• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dëgjoni zërat tanë”…

June 20, 2023 by s p

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc./

Me datën 17 Qershor, 2023 në zemër të Brooklyn-it në një nga lagjet më të bukura dhe historike të New York-ut , në Brooklyn Height, u zhvillua aktiviteti i fëmijëve të shoqatës Shqiptaro- Amerikane “ Skendërbej” Inc., Dëgjoni Zërat Tanë.

Brooklyn Heights është njëra nga lagjet më të vecanta të New York-ut. Historia e saj përkon me epokën koloniale dhe njihet si periferia e parë e Amerikës. Zona u shtua në rregjistrin kombëtar të vendeve historike në Tetor të vitit 1966. Brooklyn Height, sot përmbledh institucione të rendësishme rreth hapësirave te saj. Aty ngrihet edhe libraria e cila ka një mision shumë të rëndesishëm per banorët e saj, për të siguruar ruajtjen dhe transmetimin e njohurive, historisë dhe kulturës së shoqërise, tek brezat e rinj. Libraria u jep qytetarëve akses të lirë dhe të hapur për vazhdimësi edukimi dhe njohuri. Biblioteka ka zona, të dedikuara vetëm për fëmijë dhe adoleshentë, dhoma private mbledhjesh, si edhe një sallë kryesore të mbushur me libra, ndenjëse, dhe nje rreth leximi.

Me datën 2 Prill, 2023, në Kuvendin e shoqatës, u theksua rëndësia e aktivizimit të fëmijëve në fjalime publike, mendim, i cili u përkrah nga anëtarët dhe kryesia e shoqatës. Aty u theksuan fusha të rëndësishme ku do të shtrihej kjo përparësi , si shkenca, arti, kulturë, historia si edhe promovimi i kulturës Shqiptare tek brezi i ri. Aktivitetet për fëmijë dhe adoleshentë ndikojnë pozitivisht në formimin tërësor të tyre, sidomos në drejtim të të folurit publik. Këto grup mosha kanë nëpër duart e tyre punë shumë cilësore. Shkollat Amerikane kanë programe akademike tepër të avancuara. Ato shpesh i lejojnë fëmijët të punojnë së bashku në grupe, të zhvillojnë konkurse midis tyre në rangje klasash , shkollash distriktesh si edhe më gjerë . Shumë herë në fokusin e tyre këto grupe pune kanë pyetje me fund të hapur, mënyrë e cila nxit krijimin, studimin dhe lejon interpretime të reja nga më të ndryshmet brenda hapësirave të pafundme, duke respektuar kendvështrime të ndryshme.

Manaxherja e librarisë i drejtoi pjesëmarrësit për nga salla ku do të mbaheshin diskutimet e tyre. Grupi i punës së librarisë ndihmoi në lidhjen e mikrofonave dhe kështu skena, brenda pak minutave ra në duart e studenteve. Moderatorët, ishin studentët Arelt Xhaferri dhe Blenda Sehu te citët përshëndetën të pranishmit, dhe kryetarin e shoqates zoti Imer Lacaj per kete mundësi dhe me pas i lejuan vend diskutimeve të shokëve të tyre.

Studentja e lagjes Queens, Simelba Xhaferri diskutoi temën: Format e Energjisë. Ajo shpjegoi rreth energjisë mekanike, elektrike, termale, ndricuese, ngrohëse si edhe energjisë së zërit. Ajo shpjegoi se si objektet bartin energjinë e tyre fillestare dhe se si ato mund të marrin më shumë ose mund t’a humbin atë nga objektet e tjera. Simelba solli shumë shembuj praktikë nga fusha e fizikës dhe prezantimi i saj u mirëprit nga te pranishmit.

Studenti Arelt Xhaferri diskutoi rreth Trashëgimisë Natyrore të Trevave Shqiptare. Ai shpjegoi rreth vlerave materiale (historike, arkitekturore, arkeologjike, fetare, artistike e mjedisore), si edhe letërsisë shqiptare kundër sundimit Osman e qëndresa e saj. Ai permendi Kalane e krujes, Elbasanit Beratit Shkodrës e të Tiranës. Monumentet arkitekturore të Butrintit, Pazari i Krujës, Varri i Kapllan Pashës, banesa e Shijakasve dhe Ura e Tabakeve. Gjithashtu u përmendën monumentet arkeologjike të qytetit të Durrësit, Elbasanit , Tiranës , Vlorës , Beratit, Tepelenës , Sarandës e Gjirokastrës.

Studentja Erla Lamce foli rreth valleve Shqiptare, lashtësite se tyre dhe valleve deri në ditët tona. Erla klasifikoi vallet në kategori si edhe i analizoi ato në raport me kohën në të cilat ato u krijuan. Ajo përmendi valle të burrave, valle të një karakteri luftarak, vallet e grave, të njëj karakteri lirik dhe gazmor, vallet e përziera të kërcyera në zonat urbane më të civilizuara, dhe komentoi vallet më të njohura shqiptare si ajo e Tropojës, Kukësit, Shotës, Katjushkës etj. Prezantimi informativ u mirëprit.

Studentja Jori Lamce diskutoi rreth vendet turistike në Shqipëri. Ajo shprehu kënaqësinë e saj duke shprehur “ Zoti e ka uruar Shqipërinë me aq shumë plazhe , male, qytete turistike , liqene dhe lumenj. Më pas ajo me shkathtësi analizoi individualisht cdo pikë turistike si atë të qytetit antik të Butrintit, Krujës dhe Syrit të Kalter. Ajo foli për malet e Korabit, Tomorrit, e Dajtit dhe plazhet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Himarës, Sarandës e Dhërmiut .

Studentja Adisa Tahiri do të prezantonte websidin e krijuar nga vete ajo, të titulluar: Miresevini në Shqipëri. Adisa shpjegoi rreth kultures Shqiptare duke perfshire; elementet e artit, ushqimit , muzikës, diversitetit kulturor she shprehu se “ Shqiperia është një shembull i lartë bashkësie!” . Ajo përmendi simbolin e flamurit, heroin Gjergj Kastriot Skenderbeu, nënë Therezën, aktorin Jim Belushi, këngëtarët Dua Lipa e Inva Mula si edhe shkrimtarin e madh, Ismail Kadare. Ajo solli fakte rreth popullsinë shqiptare jashtë si edhe brenda vendit, Bio-diversiteti, dhe rezervuarëve.

Studenti Elio Tahiri u prezantua me punen e tij artistike. Ai solli dizenjimin e logos se Google-it, me temë: Mbrojtja e Mjedisit. Në tablone e tij dukej qartë ndarja e google-it në dy pjesë. Në njërën anë, pasqyrohej ndotja e mjedisit dhe në anën tjeter pasqyrohej pjesa e pastër, me ajër dhe gjelbërim. Artisti i vogël ngriti idenë e shpëtimit të planetit përmes energjisë së rinovueshme, kursimit të ujit, riciklimit të plehrave, si edhe përdorimit të bicikletave. Ideja që e përshkoi logon ishte: Planeti ka përsëri shpresë. Ngjyrat e ëmbla të tablosë së tij ndritën përmes sallës.

Studenti Kelvin Rustani, prezantoi temën: Si të Lidhemi me Shqipërinë në Jetën tonë të Përditshme. Ai përcaktoi 5 nënkategori të kesaj teme të cilat ishin; Filmi, Ushqimi, Gjuha, Historia dhe Veshjet. Tema e filmave ishte interesante. Studenti tregoi njohuri për shprehjet e përdorura në film, ai kuptonte thelbin e tyre dhe ishte në gjendje t’ia përshtaste ato situatave te përditshme dhe jetës së tij . Kategori të tjera ishin ushqimet shqiptare dhe shumë aktivitete që Kelvin kishte ndjekur përmes jetës së tij dinamike brenda komunitetit Shqiptar. Kelvin e prezantoi vehten edhe si autor vargjesh dhe krijues këngësh. Fjalimi original dhe i shkathët i tij,shpesh i shkëputur nga letrat, krijoi kënaqësi për spektatorin dhe emocion.

Studenti Enzo Rustani foli mbi Influencen e Internetit. Ai sqaroi anët positive të internetit ( lojërat me karakter clodhës, studimi aktiv i gjuhëve të huaja, komunikimi me familjarët përmes internetit, sportet e shahut qe aftësojnë edhe më tej të menduarin. ) Enzo gjithashtu analizoi efektet negative të internetit dhe foli për pasojat negative shëndetësore në trupin e njeriut si rrjedhim i mbingarkesës dhe orëve të gjata duke i lënë të pranishmit të mendojnë për balancën dhe orët që duhet t’I lenë në dispozicion internetit.

Nxenësi Klaus Veshi, referoi temën: Mundësitë e Përcaktimit. Vendosmëria, tha ai, mundëson kalimin e sfidave ne jetë. Me vendosmëri , mund të kalosh malet.” Motivimi mundëson arritjen e qëllimeve. Klausi shpjegoi për planet e tij të verës, motivimin për përgatitjen e tij fizike e cila do t’i jepte mundesi atij të realizonte cmimin titullar në skuadrën e basketbollit . Klausi udhëzoi shokët e tij në sallë,të punojnë fizikisht. Ai i udhezoje ata, të ecin më shumë milje, edhe në rast se shkollat e tyre janë në distanca të afërta me shtëpitë. Klausi i motivoi të pranishmit të shpenzojnë më shumë kohë me talented e tyre fizike, në fushat dhe sportet e preferuara. Nëse punoni, theksoi ai, mund të arrini madhështi!

Studenti Stivi Veshi prezantoi temën – Si Ndikon Interneti ne Obesitetin e Njerëzimit. Ai shpejgoi rreth mundësive të kompromentimit nga reklamat dhe orët e zgjatura ne kompjutër. Studenti shpjegoi se si këto orë kushtëzojne mënyra të shpejta dëfrimi përmes ushqimit të porositur on line. Studenti foli për disa përbërës të ushqimeve të cilët janë të pashëndetshëm për trupin. Disa prej tyre shkaktojnë energji të tepërta në trup dhe krijojnë mundësi për sëmundje të rrezikshme sic është edhe kanceri.

