• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI I JETËS SI DËSHMI E LUFTËS PËR TË MBETUR NJERI

February 13, 2015 by dgreca

LIBËR NGA SIRTARI- Bardhyl Londo: Jeta që na dhanë, botimet Toena/
Nga Mikel GOJANI/
Shkrimtari Bardhyl Londo në letërsinë shqipe vjen me librin e titulluar, “Jeta që na dhanë”,që është një libër – roman, në llojin e librave të fushës së memorialistikës, ku shkrimtari Londo protagonistët i ka realë (kryeprotagonist të librit ka vetveten), por edhe shumë të tjera, po ashtu edhe për protagonistët tjerë i ka realë, po ashtu edhe ngjarjet që i trajton janë të vërteta dhe reale.
Fjala si mjet i komunikimit dhe arkivimit të historisë njerëzore, ose vlerat e komunikimit artistik
Shkrimtari e poeti Bardhyl Londo e ka quajtur librin e tij me kujtime nga ajo kohë “Jeta që na dhanë”. Përmes librit të tij, ai na tregon se si trajtoheshin poetët nën diktaturë, edhe ata më të mëdhenjtë, si Lasgush Poradecie shumë të tjerë. Në listën e gjithë dënimeve, sipas Londos, ishte edhe ai me vetmi, me harresë. Dhe ky dënim i ishte caktuar edhe Poradecit, poetit që nuk pranoi të ndiqte rregullat e realizimit socialist, që jetonte mes të gjallëve e të vdekurve. Si e trajtonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve poetin e madh, sulmet e vazhdueshme dhe përvjetorët hipokrite. Por ç’ndodhte ndërkohë në redaksinë e gazetës “Drita”, ndaj së cilës nuk mungonin sulmet e drejtpërdrejta e të tërthorta nga Ramiz Alia. Cila ishte marrëdhënia e ish-kryeredaktorit të gazetës më të lexuar në vend me Ramiz Alinë dhe pozicioni i Dritëro Agollit. Të gjitha këto në një fragment shkëputur nga libri “Jeta që na dhanë”.
Shkrimtari Londo përmes këtij libri ka pretenduar që përmes fjalës, si “mjet i komunikimi dhe si mjet i arkivimit të historisë njerëzore”, të shkruajë dëshmitë e tij për kohën të cilën e ka jetuar, duke mos pretenduar që ta shkruaj hisotrinë po vetë jetën e tij. Shkrimtari Londo dëshmon vetëm “në emër të fjalës dhe vetëm të fjalës”, dëshmitë të tij bazohen në të vërtetën reale. Janë disa kapituj të jetës, rrëfimi i tij për jetën studentore në Tiranë, jeta e tij si mësues në Përmet, përkatësisht izolimi i tij në fshatin kufitar Zhepë, fshat që ndan kufiri Shqipëri – Greqi; kthimi i tij në Tiranë, pastaj puna dhe angazhimi i tij në si gazetar në gazetën për art, letërsi dhe kulturë, gazetën Drita, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, jeta e intelektualit, përkatësisht shkrimtarit në ato kohë të sulmeve dhe persekutimeve nga ideologjia ekstreme komuniste, ku shkrimtari ishte vlera më e atakuar dhe gjithherë në orbitën e policisë letrare e të kulturës të kohës.;përpjekjet e kësaj kategorie intelektuale, letrare, e kulturure për të ecur nëpër tehun e mprehtë të thikës që kishte sajuar ideologjia, persekutimi dhe ndëshkimi i emrave të shumtë të letërsisë dhe kulturës shqiptare; në një shoqëri totalitare të kohës censura bënte jetën e censurimit të gjithë Shqipërisë. Duke folur për këto realitete që në atë kohë kishin pllakosur individin dhe intelektualin përgjithësisht, shkrimtari dhe poeti Londo nuk anashkalon as vetveten si pjesë e këtij realiteti dhe kurtheve që sajonte ai regjim ndaj tij.
Proza si ndjekëse e modelet e rrëfimit realist
Libri “Jeta që na dhanë”, i prozatorit të shquar B. Londo, ndjek modelet e rrëfimit realist, bashkë me mënyrën e tij krejt origjinale në qasjen e tematikës që ka hedhur në dritë. Motivet që kanë ngjizur këtë prozë të tij e kanë shtysën e vëzhgimit të hollë e të vazhdueshëm të evoluimit apo transformimit të realitetit që kishte kapërthyer botën shqiptare gjatë kohës kur shkrimtari e ngreh si shqyrtim. Figurat vihen të veprojnë e të ecin nën trysninë e kushteve politike, mirëpo specifika e sfidës dhe e reagimeve të atij realiteti që merr në shqyrtim autori dhe rrugës së zgjedhur kërkohet të hulumtohet në veçoritë e karakterit të njerëzve të cilët diktonin atë realitet.
Konflikti dramatik, në të cilin e përplas jeta personazhin, kryesisht atë kryesorin të vetë autorit, që figuron në libër, përballet denjësisht ose jo, por autori kujdeset të lehtësojë aftësitë e leximit intelektual të lexuesit nëpërmjet paraqitjes tronditëse të fakteve të njohura dhe organizimit të tyre brenda subjektit baladesk së librit, pa preferuar që t’i lërë lexuesit dhe figurën në mëdyshje ekzistenciale, që do t’u kumbisnin konkretësinë detajeve të kohës dhe të hapësirës.
Libri i ri i B. Londos merret me fatin e intelektualit, kryesisht shkrimtarit të kohës, mbi të cilët kaloi tornadoja e atyre viteve të stuhishme bashkë me esencat e saja tragjike.
Libri i shkrimtarit B. Londo është një shpalosje interesante e brendësisë krijuese të autorit, e formësuar nga grimca meditimesh dhe përjetimesh, përvojash dhe ndjesish që plotësojnë një anë të re të profilit të tij prej krijuesi, i cili vë si subjekt një kohë të caktuar,me njerëz të caktuara, sidomos shkrimtarët e viteve të ’80-ta të këtij “brezi të humbur”, siç shprehet autori.
Subjekti dhe rrëfimi i librit është i thjeshtë dhe tepër përmbajtjesor. Shkrimtari qysh në fillim ka sqaruar qëllimin e botimit të këtij libri,që sipas tij ai përmes këtij libri ka pasur për qëllim hedhjen dritë të një periudhe të caktuara dhe të njerëzve të caktuar.
Shkrimtari Londo shprehet se gjithherë ka pasur një ndjenjë të pakëndshme sa herë ai ka menduar (qoftë edhe kalimthi), të fillojë të shkruaj kujtime,sepse sipas tij se i kanë bërë përshtypje që kujtimet pa dashje lidhen me pleqërinë. Pastaj, shkrimtari Londo po ashtu gjithë rrëfimin e shpalos “në emër të fjalës”, ku sipas tij edhe Bibla, ky monument unikali njerëzit, hapet pikërisht me nevojën për të dëshmuar dhe për t’u dëshmuar: e para ishte Fjala. Duke e sqaruar nocionin e “Fjalës”, shkrimtari Londo po ashtu e vlerëson si “mjet komunikimi dhe si mjet arkivimi i historisë njerëzore”. Në vazhdim autori bën një itinerar të jetës së tij, në radhë të parë në Përmet, që sipas tij ishte një qytet paqësor dhe mikpritësi, po ashtu një qytet që e ka bërë përpjekje për të qëndruar sa më larg luftës,.mirëpo që ka pësuar nga të tjerët shumë nga lufta. Edhe pse përmetasit ishin shumë paqësor edhe gjatë kohës së frymës së “lirisë”, dhe ishin të shumtë ata intelektualë , shkrimtarë e artistë të cilët bënin përpjekje për t’i ikur ndeshjes me këtë ideologji, mirëpo edhe përkundër këtyre përpjekjeve shumë prej tyre ranë vitkimë e kësaj ideologjie ekstreme. Transferimi tij nga një provincë në një “nënprovincë”, në fshatin Zhepë, që shtrihet shumë afër kufirit grek, ku punoi si mësues, i dha mundësitë të njihet me një të re dhe në të ardhmen të bëhen shokë të jetës, bashkëshortja e sotme; këto pamje të bukura të këtij fshati magjeps me lumin Vjosa që përshkonte fshatin, maja e malit të Pindit dhe shumë bukuri të tjera që syri askund nuk t’i zë, i ofronin mundësi për të shkruar poezi të bukura.
Lasgushi dhe martirët të tjerë të fjalës
Ardhja e shkrimtarit në Tiranë dhe angazhimi i tij në gazetën “Drita”, ka hapur horizonte të reja në punën e krijuesit në fushën e letërsisë dhe të artit. Këtë angazhim të tij në këtë gazetë, ishte një sfidë për shkrimtarin, sepse shkrimtari ishte i detyruar bashkë me bashkëpunëtorët që të jetonin edhe jetën e viktimës edhe të xhelatit. Dëshironin apo nuk dëshironin ata duheshin t’i nënshtroheshin rregullave të censurimit, pra ishin të detyruar të mos lejonin që ato poezi të botuara të quheshin “poezi të gabuara”, dhe këta të ktheheshin në xhelatë të të tjerëve. Edhe puna e tij në Lidhjen e shkrimtarëve është një kapitull i veçantë i shkrimtarit me shumë bashkëpunëtorë të tjerë, si Dritëro Agollin, I. Kadarenë, Agim Cergën, Luan Qafëzezin, Zija Celën,Visar Zhitin, Xhevahir Spahiun, Koci Koston, (një shkrimtar i persekutuar dhe I cili iu nënshtruar një gjyqi tepër çnjerëzor, që i bëhej një shkrimtari për t’ia nxirë jetën dhe mbyllur gojën përgjithmonë), si dhe shumë të tjerë, të cilët kaluan shumë situata të rënda nga përcjelljet që iu bënte Drejtoria e Shtypit e Komitetit Qendror.
Përpos shumë përndjekjeve, dënimeve dhe persekutimeve që iu bëheshin shkrimtarëve, njerëzve të artit dhe të kulturës, kishte edhe dënime të tjera, dënimet me vetmi, më harrim,me izolim. Ishin të shumtë shkrimtarë që kishin këtë trajtim, të cilët për shkak të “mosbesimit” ishin të izoluar, të harruar dhe të përjashtuar nga jeta publike. Shkrimtari nuk mund të shkruante ashtu siç kishte shkruar deri me tash, por duhej të shkruante për atë siç donin të tjerë. Shkrimtarët që dëshironin të shkruanin ishin të detyruar t’u nënshtrohen kritereve të pacaktuara nga “lart”. Një nga martirët tipi i kësaj procedure dënimi ishte edhe poeti i madh Lasgush Poradeci, i cili kishte vite dhe dekada që jetonte i shkëputur nga jeta e të gjallëve, dhe e kishin detyruar që të bisedonte apo edhe të monologonte vetëm me të vdekurit dhe qenushin e tij Cucin.
Kosova si shprehje e censuruar dhe sulmet e gazetës “Drita” nga “gazeta mëmë’ “Zëri i Popullit”/
Një vend meritor shkrimtari i kushton edhe trajtimit të Kosovës, e cila kërkohej nga “lart” që emri i saj të mos përfshihet në krijime, ose të fundmi çdo shkrim apo krijim për të duhej të lexohej më parë në Drejtorinë e Shtypit të KQ, pastaj të vlerësohej nëse bën të botohej apo nuk duhej, meqenëse Kosova dhe fati i saj siç dëshmon edhe shkrimtari gjendej pranë tyre përherë. Madje shkrimtari tregon që poezia e tij e titulluar “Vajzë e vogël me jetë të madhe” i kushtohet Kosovës, duke iu shfaqur si një dashuri e dhimbshme dhe tragjike.
Një kapitull të veçantë shkrimtari i kushton edhe sulmet që redaksia e gazetës në shërbim të diktaturës së asaj kohe, “Zëri i popullit ”, që i bënte gazetës “Drita”, sulme që ishin nga më të vrazhda dhe tendencioze.
Shkrimtari Londo, po ashtu në vijim të librit vë në spikamë edhe shumë çështje të tjera të rëndësishme, si për “Lirikën e brezit të humbur” (“brez të humbur shkrimtari cilëson shkrimtarët e viteve të ’80-të), hapjen e diskutimeve për gjendjen e përkthimeve në Shqipëri, angazhimi krijues në fillimvitet e demokracisë, ku për fat të mirë Zyra e censurës në Komitetin Qendror tashmë ishte ekzistente etj.
Libri i Londos “Jeta që na dhanë”, përpos shumë arritjeve, përçon edhe një mesazh shumëdimensionalë, se “kush i ngre problemet, ai duhet edhe t’i shtjellojë. Tundimi për të dëshmuar është i përjetshëm…”, shprehet në fund shkrimtari Londo.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bardhyl Londo, E LUFTËS PËR TË MBETUR NJERI, LIBRI I JETËS, Mikel Gojani, SI DËSHMI

Duke kërkuar një burrë shteti për Shqipërinë

February 13, 2015 by dgreca

Opinion nga ARTUR AJAZI/
Shqipëria ka vite që kërkon një burrë shteti, një autoritet që të ndërlidhë shumë komponentë për të mundësuar ekuilibrat politikë e shoqërorë në këtë vend. Vendi ka vite që përjeton krizën e autoritetit, dhe pozicionin e burrave të shtetit e kanë pushtuar anonimët politik, të pamoralshmit, të korruptuarit, të ngriturit në majë sipas “shkatërrimokracisë”. Shqipëria në këto momente historike, ndjen nevojën e një burri të vërtetë shteti. Por eksperienca e 25 viteve të fundit, ka treguar se mosnjohja e vetes, i ka shtyrë shumë politikane të synojnë vetëm majën. Deliri i madhështisë mbetet një epidemi që ka prekur politikanët e këtij vendi, duke kultivuar mitin e vetvetes. Kjo garë që nuk njeh kushte dhe barriera ka “lojtarë” vetëm nga klasa politike ku shumica përbëhet nga mediokrit. Duke mos njohur veten, ata deklarojnë dhe ripërsërisin gjithmonë dhe kudo që “Jemi të Parët”. Paradoksi dhe absurdi, amoraliteti dhe anormaliteti, mediokriteti dhe miti i vetvetes përbëjnë një realitet. Sikur politikanët të votonin në mënyrë të fshehtë për presidentin e Shqipërisë, ne do të ishim dëshmitarë të absurdit, ku në fund secili prej tyre kishte fituar nga një votë. Një dukuri e tillë kur shfaqet në jetën politike të një vendi është mbushur me dhimbje, dramë, fatkeqësi, dhe fatalitete. Turrja pas karrierës, pushtetit, për të kapur majën , është tragjedia më e madhe e një populli që kërkon të ndërtojë dhe begatojë jetën e tij. Asnjë popull nuk mund të përparojë nëse në krye të drejtimit të tij, nuk ka burra shteti. Mungesa e këtyre burrave në drejtimin e vendit, përbën krizën më të rëndë politiko-shoqërore, duke prodhuar kriza të tjera si ajo ekonomike, e morale. Situata mbetet sa e zymtë dhe e trishtuar, pasi janë karrieristët dhe aventurierët , që deliri i ka çuar në marrëzi, në konflikte e armiqësi. Kriza politike që përsëritet shpesh , është rrjedhojë e krizës së autoritetit, e mungesës së një klase politike me mentalitet të ri , idealistë, demokratë dhe europianistë. Dhe mungesa e një klase të tillë politike, ka sjellë pasoja që kanë reflektuar direkt në jetën tonë, dhe kanë sjellë drama dhe fatkeqësi, më tepër se lumturi. Shpura e politikës që kanë zënë vendin e burrave të shtetit, kanë ndërtuar sistemin e tyre që funksionon si një rrejt i sofistikuar merimangash, duke hequr shpresën e shumicës së shqiptarëve. Krimi godet në mes të ditës, në qendër të qyteteve, mjerimi dhe varfëria është bërë e pranishme në shumicën e shqiptarëve, kurse pasuria shënon rritje të përvitshme tek të korruptuarit. Shtresa e intelektualëve ka vite që ka marrë rrugën e mërgimit, dhe këtu po mbeten “të parët” dhe pasuria e tyre e pamerituar. Në Shqipëri ata që merren me trafik dhe korrupsion, janë shtresa e pasur, një paradoks sa absurd dhe alarmant për fatet e një vendi. Në një situatë të tillë, vendi padyshim kërkon burrin e shtetit, të bëjë revolucionin, ndryshimin, progresin. Në një gjendje e tillë, çdo qeveri do të jepte dorëheqjen ose do të merrte mbi supe një mision të madh. Kushdo që jeton sot në Shqipëri e sheh të vërtetën objektivisht dhe jo i ndikuar nga ideologjia partiake, duke dalluar kaosin dhe mungesën e normalitetit. Deri tani korrupsioni po luftohet me slogane, deklarata, konferenca shtypi, komisione parlamentare, me akuza në dukje të rënda, dhe në fund , shumë zhurmë për asgjë. Akuzon opozita qeverinë si të korruptuar, pa asnjë kallëzim në prokurori për ndjekje penale. Vetë kryeministri Rama e pranon se “jemi zhytur në korrupsion, ndonëse na e la peshqesh PD”- përsërit ai shpesh. Megjithatë asnjë kallëzim për ndjekje penale, as për ish ministrat, as për ministrat e kabinetit të tij. E vërteta është se lufta me të korruptuarit është e vështirë për të mos thënë e pamundur . Përpara kësaj sfide ndodhet sot kjo qeveri. Por ata akoma nuk e kuptojnë këtë të vërtetë, akoma operojnë me praktika të vjetra, shumë zhurmë për asgjë, pasi sot disa pushtetarë dhe parlamentarë, na bëjnë të gajasemi kur deklarojnë se kanë një shtëpi me një dhomë e kuzhinë, kur flitet se janë pronarë të pallateve, resorteve, ortakë me biznesmenë etj . Korrupsioni është i vështirë për tu luftuar, kur janë të implikuar ata që do ta luftojnë atë nga pozita e qeveritarit, korrupsionin mund ta luftojnë vetëm ata që deri sot kanë dhënë prova që nuk janë implikuar, duke ndërgjegjësuar popullin, duke krijuar psikologji realiste, për të mbështur lëvizjet e guximshme politike, dhe për ti gjetur Shqipërisë Burrin e Shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Artur Ajazi, Duke kërkuar, një burrë shteti, per Shqiperine

FRAN GJOKA,MËSUESI DHE GAZETARI

February 13, 2015 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
Fran Gjoka! Si mik i vjetër po ju pyes: a ka kohë pushimi për gazetarin dhe krijuesin? E ndjej përgjigjen që e ke në majë të gjuhës: “Jam në pension. Kohën e kam me bollëk, por s`më tepron, pasi ajo ikën si pa u ndjerë, ngase s`më le “sevdaja” për gazetarinë”.
Kisha deshirë t`i thosha e të dëgjoja këto fjalë, pasi ka mbi 40 vjet, që në shtypin e përditshëm nuk pushojnë shkrimet që mbajnë emrin dhe firmën e gazetarit të njohur Fran Gjoka. Pa të keq, madje po e them me admirim, se vitet shkojnë, flokët t`u thinjën e rrudhat u`u shtuan e ti mbete po ai Frani energjik, që nuk t`u zbeh deshira e nuk t`u thye pena për të shkruar? Pas pyetjes së parë, tjetra që më shkon në mendje është: Po kohë të pushosh, a gjen o koleg i hershëm? S`ka nevojë për përgjigje, pasi e gjen vetë secili, mjafton ta njohësh fare pak natyrën, vullnetin dhe këmbënguljen e mikut tonë penështruar.
Kam përshtypjen se shumë nga kolegët mësues e drejtues, kanë menduar e besuar se, kur ai të dalë në pension, vetvetiu do ta braktisë edhe gazetarinë e do t`i bashkohet grupit të dominove në lulishte, apo kafesë, ku duke përtypur kujtimet, i shtyn me përtesë orët e ditës, aq sa do të bezdiset bufisti dhe kamarjeri i lokalit. Ja që nuk ndodhi kështu. Me Franin gabojnë. Zëri i tij përsëri vazhdon të dëgjohet në faqet e shtypit të ditës, sepse natyra e tij e gjallë e dinamike, nuk e pranon të qendrojë me orë të tëra kot, aqsa e ka të vështirë të rrijë pa u marrë me asgjë. Mbase kolegët nuk e dinë sekretin që e mbart në shpirt çdo krijues, në këtë rast edhe heroi ynë Frani, që për gazetarin, studjuesin dhe krijuesin nuk ka as moshë pensioni, po as edhe kufinj vitesh. Është kjo e fshehtë e pashkruar dhe e pashpallur, që nuk e le t`i plaket trupi dhe mendja, ndaj për të mos u shkëputur nga veprimtaritë shoqërore, kërkon të jetë përherë i pranishëm dhe i dobishëm. Shtojmë këtu, se edhe zemra i rreh vetëm për punë, që e shtyn të jetë i papërtuar për të gjetur e bërë intervista me kolegë dhe përsonalitete të arsimit dhe shkencës, njëkohësisht për t`u ndjerë i palodhur në pjesëmarrje veprimtarish, ku nuk harrojnë ta thërrasin e t`i kërkojnë fjalë e mend.
Duhet ta pranojmë se Frani është intelektual që vepron dhe që nuk i ndahet edhe librit e bibliotekës, sepse vendosmëria dhe detyra i kërkon me doemos kohën, për lexime e studime të vazhdueshme. Ky është ushqim mendor e shpirtëror, për t`u thelluar e përfshirë në përplasjet, lidhur me problemet që dalin e dukuritë që hasen nëpër shkolla, gjuhësi, letërsi e ndërvarësi shoqërore, duke kërkuar shtigje për rrugët e zgjidhjes së tyre. Është një debat i vazhdueshëm, në të cilin Frani, gazetari ynë fjalë bukur, nuk shmanget e as i bën dredha. Kurdoherë kërkon ta thotë fjalën e tij, duke menduar e shpresuar se njohja, kultura dhe përvoja shumë-vjeçare, ndihmon sado pak. Për të vazhduar më tej akoma, Frani me kurajo ngacmon e thërret në diskutim mësuesit, drejtorët, komunitetin, të mençurit e të diturit, më tej akoma, edhe ideatorët e vendimarrësit, në bazë e dikaster, duke shtruar me llogjikë të fortë mendimet dhe shqetsimet, lidhur me reformat në arsim dhe zbatimi i tyre në praktikë, në jetën e përditshme të çdo institucioni.
Me emrin e Franit jam njohur shumë herët nëpërmjet gazetës “Mësuesi”, ku shkrimet e tij i gjeja, gati në çdo numër. Ndërsa u bëmë miq këtu e njëzet vjet më parë, kur edhe unë nisa të shkruaj po në këtë gazetë. Me një fjalë, na lidhi gazeta “Mësuesi”. Frani nga Lezha dhe unë nga Durrësi, meqë ishim më pranë Tiranës, shkrimet tona, të shkruara së shumti me dorë e makinë shkrimi, për më kollaj i sillnim vetë në redaksi, për të shmangur vonesat dhe burokacinë e postës. Na pëlqeu muhabeti dhe u miqësuam shpejt, pasi të dy ishim mësues, si të thuash zanatçinj në një “ndërmarrje”, kështu natyrisht edhe problematika e bisedave dhe shkrimeve përqëndrohej tek mësimi, nxënësi, mësuesi, prindi, drejtori, shkolla, tekstet, metodat dhe figurat e shquara që e shkrinë jetën në arsim. Harroheshim në bisedë, pavarësisht se koha shkonte dhe duhet të vraponim tek furgonët apo tek autobusi, për t`u kthyer në qytetet tanë. Kënaqeshim kur kryeredaktori i gazetës Z. Viron Kona, na ftonte për kafe në lokalin brenda oborrit të Ministrisë, dhe me atë natyrën e tij bujare e gazmore, si vlonjat që ishte, na mburrej: “Jam i nderuar se kam dy miq nga dy qytete nga më të vjetërit; njëri nga Dyrrahu e tjetri nga Lisus”. Këto fjalë i thoshte me zë të lartë, sidomos kur ishe mes shokësh, sepse meqë ra fjala, çuditërisht asnjëherë nuk e gjenim vetëm dhe ne na vinte mirë ky lloj perzantimi.
Duke shkruar këto pak radhë për Franin, i them se ka dy privilegje që s`i gëzojnë të tjerët, por që i lakmojnë me tepri :
Së pari, është mësues dhe si i tillë është një misionar në udhën e vështirë të mësimit dhe edukimit, sepse përhap e ushqen dije në mendjen dhe shpirtin e të rinjëve, që të bëhen të dobishëm dhe kështu të kërkojnë e luftojnë për më të mirën për vete dhe shoqërinë.
Së dyti: Frani njëherazi është edhe gazetar, kështu i jep mundësi vetes të shprehë mendimin, të nisë e të nxisë diskutime, të përhapë përvojën pozitive të vetes dhe kolegëve, njëkohësisht të mbajë qendrim ndaj problemeve të shumta që ka shkolla dhe arsimi. Natyrisht këto janë pjesë e deshirës, pasionit, talentit dhe intelektit të tij, që e shtynë drejt gazetarisë, pa më të voglin interes vetiak e pasuror. Thjesht të pasqyronte atë që ndjente, për vete dhe kolegët.
Këtu nuk mbaron historia, pasi pa dashje, ai u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij. Askush nuk e ve në mëdyshje fjalën e tij. Me të padrejtë dikush që njeh vetëm botën e parasë, do të shprehet: Kujt i vlen gjithë kjo punë e ky mund?
Unë dhe mijëra kolegë, mësues e gazeatrë e përbuzim këtë lloj pyetje, që tundon dhe thyen njeriun. Më bukur përgjigjen e jep vetë Frani, me mbi 2000 artikujt e shkruar prej tij, që kanë brenda frymëzimin dhe idealizmin e njeriut fisnik. Çdo artikull është një lloj fotografie që fikson kohën, jetën shoqërore, ngjarjet dhe veprimtaritë, problemet dhe shqetësimet me të cilat ndeshemi përdit. Të gjitha këto përbëjnë në vetvete një arkivë dokumentash, që mund të shfletohen bukur për historinë e zhvillimin e arsimit në Lezhë e më gjërë. A nuk është edhe kjo një “pasuri” shpirtërore për Franin? Në fund të fundit, ç`e dallon intelekualin nga zanatçiu, veçse puna krijuese që u mbetet trashëgim brezave?
I urojmë Franit shëndet e jetë të gjatë mes miqëve dhe shokëve, njëkohësisht edhe sa më shumë shkrime nëpër gazetat tona.

Filed Under: ESSE Tagged With: FRAN GJOKA, Kadri Tarelli, MËSUESI DHE GAZETARI

Shqiptarët e Kosovës harrojnë çështjen nacionale në këmbim të mbijetesës!

February 13, 2015 by dgreca

Shkruan Asllan Dibrani/
Skamja , pasiguria korrupsioni , anarkia , krimi i organizuar mos funksionimi i ligjit dhe ngufatja e shtetit. Kjo vjen si rezultat nga gënjeshtarët dhe mashtruesit që të synojnë ngjitjen e shpejtë në hierarkinë politike pa cens politik dhe kombëtar! Kjo ma ka marrë reaksion shqetësues për gjithë Kosovën. Ata patën synim hierarkinë dhe projektet dramatike për shkatërrimin e ekonomisë ,kulturës dhe vlerave shqiptare !!! Depërtimi i tyre arriti si arriti në institucione të shtetit, të arsimit, të shkencës, të kulturës, në medie dhe gjithkund që qytetarin e qitën jashtë interesave globale për jete të lirë. Ata u ricikluan në grupe mafioze që kush dhe nga kush do të udhëhiqen sektorët e ministrive dhe vendeve udhëheqëse. Ky vend po zhytet për çdo ditë në kriza të thella me mashtrime dhe malverzime të shëmtuara për ta zhbërë këtë vend nga rregullat dhe ligjet qe gëzojnë shtetet funksionale. Duke ju falënderuar vullnetit dhe angazhimit të forcave amerikane arritëm një “Pavarësi të Kosovës ” me çka në bazë të këtyre bilanceve kriminale të organizuar , sot kjo “Pavarësi” po luhatet me rastin e zbrazjes së Kosovës nga rinia edhe populli ma vital i saj .Bandat e organizuara në emër të (shteti dhe çlirimtarëve) keqpërdorën sakrificën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës , gjë që u irrituar populli me mosbesim ndaj institucione kosovare duke e konsideruan veten se u mashtruan nga e cila populli kaloj ne revolt vetëvrasëse me shpërngulje masive.
Një fjalë popullore thotë mos ke ç’ti bësh samarit i sjell gomarit. Dramë pas drame po e ndjek popullin shqiptar në të gjitha vendbanimet ,po edhe Shqipëri. Shqipëria nuk qe e zonja ta marr rolin e mbrojtjes të territoreve shqiptare nga grabitqaret shekullor sllavo-ruso.greke. Në Kosovë, zhgënjim në popullit pati edhe pas shumë muajsh zhvatje të Kosovës neë zgjedhjet e veta!. Koalicioni PDK-LDK , humbi i tërë besimi dhe shpresat për një ardhmëri të vet. .”Çlirimtarët” kaluan në parti,grupe ,institucione,organizata qeveritare dhe jo qeveritare. Në emrin e çlirimit injorizuan çdo gjë që gjeten pran vetës duke kaluar në primitivizëm në fushën e shkencës ,kulturës, artit dhe politikes gjë që profesionalizmi u uzurpuar me zyrtar ordiner qe nuk e dallojnë çka është e dobishme e çka jo për interesat e popullit. Një medalje të së keqes , këtu qëndron edhe tek forcat e huaja të UNMIK, OSBE, EULEX si dhe forcave të KFORIT. Bashkë me to u instaluan shume krime në aleancë me vendasit gjithnjë në dëm të popullit .Këto forca të huaja sollën llumin e tyre nga vendet e tyre,kështu që sot po ja sheh sherrin Kosova. Kosova është ma në tranzicion të barbarisë dhe primitivizmit që promovon çdo dite pasiguri, zhgënjim tek ky popull. Shqiptarët kosovarë harrojnë çështjen nacionale në këmbim më mbijetesën!!!Skamja të qon në derë të armikut thuhet, prandaj kjo po dëshmohet me egzodin e shpërngulje së shqiptarëve nga Kosova përmes Serbisë .

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Shqiptarët e Kosovës harrojnë çështjen nacionale në këmbim, te mbijetesës!

SHËN VALENTINI NË VARGJE- RAIMONDA MOISIU DHE PERPARIM HYSI

February 13, 2015 by dgreca

Nata e Shën Shpirtit/
nga Raimonda MOISIU/
Mezi pres natën e Shën Valentinit,/
atë natë që ka aq orë, sa netët e shkurtit,/
por unë dëshiroj të mos mbarojë kurrë,/
duke harruar edhe lindjen e diellit!/
Atë,/
natën e Shën Valentinit,/
të vetmen natë në netët e mia,/
natën e Shën Shpirtit tim./
Unë dua të më mbërthejnë prangat e ledhatimeve,/
dhe përskuqja e puthjeve të nxehta,/
si trëndafilat e Shën Valentinit./
Mezi pres agoninë e puthjeve,/
të magjepsura nga nxehtësia e tyre,/
të shkrijnë acarin e shkurtit./

Mezi pres të marrësh peng përhumbjen e syve të mi,
ndriçimin e tyre të qeltë e të gjelbër,
si blerimi në pranverë,
t’i japë dritë errësirës.
Të zbukurojmë bardhësinë e çarçafëve,
me aromën e kurorës së shpërthimit
t’u japë frymë trëndafilave të ndezur,
në kopshtin tim.

Jashtë bien qeparisët e flokëve të borës,
si nostalgjia e syve të qelqtë,
atë pranverë të parë, teksa çelje lulet e përgjumura,
në livadhin e mermertë si bora.

Mezi pres të ngrohim me frymën e ofshamave,
qeparisët dhe
t’i tretim në shtratin e virgjër të dëshirave,
kur hëna zbret në dritare e na shikon.

Mezi pres strehën e hajthshme të duarve tua,
në mashtrimin e brishtë të trëndafilave të bardhë,
që lulëzojnë në zjarrminë dehëse,
nën hutimin e diellit të mëngjesit,
nën fëshfëritjen e gjetheve ledhatuese,
që unë i dua kaq shumë,
jo vetëm në një natë me Shën Valentin,
për Shën Shpirtin tim.

Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA

SHËN VALENTINI NË VARGJET E MIA

( cikël me poezi)

Nga Përparim Hysi

Mirëse erdhe SHËN VALENTIN!

As e dinim nëse kishte, ditë si kjo: e dashurisë!
E panjohur fare ishte ( si dhuratë erdh prej demokracisë).
E festuam ne së pari veç pas viteve nëntëdhjetë
Se i mprehtë qe “hanxhari”, një hanxhar made in Mesjetë!

S’ka ç’na duhet “brishtësia”, është e huaj dhe me “njolla”
Tek ne ndryshe dashuria (ndryshe të zinte kolla?)
Po ku kish Shën Valentin (shën partia dhe Enveri)
Ferrobeton dhe dashuria që armiqtë t’i zijë tmerri!!!

S’kam pse vazhdoj më tutje, brezi ynë qe i pafat
Qe një kohë e mbushur “turpe”;qe një kohë mbushur gjezapë
Dashuri veç për partinë dhe, patjetër, për Enverin
Dashuri për dashurinë?! Nëse kërkoje “sherrin”.

14 shkurt 1992

A të kujtohet?

A të kujtohet,e bukura si yll?
Qe 14 shkurt kur u futëm në pyll.
Paska qenë Shën Valentin kur hymë atje
Por hiç nuk e dinim( e morëm vesh,tash,se…

Se kjo “Ditë Dashurie” qe mbajtur e fshehtë
Se dhe dashuria do bërë me “recetë”
Shën Valentini “ish festë e burgjezisë”
Dhe në dashuri: me mësimet e partisë.

Ndryshe dashuria jonë, ndryshe burgjezia
Po ne qemë “etalon”,se na “bekonte” partia
Vij vetëm tek pylli,kot sa për nostalgji
Sot është SHën Valentini! pa shih: ç’dashuri!

Dalin me buqeta, dalin me dhurata
Ka ikur mesjeta, e keqe si nata
Zënë puthen çiltër; çlirojnë ngrohëtsi
Përzënë çdo dimër! Kumbojnë dashuri!

14 shkurt 1996

SHËN VALENTINI

Erdhi! Erdhi Shën Valentini! Çiftet zbresin dy nga dy
I shikon Përparimi! Ah. që s’jam dhe unë i ri!
Dorë për dorë janë kapur, njëri-tjetrit i shtien çikë
Unë, tani, jam flokëzbadhur, por zili i kam njëçikë.

Këngë e valle zënë e hedhin, edhe puthen hapur fare
Unë i shoh dhe më shtojnë shendin (si me ta po hedh “valle”)
Sado jam azmatik (mezi mbushem unë me frymë)
Entuziazmi seç më mpik: ta gëzojnë Shën Valentin!

14 shkurt 2000

Ah, kjo “Dita e dashurisë!”

Ah, kjo “Dita e dashurisë” të vë flatra, të vë krahë
I hip delli pleqërisë, si të rinjtë të bëjë sevda
Kur shoh çiftet që po puthen se kanë Shën Valentinin
Unë i shoh dhe pak krrusem (se ka “cipë” Përparimi???)

Pse s’ dëgjojnë Përparimi që i ka mbetur ora prapa
Por festojnë Shën Valentinin sikur “lozin hapa-dollapa!
Puthen hapur dy nga dy dhe s’e kanë fare për pesë
Dhe çlirojnë ngrohtësi, sikur kanë vënë krahë si shpezë.

Kohë e re, or tunjatjeta! Kohë e re dhe janë të lirë
Ja tek shkëmbjenë buqeta, unë i shoh dhe ndihem mirë
Kthehem prapa unënë kohë, kur Çeçua kish biçak
Dhe regëtij e po bëj oh! Se regjimi qe farmak.

14 shkurt 2010

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - RAIMONDA MOISIU DHE, NË VARGJE, perparim Hysi, Shen Valentini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4095
  • 4096
  • 4097
  • 4098
  • 4099
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT