Visar Zhiti/
50 vjet kishë katolike shqiptare në Miçigan, SHBA, “Our Lady of Albanians” dhe me rastin e kësaj feste u mbajt një simpozium shkencor në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” me të ftuar të shumtë, jo vetëm shqiptarë nga Amerika, por dhe nga Shqipëria e Kosova e Mali i Zi, etj, Kuvendin e çeli “gojë-ëmbli” famullitari i kësaj famullie Dom Ndue Gjergji duke u uruar mirëseardhjen të gjithëve.
Mes “të Ftuarve të Nderit” si arqipeshkëvi Frrok Gjonlleshaj, ipeshkëvi Dom Dodë Gjergji, Dom Lush Gjergji, Dom Alfred Kalaj isha dhe unë, së bashku me Leka Briskun, i pari xhakon shqiptar në shtetin e Illinois-it. Mes të tjerash unë thashë se ky gjysmë shekulli histori e kishës tonë “Pajtorja e shqiptarëve” në Detroit, përmbledh dhe kalvarin e kishës shqiptare, martirizimin e saj deri në mrekullinë e kësaj dite feste sot. Kumtesa të shumta nga studiues e pedagogë universitarë, veprimtarë, etj, si Dr. Gjek Gjelaj, Patër Pashk Gojçaj, Zef Përgegaj, Valentin Lumaj, Fran Shkreli, Merita Bajraktari dhe Dr. Lisandri Kola, etj, shpalosën rolin e rëndësishëm përbashkues të kësaj kishe, meshat në gjuhën shqipe, shkolla shqipe pranë saj, festivalet dhe grupet folklorike që organizon, etj, dhe portretizuan si ikona të gjalla themeluesin e kishës “Pajtorja e Shqiptarëve” Dom Prenk Ndrevashaj, madje dhe poet, vlerat e poezisë të të cilit pritet dhe meritojnë të dalin në pah nga kritika letrare, – theksoi shkrimtari Lisandri Kola, – dhe të gjitha folën për virtytet dhe shërbesat e dishepullit të tij të denjë, Dom Ndue Gjergjit nga Kosova, i përkushtuar dhe zemërmadh, i buzëqeshur si vëlla i Shenjtes Nënë Tereza.
Veprimtarinë në ndoqën gazetarë dhe televione lokale, ai publik nga Shqipëria si dhe “Zëri i Amerikës”.
Në mbarim të ditës së parë të kësaj feste për të gjithë, të 50 vjetorit të kishës “Pajtorja e shqiptarëve” në Miçigan, meshtari i saj Dom Ndue Gjergji i ftoi buzagas të pranishmit që të vinin dhe në 100 vjetor…