Studentja Diora Hatia erdhi me temën Historia e shvillimit të kompjuterave. Ajo shpjegoi rreth problemeve që hasen gjatë punës me kompjutera. Powerpointi i saj ishte i mbushur me informacion rreth sistemeve operative të kompjuterit, antiviruset, klasifikimi i gjeneratave të komputerave, zhvillimi i tyre në të ardhen si dhe hapat për zgjidhjen e problemeve në fushën teknologjike. Informacioni i prezantuar me nivel intelktual tregoi kualifikimin e saj në këtë fushë kaq të rëndësishme teknologjike.

Studenti Dion Hatia erdhi me dy tema – Shqipëria dhe Njerëzit si edhe me temen e dyte, Zgjidhja dhe Përdorimi i Teknoligjisë së Gjelbert, (përdorimi i energjisë diellore dhe asaj të erës.) Dioni kishte projektuar formën e ardhshme të kompanisë së tij. Ai shpjegoi vizionin, krahasoi format e energjisë së vjetër në raport me atë të rinovuar dhe stimoloi përkrahjen e energjisë së rinovuar tek bashkemoshaterët e tij. Diskutimi i tij la mbresa tek të rinjte për të menduar për kompanitë e tyre të ardhshme.

Studentja Jessica Ndregjoni, diskutoi temën; Besimi në Vehtevete. Ajo shpjegoi se besimi është potencial për gjërat më të fuqishme që mund të bëjmë sot. Kur ne besojmë, marrim rrisqe dhe provojmë gjëra të reja, jeni ne gjendje të ballafaqojmë sfida. Ndërtimi i vetëbesimit kërkon kohë, por ia vlen, tha studentja. Besimi është mjet i fuqishëm. Jessica theksoi se, ne jemi në gjendje të bëjmë gjëra të mëdha dhe arrijmë ato vetëm me besim.

Aktiviteti ishte sukses i rradhës. Rruga e re tregoi edhe nje herë mbështetjen që shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. i jep brezit më të ri dhe influences së tyre në jetë.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc.

Staten Island, New York

19 Qershor, 2023

Filed Under: Reportazh

Zbulim

June 20, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shkëmbi i prerë është një prej disa zbulime të fundit në Arkeologji. Arabia Saudite ka zbuluar shkëmbin Naslaa, formacion shkëmbor 4000-vjeçar me një veçori të pazakontë. Guri është i ndarë në mes nga një prerje e drejtë me saktësinë e një rreze lazer. Pjesa e pasme e shkëmbit ka vizatime të lashta të një njeriu dhe devesë së tij me vizatime të tjera të pashpjegueshme. Por a kishin njerëzit e lashtë teknologji kaq të mahnitshme, që thjesht të ndanin një gur të rastësishëm në shkretëtirë dhe ta linin atje?

Nëse po, ajo do të ishte një teknologji e re, e shtrenjtë; ata ishin njerëzit e parë përreth që u pajisën me të dhe duhej të shiheshin duke e përdorur.

Nga druri i shtrembër sa ai nga i cili është bërë njeriu, asgjë plotësisht e drejtë nuk mund të gdhendet, thoshte Immanuel Kant.

Mes historianëve dhe arkeologëve është

ngjallur një debat se si njerëzit mund ta kishin bërë një gjë të tillë në atë kohë.

Ka njerëz që supozojnë se alienët janë të përfshirë në gjëra të tilla. Ideja e një kompjuteri që të përshtatet në dorën tuaj mund të sjellë në majë të gishtave të gjithë pasurinë e njohurive njerëzore. Por jemi mësuar me teknologjinë tani. Gjysmën e gjërave që shohim sot, kur ishim më i ri, nuk do t’i kishim besuar. Megjithatë, mund të kishim makina fluturuese.

Njerëzit e lashtë kishin teknologji të mahnitshme të përparuar, thonë disa.

Nëse formacioni është 4000 vjeçar, atëherë krijimi i tij është rreth 2000 pes. Librat tanë të historisë na tregojnë se Piramida e Madhe e Gizës u ndërtua rreth vitit 2600 pes, kështu që sharrimi i një blloku gur ranor në gjysmën e 600 viteve më vonë nuk duket se përfaqëson një qytetërim të fshehur dhe të përparuar. Megjithatë është sigurisht interesante.

“Erozioni” është një nga ato shpjegime shpërfillëse që jepet kur “ekspertët” nuk duan ta pranojnë se nuk e kanë idenë. E njëjta gjë mund të thuhet për “Alienët”.

Nëna Natyrë nuk krijon vija të drejta.

Po kristalet, rrjetat e merimangës, hojet e mjaltit…. dhe shumë gjëra të tjera të krijuara me vija të drejta? Sidomos me gurë, si ky.

Nëse hapni një gropë në një shkëmb të madh dhe vendosni pak ujë në atë gropë, pas disa muajsh, ai ujë depërton në shkëmb dhe shkëmbi çahet në vijë të drejtë.

Njerëzit e lashtë ishin po aq të zgjuar sa ne tani, ata thjesht nuk e kishin zbuluar ende teknologjinë. Pra, dikush e kuptoi se si ta bënte këtë me një rrip lëkure dhe rëre për zhavorr, duke e lidhur me një rrotull uji? Ose diçka e tillë. Aty ku ka vullnet, ka një mënyrë.

Dy koka…dy fytyra…por jo dy kombe.

No photo description available.

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi

LEKË APO EURO?… LYPET BAKËR E JO AR !

June 20, 2023 by s p

Frano Kulli/

Këto ditë, euro-ja është shkëmbyer edhe me 105 lekë. Më ulët se asnjëherë, në kurbën e ulje – ngritjeve jo të rralla, qyshkur është emetuar monedha europiane në vitin 2002.Ka mërrijtë puna sa mos me u mat shumë, me nxjerrë nga xhepi e me pague me euro në vend të lekëve, përderisa ato po shkojnë kështu fifti fifti. Më ka ardhë ndër mend këto ditë një ngjarje e njëqind e sa vjetëve më parë e rrëfyer prej Injac Zamputtit, shkencëtarit par exellence të historisë e filologjisë, botuar në librin e tij “Kujtime-njerëz-fakte-ngjarje”. Jemi në fundin e luftës së parë botërore, komanda e garnizoni ushtarak austriak në Shkoder nisi të shkëmbente sendet ushqimore të rezervave të saj, me sende që i nevojiteshin ushtrisë së rraskapitur për nevojat e armatimit. Rrëfimi i Zamputtit, asokohe fëmijë, jo më shumë se 8 vjeç fillon kështu: “Kurrë nuk do ta harroj gjendjen e mamës kur, një ditë u kthye në shtëpi e lodhur dhe shumë e mjeruar dhe, bashkë me motrat nisi të grumbullonte enët prej bakri. Ajo kishte dalë qysh në mëngjes nga shtëpia. Komanda kishte afishuar shpalljen se duhej ar për ta shkëmbyer me drithë. E gëzuar se po ua siguronte jetimëve bukën për disa ditë, kishte marrë disa napolona dhe ishte vënë në radhë për të arritur te tavolina ku nëpunësi do të merrte arin dhe do t’i jepte kuponin për sasinë përkatëse të drithit që ajo do të ngarkonte mbi shpinë. Më në fund, pas disa orësh, i kishte ardhur radha asaj. Sapo kishte shtrirë dorën drejt zyrtarit për t’i dhënë arin, kishte rënë zilja e telefonit dhe nëpunësi, në vend që të merrte arin e të jepte kuponin, siç kishte vepruar deri në atë çast, kishte marrë më parë receptorin e telefonit. Pasi e kishte vënë në vend atë receptor, i drejtuar nga mama e nga të gjithë ata që vinin mbas saj, kishte komunikuar: “Komanda nuk pranon më arin, por kërkon bakër…”
Për nga paradoksi ngjarjet, të cilat i ndan në mes më se një shekull, kanë përafrí të hatashme, ani pse atëhere ishte kohë lufte e tani jo. Atëhere rasti e pati sjellë që ari të shkëmbehej me bakër, pra ari të ishte më i pavlertë se bakri,për atë kohë, tani, këto dy muajt e fundit, euro-ja, monedha unike europiane, në Shqipërinë tonë po çmohet si teneqe…Vlera e saj, ani pse ku e ku me lekun për nga ekonomitë që përfaqësojnë, këtu gati po barazohen. Dhe, me të drejtë kjo ka sjellë, posë pështjellimit të madh edhe një habi jo të vogël, gjithashtu. Tregtarët eksportues, që blejnë me lekë e që shesin me euro kanë ngritur duart përpjetë… Të tjerët, ata që sjellin këtu miellin e sheqerin, vajin e rrobat; të jashtëme e të mbrendëshme, naftën e gjithka i duhet jetës së njeriut, që me lekët e grumbulluar nga shitjet këtu, blejnë më lirë se kurrë euro për të bërë tregtinë e tyre me jashtë, fërkojnë duart.
-Dashtë fati e u ndaltë këtu, kjo rrokopujë, mendojnë të parët…
-Mirë e bukur kështu-thonë të dytët. Ndërsa edhe halli i njërit edhe qejfi i tjetrit përplaset te tregu i mbrendshëm këtu. Çmimet e gjithçkaje janë rrit e po rriten me “trehapësh”.
– E vegjlia…mallkon kohën; vargu i të ikurve për në vendet e euros… zgjatet e zgjatet; shtohet e nuk ndalet.
Kurse, ministresha përkujdestare e financave tona, na tha se është forcuar leku dhe për ne është ndodhi e punë e gëzueshme kjo që ka ndodhur e po ndodhë. Na tha se gjithë kjo pará e madhe europiane këtu hyn nga turistët. Po nuk na thotë se çmimet e shërbimit për ta janë rritë, së paku 20-30% pej sezonit të kaluar. Nuk na përmendi, zonja ministre se në lokalet ku u shërbehet turistëve janë shtuar shumë njoftimet: “kërkojmë kamarier/e; kërkojmë pastrues/e, kërkojmë banakier/e e punonjës shërbimi këso dore. Në një lokal në Shëngjin, ndër pesë veta që shërbejnë vetëm dy janë shqiptarë, të tjerët të huaj; dy kamarierë afganë.(Për mirëkuptim falemnderit atyre që punojnë e nuk rrinë vetëm nën asistencën sociale që u ka siguruar qeveria shqiptare e s’di se deri kur kështu!… )
-Kjo është shenjë e rritjes sonë ekonomike , na tha zonja ministre dhe plot gëzim e pathos deshti me na thanë se jeta jonë po përparon e prosperon përditë.
Po me ke e ka zonja ministreshë? Kujt i flet kështu ?
Atyre që e dinë fort mirë se këtu eurot , në shumicë gjënden parcelave të strukura në male e kodrina, në fusha e djerrina ?Atyre që i shohin shpesh e shpesh në lajmet që rrjedhin, ca miliona të tjera eurosh që gjënden në tubo ajrimi nëpër shtëpi sekretaresh e zyrtarë gjithfarësojshëm ?
Sa shumë i besojnë zonja ministreshë dhe të sajët postulatit se “Çudia më e madhe në Shqipëri zgjat vetëm tri ditë “, si fazë e memories së dëmtuar të shqiptarëve dhe përtesës së tyre për të reaguar si qytetarë !
Dhe këtu ajo ka të drejtë…

Filed Under: Kronike Tagged With: Frano Kulli

Qoftë edhe një fëmijë i vetëm i vrarë është tragjedi

June 20, 2023 by s p

(Fjalë para Komisionit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Prof. dr. Nusret Pllana

Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’

Prishtinë

E nderuara Duda Balje, Kryetare e Komisionit për të Drejtat

e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur,

Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione!

Të nderuara anëtare dhe anëtarë  të këtij Komisioni Parlamentar!

Të respektuara mjete të informimit publik!

E nderuara dhe shumë e respektuara Duda Balje, të falënderoj në emrin tim dhe në emrin e Familjarëve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës gjenocidiale në Kosovë 1998/1999, që më keni mundësuar( sot, më 16 qershor 2023),  të shpreh disa qëndrime të ditura botërisht, të argumentuara publikisht dhe të dëshmuara  shkenctarisht për numrin e fëmijëve shqiptarë të Kosovës, që i janë nënshtruar gjenocidit serb në Kosovë gjatë vitit 1981 deri në vitin 1999, kur me Luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me ndihmën e Aleancës më të madhe botërore ushtarake të NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bërë e mundur të çlirohet Kosova. 

Meqenëse librin që tashmë e keni në duar është promovuar në shumë qendra evropiane e botërore, e në prill të këtij viti edhe në: New York, Washington, Huoston, Dallas, Detroit e Çikago, duke iu falënderuar në veçanti mikut të presidentit amerikan, z.Biden dhe mikut të bashkëshortëve Josepf dhe Shirley DioGuardi, shqiptaro – amerikanit, z.Agim Aliçkaj, që është njeriu më meritor i promovimit të veprave tona gjithandej Amerikës mike, edhe të librit të vrasjes së fëmijëve shqiptarë,  i cili është promovuar edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, por është arkivuar edhe zyrtarisht, në formë fizike dhe elektronike edhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, prandaj ju lus për mirëkuptim ta dëgjojmë pak më tepër se dy minuta një fjalim të shkëputur të Ambasadorit legjendar amerikan, z.William Walker, i cili mori pjesë edhe vet në promovimin e këtij libri në Washington, më 26 prill të këtij viti, duke e vlerësuar lartë rëndësinë shkencore dhe historike të tij. 

Të nderuar të pranishëm, 

Nuk ka njeri që nuk e di se lufta sjellë vetëm dëme, vrasje, tragjedi familjare dhe kombëtare. Mirëpo, kur një pushtues vret fëmijët e një populli tjetër, vret edhe fëmijët e vet( siç është botërisht i njohur rasti “Panda” në Pejë, kur policia fashiste serbe i vret 6 të rinjë serbë, 5 prej tyre të moshës adoloshente, vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin shqiptarëve,  atëherë kjo kapërcen ato marrëveshjet ndërkombëtare për civilët dhe fëmijët e pambrojtur  dhe quhet gjenocid. 

Por, unë këtu para jush, nuk e kam fjalën se a kishte bërë Serbia pushtuese gjenocid, apo jo, sepse këtë fakt nuk mund ta mohoj askush në botë. 

Por, e kam fjalën, se duke filluar nga shkrues të ndryshëm, publicistë, gazetarë, historianë, e deri te organet më të larta të shtetit të Kosovës, të dhënat për fëmijët e vrarë nga gjenocidi serb, i thonë të pasakta, i publikojnë me hamendje, i flasin nëpër tubime përkujtimore, nëpër konferenca shtypi, nëpër mbledhje me delegacione ndërkombëtare, thuajse nuk dihet asgjë për vrasjen e tyre, sepse edhe kur përmenden,  për fat të keq përmenden vetëm si shifra.  

Tragjedia e një populli nuk vërtetohet vetëm me përmasën e gjenocidit që ka bërë pushtuesi, por në radhë të parë me fëmijët e vrarë. 

Pse mund të thuhet kështu? 

Mund të thuhet për disa arsye elementare të secilit njeri të vdekshëm! 

Së pari, në Kosovë janë vrarë 1432 fëmijë që dihen deri tashti. Sepse, fjala vjen, janë shumë  gra që janë vrarë kur ishin shtatzëna, edhe në muajin e tetë e të nëntë, që nuk është folur kurrë për fëmijët e tyre të vrarë në barkun e nënës shqiptare. 

Po ashtu, përkundër këmbënguljes sonë, për të pasur një statistikë të saktë, e cila është përmbledhur në këtë botim publicistik anglisht – shqip(autorë: Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana), që ua dhurova sot, ka mundësi që të mos janë përfshirë të gjithë fëmijët e vrarë në Kosovë nga viti 1981 deri më 1999. Në këtë libër i keni me datë, me ditë e me fotografi, vrasjen e 1392 fëmijëve shqiptarë gjatë viteve 1998/1999, dhe vrasjen e 40 fëmijëve shqiptarë gjatë viteve 1981/1997, po nga ushtria dhe policia barbare serbe.

Së dyti, ata nuk janë vetëm numra, nuk janë vetëm 1432 fëmijë të vrarë. 

Janë 1432 familje të së ardhmes sonë. Janë 1432 familje më pak në këtë Kosovën tonë, për lirinë e së cilës është derdhur aq shumë gjak, sa asnjë popull tjetër në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej.    

Së treti, ata 1432 fëmijë nuk janë të zhdukur, siç thuhet herë pas here, edhe në Akademi përkujtimore, edhe në raste të takimeve me familjet e Dëshmorëve të Kombit. 

Ata janë 1432 fëmijë të vrarë, sepse fëmijë të zhdukur është diçka tjetër, si dukuri, por edhe si argument për të cilin nuk kemi mundur të gjejmë të dhëna të verifikueshme. 

Për 1432 fëmijë shqiptarë të Kosovës të vrarë, të dhënat janë të sakta, me emër e mbiemër, me datën e lindjes dhe datën e vrasjes, si dhe për pjesën më të madhe të tyre me fotografi. Nga 30 Komuna të Kosovës, vetëm në Artanë(ish Novo Bërdë) nuk ka fëmijë të vrarë nga ushtria dhe policia gjakatare serbe, për të cilët fëmijë nuk ka funksionuar asnjëherë drejtësia ndërkombëtare, sepse qe 25 vite, le që nuk është dënuar asnjë kriminel serb, por as që është akuzuar ndonjëri prej tyre deri më sot, edhe pse emrat e tyre i keni një nga një në libri tim “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, libër ky i përkthyer në 9 gjuhë botërore, dhe më i promovuari në botë në 100 vjetshin e fundit, dhe i cili është fut zyrtarisht edhe në Parlamentin evropian në Bruksel në vitin 2018(dhuratë 751 deputetëve të Parlamentit Evropian, por edhe Papa Françesku e ka pranuar dhuratë,  më 25 maj 2022, vjet pra, e për fat të keq ende nuk ka arritë  të futet në Parlamentin e Kosovës në Prishtinë, e as në atë të Shqipërise londineze në Tiranë. 

Nëse i shikoni me vëmendje fotot e këtyre fëmijëve të vrarë, njeriu e ka vështirë të jetë indiferent, edhe sot e gjithë ditën, kur kanë kaluar 24 vjet nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Nuk ka asgjë më tragjike, se kur njeriu shikon buzëqeshjet e tyre, dhe për një çast vetëdijësohet se ata nuk janë më, se ata nuk janë rritur me lirinë e Kosovës, se ata nuk janë më pjesë e familjeve të tyre, se ata nuk janë më pjesë e rinisë dhe e popullit të Kosovës. 

E nuk janë pak, janë 1432 fëmijë të vrarë nga pushtuesi serb.   

Së katërti, kanë kaluar 24 vjet që kur Kosova e gëzon lirinë e saj. Por, në këto 24 vjet, askujt nuk i ra ndërmend, që në formë përjetësie t’iu ngritet një shenjë e kujtesës historike, një lapidar a një obelisk në kujtim të këtyre 1432 fëmijëve shqiptarë të vrarë. 

Një shenjë, që jo vetëm familjarët e tyre të kenë ku të çmallen për dhembjen e tyre, por edhe për të krijuar një vlerë kulturore kombëtare në kujtim të atyre që lufta kundër robërisë, nuk i kishte lënë të rriten në atdheun e tyre. 

Një shenjë, edhe për ata dashamirës të Kosovës, qoftë kur vijnë si zyrtarë shtetesh, apo vizitorë kureshtarë, apo turistë të ditës, të kenë mundësi të shohin një pjesë të tragjedisë sonë që këtij populli aq shumë të përgjakur ia ka sjellë pushtuesi serb.

Cila është kërkesa jonë, jo vetëm si individ, por si pjesë e gjenocidit që u është bërë fëmijëve shqiptarë, pra si zë i njerëzve të Kosovës, i atyre që nuk mund të flasin më…?!! 

Që me angazhimin tuaj, të ndërhyni te pjesëtarët e secilit subjekt politik, te anëtarët e secilit organ qeveritar, te secili deputet i Kuvendit të Republikës Kosovës, të thuhet numri i saktë i fëmijëve të vrarë në Kosovë. 

Jo vetëm pse kështu bëhemi korrekt, por kur thuhet numri i saktë që dihet deri tashti i fëmijëve të vrarë të Kosovës, nuk fyhen ato familje, që mund të mendojnë se nuk u është përmendur emri i fëmijës së tyre, që të mos krijohet përshtypja se disa nga këta fëmijë janë harruar. 

Duke pasur parasysh peshën e madhe të dhembjes së këtyre familjeve, sepse ka familje që ju kanë vrarë dhjetra fëmijë, si ata të Familjes Muqolli nga Pokleku, prandaj me një respekt të veçantë e përshëndesim prezencën e njërit prej familjarëve të tyre,  Ing.Xhavit Muqollin, të cilit i janë vrarë bashkëshortja dhe të dy fëmijët, të cilës Familje i janë vrarë dhe bërë shkrumb e hi 54 anëtarë, në mesin e tyre 26 fëmijë, prej të cilëve 23 të Familjes Muqolli, 19 fëmijë të Familjes Berisha të Suharekës, 13 fëmijë të Familjes legjendare Jashari të Prekazit, 9 fëmijë të Familjes Deliu të Drenasit,  8 fëmijë të Familjes Gërxhaliu të Vushtrrisë, 5 fëmijë të Familjes Vejsa, tre fëmijë të Familjes Caka dhe 4 fëmijë të Familjes Rracaj nga Gjakova, 5 të Familjes Balaj nga Peja, 4 të Famijes Duriçi, 3 të Familjes Xhemaili  dhe 3 të Familjes Bogujevci nga Podujeva, 6 fëmijë të Familjes Imeraj dhe 4 të Familjes Lipaj të Istogut, atëherë është obligim i secilit institucion të ketë parasysh se numri i fëmijëve të vrarë në Kosovë është 1432. 

Jam këtu sot duke ju falënderuar Juve, që keni pasur mirëkuptimin dhe më keni ftuar, që të gjejmë mënyrën e duhur, dhe këta 1432 fëmijë të vrarë t’i nderojmë edhe me ngritjen e OBELISKUT për ta.

Mos harroni, se Suedia gjatë vitit 1999, në mes të sheshit në një qytet të saj, ka ngritur bustin e një fëmije shqiptar nga Kosova, të cilin pushtuesi serb e kishte përzënë me dhunë nga atdheu i tij. 

Siç ka shkruar shtypi suedez, por edhe ai shqiptar, edhe i atyre viteve, ai bust vizitohet edhe sot e gjithë ditën.  

Kërkesa ime, andaj edhe kërkesa e familjeve të këtyre 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga gjenocidi serb, është që të përjetësohen në Kompleksin Memorial në formë OBELISKU, në mënyrë që të kemi ku të vëmë një buqetë me lule në kujtim të fëmijërisë së tyre, të kenë ku të çmallen familjarët e tyre. Kosova të ketë një shenjë si argument për gjenocidin serb edhe mbi fëmijët shqiptarë të Kosovës dhe të gjithë fëmijët e komuniteteve tjera, të cilët nuk i ka kursyer barbaria dhe mizoria serbe, e të cilët i keni një nga një në librin që tashmë e keni në dorë të gjthë ju të pranishëm të nderuar. 

Dikush nga ju mund ta dijë, dikush nga ju ka mundur të ketë dëgjuar, sepse këto përpjekje i kemi bërë me vite, se afër Aeroportit ndërkombëtar ‘‘Adem Jashari’’, të Prishtinës, është caktuar vendi prej një hektarësh(dhuratë nga Komuna e Lipjanit) është vënë maskota e një OBELISKU që t’i bënte respekt kujtimit të 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës. Donator është Liga Shqiptaro – Amerikane, prandaj edhe nga ky takim i rëndësishëm zyrtar kërkojmë lejen e ndërtimit të këtij Obelisku, që të fillojmë sa më parë që të jetë e mundur, dhe ta përfundojmë më 20 nëntor (Ditën Botërore të të drejtave të fëmijëve). 

Pra, kjo është një kërkesë krejt legjitime, që përmes Jush të mbërrijë në veshët e atyre që vendosin, në mënyrë që të mos e harrojmë këtë përmasë tragjike të gjenocidit serb mbi fëmijët shqiptarë të Kosovës, dhe jo vetëm…!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!

Ju faleminderit shumë për vëmendjen Tuaj!

Filed Under: Rajon Tagged With: Nusret pllana

PERËNDIMI PO IA VESH LËKURËN E QENGJIT UJKUT TË DIKURSHËM TË MILLOSHEVIQIT!

June 20, 2023 by s p

Perëndimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në një vathë ujqish të tërbuar.

Nga Emin AZEMI

Raportet Kosovë-Serbi nuk po komplikohen për shkak të qëndrimeve të forta të Kurtit, por për shkak të qasjes së njëanshme e joproprcionale të Perëndimit ndaj këtyre raporteve. Nëse para 24 viteve Perëndimi e bombardoi Serbinë për ta larguar atë nga marshimi hegjemonist në Kosovës, sot i njëjti Perëndim po e dekonstrukton kauzën e vet të drejtë. I njëjti Perëndim po ia vesh lëkurën e qengjit ujkut të dikurshëm të Millosheviqit.
Duke e mbështetur qorrazi një pinjoll të Millosheviqit në Beograd (lexo: një këlysh ujku), Perëndimi nuk po i ndihmon Serbisë që të largohet nga Rusia, por po ia zgjatë jetën një regjimi autokratik, i cili u ngrit kryesisht duke pasur frymëzim politikat antiperëndimore të Kremlinit.
Perendimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në vathë ujqish të tërbuar.
Perëndimi ka përvojë të mjaftueshme se si duhet të sillet në rrethana të caktuara me politikanët serbë. Millosheviqi ishte një shembull shkollor që ia kujton Perëndimit mendësinë e një politike e cila nuk e njeh dialogun por vetëm forcën e bombave të NATO-s.
Vuçiqi tani po sillet njësoj, si Milosheviqi dikur, ndërkohë që Perëndimi ka ndryshuar. Vuçiqi refuzon të vë sanksione ndaj Rusisë, dhe të trashë miqësinë me kinezët, instrumentalizon serbët e Kosovës për llogari të “botës serbe”, kontrollon dhe shantazhon media dhe intelektual, aeroportin e “Surçinit” në Beograd e ka shndërruar në parajsë transiti të hajdutëve të kamur të Kremlinit që ndodhen në listat e zeza amerikane, u krijon kushte që papengueshëm të helmojnë eterin mediat e Putinit – “Sputnik” dhe “Russia Today” etj. etj.
As vet Vuçiqi nuk ka pritur se Perëndimi do të jetë kaq zemërgjerë me të edhe pas krejt këtij qëndrimi antiperëndimor që ka ai. Vuçiqi thjeshtë po habitet me katarsisin negativ të Perëndimit, i cili ka zgjedhur të kompensojë politikat e drejta ndaj Kosovës me njëfarë shfajësimi absurd ndaj Serbisë. Prandaj Vuçiqi papengueshëm kidnapon policë në territorin e Kosovës dhe urdhëron huliganët të rrahin gazetarët shqiptarë të Prishtinës. Vuçiqi tani saktësisht e di se çfarë qëndrimi do të mbajë Perëndimi pas çdo padrejtësie që i bëhet Kosovës. Prandaj ai përmes Listës Serbe ngulfat pluralizmin politik te serbët e Kosovës, duke minuar çdo urë bashkëpunimi konstruktiv me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit po sillet normalisht, si çdo qeveri që ka synim të pastër administrimin e gjithë territorit, përmes ligjeve dhe rregullave të mirënjohura demokratike.
Në veriun e Kosovës aktualisht kryqëzohen dy mendësi politike: Ajo mesjetare e përfaqësuar nga politika proruse e Vuçiqit dhe Perëndimore, Demokratike përfaqësuar nga Albin Kurti.
Disa burokratë të Brukselit, në krye me Josef Borrelin, kanë zgjedhur të mbështesin politikën mesjetare proruse të Beogradit në Kosovë dhe të shantazhojnë politikën properëndimore të Qeverisë në Prishtinë.
Borreli dhe Lajçaku në fakt nuk kanë lidhje me parimet demokratike mbi të cilat është ngritur Europa e bashkuar, sepse ata, para se të jenë evropianë, parapëlqejnë të jenë spanjollë dhe sllovakë. Me valixhet diplomatike të BE-së ata kontrabandojnë thërmia të rrezikshme të mendësisë politike të vendeve të tyre që nuk e njohin shtetin Kosovës.
Për rrjedhojë, Borreli dhe Lajçaku janë duke ia nxirë imazhin Europës demokratike, e cila është bërë peng i një politike të jashtme që vazhdon ta sheh Kosovën me syzet e Vuçiqit!

Shkup, 18 qershor 2023

Filed Under: Fejton Tagged With: Emin Azemi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1803
  • 1804
  • 1805
  • 1806
  • 1807
  • …
  • 2976
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT