Nga B.Jashari/.- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon sot 44 vjetorin e themelimit, të vlerësuar si ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjitha kombin shqiptar. Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit u mbajt në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës. “Universiteti në Prishtinë do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja para 44 vjetëve, në numrin e 16 shkurtit 1970, në raportin e gjerë nga seanca solemne e themelimit të Universitetit të Prishtinës e një dite më parë. Universiteti i Prishtinës tani ka 17 fakultete, ndërsa Kosova në 6 vitet e Pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.