• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nis zbatimin e programit: Mbajmë familjet sëbashku

August 22, 2024 by s p

Av. Hasan Metuku/

UASHINGTON – 19.08.2024 – Departamenti i Sigurisë Kombëtare dy ditë më parë shpalli një njoftim në Regjistrin Federal për të zbatuar Mbajtjen e Familjeve së bashku, një proces për disa bashkëshortë joshtetas të qytetarëve amerikanë.

Sherbimi i Shtetesise dhe Emigracionit (USCIS) ka filluar menjëherë pranimin e kërkesave nga individë që kualifikohen për këtë proces më 19 gusht 2024. Individët duhet të paraqesin Formularin I-131F, Aplikim për Lejim me kusht për disa bashkëshortë të caktuar joshtetas të qytetarëve të SHBA-së, në internet pasi të krijojnë një llogari myUSCIS. Tarifa e paraqitjes është 580 dollarë. Kërkesat për mospagimin e tarifave për Formularin I-131F nuk pranohen.

Kriteret kualifikues per bashkëshortët joshtetas të shtetasve amerikanë jane:

-Të jetë i pranishëm në Shtetet e Bashkuara dhe qe nuk eshte pranuar ose liruar me kusht nga autoritetet;

-Ka qenë vazhdimisht fizikisht prezent në Shtetet e Bashkuara që nga data 17 qershor 2014, deri në datën e paraqitjes së kërkesës;

-Të kete një martesë të vlefshme ligjërisht me një shtetas amerikan në ose përpara datës 17 qershor 2024;

– Nuk ka histori kriminale skualifikuese dhe perndryshe, nuk konsiderohen si kërcënim për sigurinë publike, sigurinë kombëtare ose sigurinë kufitare; dhe

– Ti nënshtrohen kontrolleve te shenjave te gishtave dhe atyre procedurave të nevojshme per verifikim per sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike.

Vlen te theksojme se, ndërsa per një dënim për krime dhe histori të caktuara kriminale do të skualifikoheshin automatikisht, çdo histori kriminale – pavarësisht llojit të veprës penale – do të supozohej e papërshtatshme. Ata qe jane me shkelje të vogla do të duhet të mbrojne rastin në Sherbimin e Shtetesise dhe Emigracionit (USCIS) që të marrin miratimin.

Lejimi i qendrimit me kusht, në vetvete nuk është i barabartë me pranimin në SHBA dhe mund të ndërpritet në çdo kohë. Emigrantët pa status të ligjshëm, që kane hyre më parë në vend – për shembull, ata që kanë hyrë në vend me një vizë të vlefshme dhe e kanë tejkaluar statusin e tyre – nuk do të kenë të drejtë te perfitojne nga ky program.

Kohëzgjatja e lejimit te qendrimit me kusht, në përgjithësi do të jetë deri në tre vjet. Departamenti i Sigurise Kombetare (DHS) nuk ka plane për një proces tjeter të mëvonshëm per kete ceshtje.

Nëse nuk aplikoni për rregullim të statusit (Green Card) ose nuk merrni një status tjetër emigrimi përpara skadimit të periudhës së lejimit me kusht, ju do te shtoni kohen e pranisë tuaj te paligjshme. Çdo autorizim punësimi i bazuar në lejimin me kusht i dhënë nga USCIS (kategoria (c)(11)) gjithashtu në përgjithësi do të skadojë në të njëjtën kohë kur skadon periudha juaj e lejimit te qendrimit me kusht.

Sherbimi i Shtetesise dhe Emigracionit (USCIS) ka publikuar informacion shtesë mbi kriteret e pranueshmërisë, procesin e aplikimit, shembuj të llojeve të provave që duhet të paraqesin joshtetasit për të pare përshtatshmërinë per kualfikim; si të krijoni një llogari në internet dhe të depozitoni Formularin I-131F në internet; dhe si të shmangni mashtrimet në këtë proces. Mund të gjeni më shumë informacion në faqen: Keeping Families Together (Mbajtja bashke e Familjeve).

Ne jemi te gatshem t’ju asistojme jo vetem ne shqyrtimin e rastit tuaj apo te afermeve tuaj, per te pare nese mund te perfitojne nga ky program, por dhe per te ndjekur procedurat dhe paraqituar provat e nevojshme perpara autoriteteve te emigracionit dhe te sigurise.

Per sa me siper kontaktoni :

Metuku Law P.C.

39 Broadway, Suite 1450

New York, NY 10006

Phone: 212-480-4242

Fax: 212-566-4088

Email: Hhm@metukulaw.com

Website: www.metukulaw.com

Filed Under: Emigracion

“At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve”

August 21, 2024 by s p

Hazir Mehmeti/

Kushtuar At Prof. Dr. Antonio Bellusci.

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë zgjeroi aktivitet e saja gjatë dhjetë vjetëve të jetës së saj. Njëra nga hapësirat e aktiviteteve që dha forcë e energji të re krijuese, ishin vizitat dhe aktivitetet në Kalabri, kurorëzuar më orën letrare ”Pranvera Arbëreshe 2024”- Frasnitë (Frascineto), fshati historik arbëresh i At Antonio Belluscit. Aktivitete intensive hulumtuese e publicistike gjysmëshekullore të Rexhep Rifatit, ishin hapja e shtegut drejtë portës së Arbërisë, ishte rruga e prekjes nga afër e jetës, e mallit dhe pritjes vëllazërore. Studiuesja e njohur, Ornela Radovicka do shprehet: “Miku ynë Rexhep Rifati, i pa përtuar ka sfiduar edhe orën biologjike, i pa lodhur dhe i gjendur në çdo kohë, ka krijuar ura midis botës arbërore dhe asaj Kosovare në Diasporë”.

Këto ura mes vëllezërve i pasuroi Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), me 6 e 7 maj të këtij viti duke organizuar, mes tjerash, takimin me Rilindësin e madh, At Antonio Belluscin dhe vizitën në Bibliotekën e tij. Shtëpia e tij shekullore është Bibliotekë kombëtare, është arkiv kombëtar që nuk ka krahasim me bibliotekat tjera sado të reja e me shumë stoli qelqi. Kjo bibliotekë është tani, veç tjerash, është arkiv i njohur i pasur me materiale burimore arbëreshe e shqiptare duke u shndërruar në qendër hulumtuese albanologjike.

Me 6 e 7 maj ishte takimi vëllazëror dhe emocionues me At Antonio Belluscin. Ai nga ballkoni i tij me flamuj iu drejtua vizitorëve me plotë dashuri e respekt zemre ashtu siç vetëm ai dinte:

“Mirë se vini O vëllezër! Ju kam pritur me shekuj dhe ju pres gjithmonë me shpirt e zemër, e vatër, ashtu si pret Arbëri. Kam folur me Zotin dhe Ai nuk më merr pa u përqafuar me juve, po ju pres me padurim dhe me shumë hare! (Këtë ua kishte thënë në telefon zotit Rexhep Rifati dhe zotit Mentor Thaqi, para se të shkonim në Frasnitë)

Gjaku dhe gjuha janë pasuri e jonë, pra thesari që e ruajtën identitetin arbëror.” Pikërisht me këto fjalë hapet libri i ri kushtuar At Antonio Belluscit: At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve” ( At Prof. Dr. Antonio Bellusci ).

Dyzet e tri ditë më vonë, më 19 qershor 2024, ditë e mërkurë, shpirti i Rilindësit të dy shekujve, At Ndon Bellusci, merr rrugën e vet në pavdekësinë qiellore. Një ditë më vonë mbahet ceremonia lamtumirës në Kishën shekullore arbëreshe të Frasnitës, vendlindja e tij. Çdo gjë në Frasnitën arbëreshe dhe katedralen e saj, ka gjurmë përkujdesje të familjes Bellusci dhe birit të saj At Antonio Bellusci. LKSHM u përfaqësua nga dy nënkryetarët e saj, Rexhep Rifati nga Zvicra dhe Hazir Mehmeti nga Austria.

Nuk do harrohen fjalët e kryetarit Katapano, Ambasadorit Vehbi Miftari, studiueses Ornela Radovicka, shkrimtares dhe aktivistes Maria Antonietta Rimoli, Priftit Arbëresh të Frasnitës (Frascineto) me origjinë rumune, Zoti Gabriele. Lexime rasti në gjuhën arbëreshe nga priftër arbëresh. Dhembje! Vargu i gjatë ngushëllues mbi arkivolin e At Antonio Belluscit shprehte falënderimin për veprën e tij, krenarinë që madhëroi Frasnitën, Arbërinë e gjithë shqiptarinë.

“Shteti Shqiptar duhet ta nderonte birin e tij, që kishte bërë shumë për të! Njeriun Tonë kaq të nderuar në botë, i njohur në 5 kontinente”. Asnjë përfaqësues nga Shqipëria, asnjë telegram ngushëllimi. E pa falshme! As nga Akademia e Shkencave! Nga Shqipëria kishin ardhur me dhembjen e madhe për mikun e tyre, Brizida Gjikondi, nga shoqata “Tamara Gjikondi” dhe Franco Calimà, nga shoqata “Pal Engjëlli” në Tiranë.

Në hyrje të librit, autorët:

Musa Jupolli, kryetar dhe Mentor Thaqi, sekretar, hapin shkrimet në librin e tyre dhe të LKSHM-së me titull “At Ndon Belushi, kolosi rilindës i dy shekujve”: “Arbëreshët Poemë e një kulture të lashtë në dashuri të gjuhës dhe gjakut arbëresh.” Mentor Thaqi: “Ndon Belushit tuaj dhe tonë RILINDËSIT më të madh arbëror të dy shekujve të fundit, shkrimtarit, historianit, poliglotit, meshtarit, pedagogut, filozofit, publicistit dhe Njeriut të Zotit e të Kombit…

Do ta ruajmë në mendje e zemra edhe bekimin që morëm prej Tij!“

Libri përmban aktivitet në Frasnitë në maj dhe shkrime me rastin e shkuarjes në Amshim të At Antonio Belluscit. Pastaj, shkrime hulumtuese nga Isak Shema, Don Lush Gjergji, Ornela Radovicka, Rexhep Rifati, Hazir Mehmeti etj. Libri është përmban poezi nga poete e poetë të Lidhjes që i kushtohen At Belluscit.

Së pari herë në Kalabri, LKSHM organizoi orën letrare ”Pranvera Arbëreshe 2024” ku lexuan krijues e krijuese arbëreshe dhe 40 krijues nga Mërgata (diaspora), pjesë e Lidhjes.

Me 19 qershor Lidhja mori lajmin e hidhur për kalimin e At Antonio Belluscit në amshim. Ishte kjo një humbje e madhe për të gjithë Arbërinë e shqiptarinë. E gjithë Gjitonia e Kalabrisë u vu në organizimin e përcjelljes nderimi të birit të saj i cili e bëri krenar me veprën e tij madhore kombëtare. Nga Kosova ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Selisë së Shenjtë Vehbi Miftari. Ai tani me punën e tij po e madhështon lidhjen vëllazërore mes Kosovës dhe arbëreshëve në veçanti dhe Selisë së Shenjtë në përgjithësi.

Mbi të gjitha këto ngjarje të majit dhe qershorit, kryesia e Lidhjes… vendosi për të nxjerrë librin përkujtimor në nderim të At Antonio Belluscit dhe arbëreshëve në Kalabri dhe Sicili.

Autorët, Musa Jupolli dhe Mentor Thaqi shkruan dhe zgjodhën me kujdes shkrime nga krijuesit kushtuar At Antonio Belluscit, pastaj telegrame ngushëllimi, rrëfime nga takimet, poezi, baza e librit i cili u shtyp në LENA GAPHYC në Prishtinë.

Pas botimit, u takuam në Sheshin Zahir Pajaziti me Musa Jupollin dhe Ambasadorin Vehbi Miftari ku rikujtuam takimet tona në Kalabri me At Antonio Bellusci dhe arbëreshët.

Në shekullin tonë pa dyshim, se Prof. Dr. Antonio Bellusci është figura më e madhe të cilin me të drejtë e krahasojnë me Fan Nolin. Po, AI është pasardhësi i vërtetë i Fan Nolit me veprën e tij si hulumtues, shkrimtar, përkthyes, publicist, meshtar, veprimtar, aktivist politike me filozofinë e tij vizionare. Vërtetë, Burrë i Madh i Kombit!

Libri do shpërndahet tek anëtarët e Lidhjes dhe biblioteka gjithandej hapësirave arbëreshe e shqiptare kudo.

Përgëzime për autorët e librit për shkrimet e tyre dhe mbledhjen e redaktimin e shkrimeve të shumta. Përgëzime LKSH në Mërgatë për aktivitetin e saj. LKSHM, themeloi çmimin “At Antonio Bellusci” i cili iu nda dy gazetarëve aktiv, shkrimtarë e aktivistë dhe nënkryetarë të Lidhjes, Prof. Rexhep Rifatit në Zvicër dhe Prof. Hazir Mehmetit në Austri.

LKSHM ka përpiluar planin e befasisë së këndshme në nderim të At Prof. Dr. Ndon Belushit në 90 Vjetorin e lindjes. Orë letrare e radhës në bashkë nderim me dy personalitete tjera që At Belushi i kishte për zemër.

Rrugë të mbarë librit!

Filed Under: Reportazh

NJË RAST I HUMBUR – NJË DËSHTIM TRASHANIK HISTORIK, PËRMASASH KOMBËTARE

August 21, 2024 by s p

Në 40-vjetorin e vizitës së Jozef Strauss, ish-politikanit gjermano-perëndimor në Shqipërinë stalinisto-komuniste, Gusht, 1984

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Ishte kulmi i luftës së ftohtë. Themelimi i lëvizjes së puntorëve polakë, Solidarnoshq, shërbeu si një shembull për përhapjen e ideve anti-komuniste, për tu ndjekur anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, duke dobësuar kështu, seriozisht, regjimet komuniste, gjë që më në fund çoi në revolucionet e vitit 1989 dhe në shembjen e Murit të Berlinit.

Ishte në këtë periudhë dhe në këtë atmosferë tensionesh politike ndërkombëtare – pikërisht në Gusht, të vitit 1984 – kur diktatori stalinist i Shqipërisë, Enver Hoxha ishte ende i gjallë – ndërkohë që politikani gjermano-perëndimor, Jozef Strauss, kishte vendosur të vizitonte Shqipërinë – duke u bërë kështu i pari udhëheqës i lartë politik perëndimor, që vizitonte Shqipërinë e vet-izoluar, të mbyllur nga bota, sidomos, nga ajo perëndimore.  

Më kujtohet, në atë kohë, se gazetat më të njohura amerikane, si Nju Jork Tajms, Christian Science Monitor, Washington Post, ndër të tjera, hamendsonin se Jozef Straussi po vizitonte Shqipërinë komuniste me qëllim për të përgatitur rrugën për vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore.  Kjo, sepse, Jozef Straussi, para se të vizitonte Shqipërinë në gusht të vitit 1984, ai kishte bërë disa vizita, si përfaqsues i qeverisë së Bonit, në Gjermaninë lindore komuniste, në Çekosllovaki, në Poloni dhe në Rumani, si pjesë e ost-politikës gjermane.

Por qeveria e Bonit në atë kohë i pat hedhur posht ato spekullime në media duke shkruar se Straussi gjëndej në Shqipëri si vizitor privat dhe se nuk përfaqësonte, zyrtarisht, qeverinë dhe shtetin gjermano-perëndimor në atë vizitë, në Shqipëri.  Por nga ana tjetër, gazetat e asaj kohe njoftonin se gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jozef Straussi ishte takuar me Zëvendës-Kryeministrin e Shqipërisë dhe anëtarin e Byrosë Politike, Manush Myftiun, duke shtuar kështu shpresat e analistëve se vizita e zyrtarit të lartë politik i krahut të djatht gjerman në bastionin stalinist në Evropë – ishte diçka më tepër se një vizitë e rendomtë prej turisti.  Ata e interpretonin atë vizitë si ndoshta shënja e parë e fillimit të një ndryshimi të politikës së jashtme izolacioniste të regjimit komunist të Tiranës.

Por, cilat do qofshin qenë synimet e vizitës së Jozef Straussit në Shqipërinë komuniste gushtin e vitit 1984 – një vizitë që thuhej në atë kohë, se ishte bërë në konsultime edhe me Washingtonin zyrtar – ajo dështoi keqas, për fatin e shëmtuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos duke marrë parasyshë, përfitimet ekonomike dhe politike që mund të rezultonin prej saj.

Duke refuzuar të nënshkruante një traktat paqeje midis dy vendeve, për t’i dhënë fund Luftës së II botërore, regjimi komunist i Shqipërisë ishte më i interesuar që të siguronte “reparime lufte” nga Gjermania dhe jo në marrëdhnie afatgjata, para se të lidhte marrëdhënie diplomatike me Bonin, megjithëse ato u rivendosën në vitin 1987.  U humb rasti! Ishte tepër vonë për regjimin e vetmuar stalinist të botës komuniste, të përfitonte nga vizita duke humbur kështu çdo mundësi për të influencuar, në mënyrë pozitive, zhvillimin e ngjarjeve në favor të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Regjimi diktatorial komunist shqiptar ishte më i interesuar të ruante në vazhdimësi “pastërtinë” e ideologjisë staliniste, anti-perëndimore dhe sidomos frymën anti-amerikane. 

Vizita e Straussit ishte një katastrofë.  A u kujtohet kur regjimi komunist shqiptar Jozef Straussin e çoi në kalanë e Gjirokastrës për t’i treguar Z.  Strauss “arritjen e madhe heroike ushtarake” të forcave komuniste të kapjes së një aeroplani amerikan që thuhej se kishte shkelur hapësirën ajrore të Shqipërisë? Ndërsa në agjendën e vizitës së Straussit kishin futur edhe një ndalesë të tij në shtëpinë e lindjes së “udhëheqsit të lavdishëm”, anti-perendimor, Enver Hoxhës. Merreni me mend! 

Rrethanat në Evropë çuan, eventualisht, në hapjen e Shqipërisë ndaj Perëndimit, por kjo nuk ishte një prioritet aq me rëndësi për ta. Ata donin “reparimet ekonomike” nga Gjermania që të nxirrnin ekonominë shqiptare nga humnera në të cilën e kishin hedhur për një gjysëm shekulli politikash dështuese ekonomike staliniste. Zhvillimet politike të ndryshimit të madh historik në Evropë kishin hyrë në një rrugë të pa këthesë — drejtë lirisë e demokracisë. Ashtuqë, në vitet para shembjes së Murit të Berlinit, as nuk pyeste kush për Shqipërinë, sepse pritej që – heret ose vonë — edhe Shqipërinë komuniste do ta merrte furtuna e ndryshimeve të mëdha anti-komuniste, anë e mbanë Evropës, që pasuan shembjen e Murit të Berlinit.  

Në këtë 40-vjetor të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri, vazhdoj të jem i mendimit se vizita e Jozef Straussit atje, nga pikëpmaja gjermane, ishte pjesë e të ashtuquajturës”ost-politikë”, hapje drejtë lindjes, nga ana e Gjermanisë Perendimore dhe në konsultim me aleatët. Ishte një përpjekje për të parë nëse pashallarët e kuq të Tiranës ishin gati të kthenin sytë nga Perëndimi demokratik. Por, Shqipëria staliniste në arë kohë, nuk kishte marrëdhënie të mira as me vendet komuniste të kohës, lere më me vendet kapitaliste perëndimore, kështuqë vizita e Jozef Straussit në Shqipëri në gusht të vitit 1984 ishte destinuar të dështone, qellimisht – me synim e vullnet të mbrapsht të regjimit diktatorial komunist të Tiranës zyrtare të atyre viteve. A thua nuk e dinin zyrtarët komunistë shqiptarë se kush ishte Jozef Straussi – njeriu i cili shëndrroi Bavarinë nga një shtet agrar në njërin prej qendrave më të mëdha industriale dhe në një prej krahinave më të pasura në Gjermani dhe ndoshta në botë?! Natyrisht e dinin, por nuk dëshironin të përfitonin, sepse me një hapje të vërtetë ndj Perendimit, ata do humbisnin shumë.

Prandaj, qëllimi i Tiranës zyrtare komuniste që lejoi vizitën e Straussit në atë kohë, nuk ishte asgjë tjetër dhe nuk kishte asnjë qëllim vullnet mirë nga regjimi komunist i Shqipërisë, veçse ta përdorte atë vizitë si një mënyrë për të mjelur taksapaguesit gjermanë, duke kërkuar shuma absurde riparimesh të luftës. Straussi dhe gjermanët e kuptuan mirë këtë dhe vizita e tij dështoi, vetëm e vetëm, sepse regjimi komunist në Shqipëri nuk deshi që ajo vizitë të çonte përpara lidhjet midis dy vendeve, as drejtë hapjes ndaj Perendimit. 

Si rrjedhim,duhet të konstatojmë se, atëherë dhe sot, ajo vizitë nuk mund të konsiderohet si asgjë tjetër, veçse një rast i humbur, si shumë të tjerë para tij — dhe një gabim trashanik historik permasash kombëtare që nuk mund t’i falet regjimit komunist të Shqipërisë së atëhershme as apologjetëve të sotëm të atij regjimi, disa prej të cilëve ende mund të gjejnë arsye të justifikojnë trajtimin absurd komunist të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri në vitin 1984.  Jozef Straussi erdhi e pa Shqipërinë komuniste, në përpjekje për ta ndihmuar të hapej drejtë Perendimit – por Shqipëria, humbi shumë dhe nuk përfitoi asgjë nga ajo vizitë. Ky nuk ishte faji i Straussit, por i pashallarëve të kuq të Tiranës, të cilët donin që me parat e taksapaguesve gjermanë, të përpiqeshin të shpëtonin ekonominë e shkatërruar të vendit dhe të ruanin sistemin e tyre kriminal komunist – të bindur “në forcat e veta” dhe në “rrugën revolucionare” të Enver Hoxhës në mbrojtje të socializmit dhe të idealeve komuniste.  Nuk ka se si të ishte ndryshe përfundimi i vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri 40-vjet më parë, një zyrtari të lartë gjerman, të cilin Enver Hoxha e kishte cilësuar si “përkrahësin më të vendosur të nazizmit hitlerian e një nga militaristët më të egër gjermanë”. 

Për hir të marëdhënieve aktuale por edhe marëdhënieve në të ardhmen, midis Kombit shqiptar dhe atij gjerman, kjo vizitë e 40-vjetve më parë e Jozef Straussit –duhet të kujtohet sot për meritat historike që ka dhe për ato që mund të ishin.  Për përpjekjet e tija personale vullnet mira dhe dëshirës së vendit të tij — Gjermanisë — që të ndihmonin Shqipërinë dhe Kombin shqiptar– në njërën prej periudhave më të vështira të sajë politike dhe ekonomike – me synimin që të dilte nga vet-izolimi, të fillonte hapjen drejtë Perendimit dhe distancimit të Kombit shqiptar nga ideologjia diktatoriale shtypse sllavo-aziatike, gjysëm shekullore.

Frank Shkreli 

A person in a suit and tie

Description automatically generated

                                                   Jozef Strauss  

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Presidenti Ilir Meta duke i dorëzuar dekoratën e lartë së bijës së politikanit dhe udhëheqësit gjerman Franc Jozef Shtrauss, zonjës Monika Holhmeier, eurodeputete dhe anëtare e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian.  Ish-Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe si shprehje të vullnetit më të sinqertë për të vlerësuar një mik të shqiptarëve, nderoi me Dekoratën më të lartë të “Flamurit  Kombëtar,  Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes) “në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj mbështetjes dhe ndihmës së vyer dhënë popullit shqiptar për të dalë nga izolimi; për kontributin historik në ripërtëritjen dhe forcimin e miqësisë mes popullit shqiptar dhe popullit gjerman.”

Filed Under: Interviste

VRASJET, VETËVRASJET DHE RELIGJIONI

August 21, 2024 by s p

Dom Gjergj Meta/

Depresioni shoqëror që po shpërfaqet në vrasjet dhe vetëvrasjet e kësaj fundvere në vendin tonë të vogël, sipas mendimit tim, i ka rrënjët në bjerrjen e shpresës se jeta mund të jetohet e gjitha, qoftë si përpjekje për t’i dhënë asaj një kuptim, qoftë si një jetë në shërbim të jetës së të tjerëve. Madje kuptimi më i thellë i jetës, është atëherë kur ajo i shërben jetës së të tjerëve dhe jo atëherë kur ajo kthehet në një litar rreth qafës apo në një karikator automatiku, që zbrazet mbi trupin e dikujt tjetër.

Religjioni mund të luajë një rol të tijin në këtë situatë, duke u vendosur në shërbim të jetës së njerëzve të çdo dite, në mënyrë që njerëzit t’i japin një kuptim a një kahje asaj. Sigurisht që një religjion, sidomos ai i krishteri, për të cilin i jap vetes njëfarë tagri për të folur, nuk mund të jetë në shërbim të jetës kur mundohet vetëm të imponohet me rregullat e veta, me veshjet pompoze, me forcën e hekurt të hierarkisë, a kur mendon se ka në dorë zgjidhjet e vetme ose kur e ngre vetveten si shpëtimtarin e botës. Zoti e shpëton botën dhe jo religjioni, kushdo qoftë ai religjion.

Ky i fundit është një instrument dhe ka si detyrë të parë t’u kujtojë njerëzve trashendencën (të përtejmen), jo për t’i frikësuar apo për t’u imponuar atyre një forcë madhore, që si një Deus ex machina drejton apo përcakton fatet e botës. Por për t’u kujtuar njerëzve se i përkasin një realiteti më të madh se vetja e tyre, se sa fshati, qyteti, etnia, kultura apo planeti i tyre. Religjioni na kujton se jemi pjesë e një përmase më të madhe, të cilën nuk mundemi ta shterojmë as me shpikjet tona, as me financat apo strategjitë tona. Ai duhet t’u kujtojë njerëzve qiellin me yje, hapësirën e pakufishme dhe jetën si një mundësi e mundësive, ndonëse e kufizuar në kohë. Nëpërmjet fesë-besimit, religjioni na hap drejt një frymëmarrjeje më të madhe, që na tejkalon, sepse na zhyt në një mister, i cili në vetë natyrën e tij është i pakufi.

Kur ne kuptojmë dhe përjetojmë se i përkasim diçkaje më të madhe se sa ne, atëherë jeta nuk atrofizohet, nuk mbyllet në kornizat e ngushta të dhembjes së momentit apo të interesave, që zgjasin sa një llogari e majme bankare. Jeta e jetuar në mbylljen egoike të njeriut, është një varfërim shpirtëror, që sjell një varfërim ekzistencial dhe ky i fundit kthehet në mjerim, në të cilin njeriu nuk shikon veçse deri te hunda e tij e nuk e çon shikimin për më tej. Kjo po i ndodh shoqërisë sonë, kjo duket se po i ndodh gjithë shoqërisë perëndimore ku ne bëjmë pjesë dhe e ka futur atë në një depresion vrastar apo vetëvrastar.

Feja, si përkatësi në një përmasë të përtejme e jo thjesht e vetëm si një përkatësi në një seri rregullash apo në një strukturë të caktuar, a komunitet të kufizuar, i duhet njeriut dhe sigurisht njeriut shqiptar. Dëbimi i trashendencës nga horizonti i jetës individuale dhe shoqërore është dëbimi i njerëzores dhe mjerimi i saj, pse jo edhe vdekja e saj.

Në këto raste është më e lehtë të akuzojmë policinë, sistemin gjyqësor, qeverinë apo politikën dhe kështu e rehatojmë ndërgjegjen tonë. Ama e dimë mirë se edhe ne kemi lënë diçka mangët dhe ky është angazhimi ynë, thellimi e kërkimi ynë i kuptimit të jetës, marrëdhënia që ndërtojmë me jetën tonë dhe me atë të të tjerëve, si dhe me detyrat tona ndaj shoqërisë. Nuk mund të themi vetëm: “Paguaj taksat.” e më pas çdo ditë të shohim indiferentë se si rrëzohet para nesh ngrehina e njerëzores. Duhet të shikojmë më thellë, më lart, më përtej. Jemi përgjegjës për jetën tonë, po aq sa jemi përgjegjës për jetën e të tjerëve, sepse jeta na është dhënë dhe askush nuk ka leje të na e marrë, as ne vetë.

Filed Under: Ekonomi

Vatra Miami, një zemër bashkimi për shqiptarët e Floridës së Jugut

August 21, 2024 by s p

Dr. Iris Halili

Kryetare e Vatra Miami/

Vatra Miami ka si mision të saj kryesor të mbledhë rreth vetes çdo bashkëatdhetar që ka emigruar në Floridën e Jugut, nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kjo iniciativë synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes gjeografike apo dialektit. Për Vatra Miami, ajo që na bashkon është gjuha, atdhedashuria dhe mbi të gjitha, ndjenjat e përbashkëta shqiptare që na bëjnë të jemi një komb.

Në këtë frymë, Vatra Miami zhvilloi një takim të ngrohtë dhe mbresëlënës me komunitetin e diasporës shqiptare të ardhur nga rajonet e Kosovës dhe me banim në rrethin e Palm Beach-it. Iniciativat paraprake të këtij takimi kanë ardhur falë mikpritjes dhe zemrës së madhe të zonjës së nderuar nga Kosova, Dr. Vlora Sulejmani. Takimi i fundit i zgjeruar u organizua falë punës aktive të zonjës Tina Jakupi, e cila po përpiqet të kontaktojë bashkëatdhetarët biznes në biznes apo kudo ku ata jetojnë apo punojnë në zonën e Palm Beach, ku edhe ajo jeton me familjen. Zonja Jakupi ka lindur në SHBA, por mban shumë të gjalla lidhjet me tokën e të parëve të saj në Gostivar dhe gjithashtu mban të gjalla të gjitha lidhjet me bashkëatdhetarët e saj nga çdo vis i Shqipërisë. Ajo, së bashku me zonjën Sulejmani, tashmë janë bërë anëtare të Vatra Miami dhe po bëjnë një punë shumë dinjitoze në zgjerimin e shoqatës me sa më shumë bashkëatdhetarë.

Mesazhi i Vatra Miami në këtë takim ishte i qartë: Shqipëria e bashkuar fillimisht ekziston në zemrat tona, pastaj në mëndjet tona, dhe më pas në zgjedhjet tona, dhe ja ku jemi të gjithë të bashkuar në tokën ku kemi fatin të jetojmë në vetëm në harmoni. Ne që jetojmë në Floridën Jugore duhet të jemi gjithmonë të gjithë bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të forcojmë lidhjet mes nesh, t’i bëjmë biznes njeri-tjetrit, dhe vetëm kështu Shqipërinë e bashkuar do ta kemi te Vatra Miami dhe te Klubi Flas Shqip, ku të gjithë flasim shqip sepse jemi shqiptarë, dhe ku portreti i Skënderbeut na nderon dhe na bashkon sipas amanetit të tij të madh se vetëm bashkë mund të fitojmë çdo betejë dhe të jemi më të fuqishëm!

Në takim u diskutua për historinë e Vatra-s, qëllimin e saj kryesor që është ruajtja e gjuhës dhe traditës shqiptare, dhe vlerën e Klubit Flas Shqip, që po mbledh bashkë fëmijët tanë dhe do t’u dhurojë atyre gjuhën e nënës dhe bashkë me të, uratat e saj që tingëllojnë më bukur në gjuhën amtare. Gjatë këtij takimi, zonjat e pranishme nga qytetet e Boynton Beach dhe Lake Worth kërkuan të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e klubit ku mësimi i gjuhës zhvullohet falas. Kjo solli fillimin e punës për hapjen e një klasë tjetër, si rezultat i numrit të madh të nxënësve që u propozuan t’i shtohen Klubit Flas Shqip, që tashmë do të ketë katër klasa me afro 60 fëmijë , një arritje kjo e madhe në një periue tdhë kohe vetëm disa mujore. Në takim morri fjalën edhe mësuesja vullnetare e klasës së qytetit West Palm Beach, zonja Liljana Rrumbullaku , e cila ndër të tjera theksoi vullnetin e saj të mirë për ti shërbyer komunitetit pas mëse 20 vitesh pune si mësuese në Tiranë dhe SHBA. Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip falënderojnë të gjitha zonjat pjesëmarrëse për kohën, dashamirësinë e treguar.

Ky takim do të pasohet me një seri takimesh në qytete të tjera të Floridës së Jugut. Në kohën e emigracionit të madh drejt SHBA-së, si dhe migrimit brenda territorit të SHBA-së, është shumë e rëndësishme që çdo degë e Vatrës të njihet me numrin dhe popullsinë e bashkëatdhetarëve në zonën ku ajo vepron. Pikërisht për këtë, Vatra Miami ka si qëllim kryerjen e një censusi për njohjen e shqipfolësve në zonën e saj dhe inkurajon të gjitha degët e tjera të përpiqen të plotësojnë sa më mirë këtë database, si dhe të përpiqemi të përcjellim thelbin e krijimit dhe mbijetesës 113-vjeçare të Vatra-s që është sa i thjeshtë në dukje por që shpesh bëhet shumë i vështirë në realitet: të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin se jemi shqiptarë dhe flasim një gjuhë nuk ka rëndësi nga vijmë. Vetëm kështu do i ruajmë të gjalla vlerat kombëtare dhe do mund të jemi më të aftë të ndihmojmë fatet e vëllezërve tanë përtej oqeanit ! Modeli i bashkimit kombëtar fillon nga ne! Ai më shumë se gjeografik është dhe mbetet shpirtëror!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 965
  • 966
  • 967
  • 968
  • 969
  • …
  • 2951
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT