Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, përmes një deklarate të përbashkët kanë ftuar partinë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, të drejtuar nga Nikola Gruevski, të respektojë marrëveshjen e 2 qershorit dhe të mos zvarrisë zbatimin e reformave të nevojshme për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
“Ftojmë VMRO-DPMNE-në të tregojë përkushtimin e nevojshëm dhe të zbatojë marrëveshjen në mënyrë urgjente dhe konstruktive. Besojmë se, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është rruga më e mirë për daljen nga kriza politike. I bëjmë thirrje kryeministrit Gruevski të autorizojë grupin e punës, që të përfundojë marrëveshjen, duke zgjidhur çështjet e debatueshme dhe t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për të garantuar terren të barabartë për zgjedhjet e parakohshme, me qëllim që procesi zgjedhor të njihet nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar”, tha Charles Edmund Garrett, ambasador i Britanisë së Madhe në Maqedoni. Ambasadorët e 5 vendeve me ndikim të madh në botë, të akredituar në Maqedoni, i kanë bërë thirrje edhe partisë maqedonase në opozitë, LSDM-së, të kryejë detyrimet që i takojnë mbi bazën e marrëveshjes së 2 qershorit.
“Ftojmë gjithashtu LSDM-në, që nga ana e saj të vazhdojë t’i përmbushë detyrimet e veta, që dalin nga marrëveshja politike, përfshirë këtu edhe detyrimin për të mos publikuar materiale të përgjuara”, tha më tej ambasadori Charles Edmund Garrett. Përmes deklaratës së përbashkët, që u lexua para godinës së Qeverisë në Shkup nga diplomati britanik, Charles Garrett, ambasadorët e huaj u shprehën të zhgënjyer nga shkelja e afateve të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike, si dhe theksuan se dështimi i saj do të reflektojë në procesin e integrimit të Maqedonisë.
Histori Sportive: “Duel në xhungël”
PERSONAZH/ Flet gazetari sportiv, opinionisti sportiv, Uvil Zajmi: Ja si u përjetua në Shqipëri ndeshja e shekullit midis dy boksierëve, Kasius Klei dhe Xhorxh Foreman/
Më 30 tetor të 1974, në Kinshasa të Zaires u zhvillua ndeshja sportive e konsideruar, si më e madhja e shekullit/
E kanë quajtur “Duel në xhungël”, takimin e boksit Klei-Foreman/
-Kryesisht në Tiranë, kishte kureshtje dhe ankth. Aq më shumë si do të ndiqej ai takim./
-Dëshira për ta parë ishte e madhe, por mundësitë minimale. Kjo për faktin, se jemi në vitin 1974, kulmi i tensioneve e situatave politike./
– Zotëronte një heshtje, njerëz të shtangur, të kufizuar dhe frikë/
– Kanalet televizive të Rai-t ishin mbyllur, lejoheshin vetëm lajmet e mbrëmjes së orës 8, pastaj sinjali hiqej/
-Nuk kishin dalë akoma “kanoçet” e famshme/
– Jo të gjithë kishin televizorë, me prodhimet e UEM të markës “Butrinti”, “Dajti” apo “Iliria”
-Shqiptarët e kanë parë atë takim dhe gjithçka iu besua televizionit italian, atij jugosllav
-Pas orës 22 e 30 minuta në të njëjtën frekuencë “te 10-ta quhej” ,por me antenë horizontale nga veriu, mundësohej shikimi i Rai 1 nga një transmetues në Mal të Zi
– Pas orës 10:30 në errësirë thuajse të gjithë shqiptarët janë ngjitur në tarracat e pallateve duke ndryshuar drejtimin e antenës
– Ka qenë ditë e martë dhe ndeshja fillonte në orët e para të mëngjesit, kohë e keqe me shi.Shumë njerëz u futën nëpër shtëpi tek njëri-tjetri, për ta parë në grup para orës dhjetë, duke mos rënë në sy/
– Komenti ka qenë i telekronistit italian, Paolo Rozi, i famshëm në të tilla evenimente/
– Për atë takim flitej edhe në burgje, kampe internimi, çdo familje/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Pikërisht më 30 tetor të 1974, në Kinshasa të Zaires është zhvilluar ndeshja sportive, e konsideruar më e madhja e shekullit, ajo midis dy boksierëve Kasius Klei dhe Xhorxh Foreman. Ndonëse vitet kalojn, në çdo 30 tetor opinioni sportiv botëror i rikthehet gjithmonë asaj sfide pa kufi, si në atë ditët tetori të një gjysmë shekulli më parë. Po në Shqipëri si është pritur e ndjekur ajo përballje titanësh? Si i kujton sot Uvil Zajmi, opinionist, gazetar sportiv, ato orë të para të së martës të 30 tetorit të vitit 1974?
Zajmi, si u përjetua në Shqipëri kjo sfidë sportive?
-Kryesisht në Tiranë, kishte kureshtje dhe ankth. Aq më shumë si do të ndiqej ai takim. Dëshira për ta parë ishte e madhe, por mundësitë minimale. Kjo për faktin, se jemi në vitin 1974, kulmi i tensioneve e situatave politike. Zotëronte një heshtje, njerëz të shtangur, të kufizuar dhe frikë. Natyrisht që për takimin flitej kudo, në punë, shkollë, rrugë me miq e shokë. Por kanalet televizive të Rai-t ishin mbyllur, lejoheshin vetëm lajmet e mbrëmjes së orës 8, pastaj sinjali hiqej nga një mekanizëm në qendrën e antenave të Dajt. Pra, vështirësia ishte e madhe, ndonëse pasioni dhe dëshira qëndronte mbi kufizimin dhe frikën për ta parë.
Si u pa takimi?
-Ndonëse jo të gjithë kishin televizorë, me prodhimet e UEM të markës “Butrinti”, “Dajti” apo “Iliria” shqiptarët e kanë parë atë takim. Nuk kishin dalë akoma “kanoçet” e famshme, dhe gjithçka iu besua televizionit italian dhe atij jugosllav. U informuam se ndeshja do të transmetohej nga Rai, dhe ky kanal mund të shihej, pasi TVSH mbyllte transmetimet. Zakonisht pas orës 22:30-të në të njëjtën frekuencë “te 10-ta quhej”, por me antenë që duhet detyrimisht ta drejtoje horizontalisht nga veriu, mundësohej shikimi i Rai 1 nga një transmetues në Mal të Zi. Pas orës 10:30 në errësirë thuajse të gjithë shqiptarët janë ngjitur në tarracat e pallateve duke ndryshuar drejtimin e antenës, për ta drejtuar nga “10-ta”(Ende nuk funksionojnë zhurmuesit). Ka qenë ditë e martë dhe ndeshja fillonte në orët e para të mëngjesit, kohë e keqe me shi. Shumë njerëz u futën nëpër shtëpi tek njëri-tjetri për ta parë në grup para orës dhjetë, duke mos rënë në sy. Problem ishte dhe drita e banesës, gjë që u zgjidh duke i vënë një batanije dritares. Deri në orën 4 të mëngjesit kur fillonte transmetimi është qëndruar pa lëvizur e bërë zhurmë, duke luajtur me letra e pirë duhan. Pastaj me zë të ulët e në heshtje është ndjekur sfida. Kujtoj që komenti ka qenë i telekronistit italian Paolo Rozi, i famshëm në të tilla evenimente.
Pse nga Tirana në Durrës, Krujë apo në Mal të Dajtit?
-Për të garantuar mundësinë e shikimit të sfidës, secili kishte programuar i vetëm apo me miq, mënyrën si do të vepronte. Kujtoj miq e shokë, me reokupacionin më të madh se ku do e shinin takimin, në kërkim të një vendi dhe televizori që siguronte sinjalin. Një pjesë e madhe e rinisë kanë udhëtuar në Durrës, me trenin e fundit, pasi qyteti bregdetar jepte mundësi, nuk kishte pengesa për të parë direkt Italinë. Por, një pjesë kanë marrë rrugën për në Krujë, pasi lartësia e qytetit garantonte më shumë se çdo vend tjetër shikim të kanalit italian. Po kështu edhe në Mal të Dajtit, në ato shtëpi ku kishin televizorë, kanë qëndruar gjatë natës mjaft kryeqytetas.
Si e kujtoni përballjen?
-Donim që të fitonte Klei, edhe pse Fereman pas triumfit të paparë ndaj Frezer në 71 ishte si një mal para tij. Para takimit u kënduan himnet e Amerikës dhe të Zaires, Klei me të bardha, ndërsa Foreman me të kuqe. Ajo që dinim ishte se Klei duhet ta shtynte takimin sa më shumë për ta lodhur, pasi Foreman flitej se ishte boksier olimpiadash, pra nuk duronte më shumë se tre katër raunde. Dhe ashtu ndodhi. Pas disa raundeve, Foreman dukej i lodhur pa forcë, kjo në raundin e 6 e 7. Në të tetin, në fundin e tij, Klei shfrytëzoi një moment në këndin e ringut duke e goditur shpejt dhe saktë direkt në fytyrë, për ta shtrirë në tokë. Ka qenë një moment shokues për të gjithë të shihje Foreman në tokë, pa mundur të ngrihej më as pas 9 sekondave të numërua nga arbitri. Kujtoj se nga specialistët ndeshja u cilësua si një ndër takimet me strategji taktike më të studiuar deri në atë kohë, me një plan taktik të jashtëzakonshëm të aplikuar nga Klei dhe stafi I tij. KLei demonstroi një forcë fizike dhe interpretim inteligjent të paparë deri në atë kohë në boksin e tij.
Pas ndeshjes, cili ishte reagimi?
-Impakti post sfide kaq enë imadh jo vetëm në Tiranë. Fundi, mbarimi i ndeshjes dhe dalja nga shtëpitë si klandestinë, në orët e para të mëngjesit, pa shkuar në shtëpi, ndonëse pa gjumë gjithë natën i janë drejtuar lokaleve, një kafe me fërnet, dhe pastaj në punë e shkollë. Komentet ishin të zjarrta në ndërmarrje, kudo të gjithë ata që e kishin pasur privilegjin për ta parë, por edhe ato që nuk kishin mundur. Në mbrëmje rrugëve, në bulevard kudo vetëm për atë takim flitej. Edhe në burgje, kampe internimi, çdo familje për atë ndeshje ka diskutuar, ndonëse informacioni nuk ishte i madh, vetëm çka merrej nga radiot e huaja, apo ndonjë kanal italian apo jugosllav. Ndërsa shtypi shqiptar asnjë koment. Simpatia për Klein ka qenë e madhe për shqiptarët, si një ndër boksierët simpatikë, argëtues, me një stil modern të boksuarit, jo agresiv, një boksier i bukur elegant.
E kanë quajtur evenimenti sportiv i shekullit, pse?
-I tillë ka qenë ai takim, ajo ndeshje. Nga vigjilja, zhurma, fama e dy boksierëve, kureshtja, para dhe post takimi. Edhe pse informacioni ishte i pakët, gjithçka në lidhje me atë përballje është marrë nga radiot kanalet e huaja me një pasion të jashtëzakonshëm nga shqiptarët për të pasur sa më shumë të dhëna për këtë takim. Kam mendimin se asnjë eveniment tjetër sportiv, si në shekullin e kaluar, por edhe këtë aktual që jetojmë nuk ka mundur t’i kalojë përmasat dhe limitet për zhurmën, famën dhe interesimin si ajo sfidë.
Keni parë dorezat e Kleit?
-Më është dhënë rasti të takoj, të njoh apo të jem prezent në evenimente të rëndësishme sportive. Por kur kam parë dorezat e Kleit, me te cilat është ndeshur ndaj Foreman kam ndjerë emocion të madh. Janë pikërisht ato, të atij takimi të ruajtura me shumë kujdes në Muzeun Historik të Amerikës, në Uashington. Janë ngjitur me xhaketën e Bob Dylan. Qëndron, i vështron dhe menjëherë të vjen në kujtesë dhe ne që e kemi jetuar e dimë mirë çfarë ka qenë ajo ndeshje. Sa herë që vjen ky fundtetori më rikthen tek natë magjike dhe kujtesa më dërgon në Kinshasa, Zaire, tek Foreman, Ali, televizori “Butriniti”, dhoma, shokët, si ajo mbrëmje, ai mëngjes i ftohtë, i asaj të marte 30 tetori i 1974. Mbetet unikale, e paharruar për shumë breza.
Ndeshja e quajtur “Duel në xhungël”
-E kanë quajtur “Duel në xhungël”, takimin e boksit Klei-Foreman, pasi i tillë ka qenë dhe mbetet. Është zhvilluar në Stade Tata Raphael, në Kinshasa Zaire në prani të 60.000 spektatorëve, në një ring të improvizuar, sfida ka qenë e vlefshme për titullin kampion bote në peshën e rëndë, në kategoritë ËBC dhe ËBA midis kampionit në fuqi Xhorxh Foreman dhe ish-kampionit Muhamed Ali, i njohur si Kasisus Klei. Foreman vinte me një bilanc të frikshëm: 40 ndeshja asnjë humbje, ndër të cilat 37 me KO. Ndërsa Ali, në 44 sfida kishte fituar 32 me KO duke humbur 2. Me një shtatlartësi të njëjtë, 1.91 cm dhe peshë trupore, Foreman 220 dhe Ali 216 kg. Mbetet një nga takimet më historik të boksit, sfidë kjo e zhvilluar në 30 tetor të vitit 1974, në Republikën e Kongos. Kasius Klei, ish kampion që kërkonte revanshin në këtë peshë, për tu bërë i dyti boksier pas Floid Paterson që rifitonte titullin. Kjo përballje ka edhe një moment tjetër historik që është e lidhur me të parin takim të organizuar nga maniaku Don King. Ai arriti të bindë dy boksierët Ali dhe Foreman të nënshkruajnë kontrata të ndara, duke i premtuar që çmimi do të ishte 5 milion dollar, ndonëse ai nuk e kishte këtë shumë, por arriti ta mbledhë nga sponsor e publiciteti që iu bë sfidës. Foreman ishte kuotuar si superfavorit nga Bookmakersat, kur Klei vinte pas humbjes shkaktuar nga Frezer në Mesdison Square Garden, në vitin 1971. Takimi filloi në orën 4 të mëngjesit për t’u transmetuar direkt për pasionantët sportivë në Amerikë, Europë dhe është ndjekur nga një shifër rekord teleshikuesish. Muhamed Ali kishte fituar simpatinë e publikut të Zaires, që gjatë takimit i këndonte “Ali bomaye” (Ali vrite), që më vonë u bë shumë popullore. Por, duhet thënë se gjatë takimit shumë të pranishëm luteshin që Foreman mos ta “vriste” Ali, kaq e sigurt ishte fundi i përballjes edhe për faktin se goditjet e shpejta e të forta të Ali nuk konsideroheshin më të rrezikshme për masën trupore dhe fizike të Foreman. Pas takimit, Foreman e pranoi humbjen duke deklaruar se e kanë helmuar para ndeshjes, duke akuzuar gjithashtu Ali dhe stafin e tij për trukun e lojës së litarëve duke lejuar boksierin e tyre të mbështetej mbi to për të amortizuar goditjet e Foreman. Pas disfatës së Kinshasë, Foreman kaloi një periudhë të gjatë depresioni edhe nga zbulimi, se familja e tij kishte vënë bast për fitoren e tij, një situatë financiare nga e cila ai doli me vështirësi. Shumë vite më vonë ka pranuar se në Kinshasa, Ali fitoi se “të paktën atë natë ai ishte më i fortë”.
Cilët ishin dhe çfarë bëjnë sot?
-Cassius Marcellus Clay Jr, lindi me 17 janar 1942 në Luisville, në Kentucky mori emrin e të atit, Cassius Marcellus Clay Sr, me profesion piktor dhe mësues në këtë fushë, ndërsa nëna e tij Odessa Lee Grady Clay (një afro-amerikane , angleze, irlandeze pak italiane) ishte shtëpiake. Kleit iu rekomandua të merrej me boks nga një polici Luisville, Joe E. Martin që e ka takuar kur ishte 18 vjeç, pasi i kishin vjedhur biçikletën dhe pasojat që kishte marrë vjedhësi prej grushteve të. Polici e këshilloi menjëherë të përgatitej duke e dërguar në palestrën Columbia, ku u evidentua talenti i tij që shoqërohet me një karrierë brilante, duke filluar nga medalja e artë në Olimpiadën e Romës, 1964, në peshën gjysmë të rëndë. Atë vit, kalon profesionist duke mundur Lamar Klark për KO. Në boksin e tij Ali, u dallua në lojën e këmbëve, atë dinamike, reflekset e shpejta në goditjen e kundërshtarëve në finalizim të sulmit. Pastaj takimet e paharruara ndaj Frezer, Evanxhelista, Shavers, Spinks, Norton, Horms, deri tek takimi I fundit më 11 dhjetor 1981 kundër Trevor Berbick që humbi me pikë pas dhjetë raundeve. Në këtë ndeshje Ali u shfaq në lëvizje shumë i ngadaltë dhe trajner i tij Angelo Dunde vuri re se ai fliste më ngadalë se zakonisht, që ishin simptomat e para të sindromi Parkinsonit. Në jetën e tij ai u martua katër herë dhe ka shtatë vajza dhe dy djem.
George Edëard Foreman, kampion olimpik dhe dy herë kampion bote në peshën e rëndë, me një stil të një boksieri goditës, gjithçka bazuar në forcën fizike të grushtave të tij që pak boksierë kanë mundur t’i rezistojnë. Pa taktikë të mirëfilltë, pak lojë më këmbët, sulmonte e godiste duke fituar pa problem ndeshjen, pa i dhënë asnjë mundësi kundërshtarëve. Por stili i tij, në të njëjtën kohë e vinte në vështirësi ndaj boksierëve inteligjentë nga pikëpamja taktike, si Klei, që me kalimin e raundeve duke shmangur goditjet e tij, e bënte të humbiste sigurinë, forcën duke e nervozuar në maksimum. Big George, ka një karriere të gjatë, madje në moshën 46-vjeçare u shpall kampioni më i vjetër i botës në historinë e këtij sporti duke mundur me KO Michael Moorer, duke rifituar titullin botëror, pasi e kishte humbur 20 vjet më pare me Klein. Baba i 10 fëmijëve, 5 djemtë e tij quhen të gjithë George: George Jr, George III, George IV, George V dhe George VI. Tre më të mëdhenjtë kanë nga një pseudonim: “Monk”, “Big Ëheel” dhe “Pak George”. Ai është aktualisht një sipërmarrës dhe pronari i “George Foreman Grill” që me shumën prej 250.000.000 $ ajo është një nga më të pasurat në botë. Ajo që veçohet, qëndron në faktin, se midis tyre ekziston një miqësi e madhe dhe në rastin e marrjes së Premio Oskar, gjatë shfaqjes së dokumentarit “When We Were King”, lidhur me ndeshjen në Zaire, Klei i goditur nga sëmundja e Parkinsonit pati vështirësi të ngjitej në podium, por u ndihmua të ngjisë shkallët pikërisht nga Foreman.
FESTIVALI i 25 Shqiptar ne Nju Jork
Eshte koha te siguroni biletat tani per Festivalin Shqiptar qe organizon Qendra Kulturore “Nena Tereze” prane Kishes’Zoja e Shkodres”, me pjesmarrjen e shume grupeve nga shume shtete te Amerikes! Klikoni dhe shihni posterin. Eshte veprimtaria Kulturore me e madhe e Shqiptareve te Amerikes. E gjithe Shqiperia sic e ka bere Zoti ngjitet ne skenen e madhe te Festivalit me te gjithe veshjet e trojeve etnike. Do te derdhet ne skene Gurra e popullit artist shqiptar.
Do te shihni se sa bukur tingellojne kenget shqipe, se sa bukur do te kercehen vallet e te gjitha krahinave, do te shihni se si femijet e lindur ne SHBA, te rinjet qe nuk e harrojne vendin nga vijne, do te shihni profesioniste dhe amatore. Do te jete nje mrekulli. Mos mungoni!(Dielli)
LIBRA TË MUSTAFA KRUJËS NË BIBLIOTEKËN E VATRËS
Librat e dërguar nga Eugjen Mërlika i dorëzuan në Vatër vëllezerit Fatmir dhe Eqerem Mujo/
Sot, e Djelë 25 Tetor 2015, vellezërit Fatmir dhe Eqerem Mujo, bijtë e luftëtarit të Lirisë, Sefer Mujo, bënë një vizitë në Vatër. Ata i priti Editori i Diellit. Të dy vëllezërit, ashtu si e gjithë familja e tyre kaloi nëpër kalvarin e vuajtjeve të sistemit komunist. Shkak për t’i përndjekë ishte babai i tyre Sefer Mujo(Luarasi) që së bashku me vëllanë Aldon, ishin kundërshtarë të regjimit dhe qenë arratisë në Perëndim. Seferi, ishte ndër ata luftëtarë që hyri shumë herë në Shqipëri, por asnjëherë nuk ra në kurthin e Sigurimit. Ai është një personazh i gdhendur bukur nga britanikët në librat e shkruara për këtë temë, që punuan së bashku me amerikanët për rrëzimin e sistemit komunist të Enver Hoxhës, por që në fakt dështuan.
Ndërkohë që Seferi dhe Aldo jetoninin në SHBA, familjet në Shqipëri përndiqeshin hap pas hapi. Fillimisht u arrestua Eqeremi, që u akuzua për Agjitacion dhe Propogandë, më pas Fatmiri, ndërkohë që familja degdisej kmapeve të internimit nëpër Myzeqe.
Dy vëllezërit Mujo vizituan Ekspozitën”100 vitete e Vatrës” dhe plotësuan një amanet nga bashkëvuajtësi i tyre, Eugjen Merlika,bashkëpunëtor i Gazetës Dielli, i cili jeton në Itali. Fatmiri dhe Eqeremi sollën në Bibliotekën e Vatrës disa nga Botimet e Librave të Mustafa Merlikës(Kruja) si dhe libri e Eugjenit”Përsiatje”, dhurata për Vatrën.
Tani në Bibliotekën e Vatrës u shtuan edhe këto Libra:
1-Mustafa Merlika Kruja- Kuvend Letrash me miqtë- Vëll II: Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Namik Resuli, Atë Zef Valentini dhe Stavro Skëndi.
2- Mustafa Merlika- Kruja: Kuvend Letrash me miqtë-Vëll III(Familja Mbretërore, Eqerem Bej Vlora, Dhimitër Berati, Baba Rexhepi, Abaz Kupi, Tahir Kolgjini, Tahir Zajmi, Fan S. Noli, Kolë Bibë Mirakaj, Ago Agaj, Ismail Gorani).
3- Mustafa Merlika- Kruja : Kuvend Letrash me miqtë- Vëll IV
4- Mustafa Merlika- Kruja: Shkrime Historike
5- Mustafa Merlika-Kruja: Gjysëm Shekulli me Pendë në Dorë
6- Vladan Gjorgjevic” Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”-Përkthim nga Mustafa Kruja
7- Mustafa Kruja”Problema Gjuhe”-Studime
8- Eugjen Merlika- Përsiatje
Faleminderit Eugjen!
Faleminderit vëllezërve Mujo, që i sollën librat nga tirana në Nju Jork!(Dielli
Kuvendi i Kosovës zhvilloi seancë pas mesnate pa opozitën
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Grupet parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, përfshirë minoritetet, zhvilluan pas mesnate seancën në një “sallë” të improvizuar-byfe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, derisa në sallën e seancave po qëndronin deputetë të opozitës. Seanca e Kuvendit u mbajt në katin e pestë të Kuvendit të Kosovës, ku Policia-sigurimi ka pamundësuar shkuarjen e deputetëve opozitarë, po edhe mediave.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sonte, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që seancë e ndërprerë të premtën në orën 16:00, të vazhdonte sonte.
Ndërsa, pas diskutimeve të nënkryetarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare lidhur me gjendjen aktuale dhe nevojën e tejkalimit të kësaj situate, Kryesia, me katër vota pro dhe një kundër, vendosi që, në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të nenit 41, paragrafi 4 të Rregullores së Kuvendit, në pamundësi të mbajtjes së seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, të kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë, për sigurinë, shëndetin e deputetëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të seancës plenare.
Ky vendim u është dërguar për zbatim Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 619
- 620
- 621
- 622
- 623
- …
- 902
- Next Page »