Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i shkëlqyer në infrastrukturën e energjisë
Ne Foto: Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie duek diskutuar në Forum/
-Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, alternativa më e lirë dhe e sigurt/
-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë/
-Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie: Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Mars 2016/ Me Shqipërinë ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të shkëlqyer sa i përket edhe infrastrukturës së energjisë elektrike, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë nga burime të ndryshme të energjisë, dhe konsiderojmë se ky do të ishte një rezultat edhe një punë shumë e efektshme për neve në të ardhshmen, mirëpo kjo mbetet çështje e vullnetit të të dy palëve. Sa i përket rezultateve të deritanishme, unë besoj se të gjitha këto ne do t’i realizojmë në një periudhë optimale kohore”, u shpreh Mustafa.Kryeministri Kosovar foli në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Blerand Stavileci, dhe mbështetur nga USAID-i.Në hapje të këtij forumi morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të industrisë, organizatave joqeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen ekonomike. “Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë”, theksoi ai.Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë, tha se ky institucion do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë u pajtuan se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mbështetet në thëngjill dhe bazuar në politikat e saj monetare dhe fiskale nuk ka mundësi që në periudhë afatmesme të rritet esencialisht gjenerimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme.Sipas organizatorëve, viti 2016 do të sjell një numër sfidash dhe mundësishë, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për sektorin e biznesit në përgjithësi dhe mundësi për rritje të ekonomisë në përgjithësi. “Mirëpo, për të arritur sigurinë e energjisë, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje aktive nga partnerët e vetë ndërkombëtarë”, u vlerësua në Forum.Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.
“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë inaugurimi i Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
AKP, jepet me qira një aset i “Trepçës” në veri
-Për shfrytëzim nga administrata e qeverisë së Republikës së Kosovës/PRISHTINË, 29 Shkurt 2016-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e 72-të me radhë, ku diskutoi për një numër çështjesh të përcaktuara me axhendë, mes tjerash shqyrtoi dhe aprovoi kërkesën e qeverisë së Kosovës për dhënie me qira të një aseti të ndërmarrjes “Trepça” në veri për shfrytëzim nga administrata e qeverisë së Republikës së Kosovës. Bordi i Drejtorëve, i kryesuar nga Petrit Gashi, fillimisht Bordi diskutoi mbi çështjet e lidhura me Menaxhmentin e Agjencisë, thekson njoftimi i dërguar sot.Bordi diskutoi edhe për ndërmarrjen “Pallati i Rinisë”, në Prishtinë, nën administrimin e AKP-së dhe duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në këtë ndërmarrje në raport me palët paditëse dhe çështje tjera, dhe me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të saj vendosi për futjen e kësaj ndërmarrje nën administrim direkt nga Agjencia.Bordi poashtu diskutoi edhe rastet e uzurpimeve të pronave të ndërmarrjeve shoqërore, për çka Agjencia javën e shkuar kishte publikuar listat me uzurpatorët e mëparshëm dhe ata aktualë, ndërsa u zotua se do të vazhdojë rritjen e transparencës me publikimin edhe të informacioneve të tjera për privatizimet e realizuara deri më tani dhe shfrytëzimin e pronave tjera të NSH-ve.Bordi u informua edhe për zhvillimet e fundit në lidhje me ndërmarrjen “Trepça” nën administrimin e AKP-së, ndërsa diskutoi për proceset që po zhvillohen për sa i përket planit të ristrukturimit për këtë për çka Agjencia po punon ngushtë me institucionet qendrore.Sa u përket kërkesave të komunave për qiramarrje të aseteve të NSH-ve, Bordi u pajtua që për kërkesat e ngjashme të diskutohet në një takim me Asociacionin e Komunave dhe këto kërkesa të adresohen në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Kosovës ashtu siç parashihet me procedura ligjore për këto raste.Bordi i drejtorëve u informua edhe lidhur me kërkesat e kreditorëve për kompensimin e pagave të papaguara dhe më tutje kërkoi që të shqyrtohen mundësitë e përshpejtimit të procedurave për kryerjen e pagesave të mbetura dhe në këtë vazhdë planifikon që të mbajë një takim me Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për të shqyrtuar mundësitë teknike në përshpejtimin e lëndëve të NSH-ve.Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhje diskutoi dhe miratoi edhe raportet e Komisionit për Përcaktimin e Statusit të disa ndërmarrjeve apo aseteve të ndërmarrjeve.Mbledhja e ardhshme e Bordit planifikohet të mbahet në fund të muajit të ardhshëm.Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nisi vitin 2016 me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-tën. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 është një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
Kontribut amerikano-Slloven në Kamëz
Përurohet Qëndra e Trajnimit dhe Arësimimit Profesional të Universitetit Bujqësor Kamzë/
Më datën 22 shkurt në Ambientet e Universitetit Bujqësor Kamzë u përurua Qëndra e Trajnimit Profesional të këtij Universiteti. Në këtë ceremoni mernin Ministrat Panariti, Klosi, Nikolla, ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Stancic, Rektori i Universitetit Bujqësor Harizaj, personel nga trupa pedagogjike, profesorë, pedagogë, specialistë, nxënës e studentë të këtij universiteti. Gjithashtu në këtë përurim morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së SHBA,USAID dhe Ambasadës Sllovene, me financimet e të cilëve u ngrit kjo Qendër e rëndësishme. Është një Qendër bashkëkohore e kompletuar me laboratorë dhe bazë didaktike të pasur, e cila do t’i japë shtytje përgatitjes së specialistëve të bujqësisë në vendin tonë. “Kjo Qendër e Trajnimit Profesional është e bukur dhe e re. Megjithatë, nuk është ndërtesa thelbi i projektit — por studentët e saj! Një Qendër e një cilësie të tillë të lartë, do t’u japë studentëve mundësinë që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të japin ndihmesë në zhvillimin e bujqësisë anembanë Shqipërisë”, u shpreh Ambasadori Donald Lu, gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj Qëndre. I uroj suksese të gjithë pedagogëve dhe studentëve që do të kalojnë nëpër dyert e këtij institucioni të rëndësishëm, përfundoi zoti Lu. {SH.K}
Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim bankash
Banka Qendrore e Kosovës shton bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë/
PRISHTINË, 24 Shkurt 2015/ Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot në një takim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Njoftimi i dërguar bën të ditur se, të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur me zhvillimet në përgjithësi, si dhe për sfidat në të cilat po kalojnë sektorët financiarë të të dyja vendeve.
Guvernatori Hamza ka falënderuar Guvernatorin Sejko për kontributin e deritashëm të Bankës së Shqipërisë dhënë Bankës Qendrore të Kosovës dhe theksoi vullnetin për të avancuar më tutje frymën e bashkëpunimit konform marrëveshjeve të mëhershme të arritura mes dy institucioneve.Guvernatori Sejko ka theksuar se takimet dhe bashkëpunimi profesional do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe do të jetë efikas duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore të Kosovës, në adresimin e çështjeve të cilat konsiderohen me interes të përbashkët.Guvernatori Sejko i shoqëruar nga Guvernatori Hamza bëri një vizitë homazh në Memorialin e familjes Jashari në Prekaz. Dy guvernatorët vizituan edhe qytetin e Prizrenit. Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Guvernatorit Sejko që nga marrja e postit./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 218
- 219
- 220
- 221
- 222
- …
- 233
- Next Page »