• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra Tampa Bay do të rihapë shkollën shqipe më datën 12 tetor 2024

August 22, 2024 by s p

Të Nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Bashkombas dhe Bashkombase,

Vatra Tampa Bay është shumë e lumtur t’ju njoftojë se shkolla shqipe Vatra do të rihapet ditën e shtunë më datën 12 tetor 2024. Mësimi do të fillojë nga ora 02:00p.m. deri në orën 04:00p.m. nën drejtimin e mësuesve Lida Zaimi, Luan Goxhaj, Ana Kullaj, Haki Veliu, Ariana Poloska, and Aurora Deda. Pas mësimit të gjuhes shqipe, nxënësit do të vazhdojnë me mësimin e valleve shqiptare nën drejtimin e zonjave Linda Zaimi dhe Aurora Deda. Për aktivitetet artistike to të ndihmojë edhe profesori i nderuar i muzikës z. Armand Zaçelic.

Adresa e shkollës është: 1200 S. Keen Rd., Clearwater, FL 33756. Shkolla do të pranojë studentë nga mosha 6 deri në 14 vjec. Për të rregistruar fëmijët tuaj, ju lutemi të na kontaktoni me mesazh (sms) në numrat 727-647-2091 ose 727-512-4701. Në mesazh, jepni emrin tuaj dhe emrin dhe moshën e femijës (ose femijëve) që dëshironi të rregjistroni. Në shkollë, fëmija duhet të jetë i shoqëruar nga të paktën një nga të rriturit e familjes ose një i rritur i autorizuar nga prindërit e femijës.

Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni administratorin e shkollës, z. Tasim Ruko, drejtuesen, znj. Meri Kodra, dhe sekretarin, z. Bledar Prifti, respektivisht, në numrat 727-647-2091, 727-249-4207, dhe 727-512,4701. Si ndihmëse për problemet e përditshme të shkollës do të jetë znj. Jonida Selic. Gjithashtu, në bordin e shkollës do të marrin pjesë prindërit Klejdia Dhimo dhe Ilir Sako.

Sponsorët kryesor i shkollës shqipe do të jetë Vatra Tampa Bay, bizneset, dhe çdo individ i cili është i interesuar të mbështesë këtë iniciativë patriotike. Vatra do të sigurojë që çdo sponsor dhe kontribues të falenderohet dhe promovohet publikisht si në faqen tonë në Facebook ashtu edhe në eventet e organizuara. Dera e shkollës sonë është e hapur për të gjithë vullnetarët që duan të ndihmojnë.

Ju mirëpresim së shpejti!

Bordi i Vatra Tampa Bay

Filed Under: Vatra

Plani serb dhe rus për ndarjen e veriut të Kosovës në qershor 1999

August 22, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në librin “Collision Course NATO, Russia, and Kosovo” të John Norris ofron një pasqyrë thelbësore në negociatat që u zhvilluan midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në një përpjekje për të vendosur kushtet për përfundimin e luftës së Kosovës. Ndërsa konfrontimi kryesor ishet rreth përpjekjeve ruse për të krijuar një sektor ushtarak rus në veri të Kosovës, i cili do të kontrollohej po ashtu nga forcat serbe.

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Strobe Talbott dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Ivan Ivanov, nga 10 qershori 1999 u takuan disa herë dhe biseduan për orë bisedimet për arritjen e një kompromis për vendosjen e trupave ruse në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-u në Kosovë. Talbott shpresonte që të dyja palët të mund të bënin përparim. Presidenti Bill Clinton dhe presidenti rus Boris N. Jelcin diskutuan gjithashtu me telefon për çështjen e paqeruajtës, por ranë dakord vetëm të bisedojnë përsëri për të evituar një konfrontim ushtarak. Ishte mjeshtëria e Bill Clinton dhe Boris Yeltsin që shpëtoi partneritetin e pas Luftës së Ftohtë SHBA-Rusi gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999. Diplomacia personale e Clintonit dhe Jelcinit e ndihmoi Rusinë të luante një rol konstruktiv në kërkimin e një zgjidhjeje paqeje dhe tërheqjen e plotë të trupave serbe nga Kosova. Pavarësisht protestave të brendshme në Moskë, Jelcin nuk iu bashkua Millosheviçit, por zgjodhi të punonte me Shtetet e Bashkuara dhe të shpëtonte marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Nga ajo që pasqyrohet në librin e Jon Collins, del qartë se Moskës pasqyrojnë një luftë të ashpër diplomatike të lidershipit amerikanë për të parandaluar skenarin serb dhe rus për krijimin në mënyrë të njëanshme të një sektori rus, brenda të cilit të do të koncentroheshin jo vetëm shumica e popullatës serbe por edhe forcat policore dhe ushtarake serbe. Megjithatë, hyrja e hershme e trupave ruse në Kosovë befasoi dhe shqetësoi zyrtarët perëndimorë.

Ky studim na bëjnë të kuptojmë marrëdhëniet jo të lehta të SHBA-së dhe Rusisë në kohën kur akoma po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe dhe po përgatitej teksti i Rezolutës 1244, diplomacia ruse nga Moska në bashkëpunim me regjimin e Milosheviqit kishte filluar përpjekjet dhe presionet për një sektor rus paqeruajtës në veri të Kosovës. Edhe Presidenti Martti Ahtisaari, i cili asokohe ishte i dërguar i BE-së për arritjen e një zgjidhje paqësore me Beogradin, ka pohuar se arsyeja e vetme përse Millosheviqi e pranoi marrëveshjen e paqes, të cilën ai dhe Viktor Chernomyrdin ia kishin dorëzuar Milosheviqi, ishte për shkak ekzistencës të një “plani rus për ndarjen e mundshme të veriut të Kosovës dhe vendosjen e veriut nën kontrollin rus dhe serb.”

Ahtisaari kishte deklaruar se nuk kishte mundur të gjente ndonjë arsye tjetër pse Millosheviçi e pranoi marrëveshjen e paqes të hartuar nga G8 në në Petersberg të Gjermanisë. “Unë vazhdimisht pyesja veten: “Pse ra dakord?” Dhe nuk gjeta asgjë tjetër përveç planit rus. Unë u përpoqa të shikoja njëfarë logjike në ngjarjet, sepse në negociata rusët ishin për ndarjen dhe për të pasur sektorin e tyre. Ata nuk mund të pajtoheshin për strukturën komanduese të KFOR-it në Petersberg, sepse kishin një plan që trupat e tyre të nxitonin menjëherë në Kosovë.”

Rreth 7 qershorit, komandanti i forcave paqeruajtëse ruse në Bosnje, gjeneralmajor Roman Yepifanov, u tha trupave të tij se duhej të përgatiteshin për të lëvizur brenda një njoftimi të shkurtër. Për shkak se operacioni ishte projektuar për të ndikuar në negociatat me NATO-n, Moska i kishte thënë gjeneralit Yepifanov se ai do të duhej të qëndronte shumë fleksibël – ishte e mundur që trupat e tij do të duhej të pushonin, të prisnin ose përshpejtonin operacionin e tyre në një moment. Ora ruse ishte vënë në lëvizje.

Stenkovac në Maqedoni duke festuar fitoren e NATO-s. Ajo i tha refugjatëve kosovarë se “Milosheviqi dhe serbët e kanë humbur kontrollin mbi Kosovën. Ju do të shkoni në shtëpi dhe do të jeni në gjendje të jetoni një jetë të mirë dhe normale.”

Synimet fillestare të KFOR-it në Kosovë ishin sigurimi i aeroportit të Sllatinës afër Prishtinës, i cili do të bëhej selia e KFOR-it – i njëjti qëllim që rusët kishin synuar. Forcat serbe që po largoheshin vazhduan të plaçkitnin shtëpi dhe biznese, dhe autokolona ushtarake dhe civile bllokuan rrugët. Civilët serbë të arratisur të kujtonin shqiptarët e Kosovës që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre javët dhe muajt e mëparshëm, por serbët gëzonin një dallim të rëndësishëm—ata patën fatin të largonin më shumë nga pasuritë e tyre. Moska vazhdoi të ecë përpara me mobilizimin e saj. Në mënyrë të pabesueshme, Hungaria u dha leje fluturimit gjashtë avionëve transportues ushtarakë rusë. Anëtari më i ri i NATO-s e kishte trajtuar kërkesën si një formalitet dhe nuk e ngriti çështjen në Bruksel apo nuk e shqyrtoi atë në nivelet e tyre të larta politike. Megjithatë, ukrainasit vazhduan të vonojnë dhënien e lejes.

Moska rriti presionin e saj diplomatik mbi Kievin. Karvani prej 186 trupash ruse nga Bosnja kaloi lumin Drina, duke hyrë në Serbi rreth orës 10:30 me orën lokale – pikërisht kur Talbott dhe partia e tij u nisën nga Moska. Zyrtarët policorë dhe ushtarakë jugosllavë bënë të gjitha përpjekjet për të lehtësojnë lëvizjen e trupave ruse.

Në bordin e avionit të Forcave Ajrore, delegacioni amerikan mori sinjalin e parë se disa gjëja kishin shkuar shumë keq, kur morën një mesazh urgjent se Gjenerali Clark duhej të fliste me Talbott. Së shpejti një telefonatë e sigurt konferencë u inicua nga avioni ku u përfshinë Talbott, zëvendës i Sigurisë Kombëtare Këshilltari Jim Steinberg dhe nënkryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Joe Ralston. Kjo telefonatë u pasua nga një diskutim i mëpasshëm midis Sandy Berger në Uashington, Albright në Maqedoni, Talbott në aeroplan dhe a numri i zyrtarëve të tjerë të lartë. Të gjithë ishin të tronditur dhe të zemëruar nga zhvillimet, duke pranuar se Rusët mund të prishin marrëveshjen e paqes dhe të çojnë në ndarjen e Kosovës.

Ivanov përsëriti se trupat nuk do të hyjnë në Kosovë dhe tha: “Madeleine, mund të ktheheni në vizitën e refugjatëve me qetësi”. Ai e mbylli bisedën duke theksuar se Rusia duhej t’i jepej një rol i barabartë në Kosovë. Pak kohë më vonë Albright u tha gazetarëve:

“Ministri i Jashtëm tha se ai e kupton që duhet të ketë një komandë të unifikuar; kjo ishte diçka për të cilën ishte rënë dakord dhe ishte pjesë e dokumentit Çernomyrdin-Ahtisaari dhe më pas pjesë e rezolutës së Këshillit të Sigurimit me anekset e saj. Ai tha gjithashtu se ky ishte një hap paraprak që nëse dhe kur të bëhen pjesë e forcës ndërkombëtare të jenë të gatshëm të vendosen. Ata nuk kishin ndërmend të vendoseshin në Kosovë përpara një marrëveshjeje se si do të përshtateshin me pjesën tjetër të forcës së paqes”, pohon John Norriss.

Delegacioni i Talbott-it u rikthye në Moskë vetëm pas orës 2 të pasdites me orën lokale dhe autokolona shkoi direkt në Ministrinë e Jashtme ruse. Por, nuk ishte e qartë në se Ivanov ishte ende në dispozicion për t’i pritur ata, sepse ai po takohej me ministrin e Jashtëm austriak. I irrituar nga vonesa përballë një krize, ekipi më pas nxitoi në ambasadën e SHBA-së, duke u mbledhur në zyrën e ambasadorit Collins.

Ndërsa ekipi u ul, ata u fiksuan nga transmetimi i drejtpërdrejtë i CNN i autokolonës ruse që po kalonte me shpejtësi në një autostradë jugosllave. Ushtarët rusë të ngazëllyer u dërguan turmave përshëndetjet e fitores serbe me tre gishta dhe shumë prej pesëdhjetë automjeteve në kolonë kishin shenjat e tyre “SFOR” nga Bosnja të lyera me “KFOR”.

Zyrtarët diplomatikë dhe ushtarakë të SHBA si në Uashington ashtu edhe në Selia e NATO-s u përpoq të ushtronte presion diplomatik për të parandaluar rusët të merrnin leje fluturimi nga vendet në kufi me Kosovën. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Mark Grossman, bëri një mori thirrjesh ambasadorëve amerikanë dhe ministrive të jashtme në rajon në përpjekje për të bllokuar kërkesat për fluturim, siç bëri ambasadori i SHBA në NATO. Sandy Vershbow. Në Hungari, ngarkuesi amerikan u takua shpejt me homologët e tij hungarezë dhe u tmerrua kur zbuloi se, jo vetëm që rusët kishin kërkuar leje mbi fluturimin, por hungarezët e kishin dhënë tashmë. Statusi i fluturimit të avionëve të transportit rusë ishte i paqartë.

Edhe brenda NATO-s u ndezën debatet se si t’i përgjigjen operacionit rus. Gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson u ndanë ashpër rreth planit të Clark për të marrë bazën ajrore të Sllatinës. Zëvendësi i Clark, gjenerali Rupert Smith, tha se gjenerali Jackson kishte një sërë shqetësimesh rreth operacionit të mundshëm. Jackson mendonte se kapja e aeroportit mund të nxiste një përplasje të drejtpërdrejtë me rusët ose serbët dhe ta zhbënte marrëveshjen ushtarako-teknike. Ai gjithashtu kishte frikë se serbët mund të shkatërronin urat përgjatë rrugës nga Maqedonia dhe të izolonin trupat e NATO-s në Sllatinë.

Përderisa Jackson hezitonte të vepronte kundër rusëve, gjenerali Clark e shikoi kërcënimin si më thelbësor, nga frika se nëse Rusët do të pushtonin aeroportin e Sllatinës, pasta ata do të sillnin përforcime për batalionin nga Bosnja. Në këtë mënyrë, Moska mund të merrte kontrollin e një pjese të rëndësishme të Kosovës. Rusët mund të staciononin forcat e tyre në veri të Kosovës, të krijonin një ndarje de facto dhe të përdornin praninë e tyre ushtarake dhe të inteligjencës për të ndërprerë operacionet e NATO-s. Kishte gjithashtu spekulime se Milosheviqi ishte i etur që rusët të merrnin kontrollin e minierave në Mitrovicë dhe Trepçë, një burim i rëndësishëm të ardhurash për Beogradin.

Ishte pothuajse katër e mëngjesit. Shefi i shtabit të Talbott, Phil Goldberg, hyri në dhomë, duke folur në telefonin e tij celular me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jim Steinberg, dhe Goldberg i kaloi Talbotit një shënim të shkarravitur me nxitim. Trupat ruse kishin mbërritur në Prishtinë dhe CNN po transmetonte lajmet anembanë globit. Kolona prej pesëdhjetë automjetesh ushtarake ruse u përshëndet nga mijëra serbë kosovarë brohorisnin duke hedhur lule dhe qëlluan me armë në ajër. Civilët serbë dhe ushtarët jugosllavë iu bashkuan me gëzim festimeve ndërsa turma brohoriste: “Ne dhe rusët jemi 300 milionë”, thekson Norris.

Rreth orës pesë të mëngjesit, ministri i Jashtëm Ivanov dukej i shtangur, hyri me hap në dhomë e bisedimeve, duke shprehur keqardhje e tij “se një kolonë ushtarësh rusë kaloi kufirin në Kosovë aksidentalish.” Ivanov më pas kërkoi një takim kokë më kokë me Talbott. Nga çfarë Talbott mund të shihte dhe të dëgjonte, dukej se koha e lëvizjes së trupave në Prishtinë i kishte zënë në befasi si Ivanovin ashtu edhe Sergejevin – dy nga figurat më të fuqishme në qeverinë ruse. Kjo ndoshta ka qenë edhe loja ruse, që bisedimet të zgjasin për aq koha sa të hyjnë trupat ruse në Kosovës. Ngase udhëheqja e lartë ushtarake ruse – Sergeyev, Kvashnin dhe Ivashov – nuk u kthyen më në tryezën e bisedimeve.

Clark kishte mendimin se NATO-ja ishte mashtruar nga të gjithë në qeverinë ruse – prandaj nuk mund t’u besohej premtimeve të tyre.

Në mbrëmje, gjenerali Jackson mbërriti në aeroport me helikopter, pasi iu desh të shtynte vazhdimisht një konferencë shtypi që ishte planifikuar për më herët gjatë ditës. Gjenerali mirëpriti kontigjentin rus dhe njoftoi se do të takohej me gjeneralin Zavarzin në një përpjekje për të zgjidhur situatën. Forcat ruse dhe trupat e NATO-s në aeroportin e Sllatinës mbetën në një përballje shqetësuese, me rusët duke përdorur transportues të blinduar të personelit për të bllokuar rrugën e afrimit drejt aeroportit. Gjatë pasdites, një gjeneral rus dhe një kapiten britanik, Edward Melott, u angazhuan në tre orë bisedimesh të pafrytshme në një përpjekje për të zgjidhur çështjen e kontrollit të aeroportit. Përfundimisht britanikët u tërhoqën në skajin e largët të aeroportit. Në të gjithë Kosovën, trupat e NATO-s hynë brenda, ushtarakët dhe civilët serbë u larguan.

Marrëveshja e Helsinkit

Sekretari i Mbrojtjes Cohen dhe ministri i mbrojtjes Sergeyev mbërritën në Helsinki më 16 qershor për të finalizuar marrëveshjet për pjesëmarrjen e Rusisë në KFOR, duke filluar bisedimet në atë që Presidenti Ahtisaari e quajti një “atmosferë të paqëndrueshme”.

Më 17 qershor, ministri Ivanov dhe sekretarja Albright iu bashkuan Sergejev dhe Cohen. Deri në gjysmën e fundit të bisedimeve, rusët vazhduan të insistonin se do të vendosnin një forcë prej 10,000 trupash në terren në Kosovë, sepse kjo do t’i vinte në të njëjtin nivel me fuqitë e mëdha, duke bërë që një negociator i SHBA-së të këmbëngulte privatisht se rusët ishin duke bërë blof.

Vonë në mbrëmjen e 18 qershorit, pas më shumë se tridhjetë orë negociatash kontestuese të zhvilluara gjatë tre ditëve, Sergeyev dhe Ivanov bënë një udhëtim në ambasadën ruse për të kërkuar miratimin përfundimtar nga Presidenti Jelcin në Moskë. Pasi morën dritën jeshile, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia më në fund arritën marrëveshje për rolin e forcave ruse në KFOR.

“Kjo marrëveshje mbron interesat themelore të NATO-s. Ai parashikon si më poshtë: misionin dhe qëllimin e përbashkët të NATO-s dhe forcave ruse; uniteti në komandë nën komandantin e KFOR-it; një zinxhir komandues të NATO-s me përfaqësim rus në SHAPE, në AFSOUTH dhe selinë e KFOR-it; drejtimi politik nga Këshilli i Atlantikut të Veriut me konsultime për pjesëmarrjen ruse përmes Këshillit të Përhershëm të Përbashkët; pjesëmarrja në planin operativ të NATO-s me strukturë komanduese dhe rregullat e përbashkëta të angazhimit; sisteme të vetme të menaxhimit të hapësirës ajrore dhe kontrollit të lëvizjes tokësore; ndarjen e funksioneve në aeroportin e Prishtinës dhe garantimin e aksesit të përbashkët,” deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes William Cohen.

Përfundimi: Rusisë nuk do t’i jepej sektori i vet.

Por, në fillim të gushtit 1999, Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneral Uesli Klark, u informua me telefon se ai do të lirohej nga posti i tij disa muaj më herët, në një lëvizje që e la atë “të shtangur”. Gjenerali Clark e kishte fituar luftën vetëm për të humbur punën. Ndërsa shumë veta theksuan stilin agresiv të Klarkut si shkakun kryesor të rënies së tij, ishin të njëjtat tipare që mund ta kenë lejuar NATO-n të mbizotërojë në Kosovë, thekson Collins.

Foto : Presidenti finlandez Martti Ahtisaari (majtas), Sekretari i Mbrojtjes William S. Cohen (i dyti nga e majta), Ministri rus i Mbrojtjes Marshall Igor Sergeyev (me uniformë), Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright (djathtas) dhe Ministri i Punëve të Jashtme rus Igor Ivanov janë u bashkua me përkthyes në Vendin Presidencial në Helsinki, Finlandë, më 18 qershor 1999, ndërsa ata takohen për bisedime të mëtejshme mbi pjesëmarrjen e Rusisë në përpjekjet paqeruajtëse në Kosovë në Vendin Presidencial në Helsinki, Finlandë.

Filed Under: Histori

ARBËRORËT TË VENDOSUR NË MES TË DY KULTURAVE !

August 22, 2024 by s p

Më dt/ 20. gusht, 2024, në Obiliq-Kastriot u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Lufta e Dytë e Kosovës (1448)”, organizuar nga Komuna e Obiliqit-Kastriotit, Instituti Albanologjik-Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup. Në konferencë morën pjesë 19 studiues nga Kosova dhe nga jashtë saj.

Qëllimi i kësaj konference ishte të sillen prurje dhe interpretime të reja rreth Luftës se dytë të Kosovës dhe realizimi i idesë për ngritje e një obelisku madhështor në komunën e Obiliqit për ngjarjen në fjalë, Gjergj Kastriotin e Janosh Huniadin.

Në fillim të konferencës u mbajtën fjalët përshëndetëse. Fjala e përshëndetëse, u mbajt nga Lulëzim Lajçi, drejtor i Institutit Albanologjik. Xhafer Gashi, Kryetar i Komunës së Obiliqit – Kastriotit; Skender Asani, drejtori i Institutit pre Trashigimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe studiuesi, Dom Nikë Ukgjini.

FJALA PËRSHËNDETËSE: DOM NIKË UKGJINI

Të nderuara autoritete lokale, të nderuar studiues dhe ju pjesëmarrës! Kam kënaqësi që fillim të kësaj Konference, të rëndësishëm, të ju drejtohem me disa fjalë mendje dhe zemre. Mendja ma thotë se organizimi i kësaj konference të zgjeruar studimore është një domosdoshmëri, nevojë, për ta rikujtuar, plotësuar dhe ri interpretuar më mirë e më saktë, këtë betejë të historisë sonë, e cila pothuajse, ishte në rrezik mykjeje në sirtarët e arkivave më të rëndësishme evropiane, si dhe në mendjen të disave të brezave të rij. Zemra ma do, sepse sa më tepër që të dëgjojmë e lexojmë, për këto ngjarjeve, aq më tepër në neve zgjohen ndjenjat të trashëgimisë së brezave arbërorë dje dhe sot. Beteja e parë e Kosovës e vitit 1389, ka mbetur nga historiografia e sotme ende si një foshnje jetime dhe si ngjarje historike e mjegulluar, në krahasim më Betejën e dytë të Kosovës e vitit 1448, e cila sipas burimeve historike konsiderohet si betejë shumë e njohur e ndodhur diku për rreth e qark qytetit ku jemi bashkuar.

Fushë Kastrioti (Obiliq) më 16-19 tetor 1448, ishte bërë fushë mejdan midis aleancës të një pjesë të Evropës papnore të udhëhequr nga Janosh Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan Muratin II,, e ku Arbrit më në krye me Skënderbeun që ndodheshin në anën e aleancës evropiane, gjatë udhëtimit për në këtë pjesë fushore, “qenë penguar, si dhe shumë herë të tjera nga mbreti serb, i Shën Savës, Gjuraq Brankoviq, i cili nuk lejoj të kalonte nëpër zotërimet e tij” , thekson, në kroniken e tij, viti 1893, Jezuiti polak, Marcin Czerminski,

Sidoqoftë nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e aspiruesve të luftërave kundër osmanë në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotin. Kosova në betejën e dytë, thekson dom Ndoc Nikaj, në librin e tij, Historija e Shqypnis, botuar në Bruksel në vitin 1902,” fq. 191, ishte bërë një lufte arene e përgjakshme, në mes ushtrisë e Sulltan Muratit e asaj të krishterë në krye me Huniadin, ku nga të dyja palët patën humbje të mëdha në jetë njerëzish. Territori i Kosovës që në dokumentet e kohës, të Imz., Andre Bogdanit, thirrej Dardani, shihet qartë së në kuptimin gjeografik, ishte pikë-ndeshja kryesore e forcave të mëdha luftarake të ndodhura në mes të Perandorisë Osmane dhe forcave të mëdha katolike të një pjesë të Evropës. Në këtë rast, në mesin e aleancës, forcat e mëdha arbërore patën një rol të jashtëzakonshëm për pengimin e depërtimit të pushtuesve osman, nga ky krah për në Evropën papate.

Figura më emëblematike e shek. XV, në Ballkan, por edhe në Evropë, padyshim është ajo e Gjergj Kastriotit, të cilin pararendësit tanë e mbuluan me lavdërime më tepër se çdo hero tjetër të asaj epoke. Ai më zgjuarsinë e guximin përmes luftës 25 vjeçare kundër turqve, bëri që heroizmi arbërorë për herë të parë të jetë i njohur në tërë Evropën.

Albanologu më i shquara i shek. XX, Giuseppe Valentini në studimet e tij, për Gjergj Kastriotin duke i shprehur admirimin thotë: “Edhe mos të kishte qenë Skënderbeu ngadhënjyes në njih seri luftimesh, të vishtira, por gjithmonë i thyem, në 25 vjet qëndrese kundra Turqve, prape se prape admirimi i em e i çdo Evropiani të ndritur, do i’shte ai qi asht”… “prandaj, jeta e vepra e tij, vazhdoi të jetojë edhe me pas, në historinë e letërsinë shqiptare dhe evropiane”.

Më virtytet të larta njerëzore e ushtarake, Skënderbeu,- sipas Valentinit,- është heroi që bashkoi perëndimin nëpërmjet Papatit si emërues përbashkimit për tërë mbretëritë Evropiane, qoftë për ato shtete ballkanike që i takonin Kishës Lindore si: Greqia, Bullgaria e Serbia. Me të drejtë papët e Kuries Romake e shpallën “Athleta Christi” e “Defensor fidei”, duke e ngritur Skënderbeun në piedestal 6 shekuj më parë, e shumë më pas, më 18 janar të vitit 1968, Papa Pali i VI-të, e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Evropa e viteve 60-të.

Duke u kufizuar vetëm në botime librash që flasin kryesisht mbi Skënderbeun nga viti 1500-1900. “Janë rreth 100 të tilla, 10 në shqip, 10 në latinisht e të tjerat në gjuhë të ndryshme evropiane”,- do shprehej Valentini.

G. Valentinit me anën e “Aktet Shqiptare –Venedikase” të botuara në 25 vëllime në gjuhen latine, për periudhën e historisë para dhe të kohës së Skënderbeut, me kritere të rrepta shkencore, u ofron studiuesve një histori të imët, dokumentacion shterues e të mjaftueshëm, për ndërtimin e realitetit të betejave, kur veproi Skënderbeu. Por, mbi Betejën e dytë të Kosovës dhe në përgjithësi për luftën Osmano – Arbërore/., padyshim që janë të rëndësishme edhe kronikat – dokumentet , osmane, ato arabe, bizantine, sllave, e ato të tjera perëndimore. Me këto raste është e natyrshme të këtë edhe kundërthënie mes vete për ngjarjet e të se kaluarës. Për ketë arsye, një rrugëdalje e zgjuar është mbajtja e konferencave studimore të kohëpaskohshme të niveleve të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, që e vërteta të behët mjet çlirimi shpirtërore e moral, për të gjithë. Arbërorët të vendosur në mes të dy kulturave, të Orientit dhe Perëndimit, ka një mundësi pasurimi kulturor të dyfishtë. Por, njëherësh rrezikon të kanoset në transformimin e një kulture të tipit turko – mysliman dhe të ngërthehet në prangat e vjetra të tipit bizantin, gjë që do të sillte zbrazëtinë dhe thyerjen e saj, veçanërisht në shekujt e fundit.

Filed Under: Opinion

S’Ka -Ndal!  800 ton mbetje oferta e re e qeverisë për turizmin

August 22, 2024 by s p

Satirë Nga Rafael Floqi

Maersk cargo ship wallpaper - Photography wallpapers - #44551

Në një përpjekje të re për të promovuar turizmin e aventurës, qeveria shqiptare ka vendosur të sjellë 800 ton mbetje industriale në vend. Kjo nismë e re, e quajtur “Eksperienca e Pluhurit të Furrës”, synon të tërheqë turistë të guximshëm që kërkojnë përvoja unike dhe të rrezikshme.

Dy anije të kompanisë Maersk, të ngarkuara me kontenierë plot me mbetje të rrezikshme, u nisën nga Porti i Durrësit në fillim të korrikut. Pluhuri i furrës, një produkt mbetjesh që përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, është përzgjedhur me kujdes për të ofruar një dozë të mirë adrenalini për vizitorët.

Kompania Maersk, e cila pretendon se nuk kishte dijeni për ngarkesën, është bërë pjesë e kësaj aventure të re. “Ne menduam se po transportonim lodra për fëmijë,” tha një zëdhënës i kompanisë. “Por, hej, gjithçka është një lojë e madhe, apo jo?”

Autoritetet tajlandeze, të cilat fillimisht ndaluan futjen e anijeve, janë shprehur të zhgënjyera që nuk do të kenë mundësinë të marrin pjesë në këtë eksperiencë unike. “Ne ishim të gatshëm të mirëprisnim mbetjet, por duket se Shqipëria ka plane më të mëdha,” tha një zyrtar tajlandez.

Dy anijet e ngarkuara me mbetje të dëmshme, janë ngarkuar njëra me 60 kontenierë, tjetra me 40 kontenierë. Anija që udhëheq quhet Maersk Campton dhe ishte e ngarkuar me 40 kontenierë. Ajo mbërriti e para në Singapor dhe i shkarkoi kontenierët në datën 18 gusht. 40 kontenierët do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës.

Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, një kohë relativisht e gjatë dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht. Llogaritet që të dyja anijet të jenë në fund të shtatorit në vendin e origjinës, pra në Shqipëri.

Sinjali i parë për transportin e mbetjeve të dëmshme drejt Tajlandës e dha Basel Action Netëork (Rrjeti i ndërveprimit të Baselit) një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy anijet e ngarkuara me mbetje të dëmshme, janë ngarkuar njëra me 60 kontenierë, tjetra me 40 kontenierë. Anija që udhëheq quhet Maersk Campton dhe ishte e ngarkuar me 40 kontenierë. Ajo mbërriti e para në Singapor dhe i shkarkoi kontenierët në datën 18 gusht. 40 kontenierët do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës.

Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht, një kohë relativisht e gjatë dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht.

Llogaritet që të dyja anijet të jenë në fund të shtatorit në vendin e origjinës, pra në Shqipëri.

Sinjali i parë për transportin e mbetjeve të dëmshme drejt Tajlandës e dha Basel Action Netëork (Rrjeti i ndërveprimit të Baselit) një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka mohuar çdo përfshirje në këtë skandal dhe ka drejtuar gishtin drejt kompanive turke që operojnë në ish-metalurgjikun e Elbasanit. “Ne thjesht po përpiqemi të promovojmë turizmin,” tha një zëdhënës i qeverisë. “Kush nuk do të donte të vizitonte një vend me 800 ton mbetje toksike?”

Në një kthesë të papritur, ish-drejtori i portit të Durrësit, Pirro Vengu, është promovuar si ministër i mbrojtjes, duke u bërë kështu një nga mbrojtësit kryesorë të “Eksperiencës së Pluhurit të Furrës”. “Unë jam i emocionuar për këtë mundësi të re,” tha Vengu. “Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të mbrojtur vendin tonë nga mungesa e aventurës.”

Filed Under: Ekonomi

SKËNDERBEU DHE LUFTA E DYTË E KOSOVËS (17-19 TETOR 1448)

August 22, 2024 by s p

Prof. dr. Lulëzim Lajçi/

Ndër ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të shekullit XV, pa dyshim, radhitet edhe Lufta II e Kosovës (1448). Kjo ngjarje historike tërhoqi vëmendjen e shumë kronistëve, historianëve dhe njëherësh la gjurmë në shumë dokumente të kohës. Këto burime të dorës së parë, në kohën më të re, u studiuan nga historianë të shumtë shqiptarë dhe të huaj, e në studimet e tyre u hodh dritë për këtë ngjarje që ka një rëndësi jo vetëm për historinë tonë kombëtare, por edhe më gjerë. Rëndësia e kësaj lufte për historinë e popullit shqiptar është se u zhvillua në zemër të Dardanisë së lashtë, e jo në tokat e Gjuragj Brankoviqit, siç thuhet zakonisht në literaturën historiografike, dhe se përmes kësaj ngjarjeje ndërkombëtare mund të kuptohet qartë roli që kishin shqiptarët, me në krye Skënderbeun, në Evropë.

Janosh Huniadi, që nga vitit 1446 mëkëmbës perandorak i Hungarisë në vend të Ladislav Posthumsit të mitur, nuk e harroi turpin që e përjetoi afër Varnës (1444) dhe vazhdimisht mendonte të hakmerrej.

Në vitin 1448 Huniadi ishte në pozitë që edhe njëherë t’i sulmonte osmanët. Synimet e tij nuk ishin aq ambicioze siç qenë ato gjatë fushatës së Varnës (1444). Mirëpo, kësaj radhe synimet e tij ishin që të bashkohej me Skënderbeun, e më pastaj të pushtojë Maqedoninë dhe Serbinë Jugore.

Skënderbeu që i vetmi që iu përgjigj ushtarakisht kësaj ftese të Huniadit për fushatë kundër osmanëve. Se vërtetë Skënderbeu kishte planifikuar t’i ndihmonte Huniadit në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 dëshmojnë një mori burimesh të kohës.

Sipas dokumenteve venedikase, më 4 tetor të vitit 1448, nën muret e Lezhës, Skënderbeu bëri paqe me Republikën e Venedikut, duke kërkuar, pos tjerash, edhe që në afat prej 15 ditësh Republika t’ia paguante një provizion prej 1400 dukatesh, me arsyetim se kishte dëshirë t’i ndihmonte Huniadit.

Për këtë qëllim Skënderbeu kishte kërkuar ndihmë edhe nga Raguza. Mirëpo, edhe pse një vit më parë Senati raguzan i kishte dhënë Skënderbeut 500 litra barute si ndihmë, kësaj radhe ai u refuzua.

Kur është fjala për aleatët e tjerë të Huniadit duhet thënë se Despoti serb, refuzoi çdo ndihmë me arsyetim se ushtria e krishterë do të jetë tepër e dobët që të mund të arrinte çka do qoftë kundër ushtrisë së Muratit II. Halkokondili, por edhe shumë burime tjera bashkëkohore, pohon madje: “Në kohën kur (Murati II) donte të sulmonte me të gjitha forcat (Sfetigradin), për të dytën herë arriti prej Gjuragjit, prijësit të tribalëve lajmi se Jani (Janosh Huniadi), mbasi kishte grumbulluar peonët, kaloi Istrin (Danubin) dhe po marshonte kundër tij (sulltanit)…”.

Venediku, përfundimisht i kënaqur që bëri marrëveshje të frytshme me sulltanin, që i siguronte tregti të papenguar nëpër Levant, gjithashtu nuk donte të lëshohej në plane të tilla. As Alfonsi, mbret i Aragonës, sundimtari i Napolit dhe i Sicilisë, aspak nuk ishte i gatshëm të hynte në aventurën luftarake me rezultate të pasigurta. Janosh Huniadi më kot i qe drejtuar edhe papës Nikollës V, i cili në shkurt të vitit 1447, si pasardhës i Eugjenit IV, mori Selinë e Shën Pjetrit. Kurse Republika e Raguzës, e ndihmoi kryqëzatën vetëm me të holla.

Për këtë ndërmarrje ushtarake Huniadi grumbulloi ushtrinë buzë Danubit. Bërthama e ushtrisë së tij ishte nga Transilvania dhe kishte vetëm një kontingjent hungarez me në krye Frankon nga Talovak, Ban i Dalmacisë dhe Kroacisë dhe me dhëndrin e tij, Mihail Silagy /Micheal Szilagyi/ dhe Janosh Sikej /Szekely/. Ushtria e Huniadit marshoi nëpër Serbi, duke bërë një përparim të shpejtë. Me Serbinë Huniadi sillej si me një vend armiqësor. Rreziku i afërt që e shkaktonte armiku e kishte nxitur Huniadin që në fund të kalonte në marshe të gjata, të mundimshme, të cilat për nja njëzet ditë e sollën në fushën e famshme kosovare, në Fushën e Kosovës, ku më 17 tetor para syve të osmanëve, tërhiqet në kampin e fortifikuar.

Në Fushën e Kosovës Huniadi ndaloi ushtrinë që të çlodhej nga ai rrugëtim i gjatë, por gjithashtu edhe priste marshimin e Skënderbeut.

Forcat e Huniadit u befasuan me ushtrinë e Muratit II, i cili marshonte drejt Fushës së Kosovës në Veri. Kjo ishte një befasi jo e mirëseardhur, aq më tepër për Huniadin. Ai tani ishte para një vendim të vështirë, të tërhiqej në brendi të Serbisë, drejt Hungarisë dhe të përballej me sulmet e mundshme kundër ushtrisë së tij gjatë tërheqjes apo të qëndronte dhe të luftonte, megjithëse nuk ishte një pozicion i mirë nga mund të luftonte dhe gjithashtu Fusha e Kosovës ishte pak studiuar nga Huniadi e oficerët e tij. Në këto rrethana, hapi i parë i tij ishte dërgimi i shumë kalorësve drejt Prishtinës që ta bllokonin hyrjen e saj. Ata ishin të suksesshëm, megjithëse ndeshjet e tyre me osmanët përshkruhen si të përgjakshme. Në fund të ditës e gjithë ushtria osmane ishte pozicionuar në pjesën veriore të lumit Llab. Distanca mes dy kampeve ishte diku 4-5 kilometra.

Gjatë rivistës që sulltani ua bëri trupave, kuptohet sipas burimeve osmane, aty gjendeshin 50.000-60.000 ushtarë. Kronistët oksidentalë i çmojnë forcat e tyre, duke e tepruar si zakonisht, madje në 150 mijë njerëz, pra trefish më tepër. Në suitën e sulltanit gjendej edhe Mehmet Çelebiu (Mehmet Pushtuesi)

Ushtria e Huniadit numëronte një legjion prej 24.000 deri 30.000 vetash. Duke përfshirë në këtë total edhe forcat e vllehve që shkonin diku në rreth 10. 000 ushtarë. Këto forca udhëhiqeshin nga princi Dan i Vllahisë. Forcat e tjera të Huniadit ishin të përziera nga këmbësoria dhe kalorësia. 2000 deri 3000 pjesëtarë të artilerisë përmenden në burime si gjermanë, ashtu si edhe këmbësoria nga Transilvania.

Kur është fjala për pjesëmarrjen e shqiptarëve në në këtë ekspeditë, është me interes të veçantë letra e Pasqualis Junii de Sorgo, e datës 5. 9. 1448, nga e cila del se në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448 morën pjesë edhe shqiptarët.

Trupa osmane ishin pozicionuar përballë bregut jugor të lumit Llab, krahu i tyre i djathtë pushonte përgjatë lumit Sitnica. Trupat e Rumelisë ishin pozicionuar në krahun e majtë, në qendër dhe në anën e djathtë. Të dy krahët përmbaheshin plotësisht nga kalorësia, nga dy linja të spahinjve me shumë radhë të akinxhinjve qitës si dhe prej kalorësisë së lehtë që përbëhej prej rekrutëve. Në qendër ishte edhe këmbësoria në tri linja. Linja e fundit përbëhej nga jeniçerët, ku ishte edhe vetë sulltani, linja e dytë ishte artileria. Për rreth jeniçerëve dhe artilerisë ishte një llogore defensive dhe përqark kësaj në të tri anët ishte linja e parë e këmbësorisë e përbërë nga rekrutët asabë.

Huniadi e kishte vendosur kampin e tij në kodër nga mbikëqyrej e gjithë toka përreth tij. Linja e parë, në qendër, përfshinte kalorësinë e rëndë dhe në të dy krahët mbulohej nga kalorësia e lehtë. Ai personalisht komandonte qendrën e linjës së dytë e cila përbëhej nga trupat mbretërore, mercenarët dhe nga ca flamurtarë nga Transilvania.

Pas kësaj, Huniadi kishte pritur repartet e Skënderbeut. Mirëpo, Murati II, i cili ishte i informuar, nga Gjuragj Brankoviqi për të gjitha këto, e sulmoi Huniadin dhe e detyroi të hynte në luftë para kohe.

Kështu, forcat shqiptare me në krye Skënderbeun, ishin ende në rrugë kur filloi Lufta e Dytë në Fushën e Kosovës (17-19 tetor 1448). Kronistët osmanë shkruajnë se në ditën e parë të krishterët u kishin shkaktuar humbje të mëdha osmanëve. Në përleshjet e para Muratin II e kishte shpëtuar vetëm superioriteti i ushtrisë së tij.

Luftimet më 18 tetor 1448

Burimet që flasin për luftimet e mbrëmjes së ditës së parë janë të pakta. Halkokondili konstaton se hungarezët ishin vërsulur gjatë natës drejt kampit osman, por ishin zmbrapsur nga jeniçerët.

Luftimet e 19 tetorit 1448

Renditja e ushtrisë osmane, i ngjante asaj të ditës paraprake. Përveç se kalorësia nga Thesalia ishte zhvendosur nga kontingjenti i Rumelisë dhe ishte përqendruar ijëve, përreth ushtrisë hungareze. Huniadi gjithashtu përforcoi krahun e majtë me Janosh Sikej /Szekelyin/ dhe njerëzit e tij, i cili më parë kishte qenë i vendosur në qendër dhe e përforcoi këtë krah edhe me forcat rezervë të kalorësisë. Huniadi shumicën e këmbësorisë e kishte përqendruar në qendër dhe shoqëroheshin nga shumica e trupave mobile të artilerisë

Luftimet më 19 tetor 1448

Osmanët filluan sulmet përmes kalorësisë nga Anadolli. Ata u ndeshën me hungarezët në krahun e djathtë. Ana e dobësuar e majtë e osmanëve filloi të përleshej me hungarezët me në krye Loshoncin /Losonczin/, i cili ishte nën presion dhe kishte vështirësi të mëdha që t`i parandalonte osmanët që kishin synim të kalonin prapa linjave hungareze. Në këto rrethana Huniadi me të dy krahët e ushtrisë së tij u drejtua qendrës kundër këmbësorisë osmane. Asabët u shtynë tutje nga zjarri i artilerisë dhe nga sulmet e këmbësorisë. Artileria osmane dhe jeniçerët mundën ta ndalonin përparimin e këmbësorisë hungareze. Sidoqoftë, kalorësia hungareze, e udhëhequr personalisht nga Huniadi, depërtoi drejt vijave – radhëve të jeniçerëve.

Në një situatë mjaftë të vështirë, sulltani kishte urdhëruar komandantin kryesor të kampit të bagazhit-transportit, Sinan beun që të përforcojë qendrën me gardën e kampit. Këto forca ishin të mjaftueshme që t’i stabilizonin linjat osmane të luftës dhe që t`u mundësojnë jeniçerëve që të rimarrin veten. Pas këtyre luftimeve Huniadi tërhoqi forcat e qendrës prapa duke i kthyer ato në pozitat e mëparshme.

Në këtë situatë të vështirë, trupat hungareze në anën e djathtë ishin nën presion, kurse ana e majtë ishte në pamundësi që të ecte përpara kundër qitëseve osmanë. Në këto rrethana Turhani dhe kalorësia e Thesalisë arritën prapa shpinës së hungarezëve në krahun e majtë. Në pamundësi manovrimi dhe që t`i ikej këtij sulmi dhe rreziku Dani me vllehtë e tij ishin dërrmuar keqas dhe ishin detyruar që të dorëzoheshin. Anadollasit filluan që t`i shkatërrojnë ijët e trupave hungareze. Në këto rrethana Huniadi kishte urdhëruar që të tërhiqeshin drejt kampit. Qendra hungareze dhe krahu i majtë arritën të tërhiqeshin në kamp pa shumë humbje, porse krahu i djathtë ishte asgjësuar, kurse vetë Skej /Szekeli/ ishte vrarë gjatë luftimeve.

Rrjedhoja e luftimeve

Fatkeqësisht pas tre luftimesh Huniadi vendosi që të tërhiqej në orët e hershme të mëngjesit. Në tërheqje e sipër nëpër Serbi, drejt Danubit, Huniadi ishte zënë rob nga Gjuragj Brankoviqi. Sipas dëshmive të Giacomo di Luccarit, Gjuragji me këtë rast kishte urdhëruar që Huniadi të mbytej në lumin Resava dhe vetëm pas ndërhyrjes së Pasqual Sorgos, që atëbotë ishte çeonik i despotit dhe ambasadorit Damiano Giorgi, ky kishte mbetur gjallë. U lirua kah fundi i vitit, pas nënshkrimit të marrëveshjes mjaft të pakënaqshme, të cilën natyrisht papa e kishte shpallur të pavlefshme dhe ishte kthyer në Segedin.

Lajmin për disfatën e ushtrisë hungareze Skënderbeu e kishte marrë vesh në kohën kur ishte duke shpërthyer, me forcën e armëve, kufirin e Misisë, meqë Gjuragj Brankoviqi i kishte mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet, me të vetmin qëllim që ta pamundësonte bashkimin e këtyre forcave me ato të Huniadit, në frontin e përbashkët kundër “dhëndrit” të tij -Muratit II.

Prandaj, për të mos mbetur pa u dënuar për këtë krim, siç shkruan Barleti, Skënderbeu i kishte sulmuar viset që i sundonte Gjuragji dhe kishte shkretuar një pjesë të tyre. Gjatë kohës kur kthehej për në Krujë ishte takuar me hungarezët dhe polakët e mbetur gjallë pas asaj kërdie dhe me këtë rast i kishte ndihmuar jo vetëm më të holla dhe ushqime për disa ditë me radhë, por ua kishte siguruar edhe anijet për të shkuar së pari në Raguzë e prej këndej për në Hungari.

Sipas Fran Babingerit 17000 njerëz të ushtrisë së Huniadit qenë vrarë, në mesin e të cilëve edhe lulja e bujarisë hungareze. Kurse humbjet osmane, po sipas këtij autori ishin dyfish më të mëdha. Pas përfundimit të kësaj lufte, sulltani kishte urdhëruar që nga ushtarët e rënë në këtë fushëbetejë të varrosen vetëm më të merituarit, ndërsa kufomat e ushtarëve të rëndomtë të mblidheshin në grumbull e të hidheshin në Sitnicë, e cila nga ky veprim ishte ndotur aq shumë, sa një kohë të gjatë pas kësaj as peshku nga ky lum nuk ka mundur të hahet. Disfata e Varnës dhe kjo në Fushën e Kosovës i hodhën hije të zezë lavdisë ushtarake të Janosh Huniadit.

Nga sa u tha më lart, me gjithë përgatitjet për këtë luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare në krye me Skënderbeun nuk arritën të merrnin pjesë në luftë. Rrjedhimisht trupat e Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në luftën që u zhvillua më 17-19 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.

Pra, veç përgatitjeve dhe gatishmërisë së Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të luftës në fjalë, përgjithësisht shkrimtarët, historianët unanimisht e zënë në gojë vonimin e shqiptarëve me Skënderbeun në krye për t`u bashkuar me trupat hungareze. Si shkak i “vonimit” të kryetrimit shqiptar në këtë ngjarje ndërkombëtare, për ta ndihmuar aleatin tij, konsiderohet pothuajse unanimisht se Skënderbeu qe i penguar prej despotit serb Gjuragj Brankoviqit, aleat i dhëndrit, pra Muratit II, i cili i mbylli Skënderbeut të gjitha rrugët e shtigjet nga mund të kalonte. Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar “vonesën” e Skënderbeut në Luftën e Dytë të Kosovës më 1448, nxorën në shesh edhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur ta pranonte luftën para ardhjes së Skënderbeut në Fushën e Kosovës, gjë që u mirëprit nga Murati II, i cili duke u druajtur veçanërisht përfshirjes së shqiptarëve, mezi priste të hynte në Luftë.

Ky konstatimi i cili është i pranishëm edhe në historiografinë shqiptare, mendoj se nuk qëndron. Në marrëveshjen mes “Lidhjes Shqiptare” dhe Venedikut, të datës 4 tetor 1448, pos tjerash, del edhe ky fakti i rëndësishëm, se Skënderbeu kërkoi 1400 dukate, në aftat prej 15 ditësh, për t`iu bashkuar ekspeditës kundër Perandorisë Osmane. Po të kemi parasysh datën 4 tetor dhe 15 ditët e ardhshme të afatit për marrjen e kësaj shume nga Republika e Shën Markut, del qartë se Skënderbeu me të deleguarin e Huniadit, për të cilin informon Halkokondili, ishte marrë vesh që kjo luftë të fillonte me siguri diku pas datës 19 tetor, e jo siç ndodhi më 17-19 tetor 1448. Pra, të gjitha meritat për disfatën e Huniadit, i takojnë tradhtisë së Gjuragj Brankoviqit, e kurrsesi vonesës së Skënderbeut. Sepse në kohën kur Huniadi priste në Fushën e Kosovës repartet e Skënderbeut, Murati II, i cili ishte informuar për të gjitha këto nga miku i shtëpisë – Gjuragjit, e kishte detyruar Huniadin të hynte në luftë para kohe.

Përfundim

Për dallim nga e ashtuquajturën – e imagjinuar Beteja e Kosovës (1389) që është mbështjellur me vellon e mitit serb, me të vetmin qëllim që përmes kësaj ngjarjeje të “dëshmohet” para botës se para ardhjes së osmanëve në Ballkan Kosova ishte tokë serbe, Lufta e Kosovës e vitit 1448, nga sa u tha lartë, është një ngjarje e vërtetë historike, për të cilën dëshmojnë shumë dokumente.

Prandaj, në nderim të dhjetëra mijëra ushtarëve të vrarë, hungarezë, shqiptarë, vllehë kam apeluar qysh në vitin 2009 që pikërisht në atë vend ku ka ndodhur Lufta e Dytë e Kosovës, ngjarje kjo e karakterit ndërkombëtar, të ngritët një monument madhështor. Si ide ky monument duhet të kishte një bazament prej 14 metrash dhe një lartësi pre 48 metrash qe do te simbolizonte vitin 1448 kur edhe ndodhi kjo luftë..

Thonë e treta e vërteta. Për herë të parë e kam ngritur këtë çështje në vitin 2009 me një rast kur isha mysafir në RTK në programin kulturo-artistik që e udhëhiqte Mustafë Ferizi, herën e dytë e kam ngritur vitin 2014 në Konferencën ndërkombëtare që u mbajt në Budapest me temën Albanians and Hungarians: Historical smilarties and differences in Centuries, ku edhe kam lexuar kumtesën që lidhej pikërisht me Luftën e Dytë të Kosovës dhe më datë 25.03.2019 ju kam drejtuar Kryetarit te Komunës z. Xhafer Gashit me Kërkesë për të ndarjen një parcelë toke prej 25-30 ari në Mazgit, ku do të ngritej një obelisk madhështor kushtuar dy gjeneralëve më të mëdhenj të shekullit XV, Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Janosh Huniadit, bartësve kryesor të rezistencës kundër osmane në Evropë në shekullin XV. Ky obelisk do të ishte edhe një shenjë nderimi për 17000 të vrarët në Mazgit, në Luftën e Dytë të Kosovës më 17-19 tetor 1448. Fatmirësisht kjo Kërkesë u miratua nga KK i Obiliqit – Kastriot dhe kjo konference shkencore që po e mbajmë sot ne Asamblenë e Kastriotit nuk është e rastësishme, kjo konference i paraprinë gurthemelit te obeliskut qe do te vendoset me 17 tetor te këtij. Faleminderit shume i nderuari kryetar Xhafer Gashi, faleminderit drejtorit te drejtorit Arben Berisha, faleminderit gjithë asamblistëve qe e votuan këtë projekt dhe na shkoftë puna mbare.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 964
  • 965
  • 966
  • 967
  • 968
  • …
  • 2951
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT