• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nikola Tesla, gjeniu i shkencës që u dergj në harrim dhe mjerim në qilarin e një hoteli në New York

January 8, 2025 by s p

Albert Vataj

Photo: medium.com/

Më 7 janar 1943, Nikola Tesla u shua në qilarin e hotelit ‘New Yorker’ në New York, SHBA, në kushte aspak të denja për një personalitet të rëndësishëm të shkencës. Duke mos i dhënë kurrë rëndësi gjendjes së tij financiare, Tesla vdiq i varfër e i harruar në moshën 86 vjeçare. Në vitet e fundit të jetës së tij Nikola Tesla nderohej si një shkencetar i çmendur dhe u bë i njohur për pohime të habitshme mbi zhvillime të mundshme shkencore si p.sh. “përçuarja e energjisë pa tela” .

Imagjinoni një botë pa kabllo, ku kompjuterët, televizorët dhe pajisjet elektro-shtëpiake mund të funksionojnë pa fijet përcjellëse të energjisë, ravijëzoni një botë së cilës i rrethvjen një valë elektrike që sjell energji ashtu siç dielli sjell dritë. Fantashkencë! E pabesueshme! Në një botë skeptikësh do të ishte një emigrant nga Kroacia që do të guxonte të pohonte shkencërisht se kjo është e mundur. Atëherë kur energjia elektrike sapo kishte hedhur hapin e magjishëm të ndryshimit të botës, Nikola Tesla, ky shkencëtar propozoi një revolucion wireless, një të sotme të paimagjinueshme.

Askush nuk do ta besonte se një supergjeni si ai do të shuhej tragjikishit i kapluar prej vetmisë dhe i brejtur prej mjerimit, megjithëse ai ishte zotëruesi i 700 shpikjeve që revolucionarizuan elektromekanikën dhe hodhën një hap gjigand në fushën e valëve elektrike.

Ai ishte zotëruesi i 9 gjuhëve, ishte një shpikës, fizikant, inxhinier mekanik dhe inxhinier elektrik. Tesla njihet si ndër shkencëtarët më të përkryer të fundshekullit XIX-të dhe fillimshekullit XX-të. Mbamendet gjithashtu dhe si një shtysë e rëndësisë prioritare i teknologjisë moderne. Patentat e tija dhe punët teorike formojnë bazën e sistemit të fuqisë së rrymës elektrike shndërruese, duke përfshirë sistemin e fuqisë shpërndarëse shumëfazore dhe motorët elektrikë, me të cilët ai ndihmoi në Revolucionin e Dytë Industrial.

Nikola Tesla lindi më 10 korrik 1856, në Smiljan të Kroacisë, në atë kohë pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, dhe pasi mbaroi Institutin Politeknik në Raz të Austrisë, u diplomua në Pragë.

Ai e filloi karrierën duke punuar fillimisht si inxhinier elektrik në Budapest, në vitin 1881 dhe dy vjet më vonë u zhvendos në Paris duke punuar për shpikësin e madh të atyre kohërave, Edison në një prej filialeve të “Continental Edison Company”.

Në vitin 1883, Tesla demonstroi për herë të parë në Strasburg prototipin e motorit me induksion, por rrethi i shkencëtarëve europianë në atë kohë ishte tepër radikal për të kuptuar idetë e tij.

Duke parë këtë fakt, në vitin 1884 Tesla pranon të punojë për Thomas Edison në New York, me një rekomandim për Edisonin nga shkencëtari i madh i asaj kohe, Charles Batchelor i cili i shkruante Edisonit: “Unë njoh dy njerëz të mëdhenj në këtë botë, njëri je ti, ndërsa tjetri është ky djalosh”.

Nikola filloi të punonte në laboratorët e Edisonit në New Jersey, por shumë shpejt lindën divergjencat nga idetë brilante të Tesles, të cilat Edison i shihte shumë të rrezikshme për biznesin e vet.

Në atë kohë, ai pak rrjet elektrik që ishte ngritur ishte bazuar mbi rrymën e vazhduar dhe kishte shumë kufizime, ku më kryesorja ishte kufizimi në distancë i transportimit të energjisë, i cili ishte vetëm 3 km dhe për të transportuar këtë energji përdoreshin kabllo përcjellëse të trasha dhe rigjeneratorë të energjisë.

Në këtë moment, Tesla mbështetet për eksperimentet e tij nga bankieri i famshëm i asaj kohe, Morgan. Tesla arrin që më 1888, duke pasur si bazë teorinë e tij për fushën magnetike rrotulluese, të marrë patentën për gjeneratorin polifazë të rrymës alternative si dhe për të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të rrymës alternative për transformimin, transportin, shpërndarjen dhe përdorimin e saj.

Në vitin 1895 bëhet realitet ëndrra e Nikolës për të shfrytëzuar energjinë mekanike të ujit të ujëvarës së Niagarës për të prodhuar energji elektrike, duke ndërtuar hidrocentralin e parë në botë. Motorët elektrikë, të bazuar mbi teorinë e Teslës, pushtuan globin. Edhe në ditët tona, të gjitha makineritë elektrike bazohen mbi teorinë e këtij gjeniu. Motori me induksion elektrik i Tesles është klasifikuar si një nga 10 shpikjet më të mëdha të njerëzimit.

Nikola Tesla nuk u mjaftua vetëm me shpikjet e sistemit të rrymës alternative i cili ndryshoi mënyrën e jetesës në botë, por atij i dedikojmë edhe shpikje të tjera, si drita fluoreshente, llamba me gaz neon, komunikimet valore, sistemet valore të transmetimit të energjisë, rrezet lazer, telekomandat, shpikjet e para në robotike etj. Ai gjatë gjithë jetës regjistroi rreth 700 patenta shpikjesh në të gjithë botën dhe hodhi idetë e para në përdorimin e energjisë diellore dhe asaj detare.

Shumë koncepte të Nikola Tesles akoma janë të pazbërthyera dhe të pakuptueshme për botën e shkencëtarëve. Në vitin 1896 Nikola Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do të merrte patentën, por Tesla me gjenialitetin e tij, që e bënte në shumë raste edhe një njeri kapriçoz dhe të “çmendur”, asnjëherë nuk pretendoi pronësinë e kësaj shpikjeje.

Po në këtë vit, 1896, Tesla botoi edhe një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markoni. Gjithashtu, po këtë vit ai shpiku edhe anën tjetër të komunikimit valor, aparatin marrës dhe arriti që për herë të parë të transmetonte dhe të merrte një sinjal pa fije.

Në vitin 1901, me ndihmën e Morganit Tesla ndërton “Wardenclyffe”, laboratorin e tij të ri ku ndërtoi edhe kullën e tij të famshme, e cila ishte e lartë rreth 60 metë dhe kishte një kupolë në majë të saj me diametër 21 metër që do të ishte transmetuesi i parë në botë i energjisë pa fije dhe stacioni i parë broadcast i valëve elektromagnetike. Pikërisht këtu fillon dhe “çmenduria” e Tesles.

Ai kërkonte që me anë të shpikjes se tij të transmetonte energji valore në të gjithë botën, duke furnizuar kështu me energji anijet në det të hapur, të furnizonte trenat, industrinë dhe shtëpitë e njerëzve, duke arritur deri aty sa të komentonte se shpikja e tij mund të përdorej edhe për komunikimet jashtëtokësore.

Pikërisht këtu lind mosmarrëveshja e tij me Morganin, i cili i ndërpret fondet Tesles për kërkimet e tij. Në vitin 1917, kulla e famshme e cila u përdor për qindra eksperimente të Tesles do të shkatërrohet nën pretekstin e sigurisë kombëtare; ishte koha e Luftës së Parë Botërore.

Tesla kërkonte që të transmetonte energjinë në sipërfaqen e tokës. As me anë të transmetimit të saj me valë elektromagnetike dhe duke përdorur jonosferën, por problemi qëndronte tek mjedisi i përhapjes së kësaj vale, ajri. Ajri ndikonte në humbjen e energjisë me rritjen e distancës së transmetimit të saj.

Për këtë, Tesla mendoi që të përdorte Tokën si përcjellës dhe më vonë si kapacitor të energjisë, por Toka deri në atë kohë ishte përdorur si “tokë” në teorinë e elektricitetit dhe mund të shkarkonte çdo kondensator. Por, ai hodhi idenë që mund të emetonte energji të mjaftueshme në Tokë dhe ta kthente atë në një kondensator gjigant, dhe për këtë filloi eksperimentet në kullën e tij duke përfituar nga një marrëveshje me hidrocentralin e Colorado Springs për të përdorur energji pa pagesë.

Në atë kohë, nga eksperimentet e Tesles bari përreth laboratorit të tij natën shkëlqente me drita vezulluese të kaltra, ndërsa njerëzve që ecnin aty pranë u kërcisnin hapat sikur të ecnin mbi një rërë të trashë. Në një natë vjeshte, Tesla me anë të pajisjes së tij që e quante “Transformatori i shkëlqyeshëm”, arriti të pomponte në sipërfaqen e Tokës një tension 1 milion volt. Rryma përshkoi globin me shpejtësinë e dritës dhe mbërriti në anën tjetër të tij, duke u rikthyer mbrapsht, por duke dobësuar intensitetin.

Por, Tesla në rezonancë me kthimin arrinte të pomponte përsëri rrymë, duke e forcuar valën ashtu siç bëhet me një lisharës. Fenomeni erdhi duke u forcuar dhe shkaktoi djegien e siguresave në hidrocentral, por edhe rrufe gjigante pranë laboratorit si dhe një tërmet prej rreth 5 ballë.

Në vitin 1917, Tesla ndërton një stacion i cili nëpërmjet valëve elektromagnetike zbulonte vendndodhjen precize të anijeve armike, sistem i cili do të quhej radar në Luftën e II-të Botërore.

Nikola Tesla vdiq më 7 janar 1943, në një dhomë të hotel ‘New Yorker’, ku kaloi 10 vitet e fundit të jetës së tij.

Materialet shkencore nga puna e tij u sekuestruan nga FBI dhe u cilësuan sekret shtetëror.

Filed Under: Analiza

Atdhetarizmi si diskurs politik – maskë e mungesës së ideve të guximshme dhe planeve zvillimore  

January 7, 2025 by s p

Shkruan: Enver Sulaj/

Mes atdhetarizmit si diskurs politik dhe akuzave të ndërsjella pozitë-opozitë, duket se po zhvillohet ajo, që mund ta quajmë fushatë e heshtur apo parafushatë e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Secili subjekt politik ka krijuar tashmë strategjinë e vet, ka targetuar grupin e votuesve dhe ka vënë në veprim analistët, opinionbërësit dhe militantët partiak, të cilët dikur brohorisnin në tubime publike, me flamuj partie e pankarta në dorë, ndërsa sot i gjejmë në rrjete sociale, duke sharë e duke u hakërryer ndaj kundërshtarëve politikë, apo edhe ndaj atyre që shprehin lirshëm mendimin e tyre. Shumë shqetësuese mbetet klima e komunikimit të ashpër e barrikadimit ideologjik, jo rrallë me një diskurs të thjeshtë e shumë transparent propagandistik. Nuk vërehet një debat i hapur, i prajshëm e intelektual mbi shqetësimet që e rëndojnë shoqërinë tonë, për të ofruar zgjidhje përmes programesh konkrete dhe pa mohuar edhe arritjet tona si shoqëri në tërë periudhën e pasluftës, por edhe dështimet e keqpërdorimet, që janë jo të pakta, e, për të cilat, secili subjekt politik ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë faturën e duhur.

Në mungesë të ideve të guximshme e zgjidhjeve për çështjet e zhvillimit ekonomik, të integrimeve evropiane dhe të raporteve me Serbinë, streha më e sigurtë e subjekteve politike në krejt këto vitet e pasluftës, madje edhe në këto zgjedhje, nga të cilat do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbetet retorika e mbështetur mbi idetë e atdhetarizmit dhe populizmit, për të vënë në lëvizje votuesit e për të tërhequr sa më shumë votat e tyre. 

Ne nuk jemi qendra e botës dhe jo gjithçka varet nga dëshirat dhe ëndrrat tona për t‘i zgjidhur problemet që gjenden mbi tavolinë, por çdoherë janë kompromiset ato që i shtyjnë çështjet përpara, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në situatën aktuale. „Status quo“-ja dhe konflikti i ngrirë nuk janë garancione se në një kohë tjetër, në të ardhmen, do të kemi zgjidhje më të mira, ngase gjithçka varet nga interesat gjeostrategjike të lojtarëve të mëdhenj në skenën globale, por edhe nga zhvillimet dhe orientimet e brendshme ideologjike e strategjike tonat. 

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shtrirja e institucioneve në veri të Kosovës, programet e ndihmave për pensionistët, fëmijët e programet sociale, sigurisht që janë arritje e pamohueshme e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Kurti, që në sytë e opinionit të përgjithshëm krijojnë perceptimin e një mirëqenieje, pa pasur nevojë fare t’i amplifikojë këto arritje në sytë e publikut, sepse disa parti opozitare, me akuza e sharje primitive, duket se po ia bëjnë shërbimin më të mirë, që do të shihet më 9 shkurt.

Nepotizmi, keqpërdorimi i buxhetit të shtetit, pasurimi i dyshimtë i grupeve të caktura, mungesa e sigurimeve shoqërore shëndetësore, mosndërtimi i një sistemi të drejtë e të sigurtë pensional, mungesa përditë e më shumë e fuqisë punëtore, si pasojë e largimit të popullatës, janë tregues të gjendjes ku jemi, por edhe të së ardhmes, për të cilën, nga ajo që shihet në horizont, askush nuk na garanton se do të jetë më e mirë.

Dora e shtetit duhet të jetë e gjatë dhe të arrijë te të gjithë. Në një vend ku pritjet janë të mëdha, sigurisht që edhe zhgënjimet mund të jenë të tilla, që në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, si alternativë të dhembshme e të vetme kanë ikjen, braktisjen e atdheut. Motoja e lashtë romake „Ubi bene, ibi patria“, duhet të shndërrohet në „Ubi patria, ibi bene“. Kjo e fundit është vështirë t‘i imponohet gjeneratës së re, që tashmë kufijtë e lirisë, kreatitivitetit dhe të hapërimit i ka të pafundmë, ndërkohë atyre që pretendojnë ta udhëheqin shtetin u mbetet të bëjnë parashikimet e duhura, të domosdoshme e urgjente, që dikur të mos bëhet vonë. 

Filed Under: Analiza

Një shkrepje tek çezma e fshatit

January 6, 2025 by s p

Nga Orest Çipa/

Mania, babëzia, shfrenimi emocional i një “çetë” turistësh për të fotografuar pa pushim femijët dhe pleqtë e fshatit, të cilët mbushin ujë tek çezma, në qafë, më ngacmoi, më irritoi, më la një shije e cila ma trubulloi gjithë ditën.

Ma vrenjti ballin nga pakuptimësia e kontrastit që iku pa u perceptuar!

Ky “atentat” vazhdoi me një breshëri shkrepjesh për disa minuta! Doja shumë t’jua shpjegoja udhëtarëve që kishin ardhur në këto anë, miqve, fenomenin e rradhëve të ujit në muajt korrik-gusht.

Por ata ikën më shpejt seç e mendova unë!

Me vete nisa të bluaj disa mendime akute, lidhur me këtë ngjarje e cila është shpeshtuar me kalimin e viteve. Shqipëria si Europa !

– Vallë, a mbajnë mend gjë turistët nga ajo që fotografuan?

A e dinë ata sa gjatë kalohet në pritje për të mbushur një bidon një litrosh? A e dinë ata që fshati i mbush puset e shtëpive me llastik dhe duhet të ruash tubin gjithë natën që mos ti ndryshohet drejtimi ?

A e dinë ata se ndonjherë të pickon dhe grerëza në behar?

A e dinë ata se këtu të than murrëri në dimër?

E,

Meqë,

nuk munda t’jua shpjegoja pak këtë merselen e dhimbshme të ujit, “hipotetikisht” si shkreptima e rrufes në qiell të hapur, po ju shkruaj turistëve të ikur (por edhe atyre në ardhje) me shpresën se një ditë do më mbajnë vesh!

Në fshatin tim nuk ka shumë ujë, prandaj ka vetëm një çezëm.

Në Pilur, uji ka qënë i munguar… por gryka e fshatarëve s’ka qenë asnjëherë e tharrë!

Në fshatin tim nuk ka shumë ujë, por nga kjo rubinetë, kanë mbajtur frymën gjallë për disa dekada rreth 150-të shtëpi.

Burrimet janë në mal. Thuhet se rrezervuarët dhe puset e ujit mbushen sa herë vetëtin e bubullinë Çipthi!

Në fshatin tim, uji është shumë i rrallë… por etjen, mesa duket e ka shuar prezenca e detit që shtrihet gjerë e gjatë në të gjithë hapsirë përkundruall!

Sa për çezmën, tubacioni i kohës së komunizmit e ka sjellur ujin në qendër të fshatit. Në krahë të shtëpsë së kulturës, ndoshta jo pa arsye! Uji dhe kultura shkojnë bashkë! (Tani von, është rindërtuar çezma e re).

Në behar.

Nga fëmijëria më kujtohen rradhët e pritjes së ujit në periudhën e verës. Kishte raste që mezi prisnim të çoheshim herët në mëngjes dhe të ishim të parët në rradhë, pasi uji ishte i ftohtë dhe kishte me bollëk. Nëse cohesh von, ishe shumë pa fat, rradha të kapte deri von.

Mesdita dhe pasditja ishte tmerr!

Më kujtohet kur numëronim pikat e ujit (aty ndoshta kam mësuar dhe të numëroj). Më kujtohet kur nga padurimi fëminor ziheshim si femijë njëri me tjerin, ziheshim e griheshim, por të nesërmen ishim shok. Vapa ishte shumë e nxehtë dhe bëhej shumë më e nxehtë kur aty pranë kalonte ndonjë nga ato plakat e fshatit dhe të hidhej në haqfë për të të puthur. Të rrufisnin fare ! E kisha humbur rradhën disa herë për këtë arsye ( atëherë kish dashuri mes njezish dhe respekt).

Radha lirohej nëse vinte dikush me kafshë dhe kafsha donte të pinte, radha lirohej nëse fëmijët donin të pinin apo ndonjë arsye të llogjikshme. Kishte nga ato herë që çobanët hapnin ujin në mal dhe ne si fëmijë thithnim llastikun për të pirë ndonje gllëngë ujë.

Nuk e di pse por në radhë gjithnjë ishin femijë, gra dhe plaka. Në Pilur nuk mbushnin ujë burrat!

Tek çezma, përballë ishte një murr i lartë dhe një fik sipër tij . Aty bëhej kalvari si në Kakavij!

Nga ora 8-të deri në orën 10-të të mëngjesit, gratë dhe plakat merreshin me thashetheme ndërsa ne fëmija, kapnim ndonjë zhapë (bretkosë) dhe e sillnim vërdalle.

Gratë kishin lezetin e tyre dhe fëmijët kishin të tyre dhe plakat po ashtu…

Jeta gjallëronte kur kishte pak !

Në dimër.

Ka ujë shumë.

Ka erë shumë.

I ftohtit të futet deri në palcë.

Ka nga ato ditë që ngrijnë tubot e ujit dhe çezma nuk hedh asgjë . Kjo periudhë është shumë e hidhur. Kushdo që mbush ujë duhet të jet shumë Pilurjot !

Kujtimet dhe mendimit lidhur me turistat dhe çezmën nuk kishin të sosur, ishin bërë lëmsh!

Dikur, kur uleshe për kafe tek rrapi, të servirnin ujë fshati, falas ! Ndërsa sot duhet të blesh bidonin i cili vjen nga fabrikat e shteteve fqinje!

E rimendova dhe një herë atë revoltën time të brendshme dhe thash me vete: “S’kanë faj turistët që bëjnë foto tek çezma e ja mbathin me aparate varur në qafë andej nga kanë ardhur” !

Ndoshta një ditë do vijnë turistë pa aparate por çezma s’do jet më aty. Gratë plakat dhe fëmijet s’do jenë më bashkë (siç ju ka “lezet“) radhëve të ujit…

Filed Under: Analiza

Libri shqip mori udhë përmes fjalëve të shenjta në 5 janar 1555, nën ndikimin dhe shpirtin e Rilindjes Europiane

January 6, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kultura arbërore nuk ishte jashtë zhvillimeve të kulturës europiane. Në Mesharin e Gjon Buzukut që mori udhë më 5 janar 1555, idealet e Rilindjes Europiane pasqyrohen përmes theksimit të humanizmit, dijes, përgjegjësisë individuale dhe rilindjes kulturore. Duke vënë në qendër ndriçimin shpirtëror dhe intelektual të popullit të tij, Buzuku mishëron besimin e Rilindjes Europiane në potencialin dhe dinjitetin njerëzor. Shkrimi në gjuhën shqipe pasqyron praktikën e Rilindjes Europiane për përdorimin e gjuhëve amtare, duke e bërë të arritshme dijen dhe fenë për njerëzit e zakonshëm, si dhe duke nxitur identitetin kulturor dhe përhapjen e shkrim-leximit.

Përpjekja e tij për të ruajtur dhe ngritur në piedestal gjuhën shqipe përkon me lëvizjet më të gjera të Rilindjes për rilindjen dhe celebrimin e trashëgimisë kulturore. Për më tepër, përkushtimi i tij ndaj përhapjes së dijes dhe urtësisë rezonon me ndjekjen e arsimit dhe zhvillimit intelektual të promovuar nga Rilindja Europiane dhe Humanizmi

Fokusi në devotshmërinë personale dhe kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës së Zotit reflekton ndikimin e Reformacionit, i cili nxiste angazhimin individual me tekstet fetare. Duke ndërthurur fenë, kulturën dhe arsimin, vepra e Buzukut përfaqëson shpirtin e Rilindjes Europiane duke frymëzuar një ndjenjë identiteti dhe përparimi ndër arbrit.

Fjalët e Buzukut tek Meshari

=============================.

U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot’ynë atyne qi t’a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot’ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t’ini të zgjiedhunitë e t’inë Zot, e për-herrë Zot’ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot’ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t’aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t’eme, t’inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V.dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t’a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t’anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tueënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t’enë Zonë ende për muo.”

Filed Under: Analiza

Dënimi i Trump është caktuar për 10 janar. Ç’ mund të ndodhë më pas?

January 5, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

NJU JORK – Jemi përballë dilemës së paparë më parë, se si, kur apo, edhe nëse do të dënohet një ish- president dhe një president i ardhshëm i SHBA-së. Gjykatësi në çështjen e parave të heshtura të Presidentit të zgjedhur Donald Trump mori së fundi një vendim dramatik, edhe pse mund ta mbyllte çështjen në një “fund të heshtur”.

Në një vendim të premten, gjykatësi i Manhattan-it, Juan M. Merchan e caktoi datën e shpalljes së dënimit, 10 ditë përpara datës së inaugurimit të Trump -it, por gjykatësi shtoi se ai po prirej drejt një dënimi që do të përbënte, thjesht një mbyllje të çështjes, pa ndonjë dënim të vërtetë. Ai tha se Trump mund të merrte pjesë në gjyq në 10 janar qoftë edhe nga distanca, për shkak të detyrave të tij të tranzicionit.

Megjithatë, kjo do ta bënte që Trump të kthehej në Shtëpinë e Bardhë thjesht si “një i dënuar për krime” dhe kjo do t’i bënte gazetarët e MSNBC që t’u shkonte goja lëng.

Por a do të shkohet gjer aty? Trumpi dëshiron që dënimi t’i hiqej dhe çështja të pushohej, ndërsa drejtori i komunikimit Steven Cheung, tha se presidenti i zgjedhur do të “vazhdojë të luftojë”. Por është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë me këtë rast të paprecedent dhe të paparashikueshëm. Këtu janë disa nga pyetjet kryesore dhe çfarë ne dimë:

Pse Trump-in “e pret” një dënim?

Trump u dënua në maj për 34 akuza për krimin e falsifikimin e të dhënave të tij të biznesit nga një juri. Ato i përkisnin një pagese prej 130,000 dollarësh, të bërë përmes ish-avokatit të tij personal në vitin 2016, për të mbajtur larg aktoren porno Stormy Daniels, nga publikimi i historisë së pretenduar të saj, për marrëdhënie seksuale me Trump një dekadë më parë. Trumpi e mohon pretendimin e saj dhe thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe.

Dënimi i Trump-it u caktua fillimisht për më 11 korrik. Por me kërkesë të avokatëve të tij, procedura u shty dy herë, duke përfunduar së fundi në një datë në fund të nëntorit, pas zgjedhjeve presidenciale. Pastaj Trump fitoi, dhe Merchan e vuri gjithçka për vendimin në pritje për të parë se çfarë të bënte.

Çfarë urdhëroi gjykatësi?

Merchan ia rrëzoi kërkesën e Trumpit për të hedhur poshtë dënimin dhe të gjithë çështjen. Gjykatësi urdhëroi që Trump të paraqitej – virtualisht ose personalisht, sipas dëshirës së tij – për masën e dënimit në orën 9:30 të mëngjesit të datës 10 Janar.

Cili do të jetë dënimi i Trump-it?

Kjo nuk do të ishte përfundimtare, për derisa gjyqtari ta shpallte vendimin dhe ai vuri në dukje se me ligj, ai do duhet t’u jepte prokurorëve dhe Trump-it një mundësi për të peshuar qëndrimin e tyre. Akuzat parashikojnë dënime të mundshme që variojnë: nga një gjobë ose me kusht, deri në katër vjet burg.

Por gjyqtari shkroi se “opsioni më i zbatueshëm” duket të jetë, ai që quhet “një shkarkim i pakushtëzuar”, që përfundon një çështje pa burgim, gjobë ose me kusht. Por “një shkarkim i pakushtëzuar” e lë dënimin e të pandehurit të shkruhet në rekordet penale. Dhe me ligj në Nju Jork, çdo person i dënuar për një krim duhet të sigurojë një mostër të ADN-së për bazën e të dhënave të krimit të shtetit, madje edhe në rastet e një shkarkimi pa kushte.

A mund ta apelojë, apo ta ndalojë Trump këtë dënim?

Kjo është e turbullt dhe paqartë. Apelimi i një dënimi ose dënimi është një gjë, por gjërat e para për të sfiduar llojet e tjera të vendimeve vijuese gjatë një rasti të tillë janë të ndërlikuara.

Ish-gjyqtarja e Manhattan-it, Diane Kiesel tha, se sipas ligjit të Nju Jorkut, vendimi i së premtes nuk mund të apelohet, por kjo “nuk do të thotë, se ai nuk mund të gjykohet”.

Ndërkohë, avokatët e Trump janë përpjekur që një gjykatë federale ta merrte përsipër kontrollin e çështjes. Prokurorët e Gjykatës së Rrethit të 2-të të Apelit do të duhet, deri në 13 janar të paraqesin një përgjigje, tre ditë pasi Trump të dënohej.

Mbrojtja gjithashtu ka sugjeruar se do të kërkonte, ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë, nëse Merchan nuk e hidhte poshtë çështjen. Në 25 nëntor në një letër drejtuar gjykatësit, avokatët e Trump-it pretendonin se Kushtetuta e SHBA e lejon apelimin në Gjykatën e Lartë sepse mbrojtja, po paraqiste argumente për imunitet presidencial.

Pjesa më e madhe e argumentit të tyre ka të bëjë me vendimin e korrikut të Gjykatës së Lartë mbi këtë temë, i cili u dha mbrojtje të konsiderueshme ligjore presidentëve. Avokatët e Trump mund të përpiqen ta bindin Gjykatën e Lartë, se ajo duhet të vazhdojë me këtë çështje, duke u përfshirë tani edhe në çështjen e parave të heshtura.

Një zëdhënës i Trump tha se nuk ishte marrë asnjë vendim, nëse do të kundërshtohej vendimi i Merchan.

Çfarë thonë prokurorët për gjithë këtë?

Ata nuk pranuan të komentojnë vendimin e Merchan. Ata e kishin inkurajuar më parë që ai të mbështeste verdiktin dhe i ofruan opsione të tilla, si vonesa e dënimit derisa Trump të largohej nga detyra, duke premtuar se ai nuk do të burgosej, ose mbylljen e çështjes, duke vënë në dukje se ai ishte dënuar, por nuk u dënua për shkak të imunitetit presidencial. Merchan tha se i këto ide i dukeshin të paqëndrueshme.

Ja pse kjo është një “Çështje Frankenstein”

Gjykatësi dhuroi para – një shumë të vogël, 35 dollarë, por kjo është në shkelje të qartë e një rregulli që i ndalon gjyqtarët e Nju Jorkut të bëjnë donacione politike të çdo lloji – për një operacion politik, si ai pro-Biden, anti-Trump, duke përfshirë fondet që gjyqtari caktoi për ” t’ i rezistuar Partisë Republikane dhe trashëgimisë radikale të krahut të djathtë të Donald Trump.” A do të ishin pro qytetarët, që gjyqtari të gjykonte këtë çështje, nëse ai do të kishte dhuruar disa dollarë për lëvizjen “Rizgjidhni Donald Trump, MAGA përgjithmonë!”? Absolutisht jo.

Prokurori i Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg kandidoi për postin e prokurorit në një qark me shumicë demokratike, duke promovuar aftësitë e tij për gjueti ndaj Trump. Ai në mënyrë të çuditshme (dhe në mënyrë të rreme) mburrej gjatë e fushatës, “Është fakt, që unë e kam paditur Trumpin mbi 100 herë”.

E rëndësishmja, është se akuzat e DA (District Attorney/Prokurorit të Districtit) kundër Trump, zgjerojnë kufijtë e jashtëm të veprimit të ligjit dhe procesit të duhur. Kjo nuk është në juri. Kjo u takon prokurorëve që zgjodhën ta çojnë çështjen dhe gjyqtarit që e la të luhej siç ndodhi.

Zyra e shtypit e prokurorisë së qarkut dhe stafi i saj shpesh shpallën se akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit janë “të zakonshme” dhe, në të vërtetë, “bukë e gjalpë”. Kjo është e vërtetë, vetëm nëse vizatoni linja përkufizimi të ligjit aq të gjera sa t’i bëni ato të pakuptimta. Sigurisht që DA akuzon mjaft shpesh për falsifikim? Pothuajse çdo rast mashtrimi përfshin një lloj dokumentacioni të rremë.

Akuzat kundër Trump janë të errëta dhe të paprecedente

Por kur impononi parametra domethënës gjatë një hetimi, e vërteta del në pah: Akuzat kundër Trump-it janë të errëta dhe pothuajse tërësisht të paprecedente. Në fakt, asnjë prokuror shtetëror – në Nju Jork, apo Wyoming, apo kudo qoftë – nuk i ka akuzuar ndonjëherë me ligjet federale të zgjedhjeve si një krim të drejtpërdrejtë të shtetit, kundër askujt, për asgjë rast. Asnjë. ndonjëherë. Edhe duke lënë mënjanë specifikat e ligjit zgjedhor, vetë DA e Manhattan-it pothuajse nuk sjell asnjë rast, në të cilin falsifikimi i të dhënave të biznesit është akuza e vetme.

Duke qëndruar vetëm aty, akuzat për falsifikim do të ishin thjesht kundërvajtje, sipas ligjit të Nju Jorkut, i cili paraqiste dy probleme për DA. Së pari, askush nuk kujdeset për një kundërvajtje, dhe do të ishte për të qeshur që të ngrihej akuza e parë kundër një ish-presidenti për një vepër të parëndësishme që bie në të njëjtin klasifikim penal teknik si vjedhja e një Snapple apo një qese Cheetos nga një dyqan. Së dyti, statuti i parashkrimit për një kundërvajtje ishte – dy vjet – dhe ka të ngjarë të ketë skaduar prej kohësh në sjelljen e Trump, e cila daton në 2016 dhe 2017.

Pra, për t’i fryrë akuzat deri në krimin e nivelit më të ulët (klasa E, në një shkallë nga klasa A deri në E) – dhe për t’i rikthyer ato në jetë brenda afatit më të gjatë të parashkrimit të krimit – DA pretendoi se falsifikimi i rekordeve të biznesit është kryer “me qëllim për të kryer një krim tjetër”. Këtu, sipas prokurorëve, “ky krim tjetër” është një shkelje e ligjit zgjedhor të shtetit të Nju Jorkut, i cili nga ana e tij përfshin tre “mjete të paligjshme” të veçanta: krimet e fushatës federale, krimet tatimore dhe falsifikimin e akoma më shumë dokumenteve. Në mënyrë të pafalshme, DA refuzoi të specifikonte, se cilat ishin në të vërtetë ato mjete të paligjshme – dhe gjykatësi nuk pranoi t’i detyronte jurinë të sqaronte ato – derisa sa të mbyllte argumentet. Aq sa për detyrimin kushtetues për njoftimin e të pandehurit për akuzat ndaj tij përpara gjykimit. (Për këtë, njerëz, janë aktakuzat.)

Në këto aspekte kryesore, akuzat kundër Trump nuk janë thjesht të pazakonta. Ato janë si me porosi, me sa duket, të krijuara individualisht për ish-presidentin dhe askënd tjetër.

Punonjësit e DA të ( District Attorney/Prokurorit të Districtit) Manhattan thuhet se e kanë quajtur këtë si “Një rast Zombie” për shkak të dobësive të ndryshme ligjore, duke përfshirë mekanizmin e çuditshëm të tarifimit. Por ky rast, mund tw karakterizohet më mirë, si “Çështja Frankenstein”, e arnuar me pjesë të papërshtatshme të një konstruksioni të shëmtuar, të sikletshëm, por, pak a shumë funksional, që në fund të fundit, mund të kthehet kundër krijuesin së tij.

A mund ta apelojë Trump dënimin e tij?

Po. Por me ligj, ai nuk mund ta bëjë këtë derisa të dënohet. Trump do të apelojë, siç është e drejta e tij, dhe ai është i sigurt se do t’i kundërshtojë akuzat e shpikura të ndërtuara nga DA. Nuk shkoj aq larg sa të them se cilado gjykatë apeli, ka të ngjarë të rrëzojë çdo dënim – ligji i Nju Jorkut është mjaft i gjerë dhe i mjegullt sa për të lejuar (potencialisht) makinacione të tilla – por ai do të ketë një goditje të mirë.

Fjala e jurisë është me të vërtetë e shenjtë. Por nuk mund të rregullojë gjithçka që i parapriu. Këtu, prokurorët zgjodhën njeriun e tyre, të paktën tani për tani – por ata gjithashtu e dolën kundër ligjit dhe manipuluan atë në një mënyrë të paprecedente, në përpjekjen për të kapur prenë e tyre “një kundërshtar politik si Trump”.

A mund ta falë Trump veten, pasi të jetë president?

Jo në këtë rast. Faljet presidenciale zbatohen vetëm për krimet federale. Pasi Trump dënohet nga një gjykatë e shtetit të Nju Jorkut. Ndaj ata po nxitojnë ta dënojnë, thjesht për t’i vënë nofkën e “të dënuarit” para se të betohet.

Asnjë njeri nuk është mbi ligjin

Kjo është bërë klishe, por është një pikë e rëndësishme dhe ia vlen të ndalemi për të reflektuar mbi rëndësinë e këtij parimi thelbësor. Por është gjithashtu e pakuptimtë, nëse ne do të tolerojmë (ose më keq, të festojmë) pa diskutim devijimet nga procesi dhe parimi për të arritur drejtësi. Ja vlen këtu të kujtojmë një citim të Martin Luther King Jr. “Injustice anywhere is a threat to justice everywhere.” (Padrejtësia ndonjëherë është një kërcënim për drejtësinë kurdoherë.) edhe në bëhet fjalë për njeriun e zgjedhur si më i fuqishmi i botës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 988
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT