• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Qytetarët votuan për ndryshimin e skenës politike

April 15, 2023 by s p

Ashtu siç është pritur qytetarët me votën e tyre me 2 prill në balotazh  të zgjedhjeve presidenciale  votuan bindshëm për ndryshim, duke zgjedhur  presidentin e ri në Mal të Zi, nga subjekti jashtëparlamentar duke paralajmëruar ndryshime në skenën politike të cilat do të pasojnë në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen me 11 qershor të këtij viti

Nail  Draga

Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale me 19 mars dëshmoi se dy ma të votuarit  presidenti aktual M.Gjukanoviqi me 35.37% apo 119.685 vota dhe J.Milatoviqi me 28.92% apo 97.867 vota  do të ballafaqohen në balotazh   me 2 prill, duke paraqitur dilema në opinion dhe të elektorati votues.

Por, një çështje e tillë u eliminu mënjëherë, sepse partitë politike të cilat ishin pjesëmarrëse me kandidatët e tyre u deklaruan publikisht se do të mbeshtesin J.Milatoviqin, qe ishte sinjal i mjaftueshëm për te kuptuar se ai ka përparësi të madhe ndaj presidentit aktual, i cili u mbeshtet nga parti të vogla pa ndonjë peshë të elektorati votues.

Presidenti në pension politik

Sipas të dhënave nga KZSH, në balotazh  të mbajtur me 2 prill 2023, J.Milatoviqi ka fituar  58,88 % apo  221.592 vota,  ndërsa M.Gjukanoviqi  41,12 % apo 154.769 vota. Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë  vote prej 524.154  në zgjedhje kanë votuar 380.281 qytetarë(70.14%) ndërsa të vlefshme kanë qenë 376.361fletë votime, qe ishin më shumë për  37980  votues  apo 10% në krahasim me dyjavë më parë. 

Kemi të bëjmë me rastin e parë deri më tash në Mal të Zi por edhe më gjerë kur presidenti zgjidhet nga partia jashtëparlamentare, duke dëshmuar se qytetarët votuan kandidatin më të preferuar duke e dërguar presidentin aktual në pensionin politik.Një vendim i tillë i qytetarëve dëshmon se ata votuan lirshëm në mënyrë tolerante pa diktate që është  dëshmi se kemi të bëjmë me evoluimin në kulturën politike të qytetarëve në këtë mjedis.

Si votuan shqiptarët e boshnjakët ?

Në krahasim me ruandin e parë me 19 mars, me 2 prill shqiptarët e boshnjakët në zgjedhje kanë dalur më tepër duke e rritur ndjeshem numrin e votave kryesisht për M.Gjukanoviqin, por një përqindje e konsiderueshme ka qenë edhe për J.Milatoviqin. 

Kështu në dy komunat me shumicë shqiptare, në Ulqin 6515 vota ishin për  M.Gjukanoviqin, ndërsa 2995 për J.Milatoviqin, në Malësi 5855 vota ka fituar M.Gjukanoviqi ndërsa 1.284 J.Milatoviqi. Ndërsa në komunat me shumicë boshnjake në Rozhajë 11.004 vota ishin për M.Gjukanoviqin ndërsa 2.213 për J.Milatoviqin, në Plavë 3.275 M.Gjukanoviqi ndërsa 1.432 J.Milatoviqi etj.Por, kjo mbeshtetje nuk ka ndikuar në humbjen e M.Gjukanoviqit, sepse si e tillë është paralajmëruar në zgjedhjet lokale(23 tetor 2023) që u vërifiku bindshëm në këto zgjedhje. 

Nuk ka dilemë se  shkaku i  humbjës  se presidentit aktual M.Gjukanoviq, nuk duhet kërkuar të elektorati votues të popujt pakicë(shqiptarë e boshnjakë), por  të elektorati me përkatësi malazeze përkatësisht ortodokse të cilët mbeshtetën J.Milatoviqin, i cili paraqet moment të veçantë në skenën politike në Mal të Zi. 

Të dhënat e publikuara dëshmojnë se në 17 komuna ka fituar J.Milatoviqi ndërsa M.Gjukanoviqi në 8, dëshmi se qytetarët kanë votuar për ndryshim, duke dëshmuar se pushtetit të DPS-it i ka ardhur fundi sepse është koha për figura të reja udhëheqëse   pa hipoteka nga biografia e tyre.  

Fundi i një pushteti autokratik 

Nga zgjedhjet parlamentare(30 gusht 2020) DPS-i është duke përjetur rënie të vazhdueshme. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një parti politike e cila është konsumuar,  ndërsa aferat korruptive dhe kriminaliteti  kanë ndikuar në rënien e mbeshtetjës te qytetarët. 

Nuk ka dilemë se  pushteti i gjatë tridhjetëvjeçar(1990-2020)  pa ndryshime dhe reforma partiake  ka ndikuar qe kjo parti e ka legjitimuar vetën me pushtetin, përkatësisht shtetin duke u bazuar ne liderin karizmatik, qe ka ndikuar për të  humbur  bazën e legjitimitetit.

Duke marrë parasysh se DPS-i pësoi humbje në zgjedhjet parlamentare me 30 gusht 2020 dhe ato lokale me 23 tetor 2022, humbja në zgjedhjet presidenciale ishte e paralajmeruar por çështja qendronte të përqindja numërike e humbjes. Edhe pse në ruandin e parë presidenti aktual M.Gjukanoviqi fitoi 35.6% ishte sinjal i mjaftueshëm se ai në balotazh do të jetë humbës dhe ate në mënyrë bindëse. Sepse, si në zgjedhjet parlamentare e ato lokale askush nuk dëshiron koalicion me DPS-in, ku edhe kësaj here situata ishte identike. Animoziteti ndaj M.Gjukanoviqit u dëshmu nga të gjitha subjektët politike të shumicës aktuale parlamentare, të cilat kanë mbeshtetur J.Milatoviqin, ndërsa nga ana tjetër M.Gjukanoviqi,  në këtë raund pati  mbeshtetje nga SDP dhe të  disa partive të popujve pakicë qe ishte numër i pamjaftueshëm për të përmbysur rezultatin. Ndonëse nga DPS-i kanë pritur mbeshtetje maksimale  nga popujt pakicë dhe diaspora, një mbeshteje e tillë nuk ishte sipas parashikimeve, dhe pa ndikim në rezultatin përfundimtar. 

Presidenti i ri pa hipoteka 

Fitorja e presidentit të ri bazohet në faktin se ai nuk ka hipoteka nga  e kaluara, duke qenë i ri në moshë, me përgatitje profesionale në qendrat ndërkombëtare, duke qenë personi i duhur në momentin e duhur.Ndërsa  duke marrë parasysh edhe animozitetin  ndaj presidentit aktual te opinioni i gjerë, mbeshtetja masive  nuk ishte befasuese. Por, duhet thënë se pikë të veçanta fitoi ne sajë të  duelit televiziv tre ditë para zgjedhjeve, duke dëshmuar përgatitje profesionale, qasje konstruktive dhe guxim intelektual në prezantimin e çështje aktuale në vend.

Përfundoi epoka e kultit të individit 

Ndonëse në pluralizëm në vendet e ish kampit socialist, kulti i individit është bërë pjesë e pandryshuar e konceptit të qeverisjës, rasti i Malit të Zi ishte i veçantë, sepse këtu kulti i individit qendroi ma gjatë duke përfunduar me 2 prill me zgjedhjen e presidentit të ri. 

Shkaku i humbjes së M.Gjukanoviqit është vet ai, sepse i ka munguar vlerësimi real i situatës në vend sepse ka mbivlerësuar vetën e nënçmuar të tjerët, përkatësisht kundërshtarët politik.Nga ana tjetër ai si duket nuk ka qenë i vetdijshëm se është konsumuar politikisht, sepse ka qenë në pushtet 34 vite. Madje nuk thuhet kot se pushteti të prish, përkatësisht të zhvlerëson në çdo aspekt, sepse nuk ke së çka  ofron, andaj bëhesh monoton për qytetarët.  

Nga raportet e  tilla  ka qenë e udhës qe preisdenti i cili mban edhe pozitën e kryetarit të partisë politike(DPS) të mbeshtesë një kandidatë të ri  nga partia e tij e pse jo edhe nga shoqëria civile, në mënyrë qe të largohet pa humbje.  Por, ne këtë aspekt ai nuk ka treguar ndonjë interesim për të përgatitur ndonjë   bashkëpunëtor si trashëgimtarë  që është dëshmi e tipave autokrat andaj edhe përfundimi nuk mund të ishte ndryshe por disfatist. Në dështimin e tij në këto zgjedhje nuk mund të përjashtohen edhe korupcioni dhe aferat e rënda koruptive në qarqet e ish qeverisjes së DPS-it dhe  të bashkëpunëtorët e tij.

Në fushatën parazgjedhore opinioni i gjerë në Mal të Zi kishte mundësi të degjojë nga  presidenti M.Gjukanoviq se ai është në mbrojtje të shtetit dhe të ardhmës euroatlantike, por një qasje e tillë nuk ka pasur jehonën e duhur të elektorati votues sepse qytetarët janë ngopur me retorikë të tillë e cila me shumë ngjante në demagogji se sa në mesazhe parazgjedhore të votuesit.

Duca karikatura

Dekompozimi i skenës politike

Përfundimisht suksesi i Lëvizjës Evropa tani, duhet trajtuar si një evoluim i vetdijës politike të qytetarëve në Mal të Zi, të cilët nuk kanë pasur mundësi të përballojnë liderin i cili ka qeverisur për 34 vite, andaj lirshëm kanë shprehur qendrimin e tyre, duke votuar për ndryshim, i cili fillon me presidentin e ri të vendit. Nga ana tjetër kjo lëvizje do të ndikojë në dekompozimin e skenës politike në vend, ku do të dëshmohet në zgjedhjet parlamentare të cilat janë parapa të mbahën me 11 qershor. 

Ndonëse kemi të bëjmë me një subjekt politik të ri qe është formuar vitin e kaluar, duke arritur rezultate spektakulare në zgjedhjet lokale me 23 tetor, arriti kulmin ne këto zgjedhje presidenciale, ku pa dilemë  do të jetë surprizë  edhe në zgjedhjet parlamentare me 11 qershor, sepse qasja e tyre për statusin socioekonomik për qytetarët do të jetë motiv i veçantë për mbeshtetje nga elektorati votues.

(Prill 2023)

Filed Under: Analiza

Lef Nosi, monument i vlerave kombëtare

April 15, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Delegat i Elbasanit ( bashke me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mithat Frashëri), nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit.

Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare. Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.

Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre.

Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz .

Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.

Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste.

Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe.

Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915. Pasionin e Nosit për librat e ka përshkruar me hollësi Dora D’Istria në librin “Gli Albanesi in Rumenia”.

Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit sa qe pranohej edhe nga vete komunistet…Ja cfare shkruan Qemal Stafa ne nje leter drejtuar Nosit:

“I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.

Por clirimi i vendit e gjeti Lef Nosin ne nje pozicion shume te veshtire… Pjesemarrja e tij ne Keshillin e Regjences gjate pushtimit gjerman solli jo vetem fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithe vepres se tij patriotike dhe filologjike.

Patriotizmi i tij ishte ne drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohes i afruan anijen e gabuar…por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptaresh.

Me 1 shkurt 1946 ne Tirane u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosin dhe Maliq Bushati.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues qe kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.

Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”.

Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.

Pjesa me e madhe e akuzave ishte e pabesueshme edhe per vete trupin gjykues, por vendimi ishte marre prej kohesh…

Nuk u pushkatuan thjeshte tre kuislinge nga regjimi komunist, por tre figura nga me te rendesishmet e historise dhe kultures shqiptare…

Keshtu perfundoi jeta e Lef Nosit, i kryqëzuar nga tri regjime.Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.

Pas vitit 1990 Lef Nosi eshte nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Eshte shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe ne bulevardin kryesor te Elbasanit eshte ngritur statuja e tij.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Saimir Kadiu

Veprat e shkecëtarit shqiptar nga Drenica janë përzgjedhur edhe nga universitetet Harvard, Yale dhe Stanford

April 15, 2023 by s p

Shkenca e Lidershipit modern është e lidhur ngushtë më emrin e Prof. Dr. Fadil Çitaku nga Drenica dhe bashkëpuntorëve të tij. Këto vepra shkencore janë literatur e prëzgjedhur në universitetet më perstigjose në botë: Harvard, Yale dhe Stanford.

Disapora Shqiptare po na bënë të krenohemi si komb. Shumë shkencëtare dhe shkencëtar Shqiptar tani i gjënë në institutet më perstgjoze shkencore të botës. Njëri nga ata është edhe Prof. Dr. Fadil Çitaku, i lindur në Drencë, i cili jetonë në Zvicër.

Prof. Dr. Fadil Çitaku është profesor i Lidershipit dhe i Inteligjencës Emocionale në Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS www.alss-edu.ch) Ai është themelues dhe CEO i ALSS, themelues dhe drejtor i programit Doktoratë në Pedagogjinë e Mjekësisë (DME) dhe profesor i programit të Doktoratës, PhD në Pedagogjinë e Mjekësisë.

Ai ligjeronë në arsimin e lartë të Zvicrës që 23 vite dhe ka inicuar dhe implementuar shumë kurrikula dhe projekte të arsimit të lartë në Zvicër dhe jashtë saj. Ai është supervisor për Trajnim Didaktik në Universitetin shtetëror prestigjioz ETH (Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë në Cyrih) të Zvicëres dhe bashkë-themeluës i Qendrës së Ekselencës për Lidership, Inovacion dhe Cilësi në Universitetin RAK, RAKCODS, pranë Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ALSS, në Cyrih, Zvicër.

Prof. Çitaku këshillon dhe trajnon lidere dhe lidër të kalibrit të lartë dhe institute në tër botën dhe ka mbajtë fjalime, si folës kyç në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare me reputacion të lartë.

Ai është zbulues i Modelit të Kompetencave të Lidershipit Çitaku, në të cilin ka investiguar ekspert të lidershipit nga USA, CA, UK, A, D dhe CH, duke publikuar për herë të parë në botë një Model Empirik të Kompetencave të Lidershipit për Mjekësi dhe Profesionet Shëndetësore, i cili është botuar në revisten shkencore prestigjioze British Medical Journal (BMJ) https://bmjopen.bmj.com/content/2/2/e000812. Hulumtimet shkencore dhe mësimdhënja e Prof. Çitakut përqëndrohen në Lidership, Inteligjencen Emocionale, Menaxhimi i Cilësisë, Teoria Organizatave, si dhe Menaxhimi i Projekteve.

Prof. Çitaku është zbulues i Modelit të Kompetencave të Lidershipit DRENICA, publikuar në 2020 në Kanada https://ijol.cikd.ca/article_60503.html dhe ka botuar tri libra:

1. Kompetent reagieren in Notfallsituationen: https://www.amazon.com/-/de/dp/3838680359/ref=sr.

2. LEADERSHIP COMPETENCIES IN MEDICINE AND HEALTHCARE: Scientific based development of 63 leadership competencies, which can be learned and applied: https://www.amazon.com/dp/B0B6XKV94P.

3. NEUROLIDERSHIPI, INTELIGJENCA EMOCIONALE DHE POTENCIALI INTELEKTUAL I DIASPORËS SHQIPTARE: https://www.amazon.com/-/de/dp/B0B4QVWSG3.

Veprat shkencore të Prof. Çitakut dhe bashkëpuntorëve të tij janë literatur e përzgjedhur në universitetet më persitgjoze të botës siq janë Harvard, Yale dhe Stanford. Për tu njohur me veprat shkencore të Prof. Çitakut dhe bashkëpuntorëve të tij klikoni më poshtë duke u lidhur direkt me bibliotekat përkatëse të universiteteve Harvard, Yale dhe Stanford.

https://lnkd.in/eiSab_-n
https://lnkd.in/ecJ9VjbT
https://lnkd.in/egaayQY2

Filed Under: Mergata

Nga Durrësi dhe Elbasani me Iglin dhe Luçianon po dërgohet një ogur i madh

April 15, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Lexova jo pa kureshtje mesazhin hapës të kryeministrit për fushatën zgjedhore të 14 Majit. Tashmë aftësia prej tellalli e propagandës së tij ka marrë dhenë, por gjithësesi doja t’ia verifikoja edhe kësaj rradhe ligjëratën. Dhe verifikimi më doli po aq zhgënjyes sa dhe qesharak, por mbi të gjitha i dhimbshëm nëse kemi parasysh realitetin në të cilin ndodhet çdo shqiptar. Që në një vështrim të përgjithshëm sheh që kemi të bëjmë vetëm me një tellall gënjeshtar, të shthurrur deri në halucinacion në çdo gënjeshtër që qet, por më tepër pa kurrfarë mëshire për gjithë këtë lloj tellallëzimi që guxon të bëjë në sy të gjithë shqiptarëve. Ja dëgjojeni pak se ç’broçkullit goja e tij: Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kurdo që zgjedhësit na besojnë, ne bëjmë atë çka tjetër as nuk dinë ta bëjnë, as nuk munden dhe as nuk e kanë bërë ndonjëherë, qoftë edhe në një bashki të vetme.

Inteligjenca e çdo njeriu fyhet sa herë dëgjon fraza ekstreme të mburrjes dhe lavdërimit të pabazë dhe vulgar të tipit “ as nuk dinë, as nuk bëjnë, as nuk munden”, dhe që merr një dozë donkishoteske të parodisë dhe karikaturës kur shtohet me frazën “asnjëherë dhe në asnji bashki”. Nuk ka shëmbull më të shpifur dhe bindës në budallallëkun e të ndjerit superior si bullizues publik, si hedonisti cinik i ligjërimit më pervers të megallomanisë dhe fodullëkut.

Do të mund të bënim një listë shumë të gjatë bashkish në vite që janë zhbërë totalisht nga administrimi socialist, por le të marrim dy shembujt më të këqinj të kësaj qeverisje, dhe për më tepër shembuj të një degradimi shumëvjeçar dhe të përlavduar dhe mbajtur në mbrojtje personale, nga vetë tellalli i demagogjisë: pinoku ynë kryeministër. Flas për Durrësin e të famshmit hajdut votash Dako që vazhdon të qeveriset nga matrioshkat e tij dhe për legjendat e ligjeve me krimin në Elbasanin e Normales me gjithë imitimet e tyre më të këqija që u krijuan.

“Bilanci ynë është pozitiv me kontratat zgjedhore”, pohon zoti Rama me paturpësinë më të madhe, kur në fakt le të shohim se çfarë konstatohet nga sondazhi i zgjedhësve për gjendjen e qytetit: Të gjithë biem dakord se pasuritë natyrore më keq se në Durrës nuk janë menaxhuar gjëkundi në Shqipëri, duke cenuar edhe identitetin kulturor.Të gjithë biem dakord që për betonin e Dakos betonizuam qytetin, zumë detin me ndërtime, cenuam vijën bregdetare. Nëse do të gjenin disa fjalë për të përshkruar bashkinë e këtyre viteve, ato janë arrogancë, mungesë transparence dhe larg qytetarit, një bashki si agjenci shërbimesh e qeverisë, madje të duket sikur ka drejtoreshë qeverie dhe kryetare bashkie. Ja kjo është përballja tragjike e tellallit te propagandës Rama me gjëndjen e tmershme në të cilën gjendet Durrësi ynë dhe që kandidati i cmuar i opozitës, i dalë për herë të parë në demokracinë shqiptare nga beteja e primareve, zoti Igli Cara, ka marrë përsipër me vizion dhe kurajo, ide dhe integritet, ta shndërrojë plotësisht. Durrësi ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm. në vitet e socialistëve u nëpërkemb demokracia, u kriminalizua ekonomia, u shpërfill puna, dija e zotësia u ble e shatnazhua vota e u vendos regjimi. U instalua nje Bashki me arrogancë, mungesë transparence në vendimmarrje e larg qytetareve, si agjenci shërbimesh e qeverisë. Sikur ka drejtoreshë qeverie e jo kryetare bashkie. Për të gjitha këto pasoja negative ka një përgjigje, dhe kjo vjen pikërisht nga ky kandidat kur në programin e shpallur prej tij ai thotë: “Ne së bashku do të bëjmë gjithçka për ta kthyer bashkinë në një institucion real të qytetit dhe të qytetarëve, përmes programeve afatshkurtra dhe afatmesme. Prioritet i rëndësishëm do të jetë përfundimi i procesit të rindërtimit brenda vitit 2024. Ky është premtim”! Për të gjitha këto të këqija që e kanë lënë Durrësin në rrënim, falë një babëzie që shkon deri aty sa të falen taksat e qytetarëve të vet, rreth 11% të investimeve, plot 231 milionë euro që duhet të jenë të qytetarëve por që u falën dhe sollën për pasojë që edhe porti i ri të bëhet me lekët tona, tani ka një përgjigje. Është fakt se që prej 2016 Durrësi ështe pa plan rregullues dhe strategjia fituese e Igli Carës përmban një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo planifikon një integrim të zonave të reja urbane dhe mbulimin e tyre me shërbim, transport publik dhe infrastrukturë, për të përmbushur kështu vizionin e tij të madh për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, zhvillim të qendrueshëm ekonomik të Durrësit dhe rikthimin e tij në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend.

Pas Durrësit, edhe një tjetër qytet është simboli më i mirë që përgënjeshtron gënjeshtën dhe demagogjinë pinokiane të mesazhit hapës të kryeministrit, të demaskuar pas shprehjes “Bilanci ynë është pozitiv me kontratat zgjedhore”. Po ja se cfarë shpreh një kandidat tjetër i çmuar i aradhës demokrate, ligjërues,intelektual dhe luftëtar i paepur i viteve të tëra të demokracisë shqiptare, zoti Luçiano Boçi,

Një emër i tillë është shumë i njohur edhe në zgjedhjet parlamentare, pasi ai ishte deputeti më i votuar në këtë qark dhe arriti të thyejë listën e kandidatëve në Elbasan, teksa renditej i shtati fillimisht, por në fund u fut në listën fituese të gjashtë vendeve që PD fitoi. E kjo falë cilësorëve të tij: një nga njerëzit më me reputacion në zonë, me influencë, një njeri që ka mendimin e tij të pavarur dhe pozicionimi i tij ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarit, në shërbim të votuesit.

Por në vazhdën e traditës së re dhe nga më të mëdhatë të demokracisë shqiptare, atë të primarieve, ka qenë po ky personalitet që me vlerat dhe dinjitetin e tij ka hedhur bazat edhe të një uniteti të qëndrueshëm, real e të shëndetshëm mes rradhëve të popullit opozitar. Në vizionin e tij përballjet konceptohen si gara simpatie dhe dakordësie, ndaj risia që ai ka arritur të sjellë në këtë fushatë është edhe dakordësimi që ai ka artikuluar për grupimin tjetër demorat në këtë zonë, të faktuar me vetë pohimin e tij: “Nuk është deklaratë formale, kontaktet tona kanë qenë dhe janë të vazhdueshme e kontaktet e mia personale do jenë të vazhdueshme për të realizuar atë fuzionim të gjitha forcave tona që i kemi pasur dikur, i kemi e do i shtojmë që të arrijmë objektivin e fitores”. Janë të gjitha këto lloj aftësi cilësore që prezantohen në vetë personalitetin e tij, të mbrujtura në një perspektivbë të re që po lind janë kthyer në një lumë energjish pozitive të shprehura në mesazhin e prezantimit të tij: “Le të angazhohemi bashkë me qytetarët që t’i kthejmë qytetit harmoninë e dikurshme, shkëlqimin dhe ngjyrat reale të jetës së përditshme. E dimë që beteja nuk është e lehtë, është betejë me pushtetin, korrupsionin, paratë e pista, Edi Ramën…por ne do t’ia dalim!”

Këtë besim dhe forcë në kauzën e madhe të rrëzimit të gjithë këtyre pushteteve si korrupsioni dhe paraja e pistë, me të cilën mbahet qeverisja e Ramës, do të doja ta shpërndaja si një ogur të mbarë për të gjithë demokratët anembanë Shqipërisë. Bëhuni të fortë, qëndrestarë për fëmijët tuaj dhe për të ardhmen e këtij vendi. Gjithçka do të jetë me ju deri në fitoren e madhe.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndricim Kulla

“TË GJITHË TANËT” (SVI NAŠI) – DISA MENDIME RRETH ANTOLOGJISË SË PROZËS SË SHKURTËR TË SHKRIMTARËVE SHQIPTARË NË MAL TË ZI

April 15, 2023 by s p

Nga Gëzim Puka/

“Nashke” një fjalë që e dëgjoj që fëmijë, për një entitet që flet një gjuhë tjetër dhe që rron në qytetin tonë prej shekujsh. Shoh titullin e kësaj antologjie dygjuhëshe dhe e rigjej kuptimin e kësaj fjale rrënjë “naši” – “tanët”, që prodhohet përtej kufirit tonë verior, në Mal të Zi. Fjala shqipe letrare është ruajtur mirë artistikisht ndër autorët me qasje realiste e moderniste, që vijojnë të shkruajnë po aq mirë shqipen tonë të bukur. Përmes kësaj antologjie prezantohet vlerat estetike të prozës shqipe të disa autorëve kryesorë bashkëkohorë. Peshën e këtij libri e shton edhe përkthimi në “nashke”, domethënë në gjuhën e Malit të Zi, në gjuhën e fqinjëve tanë të moçëm.

Një ngjarje e tillë e ngjashme pati ndodhur disa vjet më parë me antologjinë “Dy gjuhë – një libër”, që u mbështet dhe u promovua edhe nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke përcjellë respektivisht në dy gjuhë autorë të spikatur shqiptarë të Veriut dhe autorë malazezë. Kjo tregon se arti i fjalës, para së gjithash, ka epërsinë të shembë barriera ideologjike dhe politike, si dhe është mjeti estetiko-etik më qytetërues.

Mbase e kemi theksuar edhe herë të tjera, por e gjej me vend të përsëris se letërsia shqipe në Mal të Zi e ka krijuar një profil të sajin, që ruan ngjyrat lokale, pa u ndikuar shumë nga letërsia që bëhet në Tiranë apo në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe ky produkt, kjo antologji që marrim sot në dorë, “Të gjithë tanët” (Svi naši) – Antologji e prozës së shkurtër e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi, botuar nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi në vitin 2022 në Podgoricë.

Proza e shkurtër gjithmonë tërheq lexuesin, së pari, se përmban një rrëfim dhe një mendim më të përqendruar. Ajo përpunon një figuracion të ngjashëm me poezinë. Kjo mbase është edhe mendjeshkrepja e zgjuar e hartuesve të kësaj antologjie, që ta mbërthejë lexuesin që kundron mes rreshtash esencialë, krijimtarinë e disa zërave shkrimtarësh, shumë të njohur, por edhe më pak të njohur, në atë anë të kufirit.

Veçova disa nga emrat e këtij libri, si: Mehmet Kraja, Zuvdija Hodžić, Hajro Ulqinaku, Anton Gojçaj, Jaho Kollari, që vijnë përmes këtij libri me gjithë shumëkuptimësinë e mundshme, që ofron krijimtaria e tyre. Konceptimi i çdo paraqitjeje të autorëve përmes një pasazhi biografik dhe veprimtarie letrare, ia shton vlerën kësaj përmbledhjeje me proza, por në anën tjetër, veçimi dhe dallimi pikërisht i atyre titujve, rigjallëron një lloj të ri kuptimi për tekstet e përzgjedhura, që mbase lexuesit, edhe atij më të vëmendshëm, mund t’i kenë shpëtuar.

Zuvdija Hodžić është ndër emrat më të njohur të shkrimtarëve të Malit të Zi. Ky autor më pati tërhequr vëmendjen me romanin e tij “Të gjithë njerëzit e mi”, që i është përcjellë lexuesit shqiptar disa vjet më parë. Tekstet e Hodžić në këtë antologji janë sjellë në shqip prej përkthyesit Dimitrov Popoviq, i cili është ndër kontribuesit kryesorë të këtij libri, së bashku me Qazim Mujën.

“Rrasa” është një tregim që për nga stili ka diçka prej përralle, qoftë në aspektin rrëfimtar, kryesisht me fjali të thjeshta që tregojnë veprime, por edhe përsa i përket ngjarjes semiotikisht të dhënë me disa programe kallëzimore, që sillen rreth një objektit me vlerë, që është thesari i fshehur poshtë një rrase në mes të qytetit.

Citoj:“Rrasa ndodhej në mes të çarshisë së Gucisë,e lëmuet si ndonjë gur i gdhendur,e madhe rreth tri metra, në formë vezake të çrregullt. Aty ishte nga kohë të moçme, kur nuk kishte pasur as shtëpi, as çarshi, por kishte qenë pyll i madh. Përfundi saj ndodhej thesari (i padukshëm dhe i fshehur si çdo gjë me vlerë) florinjtë e verdhë si dylli, që do t’i takonin vetëm atij që është shkruar.”

“Rrasa” edhe simbolikisht është një nivel i pathyeshëm rrëfim shumështresor. Sa më shumë ngjarje që e rrethojnë rrasën, aq më shumë mësime merren prej saj. Përmes analepsash vijnë aktantë-subjekte, që kërkojnë të bashkohen më një objekt me vlerë, që është ari, pasuria e beftë, e cila e lumturon njeriun, nëse e gjen. Tregimi fillon me një ëndërr, për thesarin e gjetur poshtë rrasës. Përvijohen fundet tragjike të personazheve që kërkuan ta shtien në dorë këtë thesar, por mbaron me një përgjumje të lumtur shprësëlënëse prej përrallash.

“I kënaqur, ishte rrotulluar në krahun tjetër dhe ishte zhytur në gjumë, fëmijëror, si dikur, të qetë e të rehatshëm, në gjumin e këndshëm të njeriut që kishte gjetur çëlësin e humbur dhe që e dinte se mund të jesh i pasur dhe i lumtur.”

Strategjia e mistershme e përrallës ironikisht nuk është përdorur për të zgjuar thjesht fantazinë e lexuesit, por është një rikujtim arketipor, i vjetër sa njerëzimi, që ia ndërmend edhe lexuesit të bashkëkohësisë, se në këtë botë jemi dënuar fatalisht për ta kërkuar lumturinë vetëm tek puna e mundimshme, e përditshme dhe e dobishme.

Tek copëza “Dikush thërret” Hodžić zbret nga rrëfimi i jashtëm drejt brendësisë së një dhembjeje katastrofike, që buron nga zemra e një nëne të mjerë për humbjen e fëmijëve të saj. Përsëri jemi në regjistrin gjuhësor dhe tonet e një rrëfimi baladesk, tipik ballkanas, ku fatkeqësitë ndjekin njëra-tjetrën. Me ndërtime sintaksore ku mbizotërojnë fjalitë e thjeshta ose me pak pjesë, autori arrin të shpojë brenda imagjinares së një lexuesi, që e ka ndeshur edhe më parë tragjedicitetin e jetës ndër heronjtë mitikë e kreshnikë, por kësaj here rrëfimi ka zbritur ndër personazhe që përfaqësojnë shtresat dhe shkallët më të ulëta të shoqërisë. Ja si përshkruhet fati i njërit prej fëmijëve të kësaj nëne të mjerë:

“Plasi bomba e shkretë sa e gjithë Gucia u tund. Kadriun ma goditi poshtë sisës, e ndau dhe e dogji. Copat e trupit i vareshin të gjitha. As duart në të, aq sa hoxha nuk mundi të ma lajë. Kur nuk luajta mendsh atëherë, s’kam për të luajtur kurrë”.

Universaliteti i dhembjes njerëzore kërkon vërtet dorën e një shkrimtari si Hodžić, për të të kaluar përmes pragut të një vajtimi prej Ajkune, brenda një zemre nëne “magjype”.

“Mbreti” i Mehmet Krajës është një tjetër tekst që është veçuar me mjaft kujdes nga krijimtaria e këtij autori, që vazhdimisht i ka dhënë prodhim të spikatur sistemit tonë letrar qoftë në prozë, qoftë në dramë. Përmes një forme rudimentale dialogu, vjen për lexuesin një prozë e gjallë simbolike. Është një dialog që zhvillohet midis një personazhi njeri të paemër, të pacak dhe të pakohë, me Mbretin apo figurën e sundimtarit. Kjo është një prozë e shkurtër e ndërtuar me tri paragrafe. E para është replika përshkruese infernale e një peizazhi dantesk luftrash dhe viktimash të llahtarshme. Paragrafi i dytë është përshkrimi i vendit dhe dy personazheve të tjera që ndjekin replikën e njeriut, Mbreti dhe qeni i tij. Ndërsa paragrafi i tretë është vetëm replika e shkurtër e Mbretit, si shprehje e indiferencës së përhershme të sundimtarëve për historitë e të sunduarve. Është kjo “trini” kompozicionale, që shpreh asgjënë që ndodh, kur mjerimi veç rrëfehet përballë qenieve të qenëzuara dhe pushtetit që e konsideron veten të pamposhtur.

Ndërsa tregimi tjetër përfaqësues i Mehmet Krajës në këtë antologji, është “Historia e një andrre të hershme”, ku më një gegërishte të ëmbël veriperëndimore, vjen historia e disa njerëzve të thjeshtë, që jetojnë në kufij të shteteve dhe në kufij të kohëve të luftërave. Ka diçka prej kronike si tek “Kronikë në gur” e Kadaresë, por edhe diçka prej proze ekzistenciale, si ajo e Albert Kamysë. Janë histori ciklike, që përsëriten nga brezi në brez, por të rrëfyera prej një zëri fëminor.

Citojmë: “Siç kam thanë edhe nji herë, baba diq në fruer të atij dimni, qi i bjen dy muej ma vonë mbasi kish ba me shkue në Shkodër për me marrë vesh se shka po bahej me ne. Ai nuk lëngoi giatë si gjyshi dhe vdekjen, e cila dukej sikur rrinte në hatllat e akshihanes, e mbërrijti ma shpejt, ndoshta për shkak se msheftësitë e saj tashma ishin mësue prej njerëzve të shtëpisë sonë.”

Përballë këtij absurdi, narratori i parritur mirë bluan tema të mëdha ekzistenciale, përmes një gjuhe natyraliste ekspresive, sidomos përsa i takon aspektit përshkrues. Mungojnë mbase qëllimisht sekuencat dialogjike, gjë që nuk ia zbeh aspak vlerën kësaj kronike dramatike, që mbart absurditetin e një jete pa qëllime.

Tregimi mbyllet: “U futa në shtëpi nëpër derë të çelun e në akshihanen mbushun errësim gjeta nji dyshek shtrumun anës votrës. Nji dishir i motshëm më shtyni me u shtri atje e me shikue ngeshëm hatllat atje sipër, veshun mugëtirë të blertë e hijesh të vjetra gjithandej”.

Kur ndërmend se krijimtaria e Hajro Ulqinakut, i drejtohet një lexuesi fëminor, nuk mund të mos vëresh se këto dy rrëfenja të këtij libri, nuk përjashtojnë edhe modelin e lexuesit të rritur të anëve tona, që mbase edhe për shkak të origjinës kanë një lidhje qenësore emocionale me ato treva, me detin dhe me simbolikën e tij. Akti i të lexuarit është i lidhur pazgjidhshmërisht me të përjetuarit. Është kjo arsyeja që tek tregimet e Hajro Ulqinakut, zgjohen emocione të gjithanshme, që shumë prej poezive të mira i përçojnë. Lexon prozën poetike “Çka flasin pulëbardhat” dhe nuk ka sesi mos të të kujtohet “Albatrosi” i Bodlerit.

“Afrohet mbrëmja mbi det. Në mol – plot kureshtarë: fëmijë e të mëdhenj. Është koha të kthehen anijet e peshkatarëve në liman. Dhe qe, atje tek Ishujt e Koraleve, dallohen peshkatoret. Pas tërheqin rrjetat dhe tufat e pulëbardhave…”

Shoqërizimi i botës fëminore me pulëbardhat dhe detin, shenjojnë një prozë që më shumës sesa me simbolin, përpiqet të të krijojë imazhe dhe të të kthjejë në kohë. Enumeracione dhe shkallëzime të tipit: “…fishkëllojnë, krikëllojnë, flasin” ndërtojnë tek lexuesi kuptimin e pakohë dhe të paanë, që e krijon arti i bukur i fjalës.

Tema në dukje e thjeshtë tek tregimi “Çfarë gjonje”, ku paraqiten veç dy personazhe peshkatarë, babë e bir. Djali i ri ka atë ditë shumë fat në gjuetinë e peshkut. Natyrshëm të kontrastohet mendimi me kryeveprën e Heminguejt “Plaku dhe deti”, historia e peshkatarit të pafat, duket se të vjen si paratekst përmes një rrëfimi me një stil prej realizmi magjik. Edhe në këtë rast është përfshirë lexuesi i rritur dhe i kultivuar me letërsi të mirë.

“Dielli tash ishte ngritur në qiell, mbi Ishullin e Pulëbardhave dhe digjte. Në syprinën e valëzuar të detit notonin pulëbardhat. Dy peshkatarët me kënaqësi shikonin peshqit në sandall.

-Çfarë gjonje!- shqiptoi peshkatari i ri.

-Çfarë fati!- e plotësoi garga.”

Por teksti i Hajro Ulqinakut nuk ka vetëm përjetime deti, aty gjen edhe të folmen e këndshme të Ulqinit, që tingëllon aq bukur në gojën e personazheve.

Në anën tjetër me një penë gjithnjë e më të stërvitur, vijnë dy tregime, ndër më filozofiket e këtij volumi, prej Anton Gojçajt. Tema e lirisë, e dashurisë dhe e komunikimit njerëzor mishërohet përmes një historie me personazhe alegoriko-simbolike, siç janë: një papagall (Alefi) dhe një zog tjetër (Omega). Nga vetë emrat e personazheve të formatit Borges, dëshmohet vlera e thelluar e leximeve të shkrimtarit. Përmes një ngjarjeje në dukje minimaliste, brenda këtij teksti rrëfehet vetë historia e njeriut dhe raporti i tij me lirinë. Tek këto dy figura kryqëzohet edhe keqkuptimi i alegorisë me simbolin. Sipas Umberto Ekos alegoria e kthen dukurinë në koncept dhe konceptin në figurë, ndërsa simboli e kthen dukurinë në ide dhe idenë në figurë. Në lexim tim papagalli Alef është alegori e vetmisë së njeriut modern, ndërsa Zogu është simbol i lirisë së keqpërdorur.

Citoj nga replika e Omegës në dialogun me Alefin: “Liria e ka çmimin e vet, shpesh më të shtrenjtë se jeta e një zogu…”

Alefi borgesian është pika mitike e universit, ku të gjitha veprimet, të gjitha kohërat zënë të njëjtën pikë, pa mbivendosje. Alefi dhe Omega janë përkatësisht germa e parë dhe e fundit me të cilat është shkruar libri i Zotit. Fabula “botëkrijuese” e Gojçajt i vendos këto personazhe në një apartament ku papagalli Alef, i cili jeton në kafaz, dashurohet me zogun Omega, që jeton i lirë. Është një dashuri alegorike platonike, e cila mbulon përmes kësaj gjetjeje lidhjen ndërtektësore të këtij autori me elementet biblike e më shumë. Në tregim kemi ironikisht të shprehur një lidhje të pamundur, pasi papagalli Alef jeton si i burgosur, ndërsa zogu Omega shijon lirinë e pakufishme. Pikëtakimi i fillimit dhe i fundit, i Alefit me Omegën, është tragjik, është vdekje. E megjithatë gjithë ky shtresëzim filozofik lidhet me dashurinë për jetën. Për çiftin e ri që jeton në apartamentin ku luhet kjo tragjedi zogjsh, kjo vdekje është thjesht një moment frikësimi.

Citoj: ““O zot, ç’po bëhet kështu?”- ofshani thellë e zonja e shtëpisë.

“Ç’ka të bëj me zogjtë e vdekur, o Zot?”

Gruaja e mori zogun dhe e futi po në atë kontenjer ku e pat hedhur veç ca minuta më parë Alefin.”

Përmes një përfundimi thuajse kafkian, që ka diçka prej “Metamorfoze” , mbyllet ky tregim që e bllokon lexuesin ndër mendime.

Tregimi tjetër “Shkrimtari i ri dhe qielli” trajton përhumbjen e njeriut të letrave në një botë gjithnjë e më sipërfaqësore. Është një rrëfim prej një pozicioni ironik prej “narratori të gjithëdijshëm”, i cili fokusohet qëllimshëm veç në veprimet e jashtme, pa dashur të zbresë në problemet dhe shqetësimet psikologjike të shpirtit krijues.

Jaho Kollarin e kam njohur si “Poeti i mijëvjeçarit të tretë”, një vëllim poetik që më pati nxitur për të bërë një shkrim, por edhe më vonë përmes një vëllimi tjetër me tregime. Autori, që prej vitesh është kurbetli, nuk e mënjanon temën e vendlidjes, të mërgimit, të detarisë, të cilat nuk i mungojnë me lidhjet e tyre kuptimore edhe kësaj përmbledhjeje. Vokacioni i tij për letërsi është i hershëm, por edhe i përditësuar vazhdimisht me krijimtari stilistikisht të përpunuar mirë, sipas poetikës së një realizmi magjik. Një krijues mjaft shprehës i lidhjeve me kode zakonore që kanë të bëjnë me burrërinë, trimërinë, virtytin, siç është rasti i tregimeve “Hafija”, ku përmes një ironie të hollë jepet fati i një kapadaiu stereotip ballkanas, aq i ndeshur në mendësinë e lexuesit tonë. Tek “Brahushi ‘kalasë” rrëfehet në të folmen e Ulqinit dashuria e pafat dhe dëshpërimi i një detari. Edhe tek ky tregim i Kollarit kemi një njeri të atrofizuar në shumë pikëpamje, me një ankth të vazhdueshëm, i përjashtuar dhe i padobishëm. Kjo prozë e shkurtër zhveshet nga ornamentet stilistikore dhe zbukurimore. Brahushi i kalasë është simbol i njeriut të tradhtuar dhe të lënë mënjanë nga prakticiteti dhe interesi i përditshërisë. Autori vijon t’u japë vend dhe zë këtyre aktantëve të përjashtuar nga shoqëria, të cilët janë “të tjetërsuar” dhe “të çoroditur” nga interesa jo materialiste.

Për të përfunduar mendimin që e nisëm në hyrje të këtij shkrimi, mund të themi se kjo antologji e titulluar “Të gjithë tanët” (Svi naši), e mbushur me krijimtari domethënëse autorësh të veçantë të botës shqiptare dhe e përkthyer brenda një areali dygjuhësh nga: Dimitrov Popović, Qazim Muja, Nikolla Berisha, Suzana Mujić, duket se përpunon mjaft mirë shijen letrare të lexuesve.

Shkrimtarët e përfshirë në këtë antologji tingëllojnë mjaft mirë si në tonën gjuhë shqipe, ashtu edhe në nashken e Malit të Zi, duke ngritur kështu plot ura estetike, që janë paraprirëse të paqes dhe komunikimit shpirtëror mes popujve.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • We are proud to announce the election of the MAASBESA Board of Directors for the 2026-2028 term
  • Letër e Lumo Skëndos viti 1908 drejtuar Jani Vretos dhe botuar te gazeta “Rrufeja” (1909)
  • KUFIRI SHENDETIT DHE SËMUNDJES
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT