• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

C`po ndodhë në Kosovë ?!

July 11, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih/ Zvicer/

Qenka tejet trishtuese kur njeriu sheh në këtë gjendje popullin e vet. Një popull të tërë që nga skamja dhe mjerimi i padurueshëm,ka mësy të ikë dhe një orë e më parë ta lë atdheun e tij, nën mallkimin që i sollën ata që nuk do duhej. Ndoshta u bë mjaft për këta njerëz të cilët padrejtësisht, që sa kohë ushqehen me dezinformata zbukuruese,kurse gjërat nuk shkuan asnjëherë në rrugën e duhur dhe drejtimin në të cilin shqiptarët besonin.

Atyre tanimë,nga zhgënjimet e njëpasnjëshme,mjerisht u është bërë i pamundur qëndrimi në atdhe. Vrojtimi indiferent ndaj korrupsionit, nepotizmit keqpërdorimit të demokracisë,pasurimit marramendës të pushtetarëve dhe varfërisë trishtuese të popullsisë kanë filluar ta kërcënojnë jetën e tyre dhe sigurinë tonë kombëtare, e cila i detyron njerëzit e dëshpëruar në ikje të pakthim.

Se kjo gjendje do të shkoj kaq larg dhe deri në këtë ditë sa të kërcënoi me zbrazjen e vendit dhe ç`shqiptarizimin e atdheut,këtë nuk e ka pritur askush. Mirëpo të vazhdoj edhe më tej,që ky vend i sjellur në këtë skamje marramendëse dhe varfëri të skajshme deri në vdekje klinike, të udhëhiqet nga pushtetar milioner dhe deputetë të katapultuar AKSIDENTALISHT në Kuvend me vota të vjedhura,kurse shqiptarët –në shenjë proteste– ta lëshojnë tërësisht të heshtur – vendlindjen e tyre, fatkeqësi më të madhe për këtë popull nuk mund të ketë.

Jo vetëm pushtetarët por as opozitarët, nëse ka të tillë në Kuvendin e Kosovës,që sa vite shihet se nuk janë aty për të shpreh zërin e votuesve të zhgënjyer, por për votimin pa kundërshtime të të gjitha planprogrameve të qeverisë, ashtu siç ajo i do dhe paraqet para tyre.

“Përfaqësues” të tillë keqpërdorin në mënyrë mjeshtërore sinqeritetin dhe durimin e këtij populli, duke punuar me hile në emër të tij, dhe pa asnjë përkushtim për interesin e vendit dhe aspiratave të atyre që ranë për lirinë e Kosovës.

Sjellja e tillë është edhe çështje e identitetit kombëtar, dinjitetit personal dhe edukimit njerëzor jo vetëm të deputetëve por edhe votuesve të heshtur që nuk bëzajnë para asnjë padrejtësie ndaj tyre dhe vendit ku jetojnë, madje as para përpjekjeve të fundit antikombëtare, për amnistimin në “paket” të të gjitha krimeve, kriminelëve dhe të inkriminuarve, në çfarëdo vepër penale.

Më kotë shqiptarët shpresuan gjatë gjithë kohës se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Fatkeqësisht as pas 14 vitesh çlirimi,nuk ka kthim nga e mbara. Përkundrazi,vendi po mbytet nga korrupsioni, skamja ,varfëria dhe pasiguria totale,ndaj edhe njerëzit kanë marrë arratinë duke ikur me “cuc e me mic” me krejt çka kanë dhe si munden, nga varfëria tmerruese që pushtetarët dhe të gjitha partitë politike bashkë-ditën ti sillnin atdheut, e cila po thellohet përditë e më keq.

Asnjë vend në botë nuk mund të ecë përpara,nëse pushtetarët e tij nuk njohin zanat më të mirë sesa gjatë gjithë kohës së qëndrimit në pushtet të mbjellin korrupsion dhe prodhojn varfëri e skamje, i cili po ia zë frymën këtij vendi dhe dëmton me të madhe imazhin e Kosovës, gjë që shihet se fare nuk është breng e tyre, siç nuk bregosen për dhjetra autobusët e mbushur me shqiptarë hallexhinj, që brenda dite largohen nga Kosova.

Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha të vështira të dhunës dhe diskriminimit, plagët e të cilëve janë ende të hapura,duke shpresuar se me çlirimin e vendit,të paktën do tu mundësohej mbijetesa në atdheun e vet. Por ata nuk mund ta fshehin më zhgënjimin e tyre ndaj sot janë më të dëshpëruar se kurrë më parë me pushtetarët dhe opozitarët, pothuajse në masë të njëjtë

Frustrimi më i madh vije nga qëndrimet e së ashtuquajturës “Opozitë” nga flirtimi politik dhe praktik i kastës së konsumuar që moti të udhëheqësve të LDK-s, të cilët pas dështimeve të një pas njëshme në zgjedhje dhe politikë,nuk hezituan të tradhtonin edhe votuesit e tyre duke hyrë në martesë të fshehtë me pozitën,nga veprimet e të cilëve, me të drejtë elektorati ndihet thellësisht i zhgënjyer dhe tradhtuar rëndë.

Ndaj, është momenti më i artë për ta, dhe koha e fundit për politikanët e inkriminuar,që të pensionohen sa më parë dhe ti thonë lamtumirë politikës në këtë vend, një herë e përgjithmonë.

Kurse,grupit të prirë nga Sabri Hamiti,Isa Mustafa, Ismet Beqiri e Lutfi Haziri, nuk u ka mbet më fije “yndyre”,për tu zbavitur edhe më tej me politikë.

Ata, u pa qartë për disa vite,se nuk janë në gjendje ta mbajnë dhe ushtrojnë fer e si duhet këtë detyrë,ndaj dhe mbeten përfundimisht të paaftë për zanatin e politikbërjes. Ky grup fatkeq,jo vetëm se dështuan disa herë në punën e tyre por edhe janë konsumuar aq shumë sa që askush, bile as optimistët më të pandreqshëm, nuk mund të shpresojnë më se me këta në krye, do të ketë opozitë të njëmendët apo parti me perspektiv ndonjëherë.

Zotërinj, ju jeni prapambetja vet, moszhvillimi dhe humbja e përditshme, fatkeqësia e pështirë e këtij vendi. Sa më gjatë që ta shtyni avazin e nisur,aq më keq jo vetëm për partinë (nëse mund të quhet e tillë edhe nën udhëheqjen tuaj)por edhe për shtetin dhe gjithë shqiptarët, sepse ju jeni bërë shkas edhe i të mos pasurit Opozitë të mirfillt që disa vite në Kosovë.

Nën udhëheqjen tuaj, nga opozitë fiktive u kthyet në bashkëshorte të dëgjueshme dhe besnike të partisë në pushtet,duke bërë aminin për çdo gjë. Madje,ndoshta duke qenë edhe vet të zhytur thellë në korrupsion e vepra tjera penale, ju asnjë herë nuk e ngritët zërin kundër çfarëdo keqpërdorimi në Kosovë.

Për fat të keq,dikush nga grupi juaj përmendet si bashkëpunëtor i UDB-së,tjetri si “I zoti” i një shoferi që kishte për “hobi” transportin e lëndëve narkotike nëpër Serbi,tjetri për inkriminim në vrasje brenda partisë së vet, kurse një tjetër kohët e fundit ka nisë të shkruaj edhe letra të përbashkëta “dashurie” me buzhalinjët,drejtuar EULEX-it.

Zotërinj,kështu nuk zhvillohet politika as udhëhiqet partia. Është e pakuptueshme se ku e gjeni ju gjithë këtë luks flirtimi derisa bashkë me pozitën, e keni sjellë një popull në zgrip të jetës dhe detyruar të lë vendin e të ikë natën nga sytë këmbët. Gjendja që pozitë dhe opozitë krijuan ,duke detyruar pjesë të tëra të një populli në shpërngulje,është diversion kombëtar,shkatërrim i identitetit të një populli dhe pjesë e strategjisë së antishqiptarizmit në këto troje.

Ndaj, për hir të Kosovës dhe njerëzve të këtij vendi, ikni sa më shpejt ,ikni më se mjaft,shkoni në shtëpi dhe hani pensionet dhe pasurinë e grumbulluar në mënyrat që vetëm ju i dini,të cilat uroj ti hani ashtu siç i keni fituar. Por përfundimisht ikni. Ikni sepse është koha dhe ky popull nuk mund t`ua falë përgjithmonë çdo mëkat që keni bërë në kurriz të tij dhe vendit që i takoni. Pra zotërinj- fajtorë, cilët-do qofshit,më mirë shkoni dhe me ikjen tuaj-krijoni mundësi, që shqiptarët përfundimisht ta shohin dhe kuptojnë se ç`po ndodhë në të vërtetë me atdheun e tyre,sa s`është bërë vonë për të gjithë.

Gani Qarri Cyrih, 11 Korrik 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

I FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, VULLNET MATO

July 11, 2013 by dgreca

ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!/

Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,/

për dhjetë vjet./

Qielli më dërgonte shi./

Toka më dhuronte lot./

Mes shtatë sqepave të zogjve,/

gojëhapur ditë e net,/

buka e nënës nuk arriti/

të më ushqente dot…/

Fillova të vizatoj njerëz,/

për të nxjerrë ndonjë kaush.

Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,

mos qoftë askush!..

Mora malet,

derisa më pranoi një ahishte në pyje,

nga ku gjethet vjeshtore

çonin fjalët e mia të mallit.

Aty u vëllazërova me çdo dru

që më bënte hije,

pasi lash pranë detit vëllezërit

dhe psherëtimat e zallit.

Letrat e nënës i bënte era gjethe

brigjeve me gëmush.

Me pasionin tim në punë të rënda,

mos qoftë askush!..

Djalërinë ma burrëroi

një Elenë e Trojës korçare,

në luftën për shkakun e dy feve

tona të ndryshme.

Ashtu, si Paridi, bir mbreti,

pasi e rrëmbeva për fare,

durova, si bir deti, dallgë

presionesh të stuhishme.

Elenën e desha si lisi,

pjergullën e vet me rrush.

Me pasionin tim në dashuri,

mos qoftë askush!…

Shfletova stivat e dispensave

nga të gjithë shekujt letrar.

Dhe u fala viteve,

gjumin bashkë me flokët e dendur.

Pas dy diplomave,

sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.

Derisa u ula në karrige druri,

mes njerëzve të mençur.

Librat e mi kishin dallgë Joni,

gjethe ahu dhe dushk.

Me pasionin tim në krijimtari,

mos qoftë askush!…

Gjurmët e mia nisën zanafillën

nga mali jugor në Finiq,

dhe shkuan deri te pllangat e akujve

në Alpet verior.

Nuk besoj të ketë ngrënë njeri

në jetë aq shumë fiq,

sa kam jetuar ngjarje

dhe kam njohur tipa njerëzor.

Fjalët e zemrës më kanë mbetur

në çdo mal dhe fushë.

Me pasionin tim përkushtuar miqve,

mos qoftë askush.

Fytyra që më qëndisi nëna me merak,

si të parin e djemve,

kam arsye të shpresoj se do mbetet

në vegime internetike.

Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore

në degët e këtyre pemëve,

besoj do gjejnë dhe imazhin tim

në bërthamat elektronike.

Tani rend rrafshinave të kompjuterit,

derisa të vdes plakush.

Me pasionin tim në fraza dhe metafora,

mos qoftë askush!…

 

GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA

 

Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,

sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,

fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira,

të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy.

Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit

të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh.

Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit,

ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh

Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë,

kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla.

Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark,

dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja.

Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë,

kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri.

Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr,

beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar

dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.

Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar,

dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë.

Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin,

por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin,

sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë,

tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë…

 

FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK

 

Veshët ndjehen organi

më fatkeq i trupit të njeriut

dhe shpesh mallkojnë

qenien e tyre thuajse pa fat,

që s’janë njësoj si goja,

si sytë e mbrojtur vetiu,

krijuar nga zanafilla

për t’u mbyllur me kapak.

Megjithëse, veshët

kanë shansin e parë organik,

të kapin fjalët më të ëmbla

kushtuar dashurisë,

t’ia çojnë sinjalet trurit,

që urdhëron receptorët erotik,

të magjepsen ndjenjat

me emocionet e lumturisë.

Kur ai, ose ajo thotë:

O shpirti im, sa fort të dua!

veshët bëhen si fije peri,

në përgjim të pëshpërimës

ta shpien te zemra

me gjëmim të shumëfishuar,

siç bëjnë veshët e maleve

me jehonën e oshtimës.

Sidomos kur dashuria

rënkon me ofshama kënaqësie,

veshët dehen në ekstazën

e frymëmarrjes së rëndë,

njësoj sikur thithin me ëndje

notat e një melodie,

me valë drithëruese

nga më e këndshmja këngë…

Pastaj, teksa buçasin

dy zanoret e para të foshnjës,

kur pas nëntë muajve natë,

agon nga barku i nënës,

veshët tendosen si dy krahët

e zgjatur të shqiponjës,

që presin një top drite

rënë nga vezullimi i hënës.

Por fatkeqësinë e vërtetë

të qenies së tyre pa kapak,

veshët e ndjejnë, kur

gojëfëlliquri lëshon breshëri,

fjalorin e tij vulgar

me banalitet shëmtarak,

dhe ata nuk mbyllen dot

automatikisht kurrsesi.

Ashtu siç janë të detyruar

të lejojnë dialogun e sherrit,

të depërtojë përmes tyre,

nga fillimi, në çastin e fundit,

kur njëri ikën i dëshpëruar,

tjetri stepet prej tmerrit,

apo nga krisma përmbyllëse

e gjakderdhjes së plumbit…

Në këto raste, sytë ulin qepenat

të mbyllet pamja përqark.

Goja kyç dyert të mos dalin

fjalët e rrezikshme kuturu.

Ah, sikur të kishin

dhe veshët të tillë kapakë,

të shmangte njeriu i gjorë

hyrjen e provokimit fatal në tru!…

 

BASHKË NË ÇDO ORBITË

 

Nëse disa ditë s’të vjen

mesazh në celular,

dije se jam kthyer

në këngë bilbili.

Hap dritaren të dëgjosh

në pemët vërdallë,

zërin tim të blertë

me fëshfërima pylli!

Nëse disa ditë nuk lexon,

emrin tim të shkruar,

diku mbi vargje,

apo në rreshtat e krijimit,

shiko mes dy malesh,

ku dielli ka ndriçuar

shkronjën e parë “V”

me rrezet e agimit.

Nëse disa ditë nuk shfaqem

te muri në internet,

dije se jam kthyer

në valë elektronike.

Hap monitorin e shpirtit

të më kesh aty ku je vet,

të përqafohemi sërish,

si nëpër netët magjike.

Pra, dije se nuk shkëputem

dot nga tërheqja jote

nga vlaga fuqidhënëse

që më japin buzët e tua.

Edhe sikur të na ndajnë

nga vërtitja e kësaj bote,

në dy hapësira planetësh,

unë prapë ty do të dua.

Oh, qofsha në gravitet

të përjetshëm me ty,

që të desha me të tëra

grimcat e shpirtit njerëzor!

Dhe paçim në tërheqjen

magnetike atë megafuqi,

që mban të pashkëputur

orbitat e dy trupave qiellor!…

 

PUTHJET NËPËR ËNDRRA

 

Kur adoleshencës

po i shkoja në skaj,

bota më thërriste

horizonteve tutje.

Vajzat më dukeshin

mrekullia e saj,

dhe netëve me to

ëndërroja puthje.

Gjatë asaj kohe

putha vajza dhe nuse,

nga më të bukurat

që kishte bota filmike.

Në perde kinemaje

putha artistet ruse:

Zvjetllanën, Ljudmillën,

Tatjanën magjike.

Putha Luçien, Nailen,

Pagarushën, Anitën,

me zërat drithmëtar

të zogëzave të pyllit.

Putha aktore Tinkën,

Violetën, Margaritën,

që më luanin brenda

skenës së shpirtit.

Po kur putha të parën

bukuroshe në realitet,

m’u duk se kish te buzët

gjysma hëne në vezullim.

Shkrepi një vetëtimë,

sikur putheshin retë

dhe u dehëm sqep më sqep

si dy fajkonj në fluturim…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, Me pasionin tim, mos qofte askush, ne sofren e Diellit, Vullnet Mato

GJENERALI PA USHTRI

July 10, 2013 by dgreca

Nga Leonora Aliu / Express/

U zotuan disa herë se në vitin 2013 FSK do të bëhet ushtri. Por Forca e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht përmbushje së kapaciteteve operacionale, do ta ketë statusin e njëjtë edhe për një kohë të padefinuar. Duket se kërkesat e zyrtarëve janë bërë vetëm për konsum të brendshëm, përderisa ato nuk u janë drejtuar fare NATO’s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rassmusen tha se as që ka dëgjuar ndonjëherë se zyrtarët e Prishtinës kanë kërkuar shndërrimin e FSK’së në ushtri.

I heshtur ndaj kësaj deklarate është shfaqur Ministri i FSK’së, Agim Çeku, i cili e ka gradën e Gjeneralit, e dikur edhe thoshte se “një shtet pa ushtri nuk është shtet” dhe zotohej se Kosova do të bëhej shtet i plotë.

Një shpjegim rreth dështimit të avancimit të FSK’së në ushtri e dhanë për Express zyrtarë të Ministrisë së tij.

Zëdhënësii MFSK’së, Ibrahim Shala tha se deri më tani zyrtarisht nuk është kërkuarnjë avancim i tillë për shkak të mospërfundimit të procesit të rishikimit të sigurisë që po bëhet nga grupi punues i Këshillit Kombëtar për Siguri e që vepron në kuadër të ekzekutivit.

“Ende është në proces rishikimi. Varet prej dinamikës qysh punon ai grup punues i Komisionit, që nuk është Komision i FSK’së por i shtetit është grup punues i shtetit që udhëhiqet prej Këshillit Kombëtar të Sigurisë”, tha Shala për Express të mërkurën.

Kritikat më të mëdha për ngecjen në këtë proces Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK’së, Ahmet Isufi ia adresoi Qeverisë së Hashim Thaçit.

“Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar procesin e avancimit te Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës madje edhe deklarata e zotit Rassmusen është shpjeguesi më i mirë se kjo Qeveri është duke stagnuar në të gjitha segmentet”, tha ai.

“Ka pasur rastin që me rastin e rishikimit të strukturës së FSK’së dhe sigurisë në vend të pozicionohet duke pasur parasysh edhe kalimin e mandatit të FSK’së të paraparë me dokumentin e Presidentit Ahtisari e që është pesë vite, që ta shndërrojë në ushtri dhe pjesë të NATO’s”, shtoi Isufi.

Ai bëri të ditur për Express se Komisioni i tij i ka rekomanduar Ministrisë së Çekut që pas vlerësimit të NATO’s, FSK’ja të vihet në pozicionin e ri, atë të avancimit.

Por sipas tij, Qeveria nuk i ka kryer veprimet e duhura. “Arsyetimet e Qeverisë për ngecjen e këtij procesi si pasojë e rishikimit të sigurisë kombëtare dhe dialogut me Serbinë në një farë mënyre janë pengesë për vetveten nga ana e Qeverisë, nuk është dashtë të bëhen ato arsyetime”, tha ai.

Rrishikimi i sigurisë në vend sipas tij pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Derisa Çeku ka paralajmëruar se deri në janar të vitit të ardhshëm do të merret vendimi se si do të funksionojë sektori i sigurisë më tutje.

Në anën tjetër, gazeta amerikane “Washington Post” kishte shkruar ditë më parë se Kosova në fund të dialogut me Serbinë synon të bashkohet me NATO’n.

Për këtë arsye, sipas gazetës amerikane, Kryeministri Thaçi ishte së fundi në Washington

“Ai ishte duke shpresuar se administrata e Obamas do të bënte presion që Aleanca të marrë hapa paraprak për të pranuar vendin e tij”, kishte shkruar Washington Post.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Ceku, Gjenerali pa ushtri

NGA GJERMANIA- NJI QYTETNIM QË NDERON!

July 10, 2013 by dgreca

Nga Prof. SAMI REPISHTI/

Sot ata nuk ndigjojnë fjalën ma fisnike: “Kërkojmë falje!”. Dhe as që do ta ndigjojnë nga ata që përsërisin: “Nuk e ndiej veten fajtor! Nuk kam ba asnji faj!”. Dhe mbas pak vitesh, nuk do të mbetet viktimë e gjallë që ta ndigjojë shprehjen “Kërkojmë falje!”. Por kjo mund të arrihet vetëm kur të ndërgjegjsohemi ashtu si populli i qytetnuem gjerman!

Lexova në faqen “Balkanweb” nji lajm me titull: “Masakra e Borovës pas 70 vje-tëve…”, dhanë nga autorja Enkelajda Skënderasi, të cilën e falënderoj përzemërsisht. “Masakra e Borovës”, nji fshat afër Ersekës, ashtë nji nga “haraçet” e shumëta të luftës kundër okupatorit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, që nji popull krenar shqiptar do të paguente për arsye të qëndrimit të tij rezistues kundër së “Keqes së madhe”, nazizmit, që mundonte të gjithë Europën e okupueme. Sot kujtojmë me dhimbje e mirënjohje viktimët e pafajshme – 107 burra, gra e fëmijë – që u masakruen barbarisht nga xhelatët nazistë gjermanë, të cilët në atë ditë fatale të 6 korrikut 1943 dogjën edhe fshatin e Borovës martire. Por në këtë përkujtim të përvitëshëm, kësaj radhe mori pjesë edhe nji i huej, gjerman i paftuem dhe i panjohun, por me ndjenja fisnike e njerëzore të pastërta. Ky i “huej” ishte qytetari gjerman z. Marcus Burger, i biri i xhelatit nazist Anton Burger, reparti ushtarak i të cilit ekzekutoi urdhnin e Komandës Gjermane për masakrën e Borovës më 6 korrik 1943. “70 vite ma parë, deklaroi z. Burger, babaj im ka qenë në këtë vend dhe ajo çka ka ndodhur në 6 korrik 1943 në Borovë, mua më sjellë pamjen e babajt vërdallë. Ai nuk tregoi kurr për Borovën, nuk fliste zakonisht për luftën shkatërruese, e cila kishte sjellë shumë dhimbje, dëshprim dhe urrejtje për shumë njerëz në Europë. Vetëm dy vjet ma parë dhe nji vit mbasi babaj im kishte vdekur, munda të gjej ditarin e babajt tim, i cili fliste për Borovën. Ishte nji keqardhje shumë e thellë, dhe nuk mund të përshkruej ndjenjat e mia nga ajo ditë, dhe veçanërisht sot. Nuk jam këtu të zvogloj dhimbjen dhe keqardhjen. E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj është që të ndaj këto përkujtime me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babaj im këtu. Kurr nuk do të harroj të kaluemen, por sot së bashku, si qytetarë europianë, së bashku të ndërtojme urat e miqësisë që janë të domosdoshme për të ardhmen tonë dhe të fëmijve”, deklaroi Marcus Burger. Tue lexue komentet e bame për këtë njoftim, kuptohet lehtë efekti bamirës i aktit çlirues të qytetarit gjerman Marcus Burger. “Masakra ishte e tmerrshme, falja që kërkoi djali i gjermanit mendoj se është qytetari”. “Qytetar i vërtetë gjerman. Bravo!”. “…Nji gjerman që gjen përgjegjsinë e babajt vjen e kërkon falje. Na mungon civilizim në këto toka!” etj. Revista amerikane “TIME” (26 nandor 2012, f.64) përmbante nji pyetsor me 10 pika për zonjën Katrin Himmler, mbesë e kryekriminelit nazist Himmler, shef i shërbimeve sekrete të kryekriminelit A. Hitler, e martueme me nji djal izraelit. “(Me jetue me këtë trashëgim)… ka qenë gjithherë nji peshë e randë për familjen tonë, – deklaroi ajo, – “por babaj im fliste gjithherë haptas (për krimet naziste të xhelatit Himmler). Filmi ‘Holokaust’ më tronditi dhe kuptova se xhaxhai ka qenë përgjegjës kryesor”. E pyetun se çfarë mendon ajo për zonjën Betty Goering, mbesë e ish mareshalit nazist Herman Goering, që ka vendosë mos me lindë fëmijë, kështu që të shuhet kjo farë e keqe, zonja K. Himmler përgjegji: “Ka shumë të tjerë fajtorë të krimeve të tyne në Gjermani që kanë vendosë mos me lindë fëmijë…. Por unë mendoj se nji mentalitet i këtill influencohet nga ‘teoria e gjakut të pastër’ nazist. Për mue, tha ajo, ka randësi natyra e edukimit dhe kalimi i përvojës sime te të tjerët”. E pyetun për djalin e saj 13-vjeçar, ajo përgjigjet se ai din gjithçka (nga shkolla), por nuk ashtë problem i mprehtë për mue. Unë vuej ende!”. E pyetun si ndjehet që ka martue me nji izraelit, baba i të cilit ka mbijetue Holokaustin, ajo u përgjegj: “…Na bisedojmë haptazi për këtë… Prindët tonë, nga të dy palët, janë mendjehapun dhe tolerantë. Prindët tonë janë miq të mirë. Të dy familjet tona janë të bindun se nuk ndihmon nji ndamje e botës në ‘të mirë’ dhe në ‘të këqij’ mbas kaq breznishë, por ashtë e nevojshme me komunikue njeni me tjetrin”. Gjatë qëndrimit tim si student në Universitetin Sorbonne të Parisit (1970-1971) kam pasë rastin të shoqënohem me nji studenteshë gjermane që punonte, ashtu si unë, në tezen e doktoratit. Le ta quejmë Marlenë. Gjatë nji bisede miqësore, i tregova se ishe refugjat politik, ish-i dënuem nga regjimi komunist në Shqipëri. Gjendja e ime rriti kuriozitetin e Marlenës dhe nevojen për bisedë politike. Marlene me tregoi se ishte largue definitivisht nga familja e prindëve për arsye të natyrës morale. “Babaj im, më tregoi ajo, ka qenë zyrtar i naltë civil gjatë regjimit nazist në Gjermani. Ai nuk ka qenë as anëtar i Partisë Nacional-Socialiste, as në shërbim të policisë së mshehtë naziste. Po unë, vazhdoi ajo, e informueme për diktaturën naziste dhe krimet e saj të pafalëshme, nuk mund të pranojshe spjegimet e shfajësimit të babës. Nji ditë diskutimi u acarue. Unë humba durimin dhe i thashë babajt haptazi: ’Nuk mund të banoj bashkë me ty nën të njëjtën çati!’. Mora valixhen dhe që nga ajo ditë nuk kam komunikue me prindët e mi. Edhe sot unë e dënoj randë babajn tim…”. Atë ditë kuptova si duhet shkallën e naltë të procesit të de-nazifikimit në Gjermani. Masakra e Borovës e 6 korrikut 1943 dhe regjimi diktatorial i PPSH/PPSH për 45 vjet të gjata në Shqipëri janë dy pamje që përjashtojnë njena-tjetrën: bota e viktimës së pafajshme nga njena anë, dhe bota e krimit të pajustifikueshëm nga ana tjetër. Për fat të keq, kjo botë e krimit zgjati shumë; dy brezëni lindën dhe u rritën nën hijen e katër kalorësve të Apokalipsit komunist: gënjeshtër, urrejtje, terror dhe vorfëni. Viktimët e këtij absurditeti monstruoz e megjithatë të dëshiruem, janë akoma gjallë. Dhe akoma ma keq: fajtorët e krimeve makabre të kryeme nga komunistët në Shqipëri – nëse nuk kanë vdekë – kanë lanë mbrapa nji brezëni të papjekun dhe të pandërgjegjshme për përgjegjësinë e krimeve të prindëve të tyne. “Shteti” shqiptar ka dështue plotësisht në përpjekjen e tij me demaskue nji të kalueme sa të turpshme, aq edhe kriminale. As krimi, as krimineli nuk janë vue përball ligjit. Asnji masë edukative nuk ashtë ndërmarrë me nxjerrë në dritë të vërtetën tronditëse, dhe me riedukue rininë shqiptare me frymën e përgjegjsisë ndaj shoqënisë, dhe domosdoshmëninë e shtetit ligjor. Shkollat dhe tekstet shkollore, muzeumet, institucionet kulturore dhe artistike, klubet, shoqënitë e ndryshme nuk kanë marrë përsipër demaskimin e murtajës komuniste dhe rindërtimin moral të shoqënisë shqiptare, sot akoma e smurë, ndërsa në Gjermani dënohet me burgim shpërndamja dhe botimi i materialeve naziste, në Shqiperi kemi pesë parti politike që përpiqen me ringjallë “të kaluarën komuniste” dhe lejohen nga ligji. Funerale madhështore mbahen për kryekriminelë. Prandej, shqiptarët janë sot dëshmitarë të fenomeneve negative të “respektit” për diktatorin dhe diktaturën, tue vra kështu përfundimisht ndërgjegjen e shqiptarit me dinjitet. Lënia mbas dore e ish-të persekutuemëve – e sidomos poshtërimi zyrtar i grevistëve që sakrifikuen jetën për të drejtat e tyne, – janë sjellje skandaloze dhe të pafalshme. Sot Gjermania ndihmon procesin e pajtimit dhe të faljes së fajit sepse ka ndërgjegjen e pastër që ka de-nazifikue vendin. Shqipëria vuen akoma nën peshën e ndjesive të urrejtjes dhe mospërfilljes… pa shpresë përmirësimi. Pavarësisht nga orientimi politik i seicilit nga ne, mendoj se herojt, dëshmorët dhe të persekutuemit gjatë 45 vjetëve të terrorit të murtajës komuniste në Shqipëri janë sot heroj të rezistencës antidiktatoriale dhe duhen shikue si “kapitali moral i shoqënisë demokratike shqiptare”. Ashtu si kanë qenë herojt e rezistencës kundër okupatorit gjatë pushtimit fashisto-nazist. Ata që mbijetuen janë bërthama e shëndoshë e nji shoqënie civile shqiptare, elementi ma i përshtatshëm për ndërtimin e Shqipërisë së re demokratike. Ashtu si janë… “leckamanë”! Shtypje e mjerime të pabesueshme kanë pësue “leckamanët” e sotshëm për 45 vite të gjata: burra, gra, fëmijë, familje të tana që nuk thyen asnji ligj, që nuk shkaktuen asnji dam, dhe që kontribuen fuqimisht e në çdo mënyrë në ndertimin e vendit të tyne, vendit tonë të përbashkët, në mirëqenjen e popullit të tyne, me pranga në duer, me kamxhik në kurriz dhe me vendosmëninë e patundun me mbrojtë këtë tokë Nane – që i përbuzi gjatë gjithë jetës së tyne….! Kjo ashtë edhe tragjedia e tyne! Sot ata nuk ndigjojnë fjalën ma fisnike: “Kërkojmë falje!”. Dhe as që do ta ndigjojnë nga ata që përsërisin: “Nuk e ndiej veten fajtor! Nuk kam ba asnji faj!”. Dhe mbas pak vitesh, nuk do të mbetet viktimë e gjallë që ta ndigjojë shprehjen “Kërkojmë falje!”. Por kjo mund të arrihet vetëm kur të ndërgjegjsohemi ashtu si populli i qytetnuem gjerman!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: nga Gjermania, nji qytetnim qe nderon, Sami repishti

Avokati i Popullit do të kërkojë hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit

July 10, 2013 by dgreca

Igli Totozani, Avokati i Popullit , i ka deklaruar  RTV Ora News se duhet të mbyllim llogaritë me të kaluarën, do kërkojmë hapjen e dosjeve të ish-sigurimit/

Avokati i Popullit do t’i bashkangjitet nismës së shoqërisë civile për krijimin e një ligji të ri lustracioni. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Avokati i Popullit Igli Totozani deklaroi se shoqëria shqiptare e ka nevojë imediate të mbyllë një herë e mirë llogaritë me të kaluarën e saj të periudhës komuniste. Duke marrë shkas edhe nga vizita e tij në Gjermani, Totozani tha se përvoja gjermane e hapjes së dosjes së ish-Shërbimit Sekret të Gjermanisë Lindore (STASI) do të jetë një ndihmë e çmuar në tentativën e radhës që shoqëria civile në Shqipëri do të bëjë për të hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit.

“Vizita në Gjermani ishte një vizitë e mrekullueshme. Diskutuam çështje që na interesojnë të dy palëve, mes tyre dhe kjo e të kaluarës komuniste. Pamë vendin ku ruhen dosjet e Gjermanisë Lindore. Kemi mbetur shumë të kënaqur në lidhje me qytetarinë dhe civilizmin në mënyrën si e kanë diskutuar këtë të kaluar. Edhe ne jemi pro hapjes së dosjeve, në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile për të vendosur një qartësi për të kaluarën tonë ish komuniste. Do jetë një iniciativë e shpejtë, pasi ka nisur ndërkohë nga shoqëria civile dhe Avokati i Popullit do ta mbështesë. Duhet të mbyllim llogarinë tonë me të kaluarën tonë të periudhës së komunizmit” deklaroi ai.

Totozani ndau me Ora News një tjetër shqetësim, atë të emigrantëve në Greqi, në mënyrë të vecantë problematikën e të dënuarve shqiptarë atje. I kthyer vepër para disa ditësh nga Athina, Totozani tha se janë rreth 2500 shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet greke, të cilët ndeshen më probleme, si pamundësinë për tu transferuar në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri, nuk përfaqësohen gjithmonë me avokat në pamundësi për të paguar një të tillë, kanë shkëputur marrëdhënie me familjarët, të afërmit madje edhe me gjuhën shqipe, e mbi të gjitha askush nga autoritetet shqiptare nuk ka parë nga afër se si jetojnë ata.

Në këtë situatë Totozani thotë se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të forcojë dhe financojë strukturat, si psh Ambasadat tona jashtë vendit për rolin e madh që këto institucione duhet të luajnë.Gjithashtu Avokati i Popullit thotë se këta të burgosur më shumë se kurrë kanë nevojë për shtetin shqiptar.

Jo më pak shqetësuese janë edhe kategoritë e emigrantëve që kthehen nga shteti helen, apo ata që jetojnë dhe punojnë atje,për të cilët parashtroi problematikat dhe masat që duhet të merren në këtë drejtim.

“Për këto që kthehen por krijohet një raport për të pasur lehtësira të mirëseardhjes. Shqipëria nuk ka një strategji për emigracionin, po punohet diku për një agjenci integrimi. I kemi kërkuar kryeministrit Berisha që të punojë në këtë drejtim. Po pregatisim një numër të madh dosjesh, për ti paraqitur në takimin më të afërt me Kryeministrin e ri, po ashtu dhe në parlament. Elementi i dytë janë emigrantët që janë jashtë, problemet më të mprehta të tyre janë toponimet, periudha e pensionit” tha më tej Totozani, ndërsa shtoi se sëbashku me homologun e tij grek janë dakordësuar për bashkëpunim në funksion të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të tyre në vendet respktive.

Jashtë vëmendjes së Avokatit të Popullit nuk ka mbetur edhe procesi zgjedhor që sapo lamë pas, ku sipas tij pranimi i rezultatit dhe pjesmarrja masive e qytetarëve në votime ishin dy risitë që i dhanë impakt pozitiv këtyre zgjedhjeve. Duke u ndalur në rolin e këtij institucioni gjatë procesit, Totozani nëvizoi se edhe pse ishte vënë në shërbim të qytetarëve për të pritur ankesat, ka pasur vetëm 5 të tilla.

“Pranimi i rezultatit nga të dy palët dhe pjesmarrja masive në votime e qytetarëve ishin dy risi që i dhanë një impakt pozitiv këtyre zgjedhjeve. Gjatë periudhës zgjedhore ne kemi pasur një aktivitet të caktuar të bazuar në ligjin e Avokatit e Popullit, kemi pritur ankesa për veprime apo mosveprime të administratës, kemi pasur shumë pak realisht, 5 ankesa. Por kemi gjurmuar të gjithë informacionet që na vinin nga shtypi dhe burime të ndryshme, jo të gjitha kanë rezultuar të vërteta. Kemi nisur një sërë rekomandimesh për adresimin e këtyre problemeve”deklaroi ai.

E ndërsa shpesh është etiketuar si zgjedhje e Partisë Socialiste, Totozani nuk ka hezituar ti bëjë të qartë opinionit publik përqasjen që do të ketë ai me qeverinë e ardhshme socialiste në shtator.

“Unë e falenderoj opozitën për zgjedhjen që më bëri një vit më parë, që u vlerësua masivisht. Institucioni jonë është munduar të bashkëpunojë me qeverinë gjatë gjithë kësaj kohe, ne jemi institucion i pavarur. Ne duhet të bashkëpunojmë me cdo qeveri, por s’duhet të na mungojnë kritikat. Igli Totozani ju konfirmon që do jetë i njëjtë edhe në pjesën e mbetur të mandatit të tij, duke bashkëpunuar me qeverinë e ardhshme, por dhe duke kritikuar fort në raste shkeljesh”.

Lidhur me këmbanën e alarmit për rikthimin e regjimit të vizave, por që tashmë duket gjithmonë e më afër konkretizimit, Totozani tha:

“Kam informacion, kemi bërë takime lidhur me këtë shqetësim. Ajo që konkludojmë ne është një fakt i thjeshtë, ka një rritje të ndjeshme të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe koncidojnë me problemet që ne kemi ngritur gjatë kësaj kohe, si gjakmarrja , dhuna, romët. Ka dhe minorenë që kërkojnë azil në vendet e BE pa prindërit e tyre. Unë kam dhënë urdhër për krijimin e një grupi të punës për ti paraqitur një raport të plotë parlamentit lidhur me këtë problematikë”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: hapja e dosjeve, Igli Totozani, ndarje nga e kaluara

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5350
  • 5351
  • 5352
  • 5353
  • 5354
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT