• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ADEM DEMAÇI: “E PARA ËSHTË FJALA E LIRË – HAPI I DOMOSDOSHËM DREJT DEMOKRACISË

June 21, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

ADEM DEMAÇI: “Në Librin e shenjtë thuhet: ‘E para ishte fjala’. Në kohën tonë mund të themi: “E para është fjala e lirë” — si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. 

Në fjalimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të mërkurën që kaloi para Parlamentit Evropian në Strasburg, Vjosa Osmani kujtoi dy figura të njohura të historisë kombëtare moderne të shqiptarëve; Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, të dy fitues të Çmimit Sakharov, të përzgjedhurur nga Parlamenti i Evropës. Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci s’ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion nga Rugova, por janë dhe vizion i popullit të Kosovës | Gazeta Telegraf 

Në vitin 1991, Parlamenti Evropian i ka dorëzuar Adem Demaçit Çmimin e lartë, Sakharov — për integritetin e tij në kundërshtimin e një regjimi autoritar – ish-regjimit diktatorial komunist jugosllav.  Duke cilësuar Çmimin si një nderim ndaj popullit të Kosovës, Demaçi ka deklaruar, ndër të tjera,  me atë rast se, “Liria e fjalës është hapi i parë jetik drejt demokracisë.  Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetën, përparimi nuk është i mundur”, është shprehur ish i burgosuri i regjimit komunist jugosllav, Adem Demaçi.  Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Aktivisti i të drejtave të njeriut dhe shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën 55 vjeçare mori çmimin prestigjioz, Sakharov të Parlamentit Evropian, për përkushtimin e tij, ndaj të drejtave të njeriut dhe si mbrojtës i lirisë së fjalës. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, Demaçi u ka thenë parlamentarëve evropianë se, “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.  Në atë kohë, Demaçi ushtronte, nën rrethana shumë të vështira, detyrën e Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  Për shkak të shkrimeve dhe pikëpamjeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet ish-jugosllave. 

A group of men sitting at a podium

Description automatically generated with low confidence                     Adem Demaçi duke folur në Parlamentin Evropian, 1991

Në fjalimin para parlamentarëve evropianë, Demaçi ka theksuar nevojën për lirinë e fjalës, si diçka të domosdoshme për demokracinë, ndërsa ka denoncuar dhunën dhe shkeljen brutale të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Fjalimi i Demaçit në Strasburg në vitin 1991 konsiderohet ende si një prej fjalimeve më historike në Kosovë dhe në trojet shqiptare – në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.


Ishte pra rëndësia që ai i kushtoi lirisë së fjalës dhe lirisë së të menduarit, si tema më e rëndësishme e fjalimit të tij me atërast, ajo që tërhoqi atëherë dhe sot vëmendjen e atyre që e dëgjuan por edhe kur lexohet sot ai fjalim është tepër aktual për botën shqiptare, pasi liria e fjalës dhe e shtypit të lirië, mbetet ende një sfidë që po pengon zhvillimet demokratike në trojet shqiptare – megjithë shmebjen e komunizimit zyrtar mbi 30-vite të kaluar.  Demaçi e pat filluar fjalimin e tij para Parlamentit Evropian duke cituar Biblën: “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet, ka shtuar ai; “E para është fjala e lirë, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. “Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progress”, u ka thënë Adem Demaçi parlamentarëve evropianë në vitin 1991, në mbrojtje të lirisë së fjalës, si një e drejtë bazë e njeriut, pa të cilën nuk funksionon demokracia:

“Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.

“Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të Fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni edhe tingullin e Fjalës së Lirë Shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi”.  Adem Demaçi i ka cilësuar “dashnorët e fjalës së lirë”, si individët më të pasionuar ndaj lirisë së fjalës, si “dashnorët më të flakët në botë”, e si të tllë, “ata janë të pathyeshëm e sypatrembur”, u ka thënë Demaçi parlamentarëve evropianë më shumë se 30-vite më parë. 

Demaçi ka cilësuar ish-disidentin dhe ish-akademikun e kohës sovjetike Andrei Sakharov, emrin e të cilit bartë Çmimi që iu akorduar Adem Demaçit nga Parlamenti Evropian – si një “dashnor i fjalës së lirë”.  Që sipas tij, “Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin atë nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë. Ai vdiq, por fjala e lirë nuk i tradhton kurrë dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën ata të pavdekshëm”, ka theksuar Adem Demaçi.

Adem Demaçi përfundoi fjalimin e tij të 4 dhjetorit, 1991 me një apel dreejtuar deputetve të Parlamentit Evropian:

Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve, bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”, përfshir këtu edhe botën shqiptare, e sdidomos botën shqiptare sot!  Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja”, -ka këshilluar Adem Demaçi.

 “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28-vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, konsiderohet, gjerësisht, se Adem Demaçi mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.

Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Adem Demaci gjatë jetës së tij njihej si kundështar i madh i regjimit komunist serbo-jugosllav. I quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës

June 21, 2023 by s p

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media

Prishtinë, 20 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë mbajtur sot konferencë për media.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Kurti në konferencën për media:

Të nderuara medie,

Të dashur qytetarë,

Mirëdita dhe ju falemnderit që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë të ftuar së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonjën Donika Gërvalla- Schwarz.

Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës. Ky akt agresioni i pashembullt nga formacionet ushtarake policore të Serbisë është hakmarrje direkte ndaj Policisë së Kosovës, vetëm e vetëm sepse po luftohet krimi i organizuar, dhe që ka për synim destabilizimin atëherë kur veç një ditë para, pra më 13 qershor, patëm propozuar planin pesë pikësh për deeskalim të plotë të situatës në veri të vendit tonë.

Arrestimi i kapos të krimit të organizuar dhe njërit prej krerëve të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, strukturë ilegale kjo e Serbisë në Kosovë, Milun Milenkoviç – Llune, shfaqi efikasitet të jashtëzakonshëm, dhe nga ana e Serbisë u përcoll me hakmarrje ndaj aksioneve për sundim të rendit dhe ligjit në Republikën tonë. Një ditë pas arrestimit, Serbia pra, përdori instrumentin më qyqarë e të kundërligjshëm ndërkombëtarisht, pra atë të rrëmbimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Për këtë hakmarrje çnjerëzore, kemi kërkuar denoncim të hapur dhe kundërshtim me forcën e ligjit nga të gjithë partnerët tanë.

Në vendin e ngjarjes ka qenë Policia e Kosovës, ka qenë edhe KFOR-i, aty kanë gjetur gjurmët e çizmeve, këpucë të huaja në drejtim të Serbisë, kanë gjetur edhe prangat lidhëse të plastikës së forcave të Serbisë.

Rrëmbimi është zhvilluar me plan, me njerëz të armatosur që i përkasin dy formacioneve, atij të Njësitit Special Antiterrorist, që njihet me akronimin “SAJ”, dhe të formacionit të Njësive Ushtarake Speciale, që njihen me emrin “Kobra”.

Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi, duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga, kanë qenë pikërisht në vendin ku tashmë kemi njoftuar në konferencën e 15 qershorit, unë bashkë me ministrin Sveçla, pas Mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pra 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, në pjesën veriperëndimore, 670 metra larg në veri –verilindje nga kufiri me Serbinë dhe 300 metra në jugperëndim të kufirit sërish larg prej Serbisë, e në brendi të territorit të Kosovës.

Vendngjarja e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës ka ndodhur në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi në Serbi, bëhet fjalë për rrëmbim në Kosovë. Për rrëmbimin, janë kontaktuar të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që policët tanë të lirohen sa më parë dhe të kthehen në vendin e tyre.

Këtu një punë të jashtëzakonshme e ka bërë pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për çfarë unë e falënderoj zëvendësen time dhe Ministren Gërvalla dhe gjithë ekipin e saj, e ambasadorët e diplomatët tanë të tjerë të shërbimit tonë të jashtëm për komunikimin që kanë zhvilluar, për letrat që kanë dërguar në mënyrë që të ngritët një valë e drejtë ndërkombëtare që kërkon lirimin e menjëhershëm e të pakusht të tre policëve të rrëmbyer.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, me shefin e zyrës, ambasadorin Jetish Jashari. Ai ka qenë në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ambasadori Jashari sot i ka vizituar të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia, i ka vizituar ndaras njërin pas tjetrit. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Janë tri rrëfime ndaras identike të tre njerëzve të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit me 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga njëri-tjetri nga ambasadori ynë, Jetish Jashari. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata të cilët dëshirojnë të jenë skeptikë për të drejtën e Kosovës, se Serbia ka zhvilluar agresion me 14 qershor dhe ka rrëmbyer tre policët tanë.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Edhe një herë pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor, pra 1 kilometër në brendi nga njëra anë, 300 metra nga ana tjetër dhe 670 metra nga ana tjetër. Pra, gjithsesi në brendi, vetëm 7 metra larg veturës së tyre.

Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, dhe dëshmia e tre policëve tanë, dokumentojnë qartë se zyrtarët e Policisë së Kosovës, pra ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, aty ku është mbyllur njëra nga 16 rrugët ilegale, që janë mbyllur në vitin e kaluar. Pra rrugët ilegale duhet të ngelen rrugë ilegale të pakapërcyeshme, prandaj edhe i kemi pasur policët aty.

Ne jemi Republikë demokratike dhe këtu kemi sundim të ligjit, nuk ka as nënshtrim e as kthim mbrapa. Jemi në të drejtën tonë të respektimit të kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë, për shtet të së drejtës, kundër asnjë qytetari ose komuniteti, por në mbrojtje të ligjit dhe të rendit.

Edhe një herë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen sa më parë, pa kushte dhe të pacenuar. Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës katër të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, më 9 qershor të vitit 1999.

Ju falemnderit shumë, e tash po ia kaloj fjalën Zëvendëskryeministres dhe Ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë, zonjës Donika Gërvalla Schwarz, e cila do t’ua shpjegojë më gjerësisht për informacionin që kemi marrur nga raportimi i ambasadorit tonë Jetish Jashari.

Filed Under: Politike

Përcjellja e aktorit

June 21, 2023 by s p

(Përshtatur në shqip nga Astrit Lulushi)/

Bernie Brillstein, agjent i John Belushit, duke komentuar jetën dhe vdekjen e John Belushit:

Një ditë në fillim të marsit 1982, unë fluturova me John Belushin nga Los Angeles në Martha’s Vineyard me një avion privat. Ne i kishim të gjitha. Ai ishte tridhjetë e tre vjeç. Unë isha pesëdhjetë e një. Akomodimet ishin të klasit të parë. Në fakt, John Belushi nuk kishte më jetë. Ai ishte shtrirë në dy ndenjëse të ngushta në avionin e vogël.

Destinacioni ynë ishte funerali i tij.

Të gjithë e donin John Belushin. Problemi ishte se ai nuk e donte veten aq sa të besonte se kishte vlerë në botë dhe se nuk ishte i pathyeshëm. Ndërsa televizori, më pas filmi, karriera e John Belushit u ngrit dhe fama e tij u rrit, kështu që bëri paaftësinë për të kontrolluar orekset e tij. Pasi u largua nga Saturday Night Live, jeta e tij humbi kontrollin dhe sjellja e tij e çrregullt u bë më e shpeshtë. Njerëz që s’e njihnin i jepnin drogë vetëm për t’u afruar. Dhe Belushi i konsumoi të gjitha. Nuk ishte thjesht një epsh tepër të madh për jetën; ai përpiqej të mbushte një vrimë brenda. Nëse Zoti nuk do të kishte krijuar drogën, John-i do të kishte gjetur diçka tjetër për të abuzuar Lorne dhe unë menduam se Belushi dëshironte dashuri dhe pranim. Unë mund të identifikohesha me këtë. Doja të njëjtat gjëra; ne të gjithë i duam. Por në vend që të përdor drogë, u bëra një menaxher personal.

Belushi në vitin 1976

Belushi mund të ishte, dhe shpesh ishte, një djalë i mrekullueshëm. Pjesën tjetër të kohës, teksa kujdesej drejt fundit, ai ose rrëzohej ose dilte nga kontrolli. Ata që kujdeseshin për të thoshin: ‘Ti po e lëndon veten dhe njerëzit që të duan’, por ai thjesht do të përpiqej të magjepste rrugën e tij pas paralajmërimeve.

E kam pyetur veten vazhdimisht nëse atëherë duhet të kisha provuar edhe më shumë. Përgjigja, mendoj, është jo. Shikoni Chris Farley-n, i cili gjithashtu vdiq nga një mbidozë droge kur ishte tridhjetë e tre vjeç — ashtu si heroi i tij, John Belushi. Ne përfaqësonim Farley. Menaxheri i tij, Marc Gurvitz, bëri gjithçka njerëzore për ta ndihmuar. Farley shkoi në rehabilitim aq shumë herë. Në fund ai bëri një gabim budalla dhe vrau veten.

Nuk ka asgjë më të dhimbshme sesa të shikosh një njeri që do të shkatërrojë veten. Nuk e di pse ndodh. Unë nuk jam psikolog, megjithëse ndonjëherë në punën time më sillem si i tillë. Mendoj se ka aq shumë arsye sa ka njerëz: Frika nga suksesi. Frika nga dështimi. Frika nga të qenit fals sjellje të tjera të çuditshme që janë të vështira për t’u imagjinuar. Madje edhe interpretuesit që nuk janë të çoroditur ndonjëherë veprojnë në këtë mënyrë, kështu që është e vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë ose sa serioze është – derisa ndonjëherë të jetë tepër vonë.

E dija vetë frikën, por më dukej se kishte pak lidhje me atë që e shtyu Belushin në skaj. Do të doja që para se ta humbnim, të më kishte thënë se çfarë e shtyu. Më besoni, e pyeta, edhe pse nuk është natyra ime për të bërë shumë pyetje personale. Mendoj se e nuk pyeta mjaftueshëm. Ndoshta nëse ai do të ishte më i shprehur për dhimbjen, ndoshta nëse do ta kishte ndarë atë, kjo nuk do të kishte ndodhur. Por ai i mbajti të gjitha “brenda në shishe deri sa u fryu tapa”.

Pas vdekjes së Belushit, Lorne Michaels i tha New York Times se John kishte ‘vështirësi për të kontrolluar orekset e tij’. Pasi u largua nga Saturday Night Live, Belushi jetoi në një mjedis me më pak kontrolle. Jam dakord. John ishte një personalitet i tepruar. Në zemrën e tij ai donte të bëhej një yll rock.

Në vend të kësaj, ai thjesht jetoi dhe vdiq si i tillë. Në Çikago ishte pothuajse e pamundur që John të dilte në rrugë.

Të gjithë e njihnin, e donin, e përqafonin. Një natë kur sapo ishim ulur ai tha: “Duhet të dal — por do të maskohet”. Ai mbante grim, kapele dhe syze të errëta. Shkuam në një lokal dhe u përziem me njerëzit. Pas gjysmë ore ai hoqi fasadën dhe tha: “Unë jam këtu!” Ai duhej t’i bënte të ditur. “Pije për të gjithë!” Pastaj, “Bernie, a ke njëqind dollarë?”

Belushi nuk bënte kurrë drogë para meje. Mendoj se jam si baba. Nëse dikush më ofronte drogë kur ishim bashkë, Belushi do t’i largonte dhe do t’i thoshte “Mos e ofendoni kurrë ashtu”

Natyrisht, e dija që ai bënte diçka – shumë njerëz drogoheshin në atë kohë – por për shkak se nuk e etiketova, nuk e kuptova kurrë shkallën e saj.

Photo: https://www.nytimes.com/…/john-belushi-documentary.html

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

SHQIPJA NË SYNORIN E STUDIUESVE TË HUAJ

June 21, 2023 by s p

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu/

Gjuha shqipe, si njëra ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit, bashkë me simotrat e saj: armenishten dhe greqishten e vjetër, gjatë historisë nuk pati fatin dhe aq të mirë. E folur aq herët, por e shkruar aq vonë – në shekullin XV, ajo dhe problemet e saj mbetën në duart dhe në mëshirën e studiuesve të huaj, e natyrisht, në mungesë të intelektualëve dhe studiuesve tanë (të shkollës shqipe), edhe matej, sigurisht, me kutet e tyre. Jo gjithherë kjo dhunti jona studiohej e studiohet, vetëm për të mirën e saj, por, në radhë të parë, ishte interesi i atyre studiuesve të huaj, për gjuhët e popujve të tyre – për studimet krahasimtare të gjuhëve indoevropiane, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe. Ndër ata dijetarë të huaj, që të parët ju rreken shqipes, pa dyshim se duhen përmendur: G. V. Lerbniz, F. Bopp, G. Majer, Gustav Vaigand, H. Pedersen, V. Cimohovski, F. Nopça, N. Jokël, H. Bariq, V. Pisani, K. Taliavini, A. Desnickaja, E. Hamp etj. Këtu nuk duhet lënë pa i zënë në gojë edhe studiuesit, si: Selishçev, J. Cvijiq, P.Skok, A. Urosheviq, M. Gërkoviq, J. Ristiq, I. Popoviq etj. (gjuhëtarë, historianë, demografë etj.), disa nga të cilët, me paragjykimet dhe detyrat që kishin marrë nga urdhërdhënësit e tyre, përpiqeshin e nxënësit e tyre përpiqen edhe sot, që përmes një “objektiviteti shkencor” të caktojnë, jo vetëm fatin e shqipes, si një dialekt ilir, pellazg, trakas ose edhe tjetër, por edhe për të treguar “shtëpinë tjetër” të shqiptarëve, të cilëve, në shekullin XX e në fillim të shekullit XXI, me objektivitetin më të madh shkencor, përgjigjen e duhur ua dhanë studiuesit tanë, me në ballë profesor Çabejn në Shqipëri e profesor Ajetin në Kosovë.

Po i qasemi kësaj teme, Shqipja në synorin e studiuesve të huaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm, të 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, organizuar në kuadër të “Javës së Albanologjisë”, i cili institucion shkencor, me gjithë trajektoren e lakuar jo rrallë gjatë historisë së tij, të sfidave më të ndryshme që e përcollën në çdo hap të veprimtarisë, ia doli mbanë, e besojmë se do t’ia dalë mbarë edhe në të ardhmen me këtë staf të ri e entuziast që ka sot dhe bashkëpunëtorët e jashtëm vullnetmirë që ka e do të ketë gjithmonë.

T’i kthehemi temës në fjalë me një pohim të profesor Shaban Demirajt se “shqipja, si një gjuhë e gjallë i.e., u ka qëndruar rrebesheve të kohës, me gjithë trysnitë e forta dhe të gjata të greqishtes, latinishtes, sllavishtes dhe turqishtes”. Problemet kryesore të trajtuara për një kohë të gjatë ishin:

1. Prejardhja e gjuhës shqipe (tezat e hipotezat rreth saj)

2. Vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane

3. Çështje dialektologjike, onomastike si dhe

4. Aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe etj.

Interesimi për shqipen dhe shqiptarët, në krye të herës erdhi nga studiuesit gjermanë, siç edhe dihet, të prirë nga filozofi, shkencëtari, matematikani, diplomati dhe juristi Gotfrid Vilhelm Lajbnici, i cili, përkitazi me prejardhjen e kësaj gjuhe dhe vendin e saj ndër gjuhët e tjera të familjes së gjuhëve indoeurpiane, dha ndihmesa të çmuara për kohën.

Hipoteza më e përhapur lidhur me burimin e gjuhës shqipe mbetet ajo e prejardhjes ilire të kësaj gjuhe, me përfaqësuesit kryesorë, si: Thunmann, i cili pohon se “fqinjët e stërmoçëm të grekëve të vjetër dhe nënshtetasit e Romës… më tregojnë ilirët e vjetër”; Leku e Xyklander se “baza e shqipes ka burimin te ilirishtja”; G. Hahn se shqiptarët janë “pasardhësit e banorëve të lashtë parasllavë të vendit”; Mikloshiq, i cili gjatë trajtimit të rumanishtes, shpreh mendimin se disa elementë të kësaj gjuhe, qenë të afërt për nga burimi me shqipen e sotme, “të cilën ne e konsiderojmë si vazhdimin e shqipes”; Mayer se “shqipja me fjalorin e saj dëshmon se bën pjesë në familjen e gjuhëve i. e., një “fazë e re e ilirishtes së moçme – ose më saktë e njërit prej dialekteve ilire”, të cilin mendim e tumir edhe Paul Kreçmeri, me ç’rast shton edhe këtë se “shqiptarët banojnë aty ku në kohë antike kanë banuar fise ilire”; pastaj H. Pederseni se “shqipja ka prejardhje nga ilirishtja”; ashtu siç mendon edhe filologu serb, M. Budimiri; gjuhëtari polak, indoeuropianisti e albanologu, V. Cimohovski, e jo nga trakishtja, një teori tjetër që mbiu nga mbarimi i shekullit XIX, siç mendonte psikologu e indoeuropianisti, H. Hirti, ose siç kanë menduar edhe disa dijetarë të tjerë, si: K. Pauli; filologu e orientalisti çek-austriak, V. Tomashek; gjuhëtari gjerman G.Weigandi; H. Bariqi (kundërshtar i rreptë i doktrinës së Mayerit në qasjet metodologjike, disa fjalë të të cilit kinse janë huazime latine, të cilat Bariqi i kthen te shqipja); psikologu e linguisti gjerman, H. Krahe, I.Popoviqi e ndonjë dijetarë tjetër.

Një fushë ku më tepër bie në sy interesimi i tyre, ishte ajo e dialektologjisë (me të cilën disa u morën në udhëtim e sipër, me vështrime të shkurtra për tiparet e të folmeve të caktuara), duke shprehur mendimet e tyre herë-herë jo dhe aq të qëndrueshme.

Kështu, bie fjala, në studimin e tij monografik “Istorijski razvitak gegijskog govora arbanasa kod Zadra” (Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë), Sarajevë, 1961, profesor Ajeti, nuk pajtohet me Hahnin se zanorja e rrokjes së theksuar në përgjithësi del e gjatë; se okluzivet palatale q, gj në mbarë të folmet e Kosovës (shih vepërzën Vehbije të Boshnjakut) janë rrafshuar në afrikatet paragjuhore ç, xh, siç kanë menduar edhe: Lamberci, Albanische Märchen, 103; Mladenov, Balkan-Archiv, I, 5; Jokli, Vuks albanesische Liedersammlung te Zbornik A. Beliq, faqe 40, 41; 103, 105; Tagljavini, Le pallate albanesi di tipo zhego orientale, f. 50-52 etj., të cilin mendim, në gjysmën e parë të shekullit XIX, duke u mbështetur në këngët popullore nga rrethi i Pejës, të mbledhura nga Vuk Karaxhiqi, e dëshmon edhe vetë Jokli, e të cilin problem Ajeti e vërteton edhe një herë te studimi i tij mbi gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit, rahovecas.

Një studiuese e përkorë e gjysmës së dytë të shekullit XX, e cila shfaqi interesim të madh për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ishte edhe profesoresha, studiuesja e themeluesja e Degës së Gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit (1957), A. Desnickaja (1912-1992), e cila si mision studimi të saj kishte: historinë e gjuhës shqipe, dialektet e saj, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, por edhe me gjuhët gjermanike. Vepra e saj “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj”, ETMM, Prishtinë, 1972, që merrej me të folmet shqipe të Shqipërisë, Kosovës, të arbëreshëve të Italisë, të tërthoreve të Greqisë e të Bullgarisë, e që krahas disa botimeve të dialektologëve tanë atëherë, ishte bërë literaturë themelore për ne si studentë të gjuhës shqipe. Në dallim prej shumë sllavistëve të tjerë, Agnija “i përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes”.

Se shqipja është një gjuhë e vjetër që bën pjesë në grupin e familjes së gjuhëve indorveropiane, nuk është më punë e atyre që e pranojnë këtë të vërtetë shkencore, por e atyre që kanë dilema rreth kësaj çështjeje. Faktet e një bashkë-kohësie dhe konkordancave të shqipes me gjuhët e tjera i.e., edhe pse shqipja paraqitet grup më vete ndër 23 grupet e kësaj familjeje të madhe, duken në gjithë nënsistemet e saj:

– Në leksik: numërorët:…, emrat:…; mbiemrat:…; përemrat:…; foljet:.. etj.

– Në fonetikë: kundërvënia, zanore të gjata – zanore të shkurtra; ndërrimet fonetike të tipit marr – mora; dal – dola etj.

– Në strukturën gramatikore: së pari: sistemi tri gjinish: mashkullore, femërore, asnjanëse etj.;

– së dyti, lakimi dhe zgjedhimi me anë mbaresash të posaçme;

– së treti, në sistemin foljor ku bien në sy dhe tipare të hershme indo¬evropiane, si supletivizmi: jam – qeshë; kam – pata; bie – prura; bie – rashë; jap – dhashë etj.

Megjithëse shqipja ka bashkëpërkime me gjuhë të tjera simotra, sidomos me gjuhët ballkanike, ajo si gjuhë indoevropiane ka ndjekur një rrugë të vetën të evoluimit, siç janë edhe këto dukuri gjuhësore: a) ngulitja e theksit mbi një rrokje të caktuar të temës së fjalës (e për¬jashtimet nga kjo rregull janë të pakta); b) nyjat e përparme i, e, të, së; c) mënyra habitore dhe format e pashtje-lluara me punue, pa punuar etj.; ç) organizimi i zgjedhimit jovetor me tri mjete gjuhësore: mbaresa të posaçme (hap-em; hapesha); pjesëza përemërore u (u hap-a; u hap-sh); me foljen ndihmëse jam (jam hapur etj.); d) prapa-vendosja e mbiemrave, e për-emrave pronorë etj.

Është thënë më se njëherë se gjuha shqipe, me simotrat e saj indoevropiane ka marrëdhënie arife, ndërsa me ilirishten ka lidhje “birërie”. Shqipj’a, është pra, pasardhëse e ilirishtes, megjithëse në literaturën gjuhë¬sore qarkullojnë edhe teza të tjera për origjinën e saj: teza e origjinës pellazge (e cila viteve të fundit është bërë mjaft aktuale), e origjinës trake, e origjinës dako-myze etj.

Edhe më me ngulmë se shumë autorë të huaj, birëria e shqipes nga ilirishtja, mbështetet fuqishëm nga dijetarët tanë, si: E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, S. Riza, A. Kostallari, D. Lluka, K. Ashta, J. Thomai, Xh. Lloshi, K. Topalli, E. Lafe, Gj. Shkurtaj, S. Mansaku, A. Jashari, Ç. Bidollari etj., andej kufiri dhe I. Ajeti, S. Riza, R. Qosja, B. Bokshi, Sh. Sejdiu, R. Ushaku, R. Ismajli, S. Gashi, R. Doçi, Sh. Islamaj, Q. Murati, B. Baliu etj., e tash edhe studiuesit e rinj të IAP te ne.

Një ndër ato argumente të këtij mendimi, është padyshim, forma e toponimeve, që nga antikiteti e deri më sot, e shpjegueshme vetëm përmes ligjeve fonetike të historisë së gjuhës shqipe”(I. Ajeti), siç dihet për toponimet: Scupi – Shkupi; Naissus – Nish; Scardus – Sharr; Astibos – Shtip; Drinus – Dri-Drin; Mathis – Mat etj., mbështetur te alternimi s > sh, çështje kjo e trajtuar disa herë nga studiuesit tanë dhe të huaj, ashtu siç është shpjegimi edhe i emrave të vendeve me fjalë të shqipes së sotme, si: Dal¬matia, Delmatia (ga shqip dele); Dardania (nga dardhë); Ulqini (nga ulk, ujk); Dimale (nga dy (di) male) etj.

Studimet dhe prurjet e këtyre dijetarëve për shqipen, e kemi fjalën këtu, kryesisht për ata të huaj, nga cilado fushë qofshin, mbeten një ndihmesë e padiskutueshme, porse jo, natyrisht, edhe pa të meta të caktuara. Duke ndjekur parimet dhe metodat e gramatikanëve të rinj, ata rroknin kryesisht historinë e jashtme të shqipes, ndërsa studimit shkencor, historisë së brendshme të saj, i lihej një vend i ngushtë. Megjithëkëtë, pa ndihmesën e tyre të vyer, ndoshta do të ishim sot diku në gjysmën e rrugës që jemi – për të vërtetën e popullit tonë e të gjuhës sonë.

Për shkak të kohës e vendit këtu, shumë shembuj që përligjin fjalët tona, do të mund të lexohen, besojmë, me rastin e botimit të kësaj kumtese në një përmbledhje të veçantët, bashkë me ato të bashkëpjesëmarrësve të tjerë të paraqitura në këtë ngjarje të rëndësishme të IA të Prishtinës.

Faleminderit për durimin e treguar!

Prishtinë, 19-21 qershor 2023

Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të IAP

(Konferenca shkencore “Albanologjia dje, sot dhe nesër)

Pjesë nga kumtesa e plotë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu

Jeronim De Rada – pararadhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1814-1903)

June 21, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Prejardhja dhe jeta 

“Stërgjyshët e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria” shkruan Jeronim De Rada në Autobiografi.

Jeronim De Rada është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. U lind në Makia të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të  asaj kohës…

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

 Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). 

Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë dhe kudo shqiptarë bashkëkohës ishte i madh;. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”

Vepra dhe vlerat

Biografia e tij numëron deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha me damarin e krijimtarisë, me ndjenja të thella dhe burimore të patriotizmit të lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ose “copëza zemre” , si armë në  fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e  Shqiptarëve dhe të Shqipërisë, me një fjalë: për të qenë vetvetja!. 

Edhe atëherë kur për disa njerëz apo rrethana kishte ide shumë të errëta dhe të paqarta, mos të themi të dyshimta,  Jeronim De Rada ishte dhe mbetet tejet i shquar dhe shumë i dalluar, unik, si “pionier” i etnicitetit arbëror dhe shqiptar:

  • si vazhdimësi e etnicitetit të më hershëm ilir dhe arbëror,  së pari nëpërmjet lashtësisë dhe autoktonisë, pra,  gjuhës, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë, pastaj edhe religjionit antik të krishterë prej Shën Palit dhe nxënësve të tij e deri në ditët tona; 
  • më pastaj kujtimeve të gjalla dhe shumë të fuqishme, frymëzuese kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –   Skënderbeut dhe idealeve të tija për  rifitimit të lirisë dhe  pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur apo edhe më qartë, të rrënjët  e lashta dhe të gjithmonë të gjalla. Thelbi i misionit dhe meritave të tija të pamohueshme janë këto: Jeronim  De Rada pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, imzot Pjetër Bogdanit, është vigani i historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë ilir – arbëror dhe shqiptar, së pari për Arbëreshët e Italisë, pastaj edhe për të gjithë shqiptarët, në trojet e dikurshme etnike apo gjetiu. Kjo strategji dhe metodologji që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë dhe autoktonisë, burimeve dhe frymëzimeve është gjithnjë e rëndësishme  dhe tejet aktuale.

Qortimi i tij profetik: O Shqiptarë, perandoria turko – otomane është një “cofëtinë” e madhe, e cila po mbaron, por nëse ne e lidhin fatin tonë me ata, atëherë ne do të hyjmë për së gjalli në varr me ata!!!

Atë Zef Valentini,  thotë se Jeronim De Rada e “nxori” prej varrit të robërisë dhe rrezikut të asgjësimit gjuhën, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë dhe aktual.

Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014,   për jetën dhe veprimtarinë e tij Ismail Kadareja thotë “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.

Ishte studiues i mirëfilltë dhe hulumtues i palodhshëm, gjithnjë në kërkim të mënyrës dhe formave të reja gjuhësore dhe përmbajtësore. Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me  shkrimet dhe poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.

DISA POROSI JETËSORE TË JERONIM DE RADËS:

De Rada thoshte: “Në një shoqëri të organizuar, për të mirë, për kombin, për shtetin, njeriu ndihmon dhe ndihmohet nga të tjerët, në një rreth ku lulëzon dija dhe nderi”, duke theksuar se: “Ky organizim niset nga individi dhe shkon nëpër shkollat, në familje dhe arrin deri në shtet”. Prandaj, sipas Jeronim De Radës: “Shteti është organizëm që udhëhiqet nga ligjet (drejtësia), si shtresë e parë e jetës shoqërore, shtresë që shkon tej jetës së brendshme dhe individuale të njeriut”. Ai në mes të tjerash thoshte: “E mira dhe e keqja  janë si jeta dhe vdekja, janë dy skaje stabile ndërmjet të cilave lëviz dhe paraqitet bota trupore dhe ajo shpirtërore”.

De Rada së shpejti u nxitë që të botojë synimet, kërkesat, dëshirat, planet, aspiratat e kahershme të popullit tonë, si dhe të kohës përmes revistës “Fiamuri Arbërit” apo “La Bandiera Albanese”. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën zanafilla e shtypit shqiptar.  Ai përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar me histori të lashtë dhe të lavdishme, martire, një gjuhë dhe tradita të forta, si parakusht që të  mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarësinë e vendit të vetë, pra, edhe shtet-formimin si garanci e ruajtjes dhe zhvillimit të autoktonisë dhe lashtësisë, por edhe si përballje të suksesshme me batica dhe zbatica aktuale.

 Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarësinë e tij, ai merr përsipër të organizojë dy Kongrese Linguistike Arbëreshe, një më 1895, dhe një në 1897.

Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Pa të gjithë kjo begati dhe trashëgimi do të rrezikohej përgjithmonë. 

Jeronim de Rada ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–shqiptar – arbëresh , themelues  dhe në një mënyrë edhe paraardhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore, jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare, me këtë, kuptohet edhe të vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë së përbashkët gjithë-shqiptare.  Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. 

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund.

Emri i Jeronim  De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko, Zef Jubani, Sami Frashëri, shkrimtaren rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria, si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë.

I mërzitur nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna.

Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira  dhe tejet të pikëllueshme për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash, pra, në vetmi dhe në varfëri. 

Në një çast dëshpërimi, asgjëson të gjithë përmbledhjen e këngëve popullore që i kishte mbledhur me dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italisht.

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare. Mirëpo vepra e tij nuk do të vdesë kurrë

“Skënderbeu i pafaan”, një nga kryeveprat e De Radës, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse.

Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe, t’i takonte, afronte dhe bashkonte principatat arbërore – shqiptare për formimin e shtetit të vogël që i bëri ballë për 25 vite perandorisë së madhe turko-otomane. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafat është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut të asaj kohe.

De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë me të vërtetë artistike arbëreshe, dhe dha një ndihmesë të madhe për tërë letërsinë  tonë kombëtare. Ai qe i pari që ngriti në art epokën e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar “Motin e madh”, kohën e “Skënderbeut”. De Rada hodhi kushtrimin për luftë të armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është njëkohësisht i pari që çeli traditën e mbështëtjes së letërsisë arbëreshe në poezinë popullore. De Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që lëvroi deri diku poemën shoqërore, ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin, ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike dhe letrare. 

Në thelb vepra e De Radës i përket romantizmit përparimtar, një romantizmi veçanërisht origjinal, që nuk i këndon vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe tepër shprehës, i përdorimit të figuracionit, që dallohet për freski dhe ndikim të fortë emocional. Gjuha me të cilën shprehet De Rada, është e pasur, por disi e errët, ndoshta edhe e “tkurrur”. 

Shumë dorëshkrime dhe letërshkëmbime janë humbur, por De Rada kishte lidhje me njerëz të shquar të kohës së tij. Po i përmendi vetëm disa: Dora D’Istria, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Pal Dodaj, Bernardo Belotta dhe shumë të tjerë. Letra me përbajtje atdhedashurie dhe porosi kombëtare, por edhe letrare, u kishte drejtuar: Vaso Pashë Shkodranit, Zef Jubani dhe tjerëve.

Si përbyllje: Jeronim De Rada ishte vegimtar, përparimtar, njohës i mirë i së kaluares, njeri me mend dhe me zemër i angazhuar për kohën dhe hapësirat arbëreshe dhe shqiptare, “profet”, lavërtar dhe kolos për zbulimin, ruajtjen, mbajtjen dhe zhvillimin e “gjakut të shprishur”, që hapi horizonte, përspektiva, rrugërrëfime së pari për Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, pastaj edhe më gjerë, për të gjitha viset tona ilire, arbërore dhe shqiptare, dhe si i tillë ka dhënë frymëzim dhe motivim për breze të tëra dhe në vazhdimësi.

Prishtinë – Llapushnik, 18 qershor 2023                                                     Don Lush GJERGJI

Bibliografia për Reronim De Radën:

  1. Marchianò, Michele, L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902.
  2. Gualtieri, Vittorio, Girolamo de Rada poeta albanese, Palermo: Sandron, 1930.
  3. Kastrati, Jup, Jeronim de Rada | Jeta dhe veprat, Tiranë, 8 nëntor 1987.
  4. Zeqo, Moikom, De Rada | Rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri. Tiranë, 2014.
  5. Kodra, Klara, Erdhi dita e Arbrit, Erik, 2000.
  6. Opera Omnia, në përkujdesje të Prof. Francesco Altimari, 12 vëllime, katedra e albanologjisë, Kozencë, 2005 – 2018.

Botime përkujtimore: 

Shêjzat VIII, 1964, 7-10: 217-460.

Studime 21/2014: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në 200 – vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës. Tryezë shkencore, 21 nëntor 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: De Rada

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1802
  • 1803
  • 1804
  • 1805
  • 1806
  • …
  • 2976
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT