• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2015

FRAN GJOKA,MËSUESI DHE GAZETARI

February 13, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Fran Gjoka! Si mik i vjetër po ju pyes: a ka kohë pushimi për gazetarin dhe krijuesin? E ndjej përgjigjen që e ke në majë të gjuhës: “Jam në pension. Kohën e kam me bollëk, por s`më tepron, pasi ajo ikën si pa u ndjerë, ngase s`më le “sevdaja” për gazetarinë”.
Kisha deshirë t`i thosha e të dëgjoja këto fjalë, pasi ka mbi 40 vjet, që në shtypin e përditshëm nuk pushojnë shkrimet që mbajnë emrin dhe firmën e gazetarit të njohur Fran Gjoka. Pa të keq, madje po e them me admirim, se vitet shkojnë, flokët t`u thinjën e rrudhat u`u shtuan e ti mbete po ai Frani energjik, që nuk t`u zbeh deshira e nuk t`u thye pena për të shkruar? Pas pyetjes së parë, tjetra që më shkon në mendje është: Po kohë të pushosh, a gjen o koleg i hershëm? S`ka nevojë për përgjigje, pasi e gjen vetë secili, mjafton ta njohësh fare pak natyrën, vullnetin dhe këmbënguljen e mikut tonë penështruar.
Kam përshtypjen se shumë nga kolegët mësues e drejtues, kanë menduar e besuar se, kur ai të dalë në pension, vetvetiu do ta braktisë edhe gazetarinë e do t`i bashkohet grupit të dominove në lulishte, apo kafesë, ku duke përtypur kujtimet, i shtyn me përtesë orët e ditës, aq sa do të bezdiset bufisti dhe kamarjeri i lokalit. Ja që nuk ndodhi kështu. Me Franin gabojnë. Zëri i tij përsëri vazhdon të dëgjohet në faqet e shtypit të ditës, sepse natyra e tij e gjallë e dinamike, nuk e pranon të qendrojë me orë të tëra kot, aqsa e ka të vështirë të rrijë pa u marrë me asgjë. Mbase kolegët nuk e dinë sekretin që e mbart në shpirt çdo krijues, në këtë rast edhe heroi ynë Frani, që për gazetarin, studjuesin dhe krijuesin nuk ka as moshë pensioni, po as edhe kufinj vitesh. Është kjo e fshehtë e pashkruar dhe e pashpallur, që nuk e le t`i plaket trupi dhe mendja, ndaj për të mos u shkëputur nga veprimtaritë shoqërore, kërkon të jetë përherë i pranishëm dhe i dobishëm. Shtojmë këtu, se edhe zemra i rreh vetëm për punë, që e shtyn të jetë i papërtuar për të gjetur e bërë intervista me kolegë dhe përsonalitete të arsimit dhe shkencës, njëkohësisht për t`u ndjerë i palodhur në pjesëmarrje veprimtarish, ku nuk harrojnë ta thërrasin e t`i kërkojnë fjalë e mend.
Duhet ta pranojmë se Frani është intelektual që vepron dhe që nuk i ndahet edhe librit e bibliotekës, sepse vendosmëria dhe detyra i kërkon me doemos kohën, për lexime e studime të vazhdueshme. Ky është ushqim mendor e shpirtëror, për t`u thelluar e përfshirë në përplasjet, lidhur me problemet që dalin e dukuritë që hasen nëpër shkolla, gjuhësi, letërsi e ndërvarësi shoqërore, duke kërkuar shtigje për rrugët e zgjidhjes së tyre. Është një debat i vazhdueshëm, në të cilin Frani, gazetari ynë fjalë bukur, nuk shmanget e as i bën dredha. Kurdoherë kërkon ta thotë fjalën e tij, duke menduar e shpresuar se njohja, kultura dhe përvoja shumë-vjeçare, ndihmon sado pak. Për të vazhduar më tej akoma, Frani me kurajo ngacmon e thërret në diskutim mësuesit, drejtorët, komunitetin, të mençurit e të diturit, më tej akoma, edhe ideatorët e vendimarrësit, në bazë e dikaster, duke shtruar me llogjikë të fortë mendimet dhe shqetsimet, lidhur me reformat në arsim dhe zbatimi i tyre në praktikë, në jetën e përditshme të çdo institucioni.
Me emrin e Franit jam njohur shumë herët nëpërmjet gazetës “Mësuesi”, ku shkrimet e tij i gjeja, gati në çdo numër. Ndërsa u bëmë miq këtu e njëzet vjet më parë, kur edhe unë nisa të shkruaj po në këtë gazetë. Me një fjalë, na lidhi gazeta “Mësuesi”. Frani nga Lezha dhe unë nga Durrësi, meqë ishim më pranë Tiranës, shkrimet tona, të shkruara së shumti me dorë e makinë shkrimi, për më kollaj i sillnim vetë në redaksi, për të shmangur vonesat dhe burokacinë e postës. Na pëlqeu muhabeti dhe u miqësuam shpejt, pasi të dy ishim mësues, si të thuash zanatçinj në një “ndërmarrje”, kështu natyrisht edhe problematika e bisedave dhe shkrimeve përqëndrohej tek mësimi, nxënësi, mësuesi, prindi, drejtori, shkolla, tekstet, metodat dhe figurat e shquara që e shkrinë jetën në arsim. Harroheshim në bisedë, pavarësisht se koha shkonte dhe duhet të vraponim tek furgonët apo tek autobusi, për t`u kthyer në qytetet tanë. Kënaqeshim kur kryeredaktori i gazetës Z. Viron Kona, na ftonte për kafe në lokalin brenda oborrit të Ministrisë, dhe me atë natyrën e tij bujare e gazmore, si vlonjat që ishte, na mburrej: “Jam i nderuar se kam dy miq nga dy qytete nga më të vjetërit; njëri nga Dyrrahu e tjetri nga Lisus”. Këto fjalë i thoshte me zë të lartë, sidomos kur ishe mes shokësh, sepse meqë ra fjala, çuditërisht asnjëherë nuk e gjenim vetëm dhe ne na vinte mirë ky lloj perzantimi.
Duke shkruar këto pak radhë për Franin, i them se ka dy privilegje që s`i gëzojnë të tjerët, por që i lakmojnë me tepri :
Së pari, është mësues dhe si i tillë është një misionar në udhën e vështirë të mësimit dhe edukimit, sepse përhap e ushqen dije në mendjen dhe shpirtin e të rinjëve, që të bëhen të dobishëm dhe kështu të kërkojnë e luftojnë për më të mirën për vete dhe shoqërinë.
Së dyti: Frani njëherazi është edhe gazetar, kështu i jep mundësi vetes të shprehë mendimin, të nisë e të nxisë diskutime, të përhapë përvojën pozitive të vetes dhe kolegëve, njëkohësisht të mbajë qendrim ndaj problemeve të shumta që ka shkolla dhe arsimi. Natyrisht këto janë pjesë e deshirës, pasionit, talentit dhe intelektit të tij, që e shtynë drejt gazetarisë, pa më të voglin interes vetiak e pasuror. Thjesht të pasqyronte atë që ndjente, për vete dhe kolegët.
Këtu nuk mbaron historia, pasi pa dashje, ai u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij. Askush nuk e ve në mëdyshje fjalën e tij. Me të padrejtë dikush që njeh vetëm botën e parasë, do të shprehet: Kujt i vlen gjithë kjo punë e ky mund?
Unë dhe mijëra kolegë, mësues e gazeatrë e përbuzim këtë lloj pyetje, që tundon dhe thyen njeriun. Më bukur përgjigjen e jep vetë Frani, me mbi 2000 artikujt e shkruar prej tij, që kanë brenda frymëzimin dhe idealizmin e njeriut fisnik. Çdo artikull është një lloj fotografie që fikson kohën, jetën shoqërore, ngjarjet dhe veprimtaritë, problemet dhe shqetësimet me të cilat ndeshemi përdit. Të gjitha këto përbëjnë në vetvete një arkivë dokumentash, që mund të shfletohen bukur për historinë e zhvillimin e arsimit në Lezhë e më gjërë. A nuk është edhe kjo një “pasuri” shpirtërore për Franin? Në fund të fundit, ç`e dallon intelekualin nga zanatçiu, veçse puna krijuese që u mbetet trashëgim brezave?
I urojmë Franit shëndet e jetë të gjatë mes miqëve dhe shokëve, njëkohësisht edhe sa më shumë shkrime nëpër gazetat tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: FRAN GJOKA, Kadri Tarelli, MËSUESI DHE GAZETARI

Shqiptarët e Kosovës harrojnë çështjen nacionale në këmbim të mbijetesës!

February 13, 2015 by dgreca

Shkruan Asllan Dibrani/
Skamja , pasiguria korrupsioni , anarkia , krimi i organizuar mos funksionimi i ligjit dhe ngufatja e shtetit. Kjo vjen si rezultat nga gënjeshtarët dhe mashtruesit që të synojnë ngjitjen e shpejtë në hierarkinë politike pa cens politik dhe kombëtar! Kjo ma ka marrë reaksion shqetësues për gjithë Kosovën. Ata patën synim hierarkinë dhe projektet dramatike për shkatërrimin e ekonomisë ,kulturës dhe vlerave shqiptare !!! Depërtimi i tyre arriti si arriti në institucione të shtetit, të arsimit, të shkencës, të kulturës, në medie dhe gjithkund që qytetarin e qitën jashtë interesave globale për jete të lirë. Ata u ricikluan në grupe mafioze që kush dhe nga kush do të udhëhiqen sektorët e ministrive dhe vendeve udhëheqëse. Ky vend po zhytet për çdo ditë në kriza të thella me mashtrime dhe malverzime të shëmtuara për ta zhbërë këtë vend nga rregullat dhe ligjet qe gëzojnë shtetet funksionale. Duke ju falënderuar vullnetit dhe angazhimit të forcave amerikane arritëm një “Pavarësi të Kosovës ” me çka në bazë të këtyre bilanceve kriminale të organizuar , sot kjo “Pavarësi” po luhatet me rastin e zbrazjes së Kosovës nga rinia edhe populli ma vital i saj .Bandat e organizuara në emër të (shteti dhe çlirimtarëve) keqpërdorën sakrificën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , gjë që u irrituar populli me mosbesim ndaj institucione kosovare duke e konsideruan veten se u mashtruan nga e cila populli kaloj ne revolt vetëvrasëse me shpërngulje masive.
Një fjalë popullore thotë mos ke ç’ti bësh samarit i sjell gomarit. Dramë pas drame po e ndjek popullin shqiptar në të gjitha vendbanimet ,po edhe Shqipëri. Shqipëria nuk qe e zonja ta marr rolin e mbrojtjes të territoreve shqiptare nga grabitqaret shekullor sllavo-ruso.greke. Në Kosovë, zhgënjim në popullit pati edhe pas shumë muajsh zhvatje të Kosovës neë zgjedhjet e veta!. Koalicioni PDK-LDK , humbi i tërë besimi dhe shpresat për një ardhmëri të vet. .”Çlirimtarët” kaluan në parti,grupe ,institucione,organizata qeveritare dhe jo qeveritare. Në emrin e çlirimit injorizuan çdo gjë që gjeten pran vetës duke kaluar në primitivizëm në fushën e shkencës ,kulturës, artit dhe politikes gjë që profesionalizmi u uzurpuar me zyrtar ordiner qe nuk e dallojnë çka është e dobishme e çka jo për interesat e popullit. Një medalje të së keqes , këtu qëndron edhe tek forcat e huaja të UNMIK, OSBE, EULEX si dhe forcave të KFORIT. Bashkë me to u instaluan shume krime në aleancë me vendasit gjithnjë në dëm të popullit .Këto forca të huaja sollën llumin e tyre nga vendet e tyre,kështu që sot po ja sheh sherrin Kosova. Kosova është ma në tranzicion të barbarisë dhe primitivizmit që promovon çdo dite pasiguri, zhgënjim tek ky popull. Shqiptarët kosovarë harrojnë çështjen nacionale në këmbim më mbijetesën!!!Skamja të qon në derë të armikut thuhet, prandaj kjo po dëshmohet me egzodin e shpërngulje së shqiptarëve nga Kosova përmes Serbisë .

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Shqiptarët e Kosovës harrojnë çështjen nacionale në këmbim, te mbijetesës!

SHËN VALENTINI NË VARGJE- RAIMONDA MOISIU DHE PERPARIM HYSI

February 13, 2015 by dgreca

Nata e Shën Shpirtit/
nga Raimonda MOISIU/
Mezi pres natën e Shën Valentinit,/
atë natë që ka aq orë, sa netët e shkurtit,/
por unë dëshiroj të mos mbarojë kurrë,/
duke harruar edhe lindjen e diellit!/
Atë,/
natën e Shën Valentinit,/
të vetmen natë në netët e mia,/
natën e Shën Shpirtit tim./
Unë dua të më mbërthejnë prangat e ledhatimeve,/
dhe përskuqja e puthjeve të nxehta,/
si trëndafilat e Shën Valentinit./
Mezi pres agoninë e puthjeve,/
të magjepsura nga nxehtësia e tyre,/
të shkrijnë acarin e shkurtit./

Mezi pres të marrësh peng përhumbjen e syve të mi,
ndriçimin e tyre të qeltë e të gjelbër,
si blerimi në pranverë,
t’i japë dritë errësirës.
Të zbukurojmë bardhësinë e çarçafëve,
me aromën e kurorës së shpërthimit
t’u japë frymë trëndafilave të ndezur,
në kopshtin tim.

Jashtë bien qeparisët e flokëve të borës,
si nostalgjia e syve të qelqtë,
atë pranverë të parë, teksa çelje lulet e përgjumura,
në livadhin e mermertë si bora.

Mezi pres të ngrohim me frymën e ofshamave,
qeparisët dhe
t’i tretim në shtratin e virgjër të dëshirave,
kur hëna zbret në dritare e na shikon.

Mezi pres strehën e hajthshme të duarve tua,
në mashtrimin e brishtë të trëndafilave të bardhë,
që lulëzojnë në zjarrminë dehëse,
nën hutimin e diellit të mëngjesit,
nën fëshfëritjen e gjetheve ledhatuese,
që unë i dua kaq shumë,
jo vetëm në një natë me Shën Valentin,
për Shën Shpirtin tim.

Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA

SHËN VALENTINI NË VARGJET E MIA

( cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

Mirëse erdhe SHËN VALENTIN!

As e dinim nëse kishte, ditë si kjo: e dashurisë!
E panjohur fare ishte ( si dhuratë erdh prej demokracisë).
E festuam ne së pari veç pas viteve nëntëdhjetë
Se i mprehtë qe “hanxhari”, një hanxhar made in Mesjetë!

S’ka ç’na duhet “brishtësia”, është e huaj dhe me “njolla”
Tek ne ndryshe dashuria (ndryshe të zinte kolla?)
Po ku kish Shën Valentin (shën partia dhe Enveri)
Ferrobeton dhe dashuria që armiqtë t’i zijë tmerri!!!

S’kam pse vazhdoj më tutje, brezi ynë qe i pafat
Qe një kohë e mbushur “turpe”;qe një kohë mbushur gjezapë
Dashuri veç për partinë dhe, patjetër, për Enverin
Dashuri për dashurinë?! Nëse kërkoje “sherrin”.

14 shkurt 1992

A të kujtohet?

A të kujtohet,e bukura si yll?
Qe 14 shkurt kur u futëm në pyll.
Paska qenë Shën Valentin kur hymë atje
Por hiç nuk e dinim( e morëm vesh,tash,se…

Se kjo “Ditë Dashurie” qe mbajtur e fshehtë
Se dhe dashuria do bërë me “recetë”
Shën Valentini “ish festë e burgjezisë”
Dhe në dashuri: me mësimet e partisë.

Ndryshe dashuria jonë, ndryshe burgjezia
Po ne qemë “etalon”,se na “bekonte” partia
Vij vetëm tek pylli,kot sa për nostalgji
Sot është SHën Valentini! pa shih: ç’dashuri!

Dalin me buqeta, dalin me dhurata
Ka ikur mesjeta, e keqe si nata
Zënë puthen çiltër; çlirojnë ngrohëtsi
Përzënë çdo dimër! Kumbojnë dashuri!

14 shkurt 1996

SHËN VALENTINI

Erdhi! Erdhi Shën Valentini! Çiftet zbresin dy nga dy
I shikon Përparimi! Ah. që s’jam dhe unë i ri!
Dorë për dorë janë kapur, njëri-tjetrit i shtien çikë
Unë, tani, jam flokëzbadhur, por zili i kam njëçikë.

Këngë e valle zënë e hedhin, edhe puthen hapur fare
Unë i shoh dhe më shtojnë shendin (si me ta po hedh “valle”)
Sado jam azmatik (mezi mbushem unë me frymë)
Entuziazmi seç më mpik: ta gëzojnë Shën Valentin!

14 shkurt 2000

Ah, kjo “Dita e dashurisë!”

Ah, kjo “Dita e dashurisë” të vë flatra, të vë krahë
I hip delli pleqërisë, si të rinjtë të bëjë sevda
Kur shoh çiftet që po puthen se kanë Shën Valentinin
Unë i shoh dhe pak krrusem (se ka “cipë” Përparimi???)

Pse s’ dëgjojnë Përparimi që i ka mbetur ora prapa
Por festojnë Shën Valentinin sikur “lozin hapa-dollapa!
Puthen hapur dy nga dy dhe s’e kanë fare për pesë
Dhe çlirojnë ngrohtësi, sikur kanë vënë krahë si shpezë.

Kohë e re, or tunjatjeta! Kohë e re dhe janë të lirë
Ja tek shkëmbjenë buqeta, unë i shoh dhe ndihem mirë
Kthehem prapa unënë kohë, kur Çeçua kish biçak
Dhe regëtij e po bëj oh! Se regjimi qe farmak.

14 shkurt 2010

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - RAIMONDA MOISIU DHE, NË VARGJE, perparim Hysi, Shen Valentini

Puthje dashurie nga Albert Z. ZHOLI

February 13, 2015 by dgreca

….Ky libërth xhepi i dedikohet dashurisë, fjalës më të bukur të zemrës, virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, më sublime, më të pastër, më sinjifikative, asaj së cilës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në buzë . E kush nga ata që ka provuar dashurinë, nuk ka marrë krahë dhe ka fluturuar në vende të pamenduara duke përcjellë gëzim, hare, optimizëm?! Dua që ky libërth xhepi të jetë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të “vjedhë” diçka të bukur, magjepsëse nga fjalët dhe mendimet e tjetrit. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VAL. Ç’do ëndërr dashurie ka një dëshirë, ç’do dëshirë ka një realitet, dhe ç’do realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës s’ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë ky libërth një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

SHËN VALENTINI
Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Etimologji
Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
Lutja e të dashuruarve
Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.

Mesazhe
Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjese nga libri “Nje dite per dashurine”)
****
Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.
***
Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.
***
Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, mi çon mendimet tek ty…
****
Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.
****
Dantella ndrin në këtë mbrëmje të gjelbër prej shigjetave prej mjalti të pranverës se syve. Duket sikur fjalët e mia rrjedhin nën akull dhe tek kjo rrëke butësie kanë vlerë vetëm disa pika shiu të kthjellët si loti. Sa herë të ëndërroj qielli im psherëtin. Sa herë mbyll sytë shoh një fill rozë të padukshëm që më çon tek ty si me magji.
****
Unë ndjehem një botë me vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..
******
Çastet kur jam pa ty i kaloj me shijet e fjalëve që të qëndis në mesazhe zemre. Nëpër luginën e dëshirës shoh zjarrin e dritës së verbër që më prin në vetmi për të më lexuar ndjenjat e mbuluara me velin që lëshon shiu.
****
Kënga ime e dashurisë për ty gjallon thellë në ajër aromë malli e fjalë me lëng lulesh që kam mbi buzë çdo çast për ty.

Filed Under: LETERSI Tagged With: nga Albert Z. ZHOLI, Puthje dashurie

KOLEC TRABOINI E DI, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

February 13, 2015 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
1.Në fillimin e “Rrugës së Dibrës”, në Tiranë, ndodhet edhe një lokal me emrin domethënës “Muza”. Pamja e brendshme e tij është plot shijë artistike, pasi aty janë të vendosura edhe disa piktura të bukura. Ishte rasti i parë që shkoja aty, bashkë me mikun tim, publicistin e poetin Jaho Margjeka apo me poetet Lida Lazaj, Manushaqe Toromani etj. Ndoshta, kushte të drejtë një mik i yni, i cili e vlerësoi këtë lokal “stehez të ngrohtë” të krijuesve kryeqytetas.
Kështu, pra, ne u ndodhëm në miqësinë e mjaft krijuesve e botuesve të njohur, si në poezi e prozë dhe publicistikë. Për të gjithë ne, “sebebqari” ishte poeti i njohur Kolec Traboini, autor i afër 25 librave. Ai na kishte ftuar me dashamirësi, që të merrnim pjesë në përurimin e librit të ri poetik, me titullin paksa intrigues, “Fajin e ka Hekuba”. Poezitë zënë gjithësej 155 faqe dhe janë ndërë në katër pjesë. Në hyrje të vëllimit, ka shkruar disa faqe vlerësuese, Anton Gojçaj.
Organiuzatorët e kishin menduar këtë tubim jo siç veprohet zakonisht, pra pa “ceremonira” të mërzitshme, me leximin e temave të parapërgatitura nga njerëz të ndryshëm. Por ishte një bashkëbisedim I natyrshëm, aty rreth tavolinave, duke ngritur edhe nga një gotë e duke folur, si për këtë libër të ri dhe, në përgjitësi, për krijimtarinë e autorit K.Traboini.
2.
I pari e mori fjalën e mirëseardhjes shkrimtari Pandeli Koçi (Sazan Goliku). Për të pranishmit, ai lexoi poezinë e frymëzuar të K.Traboinit, që ia ka kushtuar kolegut e mikut të ndjerë, Frederik Rreshpja. Në vazhhdimësi, Ilia Dedi lexoi poezinë “Si mund të iket krejt kështu?(Mikut tim, Riza Lahi)”, duke theksuar se lexuesve tanë u nevojiten krijime të tilla bashkëkohore. Poezi nga autori K.Traboini lexuan edhe Dodona Qose e Agron Calleku, që është krijues dhe pronar i lokalit “Muza”. Ndër të tjera, ai i ftoi kolegët e miqtë e tij që, sa herë të dëshirojnë, do të jenë të mirëpritur në këtë mjedis të tyre të ngrohtë.
Duke çmuar disa nga vlerat kryesore të këtij vëllimi poetik, por dhe duke lexuar poezi të zgjedhura prej tij, njëri pas tjetrit, e morën fjalën: Dedë Malaj, Ilia Terpini, Riza Braholli, Jaho Margjeka, Minella Kureta, Fatime Kulli, Kujtim Dashi dhe kolegë e miq të tjerë të autorit. Përveç të tjerash, ata nënvizuan se në krijimet e K.Traboinit është ravijëzuar jo vetëm ndjeshmëria e tij e veçantë poetike, por dhe në vargjet e tij ka ditur të nderojë vendlindjen dhe të jetë pasqyrë e mirë e traditave atdhetare të paraardhësve të vet, që janë të njohur, si në Malësi dhe më gjerë.
Meqenëse ndonjë nga folësit në këtë përurim nuk e shpjegoi, se përse e ka “fajin” Hekuba, po shënoj këtu që këtë titull e ka njëra nga poezitë e bukura të këtij vëllimi. Ndër të tjera, autori shkruan:
Po të mos kishte lindur Paridi,
Po të mos kisha lindur dhe unë,
Gjërat do të ishin ndryshe,
S’do përjetoja këtë kalvar mundimesh,
Ku jeta më tërheq përdhuni.
Fajin e ka hekuba,
Hekuba dhe Nëna ime! (2013)
Në mbyllje të tërë veprimtarisë, autori Kolec Traboini i falënderoi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ai njoftoi se e ka në përfundim një poemë të gjatë, e cila ndoshta do të na mbledhë përsëri, në atë mjedis të këndshëm.
Tiranë, 12 shkurt 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: KOLEC TRABOINI E DI, Murat Gecaj, PSE “FAJIN E KA HEKUBA”…

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT