Gashi : Është ky edhe një mesazh i qartë që vëllezerit e Nënë Terezës nga gjaku, gjuha dhe kombi, shqipëtaret, t’i dhurojnë ketij qyteti simbolin e dashurisë ,paqes dhe mirëkuptimin njerëzor, simbolin e humanizmit siç është Nënë Tereza./
Intervistë me ish ambasadorin e R.Sh në Sarajevë , z. Flamur Gashi/
Nga Tirana Beqir SINA/
Sarajeva – Qyeteti ku nisën dy luftëra botërore – qyteti që ka pasur luftëra më të këqija e me më shumë viktima, por që në historinë moderne Sarajeva ishte qyteti nën rrethimin më të gjatë, që ka zgjatur tri vite e dhjetë muaj, prej këtij qershori në zemër të saj do të ketë; edhe simbolin e rruzullit, emblema e paqes, mishërim i dashurisë , respektit dhe mirësisës njerëzore, simbol i fortë kombëtar shqiptarë, të Lumnuemen Nëna Tereze nënën e të gjithë botës – fitues e çmimit Nobel për Paqe.
Dhe, kjo meritë i takon ish ambasadorit të R.SH në Sarajeve z. Flamur Gashi, i cili premtimin e dhënë para se ta largonin para kohe nga detyra, nga kjo qeveri, e çojë në vend me sponsorizimin e një shqiptari të Amerikës, veprimtari të dalluar Marash Kol Nucullaj anëtar I Bordit të LQSHA.
Para nisejes për në Sarajevë, të shtatores së Nëna Terezes e cila do të vendoset në njërën nga sheshet kryesore tëkëtij qyteti, vetëm dy ditë më parë se Sarajevën do ta vizitojë edhe kreu i kishës katolike – Vatikanit Papa Francesku, në Tiranë biseduam me këshilltarin për Ballkanin të Presidentit të R.Sh. Bujar Nishani profesor Flamur Gashin.
Shtatorja e Nënë Terezës javën tjetër në Srajevë – Bosnjë, kur dhe si filloi iniciativa juaj ?
Gashi – Në përfundim të mandatit tim si ambasador I Republikës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë, takova për takim kortezie të gjithë personalitetet e larta shtetërore të Bosnjes , dhe një takim ishte edhe kryetari i bashkisë së Sarajevës,me të cilin biseduam për bashkëpunim të mëtejshme,në përfundim të mandatit tim në Bosnje. Pas shumë mendimesh se çfarë mund ti lëja si kujtim Bosnjes, këtij qyteti me një shpirt humanitar, me një shpirt të mbijetesës qytetare , me një shpirt humanizmi, dhe të një tradite të njohur jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, lindi idea dhe aty per aty I thash kryetarit të bashkisë së kërkoj ndihmën tuaj për një leje, të vendoset shtatorja e Nëna Terezes në Sarajevë. Dhe ai u befasua dhe më pyeti se çfarë leje ? dhe unë ju përgjigja se dua një leje për një shtatore. Dhe këtu ishte pikësynimi dhe perfundimi i gjithë kësaj dhe unë vendosa që shtatorja e cila do t’i dhurohet qytetit të Sarajevës si shenjë e imja për punën 5 vjeaçre në Sarajevë , të jetë shtatorja e humanistes shqipëtare ,të shenjtës Nënë Tereza.
Periudha prej kur ju morët premtimin dhe angazhimin për të vendosur shtatoren e Nënë Terezes dhe deri tani sa u vendos për të shkuar Nënë Tereza në Sarajevë, është edhe periudha që ju jeni larguar nga atje, A ju krijojë vështirësi për të realizuar atë premtim?
Gashi: Po vërtet ka pasur vështirësi të ndryshme teknike, sepse me marrëveshjen e Dejtonit , në Bosnje Hercegovinë, nuk lejohet vendosja e shtatoreve dhe monumenteve të ndryshme , pa një leje speciale nga komisione të veçanta. Mirpo, kur bëhet fjaëe për figurën dhe emrin e madh të Nënë Terezës , atëhere kishte disa lehtësira të veçanta në këtë punë. Unë jam marrë me premtimin e mbajtur që do ta bej shtatoren . Premtimi është bërë në Tetor të vitit të kaluar dhe tani jemi në fund te Majit dhe në fillim të Qershorit dhe me 4 qershor do të vendosim shtatoren ne Sarajevë , 2 ditë para vizitës së Papa Franceskut, vizitës të parë në të tij në Sarajevë. Është ky edhe një mesazh i qartë që vëllezerit e Nënë Terezës nga gjaku, gjuha dhe kombi, shqipëtaret, t’i dhurojnë ketij qyteti simbolin e dashurisë ,paqes dhe mirëkuptimin njerëzor, simbolin e humanizmit siç është Nënë Tereza.
Sot që gjithëçka ka përfunduar sa e veshtirë ishte për të realizuar një gjë të tillë për ngritjen e shtatores dhe për vendosjen atje? Kur bëhet fjalë tek materiali financiar dhe puna që është bërë për realizimin e saj ?
Gashi : E para pas premtimit, me thënë të drejtën u ndjeva i obliguar shumëfish që këtë ta realizoj sa më mirë, sa më bukur , sa më shpejt dhe denjësisht. Kam biseduar me disa skulptorë të ndryshëm këtu në Republikën e Shqipërisë dhe në Kosovë. Kam parë disa bucete të ndryshme të Nënë Terezës dhe përfundimisht, kam përcaktuar për një bucetë. Meqë është donacion privat dhe unë bëja zgjedhjen , nuk kishte ndonjë komision , por ngaqë kam shumë miq e shok të cilët janë artistë , u përcaktova për një bucetë, e cila më pëlqeu jashtëzakonisht shumë, i skulptorit Pjerin Kolnika. Është Nënë Tereza me një fëmijë ,me rruzare në duar. Është tamam përshkrimi real i Nënë Terezës ashtu siç unë e ëndërroj dhe imagjinoj dhe ashtu siç e kam takuar 3 herë vetë dhe ka ngelur në memorjen time e freskët dhe kështu është transmetuar edhe tek kjo skulpturë mjaft dinjitoze e skulptorit akademik Pjerin Kolnika
Ju lutem na thoni diçka rreth të dhënave teknike të shtatores ?
Gashi: Shtatorja është rreth 2 metra e lartë , është e derdhur në bronz , peshon rreth 300 kg dhe në bazamentin e saj ka të shkruar emrin të cilin ia kanë lënë nëna dhe babai i saj “ Gonxhe Bojaxhi “.
Dhe ky emër dhe ky mbishkrim do ta shoqërojë sa të egzistojë kjo shtatore. Pastaj në bazament do të shënohet Nënë Tereza në të tre gjuhët, anglish, shqip dhe serbo – kroatisht. Kur jam në këtë përgjigje, më lejo të bëj një falenderim të veçantë, për Marash Kol Nucullaj, një bashkëatdhetar I yni me origjinë nga Koja e Malësise së Tuzit , I cili jeton dhe punon në Detroit të SHBA. Ai sapo mori vesh për iniciativën time, më takoi erdhi në Tirane, dhe më tha : “ Ambasador , me leje t’ju them një gjë , : “ Unë dua që të financoj për këtë shtatore “. Dhe, shtojë se ti mjafton që ke dhënë idenë dhe je duke bërë gjithë këtë mund dhe sakrificë që Nënë Tereza të shkojë në Sarajevë. Me këtë rast një faleminderim të veçantë dua tja shpreh qysh në fillim së bashku me një mirënjohës Z. Marash Kol Nucullaj , i cili ka bërë të plotë financimin për prodhimin e shatores së Nënë Terezës.
Gashi : Më parë se të vendosej shtatorja e Nënë Terezës , besoj se qytetarët e Sarajevës , janë mësur me lajmin se do të vendoset me 4 qershor. Si është pritur ky lajm në Sarajevë ?
Është pritur jashtëzakonisht mirë lajmi për tu vendosur në zemër të qytetit dhe në këto ditë të bekuara kur këtë qytet do ta vizitojë Papa Francesku. Lajmi akoma nuk është bërë publik, por ne kemi përzgjedhur këtë lajm se pas vizitës madhështore që pat Papa Francesku i parë në Tiranë, vizita e dytë në Ballkan do të jetë në Sarajevë, dhe unë jam munduar sëbashku me skulptorin dhe me gjithë stafin teknik, që po merremi me organizimin e këtij evenimenti, ta bëjmë 2 ditë para se të vijë Papa në Sarajevë dhe ta shohin edhe medijat dhe e gjithë bota që shenjtorja e shqipëtarëve është prezente edhe në Sarajevë. Ky qytet i viktimave të shumta , vujatjeve dhe ndarjeve të mëdha nga luftërat, të ketë në zemër tij, prej këtij qershori të bekuar edhe simbolin e rruzullit, emblemën e paqes, mishërim i dashurisë , respektit dhe mirësisës njerëzore, simbol i fortë kombëtar shqiptarë, të Lumnuemen Nëna Tereze, Nënën e të gjithë botës – fitues e çmimit Nobel për Paqe.
Së fundmi cfarë mesazhi mendon se përcjell shtatorja e Nënë Terezës nga qendra e Sarajevës, ?
Mesazhin e dashurisë ,paqes, mirëkuptimit ndërfetar dhe përkujdesjes ndaj të vobekve dhe të varfërve në të gjithë botën. Nënë Tereza është simbol I miresise , I dashurise amesore.
Ju faleminderit !
Monumenti i të Lumes Nënë Tereza në Sarajevë do të jetë i 12-ti nëpër botë, përndryshe , ai është i ngritur nga misionarët dhe njerëzit humanitarë në botë . Monumente të ngjashme janë ngritur , ndër të tjera , në Nju Jork dhe Detroit në Shtetet e Bashkuara , në Tiranë , Kosovë, Mitrovicë dhe Prishtinë, Shkup , Tuzi ( Mali i Zi) e tjerë.
Lekë dhe Pashkë Gojçaj janë “bartësit” e shtatores së Nënë Terezes në Nju Jork, Prishtinë dhe Mitrovicë
Ishin dy bij të Hotit historik, të Malcisë së Ded Gjo Lulit, e Prek Calit, e sa e sa figurave të këtyre malësorëve, ata që të parët e sollën në mërgatën shqiptare, në SHBA-së, idenë fisnike dhe bujarinë që të sponsorizonin lartësimin në statuja bronxi, rrugëve dhe shesheve të Amerikës, ikonën të kësaj bije shqiptare, që pasi e sponsorizuan në sheshet e Tuzit e të Prishtinës, pa pritur që të shejtërohet, duke u kujtuar e sjellë ndërmend mbarë njerëzimit që po përgjërohet për këtë Nënë të madhe, se ajo është bijë e popullit shqiptar, e vendosën statujën e saj në Neë York (Harstdale), në Prishtinë dhe Mitrovicë. Vëllezerit Lek e Pashk Gojçaj edhe pse biznesmene, kanë bërë investimin më të shkëlqyer në jetën e tyre në një fushë ku përfitimi është veçse moral, dinjitet e krenari kombëtare, e shumë më i çmuar e i pavdekshëm se çdo lloj kapitali tjetër.
Biografia e Nëna Terezes
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqë.
Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Republika e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 ne baze te traktatit te Versajes. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali.
Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlande. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 te ketij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta per juve. Lamtumire, e deshiroj qe Zoti t’ju jap gjithcka qe ju deshiron zemra. Dua t’ju fal gjerat më të përzemerta, Gonxhja”.
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Por Shqipëria nuk heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqiperisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogel ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa.”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si: mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Disa nga çmimet dhënë në vite Nënë Terezës:
Çmimi Damian Dutton
1962 – Çmimi Ramon Magsaysay
1973 – Çmimi Templeton
1978 – Çmimi Balzan
1979 – Çmimi Nobel për Paqe
1980 – Çmimi Bharat Ratna
1985 – Çmimi Medal of Freedom
1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës
Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqiperi iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inagurua edhe busti i saj.
Medaljet Urdhri “Nënë Tereza”
Urdhri “Nënë Tereza” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Dekorata prej ari i jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë.
Medalja humanitare “Nëna Terezë” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekoratë bëhet nga presidenti i Kosovës.