New York më 18 Korrik 2021 krijohet dega më e re e Vatrës në Ridgewood – New York. Takimi i themelimit të degës u prit me shumë entuziazëm nga të pranishmit. Kjo degë u themelua në kuadër të themelimit të degëve të reja që pritet së shpejti ti shtohen Vatrës si një mundësi kontributi, vlerash, bashkimi dhe organizimi në dobi të çështjes kombëtare. Nënkryetari i Vatrës z.Besim Malota përcolli mesazhin e kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha që dega e re dhe degët që do të krijohen në vazhdim, të funksionojnë në bazë të respektit reciprok, bashkëpunimit, etikës, vëllazërisë, frymës së Vatrës, frymës së kombit, vlerave e trashëgimisë së shkëlqyer të popullit e kombit tonë. Dega e Ridgewood – New York përbëhet nga: Bashkim Musabelliu, Xhadi Gjana, Ylli Dosku, Monda Hamitaj, Xhelal Smalaj, Ramazan Rragami, Femi Smalaj, Fari Shqarri, Abdyl Koprencka, Tatjana Gjana, Edmir Hameli, Anila Hameli, Pertef Pelenku, Vangjeli Bicolli, Vangjo Bicolli, Zoica Shehu, Haxhire Shuka, Tefta Çela, Merushe Mala, Bexhet Mala, Nazmie Lulo, Kadri Lulo, Dezi Rrezhda, Nexhip Rrezhda, Mirsa Hysa, Vali Gruda, Hysen Sejdini, Andis Shehu dhe Jovan Bicoli. Anëtarët nismëtarë të themelimit të degës janë: Bashkim Musabelliu, Xhadi Gjana, Ylli Dosku dhe Monda Hamitaj të cilët do kryejnë funksionin e drejtimit të degës deri në zgjedhjet e përgjithshme të degës para Kuvendit Kombëtar të Vatrës vitin e ardhshëm. Në fjalën e hapjes, z.Bashkim Musabelliu kryetar i grupit nismëtar të themelimit u shpreh se kjo degë do të bashkojë rreth vetes ekspertët, patriotët dhe veprimtarët më të dalluar të komunitetit shqiptar në mënyrë që të jemi një skuadër e bashkuar vlerash, intelektualësh dhe kontributorësh. Në këtë ditë të veçantë themelimi ishte i pranishëm edhe kryetari i degës së Vatrës në New Jersey z.Adem Malellari dhe Justin Bajrami nga dega e Vatrës në Hudson Valley. Takimi u përmbyll vëllazërisht me optimizmin e rritjes së anëtarësisë dhe të angazhimit të patriotëve në veprimtaritë kombëtare, publike dhe patriotike. (S.PAJA – DIELLI)
TROPOJA DHE GJEOGRAFIA E SAJ PËRBUZËSE
Shkruan: Sami Mulaj
Në mes të alpeve, zemra e Dardanisë së djeshme, Tropoja e sotme a Malësia e Gjakovës, siç edhe e kanë quajtur në mot, e të shumtë janë ata që e thërrasin edhe sot, është e “ dënuara “ e përhershme e gjeografisë së saj. Edhe pse Bukuria e Zotit, Tropoja me pozitën e saj gjeografike, është e përkëdhelur si rrallë kush tjetër, me Bjeshkë përrallore plot freski e gjelbërim, me pasuri të pamatshme bimore, drunore, ujore e nëntokësore dhe me një luginë pjellore të begatë ( ku Robin Hud i vërtetë mund të gjejë bukën në Lis), gjeografia e saj politike ka më se një shekull që e torturon. Edhe pse Tropoja, a Malësia e Gjakovës, në mbijetesën e Kombit tonë, si djep qëndrese me prijësa madhorë kombëtarë që nga Binak Alia, Mic Sokoli, Haxhi Zeka, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Hajdari e deri tek Tahir Sinani, i dha shumë Shqipërisë edhe Kosovës, ajo me gjeografinë e saj mbeti dhe është jetime. Skaji Verilindor u emërtua nga gjuha e ditës në Shqipëri për rreth 100 vjet?! E skajshëm i erdhën të gjitha “shpërblimet” nga shtet pushteti shqiptar. Vetëm mos zhvillimi e varfëria nuk i mungoi kurrë. Krahasimet e turpshme në Republikën e Shqipërisë nisnin me Tropojën, si me nivelin Zero të detit, për gjithçka. Në pasqyra e grafikëe, gjithnjë Tropoja e fundit. Sa e vlerësuar ishte Tropoja e tregojnë me pak fjalë edhe këta shembuj që nuk shlyhen kurrë nga kujtesa: A mos je nga Tropoja, pyeteshin verioret kryeneç. Dil ti Tropoja në dërrasën e zezë, pyeteshin nxënësit e studentët tropojan në shkolla. Aspak interes nga mësuesit a pedagogët t’ju mësonin emrin?! Shumë ju shqiptonin emrat në mënyrë të përçudnuar, e jo vetëm në shkolla por kudo. Puno mirë, ose sillu mirë se do të çojme në Tropojë, ishte refreni i ditës i pushtetit monist kundër punonjësve e kuadrove, kudo në Shqipëri. Janë këta shembuj të tmerrshëm për të pohuar se pushtet shteti shqiptar e ka pranuar Tropojën si mish të huaj. E në anën tjetër të Kufirit?! Kosova, edhe ajo e leshoi krejtë lehtë atë cop truall të artë të saj. Edhe atje, ftohje e harresë gati shekullore për Malesinë e Gjakovës. Në Shqipëri i ndryshojnë emrin, heshtje në Kosovë( nuk ka lënë Jugosllavia?!) Është justifikim qesharak! Edhe atje në Kosovë, me gisht tregues prej Tropoje, pa ju përmend emrin: -të ardhurve nga Tropoja ju thërrisnin ose malësorë ose emigrantë ose ata prej Shqipërie a ata përtej kufirit. E pas rënies së diktaturës është e pa imagjinueshme trajtimi i Tropojës nga dy shtet pushtetet shqiptare. Në asnjë vend të botës, po e përsëris, se në asnjë vend të Globit nuk mund të ketë një rast që qytetarët e një shteti për të shkuar në shtetin e vet a kryeqendrën e shtetit të vet, të kalojnë katër herë ( vajtje- ardhje) në dy pika kufitare dhe në të shumten e rasteve të kontrollohen tetë herë nga doganjerët! Kjo ju ndodh vetëm tropojasve çdo ditë e çdo natë, në doganën e Morinës të Punashecit për të hyrë në Kosovë dhe në doganën e Morinës të Kukësit për të dalë nga Kosova e për të hyrë në Shqipëri. E Tirana zyrtare e vlerëson luks e turizëm kulturor udhëtimin e tropojasve nëpër Kosovë për të parë Gjakovën e Prizrenin ( tropojasit e kanë detyrim jetësor të përditshëm të shkojnë në shtetin e vet, për spitale, shkolla e për punë ). Për tropojasit qënka luks një udhëtim i tmerrshëm për të shkuar në shtetin e vet, ( nëpër dy dogana e 8 kontrolle ) dhe është luks për të mbajtur pasaportën si hajmali në gji për më shumë se 100 vjet. E tropojasit mburren me Shqiptarinë, janë edhe kosovarë, janë edhe shqiptarë. Në vend që Tropoja të trajtohej mirë nga dy shtetet shqiptare, si një qingj me dy nana, ajo ka mbetur jetime, si midis dy njerkave. Pa Tropojën e tropojasit do të kishte shumë më pak Kosovë, në atë regjimin e djeshëm sllavo komunist, ku Kosovës i lihej 30 minuta kohë në javë në televizionin shtetëror shqiptar ( vetëm muzikë nga grupe amatore gati të panjohura në Kosovë). Dhe pa Tropojën, muzen e saj, pa këngën, vallen e rapsodinë dardane të tropojasve e zemrën e zhuritur të saj, për Kosovën do të kishte më pak Shqipëri në Kosovë. Është kjo lidhje zemre e Tropojës me Shqipërinë e Kosovën që kudo ku flitet e jetohet shqip Tropoja është e pranishme, frymon e ritmon Tropojë kudo në gëzimet familjare e deri në çdo organizim komuniteti në Jug e Veri, Kosovë, Shqipëri a Diasporë. Porse gjeografia e saj politike mbetet plagë shekullore. Tropoja rënkon e thërret për çdo ditë. Ajo fton dy shtetet shqiptare për të bërë MiniShengenin shqiptar e ti lënë qytetarët e saj të lëvizin lirshëm si gjithë bota. Pa pretenduar se njoh magjinë e zgjidhjes, realisht pranoj vështirësitë. Janë politike, ekonomike e juridike porse me një angazhim të madh intelektual, e dashamirësi kombëtare edhe kjo plagë shqiptare shërohet. Tropojasit si kosovarë të Shqipërisë a si shqiptarë të Kosovës, e meritojnë, pse jo edhe një rrugë ose hekurudhë anës Drinit që të lidhet me Shkodrën. Kjo i bën mirë edhe Kosovës, krejt rrafshit të Dukagjinit. Tropojasit e meritojnë një treg të lirë e të lehtë me Kosovën. Tropojasit e meritojnë statusin e dy shtetësisë, pra edhe të Kosovës e të njihen si dhe të nxirren në Kosovë dokumentet personale, diplomat, lejet e profesioneve e patentat e ndryshme. Tropojasit e meritojnë shërbimin spitalor e shkollimin e fëmijëve edhe në Kosovë. Ata si qytetarë të lirë e meritojnë një jetë si të gjithë qytetarët e tjerë si në Shqipëri dhe Kosovë.
Marko Kepi deklaratë për mediat: Lobi grek frikë nga Çamëria
Marko Kepi, kandidati republikan për Këshillin e Bashkisë Nju Jork, në një deklaratë për mediat ka sqaruar opinionin publik rreth përplasjes në Komisionin e Numërimit të votave, padinë për racizëm dhe manipulim rezultatesh si pasojë e mos numërimit të votave shqiptare. Marko Kepi akuzon Georgia Kontzamanis, me pozicion Drejtoreshë e KQZ-së në Nju Jork e cila sipas Kepit ka provuar çdo mundësi brenda dhe jashtë ligjit që shqiptarëve në Staten Island Nju Jork mos t’u numërohen votat. Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Kepit së bashku me politikanë të tjerë grekë- amerikan kanë bërë të mundur mohimin e numërimit të votave të 370 shqiptarëve, e ndërsa politikanë shqiptarë në Nju Jork po heshtin. Georgia, sipas Marko Kepit është një aktiviste e Komunitetit Grek në Nju Jork dhe një nga Drejtueset e Parades Greke në Manhattan ku çdo vit marshojnë me parulla “Vorio Epiri” dhe propoganda të ndryshme. Një rast që vlen për t’u përmendur është kur Marko Kepi organizoi Paraden për Çamërinë në zemër të Nju-Jorkut, Georgia përdori pushtetin e saj brenda partisë së vetë asaj Republikane që Senatori Golden, t’a pushonte Kepin nga puna, nga zyra dhe ambientet e tij, ku Kepi për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e stafit të Senator Marty Golden, por ky i fundit ka refuzuar në mënyrë kategorike të bëjë një veprim që i kërkohej patjetër për heqjen nga puna të Kepit. Në fushatën për Asamble që Kepi garoi kundër Michael Tannousis, ajo drejtoi fushatën e grekut kundra Kepit dhe bëri gjithçka që shqiptarët e sapo regjistruar për të votuar mos të kishin të drejtë vote në “primary” gjë që i kushtoi Kepit rreth 800 vota. Ndërsa këtë vit që matematikisht Kepi ka fituar, Georgia Kontzamanis ka ndaluar numërimin e 370 votave të shqiptarëve dhe KQZ i dha Kepit vetëm 7 ditë që ti kontaktojë 370 shqiptarë që të firmosnin formularin ku ato vërtetonin se kanë votuar dhe vota e tyre t’u numërohet. Për shkak të afatit të shkurtër kohor dhe shumë shqiptarë u gjenden në pushime, ekipi i Kepit siguroi 330 firma nga 370 që përsëri i siguronin Kepit fitoren me 130 vota plus. KQZ e Shtetit te Nju Jorkut dha urdhërin që çdo votë të numërohet me 15 Korrik. Kur filloi numërimi nga 156 zarfa që u hapen 155 vota ishin të Kepit. Në atë moment KQZ lokale Staten Island ndaloi numërimin e 175 votave që kishin mbetur dhe i quajti “të pa vlefshme”. Sot kundërshtari i Kepit është vetëm 41 vota përpara që e çon këtë garë sipas ligjit në gjygj dhe në rinumerim të çdo vote nga fillimi i procesit. E gjitha kjo lojë po bëhet që të përfitojë kundërshtari demokrat që Kepi të ketë sa më pak kohë të bëjë fushatë në garën gjenerale që cakton fituesin e Këshillit Bashkiak Qarku 50. Rinumërimi i votave fillon më 27 Korrik 2021 dhe seanca gjygjësore fillon më 9 Gusht 2021. Dita e votimeve gjenerale është më 2 Nëntor 2021- thuhet në deklaratën publike të kandidatit republikan Marko Kepi.
Arkitekt Sinani, shqiptari i shquar nga Sinanajt e Tepelenës
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit e vlerave kombëtare në veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake… Është ndërtues i xhamisë në qendër të Vlorës dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojat e së cilës sot janë varrosur nën pallatin para stadiumit “Flamurtari”. Ky artefakt historik, lëngon nën pallat për shkak të pangopësisë dhe antikombtarizmit autentik pellazgo-Iliro-shqiptar, pasi me mënyra barbare po zhdukin identitetin kombëtar. Ndërtuesit dolën me pretendimin se ishin pronar të truallit, ku janë rrënojat e kalasë së Vlorës.. Madje paraqitën dokumente pronësie (tapitë). Kjo është çudia më e madhe. Pasi xhamia e Muradijes në Vlorë, në fillim të shek.XVI është ndërtuar në formën e një tyrbeje. Kurse në vitin 1542, u rindërtua nga Arkitekt Sinani me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili vizitoi Vlorën. Me gurë të sjellë nga bregdeti shkëmbor i Vlorës, ndërtoi dhe Kalanë e Aulonës në lagjen Skelë, pranë portit detar(sot para stadiumit “Flamurtari”). Ndër veprat e tij vlen të përmenden 40 çezmat që i çuan ujë gjithë Stambollit, kurse kryearkitekt Sinani vdiq i etur për një pikë ujë. Nxënësi i tij, Mehmet Sedefqari, nga Elbasani ishte projektues dhe ndërtues i xhamisë Blu, në Stamboll. Ai projektoi veprën e kultit Taxh Mahall në Agra të Indisë, të cilën e ndërtoi bashkë me ndihmësin e tij, Ahmetin. Kjo njihet si një nga shtatë mrekullitë e botës për Mesjetën. Edhe arkitekt Kasemi ishte shqiptar, bashkë me tre të tjerët, kanë lënë emër në arkitekturën osmane. Madje dhe sot në Stamboll thonë “Kalldrëmet shqiptare”, ose “sokakët e arnautve” se ishin arkitektët shqiptarë, ata që shtruan me pllaka guri të gdhendur rrugët e Stambollit. Le të shohim më hollësisht, se cili ishte Arkitekt Sinani. Mimar Sinani apo Arkitekt Sinani, lindi më, 29 maj, 1489 dhe ndërroi jetë më, 17 korrik, 1588 në Stamboll,Turqi. Qysh në moshën 17-18 vjeç Sinani u radhit në repartet e Jeniçerëve të Perandorisë Osmane. Gjatë betejave si ushtar i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, ai njohu arkitekturën e vendeve të ndryshme, si:Egjipt, Persi, Siri, Rodos, Moldavi, Bullgari, Itali Vjenë etj. Për prejardhjen e tij, flitet shumë. Thonë se ai është armen, grek, turk etj. Të gjithë krenohen me të, ndaj duan të njihet si bir i tyre, por e vërteta qëndron ndryshe.Janë faktet ato që flasin ndryshe. Ai e ka prejardhjen nga fshati Sinanaj (Tepelenë). Historia, ne shqiptarëve, na përmend shpesh. Herë na ka lartësuar dhe herë-herë na ka fshikulluar për kokat që ka nxjerrë ky truall në shërbim të kombeve të tjera. Me të drejtë shkrimtari Kim Mehmeti thotë:“Ne jemi një popull i vetmuar”.Mund të shtojmë se ne jemi një “popull i grabitur”, dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që i kemi pjellë vetë. Nga të parët që na është vjedhur, është Arkitekt Sinani, një prej arkitektëve që në shekullin XVI mëkëmbi dhe civilizoi arkitekurën orientale. Na është vjedhur Sami Frashëri, Aleksandër Moisiu, Karl Gega…e sa e sa të tjerë”. Por le të kthehemi 430 vjet pas, kur jetoi një nga kolosët më të mëdhenj të arkitekturës botërore, Mimar (arkitekt) Sinani. Arkitekti i madh i quajtur “Mikelanxheloja i Orientit”, sipas studiuesit Denis Sharp, Sinani lindi në një familje ortodokse greke. Këtu nis edhe enigma e origjinës së tij, i cili nga burime të tjere,(Henry Maththwes) e quan bir të një familjeje kristiane që kishte përzgjedhur masonizmin. Historianët turq thonë se Sinani, vinte nga një familje turke dhe aktualisht trajtohet si një arkitekt turko-osmanlli.
Preardhja e tij e diskutuar shqiptare,është ajo që fiton edhe më shumë vlerë, pasi sipas burimeve historike turke, ai ka qenë mik i ngushtë me komandantin legjendar osman Sokullu Mehmet Pashën, i cili rridhte nga një familje nga Bosnja (dhe që më parë quhej Sokoloviç).
Poeti ynë i njohur dhe studiuesi, Akademik Xhevahir Spahiu shprehet: “për hir të së vërtetës duhet kërkuar dhe gjetur prejardhja e Arkitekt Sinanit, sepse kur bëjmë shkencë duhen gjetur edhe rrënjët gnoseologjike. Për Sinanin ka rreth 1000 libra, sipas të cilëve prejardhja e tij ngatërrohet më shumë. Ai tregohet si turk, bullgar, boshnjak etj, ndërsa grekët kanë predikuar me të madhe se ai ka qenë grek. Vetëm burimet gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit. Sipas Xhevahir Spahiut një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit, përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm ka qenë pronë e arkitekt Sinanit. Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia Muradie, në qendër të Vlorës dhe me kështjellën, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadium.i “Flamurtari”. Ndërtimi i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqasen me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë turke në Vlorë (sipas Evlija Çelebiut), në mezin e shekullit të 16-të. Poeti Spahiu parashton edhe një fakt të rëndësishëm në lidhje me prejardhjen e Sinanit. “E pra nga ishte Sinani? Nëse ai bëri Sulejmanien e famshme në Stamboll dhe ishte kryearkitekti i Perandorisë Osmane, pasardhësi i tij në këtë post ka qenë pikërisht Mehmet Sedefqari, një arkitekt nga Elbasani, autori i Xhamisë Blu po në Stamboll. Prejadhja e Sedefqarit nuk dyshohet në Turqi. Po mbas elbasanasit? Erdhi një tjetër kryearkitekt tanimë nga mali i Tomorrit, arkitekt Kasëmi. Në vakëfnamenë e tij (testamenti), ai do thotë shprehimisht : “Unë jam nga Grëmshi i Tomorricës”. Kështu pra u krijua një traditë ndërtimi arkitekturor në perandori nga arkitektët shqiptarë. Sipas Gjergj Frashërit,:“prej arkitekt Kasëmit është zbuluar një xhami dhe hamam në fshatin e tij të lindjes”. Kështu përfundon ligjëratën e tij poeti Xhevahir Spahiu, në lidhje me tre kryearkitektët gjenialë shqiptarë të perandorisë multietnike osmane. Një fakt që e mbështet prejardhjen shqiptare të tre kryearkitektëve, është edhe termi “kalldrëmet shqiptare”, që përdoret edhe sot në Turqi, dhe që simbolizon mjeshtërinë shqiptare për ndërtimin dhe ustallarë (mjeshtrat) shqiptarë, dhe për kalldrëmet e bukura që stolisnin dikur qytetet tona.
Karriera artistike e Arkitekt Sinanit:
Si arkitekt Mimari, nisi të njihet pas ndërtimit të urës mbi Lumin Prut në Moldavi më 1538. Këtë urë, Sinani e projektoi dhe e ndërtoi brenda 13 ditëve që t’i shërbente Ushtrisë së Sulltan Sulejmanit(të ashtëquajturit “Kanuni” ose “Ligjvënësi”) i cili merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Që nga kjo betejë Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe pak më vonë e emëroi kryeartitekt të perandorisë osmane. Kultura evropiane, Sinanin e ka krahasuar me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Sinani si kryarkitekt, punoi edhe gjatë kohës së sundimit të Selimit II dhe Muratit III. Pra ka punuar me 3 perandorë.
Projektet e tij dhe që i zbatoi vetë apo nën drejtimin e tij ndahen ne tri grupime:
a-Ndërtimet e Kultit,
b-Ndërtimet Ushtarake,
c-Ndërtimet Civile.
Gjatë karrierës së tij në disa dekada, arkitekti projektoi objekte të mëdha që me kohë shërbyen si simbole të perandorisë si: Xhamia Shehzade Mehmetit (djali i vdekur i Sulltan Sulejmanit), xhamia Sulejmanie në Stamboll si edhe Selimijen në Edrene. Për shërbimet e larta ndaj perandorisë osmane, mori titullin “Koxha Sinan” që do të thotë, Sinani i Madh.
Nga arktitektet e kohës moderne, të ditëve tona, ai vlerësohet si mjeshtër në përdorimin e gurit dhe për akustikën e objekteve.
Historia e arkitekturës e ka ndarë aktivitetin e tij në tri periudha:
1-Faza e çirakllëkut(ndihmës arkitekt), ku hynë Xhamia e Shehzade Mehmetit në Stamboll.
2-Faza e kallfës(mjeshtrit)gjatë së cilës ndërtoi Sulejmanien Madhështore,në Stamboll në 7 vite, kushtuar Sulltan Sulejmanit.
3-Faza e ustallëkut ose Krye-mjeshtërit, Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, kur mbretëronte Selimi i Dytë.
Arkitekt Sinani ka meritën e ndërtimit të ujësjellësit“40“çezmat (Kërkçeshme) në Stamboll. Ai që çoi ujin në gjithë Stambollin, vdiq me buzë e shpirt të tharë për një pikë ujë.
Sinani ndertoi 92 xhami,52 mesxhide (xhami të vogla),55 medrese, 7 daryl-kurra(shkolla për kuran), 20 tyrbe, 17 imarete (vende ku shpërndahet ushqim për të varfërit),13 daryshifa (spitale), 6 rrugë uji, 10 ura, 20 karvansaraje (hotele), 36 saraje, 8 bodrume, 48 hamëme (banja avulli) dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Në Shqipërinë Otomane të asaj kohe, Arkitekt Sinani ka ndërtuar xhaminë Muradie -Vlorë, xhaminë e Plumbit- Shkodër dhe kalanë e Vlorës te stadiumi “Flamurtari”, sot nën pallatin e ndërtuar në ditët tona.
Vepra e Mimar Sinani, arkitekti i bërë copash Ballkanit…
Ishte djalë i ri kur Sinani hyri në radhët e jeniçerëve, ku luftoi për vite të tëra. Gjatë betejave në shtete të ndryshme si në Egjipt, Irak, Rodos, Krime, Beograd, e deri në Vjenë, ai njohu arkitekturën e tyre dhe mësoi autodidact, duke mbajtur shënime. Më pas lundroi në Korfuz dhe Pulje të Italisë. Viti 1538 shënoi një kthesë në jetën e tij. Projektimi e ndërtimi i urës në Moldavi, në 13 ditë, ndikoi te sulltani, i cili e vlerësoi shumë. Ndaj kërkoi që ai të qëndronte pranë tij. Qysh aty nisi karriera e lavdishme e Sinanit, i cili ndërtoi rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Me punë dhe talent të pakrahasueshëm, Sulltani e emëroi kryearkitekt të oborrit perandorak. Sinani ia ndryshoi faqen Stambollit. Xhaminë Sulejmanie( Stamboll) e projekoi dhe e ndërtoi në 7 vite. Për shërbimet u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh). Ai njihej për thjeshtësinë dhe vullnetin për punë. Arkitektët evropianë, e kanë quajtur:
“ jashtëtokësor”, ose “kulmi i punës me gurë”. Ai merret si një nga shembujt e mjeshtërisë më të mirë të akustikës deri në atë kohë. Me punën e tij kolosale ai u shërbeu 3 sulltanëve. Jo vetëm ishte i zgjuar, por dhe me dinjitet, gjë që e bënte të veçantë personalitetin e tij. Si njeri me karakter të papërkulur,ai përherë mbronte tezën, njohuritë dhe punën e tij. Ndaj ishte i pabindur dhe në mosmarrëveshje me 3 sulltanët për të cilët punoi. Për shkak të dhuntive të tij gjeniale, afërsisë me sulltanin, privilegjeve që gëzonte, shkaktuan zili në oborrin perandorak. Ishin shumë smirëzinjtë që shpifnin kundër tij. Arritën deri sa i çuan fjalë sulltanit se, Sinani bënte qejf në xhaminë e Shehzade Mehmetit, kushtuar djalit të vdekur të Sulejmanit. Sulltan i Madhërishëm shkoi në xhami dhe e gjen mjeshtrin në mes të xhamisë ulur këmbëkryq duke pirë nargjile (lloj duhani turk që pihet me një llullë të gjatë). Ai turret drejt Sinanit, i cili me qetësi ngrihet në këmbë. “Për këtë të paguaj unë ty?“,-pyeti Kanuni ndërsa ai iu përgjigj:“Dëgjo! Ai i fryn nargjiles së tij, ndërsa shushurima e saj shpërndahet nëpër gjithë xhaminë,”- me shumë takt e mençuri ai i tregoi sulltanit se po maste akustikën e xhamisë, ku zëri dëgjohej në çdo kënd të saj. Dihej se mikrofonat dolën në kohët moderne. Sulltan Sulejmani vërtetoi sesa pa vend ishin thashethemet kundër Sinanit. Një fushatë kundër tij nisi edhe kur atij iu dha urdhëri të dizenjonte dhe të zbatonte projektin e quajtur “40 çezmat”(Kërkçeshme),që do t`i sillte ujë gjithë Stambollit. Ziliqarët i fryn sulltanit në vesh se. I shtyrë nga thashethemet, Kanuni përsëri i kërkoi sqarime Sinanit, i cili e qartësoi dhe së fundi e solli ujin në Stamboll. Ky projekt i synuar që nga Perandori Bizantin, Justiniani, në shek. VI pas.Kr. Sulejmani i thotë arkitekt Sinanit të kërkojë ç`të dojë për shërbimin e tij dhe për ujin që shoi etjen e kryeqytetit perandorak.
“-Madhëri, punën time Ju e paguani me para dhe unë s`kam të drejtë të kërkoj asgjë”, – iu përgjigj Sinani.
–Nëse ti nuk ke dëshirë të zgjedhësh diçka, atëherë është dëshira ime, ajo, që do të të ofrojë diçka,”- tha sulltani, dëshira e të cilit nuk mund të thyhej.
-Madhëri, dëshira juaj u plotësoftë! Do doja që nga ujësjellësi i Stambollit, të më vinte një çezmë edhe në konakun tim”.
–Qoftë e thënë dhe e bërë!”- Sulejmani dha urdhër me gojë që të bëhet, por nuk e dha me shkrim si dokument zyrtar. Kryearkitekti deri në moshën 97 vjeç, piu ujë nga çezma e tij. Ankesat e njerëzve të këqij, të mësuar me thashetheme, shkuan deri tek sulltani.
Në këtë kohë në fronin perandorak ishte Murati i Tretë, nipi i Sulejmanit. Këshillëtarët e sulltanit u ankuan duke shpifur se Sinani merrte ujë në rrugë jo të ligjshme. Në moshë të madhe, kryearkitekti 97 vjeç, u gjykua para parisë së Stambollit dhe u shpall fajtor për çezmën që kishte në konak. Me gjithë kundërshtinë e mjeshtrit se çezmën e kishte dhuratë nga Sulltani i Madhërishëm, Murati i tretë nuk e besoi dhe urdhëroi t’i pritej uji. I moshuar,i fyer publikisht, dilte më rrallë nga shtëpia, çezma e mëhallës (lagjes) ishte shumë larg, mjeshtri nisi të vuante nga etja. Sa ditë kalonin gjendja e tij rëndohej, deri sa zuri shtratin. Një natë korriku të vitit 1490, ndërsa lutej për një pikë ujë, sa për të shuar zjarrin që e digjte, përpëlitej në shtratin e vdekjes pa ia ofruar askush. Arkitekt Sinani, që shoi etjen e një qyteti, dha shpirt i zhuritur nga etja për një pikë ujë mes harrimit dhe mosmirënjohjes njerëzore.
KËSHILLTARI I BASHKISË SË NEW YORK MARK GJONAJ, DEKOROI EDITORIN E DIELLIT DALIP GRECA
Sokol PAJA- DIELLI
New York më 17 Korrik 2021, Këshilltari i Bashkisë së New York-ut z.Mark Gjonaj nderoi editorin e gazetës Dielli z.Dalip Greca me rastin e daljes së tij në pension. z.Gjonaj shprehu vlerësimet më të larta për punën dhe kontributin 12 vjeçar të z.Greca në krye të Diellit dhe punën e madhe që ka dhënë në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ky nderim tha Gjonaj nuk është vetëm për z.Dalip por edhe për familjen e tij për sakrificat që ata kanë bërë në Vatër dhe në gazetën Dielli.
Në ceremoninë e dekorimit, Këshilltari Gjonaj u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i cili pasi shprehu falenderimet për vlerësimin që i bëhet editorit që drejtoi Diellin për 12 vjet, deklaroi se z.Mark Gjonaj është një krenari kombëtare për arritjet e tij dhe ndihmën që ka dhënë për komunitetin shqiptar në New York. 12 vite në Diell dhe 10 vite te Iliria janë një shërbim shumë i madh që Dalip Greca ka bërë për komunitetin shqiptar- tha Gjonaj. Dalip Greca ka qenë fisnik dhe i papërtuar në çdo kohë për të pritur e përcjellur njerëz në Vatër e kudo.
Mirënjohja dhe nderimi që ne i bëjmë sot është shumë pak përkundër talentit dhe shërbimit që ai i ka dhënë komunitetit tonë. Dalipi na bën shumë krenar të gjithëve. Duke nderuar Dalipin ne nderojmë familjen e tij dhe shqiptarët që janë shembull në komunitet- tha Gjonaj. Më tej shtoi: Dalipi Greca shërbeu me personalitet dhe integritet si një profesionist i shkëlqyer dhe qytetar shëmbullor- përfundoi fjalën e tij Këshilltari z.Mark Gjonaj. Editori Dalip Greca në fjalën e tij falenderuese për gjithë të pranishmit, e vlerësoi Mark Gjonajn për ndihmën e pakursyer që ka dhënë për Vatrën përgjatë gjithë karrierës së tij. z.Greca para të pranishmëve tregoi disa episode të mbështjes ndaj Mark Gjonajt dhe shprehu mirënjohje për vlerësimin e lartë që iu bë prej Këshillit të Bashkisë së New Yorkut. z.Greca tha se do i shërbejë Vatrës e komunitetit shqiptar përgjithmonë, me mish e me shpirt.
Në pritjen zyrtare me rastin e vlerësimit të editorit Greca, morën pjesë Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, nënkryetari i Vatrës Ervin Dine, sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu, Editori i Diellit Sokol Paja, anëtarët e kryesisë Mark Mrnaçaj, Anton Raja, anëtarët e Këshillit Simon Qafa, Ismer Mjeku, gazetari Halil Mula, anëtari më i ri i Vatrës Nosh Mrnaçaj dhe z.Mehmet Kadria. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj falenderoi editorin Greca për shërbimet e jashtëzakonshme që ka bërë në Diell dhe në Vatër për 12 vite, ndau me të pranishmit kënaqësinë dhe krenarinë për arritjet e Diellit nën drejtimin e Dalip Grecës sidomos gjatë pandemisë globale ku Dielli u bë burim i dorës së parë të informimit për mediat shqiptare në Diasporë, Shqipëri, Kosovë e në mbarë hapsirat shqiptare. Sekretarja Nazo Veliu deklaroi se z.Greca ka qenë një personalitet i spikatur në New York dhe kryesisht i qytetit të Lushnjes dhe jo vetëm me veprimtarinë e tij dhe kërkoi që Vatra të bëjë një kërkesë për dekorimin edhe nga Bashkia e Lushnjës ku z,Greca ka kontribuar aq shumë. Në fund të takimit u anëtarësua në Vatër z.Shaqir Gjonbalaj i cili do të kontribuojë në degën Hudson Valley. Takimi u mbyll vëllazërisht me zotimin për të çuar përpara çështjen kombëtare dhe projektet që forcojnë komunitetin shqiptar në USA.








