hedh

Se e shkuara ka pushtuar cdo ngjyre

Qyteti eshte gri dhe asgje nuk merr fryme

E reja ska ze, ska shpirt ,ska gjymtyre

Ja atje…..nje kandil u ndez !

Nje e moshuar po ngroh duart mbi te

Kuptimi i drites duket se ka humbur

E i ftohti ka pushtuar cdo gje

Ka gjasa, qe vetem shamizezat jetojne ne kete vis.

Se vajtimi eshte hymn i ketij pragu te shkretuar !

Presin te gjorat ne rreze te avllise

Nje ze foshnje per te degjuar…

Qyteti nxin, behet gri edhe me gri

Portat mbyllen nje nga nje

Guret e kalldremit heshtin, zverdhen

Kukuvajka  kengen ze…

Pastaj ika, ja mbatha kembeshpejtazi

S’dita ku shkova , eca s’di se ku

Me acarin, kokulur ketij qorrsokaku

Nen klithen e trishte gu-gu-gu….

——

“Absurdi i pleshtit”

Bezdisshem leh nje lango ne rruge

E hap gojen vesh me vesh, kercellohet

Se nje plesht  pareshtur e pickon

E prej pleshtit gjithe bota zgjohet

E kunderta ndodh me qyqarin

Dikush jeten i merr pak nga pak,pa zhurme

Ankohet ditziu me mish e me shpirt

Po kush ta degjoje, te gjithe flen gjume!

——

Gojeliget

Gojeliget folen, nuk heshten as dje, as sot

Trilluan, shpifen, thane, por nuk u ngopen…

Prej mllefit, paditurise dhe zakonit te vjeter

Ne kurth me deshen, por vetes ja ben gropen!

Gjuhezinjte, kercelluan dhemb e dhemballe

Fjalen nuk e pertypen, si perhere…

Therrimet e tyre mbulojne cdo hije

Kjo specie, prej zilise dhe buken e shkel!

Gojeliget s’kane fe, jane te pazot

Pjelle e shejtanit e kaluar atij…

Dridhen, perdridhen si neperke e pabese

E pas shpine, vershojne me helmin e zi!

Gojeliget vdekjen e kane prej fjales!

Prej gjuhes se vet e barkut plot vrer..

Por gojeliget flasin, flasin dhe ne vdekje

Kerkojne meshire e bejne si te mjere!

Gojeliget s’kane fytyre, as ne ferr!

——

Pa titull

Melodia e vargut te djeshem

Po torturohet ne humneren e dashurise

Aty ku ndjenja jeton me shume se shpirti!

Ndersa ti, hesht e s’shfaqesh…

Melodia, sot tingujt vjeshtoi

E koridoreve te merzise, dhimbja kumbon

Ftohtesi vyshkese, ky stacion i trubullt

Ti s’ndalon, ti s’vjen, ti s’degjon ose ben sikur…

Melodia e vargut te neserm

Thote:”Se te mishte jane njerzit dhe koha e di”

Ndaj, dilema e pritjes s’ngushellohet te une…

Kur kambana e zise te bjere per ty!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Orest Cipa

SHBA-SHQIPËRI, PRINCIPET MBI PUSHETIN 

September 23, 2021 by s p



Nga Orest Çipa

Kalbëzimi i sistemit politik në Shqipëri është indikatori përcaktues më i mirë i gjendjes aktuale të krijuar në trajektoren vertikale qytetar- parti – pushtet. Sot, pas 30-vjetësh nga rrëzimi i qeverisjes një-partiake, shqiptarët gjenden në një marrëdhënie të dëshpëruar dhe të zhgënjyer me partitë politike të shumë-shtuara në numër dhe lënë shumë për të dëshirur për nga cilësia. Në fakt, elita politike e ka tradhëtuar misjonin e saj, çka ka sjellë, braktisjen e besimi të qytetarëve përkundrejt “flakëmbajtësve“ qeverisës, gjatë këtyre 3-dekadave tranzicioni. Besimi, tek ata që zgjidhen të drejtojnë selitë partiake ose vendin, është dobësuar, është rrënuar, ka degraduar deri në atë pikë, saqë duhet investim në një kohë fizike të papërcaktuar. Ky investim, lipset të jetë shumë bindës, të ketë garanci absolute dhe shumë prova jetike për t’u mëkëmbur e për të ngjallur një kapitull të ri shprese. Nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se në klasifikimin e fundit nga Raportet e Freedom House, por edhe nga organizata të  tjera jo-qeveritare, jashtë dhe  brenda vendit, Shqipëria vazhdon të ketë një “regjim hibrid”, pra , një sistem demokratik të brishtë. Kjo situatë, e cila për ironi të së vërtetës, bëhet më e lehtë për ta shpjeguar nga mënyra e rrjedhshmërisë së ngjarjeve (ato të muajve të fundit), nëse do të heqim një paralele virtuale me zhvillimet e fundit në partinë më të madhe opozitare në vend. Por, për të qenë më të drejt në arsyetimin e rreshtave të mëposhtëm, duhet theksuar se pëgjegjësia e pushtetit gjatë këtyre 8-viteve është gjithmonë më e madhe sesa ajo e opozitës. Eshtë një pus i madh me zullum! Gjithësesi, liderët dhe politikbërësit “tranzicionar”, të cilët janë ende gjallë në skenën politike të vendit, u duhet faturuar me pa-mëshirëshmërinë më të madhe barra keryesore e këtij mekati të madh që e kanë çuar vendin në këtë krizë akute. Për të vazhduar diskursin llogjik të mësipërm, në 19-maj të këtij viti, Sekretari i Shtetit i ShBA-së e përcaktoi Ish-Presidentin Berisha si person që nuk mund të hyjë në ShBA. Njeriu që së bashku me një grup të madh intelektualesh dërmoi brutalisht rregjimin komunist, përpos vendimit “drithërues” të aleatit tonë më të madh, Ish-kryeministri i vendit nuk do të jetë me pjesë edhe e strukturës parlamentare të Partisë Demokratike. Vendim ky, i cili ka provokuar egon apo me të drejt të plotë të z.Berisha (koha do e vlersojë), një levizje “guerrile” brenda organizmit të gjymtyruar këto 8-vite të partisë blu. Për hir të së vertetes, PD-ja nuk ka vuajtur nga “cilësia substanciale” e statutit por nga shkelja flagrante dhe zbatimi i hijëzuar i tij përpara dhe mbas vitit 2013-të. Ky fat, ka qenë fatkeqësisht për të gjitha partit politike në shqipëri, duke  filluar nga Partia Socialiste, Partia Republikane, LSI, PBDNJ etj. Të gjithë kryetarët partiakë, ushtrojnë kontroll absolut ndaj partisë së tyre, veprim ky, i cili reflekton tërësish mbi  binarët e lirisë dhe demokracisë në vend. Thënë ndryshe, kjo është një grimcë e vogël e cila nxjerr zbuluar “brishtësinë e domokracisë” të përmendur nga ndërkombëtarët. Sa më lart, Ish-krydemokrati në lëvizjen brenda partisë që tashmë ka nisur, ka përkrahje të gjerë në anëtarësi, në bazë. Nga ku, motivet e përkrahjes për z. Berisha shtrihen nga pakënaqësia për humbjen zgjedhore, tek zemërimi për përjashtimin e tij nga PD-ja e deri tek mënyrën se si u krye akti i “pabesisë”. Deri diku, Doktori ka të drejten e vet. Ndërsa demokratët e kanë plotësisht të domosdoshme por shumë të vonuar këtë lëvizje për çlirim. Megjithatë, për të ecur në udhën e llogjikës së kësaj analize duhet ngritur një ortek me pyetja: Pse Berisha? Pse opozita? Pse tani? etj, etj..  -Ultimatumin e SHBA-së që detyroi, kryedemokratin Basha të merrte vendimin ekstrem siç tregojne faktet dhe ngjatjet e këtyre ditë të fundit, ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe interesin amarikan në Ballkanin Perëndimor. Sikurisht ekzekutimet e vendimeve do jenë të dhimbshme dhe me kosto por të dobishme. ShBA-të janë aleati ynë më i madh strategjik dhe e verteta është se Shqipëria dhe Kosova janë një investim jo vetem monetar dhe kohor, por një investim gjeopolitik i përjetshëm. Prandaj duhet stabilitet dhe siguri. Ky investim duket qartë se projekton bazat e shtetbërjes pas-tranzitore të vendi tonë, i cili ka të bëjë me principet dhe morali mbi pushtetin dhe shteti mbi partinë. Për këtë, siç duket në horizont, Shqipërisë do ti duhet një projekt politik që të përbashkojë parti, shoqata apo dhe personazhe të jetës publike, të cilët duhet të angazhohen për një mënyre të re të të bërit politikë, në kontrast të fortë me 1-shin e partisë, sëmundjen më të ndyrë që po gryen partitë më të mëdha në vend. Për të përmbyllur llogjikën e kësaj analize por edhe për të qenë i sinqertë me ilustrimin e marrë më sipër,  ky është vetem fillimi i një transformimi rrënjësor  shtetformues, i cili zakonisht nis me krijimin e institucioneve dhe “tërheqjen e veshit” nga më i dobëti, opozita , drejt më të fortit, qeverisë. Dhe për fatin tonë të mirë këtë ndryshim e prijnë SHBA-të.

Filed Under: Opinion Tagged With: Orest Cipa, SHBA-SHQIPERI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT