• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Format klasike të pedagogjisë

July 10, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj

Universiteti Qiriazi/

Leksioni dhe seminari janë dy nga format më të spikatura dhe më të njohura të mësimdhënies. Në thelb, leksioni mund të cilësohet si pedagogji jo-ndërvepruese, ndërsa seminari si pedagogji ndërvepruese. Në pamje të parë, leksioni është jo i ndërsjellë, asimetrik dhe i pabarabartë për sa i përket komunikimit dhe marrëdhënieve të pushtetit. Seminari, nga ana tjetër, tenton të jetë më i barabartë, më simetrik dhe i ndërsjellë. Në seminar, mësimdhënësi ushtron më pak pushtet mbi nxënësit/studentët sepse kjo formë e mësimdhënies bën të mundur që pushteti të qarkullojë dhe të ushtrohet te të gjithë në mënyrë më të barabartë. Nga ana tjetër, në leksion, folësi i vetëm është mësuesi/pedagogu, ndaj pushteti përmes diskursit/ligjërimit ushtrohet vetëm në një drejtim, nga mësuesi te nxënësit. Në fakt, po të bazohemi tek idetë e filozofit francez Michel Foucault, vëmë re se marrëdhëniet reale të pushtetit në klasë ose auditor funksionojnë ndryshe. Sipas Foucault, leksioni është më i sinqertë dhe më pak “dinak” se seminari për sa i përket marrëdhënieve të pushtetit sepse nuk përpiqet të fshehë apo kamuflojë pushtetin që ka mësimdhënësi, dhe pushtetin që ushtrohet në klasë/auditor. Për të qenë të qartë, në të dyja format e mësimdhënies ka në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie dhe ushtrim pushteti. Dallimi në marrëdhëniet e pushtetit fshihet pas pretendimeve të secilës nga dy metodat e mësimdhënies.

Studiuesi Roger Deacon argumenton se leksioni, i cili është një tentativë rreth pretendimeve të veta për të vërtetën, dhe që ekspozohet ndaj kritikave, mund të neutralizojë marrëdhëniet e pushtetit duke i bërë ato më të dukshme; ndërsa liria dhe reciprociteti i supozuar i seminarit mund të maskojë marrëdhëniet e pushtetit deri në atë masë që nxënësit/studentët të absorbojnë në mënyrë jokritike atë që është vetëm opinioni i informuar i mësuesit/lektorit.

Kur nxënësi apo studenti merr pjesë në leksion, ai është i vetëdijshëm për pushtetin e mësuesit/pedagogut. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, nxënësi/studenti përgatitet – ndonjëherë edhe pa vetëdije – të përballet me pushtetin e ushtruar nga mësuesi/pedagogu. Rrjedhimisht, duke qenë i vetëdijshëm dhe i përgatitur, ai është më pak i ekspozuar ndaj këtij ushtrimi pushteti mbi të. Nga ana tjetër, nxënësit/studentët marrin pjesë në seminar me mendimin se aty do të jenë pjesë e një procesi komunikimi ku të gjithë janë të barabartë dhe të lirë të flasin, dhe për rrjedhojë nuk ushtrohet pushtet mbi ta.

Në parim, seminari u jep të gjithëve mundësinë të flasin dhe të shprehen. Nga ana praktike, ai e bën mësimdhënësin më të barabartë me studentët. Në këtë mënyrë, seminari pretendon se aty ushtrohet më pak pushtet, pasi figura e pushtetit, pra mësuesi/pedagogu, bëhet pjesë e diskutimit me studentët. Kështu, studentët, duke parë formën e seminarit ku pedagogu nuk flet gjatë gjithë kohës, por bisedon me ta, instinktivisht bëhen më pak të vetëdijshëm për pushtetin që ushtrohet në seminar, dhe për këtë arsye janë të papërgatitur për të. Duke mos qenë të përgatitur për pushtetin që mund të ushtrohet mbi ta, nxënësit/studentët janë më të ekspozuar dhe më të prekshëm ndaj një pushteti të “fshehur” që mund të vijë nga mësuesi/pedagogu, por edhe nga vetë nxënësit/studentët e tjerë. Në seminar, nxënësit/studentët janë të lirë të flasin, por, edhe në këtë aspekt, mbi ta ushtrohet pushtet. Nxënësi/studenti ndjen trysninë e pushtetit që ushtrohet mbi të sa herë që ai duhet të flasë; kur kërkohet të jetë aktiv në klasë; ose në situata të tjera të mundshme që mund të lindin gjatë procesit mësimor ndërvepruese në seminar.

Përveç faktit që të qenit të pavetëdijshëm dhe të papërgatitur për ushtrimin e pushtetit i bën nxënësit më të prekshëm ndaj marrëdhënieve të pushtetit, ka, të paktën, edhe dy arsye të tjera pse në seminar trysnia dhe ushtrimi i pushtetit nuk zhduken apo dobësohen, edhe pse supozohet se të gjithë janë të barabartë dhe secili ka të drejtë të flasë ose të shprehet.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me vetë natyrën e pushtetit. Ai nuk ushtrohet vetëm nga mësuesi/pedagogu. Në marrëdhënie, pushteti mund të vijë nga kudo dhe çdokush mund të jetë subjekt i ushtrimit të pushtetit. Kështu, në seminar, pushteti mund të ushtrohet nga mësuesi/pedagogu dhe nga secili nxënës/student. Çdo student që flet në seminar ushtron pushtet mbi studentët e tjerë, madje edhe mbi vetë pedagogun. Për më tepër, për shkak se studentët, në seminar, duhet të flasin dhe të jenë aktivë, ata ndjejnë një trysni për ta bërë këtë edhe kur mund të mos kenë asgjë për të thënë. Është pushteti i mësuesit/pedagogut dhe i nxënësve/studentëve të tjerë në klasë që ushtrohet mbi nxënësin/studentin sa herë që ai merr vendimin për të folur ose jo. Nxënësi/studenti është nën pushtetin e reagimeve jo vetëm të mësuesit, por edhe të nxënësve/studentëve të tjerë. Pra, në seminar, nuk ka ulje të nivelit të pushtetit të ushtruar në klasë, por diversifikim dhe, mbase, rritje të tij. Ndoshta ka një ulje të dominimit të mësuesit/pedagogut, por dominimi është një koncept i ndryshëm nga pushteti.

Në seminar, pushteti i mësuesit/pedagogut mbi nxënësit/studentët nuk humbet, por vetëm kamuflohet. Marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në seminar mund të bëhet më e ngushtë dhe më miqësore sesa marrëdhënia e mësuesit/pedagogut me nxënësit/studentët në leksion. Në fakt, kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, sado miqësore apo informale, gjatë procesit mësimor në institucionet e arsimit, marrëdhënia mbetet hierarkike dhe zyrtare. Kjo do të thotë se statuset e pjesëmarrësve në klasë/auditor nuk ndryshojnë. Nuk ndryshon as statusi apo natyra e marrëdhënies së tyre. Marrëdhënia mund të ndryshojë formën, por statusi i pjesëmarrësve në këtë marrëdhënie mbetet i njëjtë. Rrjedhimisht, nuk ndryshon as thelbi dhe as funksioni i marrëdhënies. Edhe në seminar, mësuesi/pedagogu është ai që ka statusin e personit që mëson të tjerët, paçka forma e mësimdhënies mund të jetë e ndryshme. Për më tepër, për sa kohë që statusi i pjesëmarrësve në seminar nuk ndryshon, mësuesi/pedagogu mbetet autoriteti që vlerëson nxënësit/studentët. Pra, mësuesi/pedagogu, duke përdorur notat, ka ende fuqinë për të “ndëshkuar” nxënësit/studentët që nuk performojnë mirë ose për të “shpërblyer” ata që performojnë mirë. Nxënësit/studentët janë vazhdimisht nën trysninë e vlerësimit, ndaj, për pasojë, janë deri diku nën pushtetin e atij/asaj që i vlerëson për atë që ata thonë ose nuk thonë. Pra, do të ishte naive të pretendohej se pushteti i mësuesit/pedagogut në seminar zhduket apo minimizohet.

Argumentet e parashtruara më sipër, në lidhje me ushtrimin e pushtetit brenda klasës apo auditorit në institucionet arsimore, tregojnë se ndryshimi i teknikës së mësimdhënies nga leksioni në seminar nuk e zvogëlon detyrimisht ushtrimin e pushtetit. Seminari, si formë pedagogjike, mund të jetë më i përshtatshëm për t’u përdorur për trajnime rreth metodave; mësime dhe trajnime profesionale e teknike, sesa për të nxitur apo zhvilluar mendimin e lirë dhe kritik. Nga ana tjetër, leksioni, i cili i jep nxënësit/studentit më shumë hapësirë dhe liri për të menduar – pa ushtruar trysni rreth nevojës për të folur shpesh dhe shpejt siç ndodh në seminar – mund të jetë më i përshtatshëm dhe më i vlefshëm për t’iu mësuar nxënësve/studentëve lëndë teorike që kërkojnë një mendim më të thellë për t’u kuptuar dhe përvetësuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viliem Kurtulaj

Kryebashkiaku i New York-ut Eric Adams takoi bizneset shqiptare në “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” way

July 9, 2023 by s p

Halil Mula/

Në “Arthur Avenue” në Bronx, lagje kjo ku veprojnë shumë biznese me pronarë shqiptarë, në Bato Caffe and Wine në Gjergj Kastrioti Skenderbeu way, kryebashkiaku i New York – ut Eric Adams takoi biznesmenë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar me të cilët bisedoi për qasjen dhe koordinimin bizneseve me Zyrë e tij për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Me këtë rast kryebashkiaku Adams tha se e vlereson shumë komunitetin shqiptaro-amerikan. Mark Gjonaj është mik i mirë dhe përfaqësues i mirëfilltë i komunitetit shqiptaro amerikan në New York, tha Adams. Komuniteti shqiptaro amerikan është komunitet puntorë, vazhdoi ai, që beson në ëndrën amerikane, në familje, në bizneset e vogla, ne sigurinë publike, virtyte këto që e rreshtojnë me shumicën e njujorkasve dhe Amerikaëve. Ndihem mirë kur jam mes shqiptaro-amerikanëve që më kanë përkrahur gjithmonë dhe unë i vleresoj ata shumë. S’do mend se ka arsye që më quajnë mayor-i shqiptar i New York-ut përfundoi kryebashkiaku Adams.

Filed Under: Politike Tagged With: Halil Mula

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti

July 8, 2023 by s p

New York, 7 Korrik 2023- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti. Në takimin e përzemërt e vëllazëror, së bashku me z.Berisha në takim ishin personalitete të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si z.Harry Bajraktari, Musa Dakaj, Halil Mula etj. Temë kryesore e diskutimit ishte situata e tensionuar në veriun e Kosovës, sfidat me të cilat ndeshen institucionet në Kosovë, sfidat e qeverisjes vendore në Kosovë, roli i shqiptaro-amerikanëve në ngjarjet vendimtare dhe historike ku ka kaluar Kosova e kombi shqiptar etj. Kryetari i Komunës së Vitisë z.Sokol Haliti ftoi miqtë dhe shtroi idenë e rritjes gjithnjë e më të madhe të investimeve të shqiptaro-amerikanëve për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, zhvillimin e punësimit dhe tregjeve në Kosovë. Z.Haliti u shpreh falënderues dhe mirënjohës për gjithçka që mërgata e Amerikës ka bërë për Kosovën duke filluar nga Vatra e çdo individ apo shoqatë patriotike që ka mbështetur Republikën e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe popullin e Kosovës në përballje me sfidat e përditshme për mirëqenie e progres.

Filed Under: Komunitet

SHBA i kërkon sërish Serbisë të hetojë vrasjet tre shqiptaro-amerikanëve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi

July 8, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York/

Ambasada e SHBA-së në Beograd përsëriti thirrjen e Uashingtonit për një hetim të plotë mbi vrasjet e tre vëllezërve Bytyqi, të dyshuara nga policia serbe, në përvjetorin e 24të, të vdekjes së tyre.

WASHINGTON: Sot bëhen 24 vjet që kur tre shtetasit amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u ekzekutuan në paraburgimin e policisë speciale serbe. Kan kaluar 24 vite dhe familja e pikëlluar Bytyqi, nuk ka gjetur as edhe një farë ngushëllimi të paktën “sa për të thënê” nga sërbia, se drejtësia u vendos në vend. Por kaloi edhe një vit dhe sistemi serb i drejtësisë ende nuk ka mbajtur askënd përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm lufte, dhe nuk tregon të vërtetën.

Duket se jo vetëm familja, por edhe qeveria amerikane, komuniteti shqiptar në SHBA nuk mundet të heshtë për tri shtetasit e saj të ekzekutuar 24 vjet më parë, teksa kanë thënë : “Ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjësi nga ndaj atyre që kanë kryer këto tri vrasje.”

Vrasja e vëllezërve Bytyqi, është kujtuar sot me një mesazh të fortë drejtuar Serbisë, nga ana e ambasadës amerikane në Beograd, ku SHBA i bën edhe një herë thirrje të fortë Serbisë: “Mos mbajtja e tyre përgjegjëse për këtë krim brutal lufte, është fyerje për shtetin e së drejtës” thotë ambasada amerikane në Beograd.

Ambasada Amerikane në Beograd, në këtë përvjetor, i ka kërkuar Serbisë zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e 3 vëllezërve, të cilët ishin shtetas amerikanë.

Në dekleratën e ambasadës amerikane me 7 korrik, përkatësisht këtë të premte, kur shënohet 24 vjetori i vrasjes së tre vëllezërve Bytiqi në Serbi, thuhet :

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyqi janë ekzekutuar gjatë ndalimit nga policia speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte, i cili është fyerje ndaj shtetit të së drejtës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Serbisë edhe një herë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të vërë para drejtësisë ata që kanë kryer këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje derisa drejtësia të vihet në vend”, deklaron ambasada amerikane në Twitter.

Kujtojmë se Agroni, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, u larguan nga SHBA për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u arrestuan në vitin 1999, me argumentin e kalimit të paligjshëm të kufirit nga pala serbe.

Vëllezërit u liruan nga burgu dhe më pas u vranë. Trupat e tyre u gjetën në një varr masiv pranë Petrovo Sello në Serbinë lindore në vitin 2001, shkruan ambasada amerikane në Beograd.

Filed Under: Politike

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Bashkisë së New York z.Eric Adams

July 8, 2023 by s p

New York, 7 Korrik 2023 – Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Bashkisë së New York z.Eric Adams. Në ambientet e një biznesi të ri e të suksesshëm shqiptar “Bato Coffee and Wine” në Bronx, kryetari i Bashkisë së New York-ut Eric Adams zhvilloi një bisedë informuese dhe falënderuese me bizneset shqiptare në Bronx duke i vlerësuar për shërbimin, fuqizimin ekonomik, rritjen e punësimit, forcimin e pozitave në fushat përkatëse dhe ndihma e madhe në zinxhirin ekonomik të qytetit e shtetit të New York-ut. Kryebashkiaku Adams i çmoi shqiptarët në këtë takim ekonomik si njerëz punëtorë të mëdhenj, të ndershëm, të devotshëm, të përkushtuar, e dinjitozë. Sipas z.Adams, New Yorku ka më shumë siguri publike, zhvillim e cilësi jete falë edhe punës së shkëlqyer të komunitetit shqiptar. Z.Adams u dha garanci dhe i ftoi bizneset shqiptare që të rrisin kapacitetet, të shtojnë ofertat në mënyrë që duke rritur shërbimet për konsumatorët të rrisin e forcojnë tregun, ekonominë familjare dhe shtetërore.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1775
  • 1776
  • 1777
  • 1778
  • 1779
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT