• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nëpunësit-patriotë publikë dhe tradhtari publik

January 3, 2026 by s p

Fatmir Konja/

Në institucionet dhe administratën publike në Shqipëri gjenden pa asnjë dyshim një mijë, a shumë më shumë nëpunës, që mund të cilësohen patriotë publikë, kur shfrytëzimi i dijeve dhe përkushtimi i tyre i tejkalon objektivat e punës rutinore administrative.

Fatmirësisht, ata, pra nëpunësit-patriotë publikë nuk i kanë munguar kurrë administratës dhe institucioneve publike, gjithmonë të gatshëm për të dhënë më të mirën e tyre, sa herë që thirren “nën armë”.

Ky duhet të jetë edhe rasti, i të gjithë atyre që kryeministri i Shqipërisë, në mbrëmjen e fundit të vitit 2025, i cilësoi patriotë publikë, ndërsa janë duke punuar mbi kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Çështja është se jo për të vlerësuar meritorët, por në hall për të gjetur një strehë, a shteg shpëtimi për veten dhe qeverinë e tij, kryeministri po tenton t’u servirë shqiptarëve një fabul të re.

Në këtë fabul ai po udhëheq njëmijë patriotë publikë në përpjekjen për t’ia bashkuar Shqipërinë Bashkimit Evropian, përpjekje të cilën “kush të dojë” ta përngjasojë me “ekspeditën e të njëmijëve” të Garibaldit për t’ia bashkuar Sicilinë, mbretërisë italiane.

Me imazhin e stisur të udhëheqësit të patriotëve publikë, ky kryeministër po bën përpjekjen e fundme për të fshehur fytyrën e vërtetë të tij, atë të tradhtarit publik.

Ai ka tradhtuar së pari, pikërisht ata që krejt për qëllime të pushtetit të tij politik, po i quan patriotë publikë.

I ka tradhtuar duke u vënë mbi krye titullarë të korruptuar, të cilët i përzgjedh me dorën e tij, e i mbron deri kur nuk janë më të zotë të fshehin çfarë kanë vjedhur.

I ka tradhtuar duke i lënë nën kërcënimin e çdo banditi që gëzon mbështetjen e tij dhe të qeverisë së tij.

I ka tradhtuar duke i justifikuar me “interesa strategjike” vjedhjet e fondeve publike për projektet e investimeve në infrastrukturë, e madje edhe vjedhjet në atë çfarë ka mbetur pas vjedhjes “strategjike’.

I ka tradhtuar duke ua kriminalizuar punën administrative, në të cilën dyshi bëhet me kollajllëk katër korruptive.

I ka tradhtuar duke i përdorur si patronazhistë partiakë, kur në ndërkohë dija, puna dhe këmbëngulja e tyre, natyrshëm synon drejt shndërrimit në patriotë publikë.

Nëpunësit e institucioneve dhe administratës publike e dinë megjithatë se ky kryeministër ka tradhtuar të gjithë shqiptarët, e jo thjesht sepse nuk i ka mbajtur premtimet qeverisëse, por sepse me ortakërinë e qeverisjes së tij me krimin, ka goditur drejtpërdrejt paqen sociale, mirëqenien dhe konceptin e kërkimit të lumturisë së qytetarëve shqiptarë në vendin e vet.

E për këtë mjafton të përmendet fakti se pothuaj një ndër tre shqiptarë që ky kryeministër gjeti në 2013-ën, tani nuk jeton më në Shqipëri.

Është shumë e gjatë radha e shqiptarëve që gjatë dymbëdhjetë viteve kanë parë te fytyra e këtij kryeministri, fytyrën e tradhtarit publik.

Është një radhë aq e gjatë, sa në mbrëmjen e fundit të vitit 2025, arrinte në “25 mijë rrotullime rreth Tokës”.

Filed Under: Emigracion

Për bij e bija të denja të kombit shqiptar!

December 31, 2025 by s p

FALËNDERIM PUBLIK

Të dashur bashkëkombës, bij e bija të denja të kombit shqiptar!

Po e nisim një vit të bukur me arritje të mëdha, me shpresë dhe urime për një jetë edhe më të mirë — një jetë normale e të lumtur, me begati dhe harmoni mes nesh.

Pas fitores historike të Kryeministrit Albin Kurti me koalicionin Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Demokratike e Krishterë e Kosovës, kam marrë qindra urime në mënyra të ndryshme, së bashku me falënderime për kontributin tim në këtë fitore.

Meqë nuk kam mundësi t’i përgjigjem secilit veç e veç, përmes këtij njoftimi në rrjetet sociale dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra për urimet tuaja të sinqerta, të cilat po më vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, nga individë të të gjitha partive politike, të njohur dhe të panjohur.

Kjo ma ngroh zemrën dhe më bën të besoj se shumë prej jush e kanë kuptuar drejt angazhimin tim të sinqertë, pa asnjë interes personal, vetëm në interes të shtetit të Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Një përjetim i veçantë për mua ishte vizita në zyrën time e motrës shqiptare nga Peja, znj. Servete Haxhiajdini, e cila më dhuroi një buqetë me lule si shenjë mirënjohjeje për kontributin tim kombëtar.

Kur një motër dhe nënë shqiptare bën një përpjekje të tillë për të shprehur respekt, është një nder dhe krenari e paimagjinueshme dhe e pakufishme. Nuk ka asgjë më të madhe.

Faleminderit, e nderuara znj. Servete; faleminderit, përkrahës të mi!

Në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj mediat e respektuara Bota Sot, Gazeta Dielli, Illyria, Gazeta e Alpeve, Voal.ch (Voice of Albanians), Plava dhe Gucia, televizionin e komunitetit në Michigan, Albanian TV of America, si the Facebook dhe X për mundësinë që më kanë dhënë të shpreh vazhdimisht pikëpamjet e mia.

Ju ftoj të gjithëve që, secili në mënyrën e vet dhe me mundësitë që kemi, të vazhdojmë ta ndihmojmë kombin tonë të lavdishëm dhe vendet tona të origjinës, si dhe të forcojmë miqësinë me mikun tonë të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Borxhi ndaj kombit nuk shlyhet kurrë plotësisht.

Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe kombin amerikan!

Gëzuar Vitin e Ri 2026 të gjithëve!

Me respekt të veçantë,
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

New York, 31 dhjetor 2025

Filed Under: Emigracion

Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”

December 26, 2025 by s p

Intervistoi: Anna Hasa/

1. Mund të na tregosh pak për veten dhe si lindi pasioni yt për muzikën?

Quhem Enedio Metushi, jam 15 vjeç, jetoj në Montreal dhe jam me origjinë nga Lushnja, Shqipëri.

Pasioni im për muzikën lindi që në fëmijëri. Prindërit e mi dhe halla ime vunë re shumë herët interesin tim për muzikën. Kur isha i vogël, prindërit më vendosnin filma për fëmijë në televizor, por ato nuk më tërhiqnin. Ndërsa, sapo dëgjoja këngë, lija gjithçka që kisha në dorë dhe shkoja menjëherë pranë televizorit për t’i dëgjuar, duke filluar të këndoja, edhe pse fjalët nuk i shqiptoja ende siç duhej. Në moshën 5-vjeçare fillova të merrja mësime pianoje dhe këndimi.

2. Si ndihesh kur performon para publikut?

Para publikut ndihem gjithmonë shumë mirë. Normalisht kam emocione, por sapo marr duartrokitjet e para, gjithçka kalon.

3. Cilat janë disa prej këngëve që të pëlqen t’i interpretosh më shumë?

Janë shumë këngë që më pëlqen t’i interpretoj. Më së shumti më pëlqejnë këngët e Bruno Mars dhe Adele. Ndërsa në gjuhën shqipe, më pëlqen të interpretoj këngët e Alban Skënderaj, i cili është idhulli im mbi të gjitha. Tri herë që ai ka ardhur në Montreal dhe Toronto, kam pasur nderin të hap koncertet e tij dhe për këtë jam shumë mirënjohës ndaj organizatorëve.

4. Ku ke performuar deri tani dhe cilën eksperiencë e konsideron më të veçantë?

Çdo eksperiencë është e veçantë, sepse secila mbart diçka unike për mua. Për herë të parë kam marrë pjesë në Londër, në Albania’s Got Talent, ku u rendita në vendin e tretë mes shumë fëmijëve shqiptarë. Po ashtu, kam marrë pjesë në Shqipëri në Festën e Këngës Shqiptare, nën drejtimin e Gjergj Lekës.

5. Përveç këndimit, a ke pasione të tjera si kërcimi, sporti apo aktivitete të tjera artistike?

Përveç këndimit, i bie edhe pianos dhe më pëlqen gjithashtu kërcimi.

6. Çfarë të motivoi të bashkohesh me grupin e valleve Albos?

Për bashkimin tim me grupin e valleve Albos, falënderoj prindërit e mi, të cilët më kanë mësuar gjuhën shqipe, të lexoj, të shkruaj, të flas dhe të ndjek kulturën tonë të bukur shqiptare. Te grupi Albos jam ndier shumë mirë; secili prej anëtarëve bën një punë të palodhur. Një falënderim i veçantë shkon për koordinatoren Anna Hasa, e cila ka shumë pasion dhe bën që çdo aktivitet të jetë i mrekullueshëm.

7. A ke pasur mbështetje gjatë rrugës tënde artistike?

Mbështetja ime më e madhe ka qenë dhe vazhdon të jetë familja ime, të cilën e falënderoj për gjithçka, veçanërisht për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare.

8. Cilat janë qëllimet e tua për të ardhmen në muzikë?

Qëllimet e mia janë të punoj fort dhe të arrij atje ku dëshiroj. Të bëj krenarë prindërit e mi dhe ta kthej ëndrrën e tyre në realitet.

Filed Under: Emigracion

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes

December 24, 2025 by s p

Veprimtarë kombëtarë, përfaqësues të komunitetit çam dhe intelektualë të njohur nga Tirana dhe Durrësi, deputetë, shkrimtarë e gazetarë, u mblodhën më 22 dhjetor 2025, në ambientet e Hotel Internacional, për të nderuar veprën dhe mesazhet e shkrimtarit Bilal Xhaferi, një talent i lindur, i konsideruar si uragan letrar i cili, me veprat e tij, kapërceu dhe e sfidoi kohën. Gjatë këtij takimi u promovua edhe libri i Prof. Bashkim Kuçukut “ “Bilal Xhaferi-realizëm dhe tragjizëm”, që vjen si një nderim me rastin e 90 vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

“Në librin e Profesorit Bashkim Kuçukut, që sapo kemi marrë në duar, tregohet në mënyrë shteruese se përveç përndjekjeve dhe kurtheve që e shoqëruan gjithë jetën, shkrimtari Bilal Xhaferi, me një jetë krijuese dhe intelektuale të pashembullt, u bë alter-egoja e popullit të vet, me anë të një vullneti dhe talenti të pazakonshëm”, tha në hyrje të takimit moderatorja dhe gazetarja Luela Myftari.

Prof. Bashkim Kuçuku paraqiti shkurt përgjithësimet dhe tezat e e kësaj vepre, duke theksuar se vepra e Bilal Xhaferit ka hyrë në vlerat e letërsisë kombëtare. Bilali ishte ndër më të talentuarit e brezit të vet, ishte shkrimtar me dinjitet të lartë, por regjimi komunist i shkaktoi plagë të rënda, goditje shpirtërore, gati vdekjeprurëse, si goditje rrufeje, që nuk u mbyllën asnjëherë dhe nuk u shëruan kurrë plotësisht. Për ndëshkimin e tij dhanë porosi udhëheqësit kryesorë të regjimit dhe, me kritikën që bëri ndaj romanit “Dasma”, theu një tabu në luftën e klasave. Ajo ngjarje është keqpërdorur, tha më tej profesor Kuçuku, pasi, në të vërtetë, kritika ishte për sistemin dhe erdhi si një kundërshtim për regjimin. Ka qarkulluar hamendja se e keqja i erdhi Bilalit nga I. Kadare, por nuk ka asnjë provë për këtë. Përndjekja e shkrimtarit kish filluar qysh kur ishte fëmijë dhe vazhdoi gjatë gjithë jetës. Për regjimin armiku kryesor ishte vepra e spikatur e shkrimtarit.

Por Bilali kishte atributet e rezistencave vetëmbrojtëse dhe asnjëherë nuk e ndjeu nevojën e vetëmohimit. Kurrë nuk u shuan në gjoksin e tij flakët e ndezura të talentit flakërues, vullneti krijues i sprovuar nga përvoja tragjike e jetës. Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet.

Është fakt se në vitin 1969 jeta e Bilalit u trondit nga cikloni i fuqishëm komunist dhe jeta e tij u shemb me uturimë .“Ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar. Nuk e tradhëtoj kurrë këtë popull dhe atdheun, edhe pse emigroj larg”, thuhej në letrën e Bilal Xhaferrit, të lënë në postën greke të policisë kufitare, ku u dorëzua pas arratisjes nga Shqipëria, në vitin 1969. Kjo letër ishte një gjest kalorsiak, por edhe ironi dhe njëkohësisht respekt, duke e lënë si dëshmi për të tjerët, që asnjë të mos prekej nga të afërmit e tij, tha profesor Bashkim Kuçuku.

Profesor Uran Butka, pasi përgëzoi fandacionin Çamëria “Hasan Tahsini” dhe drejtuesin Alket Veliu, për mbështetjen e librit dhe për gjithë aktivitetin në shërbim të çështjes çame, mes të tjerash tha: Jam shumë i prekur që sot përurojmë botimin e plotë të jetës dhe aktivitetit letrar të Bilal Xhaferit. E kam njohur Bilalin dhe u befasua shumë kur e ftova në një takim në gjimnazin e Krujës. Por ngjarjet rrodhën shpejt dhe takimi nuk u arrit. Jemi përpjekur për rehabilitimin e figurës së tij dhe sjelljen e eshtrave në atdhe ku, gjatë rivarrimit, kam mbajtur edhe fjalën e rastit. Në vijim e mori fjalën skulptori i njohur Idriz Balani, i cili ka realizuar shtatoren e Bilalit, e cila është vendosur në shëtitoren e Sarandës, në krah të kryerilindasit Hasan Tahsini.

Viti 2025 ka qenë viti i aktiviteteve shumë serioze për fondacionin Çamëria Hasan Tahsini, tha shkrimtari Enver Kushi. Prof. Bashkim Kuçuku ka bërë një nga punët më të vyera me këtë vepër. Romanin “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” e kam lexuar qysh fëmijë 16 vjeç dhe e ruaja si një libër të shenjtë. Në vitin 2010 u botuan 5 vëllime të veprës së Bilal Xhaferit. Në vitin 2022 u realizua edhe një film dokumentar me titull “Qëndrestar në përndjekje”, mundësuar nga fondacioni Çamëria, sipas idesë së Uran Butkës, me skenar të Bashkim Kuçukut dhe regji të Admirina Peçit. Filmi përmban dosjen e plotë të përndjekjes së shkrimtarit nga sigurimi i shtetit. Përndjekje që, po t’i lexonte Albert Kamy, do bënte një roman të çuditshëm. Me sytë e tij të zgjuar dhe plot dritë, siç e përshkruante shkrimtari Vath Koreshi, Bilali shihte përtej viteve, megjithëse mekanizmi i diktaturës u përpoq ta mposhtëte këtë krenari, tha Enver Kushi.

Anila Mullahi, pedagoge pranë fakultetit Histori Filologji, foli për përpjekjet e saj për ta futur veprën e Bilal Xhaferit në tekstet shkollore. Shkrimtarët duhet t’i njohin brezat e rinj, tha profesore Mullahi, duke u ndalur në prozën historike të B. Xhaferit, e cila erdhi në formën e tregimit, novelës dhe romanit.

Mbesa e shkrimtarit Bilal Xhaferi, Afërdita Murtaj, duke falenderuar fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, drejtuesin e tij Alket Veliu, si dhe profesorët Bashkim Kuçuku e Uran Butka, tha se vepra e Bilalit mbetet një trashëgimi e vyer për brezat.

Në mbyllje të aktivitetit, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, sponsor i librit “Bilal Xhaferi – realizëm dhe tragjizëm”, zoti Alket Veliu, falenderoi prof. Bashkim Kuçukun për këtë prurje unike dhe për gjith veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme atdhetare për Shoqatën dhe gazetën Çamëria, si kryeredaktor i parë i saj.

Edhe pse vepra e Bilal Xhaferit mbeti e papërfunduar, ajo ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë, tha zoti Veliu. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, shkumëzonin me ritme të fuqishme dhe me ligjërim të shndritshëm.

Në mbyllje, zoti Veliu falenderoi gjithë akademikët, profesorët dhe veprimtarët e thjeshtë, që kanë kontribuar në aktivitetet e fondacionit gjatë këtij viti dhe uroi gjith miqtë dhe mbështetësit e fondacionit me rastin e festave të fundvitit.

Filed Under: Emigracion

18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve

December 18, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Më 18 dhjetor 1990, Asambleja e Përgjithshme ka adoptuar Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve emigrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Më 4 dhjetor të vitit 2000 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e mori vendimin për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.

Lëvizjet masive e popullsisë nuk janë një fenomen i ri në histori.

Në Shqipëri emigracioni ka rreth një shekull që është fenomen i njohur, por sot është një feniomen mjaft shqetësues. Prej tre dekadash kjë gjakrrjedhje, i ka kushtuar Shqipërisë një rënie demografike të paimagjinueshme. Rreth 1 milion e 600 mijë banorë, janë jashtë Shqipërisë. Ndërkohë ritmet e shpopullimit të Shqipërisë janë sërish dramatike sepse të gjitha standardet e qeverisjes në vend janë përkeqësuar.

Sot është dita e emigrantëve.

Është dita e historisë së dhimbshme të kombit tonë, sidomos këto tre dekadat e fundit, është historia e çdo familjeje shqiptare; historia e mijëra të rinjve; e qindra, mijëra burrave e grave, e qindra mijëra prindërve të vetëm!

Sot, është edhe dita për të kërkuar falje ndaj tyre, që nuk u dhamë mundësi për të ndërtuar jetën e të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre këtu, në Shqipëri.

Sot, është dita për të falenderuar të gjithë emigrantët shqiptarë që nuk rreshtën kurrë së dashuri, nderuari, menduari e ndihmuari Shqipërinë, pavarësisht se Shqipëria ka bërë aq pak për ta!

Ndaj sot si politikan ndiej pezmatim teksa shikoj që zëri i pjesës më vitale e historisë së suksesit dhe dhimbjes së popullit tonë, emigrantët shqiptarë nuk dëgjohen, nuk përfaqësohen në politikën e jetën shqiptare.

Unë sot kërkoj falje ndaj tyre!

Dhe akuzoj sidomos cinizmin e kësaj qeverie, e cila asgjë nuk ka bërë për këtë fenomen të shpopullimit të Shqipërisë, por e ka nxitur me politikat e saj duke larguar në këto 12 vite rreth 1 milionë shqiptarë, ndërkohë që fyen me deklaratat rreth dembelizmit të shqiptarëve dhe zëvendësimit të tyre me “bangladeshas” e “sirianë”!

Ndaj sot, apeli im është që politika të reflektojë me shpejtësi, përgjegjshmëri, maturi dhe vizion për të ndalur këtë fatkeqësi kombëtare: SHPOPULLIMIN E SHQIPËRISË!

Sot uroj dhe përshëndes të gjithë emigrantët shqiptarë, të vjetër e të rinj, me dokumente ose pa dokumente, duke i falenderuar për sakrificat, mundimet dhe patriotizmin e tyre!

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 209
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT