*Presidenti Nishani: Mbetemi përkrah SHBA-ve!/
* Presidentja Jahjaga: Falë SHBA-ve, ne sot jetojmë në paqe/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë sot 238-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, nënshkruar pikërisht më 4 korrik 1776. Ky dokument themeltar njeh si autor kryesor të tij, Thomas Jefferson, sipas të cilit, vetëqeverisja është “status i veçantë dhe i barabartë”, që një popull ka të drejtë sipas ligjeve të Zotit dhe të Natyrës. “Ne i mbajmë këto të drejta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, se mes tyre janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve”. Këto fjalë, së bashku me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe të njëzetë e shtatë Amendamentet e Kushtetutës, formojnë themelin filozofik të sistemit amerikan të qeverisjes. Të marra së bashku, ato kanë frymëzuar breza amerikanësh.
Presidenti Nishani: Mbetemi përkrah SHBA-ve!
“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik amerikan përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të përzemërta!”. Kështu e ka nisur mesazhin e tij të urimit kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, drejtuar sot Presidentit amerikan Barack Obama me rastin e Festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Duke nënvizuar më tej lidhjet e forta njerëzore dhe miqësore, të pasura dhe jashtëzakonisht dinamike, në të cilat bazohen marrëdhëniet mbi njëshekullore shqiptaro-amerikane dhe duke ripohuar angazhimin e vendit tonë për vazhdimësinë dhe pasurimin e mëtejshëm të tyre. “Përfitoj nga rasti, Zoti President, t’ju siguroj se vendi im do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në mbështetje të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se do të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë, në Afganistan e kudo ku kërkohet përballja me sfidat e sigurisë dhe paqes, mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë. Ne vlerësojmë lart dhe mbetemi të përkushtuar në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e madhe amerikane në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian të Shqipërisë. Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, si edhe duke ju ripohuar ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” theksohet gjithashtu në mesazhin e urimit të Presidenti Nishani, drejtuar homologut të tij amerikan.
Presidentja Jahjaga: Falë SHBA-ve, ne sot jetojmë në paqe
“Dëshiroj që të gjithë së bashku të ngremë një dolli për t’ju uruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës Ditën e Pavarësisë, dhe për të shënuar dhe për të festuar miqësinë dhe partneritetin e përjetshëm në mes të popullit të Kosovës dhe popullit amerikan. Të bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët, për liri, barazi dhe demokraci ”. Kështu është shprehur Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një pritje të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve në rezidencën në Prishtinë, në kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të vendit dhe në emrin tim personal, ju uroj juve dhe popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë”, ka shtuar ajo. Për të nënvizuar më tej gjithashtu se falë ndihmës amerikane, populli kosovar sot jeton në paqe. E kjo, sipas saj, ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. “Ju falënderoj për besimin e vazhdueshëm në vizionin tonë që të ndërtojmë një shtet dhe të ndërtojmë një demokraci dhe një vizion tonin të mëtejshëm që dita-ditës, ne po ia japim formën dhe po e fuqizojmë gjithnjë e më shumë”, përfundoi ajo.